ATV

Blog

  • Temperatura të larta në Madrid, turistët ankohen për vapën: Nga toka del zjarr, as uji nuk na mjafton

    Temperatura të larta në Madrid, turistët ankohen për vapën: Nga toka del zjarr, as uji nuk na mjafton

    Në Madrid, turistët dhe banorët kërkojnë strehim nga i nxehti, ndërsa Spanja po përballon valën e dytë të të nxehtit të verës, me temperaturat në kryeqytet që arrijnë deri në 41 gradë Celsius.

    “Duket sikur nga toka del zjarr”, thonë turistët e shumtë që kanë zgjedhur të vizitojnë Madridin këto ditë.

    “Ne kemi ardhur në Madrid për një koncert dhe shfrytëzuam rastin të kalojmë disa ditë në Madrid. Vapa këtu është mjaft rraskapitëse, mbajmë ujë me vete, por nuk mjafton me këto temperatura”, thotë një turiste.

    Në Spanjë, agjencia shtetërore meteorologjike, njoftoi se temperaturat të premten mund të arrijnë deri në 44 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit shkaktuar nga një masë “ajri shumë e nxehtë dhe me pluhur” nga Afrika e Veriut. /tch

  • Kush mund ta udhëheqë Rusinë pas Putinit?

    Kush mund ta udhëheqë Rusinë pas Putinit?

    Vladimir Putin, 71-vjeçar, ka qenë president ose kryeministër i Rusisë prej vitit 1999, duke shtypur zërat kundërshtarë, ndërkohë që ka krijuar një sistem autoritar, i cili u ka rezistuar sfidave politike, krizave ekonomike, luftërave dhe pandemisë së koronavirusit.

    Në janar, kur Putin është përgatitur për një mandat të pestë presidencial, në zgjedhje thuajse krejtësisht të menaxhuara, një korrespodent i mediumit britanik BBC, e ka pyetur një pensioniste në qytezën ruse Rzhev, nëse dikush do të mund të zëvendësonte Putinin.

    “Jo tani”, ka thënë gruaja, duke e përsëritur një narrativë që është kultivuar me kujdes nga pushteti i Kremlinit.

    “Ndoshta Putin do të gjejë dikë më vonë. Mirëpo, mendoj që ai do të jetë në pushtet edhe për një kohë të gjatë”.

    Pavarësisht vështirësive për të menduar “përtej Putinit”, Systema – njësiti hulumtues në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë – ua ka bërë këtë pyetje më shumë se 150 ekspertëve, përfshirë shkencëtarë politikë, sociologë dhe gazetarë në Rusi, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

    Mbi 40 prej tyre kanë pranuar të përgjigjen dhe janë pyetur se cili është skenari më i mundshëm që Putin të mos jetë më në pushtet dhe kush do të mund ta zëvendësojë.

    Shumë prej tyre kanë thënë se këto spekulime janë vetëm mbi bazë fantazie, dhe që identifikimi i emrit të pasardhësit është mision i pamundur.

    Disa të tjerë kanë thënë që as vetë Putin nuk ka ide të qartë në këtë drejtim.

    “Dobësimi i regjimit të Putinit do të jetë në linjë me plakjen natyrale të Putinit”, ka thënë analisti politik ukrainas, Volodymyr Fesenko.

    Derisa vdekja të na ndajë
    Shumica e ekspertëve kanë thënë se skenari më i mundshëm për ndryshim të pushtetit në Rusi do të ishte vdekja e Putinit.

    Në fakt, pothuajse të gjithë respodentët e kanë përmendur këtë si një prej mundësive më reale për Rusinë, ndërsa tetë prej tyre e kanë parë këtë si mundësinë e vetme.

    Ndërkohë, 23 kanë thënë se puçi apo një kryengritje e elitës mund të nxisë ndryshim pushteti.

    Dhjetëra e kanë përmendur këtë si mundësinë e vetme.

    Vetëm pesë respodentë e kanë përmendur “luftën civile” apo “revolucionin” si mundësi për Rusinë, më pak sesa ata që kanë thënë se regjimi i Putinit mund të marrë fund prej një humbje ushtarake ruse.

    Një ekspert ka supozuar që fundi i Putinit mund të nxisë ndonjë katastrofë të madhe, sikurse një katastrofë në central bërthamor apo një tronditje ekonomike globale.

    Një tjetër ka thënë se Putin mund të rrëzohet me një “puç të lehtë”, në rast se do të ketë ndonjë sëmundje serioze.

    Asnjëri prej respodentëve nuk e ka përmendur fundin e regjimit të Putinit përmes zgjedhjeve. Mirëpo, gazetari Andrei Zakharov ka thënë se “Rusia do të jetë një ditë e lirë”.

    Emrat e zakonshëm

    Ekspertëve u është kërkuar edhe që të përmendin emrin e pasardhësit potencial të Putinit në dy skenarë të ndryshëm, njërin kur vetë Putin merr pjesë në procesin e përzgjedhjes – sikurse ka vepruar presidenti i dikurshëm Boris Yeltsin kur e ka emëruar Putinin – dhe të dytin, nëse Putin vdes, apo nuk mund të marrë pjesë në proces.

    Në skenarin e parë, 19 ekspertë e kanë përmendur kryeministrin aktual rus, Mikhail Mishustin, derisa 18 tjerë e kanë përmendur Sekretarin e Këshillit Shtetëror dhe ish-rojën e Putinit, Aleksei Dymin.

    Emra tjerë të përmendur janë edhe ai i kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, ish-presidentit, Dmitry Medvedev, dhe ai i ministrit të Mbrojtjes, Andrei Belousov.

    Dy ekspertë kanë thënë se Putin mund të zgjedhë edhe vajzën e tij më të re, Katerina Tikhonova, derisa një tjetër e ka përmendur emrin e vajzës së madhe të Putinit, Maria Vorontsova.

    Në skenarin e dytë, në të cilin Putin nuk do të përfshihej në procesin e përzgjedhjes, shumica e respodentëve e kanë përmendur emrin e Mishustinit, derisa Sobyanin ka dalë i dyti.

    Shtatë respodentë e kanë përmendur edhe këshilltarin e presidentit, njëherësh ish-shefin e Shërbimit Federal të Sigurisë, Nikolai Patrushev.

    Pesë të tjerë e kanë përmendur emrin e djalit të Patrushevit, zëvendëskryeministrit, Dmitry Patrushev.

    Në total, ekspertët kanë përmendur 34 emra të figurave që mund të ngjiten në pushtet pas Putinit, duke përfshirë 75-vjeçaren, Valentina Matviyenko, aktualisht udhëheqëse e Këshillit Federal, si dhe 37-vjeçaren Tikhonova.

    Një ekspert e ka përmendur edhe liderin e Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov, pavarësisht raportimeve të vazhdueshme se ai po përballet me probleme serioze shëndetësore.

    Një tjetër ekspert e ka përmendur biznesmenin në ekzil, Mikhail Khodorkovsky, 61-vjeçar, si kandidat potencial pas Putinit.

    Khodorkovsky ka qenë figura e vetme opozitare që është përmendur nga respodentët.

    Aleksei Navalny, kundërshtari më i zëshëm i Putinit në dekadën e fundit, ka vdekur papritur në shkurt, sa ka qenë në një burg në Arktik, pas tre vjetësh e gjysmë mbrapa grilave.

    Shumë ekspertë kanë thënë se parashikimi i pasardhësit të Putinit në pushtet është diçka e pamundshme, sepse gjithçka varet nga situata e krijuar.

    “Në rast të ndonjë ndryshimi të papritur, kushdo që e merr pozitën e kryeministrit, ka më së shumti mundësi për të qenë pasardhës”, ka thënë një analist, i cili ka kërkuar të mos i përmendet emri.

    “Është e pamundur të dihet tani”, ka shtuar ai, duke përmendur se pak njerëz do të përmendnin emrin e Nikita Khrushchevit si pasardhës të diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

    Analisti politik rus, Fyodor Krasheninnikov, e ka përmendur kompleksitetin e sistemit qeverisës të Putinit.

    “Ne as nuk e dimë se kush realisht e përbën rrethin më të ngushtë të Putinit”.

    Sergei Sanovich, hulumtues në Institutin Hoover të Universitetit Stanford, ka thënë se beson që një tranzicion në pushtetin e Rusisë mund të mos ndodhë deri më 2036, kur mund të përfundojë mandati i gjashtë presidencial i Putinit.

    “Nëse ndodh tani, mendoj që pasardhës do të jetë Patrushevi i ri”, ka vlerësuar ai.

    “Mirëpo, nuk mendoj që kjo do të ndodhë më herët sesa viti 2036, kur Dmitry Patrushev do të jetë 60 vjeç. Kjo nënkupton që atëherë mund të fitojë dikush më i ri”. /Radio Evropa e Lirë

  • Obama pritet ta paraqesë mbështetjen e tij për Kamala Harrisin

    Obama pritet ta paraqesë mbështetjen e tij për Kamala Harrisin

    Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, po planifikon ta bëjë publike mbështetjen e tij për zëvendëspresidenten, Kamala Harris si kandidate e demokratëve në zgjedhjet presidenciale, ka raportuar NBC News të enjten.

    Obama privatisht i ka shprehur mbështetje të plotë kandidaturës së Harrisit, dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të, citohen raportet e burimeve të afërta me diskutimet.

    “Ndihmësit e Obamës dhe Harrisit kanë diskutuar gjithashtu për organizimin e paraqitjes së tyre së bashku në fushatë, megjithëse nuk është caktuar një datë”, thuhet në raport.

    Meqë askush nuk doli hapur për ta sfiduar Harrisin për nominimin, ajo fitoi mbështetjen e delegatëve të partisë të hënën, një ditë pasi presidenti, Joe Biden njoftoi se ai do të hiqte dorë nga gara e tij për rizgjedhje.

  • Fundoset anija cisternë me 1.4 milionë litra naftë, katastrofë e madhe ekologjike!

    Fundoset anija cisternë me 1.4 milionë litra naftë, katastrofë e madhe ekologjike!

    Një anije cisternë që transportonte gati 1.4 milionë litra karburant industrial u fundos dhe u mbyt në kryeqytetin e Filipineve, këtë të enjte. Gjashtëmbëdhjetë anëtarë të ekuipazhit të Terra Nova me flamur Filipine u shpëtuan ndërsa një tjetër nuk është gjetur ende, tha Sekretari i Transportit Jaime Bautista.

    Incidenti vjen një ditë pasi tajfuni Gaemi intensifikoi shirat sezonalë, duke përmbytur zona të mëdha të Metro Manila dhe periferitë e saj. Gaemi arriti në Tajvan, duke lënë tre të vdekur dhe duke plagosur qindra të tjerë.

    Autoritetet thanë se MT Terra Nova po shkonte për në qytetin qendror të Filipineve, Iloilo, kur u fundos, duke shkaktuar një derdhje nafte që shtrihej për disa kilometra.

    Zëdhënësi i Rojës Bregdetare të Filipineve, tha se agjencia po “lufton me kohën” për të kontrolluar derdhjen.

    Ai shtoi se nëse e gjithë nafta në cisternë ka rrjedhur, do të ishte derdhja më e madhe në historinë e Filipineve.

    “Ekziston një rrezik i madh që Manila, madje edhe vija bregdetare e Manilës, të preket nëse karburanti rrjedh”, tha ai.

    Në mars 2023, një cisternë nafte që transportonte 800,000 litra karburant industrial u mbyt në brigjet e provincës Oriental Mindoro.

    Karburanti arriti në shumë fshatra që jetojnë me dhe kanë aktivitet bazë peshkimin, duke mbuluar plazhet me baltë të zezë. Banorët në fshatrat bregdetare raportuan edhe probleme shëndetësore.

  • Rikthimi i shtetësisë së Kosovës, Sahiti nga MPJD: Nga 370 euro sa ishte tarifa më e lartë, tani pa pagesë

    Rikthimi i shtetësisë së Kosovës, Sahiti nga MPJD: Nga 370 euro sa ishte tarifa më e lartë, tani pa pagesë

    Leutrim Sahiti, këshilltar për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se rikthimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës, tani është pa pagesë.

    Në një postim në rrjetin social Facebook, Sahiti ka shkruar se nga 370 euro sa ishte tarifa më e lartë, mërgimtarët tani mund ta rikthejnë shtetësinë e Kosovës pa asnjë pagesë.

    “370, 250 dhe 200 euro, ishin tarifat për rikthimin e shtetësisë së Kosovës, varësisht nga shteti ku bëhej aplikimi. Sot mërgimtarët mund të rikthejnë shtetësinë e Kosovës, shpejtë, lehtë dhe pa asnjë pagesë”, shkroi ai.

    Ndryshe, ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla Schwarz, një ditë më parë ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.

    Gërvalla tutja theksoi rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik.

    “….Lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara vetëm për qytetarët e Kosovës, si e drejta për të votuar dhe për t’u votuar. Kosova ka nevojë për ju. Prandaj, aplikoni sa më parë pranë konsullatave tona ose në komunën prej nga vini dhe bëhuni sërish shtetas të Republikës së Kosovës!”, ka thënë Gërvalla.

  • Bieber për deklaratën e Gjuriqit: Mirë që nuk e përfshiu popullsinë e Kosovës në numrin e qytetarëve të Serbisë

    Bieber për deklaratën e Gjuriqit: Mirë që nuk e përfshiu popullsinë e Kosovës në numrin e qytetarëve të Serbisë

    Eksperti për Ballkanin, Florian Bieber ka ironizuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili pas një takimi me përfaqësues të Institutit italian të Çështjeve Ndërkombëtare, tha se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian do të nënkuptonte “lidhje të qëndrueshme strategjike”.

    “Ky është një angazhim për një miqësi të qëndrueshme, partneritet dhe qasje të përbashkët ndaj çështjeve globale. Si një komb prej 7 milionë banorësh që i bashkohet një grupi prej më shumë se 400 milionë banorësh, për vendin tim do të thotë të bëhem gati për ta zënë vendin e barabartë në familjen e kombeve evropiane dhe të përballemi së bashku me sfidat globale”, tha Gjuriq pas takimit.

    Pikërisht fakti i përmendur për “7 milionë banorë”, i ka bërë përshtypje politologut dhe profesorit në Universitetin e Grazit, Florian Bieber.

    “Më vjen mirë që nuk po e përfshin popullsinë e Kosovës në numrin e qytetarëve të Serbisë. Batutat mënjanën, është mëkat që ai është pritur në institucione si Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare, ndërsa ai dhe qeveria e tij sulmojnë kritikët (përfshirë mua) dhe nuk u japin hapësirë ​​brenda vendit”, shkroi Bieber në X.

    Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare (Istituto Affari Internazionali – IAI) është një institut prestigjioz italian, organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 1965 dhe renditet ndër 20 grupet më të mira të mendimit global për politikën e jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

  • Mënyrat tradicionale por shumë të efektshme për zgjedhjen e shalqirit

    Mënyrat tradicionale por shumë të efektshme për zgjedhjen e shalqirit

    Shalqiri është fruti i preferuar për shumicën e njerëzve gjatë stinës së verës.

    Të dish se si të zgjedhësh një shalqi të ëmbël është një aftësi dhe ndonjëherë sado që mundohemi ta zgjedhim më të mirin, nuk rezulton ashtu nga brenda.

    Megjithatë, ekzistojnë metoda të shumta që do t’ju ndihmojnë një shalqi të ëmbël dhe të shijshëm.

    Shmangni atë ndjenjë pendimi duke zbatuar këto këshilla për të zgjedhur një shalqi të pjekur plotësisht.

    Ja cilat shenja duhet të shikoni kur shkoni të blini shalqi në dyqan

    Analizoni anën e zverdhur të shalqirit

    Një nga treguesit më të rëndësishëm të cilësisë së një shalqiri është ngjyra e anës së zverdhur, ajo njolla e madhe që duket si pa ngjyrë.

    Një njollë e verdhë kremoze afër ngjyrës portokalli tregon një shalqi me plot shije.

    Nëse njolla është e bardhë ose ka një të verdhë të hapur sinjalizon që shalqiri është pa shije, kështu që mund të dëshironi të zgjidhni një tjetër.

    Analizoni vijat e shalqirit

    Ngjyrat e shalqirit tuaj ndihmojnë në përcaktimin e shijes së këtij fruti.

    Zgjidhni një shalqir që ngjyrat e tij janë tejet të forta dhe të qarta.

    Vijat jeshile duhet të jenë jeshile të errëta the të thella, derisa vijat e zbehta duhet të jenë të verdha kremoze të hapur.

    Goditeni lehtas me duar

    Ndonëse të tjerët mund t’ju hedhin një vështrim të çuditshëm, nëse goditni shalqirin tuaj, kjo metodë mund t’ju ndihmojë ta zgjidhni më të mirin.

    Nëse pas goditjes dëgjoni një tingull të thellë dhe ju duket i zbrazët, fruti ka më shumë ujë dhe ka të ngjarë të jetë i pjekur.

    Nëse pas goditjes dëgjoni tingull me zë të lartë dhe të dendur, mund të nënkuptojë se lëvorja është shumë e trashë dhe fruti nuk është pjekur plotësisht.

    Analizoni njollat

    Nëse vëreni disa vija gri-kafe që duket si linja rrufesh apo venash, janë tregues të shkëlqyer të një shalqini shumë të ëmbël. Këto pika tregojnë se ku ka dalë sheqeri nga frutat, kështu që inspektoni të gjitha anët e shalqirit tuaj.

    Zgjidhni shalqirin më të rëndë për nga madhësia

    Kur blini shalqi, mateni edhe peshën. Një shalqi i mirë ndihet më i rëndë se sa duket, sepse sa më i dendur të jetë, aq më e lartë është përmbajtja e ujit dhe kështu është edhe më i ëmbël.

    Zgjidhni një shalqi më rrumbullak

    Kërkoni një shalqi që është më i rrumbullakët dhe në formë më të barabartë, në krahasim me atë që duket në formë ovale.

    Shalqiri i rrumbullakët është më i ëmbël.

  • Ish-Miss Kosova i jep fund beqarisë

    Ish-Miss Kosova i jep fund beqarisë

    Modelja e njohur shqiptare, Diana Avdiu, i ka dhënë fund beqarisë. Ish-Miss Kosova ka kurorëzuar dashurinë me martesë me partnerin e saj prej shumë vitesh në një ceremoni luksoze.

    Ajo ka shkëlqyer me dukjen në fustan nusërie të bardhë, duke marrë kështu gjithë vëmendjen.

    Bukuroshja prej kohësh ka bërë një tërheqje nga rrjetet sociale e po ashtu edhe nga mediat.

    Avdiu e ka mbajtur edhe jetën private jashtë publikut, duke mos dashur që të ekspozohet shumë.

    Ajo u shpall Miss Kosova në vitin 2012, gjersa karriera e saj si modele nisi në moshë të hershme.

    Diana vazhdon të jetë njëra nga vajzat më të bukura në showbizin shqiptar.

  • Hetimi për subvencionimin e librave shkollorë, sot intervistohen dy dëshmitarë

    Hetimi për subvencionimin e librave shkollorë, sot intervistohen dy dëshmitarë

    Duke filluar nga ora 10:00, Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 do të mbajë mbledhjen e radhës.

    Ky komision sot në rend dite ka intervistimin e dy dëshmitarëve, si udhëheqësin e divizionit të prokurimit në MAShTI dhe Eglantina Bërhanin, drejtore ekzekutive Botime PEGI.

    Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.

    Dje u intervistua drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri dhe Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumanova-Baçi.

  • Sot nis “Sunny Hill Festival”

    Sot nis “Sunny Hill Festival”

    Festivali i njohur tashmë në vendin tonë hapë dyert sonte në Bërnicë të poshtme në Sunny Hill Park.

    Emrst e artistëve tashmë janë bërë të ditur dhe në mesin e tyre janë si: Bebe Rexha, Stormzy, Burna Boy, Black Coffe, DJ Snake, The Blaze, Tomy Gold, The Martinez Brotherz, Kamal dhe të tjerë.

    Pos tyre në këtë festival si çdo vit tjetër marrin pjesë edhe artistët shqiptarë si: Dafina Zeqiri, Ledri Vula, Dhurata Dora, Yll Limani, Mozzik, Mc Kresha, Lyrical Son etj.

    “Sunny Hill Festival” fillon sot dhe mbaron më 28 korrik.