ATV

Blog

  • Vendimi i Kushtetueses, Kurti: Vota për Emilja Rexhepin s’mund të anulohet, serb është edhe Rashiqi

    Vendimi i Kushtetueses, Kurti: Vota për Emilja Rexhepin s’mund të anulohet, serb është edhe Rashiqi

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e konsideron humbje kohe që Kuvendi i Kosovës nuk po funksionon.

    Ai ka shtuar se karrigen e nënkryetarit serb nuk është duke e zënë askush.

    Sipas Kurtit, votimi për Emilja Rexhepin nuk mund të anulohet.

    Ai tha se i propozuari nga Lista Serbe mori 10 vota, e Nenad Rashiqi 56 sosh.

    “Konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Kosovës. Kuvendi e ka zgjedhur kryetarin, Dimal Bashën, i ka zgjedhur katër nënkryetarët, Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin, askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga komuniteti serb. Është dashur që të vazhdojë puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur. Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet. Prandaj ne kemi ngelur vetëm te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb. Por mos harroni, nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori vetëm 10 vota, e Nenad Rashiq 56. Vetëm pesë vota t’ia jepnin këta 52 që janë të opozitës, sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”, tha ai.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe kapjen e dy personave, dyshohen për vjedhje

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe kapjen e dy personave, dyshohen për vjedhje

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët që të identifikojnë dhe lokalizojnë dy të dyshuar për veprën vjedhje.

    Të dyshuarve iu është publikuar edhe fotografi nga ana e Policisë për t’i identifikuar.

    Postimi i plotë:

    Kërkesë për bashkëpunim – identifikim i personave të dyshuar

    Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Graçanicë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personave që shihen në fotografi.

    Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje veprën vjedhje.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tyre, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected].

  • Aksidentohen pesë vetura në rrugën Prishtinë-Pejë, nuk dihet numri i të lënduarve

    Aksidentohen pesë vetura në rrugën Prishtinë-Pejë, nuk dihet numri i të lënduarve

    Disa persona kanë pësuar lëndime si shkak i një aksidenti mes pesë veturave në rrugën Prishtinë-Pejë, në afërsi të Komoranit.

    Rastin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

    “Sot rreth orës 11:40, në rrugën Pejë -Prishtinë afër Komoranit, është raportuar një aksident trafiku ku te përfshira kane qene 5 automjete dhe disa persona kanë kërkuar ndihme mjekësore. Njësitet kompetente policore për menaxhimin e trafikut ne autostradë janë duke u marr me procedurat e nevojshme te vendit te ngjarjes dhe identifikimin e shkaktareve te këtij aksidenti”, tha Hoxha.

    Hoxha ndër të tjera tha se sot ka pasur raportime edhe për aksidente tjera, ku njësitet policore kane reaguar me kapacitetet në dispozicion.

    “Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti tek shoferët e automjeteve që të jenë vigjilent gjatë ngasjes, posaçërisht kujdes të shtuar të kenë gjatë periudhave kur kemi reshje atmosferike kur zvogëlohet dukshmëria dhe rrugët bëhen të rrëshqitshme. Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndërmerr veprime aktive ne menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve duke angazhuar njësitet relevate te saj ne funksion të zbatimit të ligjit dhe rregullave në trafikun rrugor”, tha Hoxha.

  • Mishetiq: S’mund ta përfundojmë çështjen më 14 nëntor, as ta dorëzojmë dosjen përfundimtare më 22 dhjetor

    Mishetiq: S’mund ta përfundojmë çështjen më 14 nëntor, as ta dorëzojmë dosjen përfundimtare më 22 dhjetor

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë dëshmitari James Peter Covey në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmitari kërkoi që të bëjë një koment, por nuk iu lejua nga trupi gjykues me arsyetimin se nuk mund të zhvillohet me pyetjet pasuese, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Pasi doli dëshmitari nga salla, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha se mbrojtja nuk do të jetë në gjendje që ta përfundojë çështjen e tyre më 14 nëntor ashtu siç është përcaktuar nga trupi gjykues.

    Përveç kësaj, ai tha se nuk do të mund t’i përmbahen as afatit për dorëzimin e dosjes përfundimtare.

    “Nuk do të jetë e mundur që të përfundojmë me datën 14 dhe për të dërguar mocionet e tjera që na duhen, e po ashtu edhe dosjen përfundimtare të datës 22 dhjetor”, tha Mishetiq.

    Mishetiq njoftoi se do ta bëjnë një kërkesë të përbashkët për t’i shtyrë këto afate, por pasi të bisedojnë edhe me Prokurorinë.

    “Pra, ne presim që ta bëjmë një kërkesë të përbashkët për ta shtyrë këtë afat përpara se ta bëjmë këtë kemi folur me Prokurorinë dhe do të komunikojmë inter-partes për të arritur një marrëveshje përpara se të vijmë me kërkesën tonë për këtë shtyrje afati”, tha Mishetiq.

    Kurse, avokati i Veselit, Rodeny Dixon tha se janë edhe një numër apelesh të cilat duhet të merren parasysh në kuadrin e provave të përbashkëta dhe në kuadër të asaj që do pranohet në prova.

    Dixon tha se këto apele kanë të bëjnë me raporte mjeko-ligjore, përgjime dhe me dëshmitarë të Rregullës 155. Tha se këto duhet të merren parasysh kur të merren vendimet lidhur me afatin kohor që e përmendi Mishetiq.

    Me kaq përfundoi seanca e sotme në këtë rast gjyqësor.

  • Murat Yakin:Dëshira e Adrian Bajramit ishte të luante për Zvicrën

    Murat Yakin:Dëshira e Adrian Bajramit ishte të luante për Zvicrën

    Selektori i Kombëtares së Zvicrës Murat Yakin,ka folur për futbollistin Adrian Bajrami që zgjodhi helvetikët para Kombëtares Shqiptare.

    Yakin në një konferncë ka deklaruar se Bajrami dëshironte të luante për Zvicrën,dhe thotë se ishte edhe dëshira e tij për të luajtur me helvetikët.

    “Ai ka shtuar se Bajrami ishte shumë i qartë se donte të luante për Zvicrën.Sjellja e tij ishte e qartë dhe ne u bindëm shpejt prej tij”

    Përndryshe Yakin shton se Bajrami e meriton një shans për të dëshmuar veten tek Zvicra,dhe beson se me Zvicrën ai mund të arrij shumë në arenën ndërkombëtare.

    Kujtojmë që Adrian Bajrami ka qenë i ftuar tek Kombëtarja Shqiptare për ndeshjet e muajit shtator kundër Gjibraltarit dhe Letonisë,por më pas vendosi që të përfaqësojë tek Kombëtarja e Zvicrës  .

  • Zgjedhjet lokale, zbulohet data se kur do të mbahet balotazhi

    Zgjedhjet lokale, zbulohet data se kur do të mbahet balotazhi

    Më 12 tetor 2025 do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, ku qytetarët do të votojnë për përfaqësuesit e rinj në nivel komunal.

    Në ato komuna ku asnjëri nga kandidatët për kryetar komune nuk arrin të sigurojë mbi 50% të votave, procesi do të shkojë në balotazh.

    Sipas Valmir Elezit, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, balotazhi do të mbahet më 9 nëntor 2025.

    “Secili kryetar i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Në fletëvotim, votuesi duhet të votojë vetëm njërin nga kandidatët për kryetar të komunës. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet rundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, ka thënë ndër të tjera ai.

  • Dafina Zeqiri realizon fotosesion të veçantë me djalin e saj, Daskanin dhe Kreshnikun

    Dafina Zeqiri realizon fotosesion të veçantë me djalin e saj, Daskanin dhe Kreshnikun

    Artistja e njohur shqiptare, Dafina Zeqiri, ka emocionuar ndjekësit e saj në rrjetin social Instagram me një seri fotografish të veçanta familjare.

    Këto janë imazhet e para që ajo ndan publikisht me djalin e saj të vogël, Daskanin, i cili erdhi në jetë pak muaj më parë dhe tashmë është kthyer në “qershinë mbi tortë” të jetës së saj.

    Në këtë sesion fotografik intim dhe të ndjeshëm, Dafina shfaqet përkrah partnerit të saj, Kreshnikut, dhe djalit të tyre, duke reflektuar dashuri, ngrohtësi dhe një harmoni të veçantë familjare. Ndriçimi i butë dhe atmosfera e ngrohtë e fotove theksojnë emocionet e sinqerta që çifti ndan për prindërimin dhe lidhjen e tyre të re si familje.

    Fotografia e parë është një siluetë prekëse që flet më shumë se fjalët – Kreshniku puth Dafinën në ballë ndërsa ata të dy mbajnë në krahë vogëlushin Daskani. Një moment që simbolizon dashurinë dhe përkushtimin, jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj jetës së re që kanë krijuar së bashku.

    Ky postim i veçantë nga Dafina ka marrë menjëherë shumë komente pozitive dhe përkrahje nga fansat e saj, të cilët kanë ndarë urime dhe fjalë të ngrohta për këngëtaren dhe familjen e saj të re. Pas një karriere të suksesshme në muzikë, duket se Dafina po përjeton një nga kapitujt më të bukur dhe të plotësuar të jetës së saj, transmeton Telegrafi.

    Ky sesion fotografik shënon jo vetëm një moment personal të rëndësishëm, por edhe një dëshmi të dashurisë që ajo dëshiron të ndajë me botën – një dashuri që tashmë ka një emër: Daskani.

  • Nesër mbyllet afati i aplikimeve për subvencionimin e librave

    Nesër mbyllet afati i aplikimeve për subvencionimin e librave

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se afati për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore mbyllet nesër, më 3 tetor.

    Prindërit dhe kujdestarët ligjorë kanë kohë deri në orën 23:59 për të kompletuar aplikimin e tyre përmes platformës online e-Kosova.

    Sipas Ministrisë, interesi ka qenë jashtëzakonisht i lartë, me mbi 203 mijë aplikime të pranuara që nga 15 gushti.

    Deri më tani, nga ky proces janë aprovuar mbi 195 mijë kërkesa, duke mundësuar përfitimin për një numër të madh të nxënësve në mbarë vendin.

    Pas mesnatës së ditës së premte, platforma do të mbyllet për aplikime të reja dhe nuk do të pranohen më kërkesa të tjera.

  • Granit Xhaka në listën për lojtarin e muajit shtator në Premierligë

    Granit Xhaka në listën për lojtarin e muajit shtator në Premierligë

    Mesfushori shqiptar Granit Xhaka,është bërë një ndër liderët tek skuadra angleze Sunderland.

    Paraqitjet e mira tek ekipi i sapoinkuadruar në Premierligë ka bërë që Xhaka të nominohet për lojtarin e muajit shtator,duke hyrë në mesin e emrave si: Haaland, Minteh, Zubimendi, Kamada dhe bashkëlojtari i tij tek Sunderland Roefs.

    Përndryshe të premten do të dihet se cili do të jetë fitues i këtij çmimi,dhe do të ishte fantastike nëse Xhaka do ta fitonte epitetin si lojtar i muajit në Premierligën angleze.

    Kujtojmë që Granit Xhaka që prej se u transferua tek Sunderland bëri 6 paraqitje,duke arritur të bëjë vetëm 3 asistime.

  • Dy nxënës plagosen me thikë në gjimnaz në Kamëz

    Dy nxënës plagosen me thikë në gjimnaz në Kamëz

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku dy nxënës janë plagosur me thikë jashtë ambienteve të shkollës pas një konflikti.

    Nxënësit e plagosur, me inicialet A.L. dhe B.T., të dy 16-vjeçarë, janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ata aktualisht ndodhen në sallën e urgjencës dhe po ekzaminohen nga mjekët, shkruan A2cnn.

    Gjendja e tyre shëndetësore do të bëhet e ditur vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjekësore.