ATV

Blog

  • Kroacia shpall persona të padëshiruar tre politikanë nga Mali i Zi

    Kroacia shpall persona të padëshiruar tre politikanë nga Mali i Zi

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar sot Malin e Zi përmes një note drejtuar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb se Zagrebi ka shpallur kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiq, deputetin Millan Knezheviq dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiq, persona të padëshirueshëm.

    Zagrebi tha se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të, siç u tha, abuzimit të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.

    “Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, u tha në njoftim.

    Sipas Ministrisë kroate, fqinjësia e mirë është një ndër elementët kyçë të procesit të zgjerimit dhe atij të stabilizim asociimit “dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e përparimit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi” në Bashkimin Evropian.

    Kroacia tha se e mbështet anëtarësim e Malit të Zi në BE.

    “Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe se të përqendrojë përpjekjet e tij në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit”, u tha në njoftim.

    Mandiq dhe Knezheviq udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërkaq Beçiq është udhëheqës i demokratëve.

    Më herët gjatë kësaj jave, Fronti Demokratik u bë pjesë e Qeverisë të Malit të Zi, që udhëhiqet nga kryeministri Millojko Spajiq.

    Hyrja në ekzekutiv e Frontit Demokratik dhe të Partisë së Boshnjakëve nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë u prit me shqetësim, pasi Uashingtoni tha vuri në pah se në ekzekutiv kanë hyrë parti që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

    Politika e Frontit Demokratik është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është kandidati më serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian./REL

  • Andy Murray merr vendim shokues në prag të Olimpiadës së Parisit

    Andy Murray merr vendim shokues në prag të Olimpiadës së Parisit

    Andy Murray është tërhequr nga turneu olimpik i tenisit teke në Lojërat e Parisit 2024, eventi i fundit që ai do të luajë përpara daljes në pension. 37-vjeçari është ende duke konkurruar në dyshe për meshkuj së bashku me Dan Evans ndërsa ai lufton për medaljen e tij të katërt olimpike të përgjithshme në fusha balte Roland-Garros.

    Megjithatë, Murray, i konsideruar si një nga heronjtë më të mëdhenj sportivë të Britanisë së Madhe, tani nuk do të luajë më kurrë një ndeshje teke, duke i dhënë fund karrierës së tij të shkëlqyer.

    Ish-legjendari numër 1 i botës fitoi dy tituj të Ëimbledonit, dy medalje të arta olimpike, US Open dhe Kupën Davis, por tani zyrtarisht ka mbyllur këtë aventurë, përcjellë KosovaPress.

    “Kam marrë vendimin të tërhiqem nga teke për t’u përqëndruar në dyshe me Danin”, tha Murray të enjten. “Praktika jonë ka qenë e shkëlqyer dhe ne po luajmë mirë së bashku”., shtoi ai.

    Murray, i cili i dha fund pritjes 77-vjeçare të Britanisë së Madhe për një kampion në teke për meshkuj në Ëimbledon në 2013, pati telashe me lëndimet në vitet e tij të lavdisë.

    Murray regjistroi gjithsej 46 tituj të karrierës ATP Tour në teke, gjë që e vendos atë të 15-tin në Epokën e Hapur. Ai shijoi 41 javë si numri 1 i botës – një arritje e bujshme duke pasur parasysh epokën e tenisit në të cilën ai po luante me Novak Djokovic, Rafael Nadal dhe Roger Federer.

  • Lojtari i Arsenalit i thotë ‘po’ Interit

    Lojtari i Arsenalit i thotë ‘po’ Interit

    Jakub Kiwior është i prirur të kalojë nga Arsenali këtë verë. 24-vjeçari iu bashkua Arsenalit nga skuadra italiane Spezia për rreth 20 milionë euro në janar 2023 dhe vazhdoi të bëjë 30 paraqitje në sezonin e tij të parë të plotë për “Topçinjtë” sezonin e kaluar.

    Problemet e dëmtimit në mbrojtje të Arsenalit dhe rënia e formës së Oleksandr Zinchenko nënkuptonin se Mikel Arteta mbështetej shumë në shkathtësinë e Kiwior-it, veçanërisht në gjysmën e dytë të sezonit, me polakun që luante si qendërmbrojtës por edhe në krahun e majtë.

    Por ardhja e Riccardo Calafiori nga Bologna që tashmë duket e sigurt mund të zvogëlojë minutazhën e Kiwior dhe mbrojtësi është i interesuar për të siguruar minuta të rregullta sezonin e ardhshëm në atë që është një fazë vendimtare e karrierës dhe zhvillimit të tij, përcjellë KosovaPress.

    Sipas “Gazzetta dello Sport”, Interi ka vënë në pah disponueshmërinë e mundshme të Kiwior dhe lojtari i Arsenalit i ka thënë ‘po’ kampionëve të Serie A.

    Raporti thotë se Kiwior ka kaluar kapitenin e Torinos, Ricardo Rodriguez, në krye të listës së ngushtë të objektivave mbrojtëse të Simone Inzaghit dhe Interi është i vendosur ta rrëmbejë polakun.

    Thuhet se Arsenali deri më tani nuk ka qenë i pranueshëm ndaj idesë së një marrëveshjeje huazimi për Kiwior, të cilin Interi e favorizon për shkak të situatës së tyre financiare. Megjithatë gjigantët italianë janë të gatshëm të luajnë lojën e pritjesm për lojtarin deri në fund të afatit kalimtar veror.

    Kiwior, i cili gjithashtu ka qenë i lidhur me Juventusin në javët e fundit, është i lidhur me një marrëveshje me Arsenalin deri në vitin 2028.

  • Llapi përballet me gjigantin danez, Drita e nis sot eksperiencën evropiane

    Llapi përballet me gjigantin danez, Drita e nis sot eksperiencën evropiane

    Pas Ballkanit që e bëri të martën, sot është radha që Drita dhe Llapi të zbresin në fushë për ndeshjet e tyre në kuadër të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës.

    Për dallim nga Ballkani dhe Llapi, për Dritën sonte do të nis sezoni në garat evropiane.

    Të kaltrit nga Gjilani do të kenë përballë islandezët e Breidablik.

    Skuadra e Zekirija Ramadanit synon që të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në Islandë, para se të martën të pres kundërshtarët në Kosovë.

    Në rast kualifikimi, Drita në rrethin e tretë do të ndeshjet me fituesen e çiftit Auda-Cliftonville.

    Kjo ndeshje që luhet sonte nis nga ora 21:15.

    E po sot, por nga ora 19:00 në Brondyb Stadium, Llapi i shkon ekipit të Brondbyt.

    Llapjanët kërkojnë të shkaktojnë befasinë e madhe, edhe pse një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë.

    Në rast se nënkampionët e Kosovës kalojnë më tej, atëherë në rrethin e tretë të do ndeshjen me njërin mes polakëve të Legia Warszawa ose uellsianëve të Caernarfon Town.

    Vlen të ceket se në këtë fazë Llapi erdhi pasi u eliminua nga rrethin i parë kualifikues i Ligës së Evropës.

  • Zyrtarja e MAShTI-t: Arritëm ta ulim çmimin e teksteve shkollore, shtëpitë botuese ishin kundër

    Zyrtarja e MAShTI-t: Arritëm ta ulim çmimin e teksteve shkollore, shtëpitë botuese ishin kundër

    Kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore, Merita Januzaj është intervistuar për rreth dy orë në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore, raporton EO.

    Jonuzaj ka thënë se kanë arritur ta zbresin çmimin e teksteve shkollore nga 5 milionë e 800 në 4 milionë e 800 mijë.

    “Si zyrtare ministrisë sa herë është kërkuar një informatë ne iu kemi përgjigje pozitivisht kërkesave të Kuvendit. Është një proces si hallkë e ndërmjetme e procesit të teksteve shkollore. Pasi përzgjidhen tekstet shkollore vlerësohet tekstet atëherë departamenti i caktuar bënë kërkesën dhe hapet tenderi. Detyra jonë është me kërku me ulë çmimin me aq sa mundet. Kemi pasur takime me shtëpitë botuese për të ulur sa më shumë çmimin. Çmimi ka qenë 4 milionë e 300 mijë kurse oferta në shtëpitë botuese ka qenë rreth 5 milionë. Jemi munduar me ulë ofertat dhe kemi ulur diku mbi 1 milion ofertën totale të shtëpive botuese. Prej 5 milionë e 800 mijë kemi përfunduar në 4 milionë e 800 mijë euro. Shtëpitë botuese nuk kanë dashur më zbrit fare çmimin. Tekstet e abetares, gjuhës boshnjake, turke, tekstet e diasporës kanë rritur më shumë çmimet e teksteve”, tha Januzaj.

    Kryesuesi i këtij Komisioni, Shemsedin Dreshaj ka pyetur Januzaj se sa kanë ulur saktë çmimin secila shtëpi botuese.

    Ajo ka deklaruar se afro 1 milionë ka zbritje të çmimeve në shtëpinë botuese “Dukagjini”.

    “Në total ‘Dukagjini’ prej 4 milionë e 260 mijë euro ka zbrit rreth 3 milionë e 459 mijë euro, ‘Albasi’ ka pasur 1 milion e 400 mijë dhe ka zbritur 1 milion e 200 mijë euro, ‘Berati’ prej 50 mijë ka zbrit në 42 mijë euro, edhe tekstet e minoriteteve ishin pjesë e negocimit dhe ato e kanë rritur vlerën e çmimit. Pas negocimit kur e ka dorëzuar raportin nuk ka ndonjë përgjegjësi tjetër se nuk është më në rolin tonë”, tha Januzaj.

  • Gjenden mjete shpërthyese në Fushë Kosovë, intervenon FSK-ja

    Gjenden mjete shpërthyese në Fushë Kosovë, intervenon FSK-ja

    Një person ka njoftuar se ka hasur në mjete të dyshuara shpërthyese në Fushë Kosovë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi për deminim i FSK-se ka tërhequr nga vendi i ngjarjes tri mjete të dyshuara granata dore.

    Për rastin është njoftuar edhe prokurori.

    “Rr. Tahir Zemaj, Fushë Kosovë 24.07.2024-09:45. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ka qenë duke punuar, ka hasur në mjete të dyshuara shpërthyese. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi për deminim i FSK-se ka tërhequr nga vendi i ngjarjes tri mjete të dyshuara granata dore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në njoftim. /Express/

  • Një rus mes të arrestuarve në komplotin që synonte Lojërat Olimpike të Parisit

    Një rus mes të arrestuarve në komplotin që synonte Lojërat Olimpike të Parisit

    Autoritetet franceze kanë eliminuar disa komplote që kishin për objektiv Olimpiket e Parisit. Mes të arrestuarve është edhe një rus, thanë autoritetet të mërkurën, vetëm pak ditë nga ceremonia e hapjes së Lojërave Verore të Parisit.

    Franca ka qenë në gatishmëri të lartë gjatë javëve të fundit ndërsa përgatitjet për Lojërat Olimpike janë në fazën përfundimtare. Lojërat nisin zyrtarisht të premten në lumin Seine me një ceremoni madhështore dhe masa të rrepta sigurie.

    Prokurorët thanë se kishin arrestuar të martën një rus 40-vjeçar në apartamentin e tij në Paris, nën dyshimet se kishte planifikuar të “destabilizonte Lojërat Olimpike”.

    Ndaj tij janë ngritur akuza se punonte për shërbimet e zbulimit të një shteti të huaj me qëllim provokimin e trazirave në Francë, krime që mund të dënohen me deri 30 vjet burg, sipas një deklarate nga zyra e prokurorit të Parisit.

    Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Paris, organet e rendit gjetën sende që “ngjallën frikën e qëllimit të tij për të organizuar ngjarje që mund të çonin në destabilizimin e Lojërave Olimpike”, thanë prokurorët.

    Ambasada ruse në Paris tha se nuk kishte marrë asnjë njoftim nga autoritetet franceze për arrestimin dhe u ka kërkuar zyrtarëve shpjegime pasi njoftimeve, ndërsa nuk ka komente të mëtejshme.

    Organizatorët e Lojërave Olimpike po përballen me sfida të mëdha sigurie, përfshirë shqetësimet e sulmeve kibernetike, mes tensioneve të larta ndërkombëtare për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe konfliktit Izrael-Hamas në Gazë.

    Sipas zyrtarëve francezë dhe ekspertëve të sigurisë kibernetike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, fushatat dezinformuese të orkestruara nga Rusia kanë për objektiv Lojërat Olimpike dhe zgjedhjet e fundit në Francë.

    Rreth 35,000 punonjës të rendit do të jenë në rrugët e kryeqytetit francez gjatë Lojërave Olimpike me rreth 45,000 gjatë ceremonisë së hapjes. Përveç kësaj, 10,000 ushtarë po marrin pjesë në operacionet e sigurisë në rajonin e Parisit.

    Rreth 40 vende po ndihmojnë Francën gjatë këtij sezoni duke dërguar të paktën 1900 punonjës rendi.

  • Në zgjedhjet e radhës për Kuvend, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë

    Në zgjedhjet e radhës për Kuvend, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë

    Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik.

    Në zgjedhjet e kaluara ky numër ishte më së shumti deri në 5 kandidatë për deputetë nga një subjekt politik, por kjo është ndryshuar gjatë reformës zgjedhore të përfunduar nga Kuvendi i Kosovës në verën e vitit 2023.

    Ky ndryshim ligjor është prezantuar me anë të një videoje nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shpjeguar në detaje se si plotësohet fletëvotimi.

    “Mënyra e votimit është kjo: Së pari, në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik dhe së dyti, në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të atij subjekti politik. Pra, voto vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë”, ka shpjeguar Elezi.

  • Si të përkujdeseni për veshkat në stinën e verës

    Si të përkujdeseni për veshkat në stinën e verës

    Në stinën e nxehtë të verës, trupi i njeriut është shumë i brishtë dhe goditet në disa fronte.

    Këputja fizike nga vapa dhe dehidratimi janë dy probleme që shkaktojnë shumë stërmundim për shumë organe në trupin e njeriut. Në përkujdesjen ndaj shëndetit në stinën e verës, njeriu duhet të jetë veçanërisht i vëmendshëm ndaj veshkave.

    Roli i veshkave në organizëm

    Veshkat ruajnë ekuilibrat e lëngjeve në trup. Ato filtrojnë mineralet dhe mbetjet ushqimore apo ato të medikamenteve nga gjaku.

    Për këto funksione bazë, veshkat kanë nevojë për shumë lëngje që të pastrojnë organizmin nga toksinat dhe infeksionet e mundshme.

    Si të përkujdeseni për veshkat në stinën e verës

    Nga rrjedha e përditshme e jetës, mund të harrojmë shumë hapa bazë për mbrojtjen e shëndetit, sidomos në ditët përvëluese të verës.

    Në verë të tregoheni të vëmendshëm ndaj shëndetit të veshkave i cili përkeqësohet si pasojë e temperaturave të larta. Këto të fundit mund të nxisin formimin e gurëve në veshka ndërkohë që dehidratimi mund të shkaktojë një dështim akut të tyre.

    Konsumoni më shumë lëngje

    Konsumi i pakët i lëngjeve dhe ujit mund të nxisë infeksionet e veshkave dhe ato urinare sepse veshkat nuk e pastrojnë organizmin dhe toksinat mbeten brenda nesh.

    Ekspertët sugjerojnë konsumin e 1.5 deri në 2 litra ujë në ditë për të mbajtur infeksionet larg. Uji me limon dhe dhalla janë dy mënyra të mira jo vetëm për tu hidratuar por edhe për më shumë shëndet.

    Kujdes me medikamentet

    Tregoni durim me dhimbjen dhe përpiquni të frenoni dëshirën për të konsumuar një ilaç kundër dhimbjes. Konsumi i tepruar i këtyre ilaçeve mund të shkaktojë probleme në funksionin e veshkave.

    Një prej këtyre ilaçeve që i bën dëm veshkave është ibuprofeni i cili nuk duhet konsumuar rregullisht dhe pa u konsultuar me mjekun.

    Shmangni kafeinën

    Kafeina ju dehidraton dhe ky i fundit i stërmundon veshkat. Përpiquni të hani sa më shumë perime dhe fruta të cilat e mbajnë trupin të freskët.

    E fundit por jo nga rëndësia, ekspertët këshillojnë shmangien e qëndrimit afatgjatë në diell që të mos dehidratoheni.

  • Putin takohet me Assadin në Moskë

    Putin takohet me Assadin në Moskë

    Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar me presidentin sirian, Bashar al-Assad në Kremlin, njoftoi zyra për media e presidentit rus më 25 korrik.

    “Jam shumë i interesuar për mendimin tuaj se si situata në rajon në tërësi”, citohet t’i ketë thënë Putini Assadit.

    “Fatkeqësisht ka një tendencë drejt përshkallëzimit. Ne po e shohim këtë. Kjo po ashtu vlen drejtpërdrejt edhe për Sirinë”, tha Putin, sipas njoftimit të Kremlinit.

    Kremlini tha se takimi mes Putinit dhe Assadit u zhvillua të mërkurën, më 24 korrik.

    “Duke pasur parasysh të gjitha ngjarjet që po ndodhin sot në botë dhe në rajonin e Euroazisë, takimi ynë duket shumë i rëndësishëm për të diskutuar të gjitha detajet e zhvillimit të këtyre ngjarjeve, për të diskutuar perspektivat dhe skenarët e mundshëm”, i tha Assadi liderit rus.

    Ky është takimi i parë mes dy liderëve që nga marsi i viti të kaluar dhe u zhvillua në kohën kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, përmendi mundësinë që tre liderët të takohen dhe të tentojnë të normalizojnë raportet mes Ankarasë dhe Damaskut.

    “Tani kemi ardhur në një pikë që sa më shpejt që Bashar al-Assadi të ndërmarrë hapa drejt përmirësimit të raporteve me Turqinë, ne do t’i tregojmë atij të njëjtën qasje”, tha Erdogan.

    Fillimisht, Turqia synoi të rrëzonte regjimin e Assadit kur nisi konflikti sirian me shtypjen e dhunshme të protestave paqësore më 2011 dhe Ankarja mbështeti rebelët që kërkonin rrëzimin e tij.

    Por, së fundi, Ankaraja ka zhvendosur fokusin në parandalimin e hapjes së asaj që Erdogan në vitin 2019 e quajti “korridor terrorist” në Sirinë veriore.

    Erdogan ka thënë se mund të rishqyrtojë raportet me Assadin dhe Qeverinë e tij me qëllim që të punohet në kthimin e sigurt dhe vullnetar të refugjatëve sirianë.

    Turqia ka kryer një sërë ofensivash në Siri që nga viti 2016 duke shënjestruar militantët kurdë, ekstremistët e Shtetit Islamik dhe forcat besnike ndaj Assadit.

    Forcat proturke në Siri tani kontrollojnë dy rripe të mëdha të territorit përgjatë kufirit mes Sirisë dhe Turqisë.