ATV

Blog

  • Carlo Ancelotti shpall listën e Brazilit për miqësoret ndaj Koresë së Jugut dhe Japonisë

    Carlo Ancelotti shpall listën e Brazilit për miqësoret ndaj Koresë së Jugut dhe Japonisë

    Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka publikuar listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore që “Seleção” do të zhvillojë gjatë muajit tetor, kundër Koresë së Jugut më 10 tetor dhe Japonisë më 14 tetor.

    Një nga lajmet më të rëndësishme në këtë listë është rikthimi i Carlos Augustos, mbrojtës i Interit, i cili nuk ishte përfshirë në grumbullimet e mëparshme të shtatorit, por tani rikthehet në dispozicion të përfaqësueses braziliane.

    Përveç tij, trajneri Ancelotti ka ftuar edhe një tjetër futbollist të Serisë A, Wesley, mesfushorin e Romës, i cili është konfirmuar në listë pas paraqitjeve të mira në grumbullimin e fundit.

    Në mesin e emrave të mëdhenj që përfaqësojnë Brazilin, spikasin lojtarë me përvojë dhe klas botërore, të cilët aktualisht luajnë në klubet më prestigjioze evropiane:

    Ederson (portier, Fenerbahçe) — megjithëse u transferua kohët e fundit, mbetet zgjedhje kryesore në portën e Brazilit.

    Éder Militão (mbrojtës, Real Madrid)

    Gabriel Magalhães (mbrojtës, Arsenal)

    Casemiro (mesfushor, Manchester United)

    Lucas Paquetá (mesfushor, West Ham)

    Në repartin sulmues, brazilianët mbeten të fuqishëm me yjet e tyre:

    Vinicius Jr. dhe Rodrygo (të dy nga Real Madrid)

    Estevão, talent i ri i Chelsea-t, i cili po e bën emër në futbollin evropian

    Matheus Cunha (Manchester United)

    Gabriel Martinelli (Arsenal)

    Richarlison (Tottenham Hotspur)

    Ky grup i përbërë nga përvojë dhe rinovim synon të përgatitet maksimalisht për ndeshjet miqësore, që do t’u shërbejnë brazilianëve si test për fazat finale të turneve ndërkombëtare që po afrojnë. /ATVLIVE.TV

  • Kombëtarja e Zvicrës publikon listën për ndeshjet e tetorit — tre shqiptarë në ekip

    Kombëtarja e Zvicrës publikon listën për ndeshjet e tetorit — tre shqiptarë në ekip

    Kombëtarja e Zvicrës ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e rëndësishme kualifikuese të muajit tetor, që luhet në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

    Në këtë listë spikasin edhe tre futbollistë me origjinë shqiptare, të cilët pritet të kenë një rol kyç në skuadër. Mes tyre është edhe Ardian Bajrami, mbrojtësi i cili më parë ka përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë, por tani është pjesë e përfaqësueses zvicerane.

    Përveç Bajramit, trajneri Murat Yakin ka ftuar edhe dy emra të njohur shqiptarë që kanë qenë pjesë e kombëtares zvicerane në vitet e fundit: sulmuesin e talentuar Andi Zeqiri dhe kapitenin, Granit Xhaka.

    Këto dy sfida janë mjaftë të rëndësishme për Zvicrën, ata luajnë kundër Suedisë -një prej rivalëve kryesorë në grup me datë 10 tetor. Ndërsa tri ditë më vonë kundër Sllovenisë.

    Të dyja këto ndeshje pritet të jenë shumë të vështira, pasi secila skuadër kërkon pikët për të marrë një vend në Kampionatin Botwror, ndërsa Zvicra synon të ruajë pozitën e saj në krye të grupit. /ATVLIVE.TV

  • Sigal Prishtina e nis me fitore edicionin në Ligën ENBL

    Sigal Prishtina e nis me fitore edicionin në Ligën ENBL

    Sigal Prishtina e ka nisur me sukses edicionin e ri në European North Basketball League (ENBL), duke triumfuar në ndeshjen hapëse ndaj skuadrës norvegjeze BC Gimle me rezultat 90:79.

    Pavarësisht se e humbën çerekun e parë, bardhekaltrit u rikthyen fuqishëm dhe dominuan në tre periudhat e mbetura të lojës. Me një paraqitje të disiplinuar dhe efikase, kryeqytetasit siguruan fitoren e parë në këtë edicion me 11 pikë epërsi.

    Në këtë takim u dallua amerikani Deondre Burns, i cili ishte vendimtar me 30 pikë dhe 5 kërcime, duke udhëhequr ekipin drejt suksesit.

    Kjo është hera e dytë që Sigal Prishtina merr pjesë në këtë garë evropiane. Klubi pritet të zhvillojë gjithsej tetë ndeshje në fazën e grupeve — katër në shtëpi dhe katër jashtë fushe. /ATVLIVE.TV

  • Drita nis një kapitull të ri në Ligën e Konferencës

    Drita nis një kapitull të ri në Ligën e Konferencës

    Një kapitull i ri dhe historik nis sot për kampionin aktual të Kosovës, FC Drita, e cila për herë të parë në historinë e saj do të luajë në fazën e grupeve të UEFA Europa Conference League.

    Pas një ecurie të shkëlqyer në raundet kualifikuese, gjilanasit kanë siguruar pjesëmarrjen në këtë fazë prestigjioze dhe sot nisin zyrtarisht aventurën evropiane në Finlandë.

    Ndeshja e parë do të zhvillohet në qytetin Tampere, ku KuPS (Kuopion Palloseura) do të jetë nikoqire e sfidës së parë të Grupit.

    Skuadra finlandeze KuPS shihet si favorite në letër, falë përvojës ndërkombëtare dhe avantazhit të terrenit vendas. Megjithatë, Intelektualët synojnë të shfrytëzojë momentin historik për të dhënë maksimumin dhe për të kërkuar një rezultat pozitiv në këtë debutim.

    Gjilanasit janë të vendosur të tregojnë se nuk janë pjesëmarrës rastësor në këtë garë, duke kërkuar të befasojnë që në hapin e parë. /ATVLIVE.TV

  • Bashkimi shkruan histori: Kualifikohet për herë të parë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup

    Bashkimi shkruan histori: Kualifikohet për herë të parë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup

    Pavarësisht humbjes në ndeshjen e fundit eliminatore, Bashkimi ka arritur një sukses historik për basketbollin prizrenas dhe atë kosovar, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

    Ky kualifikim u mundësua falë një rregulli të veçantë të kompeticionit. Sipas rregullores së FIBA-s, tre ekipet që regjistrojnë humbjet me diferencën më të vogël në fazën eliminatore përzgjidhen si “lucky losers”, duke fituar të drejtën të vazhdojnë garën.

    Bashkimi ishte një prej këtyre skuadrave, duke shënuar një moment historik për klubin dhe për basketbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.

    “Rrugëtimi ynë në Evropë do të vazhdojë! Zyrtarisht jemi pjesë e grupeve të FIBA Europe Cup, për herë të parë në historinë e klubit”, ka shkruar klubi në një postim zyrtar.

    Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese të mbajtura të mërkurën, lista prej 40 skuadrash që do të marrin pjesë në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup 2025-26 është tashmë e plotësuar.

    Ndërkohë që Trepça ishte e konfirmuar më herët si pjesëmarrëse në fazën e grupeve, tani edhe Bashkimi i ka mësuar kundërshtarët e vet. Prizrenasit do të garojnë në Grupin J, ku do të përballen me:

    • JDA Dijon Basket (Francë)

    • Pallacanestro Reggiana (Itali)

    • KK Cibona (Kroaci)

    Sezoni i rregullt i FIBA Europe Cup pritet të nisë të martën, më 14 tetor, ndërsa orari i plotë i ndeshjeve do të konfirmohet në ditët në vijim. /ATVLIVE.TV

  • Moti sot: Reshje intensive shiu, borë në disa zona

    Moti sot: Reshje intensive shiu, borë në disa zona

    Sot parashikohet mot i vranët dhe me reshje të dendura atmosferike. Fillimisht reshjet do të jenë në formë shiu, ndërsa në zonat malore në formë bore. Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, reshjet gradualisht do të shndërrohen në shqotë dhe borë edhe në disa zona të ulëta, veçanërisht në Rrafshin e Kosovës, njofton MeteoKosova.

    Reshjet më intensive parashikohen në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës, me përqendrim më të madh në zonat juglindore, lindore dhe verilindore.

    Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, mund të ketë vërshime lokale, ndërsa në zonat me reshje bore pritet të formohen shtresa bore.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 4 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 5 deri në 8°C. Gjatë orëve të pasdites temperaturat do të vazhdojnë të ulen tutje.

  • Covey vazhdon dëshminë edhe sot në Speciale

    Covey vazhdon dëshminë edhe sot në Speciale

    Dëshmitari i katërt i Mbrojtjes së Thaçit, James (Jock) Covey, vazhdon edhe sot dëshminë e tij në Speciale.

    Dëshmitari James Peter Covey, në dëshminë e tij në Hagë, ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka ndërlidhje me asnjë nga pretendimet e prokurorisë për veprimtari kriminale nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Dëshmia e tij vazhdon me pyetjet shtesë të avokatit Luka Mishetiq.

    James (Jock) Covey është dëshmitari i thirrur nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, Covey ka shërbyer si Zëvendës Kryesor i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën gjatë periudhës përkatëse.

  • Driton Lajçi kujton protestën e vitit 1997

    Driton Lajçi kujton protestën e vitit 1997

    1 Tetori shënon 28-vjetorin e protestës së madhe studentore kundër regjimit serb.

    Ndërkaq, njëri prej organizatorëve të kësaj proteste, Driton Lajçi, tregon qëllimet e kësaj proteste masive.

    “Qëllimi jonë i asaj kohe, në vija të trasha, ishte që të krijohen kushtet, të krijohen mundësitë, të krijohen rrethanat që gjeneratat të cilat do të vinin pas nesh të bëjnë jetë normale, të jenë të lira, të zhvillohen në aspektin personal e profesional, të mos kenë mbi kokë kërbaçin e milicisë serbe,” tha Lajçi.

    Sipas Lajçit, gjendja në atë periudhë shkonte në disfavor të studentëve.

    “Kishin kaluar diku 7 vite që nga shthurja e Jugosllavisë dhe Kosova nuk ishte përfshirë as në Konferencën e Londrës, as në Konferencën e Dejtonit në SHBA. Partitë politike të asaj kohe u përpoqën që të bëjnë diçka, megjithatë gjendja në terren ishte krejtësisht ndryshe, shkonte në disfavor të studentëve,” shtoi Lajçi.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • IKD:Tetë kandidatë për kryetarë komunash me probleme ligjore

    IKD:Tetë kandidatë për kryetarë komunash me probleme ligjore

    8 kandidatë nga 206 gjithsej në garën për kryetarë komunash kanë probleme me ligjin, sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Vlerësimin dhe verifikimin e kandidatëve, si dhe certifikimin e tyre, e ka bërë Zyra Ligjore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Megjithatë, sipas Flamur Kabashit nga IKD, kandidimi u ndalohet personave të dënuar në tri vitet e fundit.

    “Duhet pasur parasysh dhe sqaruar se, aktualisht, sipas dispozitave ligjore, ekziston kufizimi që ndalon kandidimin, sepse kandidati është i papërshtatshëm për të pasur të drejtën e kandidimit nëse është i dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë nga gjykata, pavarësisht dënimit që ka marrë,” deklaroi Kabashi.

    Sipas tij, megjithatë ka progres në këtë drejtim, pasi këtë vit ka më pak kandidatë me të kaluar penale në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Policia ndalon edukatoren në Pejë për 48 orë për keqtrajtim të një fëmijës

    Policia ndalon edukatoren në Pejë për 48 orë për keqtrajtim të një fëmijës

    Një edukatore në Pejë është arrestuar sot nën dyshimet se ka keqtrajtuar një fëmijë.

    Në një lidhje direkte në emisionin “COMPASS” në ATV, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, konfirmoi rastin.

    “Dyshohet se është ushtruar dhunë ndaj një fëmije të moshës së ndjeshme, konkretisht 2-vjeçare. Në këtë rast, edukatorja e kopshtit fillimisht është intervistuar nga Policia e Kosovës, ndërkaq me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë,” tha Nikçi.

    Rasti fillimisht është raportuar nga prindërit e fëmijës, të cilët kishin dyshime për keqtrajtim.

    Mirëpo, pas sigurimit të incizimeve, prokuroria ka hasur në dhunë fizike.

    Sipas zëdhënësit të prokurorisë në Pejë, brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të paraqesë kërkesë për të siguruar praninë e të pandehurës në procedurë penale.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.