ATV

Blog

  • Personi që u vra në Ferizaj ditë më parë, kishte rast aktiv për dhunim ndaj një të miture

    Personi që u vra në Ferizaj ditë më parë, kishte rast aktiv për dhunim ndaj një të miture

    F.H i cili mbeti i vrarë më 28 qershor në Ferizaj, rezulton se kishte në Gjykatën Themelore në Ferizaj një rast aktiv penal ku akuzohej për dhunim në bashkëkryerje ndaj një të miture.

    Arjeta Roshaj dyshohet se më 28 qershor 2026, në Ferizaj, në objektin banesor-pronë e babait të saj M.B., ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H, shkruan “Betimi për Drejtësi“.

    Ndërkaq, rasti aktiv i F.H. është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, duke bërë të ditur se ndaj tij figuron ky rast aktiv në evidencën penale.

    Fillimisht, për këtë rast F.H. ishte liruar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për veprën që i ngarkohej, por Prokurori i Shtetit kishte ankimuar këtë vendim në shkallën e dytë.

    “Sipas kronologjisë së këtij rasti në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ndaj personit F.H. më 3 prill 2023, konform nenit 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KPRK-së, është nxjerrë aktgjykim me të cilin është liruar nga akuza për veprën penale në bashkëkryerje dhunimi nga neni 227, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

    Vendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj u anulua dhe lënda është rikthyer në rigjykim dhe rivendosje.

    “Lidhur me këtë, Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, me të cilën sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur dhe lënda është kthyer në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet tutje në përgjigje.

    Prokurori i rastit Agim Kuka nuk ka dhënë detaje për këtë çështje duke marrë parasysh që viktima është e mitur, por ka thënë se seanca e radhës për këtë rast është planifikuar të mbahet më 15 korrik.

    “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informacione edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj nëse viktima F.H. dhe e dyshuara në rastin e vrasjes së tij Arjeta Roshaj kanë ndonjë rast të mëparshëm të paraqitur në këtë institucion.

    Sipas përgjigjes së tyre, nuk figuron asnjë rast i paraqitur ndaj njëri-tjetrit.

    “Në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se sipas të dhënave zyrtare të policisë nuk figuron të jetë raportuar asnjë rast i paraqitur nga A.R. ndaj F.H., e as nga F.H. ndaj A.R.”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.

    Përgjigje të njëjtë kanë dhënë edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

    “Pas verifikimit dhe pas pranimit të të dhënave nga shkrimorja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ju njoftojmë se nuk figuron ndonjë rast i paraqitur nga personi A.R. ndaj F.H., si dhe nga F.H. ndaj A.R.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Arjeta Roshajt, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas vendimit të Gjykatës për caktimin e paraburgimit, e dyshuara para hetuesve policorë ka deklaruar se tani i ndjeri paraprakisht kishte pranuar kërcënime përmes rrjetit social Snapchat, i cili ndër të tjera i kishte thënë: “më prit se tani do të vij të vras ty edhe familjen tënde”, dhe se kur kishte arritur në banesë e kishte rrahur.

  • Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 49 raste, 46 dhunë në familje

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 49 raste, 46 dhunë në familje

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 49 raste për periudhën 26.06.2026-03.07.2026

    Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë periudhës së punës 26.06.2026-03.07.2026 në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 49 raste të reja.

    Prej tyre: 46 raste – dhunë në familje, 1 rast – dhunim, 1 rast – vrasje në tentativë, 1 rast – vrasje, 3 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) të parashtruara në gjykatë, 9 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME), 1 kërkesë për tërheqje të UM-së, 2 kërkesa për ndërprerje të UM-së, 9 aktvendime të aprovuara, 4 aktvendime të tërhequra, 1 kërkesë për kompensim nga fondi i viktimave, 2 deklarata të pëlqimit të viktimës për ndihmë, 1 ankesë, 76 seanca gjyqësore, 10 seanca në prokurori, 50 këshilla juridike, 16 aktgjykime dënuese, 3 aktgjykime refuzuese, 1 përfaqësim i viktimës në strehimore, 7 referime të rastit në QPS, 1 referim i rastit në polici.

  • Real Madridi mohon interesimin për Enzo Fernandez: Nuk kemi bërë asnjë përpjekje për transferimin e tij

    Real Madridi mohon interesimin për Enzo Fernandez: Nuk kemi bërë asnjë përpjekje për transferimin e tij

    Real Madridi ka reaguar zyrtarisht ndaj spekulimeve të fundit të merkatos, duke mohuar kategorikisht se ka shfaqur interes për mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez.

    Në një komunikatë zyrtare, klubi madrilen theksoi se nuk ka bërë asnjë tentativë, as të drejtpërdrejtë dhe as të tërthortë, për transferimin e reprezentuesit argjentinas.

    “Duke marrë parasysh lajmet dhe deklaratat e publikuara ditët e fundit në lidhje me një interesim të Real Madridit për Enzo Fernandez, klubi dëshiron të sqarojë se nuk është bërë asnjë përpjekje, e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, për transferimin e futbollistit dhe se nuk ka ndërmend të procedojë me një transferim të tillë”, thuhet në deklaratë.

    Klubi spanjoll shprehu gjithashtu respektin maksimal për Enzo Fernandez, duke e cilësuar atë si një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe për Chelsean, me të cilin theksoi se gëzon marrëdhënie të shkëlqyera institucionale.

    “Real Madridi dëshiron të shprehë respektin maksimal për Enzo Fernandez, një futbollist i shkëlqyer, karriera dhe cilësitë e të cilit njihen nga të gjithë, si dhe për Chelsean, klub me të cilin kemi një marrëdhënie të shkëlqyer institucionale. Pikërisht për këtë arsye dhe në respekt të parimeve që kanë udhëhequr gjithmonë veprimet e klubit, e shohim të nevojshme t’i përgënjeshtrojmë në mënyrë kategorike këto spekulime, të cilat janë tërësisht të pavërteta”, përfundon komunikata e Real Madridit.

  • Masimiliano Allegri prezantohet te Napoli, firmos kontratë trevjeçare

    Masimiliano Allegri prezantohet te Napoli, firmos kontratë trevjeçare

    Nënkampioni i Italisë, Napoli, ka prezantuar zyrtarisht Massimiliano Allegrin si trajnerin e ri të skuadrës.

    Tekniku italian merr drejtimin e ekipit pas largimit të Antonio Contes, ndërsa rikthehet në pankinë pas përfundimit të aventurës së tij te Milani në fund të sezonit të kaluar.

    Allegri ka firmosur një kontratë trevjeçare me Napolin, ku aktivizohet edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

    58-vjeçari është një nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin italian. Gjatë karrierës së tij, ai e udhëhoqi Milanin drejt titullit të Serie A në vitin 2011, ndërsa me Juventusin fitoi pesë tituj kampionë të Italisë dhe pesë trofe të Kupës së Italisë.

    Napoli synon që nën drejtimin e Allegrit të rikthehet në garën për titullin kampion dhe të ketë një paraqitje sa më të suksesshme edhe në arenën evropiane.

  • Diplomojnë oficerët e rinj të FSK’së, Kurti zotohet për 1 miliard euro investime e fabrikë municionesh

    Diplomojnë oficerët e rinj të FSK’së, Kurti zotohet për 1 miliard euro investime e fabrikë municionesh

    Sot diplomoi gjenerata 2026 e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke iu shtuar asaj 12 oficerë të rinj pas përgatitjes akademike për katër vjet.

    Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili në fjalimin e tij dha disa zotime. Ai tha se në katër vitet e ardhshme në ushtri do t’i investojë 1 miliard euro, fabrikë të municioneve dhe 1000 gra e vajza do të shërbejnë në radhët e ushtrisë.

    “Republikës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës iu shtuan 12 oficerë të rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses rrugëtimin katërvjeçar të përgatitjes akademike, ushtarake dhe të lidershipit. Sot është një ditë krenarie për shtetin, sepse në kazermën që mban emrin e kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari, diplomuan disa nga udhëheqësit e ardhshëm të ushtrisë sonë. Krahas investimeve mbi 460 milionë euro për blerje armatimi, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi katërfishuar trajtimet e mbi të gjitha kemi mbështetur shkollimin dhe edukimin e tyre. Për katër vjet, do të investojmë 1 miliard euro të tjera, do t’i kemi një mijë vajza e gra në ushtrinë tonë dhe do të kemi fabrikën e municioneve “Made in Kosova””, tha Kurti.

  • Granit Xhaka krenar pas kualifikimit të Zvicrës: Shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja ime e fundit

    Granit Xhaka krenar pas kualifikimit të Zvicrës: Shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja ime e fundit

    Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka shprehur krenarinë e tij pas fitores ndaj Algjerisë, me të cilën helvetikët siguruan kualifikimin në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës 2026. Mesfushori festoi njëkohësisht edhe paraqitjen e tij të 150-të me fanellën e kombëtares, duke e cilësuar si një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij.

    “Është një privilegj që e kam veshur këtë fanellë për herë të 150-të. Ky vend, ku linda dhe u rrita, i ka dhënë shumë familjes sime. Shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja ime e fundit”, deklaroi Xhaka pas përfundimit të takimit.

    Kapiteni zviceran zbuloi se para ndeshjes u kishte kërkuar bashkëlojtarëve ta bënin këtë ditë edhe më të veçantë me një kualifikim.

    “Dëshira ime ishte që këtë ditë ta bënim edhe më të veçantë duke kaluar në raundin tjetër. Ekipi bëri pikërisht këtë dhe jam shumë krenar për të gjithë”, tha ai.

    Duke komentuar suksesin historik të Zvicrës, e cila fitoi një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1938, Xhaka tha se nuk i kushton shumë rëndësi statistikave.

    “Nuk jam adhurues i statistikave. Ne i marrim ndeshjet një nga një. E dimë se çfarë jemi të aftë të bëjmë dhe e dimë gjithashtu se ku duhet të përmirësohemi”, u shpreh mesfushori.

    Xhaka vlerësoi veçanërisht paraqitjen mbrojtëse të skuadrës ndaj Algjerisë, duke theksuar se organizimi në mbrojtje ka qenë një nga pikat më të forta të Zvicrës gjatë viteve të fundit.

    Në fund, kapiteni zviceran falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme, duke veçuar faktin se shumë prej tyre u zgjuan në orët e para të mëngjesit për të ndjekur ndeshjen.

    “Mbështetja e tifozëve tanë ka qenë e jashtëzakonshme. U jemi shumë mirënjohës të gjithëve që na kanë përkrahur dhe besuar tek ne. Shpresojmë t’ua shpërblejmë edhe në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi Xhaka.

  • Cristiano Ronaldo më në fund arrin të shënoj në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës

    Cristiano Ronaldo më në fund arrin të shënoj në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës

    Cristiano Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde dhe të shkruajë histori në futbollin botëror. Kapiteni i Portugalisë ishte vendimtar në fitoren ndaj Kroacisë në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës 2026, duke realizuar nga pika e bardhë dhe duke i siguruar ekipit të tij kualifikimin në çerekfinale.

    Ky gol kishte një rëndësi të veçantë për sulmuesin portugez, pasi ishte hera e parë në karrierën e tij që shënonte në një ndeshje të fazës me eliminim direkt në Kupën e Botës, duke vendosur një tjetër rekord personal.

    Njëkohësisht, realizimi ndaj Kroacisë e çoi në 976 numrin e golave në karrierën e tij profesionale, duke e afruar edhe më shumë me objektivin historik prej 1.000 golash.

    Ronaldo tashmë ka shënuar 11 gola në historinë e paraqitjeve të tij në Kupën e Botës, ndërsa penalltia ndaj Kroacisë ishte goli i tij i parë në fazat me eliminim direkt të këtij kompeticioni.

    Në një turne ku po spikasin emra si Harry Kane, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe, Cristiano Ronaldo vazhdon të dëshmojë se mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj dhe më vendimtarë në historinë e futbollit.

  • Arben Loshi kundërshton vendimin për përsëritje të konkursit për Sekretar të Kuvendit, i refuzohet ankesa nga KPMSHCK

    Arben Loshi kundërshton vendimin për përsëritje të konkursit për Sekretar të Kuvendit, i refuzohet ankesa nga KPMSHCK

    Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës ka refuzuar ankesën e zyrtarit të Kuvendit, Arben Loshi, i cili ka kundërshtuar vendimin për ripërtëritjen e konkursit për Sekretar të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

    Ky vendim për përsëritje të konkursit ishte marrë pasi dy kandidatët e kualifikuar për votim në Kryesi të Kuvendit, vetë Arben Loshi dhe Taulant Bajrami, nuk kishin marrë asnjëri shumicën e votave të Kryesisë së Kuvendit .

    Loshi në ankesën e tij kishte deklaruar se procedura e pranimit për pozitën e Sekretarit përfundon me propozimin e kandidatëve fitues tek titullari.

    “Ankuesi në ankesën e parashtruar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kundërshton Vendimin me Nr. 10-V-007, të datës 30.03.2026, të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke pretenduar se akti i kontestuar karakterizohet me mungesë të bazës ligjore për rihapje të konkursit, sepse, procedura e pranimit përfundon me propozimin e kandidatëve fitues tek titullari/mbikëqyrësi, e që në rastin konkret procedura për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pasi që e njëjta ka kaluar të gjitha fazat, kështu që, një procedurë mund të përfundoj vetëm sipas nenit 47 paragrafi 11 të LZP-së si lex specialis. Shton se rihapja e konkursit dhe mos përzgjedhja e një kandidati është në kundërshtim të plotë me LZP-në. Më tej, ankuesi pretendon se vendimi i kontestuar nuk përmban elementet e detyrueshme të aktit administrativ siç parashihet me nenin 47 të LPPA-së, pasi që akti nuk përbën arsyetim dhe as këshill juridik. Kërkon që të aprovohet ankesa, të anulohet vendimi i kontestuar dhe të obligohet Kryesia e Kuvendit të Kosovës të vazhdojë procedurën duke përzgjedhur njërin nga kandidatët e propozuar”, thuhet në dokument.

    Derisa Kolegji ka argumentar se nuk është shkelur asnjë Ligj me vendimin për shpalljen e konkursit.

    “Referuar kuadrit ligjor si më sipër, dhe në kontekst të pretendimit ankimor se organizmi i një procedure të re të rekrutimit për pozitën respektive mund të bëhet vetëm në rastet siç përcaktohet me nenin 47 paragrafi 11 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, Kolegji konstaton se një procedurë e caktuar e pranimit mund të përfundojë në çdo fazë, duke filluar në fazën e verifikimit paraprak nëse asnjë nga kandidatët aplikues s’ka përmbushur kriteret formale për pozitën e shpallur, apo nëse testin me shkrim (faza e vlerësimit) nuk e kalon asnjë kandidat, rrethana këto që Mutatis mutandis aplikohen sikurse në rastin ku asnjë kandidat nuk arrin 70 pikë, si pikë të nevojshme për t’u konsideruar kandidat i suksesshëm, rrjedhimisht në çdo rast vie në shprehje instituti i përfundimit të procedurës pa kandidat fitues dhe mbi këtë bazë urdhërohet shpallja e re e konkursit”, thuhet në vendim.

    “Nisur nga kuadri ligjor si më sipër, e meqenëse se në rastin konkret nuk kemi të drejtë të fituar qoftë nga ankuesi apo kandidati tjetër, pasi që të njëjtit janë shpallur vetëm si kandidatë të suksesshëm, Kolegji arrin në përfundimin se mungesa e arsyetimit nuk e bënë aktin e kontestuar si të paligjshëm. Për më tepër, Vendimi Nr. 10-V-007, i datës 30.03.2026, i Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është fakt që nuk përmban këshillë juridike, por, në mungesë të këtij elementi pala ankuese nuk humb të drejtën në mjet juridik, pasi që, një akt administrativ mund të kontestohet edhe në mungesë të këshillës juridike siç parashihet me nenin 127 paragrafin 3 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, 3. Nëse akti administrativ është lëshuar pa informacion, apo me informacion të pamjaftueshëm në lidhje me mjetet juridike administrative (këshillën juridike), afati i parashikuar nga paragrafi 1 i këtij neni, është tre (3) muaj. E në rastin konkret ankuesi ka shfrytëzuara të drejtën e ankimimit të Vendimit Nr. 10-V-007, të datës 30.03.2026, të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës.Përmbledhur si më lartë, Kolegji vlerëson se pretendimet ankimore nuk janë të bazuara, ndërsa vendimi i goditur me ankesë gjegjësisht Vendimi me Nr. 10-V-007, i datës 30.03.2026, i Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk vërtetohet të jetë i përshirë me shkelje ligjore, andaj, bazuar në nenin 18, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe në mbështetje të nenit 132, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, shton tutje vendimi.

  • Luka Modric shpërthen ndaj VAR-it pas eliminimit të Kroacisë: Meritonim shumë më tepër

    Luka Modric shpërthen ndaj VAR-it pas eliminimit të Kroacisë: Meritonim shumë më tepër

    Kapiteni i Kroacisë, Luka Modriç, nuk e fshehu zhgënjimin pas eliminimit dramatik nga Portugalia në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës 2026, duke kritikuar ashpër vendimet e arbitrave dhe përdorimin e sistemit VAR.

    Mesfushori veteran tha se Kroacia nuk ishte në nivelin e saj në pjesën e parë, por në të dytën zhvilloi një nga ndeshjet më të mira, duke shtuar se skuadra e tij meritonte të kalonte më tej.

    “Mund ta shohim ndeshjen në dy pjesë. Në të parën nuk ishim në nivelin tonë më të mirë, ndërsa në të dytën luajtëm një ndeshje fenomenale. Mund ta kishim mbyllur më herët, por nuk ia dolëm. Mendoj se meritonim shumë më tepër”, deklaroi Modriç.

    Ai vuri në dyshim anulimin e golit të Josko Gvardiolit për pozicion jashtë loje, duke theksuar se pamjet filmike nuk tregojnë askund se Igor Matanoviç e kishte prekur topin.

    “Gjyqtari tha se Matanoviç e preku topin, por ne i pamë pamjet dhe nuk shihet askund një prekje e tillë. Nëse ai nuk e ka prekur topin, atëherë nuk kishte pozicion jashtë loje”, u shpreh kapiteni kroat.

    Modriç reagoi edhe ndaj penalltisë nga e cila Kristiano Ronaldo shënoi golin e barazimit për Portugalinë, duke akuzuar VAR-in për standarde të dyfishta.

    “Nuk kishte penallti. VAR-i duhet të ndërhyjë vetëm kur ka një gabim të qartë, jo në raste të diskutueshme. Më duket se në disa raste përdoret në mënyrë selektive, madje edhe në varësi të madhësisë së ekipit. Fatkeqësisht, këto vendime shpesh kanë shkuar në dëm të Kroacisë”, tha ai.

    Pas humbjes së dhimbshme, disa lojtarë kroatë, mes tyre Mateo Kovaçiç dhe Ivan Perishiç, nuk i mbajtën dot lotët. Modriç tha se ky reagim tregon sa shumë do të thotë për ta fanella e kombëtares.

    “Emocionet e Mateos, Perishiçit dhe të tjerëve tregojnë se sa shumë do të thotë Kroacia për ne. Ne jetojmë për çdo ndeshje, për çdo fitore dhe e dimë sa shumë mbështetje kemi nga populli ynë. Prandaj është e vështirë t’i përmbash emocionet pas një eliminimi të tillë”, u shpreh ai.

    Pavarësisht zhgënjimit, Modriç theksoi se skuadra largohet nga turneu me kokën lart, krenare për paraqitjen dhe luftën e treguar, veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes.

    Në fund, i pyetur nëse kjo ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e Kroacisë, legjenda kroate nuk dha një përgjigje të prerë.

    “Nuk është koha për të folur për këtë. Do ta mësoni shumë shpejt”, përfundoi Modriç.

  • Julian Nagelsmann jep dorëheqje nga stoli i Gjermanisë pas eliminimit nga botërori

    Julian Nagelsmann jep dorëheqje nga stoli i Gjermanisë pas eliminimit nga botërori

    Julian Nagelsmann më nuk është trajner i kombëtares gjermane.

    Nagelsmann dha dorëheqje me efekt të menjëhershëm,kjo pasi Gjermania u eliminua në mënyrë të turpshme nga Kupa e Botës kundër Paraguajit pas ekzekutimit të penalltive,dhe kjo pas takimit që pati me drejtuesit e DFB-së.

    Përndryshe Nagelsmann u vu në qendër të kritikave të ashpra në Gjermani,ku tekniku gjerman u kritikua për mënyrën sesi e menaxhoi ekipin gjatë botërorit.

    Në anën tjetër njëri nga emrat që po flitet të marrë drejtimin e pancerëve është Jurgen Klopp,ku ky i fundit u shpreh i hapur për tu rikthyer në zejen e trajnerit,teksa aktualisht ish-trajneri i Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit është drejtor i futbollit te Red Bull kurse ka një klauzolë që mund të largohet nëse vije një ofertë nga Federata Gjermane e Futbollit.

    Mbetet të sihihet sesi do të rrjedhin gjërat tek kombëtarja gjermane se nëse Klopp do të jetë trajner apo jo.

    Kujtojmë që Gjermania u eliminua në 1/16 e finales kundër Paraguajit pas ekzekutimit,duke bërë që gjermanët të eliminohen herët nga Kupa e Botës për herë të tretë me rradhë.