ATV

Blog

  • Montella pas humbjes së rëndë ndaj Italisë: Nuk e kam menduar dorëheqjen

    Montella pas humbjes së rëndë ndaj Italisë: Nuk e kam menduar dorëheqjen

    Turqia pësoi një tjetër goditje të rëndë në Ligën e Kombeve, duke regjistruar humbjen e dytë radhazi. Pas disfatës ndaj Francës, skuadra e drejtuar nga Vincenzo Montella u mposht thellë 4-1 nga Italia në Bursa.

    Rezultati shkaktoi zhgënjim të madh te tifozët vendas, të cilët gjatë takimit shprehën hapur pakënaqësinë e tyre dhe kërkuan largimin e përzgjedhësit italian.

    Megjithatë, pas ndeshjes, Montella bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga posti.

    I pyetur nëse e ka menduar dorëheqjen, trajneri italian u përgjigj:

    “Jo, besoj te puna që kam bërë. Nuk u largova edhe pse mora oferta të rëndësishme. Vazhdoj të besoj te futbollistët tanë dhe jam me ta. Do të dimë si të vazhdojmë nga këtu”.

    Montella shtoi se një largim i mundshëm nuk është aktualisht pjesë e diskutimeve brenda ekipit.

    “Për sa i përket dorëheqjes, nëse do të ketë një temë diskutimi për këtë, do të flas me lojtarët e mi, por aktualisht nuk e kemi në agjendë”.

    Duke analizuar paraqitjen e Turqisë, Montella pranoi se skuadra e tij nuk arriti të përballonte ritmin e ndeshjes në të njëjtën mënyrë si kundërshtari.

    “Nuk mundëm të kishim të njëjtën qasje në ndeshje si kundërshtarët. Si kombëtare, nuk jemi mësuar të luajmë çdo tri ditë në këtë nivel. Kjo më trishton”, deklaroi ai.

    Trajneri italian theksoi se skuadra tentoi të reagonte pas golit të tretë të pësuar.

    “Pas rezultatit 3-1 e nisëm më mirë dhe një nga golat tanë u anulua”.

    “E meritonim të fërshëlleheshim”

    Montella foli edhe për reagimin e tifozëve në stadium, duke pranuar se skuadra nuk dha atë që pritej, veçanërisht në 45 minutat e para.

    “E meritonim të fërshëlleheshim në pjesën e parë. U përmirësuam në pjesën e dytë, por nuk jemi mësuar të luajmë çdo tri ditë në nivele të tilla”.

    Pavarësisht humbjes së thellë dhe presionit të tifozëve, Montella kërkoi që skuadra të mos humbasë besimin.

    “U përpoqëm të ruanim qetësinë dhe të motivonim lojtarët teksa analizonim ndeshjen. Në përgjithësi, do të marrim mësime nga kjo ndeshje, por nuk duhet ta humbasim vetëbesimin”.

    “Kemi ardhur deri këtu dhe do të vazhdojmë të luftojmë në mënyrën më të mirë në fushën e lojës”, përfundoi Montella.

  • Kurti në konferencën për zhvillimin rural: Duam ta transformojmë bujqësinë në Kosovë

    Kurti në konferencën për zhvillimin rural: Duam ta transformojmë bujqësinë në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, e cila po mbahet në Mitrovicë nga 29 shtatori deri më 1 tetor. Konferenca organizohet nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica (IBCM), në bashkëpunim me Rrjetin Evropian për Zhvillimin Rural.

    Në fjalën e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e zhvillimit rural për Kosovën, duke përmendur tokën pjellore, burimet natyrore, traditën bujqësore dhe potencialin njerëzor të vendit.

    Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë jeton në zona rurale, ndërsa bujqësia, blegtoria, përpunimi i ushqimit dhe bizneset e vogla rurale përbëjnë burim të rëndësishëm të të ardhurave për shumë familje.

    Kurti ka thënë se qeveria po investon në bujqësi dhe zhvillim rural, me synimin që sektori të kalojë nga një model i mbështetjes kryesisht të bazuar në sipërfaqe dhe numër krerësh, drejt një sistemi që nxit prodhimin, cilësinë, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

    “Përkundër vështirësive, nga sfidat strukturore e deri te ndryshimet klimatike, synimi ynë është që, përveçse ta mbështesim, ta transformojmë bujqësinë”, ka deklaruar Kurti.

    Ai ka përmendur gjithashtu nevojën për investime në ujë dhe ujitje, shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit. Sipas Kurtit, këto investime do t’u mundësonin fermerëve që t’u shtojnë vlerë produkteve të tyre, në vend të eksportimit të produkteve të papërpunuara dhe importimit të produkteve të gatshme.

    Kryeministri ka theksuar edhe rëndësinë e ndërtimit të një sistemi ushqimor ku siguria e konsumatorëve, konkurrenca e ndershme në treg dhe besimi në institucionet publike janë parime themelore.

    “Fshati i zhvilluar dhe bujqësia produktive janë parakusht i shtetit të fortë dhe ekonomisë së qëndrueshme, sikurse shoqëria e shëndoshë kërkon sistem ushqimor të sigurt”, ka përfunduar Kurti.

  • Shqipëria kërkon fitoren e dytë, Maran me disa ndryshime ndaj San Marinos

    Shqipëria kërkon fitoren e dytë, Maran me disa ndryshime ndaj San Marinos

    Pas një starti pozitiv, Shqipëria rikthehet sonte në fushë për të zhvilluar ndeshjen e dytë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë përballen me San Marinon në Serravalle, me takimin që nis në orën 20:45.

    Synimi i skuadrës së Rolando Maranit është i qartë: të marrë një tjetër rezultat pozitiv dhe të vazhdojë rrugëtimin në këtë garë me ritëm të mirë.

    Për sfidën e sontme, trajneri italian ka bërë disa zgjedhje në listën e lojtarëve. Naser Aliji nuk do të jetë pjesë e 23-shes dhe do ta ndjekë takimin nga tribuna, ndërsa vendin e tij e ka zënë Luis Hasa.

    Aliji i bashkohet kështu Sabah Kerjotës dhe Feta Fetait, të cilët gjithashtu janë lënë jashtë listës së ndeshjes për arsye teknike.

    Në ndërkohë, Klisman Cake nuk është i gatshëm për shkak të një dëmtimi, ndërsa portieri Simon Simoni është larguar nga grumbullimi i Kombëtares A për t’iu bashkuar ekipit U-21.

    Rregullorja e UEFA-s përcakton se për një ndeshje mund të jenë në dispozicion maksimalisht 23 futbollistë.

    Edhe pse kundërshtar është San Marino, Maran ka zgjedhur të ruajë alternativa të ndryshme në formacion. Në mesfushë, Ylber Ramadani dhe Stavro Pilo pritet ta nisin takimin nga stoli, duke qenë opsione për pjesën e dytë.

    Në prag të sfidës, përzgjedhësi Rolando Maran dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra dhe një paraqitje sa më të mirë.

    Shqipëria e nisi këtë edicion me fitore ndaj Bjellorusisë, ndërsa San Marino vjen pas humbjes së thellë kundër Finlandës.

    Në letër, kuqezinjtë kanë avantazhin, por stafi teknik kërkon që ky superioritet të dëshmohet edhe në fushën e lojës. Shqipëria synon të hyjë në ndeshje me seriozitet dhe të mos i lërë asgjë rastësisë.

    Tashmë mbetet vetëm që kuqezinjtë ta përkthejnë këtë ambicie në rezultat dhe të kërkojnë tri pikët në Serravalle.

  • Kosovë–Austri, ndeshja më e ndjekur e xhiros së dytë të Ligës së Kombeve

    Kosovë–Austri, ndeshja më e ndjekur e xhiros së dytë të Ligës së Kombeve

    Përballja mes Austrisë dhe Kosovës ishte ndeshja që tërhoqi numrin më të madh të tifozëve në stadium gjatë xhiros së dytë të Ligës së Kombeve.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Football Meets Data, dueli i zhvilluar në “Ernst-Happel-Stadion” të Vjenës u ndoq nga 47 mijë spektatorë, duke e renditur atë në krye të listës për nga numri i të pranishmëve në tribuna.

    Shifra prej 47,000 tifozësh konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të ndeshjes, të cilat tregojnë se stadiumi ishte i mbushur plot për këtë përballje.

    Pas Austrisë dhe Kosovës, ndeshja me pjesëmarrjen e dytë më të madhe ishte ajo mes Gjeorgjisë dhe Ukrainës, e ndjekur nga 43,382 tifozë. Në vendin e tretë u rendit përballja Belgjikë–Francë, me 40,857 shikues.

    Lista vijon me: Danimarkë–Uells – 34,588 tifozë, Turqi–Itali – 33,891, Gjermani–Greqi – 28,945, Norvegji–Portugali – 25,953, Suedi–Poloni – 24,637 dhe  Serbi–Hungari – 18,082.

    Ndërkohë, përballja Izrael–Irlandë që gjenden në grupin e njejtë me Koosvën, u ndoq nga vetëm 319 tifozë, ndërsa në të dhënat e publikuara në grafik, sfida Rumani–Bosnjë e Hercegovinë figuron me zero të pranishëm.

    Kështu, pavarësisht rezultatit 3-1 në favor të Austrisë, përballja në Vjenë regjistroi një tjetër të dhënë interesante për Kosovën, ajo ishte ndeshja me pjesëmarrjen më të madhe të tifozëve në stadium në të gjithë xhiron e dytë të Ligës së Kombeve.

  • Trepça dhe Bashkimi përballen për Superkupën e Kosovës

    Trepça dhe Bashkimi përballen për Superkupën e Kosovës

    Trepça dhe Bashkimi do të përballen të martën mbrëma në finalen e Superkupës së Kosovës, në një duel që pritet të sjellë rivalitet të madh dhe emocione në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

    “Xehetarët” hyjnë në këtë përballje si kampionë të padiskutueshëm të viteve të fundit në basketbollin kosovar. Trepça ka fituar pesë Kupa të Kosovës radhazi, tre tituj kampioni radhazi, si dhe dy Superkupat e fundit. Megjithatë, fillimi i këtij sezoni nuk ka shkuar sipas pritshmërive për skuadrën mitrovicase.

    Trepça e nisi kampionatin me një fitore të vështirë 106:101 në udhëtim ndaj Rahovecit 029, ndërsa në xhiron e dytë u mposht 87:81 nga Peja në “Minatori”. Në këtë takim munguan Mikaile Tmusic dhe Kevin Bracy-Davis, ndërsa trajneri Adis Beqiragic ka bërë të ditur se skuadra ka nevojë për përforcim në pozitën numër katër.

    Në krahun tjetër, Bashkimi ka regjistruar një start shumë më pozitiv të sezonit. Prizrenasit triumfuan bindshëm ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 96:60, ndërsa më pas mposhtën Rahovecin 029, 100:84, pikërisht në palestrën “Mizahir Isma”, ku do të zhvillohet edhe finalja e Superkupës.

    Bashkimi ka pasur disa përballje të vështira me Trepçën në finalet e viteve të fundit dhe këtë herë synon ta shfrytëzojë momentin pozitiv për të kërkuar trofeun.

    Në anën tjetër, Trepça do të kërkojë reagimin pas humbjes në kampionat dhe njëkohësisht trofeun e parë të sezonit.

    Finalja e Superkupës së Kosovës zhvillohet të martën nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

    Ndeshja fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 15 shtator, por Federata e Basketbollit e Kosovës e kishte shtyrë atë për një datë tjetër.

    Të dyja skuadrat tashmë janë gati për një tjetër përballje mes tyre, me Superkupën si trofeun e parë të sezonit në horizont.

  • Hajdari mungon ndaj Izraelit dhe Austrisë, Avdullahu largohet përkohësisht nga grumbullimi

    Hajdari mungon ndaj Izraelit dhe Austrisë, Avdullahu largohet përkohësisht nga grumbullimi

    Mbrojtësi i Kosovës, Albian Hajdari, nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për dy ndeshjet e ardhshme të “Dardanëve” në Ligën e Kombeve, ndaj Izraelit dhe Austrisë.

    Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se Hajdari është larguar nga grumbullimi i ekipit në Debrecen, pasi nuk ka arritur të rikuperohet në kohë nga lëndimi.

    Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta rikthyer mbrojtësin në dispozicion të skuadrës, gjendja e tij nuk e lejon që të paraqitet në dy përballjet e radhës.

    Ndërkohë, nga grumbullimi i Kosovës është liruar përkohësisht edhe mesfushori Leon Avdullahu. Sipas FFK-së, vendimi është marrë për arsye familjare, ndërsa futbollisti pritet t’i bashkohet ekipit sërish sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Kosova fillimisht do të përballet me Izraelin, ndërsa më pas “Dardanët” do të matin forcat me Austrinë në kuadër të Ligës së Kombeve.

  • Sulm me thikë në një shkollë në Sllovaki, një mësuese vritet dhe dy persona plagosen

    Sulm me thikë në një shkollë në Sllovaki, një mësuese vritet dhe dy persona plagosen

    Një sulm i rëndë në një shkollë në veriperëndim të Sllovakisë ka përfunduar me një viktimë dhe dy persona të plagosur, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen.

    Sipas shërbimeve të emergjencës, një nxënës dyshohet se sulmoi me një objekt të mprehtë persona brenda shkollës në qytetin Staškov, në distriktin e Čadcës.

    Një grua 61-vjeçare, e cila ishte mësuese, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Dy persona të tjerë, një fëmijë dhe një grua, u plagosën dhe u transportuan me urgjencë në spital.

    Fëmija ndodhet në gjendje kritike, ndërsa gruaja 44-vjeçare kishte një plagë në gjoks dhe u dërgua për trajtim në spital, transmeton Telegrafi.

    Në vendngjarje u mobilizuan dy ambulanca tokësore dhe dy helikopterë të shpëtimit. Policia tha se situata është nën kontroll dhe se nuk ka më rrezik të menjëhershëm për publikun.

    Motivi i sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota për autorin apo për mënyrën se si ndodhi sulmi. /Telegrafi/

  • Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet për ngacmim seksual

    Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet për ngacmim seksual

    Policia ka arrestuar një person të dyshuar për ngacmim seksual ndaj një gruaje.

    Sipas raportit policor, rasti është raportuar më 4 shtator, ndërsa i dyshuari është arrestuar më 28 shtator.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

  • Nesër nis turi ballkanik i Von der Leyen – Tirana ndalesa e parë e presidentes së KE, do sjellë planin e anëtarësimit për 4 shtete

    Nesër nis turi ballkanik i Von der Leyen – Tirana ndalesa e parë e presidentes së KE, do sjellë planin e anëtarësimit për 4 shtete

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të nisë nesër turin ballkanik dhe ndalesa e saj e parë do të jetë Tirana.

    Në kuadër të vizitës, Von der Leyen do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

    Ndërsa më 1 tetor, ajo do të nisë me takimet në Kosovë me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiun dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Në të njëjtën ditë, kreu i KE do të vijojë edhe në Malin e Zi me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić.

    Përmbyllja e turneut do të bëhet ditën e premte, në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohen me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

    Në këtë turne, Von der Leyen nuk do të vizitojë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Sipas njoftimit, këto dy vende janë lënë jashtë itinerarit për shkak të zgjedhjeve të ardhshme që do të zhvillohen atje.

    Presidentja e KE vjen edhe me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën që do t’i ndihmojë ato në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, shkruan Tch.

    Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave. Në këmbim, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për të avancuar procesin. Vendimet kyçe kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare.

  • “Nuk i falet skenës politike”, Gruda kërkon nga Qeveria procedimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

    “Nuk i falet skenës politike”, Gruda kërkon nga Qeveria procedimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta procedojë në Kuvend Ligjin për Specialen, duke thënë se kanë mbetur pak ditë deri në mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Gruda tha se nuk duhet të lejohet që një Kuvend i konstituuar të shpërbëhet pa e trajtuar, siç e cilësoi ai, një prej ligjeve më të rëndësishme.

    “Për të kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejt, sa më shpejt të japë mendimin e saj për ligjin siç e kërkon procedura legjislative dhe ta sjellë ligjin në Kuvend për miratim, sepse siç e dini na kanë mbetur edhe pak ditë kur edhe mund të shpërndahet Kuvendi, më 6 tetor Kuvendi mund të shpërndahet, prandaj nuk i falet askujt në  Parlamentin e Kosovës, në skenën politike, që një Kuvend që është i themeluar, i konstituruar, të shpërndahet pa e trajtuar ligjin, ndoshta ligjin më të rëndësishëm që ka trajtuar prej vitit 2008 kur ka miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kur kemi ndërtuar shtetin”, ka thënë ai.

    Gruda, ka shtuar se ligji është hartuar me ekspertizë të lartë.

    ​“Ligji është hartuar me një ekspertizë të lartë të njerëzve që kanë punuar në Partinë Demokratike të Kosovës, jashtë Partisë Demokratike të Kosovës. Sigurisht që kjo nuk do të thotë që nuk jemi të hapur për të dëgjuar opinione të tjera për ta përmirësuar cilësinë e ligjit, por atë do ta bëjmë në Kuvend.

    Asnjë zyrë administrative e Qeverisë e asnjë zyrë tjetër kudo qoftë brenda institucioneve të Kosovës nuk ka autorizim të mbajë peng vullnetin kaq të madh të popullit të Kosovës, vullnetin kaq të madh të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Ky nuk është ligj i PDK-së, ky nuk është ligj që i jep asnjë lloj pushteti PDK-së, asnjë lloj privilegji. Është një ligj për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtjen e historisë tonë dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Sipas tij, ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që ka Kosova.

    “Ky ligj, më lejoni të shpjegoj, nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë me amendamentin kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara, me marrëveshjen që kemi me Bashkimin Evropian përmes shkëmbimit të letrave të ratifikuara në Kuvend, dhe as marrëveshjen që kemi me Holandën. Të tria këto dokumente kanë themeluar Gjykatën Speciale me qëllimin thjesht, thelbësor për të hetuar trafikimin e organeve.  Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve dhe aktgjykimi në shkallë të parë ka vërtetuar që ata të akuzuar nuk kanë lidhje me trafikim organesh. Pra vetë Gjykata Speciale ka konstatuar që ata nuk kanë lidhje me trafikim organesh”, ka thënë dnër të tjera Gruda.

    “Duke qenë se ata akuzohen përtej kësaj, pra për krime lufte, as për trafikim organsh e as për krime kundër njerëzimit, ne mendojmë që është e mundur që në shkallë të tretë përmes këtij ligji të garantohet një gjykim në Kosovë, sepse nuk mund të kemi dy sisteme paralele juridike, një në Kosovë për krime luftë dhe një në Hagë, ku qytetarët e të njëjtit shtet trajtohen në mënyra të ndryshme. Dhe në këtë mënyrë ne mendojmë, jemi të bindur në fakt, që përmbushim detyrimin ndërkombëtar për të vazhduar me ekzistencën e Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.