ATV

Blog

  • Çfarë i nxori jashtë funksioni sistemet teknologjike në botë?

    Çfarë i nxori jashtë funksioni sistemet teknologjike në botë?

    Një dështim në operacionet e një gjiganti teknologjik ka prekur punën e dhjetëra agjencive të premten, duke anuluar fluturimet, duke penguar transmetimet televizive, si dhe punën nëpër spitale e banka.

    Çfarë ndodhi?

    CrowdStrike, kompani amerikane për siguri kibernetike, është në mesin e kompanive më të njohura në botë, e cila ka më shumë se 20.000 abonues në gjithë botën.

    Sipas një alarmi të dërguar nga CrowdStrike për klientët e vet, softueri i saj i shumëpërdorur “Falcon Sensor”, është duke shkaktuar problem në sistemin Microsoft Windows, në të cilin po shfaqet ekrani i kaltër, i njohur ndryshe si “Ekrani i kaltër i vdekjes”.

    Kompania ka thënë se problemi është i izoluar dhe se po punon në zgjedhjen e tij.

    Pse ndodhi?

    “Dëmi në proceset biznesore në nivel global, është dramatik. Defekti është shkaktuar për shkak të një përditësimi të softuerit të produktit EDR të Crowdstrike”, ka thënë Omer Grossman, zyrtar për informim në kompaninë për siguri të identitetit, CyberArk.

    EDR, apo Endpoint Detection and Response, është produkt kibernetik që kompanitë e vendosin në kompjuterët e klientëve të tyre për t’i mbrojtur nga hakerët.

    Ai softuer, i cili punon në prapavijë të pajisjeve të klientëve, përdoret prej kompanive për siguri kibernetike që të monitorojnë ndonjë lëvizje apo tentim për sulm në rrjetet e klientëve.

    “Kemi kuptuar që për shkak të defektit – Ekranit të kaltër të vdekjes – produkti nuk mund të përditësohet prej larg, dhe ky problem duhet të rregullohet manualisht, një për një. Ky proces pritet të marrë ditë”, ka shtuar ai.

    Kush është prekur?

    Ndërprerjet teknologjike kanë prekur operacione në gjithë botën, aeroportet në Evropë, linjat ajrore në Shtetet e Bashkuara, bankat dhe mediat në Australi.

    Qeveria e Australisë, ajo e Zelandës së Re dhe disa shtete amerikane, janë duke u përballur me probleme.

    Në Britani, televizioni Sky News, një prej mediumeve më të mëdha në vend, ka qenë jashtë transmetimit për disa orë.

    Pse janë prekur kaq shumë biznese?

    Sepse, softuerët e kompanive të mëdha janë të shtrirë në gjithë botën, nëpër miliona kompjuterë.

    “Dëmi në biznese është dramatik”, ka thënë Grossman. /REL

  • Faton Hajrizi vritet në Serbi

    Faton Hajrizi vritet në Serbi

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se vrasësi i policit, Faton Hajrizi është likuiduar.

    Ai ka thënë se vrasja e tij është kryer në afërsi të Lloznicës.

    Ministri Daçiq ka dalë në vendin e ngjarjes.

  • Banka Qendore del me njoftim, tregon se a ka rënë sistemi bankar i Kosovës

    Banka Qendore del me njoftim, tregon se a ka rënë sistemi bankar i Kosovës

    Para pak orësh u raportuar se ka rënë sistemi qendror i bankës së Kosovës.

    Pas këtyre raportimeve Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Sistemi Ndërbankar i Pagesave (SNP), i cili është një sistem kombëtar i pagesave, është plotësisht funksional dhe nuk ka pasur asnjë ndërprerje në aktivitetin e tij.

    Por sipas Bankës Qendrore të Kosovës disa nga shërbimet online të ndonjë banke të caktuar janë ndikuar pjesërisht nga problemet.

    “Disa nga shërbimet online të ndonjë banke të caktuar janë ndikuar pjesërisht nga problemet globale me shërbimet e kësaj natyre. Në atë rast, edhe këto shërbime po rikthehen gradualisht nga banka, pa asnjë pasojë. BQK bën me dije se nuk ka pasur sulme kibernetike në sistemin bankar dhe nuk ka pasur asnjë rrezik për të dhënat apo sistemet. Si pasojë e disa ndryshimeve teknike të aplikuara nga ofrues global të shërbimeve, disa nga shërbimet online janë kufizuar për një kohë të caktuar”, thuhet në njoftim.

    Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se sistemi bankar është funksional.

  • Deputetja e PDK-së: S’pres përparim në dialog, Asociacioni i Kurtit sjell autonomi për serbët

    Deputetja e PDK-së: S’pres përparim në dialog, Asociacioni i Kurtit sjell autonomi për serbët

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi nuk pret që të ketë përparim në dialog, pavarësisht intensifikimit të procesit në nivel të kryenegociatorëve. Sipas saj, zbatimi i Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit është shumë larg, ani pse palët kanë pasur kohë deri më 18 korrik të dërgojnë komente për planin e sekuencimit të propozuar nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Deputetja opozitare i konsideron të parëndësishme kushtet e kryeministrit Albin Kurti në dialog të paraqitura javë më parë në Bruksel, derisa akuzon edhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla se ka dështuar në diplomaci.

    Musliu-Shoshi në një intervistë për KosovaPress deklaron se dialogu ka ngecur edhe për shkak të qasjes destruktive të Serbisë, derisa thekson se nuk pret të ketë lëvizje edhe nga ana kosovare për shkak se ky vit sipas saj është vit zgjedhor në vend.

    “Nuk pres që të ketë një përparim në dialog. Fatkeqësisht e dimë që dialogu është kushti që e kemi nëse dëshirojmë me ecë përpara në përfitim të fondeve si dhe fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtarë. Ju e dini se kemi pas dështim në Këshill të Evropës sepse nuk kemi pas progres në dialog. Zotëri Kurti ka mashtruar në dialog me akterët tanë ndërkombëtarë. Këtë gjë e dinë aleatët dhe prandaj kemi ndëshkime të vazhdueshme. Por në sferën e brendshme e ka shfrytëzuar dialogun për të mbuluar dështimet e brendshme. Është një fatkeqësi që ne si shtet luajmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, besimin e tyre duke shfrytëzuar dialogun. Dialogu duhet të ishte tema kryesore që e shfrytëzojmë për të mirën e vendit dhe njëkohësisht duke arrit të fitojmë besimin e akterëve ndërkombëtarë dhe të ecim përpara drejt integrimit evropian”, thotë ajo.

    Sipas saj, kushtet e Kurtit të paraqitura në Bruksel, ku kërkon nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit, tërheqjen e letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq drejtuar BE-së si dhe dorëzimin e Milan Radoiçiq në Kosovë bien në ujë derisa po vazhdojnë takimet në nivel të kryenegociatorëve në kryeqendrën evropiane.

    “Albin Kurti prej ditës së parë që ka ardh në qeveri dhe pa ardhur si premtim elektoral ka pasur kushte që të ecet përpara në dialog. E dimë se në takimin e parë ka pasur më shumë se dhjetë kushte në takimin e parë që ka pasur me zotëri Lajçak. Në çdo takim që merr pjesë në dialog kemi kushte të reja, ndërsa kushtet e vjetra që i ka cek ato bien në ujë. Kjo dëshmon se s’ka asnjë kusht dhe ato kushte i ka vetëm për elektorat të brendshëm, mirëpo s’ka kushte serioze që i drejtohen aleatëve apo institucioneve ndërkombëtare që janë përgjegjëse që t’i pranojnë kushtet e zotëri Kurti”, shton Musliu-Shoshi.

    Ajo kritikon ekzekutivin se ka pranuar një Asociacion që do të sjell autonomi për komunitetin serb në Kosovë.

    “Ne kemi akterët ndërkombëtarë të cilët kërkojnë që Asociacioni të jetë kushti kryesor për Kosovën, në mënyrë që të ecet përpara drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtarë, konkretisht drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës. Tani që Albini ka pranuar Asociacionin që e ka thënë vet, por jo një Asociacion siç ka qenë në vitin 2013-2015, por tani kemi të bëjmë me një Asociacion që brenda vetës ka rezolutën 1244, arbitrazhin, vetëfinancimin dhe vetëmenaxhimin, pra po flasim për një autonomi për komunitetin serb. Pra s’po flasim për një Asociacion pa kompetenca ekzekutive”, thekson ajo.

    Deputetja opozitare që është anëtare edhe komisionit parlamentar për politikë të jashtme, thotë se kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla ka dështuar në diplomaci.

    “Republika e Kosovës vetëm politikë të jashtme s’ka pasur. Politikën e jashtme e kanë karakterizuar skandalet e njëpasnjëshme të cilat nuk i kanë bërë nder as ministres dhe vendin tonë e kanë ndëshkuar. Në çdo postim që e ka pasur dhe deklaratë ka pas huqje të mëdha që shtetet i marrin parasysh dhe të cilat kanë ndikim sa i përket marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe në aspektin ndërkombëtarë. Përveç kësaj ka pasur keqpërdorime të mëdha brenda për brenda ministrisë sa i përket gradimeve, punësimeve, largimeve nga puna ku shumë prej këtyre proceseve janë në gjykata”, përfundon Musliu-Shoshi. /kp

  • ​Scholz: Vendet e rajonit sa më shpejt të hyn në BE

    ​Scholz: Vendet e rajonit sa më shpejt të hyn në BE

    Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar se do ta mbështesin me të gjitha forcat e tyre anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Ai këto komente i bëri gjatë Samitit të lëndëve të para, i cili është mbajtur në Beograd, e ku Serbia ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Bashkimin Evropian për një partneritet strategjik në lidhje me lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e furnizimit me bateri për makinat elektrik.

    “Evropa në botën ku do të jetojmë është baza më e mirë për të gjithë ne, ne e dimë që në këtë planet jetojnë 8 miliardë njerëz, ne e dimë se nga mesi i këtij shekulli do të jenë 10 miliardë dhe sipas statistikave atëherë pritet sërish një reduktim kur bëhet fjalë për numrin e banorëve të planetit tonë, por ne do të jemi ende 400-500 milionë qytetarë në grupin tonë që bashkon Bashkimin Evropian, dhe ajo që duhet bërë duhet të arrijmë së bashku, prandaj është një projekt shumë i rëndësishëm evropian që merret edhe me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe dua të them shumë qartë në këtë pikë, si kancelar i Gjermanisë, e konsideroj detyrim përmbushjen e premtimeve të bëra shumë kohë më parë kur bëhet fjalë për perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në raport me Bashkimin Evropian. Sa më shpejt që këto vende t’i përkasin Bashkimit Evropian, ne do ta mbështesim atë proces me të gjitha forcat tona me të gjitha aktivitetet politike, procesin e Berlinit, gjëra të tjera, por edhe me vendosmëri të madhe për ta bashkuar Evropën në atë mënyrë”, tha ai.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz se në cilëndo pozitë që ka qen, ka punuar që të gjithë t’i kapërcejnë rregullat e së kaluarës, pasi globalisht kemi nevojë për një perspektivë të re.

  • ​Reali e zbulon datën e prezantimit të Endrick

    ​Reali e zbulon datën e prezantimit të Endrick

    Real Madridi e ka konfirmuar se prezantimi i lojtarit Endrick do të bëhet më 27 korrik në orën 12:00 në “Santiago Bernabéu”.

    Përpara ngjarjes, presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez do të mirëpresë Endrick në Madrid, ku do të nënshkruajë kontratën që e lidh atë me klubin për gjashtë sezonet e ardhshme, raporton KosovaPress.

    Pas zbulimit të tij, Endrick do të flasë për shtypin në stadiumin “Santiago Bernabéu”.

  • ​Osmani takon kryeministrin e Holandës, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

    ​Osmani takon kryeministrin e Holandës, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar të enjten kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof.

    Takimi ka ndodhur në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

    Përmes, një komunikate për media është bërë e ditur se temë diskutimi ka qenë avancimi i Kosovës drejt institucioneve euroatlantike dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

    “Diskutim përmbajtësor me Kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof, për forcimin e partneritetit midis Kosovës dhe Holandës, si dhe për rëndësinë e avancimit të rrugës së Kosovës drejt institucioneve euroatlantike dhe anëtarësimit në organizata tjera ndërkombëtare”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.

  • ​Cilët janë dy lojtarët e ardhshëm që pritet t’i bashkohen Milanit pas Moratas?

    ​Cilët janë dy lojtarët e ardhshëm që pritet t’i bashkohen Milanit pas Moratas?

    Alvaro Morata është transferimi i parë i Milanit këtë verë, dhe ai pritet të ndiqet nga një mbrojtës dhe një mesfushor qendror.

    Kapiteni i Spanjës, Morata, do të prezantohet si nënshkrim i ri i Milanit pas pushimeve të tij, por ai tashmë ka kaluar testet mjekësore dhe ka nënshkruar një kontratë me gjigantin e Serie A, kështu që ai është në të vërtetë një lojtar i ri i kuqezinjve, raporton KosovaPress.

    Edhe pse Milani po mendon të nënshkruajë me një qendërsulmues të dytë për 2024/2025, ata tani kanë prioritet një mbrojtës të ri dhe një mesfushor të ri qendror.

    Emerson Royal i Tottenhamit ka qenë në bisedime me gjigantin e Serie A për disa javë, por Milani ka të ngjarë të ndryshojë objektivin dhe të shkojë për qendërmbrojtësin Strahinja Pavlovic.

    Sipas “Gazzetta”, lojtari serb tashmë ka rënë dakord për kushtet personale me Milanin, kështu që Furlani dhe Geoffrey Moncada tani po përpiqen të ulin kërkesat e RB Salzburg.

    Kuqezinjtë shpresojnë të arrijnë marrëveshjen për rreth 20 milionë euro, ndërsa Pierre Kalulu do të vendoset si mbrojtës i djathtë nëse Pavlovic kalon në “San Siro”.

    Milani gjithashtu dëshiron një mesfushor qendror mbrojtës dhe raporti i fundit nga “Sky Sport Italia” pretendon se ata janë më afër arritjes së marrëveshjes me Monacon për Fofanën.

    Milani është gjithashtu i interesuar për Samardzic dhe Adrien Rabiot, por dyshja ka aftësi të ndryshme nga Fofana, i cili, siç raportohet nga “MilanNews”, konsiderohet një profil ‘ideal’ për të kompletuar mesfushën e Milanit me fizikun e tij.

  • ​Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës i paprekur nga kriza globale e sistemeve kompjuterike

    ​Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës i paprekur nga kriza globale e sistemeve kompjuterike

    Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se situata e krijuar mëngjesin e sotëm nga ndërprerje të funksionimit të sistemeve kompjuterike, në nivel global, që ka prekur shërbimin e sistemit të check-in dhe rezervimit, në disa aeroporte ndërkombëtare, nuk ka afektuar për momentin Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

    Sipas MIE-s, fluturimet e orareve të mëngjesit janë nisur në kohë dhe pa probleme. Kjo, pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka një sistem të dyfishtë, i cili mundëson funksionimin pa probleme të tij.

    Gjithsesi MIE informon se vonesa pritet të shkaktohen në orët në vazhdim nga fluturimet që do të vijnë nga aeroportet e tjera në varësi të sistemeve të ndryshme të operimit.

    Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) konfirmoi se sistemet e tij kanë mbetur plotësisht funksionale dhe të paprekura nga kriza e fundit e sistemeve kompjuterike në mbarë botën.

    Për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, TIA thotë se mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet në TIA.

    Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës.

    TIA thotë se mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithë pasagjerëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.

    Kaosi global me ndërprerjen e internetit ndodhi për shkak të një gabimi në përditësimin e një softueri.

    Dështimi i përditësimit të një agjenti të softuerit po shkakton dështime të internetit në shkallë të gjerë.

    Bankat, linjat ajrore, kompanitë e telekomunikacionit, transmetuesit televizivë, radiofonikë dhe supermarketet në Europë dhe SHBA janë prekur nga probleme të sistemeve të IT./ATSH/

  • ​Shkaku u temperaturave të larta, lojërat në Paris mund të jenë vdekjeprurëse

    ​Shkaku u temperaturave të larta, lojërat në Paris mund të jenë vdekjeprurëse

    ojërat Olimpike fillojnë në Paris më 26 korrik dhe zgjasin deri më 11 gusht, aty ku rreth 10,000 sportistë do të garojnë për medalje në 32 sporte. Por shkencëtarët paralajmërojnë se nxehtësia ekstreme mund të ketë pasoja vdekjeprurëse gjatë garave olimpike dhe paraolimpike në Paris.

    Ka pasur 50 valë të nxehti në Francë midis viteve 1947 dhe 2023. Në vitin 2003, më shumë se 14,000 francezë vdiqën si pasojë e temperaturave ekstreme. Rreziku i vdekshmërisë nga nxehtësia në qendër të Parisit është rritur me 70 për qind.

    Gjërat gjithashtu mund të ndërlikohen në Lojërat Olimpike në mes të verës. “Rreziku i një vale shkatërruese të të nxehtit është shumë real”, paralajmërojnë në një raport ekspertët nga Shoqata Britanike për Sport të Qëndrueshëm, përcjellë KosovaPress.

    Sipas një studimi, edhe të rinjtë e shëndetshëm nuk mund të rregullonin më temperaturën e trupit në rreth 31 gradë Celsius dhe një nivel të lartë të stresit të nxehtësisë. Edhe djersitja e shtuar nuk ndihmon shumë. Trupi nxehet, ndonjëherë me pasoja dramatike.

    Në këto lojëra merr pjesë edhe Kosova e cila do të përfaqësohet me nëntë sportistë.