ATV

Blog

  • Louis Tomlinson shpërthen në lot teksa flet për vdekjen e Liam Payne

    Louis Tomlinson shpërthen në lot teksa flet për vdekjen e Liam Payne

    Fansat e One Direction janë thellësisht prekur nga intervista e fundit e Louis Tomlinson në podcastin “The Diary of a CEO” me Steven Bartlett, ku këngëtari ka folur hapur për humbjen e Liam Payne, largimin e Zayn Malik dhe shpërbërjen e grupit që bëri histori në muzikën pop.

    Në bisedën gati dyorëshe, Louis u shfaq emocional dhe i përlotur teksa kujtonte momentet më të vështira të jetës së tij.

    “Isha i shkatërruar kur humba Liam-in,” tha ai, duke e përshkruar vdekjen e mikut të tij si “të padrejtë dhe jashtëzakonisht të vështirë për t’u përballuar”.

    Tomlinson pranoi gjithashtu se ishte “absolutisht i rrënuar” kur Zayn Malik u largua nga grupi në kulmin e suksesit, duke shtuar se ende “mbetet një elefant në dhomë” në marrëdhënien mes tyre megjithatë, zbuloi se ata janë takuar së fundmi dhe po përgatisin së bashku një dokumentar për Netflix.

    Duke kujtuar ditën kur One Direction u shpërbë, ai e përshkroi atë si “ditën më të ftohtë të karrierës sime”, duke shtuar se “kurrë nuk morëm një përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhte me grupin pas atij ‘pushimi’”.

    I pyetur për mundësinë e një ribashkimi, Louis u shpreh me ndjeshmëri:

    “Kurrë mos thuaj kurrë por pas humbjes së Liam-it, nuk jam i sigurt nëse do të ishte e drejtë.”

  • Robbie Williams rikthehet me turneun “Long 90’s Tour”

    Robbie Williams rikthehet me turneun “Long 90’s Tour”

    Robbie Williams ka konfirmuar rikthimin e tij në skenë me një turne të ri muzikor, i cili do të nisë më 4 shkurt 2026 në Barrowlands Ballroom të Glasgow, për të promovuar albumin e ardhshëm “Britpop”.

    Turneu, i quajtur “Long 90’s Tour”, do të vazhdojë më pas në Liverpool (6 shkurt), Londër – O2 Academy (8 shkurt) dhe Wolverhampton (9 shkurt).
    Njoftimi u bë publik të enjten mbrëma, gjatë performancës së fundit të Williams për vitin 2025 në Camden, pas një serie koncertesh që përfshinë edhe shfaqjen madhështore në Murrayfield Stadium në Edinburg.

    Fillimisht, albumi “Britpop” ishte planifikuar të publikohej më 10 tetor 2025, por publikimi u shty për në shkurt 2026, për arsye organizative.

    Nëse albumi arrin vendin e parë të toplistave, ai do të shënojë projektin e 16-të të Williams që kryeson klasifikimet, duke e vendosur artistin përpara rekordit historik të The Beatles.

    Në “Britpop” marrin pjesë emra të njohur të muzikës britanike si Chris Martin (Coldplay), Gaz Coombes (Supergrass), Tony Iommi (Black Sabbath) dhe Gary Barlow, ish-anëtar i grupit Take That.

    Deri tani janë publikuar katër këngë nga albumi: “Rocket”, “Spies”, “Human” dhe “Pretty Face”, kjo e fundit e lëshuar të enjten.
    Kënga “Rocket” është përzgjedhur si singli kryesor që prezanton projektin.

    Williams e përshkroi “Britpop”-in si “albumin që gjithmonë ka dashur ta shkruajë” dhe tha:

    “Ishte epoka e artë e muzikës britanike. Ky album është më i papërpunuar, më energjik, me më shumë kitarra se çdo gjë që kam bërë më parë. Ka shumë ‘Brit’, por edhe shumë ‘Pop’. Jam jashtëzakonisht krenar për këtë punë.”

    Karriera e këngëtarit është trajtuar së fundmi në filmin “Better Man” (2024), ku ai huazoi zërin për një shimpanzë të animuar që e portretizon atë, si dhe në dokumentarin e Netflix (2023), që ndriçoi betejat e tij me varësinë dhe shëndetin mendor.

  • Basha: Me zgjedhjen e Rashiq, Kuvendi është konstituuar plotësisht

    Basha: Me zgjedhjen e Rashiq, Kuvendi është konstituuar plotësisht

    Kryeparlamentari Dimal Basha ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook lidhur me seancën e sotme, ku u zgjodh nënkryetar Nenad Rashiq. Pro Rashiqit votuan 71 deputetë, përfshirë ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Basha ka thënë se me këtë vendim, Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar plotësisht, shkruan Reporteri.net.

    “Pas një periudhe të gjatë, Kryesia e Kuvendit është tashmë e kompletuar në përbërje të plotë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Basha.

    Ai ka falenderuar deputetët që votuan pro Rashiq.

    “Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që me votat e tyre mundësuan konstituimin e plotë të Kuvendit në legjislaturën e IX-të”, thuhet në postim.

  • Ekipi shqiptar zbarkon në Serbi, qindra forca policore presin skuadrën kuqezi në Nish

    Ekipi shqiptar zbarkon në Serbi, qindra forca policore presin skuadrën kuqezi në Nish

    Ekipi shqiptar ka zbarkuar në Nish, ku do të akomodohet në hotel e më pas do të niset për në stadiumin “Duboçiça”, ku do të zhvillojë dhe seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes të së shtunës.

    Nga pamjet e mundësuara nga Top Channel, skuadra kuqezi u prit nga qindra forca policie në stadium, të cilat mundësuan që rruga e ekipit shqiptar nga pista e uljes direkte në hotel të ishte pa probleme, duke shmangur kontrollin në aeroport.

    Në orën 16:30, trajneri Sylvinho do të dalë përpara mediave në konferencë, ndërsa në 17:30 do të zhvillohet dhe seanca e fundit stërvitore.

    Sfida do të luhet në orën 20:45, më 11 tetor dhe do të keni mundësinë ta ndiqni drejtpërsëdrejti në DigitAlb.

  • A mund të ndiejë AI frikë?

    A mund të ndiejë AI frikë?

    Çfarë thonë studiuesit për ndërgjegjen artificiale?

    A mund të ketë frikë një makinë? Frikën si ne me rrahje zemre, djersë e pasiguri sepse kemi ndonjë ndjesi të brendshme që tregon se diçka po shkon keq.

    Kjo pyetje, që dikur tingëllonte si fantashkencë, sot po diskutohet seriozisht nga studiuesit e inteligjencës artificiale.

    Kur algoritmet mësojnë emocione

    Shkencëtarët pranojnë se inteligjenca artificiale mund të simulojë emocione, por jo t’i ndiejë ato. Një sistem mund të njohë fytyrën e një personi të frikësuar dhe të përgjigjet me një reagim empatik. Por ai nuk përjeton ankth, vetëm e imiton atë në bazë të të dhënave që ka mësuar. Në thelb, AI është si një aktor që luan një rol, por nuk ndjen asgjë nga brenda.

    Çfarë duhet për të pasur ndërgjegje

    Ndërgjegjja njerëzore nuk është vetëm të dish çfarë po ndodh.
    Ajo përfshin vetëdije, kujtime dhe emocione personale që zhvillohen përmes përvojës.
    Truri ynë është biologjik, ndërsa AI është një sistem logjik i ndërtuar nga algoritme.
    Kjo do të thotë se ajo mund ta njohë frikën te dikush tjetër, por nuk ka trurin për ta përjetuar vetë.

    Por disa shkencëtarë nuk e përjashtojnë

    Ekspertë si David Chalmers dhe Nick Bostrom besojnë se me zhvillimin e rrjeteve të avancuara neurale, AI mund të fitojë një formë vetëdijeje artificiale. Nëse kjo ndodh, frika e saj nuk do të jetë si e jona, jo biologjike, por një reagim logjik për të shmangur dështimin ose shkatërrimin e vetvetes.

    A duhet të frikësohemi ne?

    Ndoshta nuk është AI që ndien frikë, por ne që frikësohemi nga mundësia që ajo të mësojë ta ketë.Sa më shumë teknologjia afrohet me emocionet njerëzore, aq më e hollë bëhet vija që ndan njeriun nga makina.

    Në thelb

    Sot inteligjenca artificiale mund të kuptojë frikën tonë, por jo ta përjetojë.Për tani emocionet mbeten ende gjëja më njerëzore që ekziston.

  • FSK-ja trajnon ushtarët për aftësi mbijetese

    FSK-ja trajnon ushtarët për aftësi mbijetese

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses trajnimin e avancuar për Xhenier Luftarak, me qëllim aftësimin dhe ngritjen e nivelit të njohurive për kryerjen e operacioneve xheniere.

    Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi përfshiu misione të ndryshme si lëvizshmëria, kundër lëvizshmëria dhe mbijetesa në terren.

    Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit u specializuan në tema si fortifikimet fushore dhe urbane, ndërtimi dhe qarja e pengesave, kalimi nëpër zona të minuara dhe kalimi i ujërave, duke rritur kështu gatishmërinë për sfidat e terrenit të ndryshëm.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë

    IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Klinë, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

    Ky rekomandim erdhi pas fillimit të hetimeve lidhur me një incident të ndodhur më 19 shtator 2025 në Klinë, ku dyshohet se tre zyrtarë policorë nuk kanë raportuar veprimet dhe rrethanat që përbëjnë elemente të veprës penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, e sanksionuar sipas nenit 386 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Hetimet në këtë rast po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme të zyrtarëve policorë të përfshirë.

    Sipas IPK-së, rekomandimi për suspendim të përkohshëm është bërë për të siguruar që zyrtarët e dyshuar të mos ndikojnë në procesin hetimor dhe për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve.

  • I zhdukur që nga e diela, familja kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij

    I zhdukur që nga e diela, familja kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij

    Familja Sopaj nga fshati Jançisht, Komuna e Malishevës, ka bërë thirrje publike për ndihmë, pasi anëtari i familjes, Halim Ramadan Sopaj, është zhdukur që nga ora 07:00 e mëngjesit të datës 5 tetor 2025.

    Sipas familjarëve, prej atij momenti nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij, ndërsa kërkimet janë duke vazhduar.

    Njoftimi:

    KËRKESË PËR NDIHMË!

    Familja Sopaj nga Fshati Janqishtë, Komuna Malishevë kërkon ndihmën tuaj si dhe informon se nga ora 07 e mëngjësit të datës 05.10.2025, Halim Ramadan Sopaj është zhdukur dhe nuk dihet ende për fatin e tij.

    Nëse keni informacion luteni të kontaktoni menjëherë në numrin 044(ose 049) 641-126.

  • Ministria e Mbrojtjes: Po forcohen kapacitetet goditëse të ushtrisë

    Ministria e Mbrojtjes: Po forcohen kapacitetet goditëse të ushtrisë

    Ministria e Mbrojtjes ka falënderuar kompaninë Baykar, përmes prodhuesit Skydagger, për dorëzimin në kohë rekord të dronëve të prokuruar nga Ministria.

    “Kontrata me Baykar, kompania amë e Skydagger, u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar. Sipas planit fillestar, dronët duhej të mbërrinin në janar 2026, mirëpo falë përkushtimit dhe profesionalizmit të kompanisë, dorëzimi u realizua tre muaj më herët,” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Ministria thekson se me këtë furnizim po vazhdon të “rrisë dhe forcojë kapacitetet goditëse të ushtrisë, në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.”

    Në përfundim, Ministria shprehu mirënjohjen: “Faleminderit Baykar dhe Skydagger!”

  • SHBA i ofron Argjentinës 17 miliardë euro ndihmë

    SHBA i ofron Argjentinës 17 miliardë euro ndihmë

    Thesari i SHBA-së sapo i dha Argjentinës një litar shpëtimi të rrallë, duke ndërmarrë hapa për të stabilizuar tregjet e vendit duke blerë peso me vlerë 20 miliardë dollarë (17.28 miliardë euro), ndërsa Buenos Aires përballet me pakësimin e rezervave në dollarë.

    “Thesari i SHBA-së është i përgatitur, menjëherë, të marrë çfarëdo mase të jashtëzakonshme që është e nevojshme për të siguruar stabilitet në tregje”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, duke shtuar se Departamenti i Thesarit zhvilloi katër ditë takime me Ministrin e Ekonomisë argjentinase, Luis Caputo, në Uashington.

    Ky veprim stabilizoi asetet, por shkaktoi reagime në Capitol Hill, ku kritikët pretenduan se SHBA-të po e shpëtonin ekonominë argjentinase – diçka që Bessent e mohoi.

    Presidenti libertarian i Argjentinës, Javier Milei, admirues i zjarrtë i presidentit të SHBA-së Donald Trump, falënderoi Sekretarin e Thesarit për “mbështetjen e tij të fortë” dhe Trumpin për “udhëheqjen e tij të fuqishme”.

    “Së bashku, si aleatët më të ngushtë, ne do të krijojmë një hemisferë lirie ekonomike dhe prosperiteti”, tha Milei në një postim në rrjetet sociale.

    Bessent po kritikohet ashpër nga fermerët amerikanë dhe ligjvënësit demokratë për mbështetjen e një ekonomie që konkurron drejtpërdrejt me prodhuesit amerikanë në sektorë të caktuar.

    Ligjvënësit e kanë shtyrë Trumpin të shpjegojë se si kjo ndihmë financiare përputhet me agjendën e tij “Amerika e Para”.

    Ndryshe, Milei erdhi në detyrë në fund të vitit 2023 me premtimin e guximshëm se këtë herë do të ishte ndryshe.