ATV

Blog

  • Rama vizitë në Francë, takohet me Macron

    Rama vizitë në Francë, takohet me Macron

    Kryeministri Edi Rama do të pritet sot në Paris nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron. Diskutimet pritet të zhvillohen mesditën e sotme në Pallatin Elize, raporton A2CNN

    Sipas njoftimit të qeverisë franceze, në fokus të takimit do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE dhe investimet franceze në vendin tonë.

    Takimi i Ramës me Macron vjen në një ditë kur protesta qytetare në Tiranë do të hyjë në ditën e 23-të të saj, ku kërkesa kryesore është dorëheqja e Ramës.

  • 21 aksidente me të lënduar dhe mbi 1,700 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    21 aksidente me të lënduar dhe mbi 1,700 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e trafikut për 24 orët e fundit, sipas të cilave nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet.

    Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 21 aksidente trafiku me persona të lënduar, ndërsa 14 aksidente të tjera kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

    Në kuadër të aktiviteteve për sigurinë në komunikacion, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 1,734 tiketa trafiku ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

    Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të tregojnë kujdes të shtuar për të parandaluar aksidentet.

  • KQZ: Pas shqyrtimit të ankesave, do të shpallim rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

    KQZ: Pas shqyrtimit të ankesave, do të shpallim rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me procesin zgjedhor para se t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të nxirren nga institucionet përkatëse.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në”, ka deklaruar Elezi.

    Dy ankesa lidhur me procesin e rinumërimit janë deponuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e afati 48 orësh për ankesa ka përfunduar të dielën në mesditë.

    Tash, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka afat tri ditë për të marrë vendim lidhur me to.

    Të dyja ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës. Njëra është dorëzuar të premten, ndërsa tjetra të shtunën.

  • Kërcënoi me vrasje katër policë dhe dëmtoi pajisje në stacion, arrestohet i dyshuari në Pejë

    Kërcënoi me vrasje katër policë dhe dëmtoi pajisje në stacion, arrestohet i dyshuari në Pejë

    Një person ka përfunduar në pranga në Pejë pasi dyshohet se ka kanosur me vrasje katër zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre zyrtare, si dhe ka dëmtuar një kompjuter brenda stacionit policor.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 21 qershor 2026, rreth orës 13:30.

    I dyshuari, një mashkull kosovar, fillimisht ka kërcënuar verbalisht me vrasje katër zyrtarë policorë derisa ata ndodheshin në kryerje të detyrës zyrtare. Më pas, gjatë qëndrimit në ambientet e stacionit policor, ai ka dëmtuar një kompjuter në njërën nga zyrat e stacionit.

    “Pejë / 21.06.2026 – 13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i kishte kanosur verbalisht me vrasje katër zyrtarë policorë derisa kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare dhe brenda në stacion policor në një zyrë e ka dëmtuar një kompjuter. I dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente.

    Pejepolicia

  • Heq byzylykun elektronik dhe GPS-in, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Heq byzylykun elektronik dhe GPS-in, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Një person është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se ka shkelur urdhrin mbrojtës të lëshuar ndaj tij.

    Sipas raportit policor të 24-të orëve të fundit ai gjatë datës 18 qershor ka larguar nga trupi byzylykun elektronik dhe gjurmuesin GPS, të cilat i kishte të vendosura që nga 11 qershori.

    Lidhur më këtë me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Rasti është cilësuar si “Mospërfillje e Gjykatës” dhe “Asgjësim apo Dëmtim i Pasurisë”.

  • Nëna raporton zhdukjen e vajzës në Zveçan

    Nëna raporton zhdukjen e vajzës në Zveçan

    Një rast i zhdukjes është raportuar të premten në Zveçan.

    Sipas policisë, një nënë ka njoftuar autoritetet se vajza e saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

    “Zveçan 19.06.2026, 15:00-16:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se vajza e saj viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk di për vendndodhjen e saj. Rasti po hetohet nga njësitet relevante”, thuhet në raportin e policisë.

  • 101 metra drejt qiellit – Armenia po ndërton statujën më të madhe të Jezusit në botë

    101 metra drejt qiellit – Armenia po ndërton statujën më të madhe të Jezusit në botë

    Pas mureve të një rezidence gjigante në periferi të Jerevanit, kryeqytetit të Armenisë, lëvizin tigra, luanë e madje edhe aligatorë. Brenda kompleksit gjenden gjithashtu dhjetëra kafshë të balsamosura, trofe gjuetie dhe dekorime luksoze që pasqyrojnë stilin ekstravagant të pronarit të tyre, biznesmenit dhe politikanit armen Gagik Tsarukyan.

    Tsarukyan, një nga njerëzit më të pasur dhe më të debatueshëm në Armeni, ka vendosur të lërë një gjurmë të përhershme në historinë e vendit me një projekt ambicioz: ndërtimin e statujës më të lartë të Jezus Krishtit në botë.

    Monumenti, që do të arrijë lartësinë 101 metra, është planifikuar të ngrihet në malin Hatis, rreth 25 kilometra në lindje të Jerevanit. Për shkak të pozicionit të tij, ai do të jetë i dukshëm nga pjesa më e madhe e kryeqytetit armen.

    Sipas Tsarukyanit, statuja do të bëhet simboli i ri i Armenisë.

    “Kjo do të jetë kartolina e Armenisë. Krishtërimi do të bëhet marka jonë e re”, deklaroi ai gjatë një interviste në fshatin Arinj, vendlindjen e tij.

    Biznesmeni, i cili në të kaluarën ka qenë sportist dhe kampion në mundje krahu, ndërtoi pasurinë e tij në sektorët e lojërave të fatit, alkoolit dhe minierave gjatë viteve të vështira që pasuan shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Ai thotë se projekti synon të tërheqë jo vetëm besimtarët, por edhe turistë nga e gjithë bota. Madje ai ka deklaruar se shpreson që monumenti të vizitohet nga rreth 10 milionë turistë në vit.

    “Ne jemi kombi më i vjetër i krishterë në botë. Ka kuptim që të kemi statujën më të madhe të Jezusit në botë”, shprehet ai.

    Megjithatë, projekti ka hasur në kundërshtime të forta.

    Kisha Apostolike Armene është shprehur vazhdimisht kundër ndërtimit të monumentit, duke argumentuar se përmasat dhe stili i tij nuk përputhen me traditat fetare dhe arkitekturore të Armenisë.

    Përfaqësuesit e kishës theksojnë se identiteti i krishterë armen është shprehur historikisht përmes manastireve, kishave dhe kryqeve prej guri të gdhendur, të njohura si “khachkar”, dhe jo përmes statujave gjigante.

    Edhe ambientalistët kanë ngritur shqetësime, duke paralajmëruar se ndërtimi mund të dëmtojë peisazhin natyror të malit Hatis.

    Por Tsarukyan i ka hedhur poshtë këto kritika. Ai thotë se ka marrëdhënie të mira me Kishën Apostolike Armene dhe kujton se ka financuar ndërtimin e tetë kishave në vend.

    Në këtë fazë, monumenti nuk është ende përfunduar. Pjesët e statujës po montohen në një kantier pranë Jerevanit, ndërsa më pas do të transportohen në majën e malit.

    Fillimisht ishte planifikuar që segmentet e monumentit të transportoheshin me helikopter, por ideja u braktis për shkak të vështirësive logjistike. Tani ato do të ngjiten në mal me kamionë dhe do të montohen në vend.

    Ndërkohë, ambiciet e Tsarukyanit nuk ndalen vetëm te statuja e Jezusit.

    Ai ka nisur edhe një tjetër projekt gjigant: ndërtimin e një Arke të Noes. Sipas planit, struktura do të jetë 134 metra e gjatë, 24 metra e gjerë dhe 18 metra e lartë. Në të do të ndërtohen një muze, një hotel dhe një kafene.

    “Kjo është mënyra ime për të hyrë në histori. Dua që këto projekte të mbeten për brezat që do të vijnë”, thotë ai.

    Ndërsa puna vazhdon, opinioni publik në Armeni mbetet i ndarë.

    Disa e shohin monumentin si një mundësi për të promovuar vendin në arenën ndërkombëtare dhe për të tërhequr turistë, ndërsa të tjerë e konsiderojnë atë një projekt të tepruar dhe pa lidhje me traditën fetare të vendit.

    Për momentin, statuja më e madhe e Jezusit në botë mbetet ende në ndërtim, ndërsa debati rreth saj vazhdon.

  • Ymeri: Gjuha e përdorur nga Dejona Mihali e VV-ja janë pengesa kryesore për zhvillimin e institucioneve

    Ymeri: Gjuha e përdorur nga Dejona Mihali e VV-ja janë pengesa kryesore për zhvillimin e institucioneve

    Analisti Visar Ymeri e ka vlerësuar si problemin kryesor për stagnimin e krjimit të institucioneve, gjuhën e përdorur nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, specifikisht Dejona Mihali, kordinatore e komiteteve në Vetëvendosje.

    Ymeri ka analizuar sulmet e drejtuara drejt Përparim Ramës e Sami Lushtakut ditëve të fundit, duke thënë se pushtetit ka arritur që të mos arrihet të kuptohet dallimi mes të vërtetës dhe spekulimeve.

    Sipas Ymerit, gjuha e përdorur nga Dejona Mihali e eksponentë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje ka dy probleme të mëdha.

    “Gjuha që po përdoret nga Dejona Mihali, e cila është gjuha e Vetëvendosjes, gjuhë e Albin Kurtit i ka dy probleme madhore. E para, është gjuhë absolutisht e papranueshme për politikën, dhe e dyta është – akuza të rënda pa kurrfarë baze. E kemi rastin kur Dejona iu drejtua kryetarit të Prishtinës me fjalët “ku i merr narkotikët”, kurrfarë baze nuk ka kjo. Së paku, Dejona Mihali nuk ka dhënë asnjë bazë që kjo është e vërtetë. Si mund ta akuzosh dikë pa kurrfarë dëshmie nga niveli i pushtetit”.

    “Personi më i afërt i kryeministrit e akuzon kryetari e Prishtinës se është përdorues i narkotikëve. Kësi sulme pa bazë janë shumë të dëmshme për Kosovën sepse po përhumbet komplet dallimi në mes të vërtetës dhe spekulimit, këtu e vërteta dhe spekulimi janë bërë një. Dhe kjo gjuhe e qëllimi për çka bëhet, janë bërë pengesa kryesore për zhvillimin institucional dhe demokratik. Ky problem nis prej pushtetit dhe mënyrës se si pushtetit flet”, ka thënë Ymeri në VV Show.

  • 26 metra dhe 70 tonë, Argjentina inauguron statujën më të madhe në botë për Lionel Messin

    26 metra dhe 70 tonë, Argjentina inauguron statujën më të madhe në botë për Lionel Messin

    Nëse mendonit se keni parë gjithçka nga mania për Lionel Messin, prisni derisa të shihni këtë monument të jashtëzakonshëm. Në zemër të qytetit Cutral Có, në provincën Neuquén të Argjentinës, është inauguruar statuja më e madhe në botë kushtuar “pleshtit” argjentinas.

    Me një lartësi marramendëse prej 26 metrash dhe një peshë prej 70 tonësh, kjo vepër arti gjigante dominon peizazhin përgjatë Rrugës Kombëtare 22. Skulptori Aldo Beroisa, njeriu pas këtij projekti titanik, punoi për dy vjet me radhë për të sjellë në jetë këtë simbol të përkushtimit.

    Statuja e paraqet Messin në një pozicion ikonik: duke u gjunjëzuar në shenjë mirënjohjeje, me dorën e djathtë lart dhe trofeun e Kupës së Botës të vendosur mes gjunjëve – një imazh që përmbledh rrugëtimin e tij legjendar.

    Ky monument vjen në një moment historik për 38-vjeçarin. Messi sapo ka bërë histori në Kupën e Botës 2026, duke shënuar një hat-trick spektakolar në fitoren 3-0 kundër Algjerisë. Me këtë performancë, ai ka arritur kuotën e 16 golave në total në Kupat e Botës, duke barazuar rekordin e përjetshëm të gjermanit Miroslav Klose.

    Me këtë vepër, Cutral Có ka marrë fronin që më parë mbahej nga monumenti 21-metërsh në Kolkata, Indi, duke e vendosur Patagoninë në hartën botërore të “pelegrinazheve” për çdo tifoz të vërtetë të futbollit.

  • Armë, municion e pajisje ushtarake gjenden në Zubin Potok, Policia nis hetimet

    Armë, municion e pajisje ushtarake gjenden në Zubin Potok, Policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të ndara të gjetjes dhe sekuestrimit të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme në komunën e Zubin Potokut.

    Sipas Policisë në një objekt që shërbente si shtallë për ushqimin e bagëtive janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pesë karikatorë të armës së gjatë me 151 fishekë, pjesë të uniformës së kamufluar si dhe bateri ndriçuese.

    Po ashtu gjatë këtij aksioni në një objekt të ngjashëm, policia ka sekuestruar një armë zjarri, 74 fishekë të kësaj arme dhe 254 fishekë të armës së gjatë.

    Ndërkaq, në një objekt të pabanuar janë gjetur një pushkë me bajonetën e saj, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë, dy makina për mbushjen e fishekëve të armës së gjuetisë, rreth 200 gramë barut dhe 2 kilogramë sfera për mbushjen e fishekëve.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se armët dhe pajisjet e gjetura janë sekuestruar, ndërsa ekipet relevante hetimore janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe origjinën e tyre.

    Ushtria amerikane godet një tjetër anije të dyshuar për trafik droge, dy të vdekur
    Read more