ATV

Blog

  • Manaj vazhdon të shkëlqejë me Shqipërinë, tani synon rekordin e Bogdanit

    Manaj vazhdon të shkëlqejë me Shqipërinë, tani synon rekordin e Bogdanit

    Rey Manaj po kalon një periudhë të shkëlqyer me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë dhe këtë e konfirmoi edhe në përballjen ndaj San Marinos.

    Sulmuesi kuqezi gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke shënuar në minutën e 65-të golin e tretë të Shqipërisë në këtë takim.

    Ky ishte realizimi i 11-të i Manajt me fanellën kuqezi, duke e ngjitur atë edhe më lart në listën e golashënuesve historikë të Kombëtares.

    Me këtë gol, 27-vjeçari barazoi Sokol Kushtën dhe Hamdi Salihin me nga 11 gola të shënuar për Shqipërinë, ndërsa tashmë ka përpara një tjetër objektiv të rëndësishëm.

    Në horizont është rekordi i Erjon Bogdanit, i cili ka realizuar 18 gola me Kombëtaren. Manajt i nevojiten edhe shtatë gola për të barazuar legjendën kuqezi dhe për t’iu afruar majës së listës së golashënuesve të Shqipërisë.

    Megjithatë, pavarësisht progresit personal, Manaj pas ndeshjes u tregua i përmbajtur dhe theksoi se objektivat individualë nuk janë prioriteti i tij.

    “Të them të drejtën, për objektiva personale nuk më pëlqen të flas. Rëndësi ka të fitojmë në Nations League dhe të kualifikohemi sërish në Evropian. Ishalla i kap sa më shpejt, por fokusi im i vetëm mbetet Evropiani në këtë moment”, deklaroi Manaj.

    Forma e mirë e sulmuesit përbën një lajm pozitiv për Shqipërinë, e cila synon të vazhdojë me rezultate të mira dhe të sigurojë një tjetër paraqitje në skenën e madhe të futbollit evropian.

    Manaj, ndërkohë, tashmë e ka të qartë sfidën e radhës: shtatë gola e ndajnë nga rekordi i Bogdanit.

  • Peja në kërkim të reagimit ndaj Dinamos në Bukuresht

    Peja në kërkim të reagimit ndaj Dinamos në Bukuresht

    KB Peja rikthehet sonte në parket për një tjetër sfidë evropiane, teksa në Bukuresht do të përballet me Dinamon, në ndeshjen e kthimit të kualifikimeve për fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

    Skuadra pejane udhëton në Rumani me një detyrë të vështirë, pasi në përballjen e parë, të zhvilluar në Pejë, pësoi humbje të thellë 58:96.

    Pavarësisht disavantazhit të madh, “verdhezinjtë” synojnë të reagojnë në ndeshjen e dytë dhe ta mbyllin këtë përballje evropiane me një paraqitje sa më dinjitoze.

    Peja pritet të kërkojë një tjetër fytyrë në parket, me synimin për të luftuar deri në fund dhe për të treguar karakter përballë skuadrës rumune.

    Sfida Dinamo Bukuresht – Peja zhvillohet sonte në kryeqytetin rumun, me fillim nga ora 18:00.

  • 70,500 euro shpërblime për sportistët dhe trajnerët kosovarë pas suksesit në Taranto

    70,500 euro shpërblime për sportistët dhe trajnerët kosovarë pas suksesit në Taranto

    Sportistët dhe trajnerët kosovarë që u shpërblyen me medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” do të marrin mbështetje financiare nga institucionet e Kosovës.

    Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka bërë të ditur se ka aprovuar një mbështetje të njëhershme financiare në vlerë totale prej 70,500 eurosh, e cila do të ndahet për sportistët dhe trajnerët në bazë të medaljeve të fituara.

    Shuma e shpërblimit ndryshon në varësi të ngjyrës së medaljes. Për medaljen e artë, sportisti përfiton 10,000 euro, ndërsa trajneri 5,000 euro. Për medaljen e argjendtë janë paraparë 5,000 euro për sportistin dhe 2,500 euro për trajnerin, ndërsa medalja e bronztë shpërblehet me 3,000 euro për sportistin dhe 1,500 euro për trajnerin.

    Kosova e përfundoi pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me një bilanc rekord prej nëntë medaljesh, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

    Gashani ka vlerësuar paraqitjet e sportistëve kosovarë, duke theksuar se pas çdo medaljeje qëndrojnë puna, disiplina dhe përkushtimi i tyre, ndërsa rezultatet përfaqësojnë edhe një burim krenarie për vendin.

    Përmes një postimi në Facebook, ministri ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin rezultatet e larta sportive dhe të krijojnë kushte më të mira për sportistët dhe trajnerët.

    “Sportistët tanë, përmes punës, disiplinës dhe rezultateve të tyre, vazhdojnë ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çdo medalje e fituar është rezultat i përkushtimit të tyre dhe njëkohësisht krenari për vendin tonë”, ka shkruar Gashani.

    Ai u ka uruar sportistëve dhe trajnerëve sukses në garat e ardhshme, duke i falënderuar për përfaqësimin e Kosovës në “Taranto 2026”.

  • IPKO Cyber Security Conference IV: Siguria kibernetike në agjendën e biznesit dhe lidershipit

    IPKO Cyber Security Conference IV: Siguria kibernetike në agjendën e biznesit dhe lidershipit

    Më 7 tetor, IPKO organizon edicionin e katërt të Konferencës për Siguri Kibernetike, e cila mbahet në Klan Arena dhe sjellë së bashku drejtues biznesesh, liderë të industrisë së telekomunikimit nga Kosova dhe rajoni, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kibernetike dhe kompani globale të teknologjisë.

    Në një mjedis ku kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më komplekse, siguria kibernetike nuk është më vetëm përgjegjësi e ekipeve të IT-së. Ajo është bërë çështje e vazhdimësisë së biznesit, mbrojtjes së të dhënave, reputacionit dhe vendimmarrjes në nivel bordi të organizatave.

    Ky edicion do të fokusohet në tri fusha: zhvillimet dhe prioritetet e sigurisë kibernetike në rajon, mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në sigurinë e organizatave.

    Paneli rajonal “Zhvillimi i Sigurisë Kibernetike në Rajon”, do të bëjë bashkë drejtues të operatorëve të telekomunikimit nga Kosova dhe rajoni për të diskutuar sfidat e përbashkëta, investimet dhe prioritetet strategjike, si dhe rolin e industrisë së telekomunikimit në ndërtimin e një infrastrukture digjitale më të sigurt dhe më rezistente.

    Nga perspektiva strategjike, diskutimi do të kalojë te mekanizmat konkretë të mbrojtjes. Paneli profesional “Rëndësia e Linjës së Parë të Mbrojtjes” do të trajtojë rëndësinë e mbrojtjes në nivelin DNS si një nga linjat e para të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve kibernetike. Në panel do të marrin pjesë ekspertë nga Whalebone, Fortinet, Cisco dhe IPKO.

    Një fokus i veçantë këtë vit do t’i kushtohet edhe marrëdhënies ndërmjet inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike. Fortinet dhe Cisco do të zhvillojnë dy masterclass-e të specializuara, duke adresuar si mundësitë, ashtu edhe sfidat e reja që AI po sjell për sigurinë e organizatave.

    Programi do të përfshijë gjithashtu prezantimin “Statistikat e Incidenteve dhe Zgjidhjet Parandaluese” nga IPKO dhe Kosovo Cyber Team, si dhe prezantime nga ekspertë të Nagra dhe Utopia, duke sjellë perspektiva konkrete mbi kërcënimet, parandalimin dhe zhvillimet teknologjike në këtë fushë.

    Kosovo Cyber Team do të realizojë edhe demonstrime live të skenarëve të incidenteve kibernetike dhe mënyrave të identifikimit e parandalimit të tyre, ndërsa hapësira ekspozuese do të bëjë bashkë kompani dhe partnerë ndërkombëtarë të industrisë, përfshirë Whalebone, Utopia, Fortinet, Strix, Cisco, Nagra, DEFCON dhe Netscope.

    Me edicionin e saj të katërt, konferenca vazhdon të forcojë dimensionin e saj rajonal dhe të krijojë një hapësirë ku lidershipi i biznesit, industria e telekomunikacionit dhe ekspertiza ndërkombëtare takohen për të diskutuar sfidat që po formësojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë digjitale të së ardhmes.

    IPKO Cyber Security Conference IV
    7 tetor 2026 | Klan Arena, Prishtinë
    Regjistrimi: 08:30 – 09:30

  • Vinicius rrëfen periudhën e vështirë: Kam nevojë për vetëbesim

    Vinicius rrëfen periudhën e vështirë: Kam nevojë për vetëbesim

    Vinicius Junior po kalon një periudhë jo të zakonshme për të, ndërsa sulmuesi i Real Madridit ka pranuar se aktualisht i mungon vetëbesimi si në nivel klubesh, ashtu edhe me kombëtaren e Brazilit.

    Braziliani, i cili në vitet e fundit është shquar për shpejtësinë, golat dhe paraqitjet spektakolare, nuk ka arritur ende të gjejë ritmin e tij më të mirë këtë sezon. Me Real Madridin, Vinicius ka realizuar vetëm një gol deri më tani, ndërsa vazhdon të përballet edhe me zhgënjimin e përjetuar në Botëror.

    Një moment i rëndësishëm për të erdhi me fanellën e Brazilit, në fitoren 4-2 ndaj Australisë në “Suncorp Stadium”.

    Vinicius realizoi nga pika e bardhë në minutën e 80-të, por mënyra se si e mori përsipër penalltinë ishte po aq domethënëse sa edhe goli.

    Raphinha, ekzekutuesi i rregullt i penalltive, ishte larguar nga loja, ndërsa Bruno Guimaraes ishte lojtari i radhës në hierarki. Megjithatë, mesfushori vendosi t’ia besojë topin Viniciusit, duke i dhënë mundësinë bashkëlojtarit të tij të përfitonte nga një moment që mund t’i rikthente besimin në vete.

    Pas ndeshjes, Vinicius e vlerësoi gjestin e Guimaraesit dhe mbështetjen që mori nga pjesa tjetër e ekipit.

    “Bruno Guimaraes është ekzekutuesi ynë i penalltive kur Raphinha nuk luan dhe mendova se ai do të donte ta merrte përsipër. Por ai e di se në këtë moment unë kam nevojë për pak vetëbesim”, deklaroi Vinicius.

    Ylli i Real Madridit foli edhe për ndikimin që ka pasur eliminimi nga Botërori dhe vështirësinë për t’u rikthyer në nivelin e tij më të mirë.

    “Bashkëlojtarët e mi e dinë se tani kam nevojë për vetëbesim. Të humbasësh një Botëror është e vështirë dhe e dhimbshme për t’u pranuar, ndërsa rikthimi nuk është kurrë i lehtë”, shtoi braziliani.

    Goli ndaj Australisë mund të jetë pikërisht momenti që Viniciusit i duhej për të nisur një kapitull të ri dhe për të rikthyer formën që e ka bërë një prej sulmuesve më të rëndësishëm të Brazilit dhe Real Madridit.

  • Tuchel jep sinjalin e madh për Bellinghamin: Mund të bëhet kapiten i Anglisë

    Tuchel jep sinjalin e madh për Bellinghamin: Mund të bëhet kapiten i Anglisë

    Jude Bellingham mund të jetë një nga emrat që do të udhëheqë Anglinë në vitet e ardhshme, me trajnerin Thomas Tuchel që ka lënë të hapur mundësinë që ylli i Real Madridit të marrë përgjithmonë shiritin e kapitenit të “Tre Luanëve”.

    Në fitoren 2-0 ndaj Çekisë në Ligën e Kombeve, Bellingham u aktivizua në minutën e 71-të në vend të Harry Kane dhe, sapo hyri në fushë, mori edhe shiritin e kapitenit nga sulmuesi anglez.

    E njëjta skenë ishte përsëritur edhe në fund të humbjes ndaj Spanjës, ku Kane ia kishte dorëzuar shiritin Bellinghamit.

    Tuchel nuk e fshehu se ky veprim mund të jetë një tregues për të ardhmen.

    “Kur je kapiten në fund të këtyre ndeshjeve, atëherë sigurisht që mund të jesh kapiteni i përhershëm”, deklaroi trajneri i Anglisë.

    Gjermani tregoi gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë me Bellinghamin rreth rolit të tij në skuadër, duke vlerësuar veçanërisht gatishmërinë e mesfushorit për të qenë pjesë e ekipit edhe kur nuk është në formacionin startues.

    “Mendoj se ai e pëlqen të jetë me ne për momentin, të paktën kështu e ndiej. Sot patëm një bisedë të shkurtër për rolin e tij. Të dy kishim ndjesinë se donim të vazhdonim dhe të nisnim përsëri, por më pas menduam se ndoshta 30 minuta ishin të mjaftueshme për sot”, tha Tuchel.

    Trajneri gjerman shpjegoi se vendimi për ta aktivizuar Bellinghamin vetëm për pak minuta lidhej edhe me ngarkesën fizike të lojtarit, pasi ai nuk ka qenë i mësuar me një ritëm të tillë ndeshjesh gjatë këtij sezoni.

    “Ai e ka bërë këtë më parë, por jo gjatë këtij sezoni, ndaj nuk donim të ishim të parët që do ta provonim. Megjithatë, edhe në këtë paraqitje të shkurtër mund ta shihni se ai është i sigurt në vete dhe i lumtur që të ndihmojë ekipin edhe nga banka”, shtoi Tuchel.

    Sa i përket shiritit të kapitenit, Tuchel e cilësoi këtë si një moment të veçantë për Bellinghamin.

    “Po, është një shpërblim t’i japësh shiritin e kapitenit. Është diçka e mirë”, u shpreh ai.

    Megjithatë, në fund të ndeshjes pati edhe një moment shqetësues. Tuchel zbuloi se Bellingham ndjeu një shqetësim fizik dhe tani mbetet për t’u parë nëse do të jetë në gjendje të luajë në sfidën e ardhshme.

    “Ai pati një shqetësim të vogël në fund të ndeshjes. Shpresojmë që të mos jetë asgjë serioze dhe që të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Kroacisë”, përfundoi trajneri i Anglisë.

  • Marshi i 1 tetorit, Haradinaj fton qytetarët t’i bashkohen: Duke e mbrojt luftën e drejt çlirimtare, mbrojmë atdheun

    Marshi i 1 tetorit, Haradinaj fton qytetarët t’i bashkohen: Duke e mbrojt luftën e drejt çlirimtare, mbrojmë atdheun

    Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë nesër në marshin protestues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

    Përmes një videoje të publikuar në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se vendimi dënues ndaj udhëheqësve të UÇK-së është i papranueshëm dhe i padrejtë.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit, i cili do të mbahet nesër në orën 16:00 në sheshin e kryeqytetit.

    “Ju ftoj që të bashkoheni nesër në ora 16 në sheshin e kryeqytetit, Prishtinë, në mbrojtje të luftës së drejt të UÇK-së. Vendimi dënues për udhëheqësit e UÇK-së është i papranueshëm, është i padrejtë. Jo në emrin tim, jo në emrin e popullit të Kosovës. Duke e mbrojt luftën e drejt çlirimtare, mbrojmë atdheun”, ka thënë Haradinaj.

  • Iniciativa ligjore për Gjykatën Speciale, Kurti: Brenda javës do ta kemi mendimin e Zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë

    Iniciativa ligjore për Gjykatën Speciale, Kurti: Brenda javës do ta kemi mendimin e Zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur sërish lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me procedimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen.

    Kurti theksoi se fillimisht është për t’u përshëndetur vendimi i së hënës i Kuvendit të Kosovës, ku me 99 vota për u miratua deklarata që ka të bëjë me Gjykatën Speciale.

    Ai tha se kanë shprehur gatishmërinë për një strategji se si të veprohet tutje drejt Apelit, raporton Telegrafi.

    “T’i mbledhim energjitë, kokat e fushës së caktuar, ekspertizë juridike në mënyrë që në Apel të bëhen korrigjimet e nevojshme dhe të triumfojë drejtësia”, tha ai.

    Kurti është përgjigjur edhe lidhur me kërkesën e PDK-së, rrjedhimisht iniciativën e PDK-së për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatë Speciale.

    “Tash Zyra ligjore në Kryeministri ka kërkuar mendim nga Zyra ligjore e Ministrisë së Drejtësisë dhe ajo e Departamentit për Buxhet e Ministrisë së Financave. Kjo është procedurë e rregullt qysh bëhet me secilin iniciativë ligjore…

    Prej informimeve që i kam nga ministrisë përkatëse brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen, edhe si mendim të Zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu edhe vlerësimin financiar të Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave dhe menjëherë do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura…”, tha ndër të tjera Kurti.

    Kryeministri i vendit ka folur edhe për tri defektet kapitale lidhur me aktgjykimin e Speciales.

    Sipas tij, nuk ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe kjo duhet të korrigjohet në apel.

    Po ashtu, Kurti theksoi se ka munguar transparenca dhe ka pasur njëfarë mënyre gjykatë mono-etnike.

    Kryeministri përmendi edhe pasaktësitë faktike dhe historike.

    Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se në këtë çështje duhet të jemi bashkë si shtet, si shoqëri dhe bashkë edhe me Shqipërinë.

    “Për këtë gjë po kërkoj të ketë më shumë bashkërendim e bashkëveprim”, tha ai. /Telegrafi/

  • “Zbulimi i hershëm shpëton jetë” – mesazhi që këtë tetor vjen në 2 milionë shishe të Ujit Rugove

    “Zbulimi i hershëm shpëton jetë” – mesazhi që këtë tetor vjen në 2 milionë shishe të Ujit Rugove

    Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, Korporata Rugove ka nisur një fushatë të veçantë ndërgjegjësimi, duke lansuar 2 milionë shishe të Ujit Rugovë me tiketa rozë dhe me një mesazh që synon të arrijë te sa më shumë njerëz: “Zbulimi i hershëm shpëton jetë.”

    Përmes kësaj iniciative, Korporata Rugove synon që një produkt i përditshëm të shërbejë edhe si një kujtesë e rëndësishme për shëndetin. Gjatë gjithë muajit, tiketat rozë do të jenë pjesë e shisheve të Ujit Rugove, duke përcjellë mesazhin e rëndësisë së kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.

    Kanceri i gjirit mbetet një ndër sfidat më të mëdha shëndetësore për gratë në mbarë botën. Ndërgjegjësimi, kontrollet e rregullta dhe diagnostikimi në fazat e hershme janë pjesë e rëndësishme e kujdesit për shëndetin.

    Përmes këtij mesazhi, fushata synon të nxisë një bisedë më të hapur rreth shëndetit të gjirit dhe t’i inkurajojë gratë që të jenë të vëmendshme ndaj shëndetit të tyre, të mos i neglizhojnë kontrollet dhe të kërkojnë këshillë mjekësore kur kanë shqetësime.

    Kështu, ngjyra rozë bëhet pjesë e përditshmërisë përmes miliona shisheve që do të shpërndahen gjatë këtij muaji, duke e kthyer një produkt të zakonshëm në një kujtesë të thjeshtë, por me rëndësi të madhe: kujdesi për shëndetin fillon me vëmendjen dhe kontrollet në kohë.

    2 milionë shishe. Një mesazh i vetëm.
    Zbulimi i hershëm shpëton jetë. 🎀

  • PDK vendos kusht: Nuk marrim pjesë në komisione pa u proceduar ndryshimet në Ligjin për Specialen

    PDK vendos kusht: Nuk marrim pjesë në komisione pa u proceduar ndryshimet në Ligjin për Specialen

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka lëshuar mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, në shenjë kundërshtimi ndaj mosprocedimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, pas largimit nga mbledhja ka mbajtur një konferencë për media, ku ka deklaruar se partia e saj nuk do të bëhet pengesë për funksionalitetin e institucioneve, por nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare pa u proceduar projektligji për Dhomat e Specializuara.

    “Sot si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës morëm pjesë në komisionet parlamentare dhe dëshmuam edhe një herë atë që nuk mund të ketë prioritet më të rëndësishëm sot sesa sjellja e ligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, si PDK, konsiderojmë se e kemi dëshmuar me veprime se nuk bëhemi pengesë për funksionalitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, ajo çka është krejtësisht e padrejtë është që të simulojmë normalitet për mbarëvajtje çështjesh të cilat kërkojnë veprim urgjent nga shteti”, ka thënë ajo.

    Deliu-Kodra ka theksuar se për PDK-në, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të jetë prioritet jo vetëm i kësaj partie, por edhe i subjekteve të tjera politike.

    “Për Partinë Demokratike të Kosovës, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, në funksion të mbrojtjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të jetë prioritet mbi prioritetet. Konsiderojmë që ky duhet të jetë prioritet edhe për të gjitha partitë politike”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

    Ajo ka kritikuar Qeverinë për mospërfshirjen e këtij projektligji në rendin e ditës, duke theksuar se, pavarësisht vonesave për këtë çështje, në Kuvend janë proceduar një numër i madh projektligjesh me procedura të përshpejtuara.

    “Sot në Kuvend, të nderuar përfaqësues të mediave, janë sjellë një numër i madh i projektligjeve me procedura të përshpejtuara, ndërkohë që qeveria i ka diskutuar 45 pika të rendit të ditës. Në Komisionin për Legjislacion, të cilin sapo e lëshuam, duke e thënë qartësisht që nuk do të jemi në komisione pa u sjellë ligji për Dhomat e Specializuara, sot janë sjellë gjashtë projektligje me procedura të përshpejtuara. Dje deputetët i kanë marrë materialet për këto projektligje, ndërkohë pa mbërritur që të diskutohen, të trajtohen, gjashtë projektligje sillen në rend dite në ditën kur nevojë imediate do të duhej të ishte sjellja e ligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, projektligji për Dhomat e Specializuara fatkeqësisht vazhdon ende të mbetet në sirtarët e qeverisë”, është shprehur ajo.