ATV

Blog

  • Fermerët Kosovarë të Qumështit protestojnë nesër para Ministrisë së Bujqësisë me cisterna

    Fermerët Kosovarë të Qumështit protestojnë nesër para Ministrisë së Bujqësisë me cisterna

    Fermerët Kosovarë të Qumështit kanë vendosur të mbajnë nesër një protestë para Ministrisë së Bujqësisë.

    Ata thonë se protesta është “e pashmangshme” pas mbylljes së përkohshme të fabrikës “Vita” në Istog, për shkak të një aksioni të Ministrisë.

    “Ne takimin e mbajtur me antarsine e shoqates me 05.07.2026, unanimisht u vendos qe neser i bejme thirrje te gjithe fermereve te marrin pjese ne protesten e paralajmeruar per date 06.07.2026 ne oren 13.00 prane Ministrise se Bujqesise”, thuhet në njoftim.

    “Protesta eshte e pashmangshme me situaten e krijuar per mos grumbullim te qumeshtit te fresket nga fermat tona, duke hasur ne vesh te shurdher tek akteret kopetent”, thuhet tutje në njoftim.

    Fermerët Kosovarë të Qumështit treguan edhe kërkesat e tyre:

    -Rifillim i menjehershem i grumbullimit,
    -Publikimi urgjent i rezultateve ne menyre qe te hiqet dyshimi mbi produktet vendore.
    -Kthimi i cmimit te meparshem per te shpetuar fermat nga falimentimi.

    “Pjesemarrja do te jete me mjete bujqesore dhe cisterna qumeshti, lusim qytetaret jane te lire te marin bidona per furnizim me qumesht pa pagese”, thuhet në njoftim.

  • Protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Kroaci, Gucati: Besoj se do të marrin pjesë mbi 3 mijë persona

    Protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Kroaci, Gucati: Besoj se do të marrin pjesë mbi 3 mijë persona

    Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se në protestën “Liri për çlirimtarët”, e cila do të mbahet në Zarë të Kroacisë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, pritet të marrin pjesë mbi 3 mijë qytetarë.

    Në një lidhje direkte për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Gucati tha se qytetarët kanë filluar të grumbullohen pranë vendit ku do të mbahet protesta, duke veçuar praninë e madhe të familjeve me fëmijë.

    “Me numër fiks nuk guxoj të shkojë, sepse duhet t’i numërojmë kokë më kokë. Unë shpresoj dhe dua të besoj se do ta kalojmë numrin prej 3 mijë qytetarësh, bashkatdhetarësh dhe njerëzish që kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Presheva, por edhe nga vende të tjera. Besoj se do ta kalojmë shifrën prej mbi 3 mijë pjesëmarrësish, edhe pse është vapë e madhe dhe temperatura është shumë e lartë në Zarë, por shpresoj se numri do të jetë mbi 3 mijë veta”, tha ai.

    Sipas Gucatit, pjesëmarrja e familjeve ka një rëndësi të veçantë, pasi, siç tha ai, fëmijët po njihen me figurat e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Njerëzit kanë filluar të grumbullohen dhe të parkohen pranë vendit ku do të mbahet protesta.Më ka bërë shumë përshtypje që kanë ardhur shumë familje. Është hera e parë që shoh kaq shumë shqiptarë me familje dhe me fëmijë të vegjël në një protestë. Kjo më ka befasuar pozitivisht. Ata po mbështesin një protestë paqësore, një protestë të drejtë për lirinë e çlirimtarëve”, deklaroi ai.

    Kreu i OVL-UÇK-së gjithashtu u shpreh se protesta po bëhet për një të drejtë, që siç u shpreh ai, na takon.

    “Më vjen mirë që këto familje ua kanë treguar edhe fëmijëve të tyre se kush janë çlirimtarët, kush janë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe të tjerët. Kjo më ka gëzuar shumë, që anëtarët e familjeve kanë marrë edhe fëmijët e tyre për t’u treguar se ne po protestojmë për një të drejtë që na takon”, tha Gucati.

  • Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 16 vatra në gjithë vendin, 5 ende aktive

    Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 16 vatra në gjithë vendin, 5 ende aktive

    Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë menaxhuar operacionet për përballimin e 16 vatrave të zjarrit në disa qarqe të vendit.

    Sipas ministrisë, pesë vatrat ende aktive janë vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e tyre përfundimtare.

    Në njoftimin e bërë në rrjetin social facebook, nënvizohet se operacionet në zona si Kavaja, Fieri, Lezha, Elbasani dhe Divjaka janë angazhuar qindra forca zjarrfikëse, mjete tokësore dhe ajrore, si dhe efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera emergjente.

    “Në operacionet e zhvilluara në Hajdaraj/Synej (Kavajë), Drizë–Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan), Divjakë dhe vatra të tjera u angazhuan 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë, 30 efektivë dhe 2 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, si dhe forca të Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore.”, thuhet në njoftim.

  • KF Llapi përforcohet në mbrojtje, transferon Agon Xhakën

    KF Llapi përforcohet në mbrojtje, transferon Agon Xhakën

    KF Llapi ka arritur marrëveshje me qendërmbrojtësin Agon Xhaka, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e skuadrës bardhekaltër.

    29-vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin nga Podujeva deri në verën e vitit 2028, duke iu bashkuar projektit të ekipit për dy sezonet e ardhshme.

    Futbollisti vjen te Llapi pas një periudhe pesëvjeçare të suksesshme me FC Malishevën, ku ka qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës. Gjatë kësaj kohe, ai ka regjistruar 129 paraqitje zyrtare dhe ka kontribuar në sukseset e klubit, përfshirë edhe kualifikimet në garat evropiane për tri sezone radhazi.

    KF Llapi ka bërë të ditur se vazhdon të forcojë skuadrën me futbollistë të dëshmuar, në funksion të objektivave për sezonin e ri. Klubi i ka uruar mirëseardhje Agon Xhakës dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.

    I njohur për sigurinë në mbrojtje, lojën në ajër dhe karakterin luftarak, Xhaka pritet të sjellë stabilitet dhe lidership në repartin defensiv të Llapit në sezonin e ri.

  • Real Madridi monitoron Doue, e ardhmja e Viniciusit mund të përcaktojë gjithçka

    Real Madridi monitoron Doue, e ardhmja e Viniciusit mund të përcaktojë gjithçka

    E ardhmja e Vinicius Junior vazhdon të mbetet e paqartë te Real Madridi, ndërsa drejtuesit e klubit po shqyrtojnë alternativa në rast se braziliani nuk rinovon kontratën dhe largohet nga “Santiago Bernabeu”.

    Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e presidentit Florentino Perez është talenti i Paris Saint-Germain, Desire Doue, i cili konsiderohet një nga futbollistët më premtues të futbollit evropian.

    Sipas raportimeve, Real Madridi e vlerëson shumë profilin e 21-vjeçarit, por PSG nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga shërbimet e tij. Trajneri Luis Enrique e konsideron Douen një lojtar kyç në projektin e tij, ndërsa klubi francez pritet të kërkojë rreth 150 milionë euro për të nisur negociatat.

    Doue spikat për aftësinë e tij për të luajtur në disa pozicione të repartit ofensiv. Ai mund të aktivizohet në krahë, si mesfushor ofensiv ose pas sulmuesit, cilësi që vlerësohen shumë nga stafi teknik i Real Madridit.

    Që prej transferimit nga Rennes, zhvillimi i tij ka qenë i shpejtë dhe i qëndrueshëm. Sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg është rreth 120 milionë euro, ndërsa kontrata me PSG-në është e vlefshme deri në vitin 2029, duke i dhënë klubit francez një pozicion të fortë në çdo negociatë.

    Në moshën 21-vjeçare, Doue ka dëshmuar cilësi të larta në driblim, pasin vendimtar dhe finalizim, ndërsa paraqitjet me Kombëtaren e Francës kanë rritur edhe më shumë vlerësimin për të.

    Megjithatë, gjithçka lidhet me të ardhmen e Vinicius Junior. Nëse braziliani rinovon kontratën me Real Madridin, interesi për Douen pritet të zbehet ndjeshëm.

    Në rast se nuk arrihet marrëveshje me Viniciusin, klubi madrilen mund të shqyrtojë shitjen e tij për të financuar transferimin e një zëvendësuesi të nivelit të lartë në krahun e majtë. Për momentin, situata mbetet e hapur. Desire Doue vazhdon të jetë një nga emrat më të pëlqyer në Madrid, ndërsa PSG mbetet e vendosur të mos e lëshojë lehtë yllin e saj.

  • Si u mbajtën të fshehur për vite 16 fëmijë brenda një dhome? Ngjarja që tronditi SHBA-në

    Si u mbajtën të fshehur për vite 16 fëmijë brenda një dhome? Ngjarja që tronditi SHBA-në

    Vetëm pak ditë pasi autoritetet larguan 16 fëmijë nga një shtëpi e mjerueshme, të cilët ishin mbajtur të bllokuar për 4 vite, dhe arrestuan prindërit dhe gjyshërit e tyre, lind pyetja: Si mund të ketë ndodhur kjo, për vite me radhë, pa u vënë re?

    Fqinjët e familjes në Hamden të Ohios, punonjësit në dyqanet lokale ku ata kishin bërë pazar dhe madje edhe hetuesit që iu përgjigjën ngjarjes, po e pyesin veten për këtë gjë, dhe informacioni i kufizuar i ndarë nga hetuesit nuk ofron një përgjigje të plotë.

    Fëmijët nuk ishin të regjistruar në shkollë, familja ishte zhvendosur gjatë dy dekadave të fundit dhe fqinjët thanë se nuk i kishin parë kurrë fëmijët.

    Fëmijët mbetën kryesisht të mbyllur në një dhomë të vogël në shtëpi, sipas hetuesve, në kushte të mjerueshme.

    “Pikërisht para hundëve tona dhe askush nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte”, tha Emily Collins, 27 vjeç, banore e fshatit.

    Autoritetet thanë se kishin shkuar në shtëpi të martën për një hetim dhe zbuluan fëmijët – të moshës 1 e gjysmë deri në 18 vjeç – disa prej të cilëve nuk ishin në gjendje të flisnin.

    Shtatë prej tyre u dërguan në spitale, përfshirë një në gjendje kritike.

    Katër persona, të cilët janë prindërit dhe gjyshërit e fëmijëve, u arrestuan me akuzat për rrezikim të fëmijëve.

    Raportohet se Gary Siders Jr., 36 vjeç, Gary Siders, 73 vjeç, Elizabeth Siders, 33 vjeçe, dhe Christina Siders, 67 vjeçe, u deklaruan të pafajshëm për rrezikim të fëmijëve.

    Nëna e fëmijëve, Elizabeth Siders, u martua me babanë e tyre, Gary Siders Jr., kur ishte 15 vjeç dhe të gjithë fëmijët janë të tyre, sipas avokatit të saj, Thomas Stolly.

    “Në fakt, pyetja e parë që klientja ime më bëri kur hyra në burg dhe u prezantova ishte për fëmijët e saj. Ajo më pyeti nëse fëmijët e saj ishin mirë, më pyeti nëse e dija se ku ishin dhe më pyeti se kur do të ishte në gjendje t’i shihte përsëri”, tha Stolly.

    Stolly tha se klientja e tij i tha se të gjithë fëmijët kishin lindur në spitalet e zonës dhe se ajo e konsideron veten një nënë të kujdesshme. Ajo e la shkollën e mesme pas klasës së 11-të.

    “Mendoj se ky është më shumë një rast izolimi sesa një rast i së keqes, dhe mendoj se ka një dallim të rëndësishëm këtu. Sepse nëse kjo është e gjitha që dini – dhe duhet të mendoni se dikush në moshën 15 vjeç nuk di shumë për të qenë nënë, për të qenë grua”, deklaroi Stolly.

    Një avokat tjetër i familjes Siders bëri thirrje gjithashtu që njerëzit të presin përpara se të japë gjykimin.

    “Ne i kërkojmë komunitetit në përgjithësi, si dhe kujtdo që mund të ketë interes në këtë rast, të marrë frymë thellë, të bëjë një hap prapa dhe ta lërë çështjen të zbardhet dhe faktet të dalin në dritë”, tha Dorian Baum.

    Autoritetet nuk e bënë publike natyrën e hetimit tjetër që i çoi ata te shtëpia e Siders.

    Megjithatë, të dhënat e gjykatës tregojnë se atë ditë u lëshua një urdhër arresti për Siders Jr. për akuza për ekspozim të pahijshëm në lidhje me incidente të dyshuara.

    “Këta njerëz ishin mjaft të mirë në fshehjen e këtyre fëmijëve”, tha Wilson, prokurori i përgjithshëm i shtetit.

    Mungesa e fëmijëve në shkollë dhe mungesa e dukshme e vizitave të rregullta me profesionistët mjekësorë, ka të ngjarë të kenë kontribuar në mbajtjen e situatës së rëndë të panjohur, sipas Jacqueline Yahn, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Ohios.

    Fëmijët e kalonin pjesën më të madhe të kohës në një dhomë që ishte afërsisht 3.5 metra me 3.5 metra, sipas hetuesve, të cilët vunë re se kishte jashtëqitje kudo përreth.

  • Ushtarët e KFOR-it stërviten me helikopterë në Prishtinë

    Ushtarët e KFOR-it stërviten me helikopterë në Prishtinë

    KFOR ka njoftuar se pjesëtarë të Karabinierëve italianë dhe ushtarë çekë, të caktuar në Njësinë Shumëkombëshe të Specializuar (MSU), kanë zhvilluar stërvitje me helikopterë në Kampin Film City në Prishtinë, me qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e koordinimit ndërmjet ekuipazheve ajrore dhe personelit në terren.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, stërvitja ka përfshirë aktivitete të fokusuara në transportin e personelit, evakuimin e trupave dhe menaxhimin e skenarëve emergjentë.

    Këto aktivitete synojnë të ruajnë nivelin e lartë të përgatitjes operacionale dhe ndërgjegjësimit situacional të personelit të misionit.

    KFOR thekson se këto ushtrime pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të misionit për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

  • Shqiptarët, ndër popujt më të stresuar në botë

    Shqiptarët, ndër popujt më të stresuar në botë

    Vendet e Mesdheut janë të njohur për stilin e relaksuar të jetesës.

    Mirëpo një studim i kryer së fundmi ka gjetur se Greqia është vendi që ka popullin më të stresuar në botë.

    Sondazhi “Gallup 2019 Global Emotions” ka gjetur se 59 për qind e grekëve kishin përjetuar stres gjatë 24 orëve të fundit, nivel ky më i larti në botë.

    “Shqipëria (55 për qind), Qiproja (51 për qind), Italia (48 për qind) dhe Portugalia (45 për qind), janë këta popujt me nivelin më të lartë të stresit në Evropë”, thuhet ndër të tjera në studim.

  • Kush janë tre djemtë e Khameneit që morën pjesë në funeralin e babait të tyre?

    Kush janë tre djemtë e Khameneit që morën pjesë në funeralin e babait të tyre?

    Tre nga fëmijët e liderit të ndjerë iranian, Ajatollah Ali Khamenei, u lutën sot mbi trupin e babait të tyre – por jo Mojtaba, i cili e pasoi atë si Udhëheqës Suprem, shkruan CNN.

    Mostafa, Masoud dhe Meysam Khamenei u panë të tre duke mbajtur zi për babanë e tyre, si edhe për katër anëtarët e tjerë të familjes që u vranë, ndërsa arkivolet e tyre ndodheshin në Grand Mosalla Imam Khomeini në Teheran.

    Mostafa, 64 vjeç, është klerik shiit dhe djali më i madh i Udhëheqësit Suprem të ndjerë. Ai ka pasur aktivitet të kufizuar politik dhe aktualisht nuk mban ndonjë post në qeverinë iraniane. Megjithatë, ai përshkruhet si me ndikim në qarqet fetare.

    Masoud, 52 vjeç, është gjithashtu klerik dhe djali i tretë i Khameneit të ndjerë. Ai drejton Zyrën për Ruajtjen dhe Publikimin e Veprave të Khameneit, e cila është përgjegjëse për ruajtjen dhe promovimin e fjalimeve të Udhëheqësit Suprem. Sipas mediumit aktivist pro-reformist IranWire, ai kontrollon një aparat të madh propagandistik me lidhje me disa media.

    Meysam, 48 vjeç, është fëmija më i vogël i Khameneit dhe mban një profil publik relativisht të ulët krahasuar me vëllezërit e tij. Ai gjithashtu ka punuar në Zyrën për Ruajtjen dhe Publikimin e Veprave të Udhëheqësit Suprem.

    Ndër të tjerët që u shfaqën të dielën ishin edhe vjehrri i Mojtabës, Gholam-Ali Haddad-Adel, si dhe dhëndri i Khameneit, Mohammad Mohammadi Golpayegani, vajza 4-vjeçare e të cilit, Zahra, u varros në arkivolin e vogël.

  • Vazhdojnë kërkimet për 78-vjeçarin e zhdukur në Prishtinë, nga e enjtja asnjë gjumë

    Vazhdojnë kërkimet për 78-vjeçarin e zhdukur në Prishtinë, nga e enjtja asnjë gjumë

    Po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 78-vjeçarit Xhafer Raqi, i cili është zhdukur që nga e enjtja e kësaj jave në Prishtinë.

    Nga Shoqata e Kosovës për kërkim-shpëtim është bërë e ditur për Klankosova.tv se kërkimet kanë vazhduar deri në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 03:30, me angazhimin e ekipeve në terren, dronëve dhe motorëve.

    78-vjeçari, banor i lagjes “Bregu i Diellit”, vuan nga demenca dhe është parë për herë të fundit rreth orës 08:00 të së enjtes.

    Familjarët kanë bërë thirrje për ndihmë, duke kërkuar që çdo person që ka informacion për vendndodhjen e tij të kontaktojë në numrin +383 44 737 900.