ATV

Blog

  • Presidentja Osmani pritet nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës

    Presidentja Osmani pritet nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është pritur me nderime nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës.

    Osmani përmes një postimi në Facebook, theksoi mikpritjen e ngrohtë në Kopenhagë para fillimit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian.

    “Faleminderit Lartmadhërive të Tyre, Mbretit dhe Mbretëreshës së Danimarkës, për mikpritjen e ngrohtë në Kopenhagë para fillimit të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian”, shkroi e para e shtetit.

  • Kronika zgjedhore: Dita 19 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 19 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e nëntëmbëdhjetë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Buzhala:Rama ka abuzuar me pushtetin

    Buzhala:Rama ka abuzuar me pushtetin

    Gazetari Mentor Buzhala akuzoi kryetarin aktual të kryeqytetit, Përparim Ramën, për abuzim me pushtetin.

    Sipas Buzhalës, shmangia nga ballafaqimi me kundërkandidatët është në favor të Ramës.

    “Gjithë kohës do të sulmohet për dy arsye: e para, sepse ka abuzuar me pushtetin – unë kam rreth 150 shkrime për këtë; dhe e dyta, sepse nuk i ka përmbushur premtimet,” deklaroi Buzhala.

    Ai vlerëson se nëse do të kishte një debat mes kandidatëve për Prishtinën, më i dëmtuari në këtë mes do të ishte kandidati i PDK-së, Uran Ismaili.

    “Edhe në këtë kuptim, pse ai duhet të përballet? Me çfarë? Gjatë gjithë kohës në debat do të jetë në mbrojtje, sepse do të sulmohet vazhdimisht. Nëse do të kishim një debat me tre persona, më i dëmtuari do të ishte Ismaili, sepse debati do të orientohej te Çeku dhe për akuzat ndaj tij,” tha Buzhala.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Demi tregon si duhet te zhvillohen debatet

    Demi tregon si duhet te zhvillohen debatet

    Gjatë debatit në emisionin “CONTEXT” në ATV, Agron Demi nga Instituti ATLAS ka propozuar mënyra më efikase për organizimin e debateve gjatë fushatës zgjedhore.

    “Sipas meje, do të duhej të bëhej njëfarë orari i përbashkët medial, ashtu siç ndodh në Amerikë. Organizohen debate me short, disa kandidatë shkojnë në një medium, me të njëjtin format dhe të njëjtat pyetje, për shkak se tash po shoh që debatet po përsëriten – njësoj në RTK, njësoj në KTV,” tha Demi.

    Ai theksoi se sot situata me mediat është shumë më ndryshe krahasuar me të kaluarën.

    “Para 8 apo 12 vitesh, kur mbaheshin fushatat, i kishe vetëm tri televizione dhe ishte më e lehtë për secilin kandidat të merrte pjesë. Tash, deri te kanali numër 10, janë 9 televizione që organizojnë debate ,” shtoi Demi.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Bashkimi i Prizrenit eliminohet nga FIBA Europe Cup pas humbjes ndaj Anwil

    Bashkimi i Prizrenit eliminohet nga FIBA Europe Cup pas humbjes ndaj Anwil

    Bashkimi i Prizrenit ka përfunduar rrugëtimin e tij në kualifikimet e FIBA Europe Cup pas humbjes së thellë në ndeshjen e dytë kundër skuadrës polake Anwil me rezultat 93-71.

    Pjesa e parë ishte e barabartë, me çerekun e parë dhe të dytë të mbyllur 21-21 dhe 25-21, duke i dhënë Anwil një avantazh të lehtë 46-42. Bashkimi rezistoi edhe në çerekun e tretë, 18-17, por çereku i fundit ishte vendimtar, ku polakët dominuan 29-12 dhe siguruan fitoren e tyre të thellë.

    Te Bashkimi, më i dalluari ishte Isaiah Cousins me 16 pikë, ndërsa Da’Quon Lake shtoi 15 pikë. Jeremiah Bailey dhe Jan Palokaj kontribuan me nga 9 pikë secili. Te Anwil, kapiteni Michal Michalak ishte lider me 18 pikë.

    Megjithëse Bashkimi kishte fituar ndeshjen e parë 80-75, humbja me diferencë të madhe në takimin e dytë e eliminoi nga gara, duke lejuar Anwil të kualifikohet në Grupin F të sezonit të rregullt, ku do të jetë edhe kampionia e Kosovës, Trepça, si dhe PAOK-u i Selanikut dhe Braunschweig nga Gjermania.

    Tashmë, ekipi prizrenas do të fokusojë energjitë te Superliga e Kosovës, ku xhiroja e parë nis këtë fundjavë.

  • Zeqiri: Tregon arsyen pse Rama nuk po merrë pjesë në debatet televizive

    Zeqiri: Tregon arsyen pse Rama nuk po merrë pjesë në debatet televizive

    Gazetari Florent Zeqiri, në emisionin “CONTEXT” në ATV, ka shpjeguar arsyen pse kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, nuk ka marrë pjesë në debatet televizive.

    “Sipas informatave që kam, Përparimi nuk e ka pranuar përballjen e sotme sepse ka dhënë njëfarë premtimi për të qenë më 6 tetor në një medium të caktuar, dhe deri atëherë nuk e ka ndërmend të marrë pjesë në debate të tjera,” tha Zeqiri.

    Ai kritikoi këtë qasje, duke e cilësuar si të papranueshme shmangien e përballjeve publike, sidomos në media të rëndësishme.

    “Është e papranueshme të iket nga përballja në mediume, sidomos në televizione kryesore. Në fund të fundit, është televizioni ai që informon qytetarët dhe, në një farë forme, ndihmon që ata të krijojnë mendim se kujt t’ia japin votën,” theksoi Zeqiri.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • KB Prishtina triumfon ndaj BC Gimle në nisjen e ENBL

    KB Prishtina triumfon ndaj BC Gimle në nisjen e ENBL

    KB Prishtina ka nisur me fitore rrugëtimin e saj në Ligën e Evropës së Basketbollit (ENBL), duke mposhtur në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve” ekipin norvegjez BC Gimle me rezultat 90-79.

    Çerekun e parë e nisën më mirë mysafirët, të cilët fituan 18-13, por pas kësaj kryeqytetasit morën kontrollin e ndeshjes. Çereku i dytë përfundoi 23-15 për Prishtinën, duke rikthyer epërsinë në favor të saj.

    I njëjti ritëm vazhdoi edhe në pjesën e dytë: çereku i tretë u mbyll 24-19 për Prishtinën, ndërsa i katërti 30-27, duke vulosur fitoren e ekipit bardhëekaltër.

    Katër lojtarë të Prishtinës arritën pikë dyshifrore, ndërsa më i dalluari ishte Deondre Burns me 30 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime. Don Polloshka shtoi 15 pikë, tre kërcime dhe katër asistime, Adrio Bailey gjithashtu realizoi 15 pikë, ndërsa Lamb Autrey kontribuoi me 12 pikë.

    Prishtina ndodhet në Grupin B të ENBL-së dhe ndeshjen e radhës do ta luajë ndaj Brussels Basketball në udhëtim.

  • Sefaj: Shmangia e debateve është arrogance, duhet të hakmerren në balotazh

    Sefaj: Shmangia e debateve është arrogance, duhet të hakmerren në balotazh

    Analisti Ali Sefaj ka kritikuar kandidatët që shmangin përballjet publike në kuadër të zgjedhjeve lokale, duke e quajtur këtë sjellje një formë arrogance, për të cilën, sipas tij, qytetarët duhet të hakmerren në raundin e dytë të zgjedhjeve.

    “Në rast se ndonjëri prej kandidatëve nuk vjen të ballafaqohet me kundërkandidatët, ata që nuk e kanë fatin të kalojnë në balotazh, ose që nuk i marrin votat për të shkuar në raundin e dytë, duhet të mos e mbështesin ose ta kundërshtojnë,” deklaroi Sefaj.

    Sipas tij, zgjedhjet në Kosovë nuk fitohen përmes rrjeteve sociale.

    “Unë mendoj se në Kosovë nuk fitohet me Facebook e as me TikTok. Nëse do të fitohej kështu, Uran Ismaili do ta kishte fituar garën katër vite më parë, sepse e kishte një ndër fushatat më të mira që janë parë në Ballkan, jo vetëm në Kosovë,” theksoi Sefaj.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Hamiti: Ikja e Përparim Ramës nga debatet është një taktikë zgjedhore

    Hamiti: Ikja e Përparim Ramës nga debatet është një taktikë zgjedhore

    Vendimin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, për të mos marrë pjesë në debate, analisti Lavdim Hamiti e vlerëson si një zgjidhje jo të mirë.

    Sipas Hamitit, shmangia e debateve është një taktikë që përdoret nga kandidatët.

    “Dihet prej fillimit se do të ketë balotazh. Do të ketë edhe me Përparim Ramën, andaj nuk duhet t’i ikë debatit. Mirëpo, me gjasë kjo po shihet si taktikë, sepse janë të sigurt se do të shkojnë në balotazh, dhe atje do të kenë përballje vetëm me një kundërkandidat. Ta zëmë, nëse Përparim Rama shkon në balotazh, do të ballafaqohet vetëm me njërin prej këtyre kandidatëve dhe do të jetë më i përgatitur,” deklaroi Hamiti.

    Ai shtoi se mungesa e ballafaqimeve i dëmton kandidatët për kryetarë komunash.

    “Besoj që mosballafaqimi i dëmton, sepse kundërkandidatët po shprehen lirshëm, për shkak se nuk po ka debat. Kjo është një disavantazh për të gjithë kandidatët që po i ikin debateve,” theksoi Hamiti.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Serbia–Shqipëri, ndeshja shpallet me rrezik të lartë sigurie

    Serbia–Shqipëri, ndeshja shpallet me rrezik të lartë sigurie

    Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar se ndeshja e ardhshme kundër Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Dubočica” në Leskovac, është klasifikuar si një përballje me rrezik të lartë sigurie.

    Sipas njoftimit, FIFA do të dërgojë dy zyrtarë sigurie në vendin e ngjarjes për të garantuar sigurinë e lojtarëve dhe spektatorëve. Ky vendim vjen pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen Serbi–Shqipëri në vitin 2014, kur një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes dhe përleshje midis lojtarëve dhe tifozëve.

    Për shkak të riskut të lartë, ndeshja do të zhvillohet në një stadium më të vogël me kapacitet të reduktuar, për të mundësuar kontroll më të mirë të tifozëve dhe për të parandaluar çdo incident.

    Ky takim është pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 dhe konsiderohet një ngjarje me interes të lartë për të dy kombet, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave maksimale të sigurisë.

    Në këtë mënyrë, autoritetet sportive synojnë të sigurojnë që ndeshja të zhvillohet në një atmosferë sportive dhe paqësore.