ATV

Blog

  • Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për lehtësimin e punësimit mes dy vendeve

    Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për lehtësimin e punësimit mes dy vendeve

    Takimi im i parë bilateral në nivel ministror jashtë Kosovës nuk mund të kishte një domethënie më të madhe. Ai u zhvillua pikërisht në Shqipëri – aty ku historia, gjuha dhe identiteti ynë kombëtar na kujtojnë se kufijtë nuk e ndajnë përkatësinë tonë.

    Përtej përgjegjësisë shtetërore që mbaj, kjo vizitë kishte edhe një peshë të veçantë emocionale për mua. Gjatë këtij takimi m’u kujtua një thënie e babait tim: “Bëje ose vdis.” Pikërisht me këtë frymë po ndërtojmë ura bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke afruar qytetarët tanë dhe duke hequr pengesat që kufijtë administrativë nuk duhet t’i krijojnë mes një kombi.

    Sot, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Mobilitetin në Punë.

    Kjo marrëveshje forcon lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe krijon mundësi më të mëdha për qytetarët tanë në fushën e punësimit dhe zhvillimit profesional.

    Një nga rezultatet kryesore është lehtësimi i qasjes në tregun e punës, duke mundësuar që qytetarët e të dy vendeve të kenë procedura më të thjeshta dhe më të shpejta për punësim në shtetin tjetër.

    Kosova dhe Shqipëria nuk i bashkon vetëm historia dhe gjaku. Na bashkon edhe përgjegjësia për të ndërtuar një të ardhme me më shumë mundësi për qytetarët tanë.

    Ky është vetëm një hap tjetër drejt këtij qëllimi të përbashkët.

  • Dërguti thërret protesta: Të bëhet presion për marrjen e një vendimi të drejtë në Hagë

    Dërguti thërret protesta: Të bëhet presion për marrjen e një vendimi të drejtë në Hagë

    Ish-kandidatja për deputete nga PDK-ja, Aida Dërguti, ka thënë që qytetarët e Kosovës duhet të organizohen në protesta masive dhe të bëjnë presion që të mos merret një vendim i padrejtë në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Më tej, ajo tha se nuk mund të merret një vendim i padrejtë në emër të Kosovës.

    “Prej sot duhet të ketë mobilizm mbarëkombëtar të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve ideologjike që duhet të angazhohen dhe madje edhe të dalin në sheshe e me protesta për marrjen e vendimit të drejtë”, ka thënë Dërguti në Kosova Today të Klan Kosovës.

    “Pra, duhet të bëhet presion”.

    “Unë mendoj që duhet të ketë protesta para 16 shtatorit që t’u tregohet se këtu njerëzit nuk e pranojnë një vendim të padrejtë”.

    Dërguti shtoi se populli nuk duhet të lejojë gjykatën që në emër të tyre, UCK-ja të quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale.

    “Ndërmarrje e përbashkët kriminale nuk mund të quhet kurrën e kurrës dhe duhet të jetë e papranueshme prej qytetarëve të këtij vendi, prej shqiptarëve”.

    “Populli duhet t’i thotë: Në emër të popullit ju nuk e quani Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërmarrje e përbashkët kriminale. Pikë“.

  • Bayern Munich zyrtarizon transferimin e Nathaniel Brown nga Eintracht Frankfurt

    Bayern Munich zyrtarizon transferimin e Nathaniel Brown nga Eintracht Frankfurt

    Bayern Munich ka kompletuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit 23-vjeçar Nathaniel Brown nga rivalët e Bundesligës, Eintracht Frankfurt.

    Mbrojtësi i majtë, i vlerësuar lart për potencialin e tij, ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me kampionët gjermanë që do ta mbajë në klub deri më 30 qershor 2031.

    Lajmi për transferimin u konfirmua nga vetë klubi bavarez përmes kanaleve zyrtare në rrjetet sociale.

    “FC Bayern ka nënshkruar me lojtarin e kombëtares gjermane, Nathaniel Brown, 23 vjeç, nga Eintracht Frankfurt, me një kontratë deri më 30 qershor 2031”, thuhet në njoftim.

    Edhe pse detajet financiare nuk janë bërë zyrtare, raportimet e mëhershme sugjerojnë se tarifa e transferimit kap vlerën rreth 55 milionë euro.

    Brown zhvilloi një sezon mbresëlënës me Frankfurtin, duke luajtur në 33 ndeshje të Bundesligës, ku shënoi katër gola dhe regjistroi katër asistime.

  • Pak javë pas humbjes së babait, Vlora Jashari gjen arsye për të buzëqeshur, bashkëshorti i saj diplomohet si oficer i FSK-së

    Pak javë pas humbjes së babait, Vlora Jashari gjen arsye për të buzëqeshur, bashkëshorti i saj diplomohet si oficer i FSK-së

    Vetëm pak javë pas ndarjes nga jeta të babait të saj, komandantit Sahit Jashari, Vlora Jashari ka përjetuar sot një moment krenarie, pasi bashkëshorti i saj, Denisi, ishte në mesin e 12 oficerëve të rinj që diplomuan me sukses dhe u graduan në ceremoninë e organizuar nga FSK.

    Vlora Jashari ka ndarë edhe një mesazh emocional në rrjetin social Facebook, ku ka folur për lidhjen personale me trashëgiminë familjare dhe rrugëtimin e bashkëshortit të saj në ushtri.

    “Që nga fëmijëria kam dashur të trashëgoj diçka nga babai im: idealin, përkushtimin dhe dashurinë për atdheun. Duke qenë se ai ishte ndër themeluesit e UÇK-së, rrugëtimi i tij ka qenë gjithmonë frymëzim për mua,” ka shkruar ajo.
    Ajo ka shtuar se, ndonëse nuk e ka ndjekur vetë rrugën ushtarake, ka zgjedhur një partner që i shërben vendit me të njëjtin përkushtim.

    “Ndoshta nuk e ndoqa vetë këtë rrugë, por zgjodha një partner që i shërben vendit me të njëjtin përkushtim e nder. Sot, teksa ai diplomohet në Akademinë Ushtarake, ndihem krenare jo vetëm për suksesin e tij, por edhe sepse shoh të vazhdojnë vlerat që kam admiruar gjithmonë,” ka shkruar ajo.

  • Edhe një kosovar arrestohet nga Serbia

    Edhe një kosovar arrestohet nga Serbia

    Një shtetas i Kosovës është arrestuar nga Serbia në pikën kufitare Mutivodë, gjatë kthimit nga vendlindja e tij, dhe më pas është dërguar në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd.

    I arrestuari është Osman Selmani, i cili aktualisht po mbahet nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.

    Lajmin për arrestimin e tij e kanë bërë të ditur familjarët e tij.

    Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe të pavërteta, dhe kanë theksuar besimin në pafajësinë e tij.

    “Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës,” thuhet në reagimin e familjes.

  • AAB hap regjistrimet në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike: Programe moderne, bursë 30%

    AAB hap regjistrimet në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike: Programe moderne, bursë 30%

    Kolegji AAB ka hapur konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027, duke ofruar mundësi të veçanta për të gjithë të rinjtë që synojnë një karrierë në teknologji, programim, inteligjencë artificiale, siguri kibernetike dhe fushat më të kërkuara të tregut modern të punës.

    Në kuadër të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, AAB ofron programe studimi të dizajnuara sipas zhvillimeve më të fundit teknologjike dhe nevojave të industrisë, përfshirë drejtimet: Programim dhe Inteligjencë Artificiale, Siguri Kibernetike, Programim, Inxhinieri Softuerike, Programim dhe Multimedia, si dhe Kompjuterikë dhe Fintech.

    Për studentët e rinj që zgjedhin të regjistrohen në AAB, aktualisht ofrohet bursë prej 30%, si një mundësi shtesë për ta nisur rrugëtimin akademik në një nga fushat më perspektive të së ardhmes.

    Përmes laboratorëve, stafit akademik dhe lidhjes së drejtpërdrejtë me tregun e punës, Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në AAB synon t’u ofrojë studentëve jo vetëm njohuri teorike, por edhe përvojë praktike, mundësi zhvillimi profesional dhe hapësirë për inovacion.

    Regjistrimet janë të hapura, ndërsa të gjithë maturantët dhe kandidatët e interesuar mund të aplikojnë në Qendrën për Informim dhe Regjistrim në Kolegjin AAB.

    Kolegji AAB fton të gjithë të rinjtë që e shohin të ardhmen e tyre në teknologji, programim, inteligjencë artificiale dhe siguri kibernetike, të bëhen pjesë e një ambienti akademik që i përgatit për profesionet më të kërkuara të së ardhmes.

    Linku për aplikim: https://applyonline.aab-edu.net/
    Tel: 048-999-006

  • Lamine Yamal: Spanja nuk i frikësohet askujt, sfida ndaj Portugalisë do të jetë speciale

    Lamine Yamal: Spanja nuk i frikësohet askujt, sfida ndaj Portugalisë do të jetë speciale

    Lamine Yamal ka deklaruar se Spanja nuk duhet t’i frikësohet asnjë kundërshtari, teksa përgatitet për përballjen e madhe me Portugalinë në fazën e 1/8-tës së finales të Kupës së Botës 2026.

    18-vjeçari u shpall “Lojtari i Ndeshjes” pas fitores bindëse 3-0 të Spanjës ndaj Austrisë, ndërsa pranoi se skuadra ka ende hapësirë për përmirësim, pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse në turne.

    “Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi, si në lojën tonë ashtu edhe në intensitetin tonë. E dimë cilësinë që kemi dhe nuk kemi frikë nga asnjë skuadër – ne jemi Spanja. Duhet ta dëshmojmë këtë në fushë, por besojmë plotësisht në vetvete”, tha Yamal.

    Anësori i Barcelonës foli edhe për mundësinë e një dueli me Cristiano Ronaldon, pasi Portugalia siguroi kualifikimin në fazën eliminatore.

    “Do të ishte një nder të luaja kundër Cristianos, sigurisht, por unë jam i përqendruar vetëm te fitorja e ndeshjes dhe nuk më intereson se cili prej nesh avancon”, u shpreh Yamal.

  • Në Maqedoni 240 pacientë presin transplantim, nga tetori sistem i ri i dhurimit të organeve

    Në Maqedoni 240 pacientë presin transplantim, nga tetori sistem i ri i dhurimit të organeve

    Në Maqedoninë e Veriut 168 pacientë aktualisht presin për transplantim të veshkave, 37 për zemër, 12 për mëlçi dhe 23 për korne.

    Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, së bashku me koordinatoren kombëtare për transplantim, Biljana Kuzmanovska, informuan për modulin e ri në sistemin “Termini Im”, përmes të cilit qytetarët do të jenë në gjendje të regjistrojnë vullnetin e tyre për dhurimin e organeve.

    Me ndryshimet ligjore, çdo qytetar i rritur, kur viziton mjekun e tij të kujdesit parësor, do të jetë në gjendje të deklarojë nëse dëshiron apo jo të jetë dhurues i organeve dhe indeve për trajtim pas vdekjes. Vendimi do të nënshkruhet personalisht, do të certifikohet nga mjeku i zgjedhur dhe do të futet në sistemin elektronik kombëtar.

    “Dhurimi i organeve sot është një temë besimi, vullneti personal, solidariteti dhe pjekurie të shoqërisë”, tha ministri Aliu.

    Ministria thekson se qasja në të dhëna do të kontrollohet rreptësisht dhe do t’u lejohet vetëm personave të autorizuar. Qytetarët do të jenë në gjendje të ndryshojnë vendimin e tyre në çdo kohë, dhe deklarata e fundit e regjistruar do të jetë e vlefshme.

    Sistemi i ri duhet të fillojë të funksionojë nga 1 tetori 2026, dhe deri atëherë, do të punohet për përgatitjen teknike, institucionale dhe të komunikimit.

    Kuzmanovska theksoi se dhurimi i organeve mbetet plotësisht vullnetar dhe se qëllimi është që vullneti i qytetarit të vihet në qendër të sistemit.

  • Gjykata i jep të drejtë gjyqtares Memaj, anulohet votimi i raundit të dytë për anëtarët e KGJK-së nga radhët e Supremes

    Gjykata i jep të drejtë gjyqtares Memaj, anulohet votimi i raundit të dytë për anëtarët e KGJK-së nga radhët e Supremes

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të gjyqtares Mejreme Memaj në një konflikt administrativ kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke e cilësuar të kundërligjshëm raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme dhe duke urdhëruar certifikimin e rezultatit të raundit të parë.

    Rasti lidhet me procesin zgjedhor të mbajtur më 23 janar 2026, kur 34 nga 35 gjyqtarë të Gjykatës Supreme morën pjesë në votim për dy pozita në Këshill. Në raundin e parë, nga 34 fletëvotime, 33 ishin të vlefshme dhe një i pavlefshëm. Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi kishin marrë nga 17 vota secili, ndërsa Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri nga 16 vota.

    Komisioni zgjedhor kishte konstatuar se asnjë kandidat nuk kishte arritur shumicën e nevojshme dhe kishte vazhduar me raundin e dytë të votimit. Në atë raund, Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri kishin marrë nga 19 vota secili, ndërsa Mejreme Memaj dhe Bashkim Hyseni nga 15 vota, pas së cilës KGJK i kishte certifikuar Thaqin dhe Zhitia-Ymerin si anëtarë të rinj.

    Mejreme Memaj, e përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha, kishte paraqitur padi më 18 shkurt 2026, duke kërkuar anulimin e vendimit të KGJK-së të 29 janarit 2026 me të cilin ishte certifikuar rezultati përfundimtar i raundit të dytë.

    Ajo kishte kërkuar gjithashtu që të njihej si i vlefshëm vetëm rezultati i raundit të parë, sipas të cilit ajo dhe Rrustem Thaqi duhej të shpalleshin fitues.

    Memaj kishte argumentuar se në raundin e parë kishte fituar 51.52% të votave të vlefshme dhe se shumica duhej të llogaritej vetëm mbi votat e vlefshme, jo mbi votat e pavlefshme apo numrin total të pjesëmarrësve.

    Sipas padisë, Komisioni zgjedhor kishte vepruar në mënyrë arbitrare kur kishte vendosur kalimin në raundin e dytë, duke shkelur Rregulloren për procedurën dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të KGjK-së dhe praktikat kushtetuese të përmendura në rastet KI34/17 dhe KI55/17.

    Memaj kishte theksuar se ajo dhe Rrustem Thaqi kishin arritur shumicën e nevojshme në raundin e parë dhe se vendimi për të vazhduar me raund të dytë i kishte mohuar një të drejtë të fituar në proces zgjedhor.

    Ajo kishte kërkuar gjithashtu pezullimin e zbatimit të vendimit të KGjK-së, duke argumentuar se ekzekutimi i tij do të shkaktonte dëm të pariparueshëm në integritetin profesional dhe të drejtat e saj kushtetuese.

    KGjK kishte kundërshtuar padinë, duke pretenduar se shumica e nevojshme për zgjedhje ishte 18 vota dhe se kjo shumicë llogaritej mbi numrin e përgjithshëm të pjesëmarrësve në votim, përfshirë edhe votën e pavlefshme.

    Sipas KGjK-së, asnjë kandidat nuk e kishte arritur këtë shumicë në raundin e parë, prandaj kalimi në raundin e dytë ishte i domosdoshëm dhe në përputhje me rregulloren.

    Edhe personi i tretë, Franciska Zhitia-Ymeri, kishte mbështetur qëndrimin e KGjK-së, duke theksuar se vota e pavlefshme nuk mund të përjashtohej nga baza e llogaritjes së shumicës dhe se procesi ishte zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe kushtetuese.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se kërkesëpadia e Mejreme Memajt është e bazuar.

    Në aktgjykim thuhet se interpretimi i KGjK-së për mënyrën e llogaritjes së shumicës ka qenë i gabuar dhe se nuk ka pasur bazë të mjaftueshme ligjore për zhvillimin e raundit të dytë të votimit.

    Gjykata ka vlerësuar se në raundin e parë është krijuar rezultat i vlefshëm, ku Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi kanë marrë nga 17 vota dhe kanë plotësuar kushtet për t’u konsideruar të zgjedhur.

    Po ashtu, gjykata ka anuluar vendimet e KGjK-së nr. 38/2026 dhe nr. 39/2026 të datës 29 janar 2026, përfshirë edhe certifikimin e rezultatit të raundit të dytë.

    Sipas aktgjykimit, KGjK obligohet që brenda 15 ditësh të nxjerrë vendim të ri administrativ dhe të certifikojë rezultatin e raundit të parë, sipas të cilit Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi shpallen anëtarë të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme.

    Gjykata ka urdhëruar gjithashtu KGJK-në që t’i kompensojë Mejreme Memajt shpenzimet e procedurës në vlerë prej 2,750.34 euro.

    Vendimi nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor prej 15 ditësh.

    Gjyqtarja Mejreme Memaj kishte paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin ishte certifikuar rezultati zgjedhor për dy anëtarë të Këshillit nga shkalla e tretë. Memaj kishte paraqitur edhe kërkesë për masë të sigurisë – pezullimin e zbatimit të vendimit të 29 janarit 2026.

    Nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, KGjK-ja kishte konstatuar se anëtarë të rinj të Këshillit nga radhët e Supremes janë Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitija-Ymeri. Dy të fundit ishin zgjedhur në raundin e dytë. Andaj, paditësja Memaj kërkon të certifikohet rezultati që doli nga raundi i parë dhe që ajo dhe Thaqi të zgjidhen anëtarë pasi kanë marrë shumicën e kërkuar të votave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aty thuhet se më 23 janar 2026 u zhvillua procesi zgjedhor, në të cilin nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, të pranishëm ishin 34 gjyqtarë nga Supremja, dhe se nga 34 fletëvotime vetëm një u shpall i pavlefshëm. Dhe pas numërimit, Memaj kishte marrë 17 vota sa edhe Rrustem Thaqi, kurse nga 16 Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri.

    Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 29 janar 2026, Këshilli kishte hudhur si i palejuar kundërshtimin e paraqitur nga kandidatja për anëtare të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke u certifikuar kështu rezultati zgjedhor i mbajur në këtë gjykatë dhe atë të Apelit.

    Sipas kryesuesit Albert Zogajt, gjyqtarët Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri fillojnë mandatin si anëtarë të KGjK-së më 9 mars 2026 nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, ndërkaq gjyqtarja Afërdita Bytyqi po ashtu fillon mandatin më 9 mars 2026, për anëtare nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit,

    Ndryshe, procesi votimit për anëtarë ishte mbajtur më 23 janar 2026, ku pas përfundimit të raundit të dytë të votimit për dy anëtarët e rinj nga radhët e Supremes, gjyqtari Rrustem Thaqi dhe gjyqtarja Franciska Zhitia-Ymeri u zgjodhën anëtarë të rinj, duke nisur një mandat 5-vjeçar./BetimipërDrejtësi/

  • Mozzik zbulon se do të bëhet sërish baba

    Mozzik zbulon se do të bëhet sërish baba

    Moderatorja e njohur Lotina Haziri dhe reperi Mozzik kanë ndarë me publikun një nga lajmet më të bukura të jetës së tyre, duke bërë të ditur se janë në pritje të fëmijës së parë.

    Çifti njoftoi se shumë shpejt do të bëhen prindër të një djali, përmes një fotografie të përbashkët të publikuar në rrjetet sociale, ku Lotina shfaqet me barkun e rrumbullakosur të shtatzënisë.

    Lajmin emocionues e shoqëroi edhe Mozzik me një mesazh të ndjerë, duke cituar një varg nga Kurani: “O Zoti im, më dhuro prej Teje pasardhës të mirë. Vërtet, Ti je Dëgjues i lutjes. Qur’an, Surah Āl ’Imrān, Verse 38. Can’t wait to meet you, my son. 👼🏻❤️”

    Postimi u prit me urime të shumta nga miq, kolegë dhe ndjekësit e çiftit, të cilët i uruan shëndet dhe mbarësi në këtë kapitull të ri të jetës së tyre.

    Për Mozzikun, ky do të jetë fëmija i dytë, pasi reperi është baba edhe i vajzës Hana nga lidhja e tij e mëparshme me reperen Loredana. Ndërsa për Lotina Hazirin, kjo është shtatzënia e parë.

    Lotina, përveçse njihet si prezantuese televizive, është edhe vajza e politikanit të njohur nga Gjilani, Lutfi Haziri. Ajo dhe Mozzik e kanë bërë publike lidhjen e tyre prej kohësh dhe tashmë po përgatiten të mirëpresin djalin e tyre të parë së bashku.