ATV

Blog

  • Pochettino nis aventurën te Manchester Unitedi, argjentinasi merr zyrtarisht drejtimin e “Djajve të Kuq”

    Pochettino nis aventurën te Manchester Unitedi, argjentinasi merr zyrtarisht drejtimin e “Djajve të Kuq”

    Mauricio Pochettino ka nisur zyrtarisht detyrën e tij të re si trajner i Manchester Unitedit, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij si një nga emrat më të njohur të futbollit evropian.

    Emërimi i trajnerit argjentinas u konfirmua të premten e kaluar, ndërsa marrëveshja parashihte që ai të merrte drejtimin e skuadrës më 18 nëntor, pas përfundimit të angazhimeve me Përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Pochettino kishte insistuar që fillimisht ta përmbushte deri në fund detyrën me amerikanët, duke mos dashur që vëmendja e tij të largohej nga dy ndeshjet e fundit të këtij përfaqësimi.

    Ai e mbylli këtë kapitull në mënyrën më të mirë të mundshme, me dy fitore bindëse ndaj Haitit në çerekfinalet e garës së CONCACAF-it.

    Pas përfundimit të angazhimit ndërkombëtar, 54-vjeçari u nis të mërkurën në mëngjes drejt Anglisë, me një fluturim direkt nga Cincinnati në Manchester.

    Pa humbur kohë, trajneri i ri iu drejtua qendrës stërvitore të klubit në Carrington, ku pati mundësinë të njihej nga afër me ambientet e klubit, të takohej me disa prej futbollistëve dhe anëtarëve të stafit teknik, si dhe të fillonte përgatitjet për detyrën e re.

    Kështu, Pochettino ka nisur zyrtarisht punën te Manchester Unitedi, ku tashmë e pret sfida e madhe për ta rikthyer klubin në rrugën e sukseseve dhe për ta rikthyer në nivelet që kërkojnë tifozët e “Djajve të Kuq”.

  • Vincent Kompany rikthehet në stolin e Bayern Munichut, trajneri lë pas problemet shëndetësore

    Vincent Kompany rikthehet në stolin e Bayern Munichut, trajneri lë pas problemet shëndetësore

    Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, do të rikthehet në drejtimin e skuadrës në ndeshjen e së premtes mbrëma ndaj Kolnit, e vlefshme për Bundesligën, pasi ka kaluar me sukses periudhën e vështirë shëndetësore që e detyroi të qëndronte larg ekipit në fund të tetorit.

    Rikthimin e teknikut belg e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, i cili ka bërë të ditur se Kompany është shëruar plotësisht nga meningjiti dhe ndërkohë ka përfunduar edhe një ndërhyrje kirurgjikale në shpatull.

    Në një prononcim për gazetën gjermane Abendzeitung, Dreesen është pyetur nëse trajneri do të jetë në pankinë për duelin e xhiros së dhjetë, që zhvillohet në Allianz Arena. Përgjigjja e tij ka qenë e qartë dhe pozitive.

    “Po. Vincenti është në disponim shumë të mirë dhe sot më përshëndeti. Meningjiti është shëruar. Ai tashmë i është nënshtruar edhe operacionit në shpatull”, ka deklaruar Dreesen.

    Ndërkohë, klubi bavarez kishte bërë të ditur më herët se Kompany do të jetë i pranishëm edhe në konferencën për media të enjten, ku pritet të flasë për gjendjen e skuadrës dhe sfidën e radhës.

    Pas një periudhe të detyruar larg fushës, tekniku belg është gati të marrë sërish drejtimin e Bayern Munichut, me synimin për ta vazhduar rrugëtimin e suksesshëm të skuadrës në kampionat.

    Kështu, përballja me Kolnin do të shënojë rikthimin e Kompanyt në pankinën e kampionëve bavarezë

  • Ekstradohet nga Kosova në ShBA i dyshuari për krime kibernetike

    Ekstradohet nga Kosova në ShBA i dyshuari për krime kibernetike

    Një shtetas i Kosovës është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra penale që ndërlidhen me krimet kibernetike.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 19 nëntor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë.

    I dyshuari kërkohej nga institucionet e drejtësisë amerikane, ndërsa dorëzimi i tij tek autoritetet e SHBA-së është bërë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

    Ai iu dorëzua njësisë amerikane U.S. Marshals, e cila ishte përgjegjëse për marrjen në dorëzim të tij.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për kapjen e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

  • Paralajmërimi për dimër të “vështirë energjetik” i shqetëson qytetarët: Faj kanë udhëheqësit e shtetit

    Paralajmërimi për dimër të “vështirë energjetik” i shqetëson qytetarët: Faj kanë udhëheqësit e shtetit

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me vështirësi në furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit.

    Shtrenjtimi i rrymës dhe i druve për ngrohje po shqetëson qytetarët, veçanërisht pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Ata që ngrohen me energji elektrike druhen se ndërprerjet mund t’i lënë pa ngrohje në ditët e ftohta.

    Zeqir Buzaku tha për Ekonomia Online se shumë familje tashmë ngrohen me klima dhe se ndërprerjet do t’ua vështirësonin përballimin e të ftohtit.

    “Po me thënë të drejtën tash ka me na shkaktu problem shumicës. U shtrenjtuan drutë, u shtrenjtua rryma dhe filluam me u nxehë me klima. Tash shumica me klima jemi tu u nxehë. Me bo me u ndalë rryma, sidomos na pleqtë kena me maru së ftohti. Edhe e shtrenjtë është sa duhet. Ndoshta për dikë që i ka kushtet më të mira nuk është rryma e shtrenjtë, por për një kategori të qytetarëve është e shtrenjtë. Për shembull unë e marr pensionin 240 euro, ndërsa rryma më vjen diku 70 euro”, tha Buzaku.

    Ai i kritikon institucionet për mungesën e zgjidhjeve afatgjata, teksa ka shtuar se puna për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike është dashur të niste më herët.

    “Po faji gjithmonë mbetet jetim. Ia qesin njëri-tjetrit. Për me u bë më mirë ka vyjtë me fillu më herët, se nuk bëhen shpejt këto sene. Është dashtë me u mendu më herët, me bo një zgjidhje, me shtu megavatët e rrymës. Po nuk di, veç ku janë, aty rrinë e veç këqyrin. Jo po shtrenjtohet, jo s’po blejmë, jo shtrenjtë, jo lirë. Na për çdo vit me këto probleme”, potencoi ai.

    Ndërkaq Bashkim Desku thotë për EO se paralajmërimet për mungesë të rrymës, të ujit dhe të gjërave elementare shtojnë shqetësimin te familjet dhe pensionistët.

    “Çdo paralajmërim i keq shkakton shqetësim psikologjik. Me të thanë se s’ka me pasë rrymë, s’ke me pasë bukë, s’ke me pasë ujë, kjo i shqetëson familjarët dhe pensionistët. Për pensionistët është ba shumë keq. Unë tanë jetën jam mundu me punu për këtë shtet. Në qoftë se rryma ndalet shpesh, mund të prishen televizori, frigoriferi dhe pajisjet e tjera që punojnë me rrymë. Mund të prishet edhe ndonjë pajisje elektrike që kushton shumë”, theksoi Desku.

    Desku ua atribuon përgjegjësinë për situatën prodhuesve dhe menaxhuesve të energjisë, si dhe udhëheqjes së shtetit.

    “Gjithëkush thotë se s’është faji jem. Faj kanë edhe ata që e prodhojnë rrymën elektrike dhe ata që e menaxhojnë. Gjithsesi, faj ka edhe udhëheqësia e shtetit. Rruga më e mirë është me e prodhu vetë energjinë elektrike. Na flejmë mbi energji, por për shkak të keqmenaxhimit tash po vuajmë për rrymë”, shtoi.

    Ndërkaq, Ajvaz Abazi potencon se furnizimi me energji elektrike është thelbësor për jetën e përditshme dhe zhvillimin ekonomik.

    “Sipas lajmërimeve që po i bëjnë do të jetë një dimër i vështirë. Me mbetë pa rrymë është katastrofë për popullin, për ne, për jetën sepse rryma është një prej elementeve kryesore të jetës. Pa rrymë nuk ka jetë. Në qoftë se ndalet rryma, mund të shkaktohen dëme të mëdha. Frigoriferët e frizat ndoshta nuk prishen, por ushqimi prishet. Njerëzit e kanë siguruar ushqimin për dimën. Në qoftë se prishet, atëherë çka me bo?”, tha ai

    Sipas Abazit, Kosova është dashur të investonte në ndërtimin e një termocentrali të ri që do të mbulonte nevojat e vendit dhe do të mundësonte eksportin e energjisë.

    “Rruga më e mirë ka qenë me ndërtu një termocentral të ri që kishte me prodhu rrymë për me e furnizu Kosovën e edhe për me shitë. Mirëpo, këtu është një fjalë popullore: njani e gjuan cungun aty, tjetri atje, njani kështu, njani ashtu. Nuk del kurgjë kur njani-tjetrin nuk e përkrahin, nuk e hapin krahun për me përparu, me shku përpara e me u zhvillu ekonomia dhe të gjitha lamitë e jetës”, përfundoi Abazi.

    Ditë më parë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar një dimër të vështirë energjetik, duke thënë se çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë arritur në rreth 500 euro për megavat-orë që në ditët e para të nëntorit.

    Rizvanolli ka theksuar se edhe Kosova po përballet me sfida, sidomos për shkak të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit që nga 6 prilli për shkak të investimeve në elektrofiltra dhe sistemin e deazotizimit.

  • Kuvendi mban sot dy seanca plenare, në rend dite edhe Ligji për Specialen

    Kuvendi mban sot dy seanca plenare, në rend dite edhe Ligji për Specialen

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot dy seanca plenare, ku në mesin e çështjeve që pritet të shqyrtohen janë Ligji për Gjykatën Speciale, projektbuxheti për vitin 2027, gjendja në shëndetësi dhe furnizimi me energji elektrike. Në rend dite janë përfshirë edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe shkarkimi i katër anëtarëve të një institucioni të pavarur.

    Seanca e parë, e cila përbën vazhdim të mbledhjes së mëparshme, është caktuar të nisë në orën 10:00.

    Deputetët do të trajtojnë tri çështje kryesore, përfshirë gjendjen në sektorin e shëndetësisë, planifikimin dhe çmimin e energjisë elektrike, si dhe rishqyrtimin e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë seancë pritet të hidhet në votim rezoluta për gjendjen në shëndetësi, e cila vjen pas interpelancës me ministrin Arben Vitia. Kjo çështje lidhet me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur për katër muaj pa terapi, si dhe me problemin e mungesës së barnave onkologjike.

    Po ashtu, deputetët do të votojnë edhe propozim-rezolutën që rrjedh nga mocioni përmbajtjesor për planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në vend.

    Një tjetër pikë me rëndësi është shqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky ligj i është kthyer Kuvendit për rishqyrtim nga presidentja e Kosovës, ndërsa ndryshimet e propozuara synojnë kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale.

    Ndërkaq, në orën 11:00 pritet të nisë seanca e dytë plenare, e cila është seancë e rregullt.

    Në mesin e pikave kryesore të kësaj mbledhjeje është shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-028 për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027.

    Po ashtu, deputetët do të procedojnë me zgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), prej të cilëve dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.

    Në rend dite është përfshirë edhe shqyrtimi i rekomandimit për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

    Një tjetër çështje që do të trajtohet është propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor, i cili merret me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

    Seanca e rregullt do të nisë me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe parashtrimin e pyetjeve parlamentare.

  • Sulm i madh kibernetik ndaj sistemit të Komisionit Evropian, rrezikohen të dhënat personale

    Sulm i madh kibernetik ndaj sistemit të Komisionit Evropian, rrezikohen të dhënat personale

    Komisioni Evropian është përballur me një sulm të madh kibernetik, i cili ka prekur disa nga sistemet e tij të brendshme dhe ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve për më shumë se 10 ditë. Problemet ende nuk janë zgjidhur plotësisht, ndërsa incidenti mund të ketë vënë në rrezik një sasi të konsiderueshme të të dhënave personale.

    Lajmi është bërë i ditur nga Politico, i cili raporton se sulmi ka pamundësuar përkohësisht për punonjësit regjistrimin e të dhënave të pagave, kërkesave për leje dhe informacioneve të tjera administrative. Për shkak të situatës, zyrtarët e lartë të Komisionit e kanë diskutuar krizën edhe gjatë mbledhjes së tyre të përjavshme, të mbajtur të mërkurën.

    “Komisioni vlerëson se ka arritur të kufizojë pjesën më të madhe të sulmit, megjithatë përmasat e plota të dëmeve mbeten ende të paqarta”, deklaroi për Playbook një zyrtar i Bashkimit Evropian.

    “Sistemet mund të rikthehen gradualisht në funksion. Megjithatë, përgjigjet po vonojnë pak më shumë”, shtoi ai.

    Sipas raportimit të Politico, shërbimi i sigurisë kibernetike të institucioneve të BE-së, CERT-EU, zbuloi në fillim të këtij muaji se hakerë ndërkombëtarë kishin përdorur ARTEX, një mjet të inteligjencës artificiale, të disponueshëm publikisht, i krijuar për të identifikuar dobësitë në sistemet informatike.

    Si masë parandaluese, disa aplikacione u çaktivizuan përkohësisht.

    “Komisioni Evropian mori masat e nevojshme në përgjigje të një fushate sulmesh kibernetike që u identifikua. U shënjestruan sisteme të veçanta dhe, në përputhje me praktikën tonë të zakonshme, njoftuam personat e prekur”, deklaroi për Playbookzëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier.

    Pasojat e sulmit kanë shkaktuar probleme prej më shumë se 10 ditësh. Ndër sistemet e prekura ishte Sysper, platforma e burimeve njerëzore të Komisionit, e cila përdoret për administrimin e fletëpagesave, kërkesave për leje dhe regjistrimin e orëve të punës. Probleme pati edhe me MyPMO, sistemin që shërben për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore.

    Ndonëse të dyja platformat u rikthyen në funksion në fillim të kësaj jave, Sysper pësoi një tjetër ndërprerje të përkohshme të mërkurën.

    Sipas një emaili të brendshëm, të siguruar nga Playbook, Komisioni Evropian kishte mbledhur në fillim të këtij muaji organin e tij më të lartë të brendshëm për menaxhimin e krizave, Bordin e Menaxhimit të Korporatës, në një takim të jashtëzakonshëm lidhur me “incidentet e vazhdueshme të sulmeve kibernetike”.

    Gjatë takimit, shërbimi përgjegjës për shërbimet digjitale dha udhëzime për intensifikimin e kontrolleve të sigurisë.

    Ndërkohë, komisionerja për Teknologjinë, Henna Virkkunen, i informoi kolegët e saj gjatë mbledhjes së Kolegjit të Komisionerëve, të zhvilluar të mërkurën, për masat e menjëhershme që po ndërmerren për përballimin e krizës.

    Sulmi ndaj Komisionit Evropian vjen në një kohë kur në nivel ndërkombëtar janë regjistruar edhe incidente të tjera të sigurisë kibernetike. Në mesin e institucioneve dhe kompanive të prekura nga probleme të ngjashme janë përmendur Microsoft-i, banka të mëdha amerikane dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA), si dhe faqe të njohura interneti, përfshirë ato të Air France, BBC-së dhe Zoom-it.

  • Nimani: Specialja poshtëroi sot Kosovën me vizitën e bacit Jakup, e solli EULEX-i

    Nimani: Specialja poshtëroi sot Kosovën me vizitën e bacit Jakup, e solli EULEX-i

    Profesori Artan Nimani tha se sot u poshtërua Kosova dhe institucionet e saj, me vizitën e Jakup Krasniqit nga Haga.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën tha se nuk pret asgjë nga një gjykatë që e quajti fashiste.

    Nimani përmendi se Krasniqin e solli EULEX-i në shtëpinë e tij.

  • “Albini e ka bërë me qëllim këtë”, avokati: Grupi Punues mund të jetë ndërhyrje në drejtësi

    “Albini e ka bërë me qëllim këtë”, avokati: Grupi Punues mund të jetë ndërhyrje në drejtësi

    Avokati Hasan Shala, ish kryetar i Gjykatës së Apelit, ka hedhur kritika për Grupin Punues për ish krerët e UÇK-së në Hagë.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën tha se kjo është bërë me qëllim nga Albin Kurti, derisa shtoi se është ndërhyrje në drejtësi.

    “Ne jemi euforik, kemi shumë fjalë e pak punë. Kroaci s’ka pasur fjalë por e ka fituar rastin. Ky grup është ndërhyrje në drejtësi, s’mund të ketë ndikim fare. Albini e ka bërë me qëllim këtë, thoshte që nuk përzihet në drejtësi”, tha ai.

  • “Lojëra politike”, “turp u qoftë” – Shala e Nimani nuk pajtohen për Ligjin për Specialen

    “Lojëra politike”, “turp u qoftë” – Shala e Nimani nuk pajtohen për Ligjin për Specialen

    Ligji për Specialen pritet të kthehet nesër në Kuvend për ta votuar sërish.

    Avokati Hasan Shala dhe profesori Artan Nimani kanë pasur mospajtueshmëri në lidhje me këtë ligj.

    Shala tha se kthimi në kuvend nga PDK ka qenë joserioz dhe se nuk është në koordinim me ndërkombëtarët dhe Kushtetutën.

    Ndërsa, Nimani u shpreh se kundërshtimet nga ndërkombëtarët nuk duhet të merren parasysh dhe se nuk dihet nëse ata nuk janë konsultuar për ligjin.

    Po ashtu, Shala u shpreh se me këtë ligj janë bërë lojëra politike dhe se i vetmi që ka qenë i sinqertë ka qenë Ramush Haradinaj.

    Në anën tjetër, Nimani tha se duhet të ndihen të turpëruar ata që e kanë përdorur ligjin për lojëra politike.

  • Shiroka Pula kërkon mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Shiroka Pula kërkon mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Hungarisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.

    Këtë kërkesë ajo e bëri gjatë takimit me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Dux, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian dhe bashkëpunimin ekonomik.

    Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të këtij shteti që nga periudha e luftës, gjatë procesit të shtetndërtimit dhe në përpjekjet për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

    Presidentja theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes hungareze për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për avancimin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet 2 vendeve.

    Shiroka Pula theksoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, si dhe nevojën për organizimin e takimit të ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ekonomik.

    Sipas saj, në këtë takim duhet të përfshihen edhe përfaqësues të bizneseve, me qëllim identifikimin e sektorëve me potencial për bashkëpunim dhe nxitjen e investimeve të reja.