ATV

Blog

  • Ramadani sfidon pushtetarët: Bëjeni narko-testin, unë e bëra

    Ramadani sfidon pushtetarët: Bëjeni narko-testin, unë e bëra

    Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës, Burim Ramadani, ka dalë me një kërkesë interesante, duke sfiduar politikanët dhe zyrtarët e qeverisë së vendit.

    Ramadani ka ftuar pushtetarët që ta bëjnë narko-testin, duke treguar me anë të një videoje dhe duke paraqitur një dokument, se ai tashmë i është nënshtruar një testi të tillë.

    Ai ka thënë se institucioni i duhur për luftimin e drogave në Kosovë është qeveria, prandaj sipas tij, zyrtarët e saj duhet të jeni shembull.

    “Shteti ka përgjegjësi për luftimin e drogave dhe shteti ka shumë institucione për ta kryer këtë punë. Ky institucion është qeveria e Kosovës. Bëjeni narko-testin, jo se po paragjykoj diçka, por ju sfidoj që të jepni shembullin se jeni të vërtetë në luftën kundër drogave. Edhe nëse jeni të pastër, nuk është keq ta jepni shembullin…”, ka thënë Ramadani.

    Ai ka thënë se vendi rrezikohet nga përdorimi dhe shpërndarja e substancave narkotike.

    “Sot një prej rreziqeve serioze të sigurisë kombëtare është shpërndarja e drogave nëpër shkolla, nëpër rrugë, nëpër ambiente të ndryshme.”, ka deklaruar ai ndër të tjerash.

  • Operacion i madh kundër qendrave të masazhit dhe eskortave: Mbyllen 10 lokale, 8 të arrestuar

    Operacion i madh kundër qendrave të masazhit dhe eskortave: Mbyllen 10 lokale, 8 të arrestuar

    Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në kuadër të planit operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026-Qershor 2026”, i realizuar nga 8 deri më 12 qershor në koordinim me EUROPOL, INTERPOL, FRONTEX dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.

    Në njoftim bëhet e ditur se operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe ka përfshirë kontrolle në lokale me muzikë live, qendra masazhi, operacione për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, si dhe planin taktik për luftimin e prostitucionit përmes eskortave.

    Sipas Policisë, gjatë aksionit janë evidentuar katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, ndërsa janë arrestuar tetë persona, prej tyre katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja, përkatësisht dy nga Brazili dhe dy nga Kolumbia.

    Në kuadër të kontrolleve janë inspektuar 59 lokale me muzikë live në të gjithë territorin e Kosovës, ku janë identifikuar 420 persona. Nga ta, 186 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 234 shtetas të huaj, kryesisht nga Shqipëria, por edhe nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Gjashtë lokale janë gjetur të mbyllura, ndërsa nëntë të tjera janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

    Po ashtu, janë kontrolluar 62 qendra masazhi, ku janë hasur 104 persona, shumica gra. Nga këto qendra, 10 janë mbyllur për shkelje administrative.

    Policia bën të ditur se, pavarësisht kontrolleve intensive, gjatë këtij operacioni nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”.

    Sipas njoftimit, gjatë operacionit janë evidentuar edhe shtatë raste të tjera ku janë arrestuar shtatë gra, katër shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy të Kosovës, të cilat janë hasur duke kërkuar lëmoshë në rrugë së bashku me fëmijët e tyre.

    13 fëmijë janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, ndërsa janë iniciuar procedura për dyshimin e veprës penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

    Në operacion kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera të Policisë së Kosovës, përfshirë Departamentin e Kufirit, njësitë speciale, Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, si dhe zyrtarë nga drejtoritë rajonale policore. Aksioni është mbështetur edhe nga Inspektorati Qendror i Tregut, Inspektorati i Punës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Qendrat për Punë Sociale.

    Policia thekson se të gjitha gratë e hasura duke punuar në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe në rastet e eskortës janë intervistuar dhe u është ofruar mundësia të deklarojnë nëse ishin viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit.

    Sipas autoriteteve, asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar se ishte viktimë e trafikimit me njerëz.

  • Xhaka i mbyll derën Chelseat: E ardhmja ime është te Sunderlandi, dua të shkruaj histori këtu

    Xhaka i mbyll derën Chelseat: E ardhmja ime është te Sunderlandi, dua të shkruaj histori këtu

    Granit Xhaka ka shuar përfundimisht spekulimet rreth një largimi të mundshëm nga Sunderlandi, duke konfirmuar se nuk do të transferohet te Chelsea dhe se do të vazhdojë karrierën me klubin anglez.

    Mesfushori shqiptar, i cili ishte lidhur vazhdimisht me një kalim në “Stamford Bridge”, ku thuhej se kërkohej me ngulm nga trajneri Xabi Alonso, ish-trajneri i tij te Bayer Leverkusen, e bëri të qartë se e ka marrë tashmë vendimin për të ardhmen.

    Pas kualifikimit historik të Zvicrës në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, Xhaka foli edhe për situatën e tij në nivel klubesh, duke theksuar se ndihet i lumtur te Sunderlandi dhe nuk e mendon një largim.

    “Sunderlandi ka qenë shtëpia ime që nga dita e parë. Të gjithë jemi shumë të lumtur. Kam vendosur të qëndroj aty ku jam. Gjëja më e rëndësishme është familja. Jam gati të bëj histori me këtë klub”, deklaroi kapiteni i Zvicrës.

    Deklarata e tij i jep fund thashethemeve të merkatos, ndërsa Sunderlandi ruan një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Klubi anglez e mbylli sezonin e kaluar në vendin e shtatë të Ligës Premier, rezultat që i siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për edicionin e ri, ndaj drejtuesit nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga lideri i mesfushës.

    Nga ana tjetër, Chelsea mbeti jashtë garave evropiane dhe nuk arriti ta bindte 33-vjeçarin të ndryshonte ambient.

    Xhaka komentoi edhe suksesin e Zvicrës në Botërorin 2026, pasi helvetikët eliminuan Kolumbinë pas penalltive dhe siguruan një vend në mesin e tetë kombëtareve më të mira të turneut.

    “Ende nuk mund ta besoj plotësisht atë që po ndodh. Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne”, u shpreh ai.

    Tashmë fokusi i kapitenit shqiptar është te sfida e radhës në Kupën e Botës, ku Zvicra do të ketë përballë kampionen në fuqi, Argjentinën, në një duel që pritet të jetë një nga më interesantët e fazës çerekfinale.

  • Ballkani nis sonte rrugëtimin evropian, kampioni i Kosovës përballet me Connah’s Quay Nomads

    Ballkani nis sonte rrugëtimin evropian, kampioni i Kosovës përballet me Connah’s Quay Nomads

    Kampioni i Kosovës, Ballkani, rikthehet sonte në skenën evropiane, duke hapur zyrtarisht aventurën në edicionin 2026/27 të Ligës së Konferencës së UEFA-s.

    Skuadra nga Suhareka do të përballet në transfertë me ekipin uellsian Connah’s Quay Nomads, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Llanellian Road” në Colwyn Bay, me fillim nga ora 19:30.

    Ballkani e nis këtë edicion me objektivin e qartë për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt raundit të dytë, ndërsa një rezultat pozitiv në tokën uellsiane do t’i jepte skuadrës avantazh të vlefshëm për sfidën e kthimit.

    Therandasit tashmë kanë ndërtuar një emër në garat evropiane, falë paraqitjeve mbresëlënëse në vitet e fundit. Ballkani ka qenë pjesëmarrës i rregullt në kompeticionet e UEFA-s dhe ka shkruar histori duke arritur dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, sukses që e ka shndërruar në një nga klubet më të respektuara të rajonit në arenën ndërkombëtare.

    Nën drejtimin e trajnerit Mislav Karoglan, kampionët e Kosovës synojnë ta shfrytëzojnë përvojën evropiane për të marrë një rezultat të favorshëm jashtë fushe, para se ta mbyllin llogarinë e këtij raundi në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.

    Ballkani konsiderohet favorit në këtë përballje, por stafi teknik ka bërë thirrje për përqendrim maksimal, duke qenë se ndeshjet eliminatore shpesh rezervojnë befasi.

    Një kualifikim në raundin e dytë do të ishte një tjetër hap drejt objektivit të madh të klubit suharekas – vazhdimit të traditës së sukseseve në Evropë dhe tentativës për të siguruar edhe një herë një rrugëtim të gjatë në garat e UEFA-s.

  • Kosova U20 mëson rivalët në EuroBasket 2026, “Dardanët” e rinj gati për sfidën në Bratislavë

    Kosova U20 mëson rivalët në EuroBasket 2026, “Dardanët” e rinj gati për sfidën në Bratislavë

     

    Kombëtarja e Kosovës U20 në konkurrencën e meshkujve ka mësuar kundërshtarët e saj në fazën e grupeve të FIBA U20 EuroBasket 2026, Divizioni B, pas shortit të hedhur për turneun që do të zhvillohet në Bratislavë të Sllovakisë.

    “Dardanët” e rinj janë pozicionuar në Grupin C, ku i presin përballje të forta ndaj Portugalisë, Bosnjë e Hercegovinës, Islandës, Armenisë dhe Qipros, në garën për një vend në fazën tjetër të kampionatit.

    Evropiani do të zhvillohet nga 10 deri më 19 korrik, ndërsa në Bratislavë do të mblidhen disa nga talentet më premtues të basketbollit evropian, të cilët do të luftojnë për promovimin në Divizionin A.

    Kosova e nis këtë edicion me synimin për të bërë paraqitje sa më dinjitoze dhe për të konkurruar në nivel të lartë ndaj kundërshtarëve të grupit. Federata e Basketbollit e Kosovës dhe stafi teknik shpresojnë që brezi aktual të konfirmojë potencialin e tij dhe të sjellë rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare.

    Për “Dardanët” e rinj, EuroBasket U20 do të jetë një mundësi e rëndësishme për të fituar përvojë në nivel kontinental, por edhe për të dëshmuar cilësitë e tyre përballë disa prej përfaqësueseve më konkurruese të Divizionit B.

  • Sinner vazhdon marshimin në Wimbledon, numri një i botës siguron gjysmëfinalen

    Sinner vazhdon marshimin në Wimbledon, numri një i botës siguron gjysmëfinalen

    Jannik Sinner po konfirmon statusin e favoritit kryesor në Wimbledon. Tenisti italian, që mban vendin e parë në renditjen botërore, ka siguruar një vend në gjysmëfinale pas një paraqitjeje solide ndaj gjermanit Jan-Lennard Struff, të cilin e mposhti me rezultat të pastër 3-0 në sete (7-5, 7-6, 6-3).

    Edhe pse Struff i bëri rezistencë të fortë në dy setet e para, Sinner tregoi qetësi në momentet vendimtare, duke fituar fillimisht 7-5 dhe më pas setin e dytë pas një “tie-break”-u të luftuar. Në setin e tretë, italiani dominoi lojën dhe e mbylli ndeshjen me rezultatin 6-3, duke siguruar kualifikimin mes katër tenistëve më të mirë të turneut.

    Me këtë fitore, 24-vjeçari vazhdon ëndrrën për ta fituar për herë të parë trofeun e Wimbledonit, pasi deri më tani ka zhvilluar një turne pothuajse perfekt dhe mbetet një nga pretendentët kryesorë për titull.

    Në konkurrencën e femrave janë mësuar gjithashtu gjysmëfinalistet e para. Amerikania Coco Gauff përmbysi rezultatin ndaj bashkëkombases Jessica Pegula, duke triumfuar 2-1 me sete (4-6, 6-3, 6-3) dhe duke siguruar një tjetër paraqitje në mesin e katër më të mirave.

    Rivalja e saj në gjysmëfinale do të jetë çekja Karolina Muchova, e cila eliminoi ish-numrin një të botës, Naomi Osaka. Muchova fitoi në dy sete, 7-6 dhe 6-4, pas një ndeshjeje me ritëm të lartë dhe shumë rivalitet.

    Ndërkohë, në garën e meshkujve u zhvillua edhe çerekfinalja e mbetur, ku Alexander Zverev kaloi me sukses pengesën e çekut Jiri Lehecka. Gjermani triumfoi me rezultat 3-1 në sete, duke kompletuar kështu listën e gjysmëfinalistëve në Wimbledon.

    Turneu më prestigjioz i tenisit po hyn në fazën vendimtare, ndërsa tifozët presin përballje spektakolare në luftën për një vend në finalen e madhe.

  • Zyrtare: Ylber Ramadani nis një kapitull të ri, transferohet në elitën e futbollit turk

    Zyrtare: Ylber Ramadani nis një kapitull të ri, transferohet në elitën e futbollit turk

    Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani, i ka dhënë fund aventurës së tij në futbollin italian, duke u transferuar zyrtarisht te ARCA Çorum FK, klub që garon në Superligën e Turqisë.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi turk, i cili ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me Lecce për transferimin përfundimtar të 29-vjeçarit, ndërsa me futbollistin shqiptar është firmosur një kontratë dyvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.

    Në deklaratën zyrtare, ARCA Çorum FK i uroi mirëseardhje Ramadanit, duke shprehur besimin se ai do të jetë një përforcim i rëndësishëm për skuadrën.

    “Klubi ynë ka arritur marrëveshje me US Lecce për transferimin përfundimtar të futbollistit profesionist Ylber Ramadani. Me lojtarin është nënshkruar një kontratë 2+1-vjeçare. Besojmë se ai do të ketë një karrierë të suksesshme me fanellën e ARCA Çorum FK dhe i urojmë mirëseardhje e shumë suksese në rrugëtimin e ri”, thuhet në komunikatën e klubit.

    Për Ramadanin, ky transferim shënon një etapë të re në karrierë, pas dy sezoneve të kaluara në Serie A me Leccen, ku u dallua për paraqitjet e tij të qëndrueshme dhe rolin kyç në mesfushë.

    Tashmë, reprezentuesi shqiptar do të synojë të lërë gjurmë edhe në futbollin turk, ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm në planet e skuadrës së re.

    Sipas raportimeve, ARCA Çorum FK ka paguar rreth 1 milion euro për të siguruar kartonin e mesfushorit shqiptar, duke e bërë Ramadanin një nga investimet më të rëndësishme të klubit në këtë afat kalimtar.

  • Messi vazhdon të shkruajë histori, vendos një tjetër rekord në Botërorin 2026

    Messi vazhdon të shkruajë histori, vendos një tjetër rekord në Botërorin 2026

    Lionel Messi edhe një herë dëshmoi pse konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke vendosur një rekord të ri historik në Kupën e Botës FIFA gjatë fitores dramatike 3-2 të Argjentinës ndaj Egjiptit në fazën e 1/8-tës së finales.

    Kapiteni i “Albiceleste” ishte protagonisti absolut në një mbrëmje të paharrueshme, ku Argjentina përmbysi disavantazhin 0-2 për të siguruar kualifikimin në çerekfinale me tre gola të shënuar në pjesën e mbetur të ndeshjes.

    Messi fillimisht shërbeu Cristian Romeron për golin që hapi rikthimin e argjentinasve, më pas gjeti vetë rrugën e rrjetës për të barazuar shifrat, ndërsa Enzo Fernández vulosi përmbysjen në minutat shtesë pas asistimit të Lautaro Martínez.

    Falë një goli dhe një asistimi në këtë sfidë, ylli argjentinas hyri sërish në librat e historisë. Në moshën 39 vjeç e 13 ditë, Messi u bë futbollisti më i vjetër që arrin të shënojë dhe të japë një asistim në të njëjtën ndeshje të fazës eliminatore të një Kampionati Botëror.

    Ky është vetëm një tjetër kapitull në karrierën e jashtëzakonshme të tetë herë fituesit të “Topit të Artë”, i cili vazhdon të thyejë rekorde edhe në Botërorin 2026.

    Messi tashmë ka zgjeruar edhe më tej epërsinë si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, ndërsa mbetet figura kyçe e Argjentinës në synimin për të mbrojtur titullin e kampionit të botës.

  • Egjipti nuk pajtohet me eliminimin, dërgon ankesë zyrtare në FIFA dhe kërkon pezullimin e gjyqtarit Letexier

    Egjipti nuk pajtohet me eliminimin, dërgon ankesë zyrtare në FIFA dhe kërkon pezullimin e gjyqtarit Letexier

    Federata Egjiptiane e Futbollit ka reaguar ashpër pas eliminimit dramatik nga Argjentina në fazën e 1/8-tës së Kupës së Botës 2026, duke dorëzuar një ankesë zyrtare në FIFA për arbitrimin e sfidës që përfundoi me fitoren 3-2 të argjentinasve.

    Sipas raportimeve të RMC Sport dhe TyC Sports, drejtuesit e futbollit egjiptian janë të bindur se skuadra e tyre u dëmtua nga vendime të rënda të arbitrave dhe kanë kërkuar nisjen e një hetimi të menjëhershëm, si dhe masa disiplinore ndaj trupës gjykuese.

    Në qendër të kritikave është arbitri francez François Letexier, për të cilin Egjipti kërkon pezullim deri në përfundim të Botërorit, së bashku me asistentët e tij.

    Në ankesën e paraqitur në FIFA, egjiptianët theksojnë dy momente që, sipas tyre, ndikuan drejtpërdrejt në fatin e ndeshjes.

    I pari lidhet me golin e shënuar nga Mostafa Ziko në minutën e 58-të, i cili do t’i jepte Egjiptit epërsinë 2-0. Gjyqtari e anuloi realizimin për një faull të pretenduar të Marëan Attia në nisje të aksionit, vendim që pala egjiptiane e cilëson të pabazuar.

    Momenti i dytë ka të bëjë me aksionin që parapriu golin e tretë dhe vendimtar të Argjentinës, të realizuar nga Enzo Fernández. Sipas Egjiptit, Mohamed Salah u pengua në mënyrë të parregullt, por arbitri nuk akordoi penallti, ndërsa VAR-i nuk ndërhyri për ta rishikuar situatën.

    Eliminimi i Egjiptit ka ndezur debat të madh në opinionin sportiv, me shumë diskutime rreth rolit të arbitrimit në një nga ndeshjet më dramatike të këtij Botërori.

    Tashmë topi është në fushën e FIFA-s, e cila pritet të shqyrtojë ankesën dhe të vendosë nëse do të ndërmarrë masa ndaj gjyqtarit Letexier dhe ekipit të tij apo do t’i konsiderojë vendimet e marra si pjesë e interpretimit të lojës.

  • Xhaka emocionon pas kualifikimit historik të Zvicrës: Ëndrra vazhdon!

    Xhaka emocionon pas kualifikimit historik të Zvicrës: Ëndrra vazhdon!

    Kapiteni shqiptar i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ka ndarë një mesazh plot emocion në rrjetet sociale pas triumfit dramatik ndaj Kolumbisë, që i siguroi helvetikëve një vend në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026.

    Zvicra shkroi histori duke eliminuar Kolumbinë në fazën e 1/8-tës së finales. Pas një përballjeje të luftuar deri në fund, fituesi u vendos nga penalltitë, ku zviceranët triumfuan me rezultat 4-3 dhe vazhduan rrugëtimin në turneun më prestigjioz të futbollit botëror.

    Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Xhaka reagoi në llogarinë e tij në Instagram, duke shprehur krenarinë dhe besimin për atë që e pret skuadrën në vazhdim.

    “Rrugëtimi vazhdon… Ëndrra është ende gjallë. Jemi në çerekfinale. Le të vazhdojmë të besojmë,” shkroi kapiteni i Zvicrës.

    Ky sukses e rendit Zvicrën mes tetë kombëtareve më të mira të Botërorit, ndërsa skuadra e drejtuar nga Xhaka tashmë synon një tjetër befasi në fazën çerekfinale.

    Sfida e radhës nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi helvetikët do të përballen me kampionët e botës, Argjentinën. Takimi do të zhvillohet në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës, në një duel që pritet të dhurojë spektakël dhe emocione.