ATV

Blog

  • Kryesia e LDK-së mblidhet të enjten pas certifikimit të rezultateve zgjedhore

    Kryesia e LDK-së mblidhet të enjten pas certifikimit të rezultateve zgjedhore

    Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mbajë mbledhje të enjten, më 9 korrik 2026, duke filluar nga ora 15:00.

    Mbledhja vjen një ditë pasi u certifikuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor 2026. Në këto zgjedhje, LDK siguroi 16.69 për qind të votave, duke fituar 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Lajmin për mbajtjen e mbledhjes e ka konfirmuar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili bëri të ditur se takimi i Kryesisë do të nisë në orën 15:00./EO

  • Abazi: Kurti është në mision të shpërbërjes së Republikës së Kosovës

    Abazi: Kurti është në mision të shpërbërjes së Republikës së Kosovës

    Ish-deputeti Haki Abazi, i ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova, ka komentuar pretendimet e tij mbi të cilat argumenton se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është në mision për shpërbërjen e Republikës së Kosovës.

    Ai tha se vizitat e Kurtit në Greqi, shtet ky që nuk e njeh subjektivitetin e Kosovës, e fakton një gjë të tillë.

    “Kurti është në misionin e tij të shpërbërjes së Republikës së Kosovës, kjo po vërtetohet realisht. Arsyeja që shkon në Greqi është se Greqia nuk e njeh Kosovën, kjo është fakt që Kurti nuk e njeh Republikën e Kosovës, Kurti është brenda Republikës për të shpërbërë Republikën. Për tri vite në mënyrë graduale është duke hequr copë-copë atribute të shtetit”, tha ai.

    Abazi pretendon se edhe fakti që Kosova po përballet me mungesë të parlamentit për një kohë të gjatë fakton pretendimet e tij.

    “Për tre vite shtet parlamentar pa Kuvend, tregon që realisht është në shpërbërje të Republikës. Sulmi mbi sistemin e drejtësisë, sulmi mbi Gjykatën Kushtetuese, është atak mbi Kushtetutshmërinë e Republikës. Të gjithë ata që besojnë në Republikën e Kosovës, të gjithë ata që është baza e mendimit të krijimit të Republikës së Kosovës, prej presidentit Rugova dhe partisë që ai ka lënë prapa dhe mendimtarët që mendojnë që Republika e Kosovës është rruga drejt avancimit të interesave të shqiptarëve në Kosovë, janë armiq të Albin Kurtit. Për 6 vite as edhe një angazhim të vetëm për njohjen e Republikës së Kosovës”, tha ish-deputeti Abazi.

  • Haxhiu tregon se kur do të thirret seanca konstituive

    Haxhiu tregon se kur do të thirret seanca konstituive

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, është deklaruar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Haxhiu tha se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.

    “Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka vlerësuar se vota e qytetarëve, tashmë ka marrë formën përfundimtare institucionale.

    “Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale”, është shprehur ajo.

    Haxhiu ka falënderuar institucionet zgjedhore dhe të gjithë akterët që kanë kontribuar në organizimin dhe përmbylljen e procesit zgjedhor, duke vlerësuar punën e tyre si të rëndësishme për funksionimin demokratik të vendit.

    “Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi”, ka deklaruar ajo.

    Duke folur për hapat e ardhshëm, ushtruesja e detyrës së presidentes ka theksuar se formimi i institucioneve të reja duhet të bazohet në përgjegjësi dhe respektim të vullnetit qytetar.

    “Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka thënë Haxhiu.

    Pas certifikimit të rezultateve, pritet që institucionet e reja të ndjekin procedurat kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe më pas për krijimin e strukturave të reja qeverisëse.

  • Deri në hapjen e ndonjë piste të re të kërkimit do të pezullohen kërkimet për 78 vjeçarin e zhdukur

    Deri në hapjen e ndonjë piste të re të kërkimit do të pezullohen kërkimet për 78 vjeçarin e zhdukur

    Edhe sot kanë vazhduar kërkimet për 78 vjeçarin Xhafer Raqi, i cili tash e gati një javë është shpallur i zhdukur nga familja.

    Pas përfundimit të ditës së sotme do të pezullohen kërkimet për të moshuarin, deri në marrjen e një informacioni të ri ose piste të re të kërkimi.

    Kështu Mentor Maloku, kryetari i Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim.

    “Kërkimet kanë vazhduar edhe sot. Është njoftim zyrtar që me përfundimin e kërkimeve sot do të pezullohen përkohësisht kërkimet deri në marrjen e ndonjë informacioni të ri ose ndonjë piste të re të kërkimit”, deklaroi Maloku për Klankosova.tv.

    Në operacionin e kërkimit pos familjes e qytetarëve, janë angazhuar edhe policia, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, Drejtoria e Emergjencave, FSK-ja.

    Deri më tani krejt çka është gjetur është një sandale e cila dyshohet se i përket të moshuarit.

  • IQMT mbyll 6 biznese dhe gjobit 6 të tjera në aksionin ndaj kriptovalutave dhe këmbimoreve

    IQMT mbyll 6 biznese dhe gjobit 6 të tjera në aksionin ndaj kriptovalutave dhe këmbimoreve

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka filluar sot aksionin e inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve.

    Inspektimet janë zhvilluar në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Rahovecit dhe Suharekës, me qëllim të verifikimit të përmbushjes së kërkesave ligjore për ushtrimin e kësaj veprimtarie, thuhet në njoftim.

    “Gjatë ditës së parë të aksionit janë inspektuar 16 biznese, ku ndaj 6 subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht mungesës së pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike, si dhe ndaj 6 bizneseve tjera janë shqiptuar gjoba për mungesën e dokumentacionit ligjor”, vijon njoftimi.

    “Në kuadër të planit operacional, IQMT do të inspektojë mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të regjistruar kodin për ndërmjetësime tjera monetare”, thuhet tutje.

  • “Dëshiron t’i japë fund luftës”, Trump paralajmëron bisedë me Putinin të mërkurën

    “Dëshiron t’i japë fund luftës”, Trump paralajmëron bisedë me Putinin të mërkurën

    Presidenti amerikan, Donald Trump tha se mendonte se kushtet e Presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po ndryshonin.

    “Unë flas shumë me Presidentin Putin dhe ai dëshiron t’i japë fund luftës”, tha Trump gjatë takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në kuadër të punimeve të samitit të NATO-s, raporton Reuters.

    Ai tha se do të flasë me Putinin të mërkurën dhe shpreson që një takim midis Presidentit ukrainas dhe udhëheqësit rus mund të ndodhte “së shpejti”.

  • Kosova e kap në kufi shtetasin S.U që po kërkohej nga Belgjika me urdhërarrest ndërkombëtar

    Kosova e kap në kufi shtetasin S.U që po kërkohej nga Belgjika me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në minutat e para të mëngjesit është arrestuar shtetasi kosovar S.U, meqë i njëjti kërkohet nga autoritetet e Belgjikës.

    “Sot me datë 08.07.2026 rreth orës 00:55, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet tjera të policisë, përkatësisht në Pikën e Kalimit Kufitar në Kullë, është bërë arrestimi i shtetasit kosovar S.U., pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet e Belgjikës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Policia k anjoftuar se i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Rama e konfirmon nga Ankaraja: Samiti i radhës i NATO-s mbahet në Shqipëri

    Rama e konfirmon nga Ankaraja: Samiti i radhës i NATO-s mbahet në Shqipëri

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se Samit i Radhës i NATO-s do të mbahet në Tiranë.

    Ky konfirmim ka ardhur nga Rama sot pas përfundimit të Samitit në Ankara, meqë është përfolur se kishte gjasa që takimi i radhës i krerëve të NATO-s të mos mbahej në Shqipëri.

    “Ka ikur ajo koha kur bënin të tjerët çka donin me Shqipërinë”, ka deklaruar Edi Rama.

  • Një person sulmohet me mjet të fortë në Pejë, përfundon në spital

    Një person sulmohet me mjet të fortë në Pejë, përfundon në spital

    Një person është dërguar për trajtim në spitalin e Pejës pasi dyshohet se është sulmuar me një mjet të fortë gjatë së mërkurës, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se rasti është raportuar nga emergjenca e spitalit.

    “Rreth orës 12:26, policia është njoftuar nga emergjenca e spitalit se janë duke trajtuar një person të lënduar. Sulmi dyshohet të jetë bërë me një mjet të fortë. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes dhe është duke e trajtuar rastin. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe më pas do të dhurojë deklaratën mbi rastin”, deklaroi Gashi.

    Sipas tij, viktima pas trajtimit mjekësor do të ftohet në stacionin policor për të dhënë deklaratën dhe për të sqaruar se sa persona kanë qenë të përfshirë në rast.

  • Kufizohet qarkullimi i automjeteve të rënda gjatë verës

    Kufizohet qarkullimi i automjeteve të rënda gjatë verës

    Ministria e Infrastrukturës ka vendosur kufizimin e qarkullimit të automjeteve të rënda gjatë sezonit veror, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

    Sipas njoftimit të ministrit në detyrë, Dimal Basha, vendimi vlen për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

    Basha ka bërë të ditur se kufizimet do të aplikohen varësisht nga temperaturat e larta.

    Nëpër autostrada, qarkullimi i këtyre automjeteve kufizohet kur temperatura kalon mbi 32 gradë Celsius, në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30.

    Ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, kufizimi do të zbatohet kur temperaturat arrijnë 35 gradë Celsius e më lart, po në të njëjtin interval kohor.

    Sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës do të bëjë çdo ditë publikimin e masave që do të vlejnë për ditën pasuese.

    “Ky vendim synon mbrojtjen e rrugëve nga dëmtimet që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe ngarkesat e rënda, duke garantuar njëkohësisht siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, ka shkruar Basha në Facebook.

    Ministri në detyrë ka thënë se vendimi është marrë “me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion”.