ATV

Blog

  • Ambasadori austriak: Duhet të ketë stabilitet dhe siguri në Ballkan, kjo përfshinë hapa drejt statusit kandidat për Kosovën

    Ambasadori austriak: Duhet të ketë stabilitet dhe siguri në Ballkan, kjo përfshinë hapa drejt statusit kandidat për Kosovën

    Ambasadori i Austrisë në Kosovë Georg Schnetzer ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Këto komente i bëri në konferencën “Zgjerimi dhe siguria rajonale e energjisë”, e cila po mbahet në Prishtinë.

    Duke folur për rëndësinë e konferencës dhe bashkëpunimin evropian, ambasadori tha se Prishtina nuk është zgjedhur rastësisht si vendi ku po zhvillohet ky diskutim.

    “Do të doja po ashtu t’ju uroja mirëseardhjen përzemërsisht në Prishtinë, e veçanërisht në konferencën “Zgjerimi dhe siguria rajonale e energjisë”. Dua po ashtu të falënderoj të gjithë organizatorët dhe të gjithë ato që kanë bërë këtë konferencë të mundur: Fondacionin për Shoqëri Civile të Kosovës (KCSF) që po mirëpret këtë konferencë në mënyrë shumë bujare, Fondacionin për Shoqëri të Hapur (OSF), si dhe para se gjithash Qendrën Austro-Franceze për Përafrim në Evropë për këtë iniciativë për organizimin e kësaj conference ”, tha ambasadori Schnetzer.

    Ai foli për rolin e Qendrës Austro-Franceze për Përafrim në Evropë dhe aktivitetet e saj në fushën e integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal.

    “Për t’u kthyer tash te tema e këtij diskutimi në panel sa i përket zgjerimit të Evropës nga një perspektivë austriake: Integrimi evropian, nëse bëhet mirëfilli si histori suksesi, është garancia më e mirë e sigurisë sonë. Ballkani Perëndimor luan një rol jetik në sigurinë evropiane, prosperitetin dhe rritjen ekonomike. Zgjerimi i BE-së është çelësi i autonomisë strategjike të të gjithë Unioni. Një proces i besueshëm i zgjerimit që ofron benefite të mirëfillta është prioriteti ynë strategjik kyç, por progresi ka qenë tepër i ngadalshëm”, tha ai.

    Ambasadori vlerësoi se qasja aktuale ndaj zgjerimit nuk i përgjigjet, sipas tij, urgjencës gjeopolitike dhe bëri thirrje për hapa konkretë që do të tejkalonin bllokimet politike.

    “A është qasja e tashme e përshtatur me urgjencën gjeopolitike? Jo. Strategjia jonë aktuale për shembull, inicimi i bisedimeve për integrim vetëm pas përmbushjes së kushteve a e përmbush kjo kushtin e urgjencës gjeopolitike? Jo, nuk besoj kështu. Është interesi ynë strategjik që të kemi stabilitet, siguri e prosperitet në Ballkanin Perëndimor. Duhet të veprojmë në këtë drejtim menjëherë. Kjo nuk do të thotë kompromis kundrejt vlerave tona fundamentale të përligjura në kriteret e Kopenhagës. Por do të thotë ndërmarrje e hapave konkretë për të tejkaluar bllokimet aktuale politike. Kjo duhet të përfshijë edhe hapat drejt statusit të kandidatit për Kosovën, me vlerësimin e aplikimit zyrtar për anëtarësim në BE nga Komisioni i Bashkimit Evropian” , tha ambasadori./rtk/

  • Sot mbahet protesta gjithëpopullore

    Sot mbahet protesta gjithëpopullore

    Qytetarë të shumtë pritet të marrin pjesë sot në Prishtinë në marshin për drejtësi me moton “Jo në emrin tim”, të organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

    Marshi vjen pas protestave të zhvilluara gjatë 15 ditëve të fundit, lidhur me dënimin prej gjithsej 81 vitesh burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

    Protesta do të nisë në orën 16:00, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshirë edhe figura të njohura politike dhe publike.

    Marshi synon të përcjellë mesazhin “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste.

    Sipas organizatorëve, zgjedhja e 1 tetorit nuk është e rastësishme. Kjo datë lidhet me protestën studentore të 1 tetorit 1997, e cila konsiderohet një nga momentet simbolike të rezistencës paqësore në Kosovë.

    Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, përfaqësues të platformës “Liria ka emër” u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit, duke kërkuar mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe kundërshtuar dënimet e shqiptuara ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara.

    Ndër kërkesat e organizatorëve janë unifikimi i spektrit politik, hartimi i një strategjie institucionale, si dhe miratimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Ahmeti fton shqiptarët në marshin e sotëm: Historia s’mund të gjykohet, ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën

    Ahmeti fton shqiptarët në marshin e sotëm: Historia s’mund të gjykohet, ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën

    Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin protestues që mbahet sot në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër dënimeve të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Marshi do të mbahet në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nën organizimin e platformës “Liria ka emër”.

    Ahmeti u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës, duke kërkuar drejtësi të mbështetur, sipas tij, në fakte dhe prova dhe jo në dëshmi që ai i cilëson si të fabrikuara.

    Në një postim në Facebook, Ahmeti ka shkruar se historia nuk mund të gjykohet.

    “Të dashur shqiptarë, të dashura familje të dëshmorëve, të dashur veteranë të luftës, invalidë të luftës dhe të gjitha kategoritë e dala nga lufta, patriotë e bashkatdhetarë, Nesër, në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, ora 16:00, të bashkohemi të gjithë në një protestë paqësore dhe dinjitoze, për të kërkuar drejtësi të mbështetur në fakte dhe prova, e jo në dëshmi të fabrikuara në Beograd e në Moskë. Historia nuk mund të gjykohet. Ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën”, ka shkruar ai, duke shtuar se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë.

    Në vijim, Ahmeti e ka cilësuar UÇK-në si një vlerë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marsh.

    “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga vlerat më sublime të shqiptarëve në historinë tonë më të re. Ajo është pjesë e sakrificës, lirisë dhe dinjitetit të një populli. Obligim kombëtar i secilit prej nesh është ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta kultivojmë këtë vlerë, si sytë e ballit. Prandaj, nesër të jemi të gjithë bashkë në Prishtinë. Për drejtësi. Për të vërtetën. Për dinjitetin. Për lirinë”, ka shkruar ai.

  • Von der Leyen viziton Kosovën, takon krerët institucionalë

    Von der Leyen viziton Kosovën, takon krerët institucionalë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë sot Kosovën, ku do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Takimi me Haxhiun do të mbahet në Presidencë, duke nisur nga ora 12:30.

    Ndërkaq, në orën 13:00, von der Leyen do të pritet nga kryeministri Kurti në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Pas takimit me Kurtin është paraparë edhe një konferencë për media.

    Vizita e von der Leyen në Kosovë është pjesë e një turi në rajon.

    Pas Prishtinës, ajo do të udhëtojë sot drejt Podgoricës, ndërsa turneu i saj do të përfundojë më 2 tetor në Shkup.

  • Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, 7 të vrarë – mes tyre një fëmijë

    Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, 7 të vrarë – mes tyre një fëmijë

    Rusia ka nisur një fushatë të gjerë ajrore kundër rrjetit energjetik të Ukrainës, duke goditur objekte dhe infrastrukturë energjetike në Kiev dhe në rajone të tjera, në atë që zyrtarët ukrainas e kanë cilësuar si një nga sulmet më të rënda të kombinuara ndaj sektorit energjetik në muajt e fundit.

    Sipas zyrtarëve ukrainas, nga sulmet janë vrarë shtatë persona, mes tyre edhe një fëmijë. Sulmet pasuan disa ditë intensifikimi të goditjeve me dronë, kryesisht ndaj kryeqytetit, ndërsa Ukraina përballet me shqetësimet për një dimër të vështirë, me sulme të mundshme ndaj infrastrukturës energjetike dhe mungesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

    Operatori shtetëror i rrjetit elektrik të Ukrainës, Ukrenergo, njoftoi se kishte vendosur ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në Kiev dhe në tri rajone përreth. Sipas kompanisë, kjo ishte hera e parë që një masë e tillë zbatohej në kryeqytet që nga pranvera.

    Sulmet ruse gjatë dimrit të kaluar, të shoqëruara me temperatura rekord të ulëta, dëmtuan rëndë sistemet e energjisë dhe ngrohjes, duke i detyruar qytetarët ukrainas të përballeshin me kushte të vështira.

    Në Kiev, disa tramvaje u ndalën për shkak të ndërprerjeve të energjisë, ndërsa qytetarët po ktheheshin në shtëpi pas punës. Kompania e ujësjellësit të kryeqytetit njoftoi gjithashtu se presioni në sistemin e ujit ishte ulur.

    “Rusia ka përshkallëzuar sulmet masive ndaj infrastrukturës energjetike”, tha kryeministri Sergii Koretskyi në emisionin X pas sulmeve gjatë natës.

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin kapur 254 nga 285 dronët rusë të lëshuar deri në orët e para të mbrëmjes.

  • Foda para ndeshjes me Izraelin: Presim ndeshje të fortë, do të jemi më agresivë

    Foda para ndeshjes me Izraelin: Presim ndeshje të fortë, do të jemi më agresivë

    Kosova është gati për një tjetër sfidë në Ligën e Kombeve, teksa “Dardanët” të enjtën mbrëma do të përballen me Izraelin në Debrecen të Hungarisë.

    Kosova hyn në këtë takim me një fitore dhe një humbje në dy ndeshjet e para. Pas triumfit ndaj Irlandës, skuadra e Franco Fodës u mposht nga Austria dhe tani synon të rikthehet te rezultatet pozitive.

    Një ditë para përballjes, përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Ilir Krasniqi kanë dalë në konferencën për media, ku kanë folur për kundërshtarin, gjendjen e ekipit dhe pritshmëritë për ndeshjen.

    Foda e vlerësoi lart kombëtaren e Izraelit, duke veçuar cilësitë teknike dhe shpejtësinë e futbollistëve të saj.

    “Kombëtarja e Izraelit natyrisht që është shumë e fortë dhe pavarësisht rezultateve, këtë e ka treguar edhe në dy ndeshjet e fundit. Kanë futbollistë që janë shumë të mirë në aspektin teknik, janë shumë të shpejtë, prandaj presim ndeshje shumë të fortë, por normalisht që edhe ne do të mundohemi që të jemi sa më agresivë në këtë përballje.”

    Një nga pikëpyetjet para ndeshjes mbetet edhe portieri Arijanet Muric, i cili pësoi lëndim në sfidën ndaj Austrisë.

    “Aro Muric ka pësuar një lëndim në ndeshjen me Austrinë. Në stërvitjet e kaluara ka munguar për shkak të këtij lëndimi. Do të shohim sonte, pasi nuk mund të japim akoma një përgjigje nëse ai është i gatshëm për ndeshjen e nesërme apo jo.”

    Përzgjedhësi i Kosovës e cilësoi ndeshjen si shumë të rëndësishme, por nuk pranoi ta quajë vendimtare për pozitën e parë në grup.

    “Nuk mund të them se kjo ndeshje është vendimtare për pozitën e parë në grup, por absolutisht që është shumë e rëndësishme dhe secila ndeshje është shumë e rëndësishme. Mirëpo, për ne është e rëndësishme mënyra se si luajmë, si do të paraqitemi dhe sa kompakt do të jemi, për nga mënyra se si do t’i qasemi ndeshjes. Normalisht, është një prej ndeshjeve ku unë do të bëj ndryshime në formacion, krahasuar me ndeshjen paraprake.”

    Në të njëjtën konferencë, Ilir Krasniqi e vlerësoi Izraelin si një kundërshtar të fortë, duke theksuar se Kosova duhet të jetë e gatshme për një ndeshje të vështirë.

    “Fillimisht, nesër është ndeshje e vështirë, pasi Izraeli ka ekip të fortë dhe luan mirë teknikisht. Dinë të luajnë në hapësira të ngushta. I kemi parë pikat e forta dhe shpresojmë të qasemi mirë në fushë.

    Kemi nevojë gjithmonë për përmirësime dhe mësojmë nga loja e kaluar. Nga Austria kemi mësuar të jemi më kompakt dhe të luftojmë për njëri-tjetrin.

    Pra, nesër në fushë të paraqitemi si është më së miri.”

    Kosova dhe Izraeli përballen të martën në Debrecen, me fillim nga ora 20:45, në një sfidë ku “Dardanët” synojnë të marrin rezultat pozitiv dhe të rikthehen te pikët në Ligën e Kombeve.

  • Hoti “i vë kusht” marrëveshjes për presidentin: Kandidat nga LDK-ja ose zgjedhje të reja – s’i nënshtrohemi asnjë detyrimi

    Hoti “i vë kusht” marrëveshjes për presidentin: Kandidat nga LDK-ja ose zgjedhje të reja – s’i nënshtrohemi asnjë detyrimi

    Pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se marrëveshja LVV-LDK për Bekim Sejdiun duhet të respektohet, ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, duke thënë se nuk mund të kërkohet mbështetja e një kandidati që tashmë është tërhequr nga gara.

    Hoti ka kundërshtuar që dakordimi mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të shndërrohet në detyrim për deputetët e Kuvendit, duke theksuar se marrëveshjet politike nuk mund t’ua përcaktojnë votën deputetëve.

    Ai ka shtuar se marrëveshjet politike mund të rinegociohen ose të ndryshohen, por jo dispozitat kushtetuese.

    Postimi i plotë:

    Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?!

    Një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit.

    Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi.

    Marrëveshjet politike mund të ndryshohen. Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim “zgjedhjet e reja” në vend të nënshtrimit politik.

    Marrëveshjet politike mund të negociohen, por jo Kushtetuta e Kosovës.

  • Aktakuzë ndaj një kompanie në Prizren, dyshohet për mashtrim në prokurim publik

    Aktakuzë ndaj një kompanie në Prizren, dyshohet për mashtrim në prokurim publik

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit XH.K., në cilësinë e personit përgjegjës të personit juridik “E.I.” SH.P.K., si dhe ndaj personit juridik “E.I.” SH.P.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415 i kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Sipas aktakuzës, më 10 dhjetor 2022, në Prizren, i pandehuri XH.K., në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të kompanisë “E.I.” SH.P.K., me dashje ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, si dhe nuk ka zbatuar detyrimet e përcaktuara me kontratën për “Rregullimin e nxemjes qendrore në sallën e baletit në SHM “Lorenc Antoni”.

    I pandehuri XH.K., ka përdorur materiale për ngrohjen qendrore në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara në kontratë, duke vendosur gypa të galvanizuar dhe të çelikut të zi, të materialit “inox”, në vend të vendosjes së gypave të bakrit, të cilët nuk janë në përputhje me paramasat dhe parallogaritë për kryerjen e punimeve të ngrohjes qendrore, si dhe me specifikimet për furnizimin dhe montimin e pjesëve dhe pajisjeve si në kontratë, me qëllim të përfitimit për vete, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit.

    Po ashtu, sipas aktakuzës personi juridik “E.I.” SH.P.K., ka shkelur rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • ‘‘Mbi 100 mijë njerëz do të jenë në protestë’’, Gucati flet për protestën e nesërme

    ‘‘Mbi 100 mijë njerëz do të jenë në protestë’’, Gucati flet për protestën e nesërme

    Hysni Gucati nga OVL e UÇK-së,ka folur për protestën e nesërme që do zhvillohet në Prishtinë, kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.

    Gucati, ka thënë se nesër pritet të jenë mbi 100 mijë pjesëmarrës në protestë.

    ‘’Nesër besoj do të jetë një ndër protestat më të mëdhaja në histori, nesër do të ketë qytetarë të të gjitha viseve shqiptare. Kemi informacione se nesër do të jetë mbi 100 mijë numri i madh’’, ka deklaruar ai, përcjell Gazeta Express.

  • Raphinha largohet nga grumbullimi i Brazilit, rikthehet në Barcelonë për shkak të një lëndimi

    Raphinha largohet nga grumbullimi i Brazilit, rikthehet në Barcelonë për shkak të një lëndimi

    Raphinha nuk do të jetë pjesë e Brazilit në miqësoren e radhës ndaj Indisë, pasi është larguar nga grumbullimi i kombëtares për shkak të një shqetësimi fizik.

    Sulmuesi i Barcelonës ndjeu dhimbje në kofshën e djathtë gjatë ndeshjes së fundit ndaj Australisë dhe u zëvendësua që në pushimin mes pjesëve.

    Sipas raportimeve të “Globo Esporte”, ekzaminimet mjekësore nuk kanë zbuluar ndonjë dëmtim serioz. Bëhet fjalë për një ënjtje të lehtë, por stafi mjekësor i Brazilit ka preferuar të mos rrezikojë me futbollistin.

    Për këtë arsye, Konfederata Braziliane e Futbollit ka vendosur ta lirojë Raphinhan nga grumbullimi, duke i dhënë mundësinë të rikthehet menjëherë në Barcelonë, ku do të nisë trajtimin dhe rikuperimin.

    Vendimi është marrë edhe duke pasur parasysh historinë e dëmtimeve të lojtarit. Gjatë sezonit të kaluar, Raphinha kishte pësuar katër lëndime në të njëjtën kofshë, duke munguar për më shumë se 150 ditë.

    Pavarësisht largimit të tij, Brazili ka vendosur të mos ftojë një zëvendësues për ndeshjen ndaj Indisë, duke vazhduar grumbullimin me grupin aktual të lojtarëve.

    Tashmë, vëmendja është te rikuperimi i Raphinhas dhe gatishmëria e tij për t’u rikthyer sa më shpejt në dispozicion të Barcelonës.