ATV

Blog

  • Zjarr në aeroportin Heathrow të Londërs – pamje

    Zjarr në aeroportin Heathrow të Londërs – pamje

    Një zjarr ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3 në aeroportin Heathrow në Londër, pasi një automjet mori flakë papritur, raportojnë autoritetet britanike.

    Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë shtëllunga të mëdha tymi që përfshinë godinën dhe flakë që u përhapën me shpejtësi.

    Sipas autoriteteve, alarmi i parë është dhënë në orën 09:03. Menjëherë pas njoftimit, katër automjete zjarrfikëse dhe rreth 25 zjarrfikës nga stacionet e Heathrow, Hayes dhe Feltham mbërritën në vendngjarje për të vënë nën kontroll flakët.

    Për shkak të situatës, një pjesë e autostradës M4 në drejtim të jugut është mbyllur pranë aeroportit, ndërsa udhëtarëve iu bë thirrje të përdorin daljen J3 të M4 ose J14 të M25. Edhe disa linja autobusësh ndërprenë shërbimin drejt Heathrow, duke shkaktuar vonesa dhe konfuzion për pasagjerët.

    Një zëdhënës i Heathrow tha se zjarri është vënë nën kontroll, por parkimi mbetet i mbyllur përkohësisht.

    “Mëngjesin e sotëm, ekipet tona reaguan ndaj një zjarri në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3. Zjarri u shua shpejt, por parkimi mbetet i mbyllur përkohësisht, gjë që mund të shkaktojë trafik në rrugët përreth. Të gjitha parkimet e tjera të aeroportit funksionojnë normalisht. Kërkojmë ndjesë pasagjerëve për shqetësimin e shkaktuar,” u shpreh ai.

  • Gjykata lë në arrest shtëpiak reperin Buta

    Gjykata lë në arrest shtëpiak reperin Buta

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masën e arrestit shtëpiak në një afat prej 20 ditësh për reperin Buta.

    Sipas gjykatës, kjo periudhë kohore i jep mundësi që aktakuza të refuzohet.

    Ndryshe, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më datën 11 shtator 2025 rreth orës 21:00, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, Betim Januzi “Buta” ka mbajtur në posedim pa autorizim substancë narkotike të dyshuar si kokainë dhe marihuanë, me qëllim shitjeje ose shpërndarje.

    “Policia gjatë një kontrolli rutinë ka ndaluar veturën e tipit BMW, të cilin e voziste i pandehuri dhe gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 0.30 g, në çantën e dorës së të dyshuarit janë gjetur edhe 3 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme 1.32 g dhe një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 0.46 g, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e të pandehurit janë gjetur edhe 2 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 2.62 g, të cilat janë sekuestruar nga polica, me këtë do të kryente veprën penale ‘Blerja, posedimi , shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ nga Neni 267, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

  • Pas shkarkimit nga Qeveria, Veliaj: Jam më i fortë se kurrë

    Pas shkarkimit nga Qeveria, Veliaj: Jam më i fortë se kurrë

    Erion Veliaj ka reaguar nga qelia pas shkarkimit të tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, marrë nga qeveria.

    Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale Veliaj deklaron ndër të tjera se është “më i fortë se kurrë në betejë me të ligën”.

    Veliaj thotë se Shqipëria nuk është një “koloni penale dhe s’duhet lejuar kurrë kjo re e zezë frike që ka kapluar vendin në emër të drejtësisë së re”.

    Reagimi i Erion Veliajt:

    Uroj të jeni mirë! Mirënjohje për qindra letrat tuaja, që më japin kurajë çdo ditë. Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën!

    Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20 vjeçar të të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh.

    Lexojeni, se prej kësaj gënjeshtre të parë nisën protestat e rreme, u amplifikuan me kallëzime anonime, u ngjizën akuza me kërcënim dëshmitarësh e u bitis me shkallmimin e Kryeqytetit tonë Tiranës. Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, si leksion për të ardhmen.

    E bëj këtë për disa grupe:

    – [ ] Për italianin, që as më njeh e as e njoh, por që nisi një zinxhir jetëshkatërrues ngjarjesh, që të kuptojë se nuk jam hakmarrës, por ai dhe kushdo tjetër këtu në Shqipëri, duhet të kuptojë që fjalët kanë peshë, e kur janë të rreme thyejnë karriera, qytete e familje, që do duan dekada të rikuperohen.

    – [ ] Për të tjerët, që u bënë me vetëdije apo me zell politik pjesë e këtij fabrikimi. Dua t’u them se unë jam i burgosur, por nuk jam në burg. Jam i qetë dhe i çliruar në ndërgjegjen time. Shpresoj që të keni fuqi të çliroheni nga burgu i ligësisë suaj ku keni mbyllur veten, pasi e vërteta e rrëfimi do t’ju bëjë të lirë!

    – [ ] Por, më e rëndësishmja e bëj për çdo shqiptar që jeton me frikë mos përgjohet, kërkon linjë të sigurt të flasë me të shtëpisë, kthen kokën pas mos po e ndjekin, vë gishtin mbi buzë se mos dëgjohet, apo fsheh telefonin poshtë vitheve në karrike! Shqipëria nuk është një koloni penale dhe s’duhet lejuar kurrë kjo re e zezë frike që ka kapluar vendin në emër të drejtësisë së re.

    Ju përqafoj me mall të gjithëve! Do të luftoj për vete dhe për secilin prej jush!

    Pjesë nga rrëfimi noterial më poshtë:

    (1) Nuk kam parë kurrë z. Erion Veliaj të udhëtojë, vetëm apo në prani të personave të tjerë, në Itali apo të takojë dikë, aq më pak që qëllimi i një vizite të tillë të kishte lidhje me inceneratorin;

    (2) Nuk e kam takuar kurrë z. Erion Veliaj, as personalisht as në prani të personave të tjerë, as në Itali as në Shqipëri, në “Cioccolati Italiani” apo “Tribe”, dhe as nuk kam komunikuar me të, as personalisht as përmes personave të tjerë, me telefonata, mesazhe apo në ndonjë formë tjetër komunikimi;

    (3) Nuk kam as njohuri e as prova që z. Erion Veliaj të ketë marrë pjesë apo të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit që kishim në Rumani;

    (4) Të gjitha deklaratat që kam dhënë në lidhje me z. Erion Veliaj, në intervistat e mia për programin “Piranjat” në “Syri TV”, si edhe ato që kam lënë të kuptohet, janë të pavërteta dhe janë bërë prej meje në këmbim të premtimeve nga ana e këtyre mediave televizive dhe personave të afërt me to, për përfitime financiare.

  • Pezullohet marrëveshja e lëvizjes së lirë Kosovë-Shqipëri

    Pezullohet marrëveshja e lëvizjes së lirë Kosovë-Shqipëri

    Nga sot pezullohet marrëveshja e lëvizjes së lirë në kufirin Kosovë–Shqipëri. Nga data 1 tetor deri në fillim të nëntorit, marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës do të pushojë së funksionuari.

    Në këtë periudhë, pikat kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë do të kryejnë përpunimin e të dhënave të udhëtarëve dhe drejtuesve të automjeteve përmes një procedure të përshpejtuar, me qëllim që të shmangen radhët dhe pritjet e gjata për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve.

    Megjithatë, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, qytetarët që udhëtojnë me automjete me targa të Shqipërisë dhe Kosovës do të vazhdojnë të kalojnë pa kontrolle kufitare, shkruan A2 CNN.

    Marrëveshja e lëvizjes së lirë mes dy shteteve, e cila u nënshkrua për të lehtësuar qarkullimin dhe shmangur trafikun e rënduar, ka dhënë rezultate të dukshme gjatë sezonit veror, kur numri i udhëtimeve arrin kulmin. Periudhat e kalimit pa kontrolle ose me kontrolle të reduktuara janë. Nga 1 maj deri më 30 Shtator.

    Në total 9 muaj gjatë vitit qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës përfitojnë nga një regjim i lehtësuar lëvizjeje në kufi ndërkohë qe 3 muaj me kontrolle.

  • Klubet angleze në ndjekje të Kenan Yildiz

    Klubet angleze në ndjekje të Kenan Yildiz

    Ylli turk Kenan Yildiz është duke shkëlqyer me fanellën e Juventusit këtë sezon.

    Shumë klube të ndryshme janë të interesuara për shërbimet e Yildiz,dhe sipas raportimeve klubet nga Premierliga Arsenal,Chelsea dhe Manchester United po e tentojnë me ngulm transferimin e turkut.

    Përndryshe Juventus nuk e ka ndërmend që ta vë në shitje 20 vjeçarin,dhe për më tepër edhe një ofertë prej 100 milionë eurosh nuk do të mjaftonte për ta bindur që ta vë në shitje turkun.

    Tek “Zonja e Vjetër”Yildiz shihet si një pjesë e projektit afatgjatë,ku në të ardhmen pritet të jetë lider tek bianconerët.

    Kujtojmë që Kenan Yildiz në 6 ndeshje ka shënuar 2 gola,teksa ka regjistruar 4 asistime në të gjitha garat për Juventus-in.

  • OSBE: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen plotësisht

    OSBE: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen plotësisht

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka riafirmuar mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se vendimet e saj duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, pa ndikuar apo ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në punën e saj.

    Në reagimin e bërë publik, OSBE-ja ka theksuar se pavarësia e institucioneve gjyqësore është një gurthemel i shoqërisë demokratike.

    “Misioni vëren me shqetësim deklaratat e fundit publike dhe iniciativat që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, synojnë të sfidojnë ose diskreditojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Përpjekjet për të politizuar punën e Gjykatës dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, e dëmtojnë besimin e publikut në institucionet e Kosovës, e gërryejnë sundimin e ligjit dhe mund të vënë në pikëpyetje zhvillimin demokratik të vendit. Misioni i OSBE-së nënvizon se pavarësia e gjyqësorit është një domosdoshmëri për demokracinë”, thuhet në reagim.

    Tutje, OSBE-ja ka theksuar se përfaqësuesit politikë dhe institucionet kanë përgjegjësi për të respektuar autoritetin e Gjykatës, duke forcuar besimin e publikut në kornizën kushtetuese të Kosovës dhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

    “Misioni u bën thirrje të gjithë akterëve politikë që të mbështesin konstituimin e Kuvendit në përputhje me kornizën ligjore dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë me Kuvendin dhe me deputetët e tij, pasi ai të jetë konstituuar plotësisht,” përfundon reagimi i OSBE-së.

    Ky reagim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të martën konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar dhe se duhet të zgjidhet një nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Deputetëve iu dha afat prej 12 ditësh nga publikimi i aktgjykimit për ta përfunduar konstituimin, vendim që u mor pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe.

  • Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal, qytetarëve u bëhet thirrje: Nuk ka efekt anësor

    Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal, qytetarëve u bëhet thirrje: Nuk ka efekt anësor

    Ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal. Profesionistët shëndetësorë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, duke theksuar se ajo nuk ka efekte anësore..

    Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku e mori edhe vetë këtë vaksinë, derisa tregoi edhe rëndësinë për t’u vaksinuar.

    “Është hera e dytë që marr vaksinë e gripit, një nga arsyet që e marr është për me dhënë motivim për të tjerët që është e rëndësishme vaksina dhe nuk ka efekte anësore dhe sigurisht që sot kam ardhë me përcjellë sepse është dita e parë e fillimit edhe me falënderu punën që e bëjnë se ka hy një fazë që stafi i vaksinimit është më i ngarkuar pasi sot dita e parë. Mirëpo një punë që e kemi bërë gjatë këtyre viteve që është distrubuimin e qendrave të vaksinimit dhe tash krijon mundësi që qytetarët me ardhë me marr në lagjen e vet për arsye se para disa viteve e kemi pasë rastin kur ditën e parë nuk kemi mundur me hy prej njerëzve ndërsa sot sigurisht nuk është ai fluks sepse secili e merr në lagjen e vet dhe i ftoj qytetarët sidomos këto kategoritë me rrezikshmëri më të lartë që janë të moshuarit, ata që kanë sëmundjet kronike, fëmijët që të vaksinohen për arsye që vaksinimi e tyre mund të kaloj në mbrojtje, që mbron vetën dhe të tjerët”, tha Sadiku për Ekonomia Online.

    Xhevrije Canolli, mjeke familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) tha se kjo periudhë është më e mira për tu vaksinuar pasi është mbrojtje për stinën e dimrit.

    “Sot ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal. Kjo është koha më e mirë për të vaksinuar meqenëse fillon edhe sezona e gripit. Qytetarët mund ta marrin këtë shërbim përveç në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare edhe në qendrat tjera më të afërta që kanë njësitë e vaksinimit. Grupet prioritare për të vaksinuar janë kundër gripit sipas OBSH-së janë punonjësit shëndetësor për të mbrojtur vetën e tyre, pacientët e tyre, për të ruajtur shërbimet shëndetësore, gratë shtatzëna dhe vaksinimi në gratë shtatzëna përveç se mbrohet nëna mbrohet edhe foshnjet e tyre të posalinduara, të cilat  në muajt e parë nuk mund të vaksinohen me vaksinën kundër gripit, personat me sëmundje kronike kardiovaskulare, respiratore me sëmundje kronike të mëlqisë, veshkave, personat me imunitet të dobësuar qoftë për shkak të kalimit të ndonjë sëmundje apo përdorimit të terapisë, personat e moshuar mbi 65 vjec si dhe fëmijët e vegjël mbi 6 muaj deri në 5 vjec me rekomandim të mjekut”, tha ajo.

    Canolli tregoi për kategoritë që nuk rekomandohet vaksinimi derisa ftoi qytetarët që të vaksinohen.

    “Nuk rekomandohet në rastet e alergjisë në ndonjë komponent të vaksinës, të sëmundjet e rënda akute me ose pa temperaturë  si dhe te fëmijët nën moshën 6 muajshe. Vaksina kundër gripit përvec se të mbron nga forma aktuale e gripit sezonal njëkohësisht e zvogëlon mundësinë e koeinfeksionit në mes të gripit dhe virozave tjera sezonale. Është me rëndësi që te personat e moshuar vaksina kundër gripit redukton komplikimet si dhe vdekshmërinë  e shkaktuar nga gripi. Vaksinen të cilen e kemi ne në dispozicion, me të cilën jemi furnizuar nga Instituti Kombëtar, është vaksina katërvalente, të mbron nga katër tipe të virusit, dy nëntipe të tipit A dhe dy nëntipe të tipit B të virusit.

    Ftoj qytetarët që të vaksinohen pasi vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe është mënyra më e mirë për parandalimin e sëmundjeve efektive. Numri i tanishëm i qytetarëve prej orës 7:00 kanë qenë rreth 50. Numri më i interesuar kanë qenë kategoria e të moshuarit”, shtoi ajo.

    Qytetari Maliq Gërbeshi, i cili ka marr vaksinën tha se nuk ka pasur ndonjë komplikim nga vaksina.

    “Prej që jepen këto vaksina që disa vite rregullisht e kam marr edhe nuk kam pasur ndonjë problem deri në pranverë. Nuk më ka munduar kurrë”, tha ai.

  • Kryeministrja daneze: Situata e sigurisë në Evropë do të përkeqësohet

    Kryeministrja daneze: Situata e sigurisë në Evropë do të përkeqësohet

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se pamjet e fundit të dronëve në hapësirën ajrore daneze janë “vetëm fillimi” dhe se situata “do të përkeqësohet dhe do të bëhet më serioze”.

    Në dy intervista të rëndësishme, me gazetën daneze Berlingske dhe me Financial Times, Frederiksen i ka kërkuar Evropës të diskutojë “më thellësisht” se çfarë do të thotë situata e re e sigurisë për kontinentin dhe si duhet të përgjigjet për t’iu kundërvënë kërcënimit, raporton The Guardian.

    Ajo ka shtuar se situata në Evropë i kujton asaj periudhën midis dy luftërave botërore në shekullin e 20-të, ndërsa kontinenti përballet me kërcënimet që rrjedhin nga “lufta e vërtetë” në Ukrainë dhe nga lufta e re, më e gjerë hibride e zhvilluar kundër saj.

    “Ideja e një lufte hibride është të na kërcënojë, të na ndajë, të na destabilizojë. Të përdorë dronë një ditë, sulme kibernetike të nesërmen, sabotim të tretën. Pra, kjo nuk do të përfundojë vetëm duke rritur aftësitë”, ka thënë ajo për FT.

    Komentet e saj vijnë teksa udhëheqësit e BE-së janë mbledhur në Kopenhagë të mërkurën për një takim informal të Këshillit Evropian, i cili do të përqendrohet kryesisht në sigurinë dhe Ukrainën.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë nëpërmjet videolidhjes. Mbledhja do të pasohet nga një takim më i gjerë i Komunitetit Politik Evropian të enjten.

  • Eduardo Camavinga dëshiron largimin nga Real Madrid

    Eduardo Camavinga dëshiron largimin nga Real Madrid

    Mesfushori francez Eduardo Camavinga,po synon që të largohet nga Real Madrid.

    22 vjeçari po synon që të gjejë një skuadër ku mund të gjejë minutazhë,kjo pasi trajneri aktual Xabi Alonso nuk po llogaritë në shërbimet e francezit.

    Përndryshe shumë klube në Evropë janë duke e monitoruar situatën e Camavingës,dhe për më tepër interesim ka nga Premierliga angleze me gjigantë si Chelsea dhe Liverpool,ndërkohë që edhe Bayern Munich, Paris Saint-Germain dhe Juventus synojnë transferimin e francezit.

    Kujtojmë që Eduardo Camavinga ka zhvilluar vetëm 4 paraqitje këtë sezon,ku ka arritur të shënoj vetëm 1 gol.

  • Suedia publikon listën në ndeshjen kundër Kosovës

    Suedia publikon listën në ndeshjen kundër Kosovës

    Gjatë këtij muaji do të zhvillohen ndeshjet e radhës kualifikuese për Kupën e Botës 2026, dhe sot Suedia ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për dy sfidat ndaj Zvicrës dhe Kosovës.

    Për herë të parë, lista nuk përfshin portierin Robin Olsen, i cili ditën e djeshme njoftoi tërheqjen nga kombëtarja. Vendimi i tij vjen pas përkeqësimit të marrëdhënieve me trajnerin Jon Dahl Tomasson.

    Suedia do të përballet me Zvicrën më 10 tetor, ndërsa tri ditë më vonë do të luajë ndaj Kosovës. /ATVLIVE.TV