ATV

Blog

  • Certifikimi i rezultateve, Elezi: KQZ po pret vendimet e Supremes

    Certifikimi i rezultateve, Elezi: KQZ po pret vendimet e Supremes

    Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha për RTKLive se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura për rezultatet e shpallura më 27 qershor.

    “Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Ndërkaq, nëse vendimet përmbajnë obligime për KQZ-në, ato do të zbatohen fillimisht, ndërsa më pas do të procedohet me certifikimin e rezultateve”, tha Elezi.

    Ndryshe, KQZ ka publikuar, më 27.06.2026, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor. Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 47.13 % të votave, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44 % të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 16.69 % të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74 % të votave dhe shtatë mandate, ndërsa Lista Serbe ka fituar 5.40 % të votave.

  • PDK-ja e akuzon Haxhiun se po e zvarrit dekretimin e një anëtari në KQZ

    PDK-ja e akuzon Haxhiun se po e zvarrit dekretimin e një anëtari në KQZ

    Prej rreth katër muajsh, një ulëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbetet bosh, pasi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nuk e ka dekretuar anëtarin e propozuar nga PDK.

    PDK e konsideron këtë zvarritje të motivuar politikisht dhe paralajmëron se, nëse posti i jepet partisë së parë, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

    Një ish-gjyqtar vlerëson se mosplotësimi i KQZ-së përbën shkelje të Kushtetutës, ndërsa nga kabineti i Haxhiut dhe LVV nuk është dhënë përgjigje.

  • Sot protestohet para Ministrisë së Bujqësisë

    Sot protestohet para Ministrisë së Bujqësisë

    Pakënaqësia e fermerëve kosovarë të qumështit ka arritur kulmin. Pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët, ata kanë paralajmëruar protestë për sot para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën që, sipas tyre, po i çon fermat drejt falimentimit.

    Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit njoftoi se vendimi për protestë u mor unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik, transmeton Klankosova.tv.

    “Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek akterët kompetentë”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

    Sipas fermerëve, protesta do të mbahet duke filluar nga ora 13:00, para Ministrisë së Bujqësisë.

    Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: “Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit; Publikimin urgjent të rezultateve, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi produktet vendore; Kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave”.

    Fermerët kanë bërë të ditur se në protestë do të marrin pjesë me mjete bujqësore dhe cisterna të qumështit.

    Njëkohësisht, ata kanë ftuar qytetarët të marrin me vete bidonë, duke bërë të ditur se gjatë protestës do të shpërndahet qumësht falas.

  • Një grua në Prizren dhe një burrë në Dragash gjenden të vdekur në orët e pasditës, Policia jep detaje për rastet

    Një grua në Prizren dhe një burrë në Dragash gjenden të vdekur në orët e pasditës, Policia jep detaje për rastet

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se sot në Kosovë kanë ndodhur dy raste të cilat dyshohet të jenë vetëvrasje.

    Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 15:40 në Prizren, ku një grua rreth moshës 54-vjeçare është gjetur e vdekur në banesën e saj.

    “Rasti i parë është raportuar rreth orës 15:40, kur është pranuar informata se në rrugën “Turgut Özal” në Prizren, në banesën e saj, ndodhej një person pa shenja jete. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ekipi i Emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës. Sipas informacioneve fillestare, viktima është femër, rreth 54 vjeçe. Bazuar në rrethanat e evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur në Restelicë të Dragashit, ku një person rreth moshës 68-vjeçari është gjendur i vdekur.

    “Rasti i dytë është raportuar rreth orës 17:50, kur nga një zyrtar policor është pranuar informata se në një zonë pyjore në fshatin Restelicë, komuna e Dragashit, është gjetur një person pa shenja jete. Patrulla policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës. Sipas informacioneve fillestare, viktima është mashkull, rreth 68 vjeç. Bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje”, ka thënë Bytiql.

    Për të dy rastet janë njoftuar prokurori kompentent dhe kanë filluar veprimet hetimore.

    “Për të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, me autorizimin e të cilit kanë filluar veprimet hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Të dy rastet janë iniciuar dhe po hetohen si “Hetim i vdekjes”, ka thënë ai. /Gazeta Express

  • Koci: Një qytetar po mbahet në paraburgim në Serbi që nga 20 maji, familja pati frikë ta bënte publike këtë

    Koci: Një qytetar po mbahet në paraburgim në Serbi që nga 20 maji, familja pati frikë ta bënte publike këtë

    Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se Avdi Memçaj, qytetar i Kosovës, po mbahet në paraburgim në Serbi që nga 20 maji, pasi u arrestua në pikën kufitare në Merdarë, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale.

    Përmes një postimi në Facebook, Koci tha se familja e Memçajt i është drejtuar atij duke kërkuar që ta marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij.

    “Që nga 20 maji në paraburgim në Serbi, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale. Avdi Memçaj është arrestuar më 20 maj në pikën kufitare në Merdarë dhe që nga ajo ditë ndodhet në paraburgim në Serbi, sipas informatave që më ka dhënë familja e tij. Familja e tij më është drejtuar duke më kërkuar ta marr përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij”, shkroi Koci.

    Ai tha se sipas familjes, “Avdi Memçaj prej vitesh jeton në Kroaci, ku është pronar i disa furrave të bukës”.

    “Rastin nuk e kanë bërë publik deri më sot, sepse kanë pasë frikë se kjo mund të kishte pasoja si për Avdi Memçajn, ashtu edhe për familjen e tij, pasi shpesh kalojnë përmes Serbisë për të ardhur në Kosovë”, shkroi ai.

    Koci tha se do ta shqyrtojë “me seriozitet këtë rast” dhe se do të ndërmarrë “të gjitha veprimet juridike që i lejon ligji për mbrojtjen e të drejtave të tij”.

    “Pres edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës që këtij rasti t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të Avdi Memçajt”, shkroi Koci.

    Avokati tha se kohët e fundit po merr gjithjë e më shumë informata për ndalimin e shtetasve të Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi.

    “Ky rast ma rikujtoi edhe një shqetësim tjetër. Kohëve të fundit kam marrë gjithnjë e më shumë informata për ndalimin e shtetasve të Republikës së Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi. Në disa raste më është raportuar se u është kontrolluar edhe përmbajtja e telefonave mobilë. U bëj thirrje qytetarëve që, nëse përballen me situata të tilla, t’i njoftojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe, sipas nevojës, të kërkojnë ndihmë juridike”, shkroi Koci.

  • Rama mesazh “flamingove”: Protesta nuk është më e juaja, u kthye në një arkmort politik

    Rama mesazh “flamingove”: Protesta nuk është më e juaja, u kthye në një arkmort politik

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, ku protestuesit vendosën edhe një arkmort simbolik në bulevard. Përmes një mesazhi të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, të shoqëruar me një video, Rama iu drejtua pjesëmarrësve në protestë, duke u bërë thirrje të mos lejojnë që kauza e tyre të përdoret nga grupe me interesa politike.

    Në videon e publikuar, kryeministri ndërthur pamjet e arkivolit simbolik të vendosur gjatë protestës me sekuenca arkivore nga ngjarjet e shtatorit 1998, kur pas ceremonisë mortore të deputetit Azem Hajdari u sulmuan institucionet shtetërore. Përmes këtij krahasimi, Rama sugjeron se simbolika e përdorur në protestë rikthen kujtime nga një prej episodeve më të rënda të përplasjes politike në vend.

    Kreu i qeverisë thekson se nuk vë në dyshim shqetësimet e qytetarëve që morën pjesë në protestë, por pretendon se protesta është devijuar nga aktorë të tjerë, të cilët sipas tij synojnë të pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë.

    “Po, ishte krejt i pritshëm për mua. Sepse nuk është as e para dhe as e fundit Shqipëria, ku duar të stërvitura armiqsh e dashakëqinjsh ndaj shoqërive demokratike futen, marrin nën kontroll e bëjnë çmos të devijojnë protesta që lindin si shprehje e ndjenjave të sinqerta të qytetarëve”, shkruan Rama.

    Rama akuzon se protesta u përdor nga grupe dhe individë që, sipas tij, kanë objektiv të ndalin procesin e integrimit europian të vendit.

    “Sot i bashkon një qëllim i errët: ta ndalin Shqipërinë dhe ta kthejnë së prapthi, mu në kilometrat e fundit të rrugës shumëshekullore drejt Bashkimit Europian. Tirana është kryeqyteti i Europës së Ballkanit, jo kryeqeleshe iluzionesh nacional-komuniste, nacional-islamiste apo nacional-izolacioniste”, shkruan ai.

    Në reagimin e tij, kryeministri u shpreh se pjesëmarrësit në protestë nuk duhet të heqin dorë nga kërkesat dhe shqetësimet e tyre, por i ftoi të mos lejojnë që protesta të shfrytëzohet për qëllime të tjera.

    “Ajo protestë nuk është më e juaja, të dashur flamingo. Ju jeni bërë, pa autorizimin dhe jashtë dëshirës suaj, alibia e një arkmorti të rikthyer në bulevard. Kjo nuk është një thirrje që të hiqni dorë nga ndjenjat dhe mendimet që ju bënë bashkë, por një ftesë që të mos hiqni dorë nga kujtesa. Kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon”, shkruan ndër të tjera Rama.

    Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në fazën përfundimtare të rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se, sipas tij, asnjë përpjekje për të nxitur përçarje apo tension politik nuk do ta ndalë këtë proces.

    Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

    Të dashur flamingo

    Kjo video-kartolinë e trishtueshme është bërë për ata ndër ju që njëzet vjet më parë ishin fëmijë ose ende embrion në barkun e nënës;

    për ata që, edhe pse atëherë ishin mjaftueshëm të rritur, Shqipërinë dhe Tiranën e asaj kohe i kanë lënë aq larg pas, sa sot u duken ose sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, ose sikur kujtesa për të djeshmen është një barrë që i pengon të kërkojnë më shumë nga e sotmja;

    dhe për ata që u larguan nga Shqipëria e Tirana, por që së fundmi kthehen për një rrugë e dy punë, nga një anë pushime në Shqipërinë e re të një realiteti të transformuar me reforma, punë, mund e durim kolosal, nga ana tjetër dalje në protestë për një “Shqipëri të re”; një Shqipëri çelësash magjikë, në emër të së cilës kërkohet që kontrata zgjedhore me popullin të shkelet me autokolona makinash të veshura kuqezi.

    Predikohet që institucionet demokratike duhet të shënjestrohen dhe çlirohen me forcë si kështjella armike.

    Justifikohet dhuna ndaj të zgjedhurve të popullit që duhen penguar të hyjnë dhe dalin nga puna në Kuvendin e Shqipërisë.

    Dhe përcaktohet nga një “popull” i vetëshpallur në rrugë, se kush është atdhetari e kush tradhëtari, kush shkon në burg, kush linçohet e kush lëvdohet.

    Nuk është qëllimi im t’ju bëj të ndjeheni se ishit gabim, përderisa protesta juaj u katandis në një kopje të zmadhuar të protestave të shëmtuara të kënetës politike. Sepse jo, ju nuk ishit aspak gabim kur u ndjetë të zënë në një kurth problemesh më të mëdha se sa fuqia juaj për t’i zgjidhur dhe ku gjetët njëri-tjetrin me sekëllditë e me shpresat tuaja.

    Jo, ju nuk jeni gabim as sot nëse ndiheni mirë duke u njehsuar si një bashkësi e madhe njerëzish nga të gjitha rrugët e jetës, me zogjtë, me natyrën, me tokën, me atdheun, me Shqipërinë.

    Jo, ju nuk jeni gabim, që kërkoni të ngriheni mbi përditshmërinë e zakonshme dhe të kërkoni nga ky vend shumë më tepër sesa është arritur deri më sot.

    Kjo nuk është vetëm e drejtë. Kjo është e nevojshme.

    Dhe sado çuditshëm mund t’ju tingëllojë, unë ju jam falenderues për dritën e shpresës dhe të alarmit që ju ndezët me energjinë e protestës suaj paqësore, po kjo është një bisedë më e gjatë për një ditë të afërt.

    Eshtë e drejta juaj të kërkoni nga jeta në këtë vend, shumë më tepër se sa është arritur në harkun kohor mes arkmortit që 20 vjet më parë kishte brenda një të vdekur dhe arkmortit që mbrëmë, në të njëjtin bulevard, kishte brenda humnerën mes jush dhe atyre që dritën e protestës suaj e futën në një arkmort.

    20 vjet më parë arkmorti u përdor për të ngjitur shkallët e kështjellës së kryeministrisë dhe i vdekuri u bë mish për top, duke i rënë portës së saj si dikur në mesjetë, për të hedhur poshtë qeverinë. Ndërsa mbrëmë arkmorti u rishfaq si rezultati krejt i pritshëm për mua i një përpjekjeje të orkestruar për të thyer shkallët e ngjitjes më lart të këtij vendi, duke e kthyer kokëposhtë Shqipërinë e ngritur më në fund në këmbë, pas një gjunjëzimi të gjatë, politikisht, ekonomikisht, ndërkombëtarisht.

    Po, ishte krejt i pritshëm për mua. Sepse nuk është as e para dhe as e fundit Shqipëria, ku duar të stërvitura armiqsh e dashakëqinjsh ndaj shoqërive demokratike (me fatet e lidhura me Bashkimin Europian a me Shtetet e Bashkuara) futen, marrin nën kontroll e bëjnë çmos të devijojnë në dëm të këtyre shoqërive, protesta që lindin si shprehje ndjenjash të sinqerta nga barku i shoqërisë, jo nga konspiracionet ndërkombëtare.

    Natyrisht, ato duar e marrin nën kontroll një protestë edhe falë zellit të sallahanëve që ka çdo vend, e që këtu janë të mirënjohur nga të gjithë, llapaqorrat me shokë, të cilët kujtuan se u bë bulevardi kos dhe e rrethuan menjëherë protestën tuaj, si hienat sorkadhen. Pas hutimit të fillimit, hynë në lojë edhe ujqit e lodhur të Rrugës së Shpresës, që për t’u maskuar si patriotë i dhanë hov tregtisë së qelesheve në mes të vapës. E kur ju nisët të shtegtoni nga bulevardi duke krijuar boshllëqe për fotografitë “200 mijëshe” të medias ndërkombëtare, u mobilizuan edhe çakenjtë e “diasporës” nga Prishtina e nga Tetova, të cilët panë në bulevard vatrën e shumëpritur për benzinën e tyre të urrejtjes ndaj Tiranës zyrtare, ku s’kanë gjetur dhe s’kanë për të gjetur asnjë hapësirë për të zhvilluar deliret e tyre nacional-folklorike. Sepse Tirana është kryeqyteti i Europës së Ballkanit, jo kryeqeleshe iluzionesh nacional-komuniste, nacional-islamiste apo nacional-izolacioniste.

    Sigurisht që ato duar e ato forca që janë përzier në çorbën e arkmortit, nuk e kontrollojnë njëra-tjetrën apo më saktë, kanë papajtueshmëri ekstreme mes njëra-tjetrës. Por asnjë papajtueshmëri s’ka rëndësi sot për to, sepse sot i bashkon, disa me vetëdije e shumë të tjerë qorrazi, qëllimi i errët për ta ndalur Shqipërinë dhe kthyer së prapthi, mu në kilometrat fundit të rrugës shumëshekullore drejt diellit që lind ku perëndon. Po as kjo nuk është një bisedë për sot, aq më tepër që ju s’keni asnjë lidhje me ta.

    Sot ka një gjë kryesore për të thënë. Ajo protestë nuk është më e juaja të dashur flamingo! Ju jeni bërë, pa autorizimin tuaj dhe jashtë dëshirës suaj, alibia e një arkmorti të rikthyer në bulevard si shembëlltyrë e mallkimit që e ka ndjekur Shqipërinë qysh prej vitit 1912; duke përdorur gjithmonë atdheun, flamurin dhe sovranitetin si lëndë të para për të ushqyer urrejtjen mes shqiptarëve dhe si gozhda ndëshkimi që, më shumë se një herë, e kanë kyçur këtë vend në humnerën brenda atij arkmorti.

    Ama kjo video-kartolinë e trishtë nuk është kurrësesi një thirrje, që ju të hiqni dorë nga ndjenjat e mendimet që ju bënë bashkë. Jo, kjo është vetëm një ftesë miqësore që ju të mos hiqni dorë në asnjë mënyrë nga kujtesa. Sepse historia nuk është një barrë nga e cila shpëtojmë duke e flakur jashtë vëmendjes sonë, po është busulla që nuk na lejon të humbasim rrugën tonë.

    Kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon.

    Love

  • Sinan Vllasaliu tregon gjendjen shëndetësore pas aksidentit të rëndë me motor

    Sinan Vllasaliu tregon gjendjen shëndetësore pas aksidentit të rëndë me motor

    Këngëtari i njohur, Sinan Vllasaliu, po tregon shenja përmirësimi pas aksidentit të rëndë me motor që pësoi disa javë më parë.

    Ai është shfaqur së fundmi në rrjetet sociale dhe tregon se është në gjendje më të mirë shëndetësore.

    Megjithatë, pavarësisht rikuperimit të dukshëm, Sinanit ende i nevojiten paterica për të ecur më lehtë, pasi po kalon fazën e rehabilitimit pas lëndimeve të marra në aksident.

    Fansat kanë reaguar pozitivisht, duke i uruar shërim të shpejtë dhe rikthim të plotë në skenë.

    Kjo ndodhi në kohën kur Sinani ishte ftuar për të performuar në dasmën e këngëtares me famë botërore, Dua Lipës në Itali.

    Ngjalli po ashtu edhe reagime të shumta për faktin se nuk mund të ishte i pranishëm.

    Sido që të jetë, këngëtari pritet që së shpejti të fillojë me koncerte e mbrëmje.

  • Ferrari më në fund e riktheu manualin

    Ferrari më në fund e riktheu manualin

    Duke lënë mënjanë surprizat e fundit, Ferrari nuk ka harruar atë që i bën makinat e saj të veçanta: përvojën e drejtimit.

    Kjo është arsyeja pse, pasi dëgjoi reagimet e klientëve, Maranello ka prezantuar një version “manual” të modelit të saj kryesor të madh, 12Cilindri.

    Dhe po, “manual” në thonjëza po bën shumë punë këtu. 12Cilindri Manuale i ri prezanton një transmision ndryshe nga çdo gjë që kemi parë nga një Ferrari modern.

    Është konceptualisht i ngjashëm me manualin në Koenigsegg CC850, duke përzier shpejtësinë e një transmisioni me përfshirjen e një ndërrimi marshësh tradicional me levë. Nëse kjo është më e mira e të dy botëve apo më e keqja varet tërësisht nga kë pyet.

    Teknikisht, ky është ende i njëjti transmision me tetë shpejtësi me dy tufa që gjendet në 12Cilindri standard.

    Dallimi është sistemi i ri “Manuale By-Wire” i Ferrarit, i cili ju lejon të ndërroni gjashtë marshet e para – dhe të ktheheni mbrapsht – ashtu siç do të bënit me një transmision tradicional manual. Madje, mund ta ndalosh edhe vetë.

    Për ta përdorur, thjesht zgjidhni modalitetin Manual, shtypni pedalin e friksionit – po, ka një pedal të vërtetë friksioni – dhe lëvizni levën e marshit përmes portës metalike të ekspozuar.

    12Cilindri Manuale përmban një levë klasike me portë me një dorezë të lëmuar ndërrimi marshësh, të cilën Ferrari thotë se ndihmon në ruajtjen e “ndjesisë analoge, qëndrueshmërisë dhe natyrshmërisë” së një kambioje manuale tradicionale.

    Prapa skenave, dy sensorë me efekt Hall monitorojnë lëvizjen e levës së marshit, ndërsa një aktivizues i vogël elektrik parandalon përfshirjen e marshit nëse nuk zgjidhet modaliteti Manual.

    Ekziston gjithashtu një paraqitje krejt e re me tre pedale me një pedal elektronik friksioni. Një sensor mat lëvizjen e pedalit dhe i shndërron ato të dhëna në kontroll hidraulik të transmisionit me dy friksione.

    Ndizni makinën vetëm me pedalin e frenave të shtypur, dhe transmisioni sillet si një DCT normal, duke aktivizuar automatikisht Drive.

    Ndizeni atë me pedalin e friksionit të shtypur, dhe ai ndizet direkt në modalitetin Manual. Mund të ktheheni në funksionimin automatik në çdo kohë gjatë drejtimit, megjithëse Ferrari thotë se marshi i shtatë dhe i tetë janë të rezervuara për udhëtime të relaksuara dhe me shpejtësi të lartë.

    Për t’u siguruar që Manuale ruan performancën e pritur nga një motor kryesor V12, Ferrari e la të paprekur sistemin e fuqisë. Nën kapak ndodhet i njëjti motor V12 me aspirim natyral 6.5 litra që prodhon 819 kuaj fuqi dhe 500 nb-ft çift rrotullues.

    Ferrari thotë se 12Cilindri Manuale arrin ende shpejtësinë nga 0-100 km/orë në 3.0 sekonda përpara se të arrijë shpejtësinë maksimale prej 340 km/orë.

    Siç mund të prisni, prodhimi do të jetë jashtëzakonisht i kufizuar. Ferrari planifikon të ndërtojë vetëm 1,499 ekzemplarë, secili prej të cilëve është i disponueshëm përmes programit të personalizimit Tailor Made.

    Çmimi nuk është njoftuar, por pothuajse me siguri nuk do të jetë i lirë. 12Cilindri standard tashmë fillon nga rreth 423,000 dollarë.

  • Asnjë gjurmë përveç sandaleve: Intensifikohen kërkimet për 78-vjeçarin Xhafer Raqi

    Asnjë gjurmë përveç sandaleve: Intensifikohen kërkimet për 78-vjeçarin Xhafer Raqi

    Po vazhdojnë kërkimet për 78 vjeçarin Xhafer Raqi, i cili u shpall i zhdukur nga e enjtja e kaluar.

    Burimet Klankosova.tv bëjnë me dije se janë gjetur sandalet e të moshuarit.

    “Kërkimet po vazhdojnë. Jemi duke kërkuar intensivisht me këmbësori dhe drona. Përpos sandaleve që i kemi gjetë që dyshohet se ai i ka pasur me vete, tjetër gjurmë nuk kemi të tij. Ato i kemi gjetur diku në Butovc”, u shpreh ky burim.

    “Kërkimet kryesisht po i zhvillojmë natën për shkak të dronave që punojnë me Infrared”, shtoi ai.

  • Joseph kritikon klasën politike për mungesë konsensusi: Kurti mban përgjegjësinë kryesore

    Joseph kritikon klasën politike për mungesë konsensusi: Kurti mban përgjegjësinë kryesore

    Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka kritikuar klasën politike në Kosovë për mungesën e konsensusit institucional.

    Sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti mban përgjegjësinë kryesore, pasi udhëheq shumicën parlamentare, por sipas tij, përgjegjësi kanë edhe të gjithë liderët e tjerë politikë.

    “Nëse liderët politikë, dhe përsëri po flas në shumës, nuk po them vetëm që kryeministri Kurti ka përgjegjësi, ai ka përgjegjësinë kryesore, sepse kontrollon shumicën e votave në Parlament dhe ky është një vendim parlamentar. Por, të gjithë ata mbajnë përgjegjësi dhe votuesit, do ta them këtë, votuesit duhet t’i ndëshkojnë të gjithë liderët politikë që nuk gjejnë një konsensus, sepse kjo po e dëmton vendin”, tha ai.

    Ai vlerësoi se situata aktuale nuk e cenon stabilitetin e Kosovës, por dëmton zhvillimin demokratik të vendit.

    “Stabiliteti është një pyetje, ndërsa zhvillimi demokratik, këto janë dy gjëra të ndryshme. Nuk besoj se kjo ndikon në stabilitet dhe nuk do të doja ta thosha këtë, sepse besoj se Kosova është një vend i qëndrueshëm dhe një demokraci e qëndrueshme”, deklaroi profesori.

    Megjithatë, Joseph tha se bllokada politike përbën një sinjal negativ për demokracinë.

    “Republika e Kosovës është e tillë dhe unë e mbështes atë, si dhe mbështes hyrjen e Kosovës në NATO, për të cilën kam qenë një nga mbështetësit më të fortë. Për sa i përket zhvillimit demokratik, është e tmerrshme, është e qartë, përgjigjja është e qartë, ky nuk është një shembull i mirë i zhvillimit demokratik dhe duhet ta theksojmë këtu, ky nuk është si një ngërç tipik parlamentar, siç pati njëherë Belgjika, një ngërç njëvjeçar. Atë situatë e ke kur ke një shumicë shumë të ngushtë, por këtu keni një parti që ka një aftësi të qartë”, u shpreh ai./Klankosova.tv