ATV

Blog

  • Prattipati sërish i bën thirrje Kosovës të përfshihet në projektin e gazit: Siguroni investimet e ardhshme amerikane

    Prattipati sërish i bën thirrje Kosovës të përfshihet në projektin e gazit: Siguroni investimet e ardhshme amerikane

    E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, sërish i ka bërë thirrje Kosovës që të përfshihet në projektin e gazit amerikan, duke thënë se kështu siguron investimet e ardhshme amerikane.

    Këtë thirrje Prattipati e bëri derisa mori pjesë ë ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA–Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e tregtisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

    “Në fjalën e saj, ajo përshëndeti vendimin e Kosovës për të hequr tarifat doganore ndaj mallrave amerikane dhe bëri thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja, me qëllim sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane”, shkroi ambasada në njoftim.

  • Bllokohet rruga Prishtinë–Pejë te Ura e Dollcit, raportohet se do të kryhet minimi i terrenit

    Bllokohet rruga Prishtinë–Pejë te Ura e Dollcit, raportohet se do të kryhet minimi i terrenit

    Drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në aksin rrugor Prishtinë–Pejë duhet të kenë kujdes, pasi sot do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit.

    Siç raporton, Klina info për shkak të punimeve në rrugë, në segmentin te Ura e Dollcit do të realizohet procesi i minimit të terrenit, ndaj rruga do të bllokohet duke filluar nga ora 15:00.

    Ende nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë bllokimi i qarkullimit. Rruga do të rihapet vetëm pasi të përfundojë pastrimi i materialit të krijuar nga minimi dhe të konstatohet se qarkullimi mund të zhvillohet në mënyrë të sigurt.

  • Një mal me mbeturina në Indonezi është përfshirë nga flakët për më shumë se një javë

    Një mal me mbeturina në Indonezi është përfshirë nga flakët për më shumë se një javë

    Një mal me mbeturina në Indonezi ka qenë në flakë për më shumë se një javë Për tetë ditë, një zjarr ka qenë në një mal mbeturinash në Indonezi.

    Flaka në deponinë Jatiwaringin, në periferi të kryeqytetit Xhakartë, është përhapur në më shumë se 15 hektarë, duke e mbuluar zonën me tym të trashë toksik dhe duke zhvendosur qindra banorë vendas, transmeton Telegrafi.

    Autoritetet shëndetësore kanë raportuar një rritje të sëmundjeve të frymëmarrjes për shkak të ndotjes së ajrit, dhe zjarrfikësit kanë dërguar helikopterë, cisterna uji, buldozerë dhe dronë për të shuar zjarrin.

    Ka shpresa se kjo mund të arrihet deri në fund të javës. Por aktivistët mjedisorë thonë se kjo është vetëm një simptomë e një krize në rritje të mbeturinave në Indonezi, duke e përshkruar zjarrin në deponi si një “katastrofë ekologjike që rezulton nga neglizhenca sistemike”.

    Zjarri shpërtheu më 30 qershor, fillimisht i shkaktuar nga një shkëndijë e vogël e cila u përhap nga erëra të forta dhe u përhap në disa vende – duke përfshirë vendet ku mbeturinat ishin grumbulluar shumë, dhe vende që kanë qenë të vështira për t’u arritur nga zjarrfikësit.

    Gjatë javës që nga ajo kohë, re të dendura të zeza tymi kanë përmbytur zonat e banuara përreth. Matjet nga Ministria e Mjedisit tregojnë se cilësia e ajrit përreth deponisë ka arritur nivele të rrezikshme, megjithëse ashpërsia është lehtësuar ditët e fundit.

    Një banore vendase, 45-vjeçarja Sarmanah, i tha BBC-së se tymi toksik përmbyti shtëpinë e saj, duke e detyruar të largohej me fëmijën e saj.

    “Tymi ishte aq i dendur sa nuk mund të shihje askënd. Të dhemb hundën, të bën të kollitesh dhe të rrjedhë hunda, dhe të bën të paaftë të marrësh frymë… U detyruam të largoheshim nga shtëpia sepse nuk mund ta duronim më”, kujtoi ajo.

    Qindra të tjerë u detyruan të bënin të njëjtën gjë, duke kërkuar strehim në një strehë të ngritur nga qeveria lokale. Tosiyani, 37 vjeç, tha se i ishte ndaluar të shkonte në shtëpi sepse “tymi përmban gaz toksik”.

    – YouTube www.youtube.com

    Autoritetet lokale shëndetësore deri më tani kanë ekzaminuar të paktën 234 banorë që vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes për shkak të flakëve. Nga këta, 72 u gjetën se vuanin nga infeksione akute të traktit respirator.

    Ndërkohë, tymi dhe njollat e zjarrit vazhdojnë të digjen në disa grumbuj mbeturinash, konkretisht në perëndim dhe në jug të deponisë.

    Djohan Darmawan, Drejtor i Koordinimit të Kontrollit të Operacioneve të Emergjencave në Agjencinë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), tha se përpjekjet për të shuar zjarrin në deponi kërkonin trajtim të veçantë sepse flakët nuk ishin në sipërfaqe, por digjeshin brenda mbeturinave të grumbulluara.

    Edhe pse zyrtarët nuk e kanë konfirmuar shkakun fillestar të flakës, organizata joqeveritare indoneziane Forumi për Mjedisin (Walhi) ka sugjeruar se ai u shkaktua nga akumulimi i gazit metan nga mbeturinat organike në dekompozim.

    – YouTube www.youtube.com

    Ky është rezultat i një sistemi të parregulluar të hedhjes së mbeturinave në ajër që është përhapur gjerësisht në Indonezi.

    “Kjo është një bombë me sahat e problemeve të akumuluara të menaxhimit të mbeturinave që janë injoruar për vite me radhë pa përmirësime themelore”, tha për BBC-në Wahyu Eka Styawan, një aktivist me Walhi.

    Sipas Walhi, sasia e mbeturinave që gjeneron Tangerang Regency është shumë më tepër sesa ajo që është projektuar të trajtojë deponia Jatiwaringin.

    “Deponia mund të akomodojë deri në 2,700 ton mbeturina në ditë, por kjo mbulon vetëm 59% të mbeturinave në Tangerang Regency”, tha Wahyu.

  • Ish-komandanti i Ushtrisë së Jugosllavisë, Momçillo Perishiq, lirohet nga burgu

    Ish-komandanti i Ushtrisë së Jugosllavisë, Momçillo Perishiq, lirohet nga burgu

    Momçillo Perishiq, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, u lirua nga burgu më 8 korrik, pasi vuajti më shumë se dy të tretat e dënimit prej katër vjetësh për spiunazh.

    Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Novak Llukiq.

    “Është miratuar lirimi me kusht, pasi ai vuajti dy të tretat e dënimit. Në burg ka kaluar gati tre vjet”, tha Llukiq.

    Ai shtoi se bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd, të marrë më 25 qershor.

    Perishiq u shpall fajtor pasi, në mars të vitit 2002, në një motel pranë autostradës Ibarska në Beograd, i dorëzoi një dokument sekret ushtarak një zyrtari të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, shtetasit amerikan John Neighbour.

    Bëhej fjalë për procesverbalin e një mbledhjeje të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të mbajtur në vitin 2001.

    Dokumenti mbante klasifikimin “Sekret ushtarak – tepër konfidencial”.

    Dokumenti u gjet te diplomati amerikan gjatë ndërhyrjes së përfaqësuesve të shërbimit të sigurisë së Ushtrisë së Jugosllavisë dhe policisë ushtarake.

    Në kohën e arrestimit, në vitin 2002, Perishiq ishte zëvendëskryeministër i Serbisë.

    Fillimisht, Gjykata e Lartë në Beograd e kishte dënuar atë me tre vjet burg, por më vonë vendimi u ndryshua në procedurën e apelimit.

    Perishiq ishte i akuzuar edhe nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, ku u dënua me 27 vjet burg për krime lufte.

    Në vitin 2013, Dhoma e Apelit e liroi nga të gjitha akuzat dhe urdhëroi lirimin e tij./REL

  • Zyrtare: Prishtina siguron përfundimisht shërbimet e Albin Krasniqit

    Zyrtare: Prishtina siguron përfundimisht shërbimet e Albin Krasniqit

    Prishtina ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me Albin Krasniqin, duke e transferuar përfundimisht mesfushorin ofensiv nga klubi ukrainas Kolos.

    Pas një periudhe gjashtëmujore në huazim, drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë aktivizuar marrëveshjen për blerjen e kartonit të futbollistit nga Kaçaniku, duke e bërë atë pjesë të projektit edhe për sezonet në vazhdim.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë Prishtina përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet e ditur se Krasniqi ka firmosur kontratën e re me bardhekaltrit, duke rikthyer zyrtarisht një futbollist që tashmë e njeh mirë ambientin e klubit dhe ka lënë gjurmë me fanellën e tij.

    “Rrugëtimi i Albin Krasniqit me fanellën bardhekaltër vazhdon. Mesfushori ofensiv ka nënshkruar kontratë me Prishtinën, pasi në pjesën e dytë të sezonit të kaluar ishte pjesë e skuadrës si i huazuar nga klubi ukrainas Kolos.

    Krasniqi rikthehet zyrtarisht te bardhekaltrit, ekip me të cilin fitoi Kupën e Kosovës në vitin 2025. Gjatë pjesës pranverore të sezonit të kaluar, ai regjistroi 16 paraqitje, shënoi dy gola dhe kontribuoi me një asistim.

    Në total, Albini ka zhvilluar 77 ndeshje me fanellën e Prishtinës në të gjitha garat”, thuhet në komunikatën e klubit.

    Paraqitjet e tij gjatë pjesës së dytë të sezonit bindën drejtuesit e Prishtinës se ai meritonte një kontratë të përhershme. Mesfushori 24-vjeçar u shndërrua në një element të rëndësishëm të skuadrës, falë kreativitetit, energjisë dhe kontributit në fazën sulmuese.

    Me këtë lëvizje, Prishtina ruan një prej futbollistëve që konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit të trajnerit për sezonin e ri, ku objektivi mbetet lufta për trofe në futbollin kosovar dhe një paraqitje sa më e suksesshme në garat evropiane.

  • Shoqata e Prodhuesve dhe Oda Ekonomike: Prodhimi vendor të mbrohet, jo të dëmtohet

    Shoqata e Prodhuesve dhe Oda Ekonomike: Prodhimi vendor të mbrohet, jo të dëmtohet

    Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, në bashkëpunim me prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit dhe produkteve me bazë shtazore, ka kërkuar veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm institucional për mbrojtjen e zinxhirit vendor të prodhimit.

    Në një komunikatë për media, pas një takimi sot, thuhet se sektori i qumështit dhe përpunimit të produkteve vendore përbën një nga shtyllat e rëndësishme të ekonomisë së Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin rural, punësimin dhe sigurinë ushqimore të vendit.

    Për këtë arsye, sipas komunikatës, çdo deklaratë apo veprim që cenon besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, pa u mbështetur në fakte dhe analiza zyrtare, dëmton drejtpërdrejt një sektor të tërë dhe mijëra familje që varen nga ky aktivitet.

    Në këtë drejtim, Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë kërkuar disa veprime nga ana e institucioneve.

    Në vazhdim kërkesat e Shoqatës e Prodhuesve të Kosovës dhe Odës Ekonomike e Kosovës:

    Publikimin e menjëhershëm të rezultateve të analizave zyrtare
    I bëjmë thirrje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të publikojnë rezultatet e mostrave të marra, bazuar në analiza laboratorike zyrtare dhe transparente, me qëllim eliminimin e çdo paqartësie në treg.

    Mbështetje konkrete institucionale për prodhuesit vendorë
    Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmarrjen e masave urgjente për mbështetjen e zinxhirit prodhues vendor, përmes politikave fiskale nxitëse, lehtësimeve administrative, diplomacisë ekonomike dhe mekanizmave të tjerë mbështetës.

    Ndaljen e deklarimeve dhe veprimeve që dëmtojnë sektorin pa bazë faktike
    Kërkojmë që çdo pretendim për cilësinë apo sigurinë e produkteve ushqimore të trajtohet përmes institucioneve kompetente dhe procedurave profesionale, duke shmangur veprimet që krijojnë pasiguri te konsumatorët dhe dëmtojnë padrejtësisht prodhuesit vendorë.

    Përshpejtimin e hapave për eksport në tregjet evropiane
    Kërkojmë ndërmarrjen e masave konkrete që do t’u mundësojnë prodhuesve vendorë eksportin e produkteve me bazë shtazore në tregun evropian, përfshirë avancimin e proceseve për njohjen e certifikatave përkatëse të lëshuara nga institucionet vendore.

    Respektimin e standardeve profesionale në raportim dhe mbikëqyrje
    Institucionet dhe të gjitha palët e përfshira duhet të veprojnë mbi bazën e ligjeve në fuqi dhe standardeve profesionale, duke garantuar një treg të sigurt, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë operatorët.

    Prodhuesit vendorë kanë investuar në teknologji, kanë krijuar vende pune dhe kanë punuar vazhdimisht për përmbushjen e standardeve të kërkuara. Ata meritojnë mbështetje dhe trajtim të barabartë, jo cenim të reputacionit pa dëshmi të bazuara.

    Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës mbeten të përkushtuara për dialog konstruktiv me institucionet përgjegjëse, në interes të konsumatorit, prodhuesit vendor dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

  • 27 vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi nga Serbia

    27 vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi nga Serbia

    Organizata “Albanians For America” ka përkujtuar Agronin, Mehmetin dhe Ylli Bytyqin në 27-vjetorin e vrasjes së tyre, duke bërë thirrje që autorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të dalin para drejtësisë.

    Në një njoftim publik, organizata rikujton se tre vëllezërit, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, luftuan nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, por më pas u arrestuan, u dënuan me burg nga autoritetet serbe dhe u ekzekutuan nga strukturat shtetërore të Serbisë.

    “Sot përkujtojmë me respekt Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë, pjesëtarë të Batalionit ‘Atlantiku’, të cilët, nën emblemën e UÇK-së, luftuan për lirinë e Kosovës, por u ekzekutuan mizorisht nga strukturat shtetërore serbe, pasi që paraprakisht ishin arrestuar dhe dënuar me burg nga autoritetet e Serbisë”, thuhet në reagimin e organizatës.

    Albanians For America vlerëson se edhe pas gati tri dekadash, drejtësia për rastin Bytyqi mbetet e parealizuar.

    “Ky përvjetor na kujton se drejtësia e vonuar dhe e mohuar mbetet padrejtësi. Edhe pas 27 vitesh, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtij krimi nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, thekson organizata.

    Sipas saj, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe premtimeve të përsëritura nga zyrtarët serbë, familja Bytyqi ende pret që autorët e krimit të mbajnë përgjegjësi.

    “Pavarësisht premtimeve të përsëritura të zyrtarëve serbë dhe kërkesave të pandërprera të Shteteve të Bashkuara, familja Bytyqi vazhdon të presë drejtësi, ndërsa Serbia vazhdon të mos japë përgjigjen që i detyrohet të vërtetës dhe ligjit”, thuhet më tej në njoftim.

    Në fund, organizata rithekson se zbardhja e plotë e këtij rasti është një detyrim jo vetëm ndaj familjes Bytyqi, por edhe një test për përgjegjësinë institucionale të Serbisë.

    “Vendosja e drejtësisë nuk është vetëm një detyrim ndaj familjes së tyre, por edhe një provë e gatishmërisë së Serbisë për të marrë përgjegjësi për një krim të kryer nga strukturat e saj shtetërore”, përfundon reagimi i Albanians For America.

  • Mbyllet një epokë në Kroaci: Zlatko Dalić njofton largimin pas Botërorit 2026

    Mbyllet një epokë në Kroaci: Zlatko Dalić njofton largimin pas Botërorit 2026

    Një nga kapitujt më të suksesshëm në historinë e futbollit kroat po shkon drejt fundit. Zlatko Dalić ka vendosur të largohet nga posti i përzgjedhësit të Kombëtares së Kroacisë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, duke i dhënë fund një rrugëtimi gati nëntëvjeçar plot suksese.

    Vendimi i trajnerit 59-vjeçar i është komunikuar presidentit të Federatës Kroate të Futbollit, Marijan Kustić, gjatë një takimi të zhvilluar pas përfundimit të aventurës së Kroacisë në Botëror.

    Dalić mori drejtimin e kombëtares në vitin 2017 dhe shumë shpejt u shndërrua në arkitektin e brezit më të artë të futbollit kroat. Nën drejtimin e tij, Kroacia arriti rezultate historike, duke fituar tri medalje në turne madhorë.

    Kulmi i suksesit erdhi në Kupën e Botës 2018 në Rusi, ku kroatët mbërritën deri në finale dhe fituan medaljen e argjendtë. Katër vite më vonë, në Katar, skuadra siguroi medaljen e bronztë, ndërsa në vitin 2023 arriti edhe finalen e Ligës së Kombeve, ku u shpall nënkampione e Evropës.

    Përveç këtyre arritjeve, Dalić e udhëhoqi Kroacinë në Kampionatet Evropiane të viteve 2020 dhe 2024, si dhe siguroi kualifikimin në Kupën e Botës 2026, duke ruajtur vazhdimësinë e kombëtares në arenën më të madhe ndërkombëtare.

    Në një deklaratë emocionale, trajneri kroat pranoi se drejtimi i kombëtares ishte nderi më i madh i karrierës së tij.

    “Nuk ka nder më të madh sesa të drejtosh kombëtaren e vendit tënd. Kur mora këtë detyrë, besoja te lojtarët dhe te vetja, por nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të arrinim gjithçka që kemi arritur gjatë këtyre pothuajse nëntë viteve.”

    Ai theksoi se medaljet dhe sukseset do të mbeten gjithmonë të veçanta, por arritja për të cilën ndihet më krenar është lidhja e fortë që kombëtarja krijoi me tifozët kroatë.

    Dalić nuk harroi të falënderojë as futbollistët që ishin pjesë e këtij rrugëtimi historik, duke përmendur kapitenin Luka Modrić, brezin që arriti finalen e Botërorit 2018 dhe lojtarët e rinj që morën përgjegjësi në vitet e fundit.

    “Isha jashtëzakonisht i privilegjuar që punova me futbollistë të mëdhenj dhe njerëz të jashtëzakonshëm. Ata gjithmonë e vendosën Kroacinë mbi gjithçka dhe treguan me përkushtimin e tyre se çfarë do të thotë të veshësh këtë fanellë.”

    Edhe pse pranoi se mbështetja e madhe e tifozëve e bëri ta rishqyrtonte vendimin, ai beson se ka ardhur momenti i duhur për të mbyllur këtë kapitull.

    “Kam ende ambicie dhe dëshirë për të fituar, por besoj se tani është koha t’ia lë stafetën dikujt tjetër. Çdo epokë e ka fundin e saj.”

    Zlatko Dalić largohet si trajneri më i suksesshëm në historinë e Kombëtares së Kroacisë. Gjatë mandatit të tij, ai jo vetëm që solli trofe dhe medalje, por e shndërroi Kroacinë në një nga kombëtaret më të respektuara dhe më konkurruese në futbollin botëror, duke lënë pas një trashëgimi që do të kujtohet për shumë vite.

  • Katër aleatë të NATO-s do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore nga një prodhues amerikan për ta forcuar Ukrainën

    Katër aleatë të NATO-s do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore nga një prodhues amerikan për ta forcuar Ukrainën

    Disa aleatë të NATO-s kanë njoftuar se do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën drejtpërdrejt nga prodhuesi në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur Ukraina po përballet me mungesë municionesh për t’iu kundërvënë sulmeve ruse në shkallë të gjerë, shkruan CNN.

    Përveç mbështetjes së programit të NATO-s për koordinimin e donacioneve të pajisjeve të avancuara ushtarake amerikane, katër vende – Kanadaja, Danimarka, Gjermania dhe Norvegjia – njoftuan këtë nismë për të porositur më shumë raketa drejtpërdrejt. Norvegjia tha se do të sigurojë edhe 307 milionë dollarë shtesë (3 miliardë korona norvegjeze) për të forcuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

    “Duke pasur parasysh afatet e gjata të dorëzimit për disa nga këto raketa, Norvegjia gjithashtu planifikon të blejë raketa Patriot nga vende që tashmë i kanë ato, për të mundësuar dhurimin e tyre të shpejtë për Ukrainën”, tha Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë në një deklaratë.

    “Ukraina po arrin të ndalojë shumicën e dronëve dhe raketave të lundrimit, por ajo duhet të forcojë mbrojtjen e saj kundër raketave balistike. Kjo është një nga prioritetet më urgjente të Ukrainës. Prandaj, Norvegjia po siguron tani 3 miliardë korona norvegjeze për mbrojtjen ajrore”, tha kryeministri Jonas Gahr Støre në deklaratë. Store sapo u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Ankara.

  • Për herë të parë në QKUK kryhen operime të trurit me teknikën moderne të neuroendoskopisë

    Për herë të parë në QKUK kryhen operime të trurit me teknikën moderne të neuroendoskopisë

    Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka shënuar një moment të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve neurokirurgjikale, duke realizuar për herë të parë me sukses operime me teknikën e neuroendoskopisë.

    Bëhet fjalë për një metodë moderne dhe minimalisht invazive, e cila mundëson trajtim më të avancuar të patologjive të trurit dhe rrit sigurinë gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.

    Në njoftimin e QKUK-së thuhet se më 6 dhe 7 korrik, Klinika e Neurokirurgjisë mirëpriti neurokirurgun e njohur nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili, së bashku me ekipin profesional të klinikës, udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave.

    “Gjatë kësaj vizite u kryen me sukses dy ndërhyrje të rëndësishme: operimi i një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me teknikën neuroendoskopike”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    Sipas QKUK-së, në të dy operacionet është përdorur edhe neuronavigatori, një aparaturë moderne që disponohet në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe që rrit saktësinë e ndërhyrjeve kirurgjikale.

    “Në të dyja ndërhyrjet u përdor edhe neuronavigatori, aparaturë moderne e disponueshme në Klinikën e Neurokirurgjisë, e cila mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacionit, rrit sigurinë e procedurës dhe ndihmon në kryerjen e ndërhyrjeve me precizion maksimal, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë”, theksohet në njoftim.

    QKUK bën të ditur se të dy pacientët që iu nënshtruan këtyre ndërhyrjeve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin sipas planit të mjekëve.

    Institucioni vlerëson se vizita nuk kishte rëndësi vetëm për suksesin klinik, por edhe për zhvillimin profesional të stafit.

    “Përveç suksesit klinik, vizita pati edhe një vlerë të veçantë profesionale dhe edukative. Gjatë gjithë procedurave, mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit”, thuhet tutje në këtë njoftim.

    Sipas QKUK-së, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve moderne që u ofrohen pacientëve në Kosovë.