ATV

Blog

  • Federata e Basketbollit të Kosovës anulon Superkupën

    Federata e Basketbollit të Kosovës anulon Superkupën

    Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar:

    Bazuar në kompetencat e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) që dalin nga Statuti, gjegjësisht Neni 24, si dhe në përputhje me Rregulloren e Punës së Bordit të FBK-së, në mbledhjen e mbajtur më 30.09.2025, Bordi i FBK-së, pas trajtimit të pikave sipas rendit të ditës, ka vendosur si në vijim:

    Palestrat sportive dhe procesi zgjedhor
    Lidhur me çështjen e palestrave sportive të zëna për zgjedhjet lokale dhe ndikimin e tyre në fillimin e edicionit të ri të garave të FBK-së, janë miratuar vendimet si më poshtë:

    1.1. Pas aprovimit nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), xhiroja e parë (I) e ProCredit Superligës dhe Superliga Femrat do zhvillohet sipas datave të parashikuara, në palestrat sportive të qyteteve përkatëse.

    ProCredit Superliga do fillojë me datë 4-5 tetor 2025 në palestrat sportive përkatëse, ndërsa xhiro e dytë (II) vazhdon me datat 18-19 tetor 2025 në palestrat sportive përkatëse.
    Superliga Femrat do të fillojë sipas datave të parashikuara në palestrat sportive përkatëse, ndërsa xhiroja e dytë (II) dhe tretë (III) do organizohen nga FBK në një palestër sportive të vetme, me qëllim lehtësimin e zhvillimit të ndeshjeve në periudhën zgjedhore.

    1.2. Është vendosur që Superkupa e Meshkujve për edicionin 2025/26 të anulohet dhe të mos zhvillohet, me qëllim që të mos tejzgjatet vijimi i ProCredit Superligës dhe të sigurohet zhvillimi i garave sipas kalendarit të paraparë.

    Licencimi i klubeve, edicioni 2025/26

    Sa i përket procesit të licencimit të klubeve për edicionin 2025/26, janë miratuar vendimet si më poshtë:

    2.1. Kontratat profesionale të lojtarëve do të pranohen edhe të pa-noterizuara, mirëpo ky kriter do të konsiderohet i përmbushur vetëm pas deponimit të të gjitha kontratave pa përjashtim. Në rast se kontrata e një lojtari nuk është deponuar në FBK, lojtari në fjalë nuk do të lejohet të paraqitet për lojë deri në deponimin e kontratës.

    2.2. Mungesa e paraqitjes së një ekipi të gjeneratave të reja nga një klub i ProCredit Superligës do të rezultojë në pagesë prej 20,000.00 € për çdo kategori të munguar.

    2.3. Për klubet e Superliga Femrat, është lehtësuar kriteri sportiv dhe është e domosdoshme paraqitja e dy ekipeve të gjeneratave të reja, përkatësisht: U14 (obligative) dhe U16 ose U18 (njëra prej tyre obligative).

    Shitja e biletave online

    Fillimi i zbatimit dhe implementimit të shitjes së biletave online do fillojë nga xhiroja e tetë (VIII) e ProCredit Superligës.

    Mbulimi i shpenzimeve për ligat e gjeneratave të reja

    FBK do të mbulojë shpenzimet për personat zyrtarë të ndeshjeve për ligat e kategorive të reja do mbulohen në një shumë totale prej 125,000.00EUR. Kjo shumë përfshin ligat në vijim:

    Liga U18 Lindje
    Liga U18 Perëndim
    Liga U18 Vajzat
    Liga U16 Grupi A
    Liga U16 Grupi B
    Liga U16 Grupi C
    Liga U16 Grupi D
    Liga U16 Vajzat-Lindje
    Liga U16 Vajzat-Perëndim
    Liga U14 Lindje
    Liga U14 Perëndim
    Liga U14 Vajzat
    Liga U12 Lindje
    Liga U12 Perëndim
    Liga U10 (4 turne gjatë vitit)

    Lista e gjyqtarëve për edicionin 2025/26

    Në listën e gjyqtarëve për edicionin 2025/26, gjyqtari Ergin Balaj kalon nga Licenca C në Licencën B.

  • SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional

    SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional

    Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, u prit në një takim nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

    Gjatë takimit, i cili u zhvillua të mërkurën, palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sundimit të ligjit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e koordinimit në hetimet e përbashkëta.

    Dumani ritheksoi përkushtimin e SPAK-ut për të mbështetur Prokurorinë Speciale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Nga ana tjetër, Isufaj shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe theksoi se Prokuroria Speciale mbetet një shtyllë e fortë dhe e palëkundur e sistemit të drejtësisë në vend.

    Ky takim nënvizon rëndësinë e koordinimit të institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke forcuar më tej bashkëpunimin mes dy organeve speciale të drejtësisë./ATVLIVE/

  • Nga Lugina – Gjimshiti shkruan histori në Champions League

    Nga Lugina – Gjimshiti shkruan histori në Champions League

    Berat Gjimshiti po vazhdon të thyejë barriera dhe të shkruajë historinë e tij në futbollin evropian.

    Vetëm pak ditë pasi u rendit si lojtari i dytë shqiptar me më së shumti ndeshje në Serie A, ai tashmë ka hyrë në historinë e futbollit tonë edhe në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësi i Atalantës është bërë shqiptari i parë ndonjëherë që arrin 30 paraqitje në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

    Në fitoren 2:1 ndaj Club Brugge, Gjimshiti ishte sërish titullar dhe ndër më të mirët në fushë, duke marrë notën 8.2 nga Sofascore. Qëndrueshmëria dhe liderizmi i tij në mbrojtje janë bërë sinonim i Atalantës në vitet e fundit.

    Në edicionin e kaluar, ai la gjurmë edhe në sulm, duke shënuar një gol në përballjen ndaj Shakhtar Donetsk. Ndonëse qendërmbrojtës, Gjimshiti shpesh rrezikon në zonën kundërshtare, veçanërisht në goditje këndi, ku forca e tij në duelet ajrore është e frikshme.

    Ky sukses nuk është vetëm i tij – është i të gjithë shqiptarëve. Një djalë nga Lugina e Preshevës që me punë, përkushtim dhe besim ka arritur të jetë ndër emrat më të respektuar në futbollin italian dhe evropian.

  • Realizohet fluturimi i parë direkt Jeddah – Prishtinë

    Realizohet fluturimi i parë direkt Jeddah – Prishtinë

    Aeroplani i linjës direkte Xhide – Prishtinë, me 66 pasagjerë në bord, ateroi në mëngjesin e së mërkurës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Kështu nga kjo e mërkure zyrtarisht u hap linja më e re ajrore për në Xhide të Arabisë Saudite, që ndryshe konsiderohet edhe si porta hyrës për myslimanët që vizitojnë Mekën dhe Medinën.

    “Ky rrugëtim është më shumë se një udhëtim, është urë mes popujve tanë dhe do të bëjë ndërlidhje. Kjo linjë shënon një kapitull të ri që forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Arabisë”, tha Gökhan Acikgoz, drejtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

    Përveç se u cilësoi moment historik, sipas ushtruesit të detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, linja e re do të ndikojë edhe në turizmin kosovar.

    “Besojmë se përmes rrugëtimeve dhe kontakteve do forcojmë më shumë bashkëpunimin mes dy popujve tanë që kanë traditë dhe kulturë të lashtë. Kjo linjë do të rrisë turizmin në Kosovë, do sjellë vizitorë nga Arabia dhe ata do të shijojnë bukuritë natyrore, ushqimin dhe mikpritjen e popullit tonë”, tha Durmishi.

    Veç turizmit, fluturimi direkt për në Xhide e anasjelltas do të ndikojë edhe në sektorin ekonomik.

    “Kosova është vend ideal për investitorë. Shpresoj që ato të gjejnë veten në tregun e Arabisë Saudite”, tha Lulzim Mjeku, ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite.

    Rëndësi më të veçantë kjo linjë direkte do ketë për Haxhilerët.

    “Hapja e zyrës së kësaj kompanie ndihmon udhëtarët me shërbime më cilësore, sidomos ata që kryejnë haxh dhe umre”, tha Faisal Ghazi Ismail Hifzi, ambasador i Arabisë Saudite.
    Kompania Flynas do ta realizojë fluturimin mes qytetit të dytë më të madh të Arabisë dhe Prishtinës.

    “Ne kemi bërë historinë duke lidhur Kosovën me Arabinë Saudite. Sot fillojmë me 3 fluturime në javë drejt Jeddah dhe shpresojmë që ky numër do të rritet, duke ju uruar fluturim të këndshëm me Flynas”, tha Abulelah Aledi, president i kompanisë “Flynas”.

    Nga Aeroporti i Prishtinës fluturimet drejt Xhides realizohen të mërkurën të premten dhe të dielën.

  • FSHF gjobitet nga FIFA, nisin procedurat e ankimimit

    FSHF gjobitet nga FIFA, nisin procedurat e ankimimit

    Komisioni i Disiplinës i FIFA-s ka vendosur të ndëshkojë Federatën Shqiptare të Futbollit me një gjobë prej 10 mijë frangash zvicerane, për shkak të incidenteve të ndodhura jashtë stadiumit “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri – Letoni, të zhvilluar më 9 shtator 2025, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

    Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ka nisur procedurat ligjore për të apeluar këtë vendim në instancat përkatëse të FIFA-s.

    FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve që në ndeshjet e ardhshme të tregojnë qytetari dhe të mbështesin Kombëtaren me pasion, por pa krijuar situata që dëmtojnë imazhin dhe interesat e saj.

    Gjithashtu, Federata kërkon bashkëpunim të plotë nga institucionet e rendit, me qëllim që çdo ndeshje të zhvillohet në një atmosferë të sigurt dhe festive, ashtu siç i takon një eventi futbollistik ndërkombëtar.

  • Rama: Burrat duhet ta pranojnë, gratë janë shumë para nesh

    Rama: Burrat duhet ta pranojnë, gratë janë shumë para nesh

    Kryeministri i Shqipërise, Edi Rama tha se mbështetja për gratë dhe vajzat është investimi më i duhur dhe më i frytshëm. Në një prononcim gjatë një aktiviteti për firmosjen e një marrëveshjeje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, Rama tha se ato janë më para se burrat.

    “Shpresoj që të jetë investim që, qoftë edhe për inat, t’i motivojë më shumë burrat, sepse përgjithësisht janë më të rehatuar nga pikëpamja e procesit të të menduarit se sa ç’janë gratë dhe vajzat. Kështu që ne na duhen sa më shumë njerëz të motivuar dhe të parehatuar me veten por në kërkim të vazhdueshëm të sprovave dhe në sfidë të vazhdueshme me veten. Dhe në këtë aspekt, si përfaqësuesi i gjinisë më të dobët, duhet që edhe bashkëvuajtësit, burrat dhe djemtë, ta pranojnë se gratë janë më përpara se ne. Nuk kemi çfarë të bëjmë veç se duhet të dorëzohemi me dinjitet përpara këtij fakti dhe të përpiqemi të rikuperojmë sa të mundemi, të bindur se s’do t’i kalojmë asnjëherë por të paktën, të arrijmë të jemi në lartësinë e të qenit bashkudhëtarë të tyre dhe t’iu rrimë në krah me sa më shumë dinjitet”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

    Këtë të mërkurë paradite, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkruan një marrëveshje për mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre profesional, si dhe njohjen nga afër në terren me të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.

  • Bernardo Silva:Për të ardhmen time vendosi vetëm unë

    Bernardo Silva:Për të ardhmen time vendosi vetëm unë

    Mesfushori portugez Bernardo Silava,ka folur lidhur për të ardhmen e tij se ku do ta vazhdojë karrierën.

    Silva ka deklaruar se mund të largohet nga Manchester City në fund të sezonit,dhe thotë se i takon atij të vendosë për të ardhmen e tij.

    “E di saktësisht se çfarë do të bëj, por tani nuk është koha për t’u përqendruar në këtë. Duhet të bëj çmos dhe ta kthej klubin aty ku i takon. Kemi pasur shumë kapitenë që janë larguar, por u takon atyre që kanë më shumë përvojë t’ua kalojnë këtë lojtarëve më të rinj”

    Përndryshe Silva ka marrë oferta të shumta nga klube të ndryshme,duke përfshirë këtu gjigantin italian Juventus,si dhe poashtu edhe klube nga Arabia Saudite dëshirojnë shërbimet e portugezit,kurse edhe gjiganti portugez Benfica është duke shqyrtuar mundësitë për një rikthim të 31 vjeçarit .

    Kujtojmë që Bernardo Silva ka kontratë me Manchester City-in deri në qershor të vitit 2026,teksa këtë sezon ka bërë vetëm 7 paraqitje në këtë sezon.

  • Sllovenia publikon listën për ndeshjet eliminatore ndaj Kosovës dhe Zvicrës

    Sllovenia publikon listën për ndeshjet eliminatore ndaj Kosovës dhe Zvicrës

    Sllovenia ka shpallur listën e lojtarëve për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ekipi i Matjazh Kek do të përballet me Kosovën më 10 tetor në Prishtinë dhe me Zvicrën më 13 tetor në Lubjanë.

    Në krye të sulmit slloven do të jetë ylli i Manchester Unitedit, Benjamin Šeško.

    Në ndeshjet e shtatorit, Sllovenia barazoi 2:2 ndaj Suedisë dhe u mposht 3:0 nga Zvicra në udhëtim. Lista e re nuk paraqet ndryshime të mëdha krahasuar me grumbullimin e kaluar.

    Selektori Kek është i vetëdijshëm për rëndësinë e sfidave që e presin skuadrën e tij:

    “Pas rezultateve të shtatorit, është e qartë që ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare për ecurinë tonë në kualifikime. E dimë çfarë na pret në Prishtinë dhe më pas në shtëpi ndaj Zvicrës. Me gjithë respektin për të dy kundërshtarët, duhet t’i fitojmë këto ndeshje nëse duam të arrijmë objektivat tona,” tha ai në konferencën për media. /ATVLIVE.TV

  • Arrestohen tre të mitur në Mitrovicë të Veriut, dyshohen për lëndim të lehtë

    Arrestohen tre të mitur në Mitrovicë të Veriut, dyshohen për lëndim të lehtë

    Tre të mitur janë arrestuar sot në Mitrovicën e Veriut për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.

    Në njoftimin e policisë thuhet se të arrestuarit janë: I.D. – 2010, J.S. – 2010, V.M. – 2011.

    “Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë mbi dyshimet e bazuara se ata janë të përfshirë në rastin e raportuar më 28 shtator në Mitrovicë të Veriut, kur ankuesi kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht derisa po lëvizte në rrugën ‘Lola Ribar’ dhe të njëjtët gjithashtu kishin kanosur nipin e tij të mitur, ankuesi pas rastit kishte pranuar edhe trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë liruar.

    “Arrestimi i të miturve është realizuar në qytetin e Mitrovicës së Veriut, ndërsa ata janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, të njëjtët janë liruar, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale: ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Kanosje’”, ka njoftuar Policia.

  • Paralajmërim për mot të keq, Komuna e Prishtinës – qytetarëve: Kujdes në komunikacion, ka rrezik për përmbytje

    Paralajmërim për mot të keq, Komuna e Prishtinës – qytetarëve: Kujdes në komunikacion, ka rrezik për përmbytje

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët që të jenë të kujdesshëm, pasi nga 1 deri më 3 tetor pritet një ulje e ndjeshme e temperaturave.

    Sipas Drejtorisë, në disa zona malore të kryeqytetit mund të ketë edhe reshje bore.

    Po ashtu, Drejtoria ka apeluar që qytetarët të tregojnë kujdes në qarkullim për shkak të lagështisë dhe mundësisë së akullit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara nga përmbytjet.

    “Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë periudhës 1–3 tetor 2025 priten reshje intensive shiu në Prishtinë dhe rrethinë, të cilat mund të shkaktojnë vështirësi në komunikacion dhe rrezik për përmbytje të shpejta. Temperaturat do të ulen ndjeshëm, duke arritur deri në 1–2°C. Në zonat malore pranë kryeqytetit ka mundësi të bien reshje bore, sidomos gjatë netëve më të ftohta ose në rast të reshjeve të vazhdueshme. Këshilla për qytetarët: tregoni kujdes në qarkullim për shkak të lagështisë dhe mundësisë së akullit dhe shmangni lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Ju lutemi të merrni masat e nevojshme për sigurinë tuaj.”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë në Facebook.