ATV

Blog

  • Premtime për transparencë dhe investime në sport nga kandidatët e NISMËS Socialdemokrate

    Premtime për transparencë dhe investime në sport nga kandidatët e NISMËS Socialdemokrate

    Kandidati për kryetar të Podujevës, Xhemajl Hasani nga Nisma Socialdemokrate gjatë vizitës në Klubin Futbollistik Llapi, premtoi investime në këtë klub dhe sportin në përgjithësi, duke e konsideruar si një mënyrë për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme dhe më të fortë për brezin e ri të Podujevës.

    Hasani thotë nuk premton mrekulli, por siguron përkushtim të plotë për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe realizimin e projekteve që përmirësojnë jetën në komunën e Podujevës.

    Shefki Salihu, kandidati për kryetar të Obiliqit, u bën thirrje qytetarëve që të votojnë me përgjegjësi dhe vetëdije qytetare, duke theksuar rëndësinë e votës si mjeti i fuqishëm për ndryshim demokratik.

    Ndër premtimet që Salihu paraqet është ndërtimi i një stacioni modern të autobusëve në Obiliq, si një komunë që shërben si nyje tranziti ndërmjet Prishtinës, Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

    Në Malishevë, kryetari aktual dhe kandidat për mandatin e ri, Ekrem Kastrati, shpreh optimizmin për një fitore të sigurtë më 12 tetor, duke u mbështetur në bashkimin e qytetarëve dhe përkrahjen e partisë.

    Kurse, Albulena Balaj-Halimaj, kandidate për kryetare të Prizrenit, vizitoi një akademi të Brazilian Jiu-Jitsu, të vetmen në vend të drejtuar nga një trajner me brez të zi. Ajo vlerësoi sportin si forcë edukimi dhe frymëzim për brezat e rinj dhe gjithë komunitetin.

  • kandidatët e AAK-së premtojnë mbështetje për bujqit dhe zhvillim infrastrukturor

    kandidatët e AAK-së premtojnë mbështetje për bujqit dhe zhvillim infrastrukturor

    Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ftoi qytetarët e Prishtinës t’a votojnë më 12 tetor për t’i realizuar punët që sipas tij kanë mbetur qe 12 vjet.

    Berisha po ashtu shpërndau edhe një video me banorët e Taukbahçes, ku premtoi zgjidhje të problemeve të tyre.

    Ardini Gjini, i cili garon edhe për një mandat në krye të Gjakovës, publikoi pamje nga nisja e punimeve tek ura e Taliqit, projekt me vlerë rreth 1.5 milion euro që synon të kthejë këtë zonë në një hapësirë moderne dhe atraktive për qytetarët.

    Projekte promovi edhe Zenun Elezaj, i cili garon për kryetar të Klinës edhe për katër vjet.

    Ndërsa, kandidati i partisë për Gjilanin, Nazim Gagica, takoi veteranët e luftës.

    “Në këtë takim shprehëm mirënjohjen tonë për sakrificën e gjeneratës së luftës dhe riafirmuam zotimin tonë për ta mbështetur me vepra dhe respekt të përhershëm”, shkroi Gagica.

    Ndërkaq, kryetari aktual i Rahovecit, Smajl Latifi, që po kërkon edhe një mandant, takoi blegtorët rahovecas nga aty u premtoi mbështetjen në kohë e forma të ndryshme.

    Biznese takoi edhe kandidati i partisë për Suharekën, Bali Muharremaj e po ashtu priti ne takim veteranë nga Kroacia.

     

  • Kandidatët e LDK-së zotohen për zhvillim ekonomik e infrastrukturor

    Kandidatët e LDK-së zotohen për zhvillim ekonomik e infrastrukturor

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama,
    ka ndarë një videoincizim ku përshëndet përfundimin e rrugës Sofali – Kolovicë dhe tregon punimet që po vazhdojnë në Sheshin “Xhorxh Bush”, duke vënë theksin te zhvillimi urban dhe përmirësimi i infrastrukturës.

    Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli premtoi përmirësim të infrastrukturës rurale për fshatin Llashticën dhe Zhegoc.

    Në Istog, Ilir Ferati ka përqendruar premtimet në shërbimet shëndetësore, duke paralajmëruar finalizimin e QKMF-së së re me teknologji moderne, shtimin e shërbimeve specialistike, rritjen e subvencioneve për pacientët kronikë dhe nenat vetëushqyese.

    Në Fushë Kosovë, kandidati Besnik Osmani ka promovuar projektin për internet falas në rrugën Dardania, me synimin që ky shërbim të përfshijë së shpejti të gjitha rrugët përreth.

    Kurse Gëzim Plakolli, kandidat për kryetar të Mitrovicë, ka premtuar mbështetje për sektorin privat si motor të punësimit dhe zhvillimit vendor.
    Në Lipjan, kryetari aktual Imri Ahmeti, i cili kandidon për një mandat të ri ka përmbledh punët e kryera gjatë mandatit të tij.

    Në Podujevë, Ekrem Hyseni ka prezantuar projektin për transformimin e Parkut të Pishave dhe krijimin e Koridorit të Gjelbër si prioritet për zhvillimin urban.

    Në Prizren, Driton Selmanaj ka premtuar mbështetje për projektet që nxisin kreativitetin dhe zhvillimin teknologjik në qytet.

    Në Ferizaj, Visar Azemi ka vendosur ujin si prioritet kryesor, duke premtuar furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë për banorët.

    Në Junik, Ruzhdi Shehu njofton përfundimin e rrugës “Shkelzen Gacaferi” dhe asfaltimin e rrugëve lokale, duke premtuar që së shpejti të gjitha rrugët në komunë do të jenë të asfaltuara, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën rrugore.

  • Kandidatët e PDK-së zotohen për zhvillim ekonomik e infrastrukturor

    Kandidatët e PDK-së zotohen për zhvillim ekonomik e infrastrukturor

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili kërkoi votë nga rinia e komunës.

    Ai shprehet i bindur se më 12 tetor, programi i tij do ta marrë besimin qytetar.

    “Bashkë do ta kthejmë Prishtinën në qytet që funksionon për të gjithë. Platforma jonë është e vetmja me zgjidhje konkrete për secilin problem të qytetit, dhe me projekte që do ta përmirësojnë jetën në çdo lagje e në çdo fshat”, tha Ismaili.

    Shaqir Totaj që synon edhe një mandat në krye të Prizrenit, zhvilloi takime me disa biznese gjatë ditës.

    Ai shkroi se “zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës kanë qenë dhe mbeten ndër prioritetet tona kryesore”.

    Ndërkaq, Agim Aliu, kryetari aktual i Ferizajt, i cili sërish garon për këtë post, ditën e nisi me anëtarë të shoqërisë civile.

    Kandidati i PDK-së për Mitrovicë, Arian Tahiri, vizitoi Shoqatën e Folklorit të Mitrovicës, atyre u premtoi mbështetje teksa i falënderoi për përkrahjen e tyre.

    Petrit Hajdari, kandidat për kryetar të Drenasin, dy ditë para zgjedhjeve u premtoi zhvillim banorëve të fshatit Dobroshec.

    Rrahim Tërnava, i cili garon për postin e të parit të Fushë Kosovës, shpërndau video nga tubimi i së enjtes ku ishte krah liderit të partisë, Memli Krasniqi.

  • Projekte për transformim urban e arsim, zotimet e kandidatëve të LVV-së

    Projekte për transformim urban e arsim, zotimet e kandidatëve të LVV-së

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku ka premtuar lidhje më të forta mes arsimit profesional dhe tregut të punës, nëpërmjet bashkëpunimit të komunës me sektorin privat dhe shkollat profesionale.

    Alban Hyseni, kandidati për një mandat të dytë në krye të Gjilanit, ka premtuar mbështetjen për gratë dhe vajzat për nisma që promovojnë artin dhe ruajnë trashëgiminë kulturore.

    Kadri Rahimaj, kryetari aktual i Kamenicës dhe kandidat për një mandat të dytë, u zotua për zhvillim të mëtejshëm të çdo lagjeje e fshati, duke e cilësuar votën si investimi për të ardhmen e komunitetit.

    Faton Peci, kandidat për Mitrovicën, ka prezantuar projektet për lagjen “2 Korriku”, përfshirë rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, ndriçimin publik, trotuare të reja, hapësira sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

    Artan Abrashi, kandidat për kryetar të Prizrenit, ka përqendruar fushatën në thirrjen për votë dhe mbështetje për listën e LVV-së në nivel komunal.

    Qemajl Aliu, që kërkon një mandat të dytë në Shtime, ka paraqitur pesë projekte madhore, përfshirë ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së, objektit të ri të komunës, , ndërtimin e unazës së madhe për lehtësimin e trafikut.

    Arsim Ademi, kandidat për kryetar të Vitisë, është zotuar për funksionalizimin e Teatrit të qytetit, mbështetje për grupet artistike dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.

    Kurse, Valon Hoti, kandidat për Malishevë premtoi përkrahje të fortë pas zgjedhjeve për ta kthyer bujqësinë në shtyllë zhvillimi për Malishevën.

  • Rodrygo feston me shqiponjë në fitoren e Brazilit ndaj Koresë së Jugut

    Rodrygo feston me shqiponjë në fitoren e Brazilit ndaj Koresë së Jugut

    Kombëtarja e Brazilit ka zhvilluar ndeshje miqësore kundër Koresë së Jugut,të cilën e deklasoi me rezultat 5:0.

    Dy golat e Estevaos,dy të Rodrygos dhe një gol i realizuar nga Vinicius Jr,i kanë dhuruar fitoren kariokëve të cilët tashmë kanë siguruar kualifikimin në botëror të vitit të ardhshëm.

    Përndryshe ajo çka ka rënë në sy është festimi me shqiponjë e yllit të Real Madrid,të cilën e bëri në njërin nga golat e shënuar në pjesën e parë.

    Kujtojmë që Brazili ndeshjen e rradhës e luan ndaj Japonisë në Ajinomoto Stadium në Tokio ditën e martë.

  • KEDS angazhon rreth 500 punëtorë gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit

    KEDS angazhon rreth 500 punëtorë gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit

    Për të siguruar një zhvillim të paqartë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor, KEDS ka aktivizuar të gjitha kapacitetet teknike dhe fuqinë punëtore, me fokus të veçantë për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës.

    Për të siguruar reagim të menjëhershëm në rast të çdo emergjence dhe për të mundësuar një intervenim sa më të shpejtë në terren, KEDS ka ndërmarrë disa masa, duke përfshirë:

    • Aktivizimin e rreth 500 punonjësve të cilët do të mbikëqyrin dhe sigurojnë që gjithçka të funksionojë sipas planit operativ gjatë ditës së zgjedhjeve;

    • Dërgimin e stafit të dedikuar në secilën qendër votimi, të cilët do të jenë përgjegjës dhe në gatishmëri gjatë gjithë ditës;

    • Puna e Qendrës Dispeqerike dhe Qendrës së Thirrjeve do të organizohet me kapacitete të plota për të siguruar reagim të menjëhershëm;

    • Të gjithë punonjësit do të ndahen në ekipe dhe do të jenë të gatshëm për monitorim dhe intervenim të shpejtë në çdo zonë, kudo dhe kurdo që paraqitet nevoja, deri në përfundimin e procesit të votimit.

    Ky plan operativ i KEDS-it do të përfshijë gjithashtu përdorimin e plotë të kapaciteteve logjistike të kompanisë, si në terren, ashtu edhe në qendrat e kontrollit të brendshëm.

    KEDS gjithashtu ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve nuk do të realizohen asnjë aktivitet mirëmbajtjeje të rrjetit elektrik shpërndarës ose projekte investimi.

    Në rast të ndonjë avarie në rrjet, qytetarët janë të ftuar të lajmërojnë menjëherë kompaninë, duke kontaktuar Qendrën e Thirrjeve pa pagesë në numrin 080079100 ose përmes rrjeteve sociale.

  • Satelitët Starlink të Elon Musk po bien drejt Tokës me shpejtësi të rrezikshme

    Satelitët Starlink të Elon Musk po bien drejt Tokës me shpejtësi të rrezikshme

    Satelitët Starlink po bien në Tokë me një ritëm të shpejtë, alarmojnë ekspertët

    Të dhënat më të fundit sugjerojnë se deri në katër satelitë nga konstelacioni masiv i Starlink bien çdo ditë në Tokë. Jonathan McDowell, astronom në Qendrën Harvard-Smithsonian për Astrofizikë në SHBA, ka regjistruar një mesatare prej një deri në dy satelitësh që dalin nga orbita çdo ditë për vitin 2025. Sipas tij, ky numër mund të rritet deri në pesë satelitë për ditë, ndërsa SpaceX vazhdon të zgjojë dhe të përhapë rrjetin e saj të internetit në hapësirë.

    Pamjet e satelitëve që bien drejt Tokës janë bërë të njohura në rrjetet sociale vitet e fundit, duke ngritur shqetësime për mundësinë e rrezikut që ato mund të përbëjnë për njerëzit që ndodhen në tokë.

    Satelitët Starlink, të cilët kanë një jetëgjatësi prej rreth pesë vjetësh, janë projektuar të digjen plotësisht në atmosferë para se të arrijnë tokën, në një përpjekje për të minimizuar çdo ndikim të mundshëm. Megjithatë, sipas Dr. McDowell, ndonëse dalja nga orbita e satelitëve nuk është direkt e rrezikshme për njerëzit, ky fenomen mund të ketë efekte të tjera që ende nuk janë plotësisht të kuptuara.

    Shkencëtarët vazhdojnë të shqyrtojnë ndikimet e mundshme që këto satelitë mund të kenë në atmosferën e Tokës dhe në mjedisin e gjerë.

  • Angazhohen 100 prokurorë për ditën e zgjedhjeve

    Angazhohen 100 prokurorë për ditën e zgjedhjeve

    Për ditën e zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit ka angazhuar 100 prokurorë të për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 12 tetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

    Më tej thuhet se “Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”.

  • Muzeu Arkeologjik i Vlorës, dëshmi e rrallë e trashëgimisë sonë kulturore

    Muzeu Arkeologjik i Vlorës, dëshmi e rrallë e trashëgimisë sonë kulturore

    88 vite histori, Muzeu Arkeologjik i Vlorës, ndër institucionet e para të trashëgimisë shqiptare

    Më 8 tetor 1936, në qytetin bregdetar të Vlorës u çel Muzeu Arkeologjik, institucioni i parë shqiptar i këtij lloji, që në atë kohë u pagëzua me emrin “Zogu I”, në nder të monarkut të vendit.

    Godina e muzeut mbante në vetvete një simbolikë të veçantë, pasi më herët kishte shërbyer si seli e qeverisë së përkohshme të Vlorës, aty ku Ismail Qemali mblodhi kabinetin e tij qeveritar menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë më 1912.

    Muzeu u krijua falë bashkëpunimit me misionin arkeologjik francez, të udhëhequr nga arkeologu Leon Rey, i cili zhvilloi gërmime në Apoloni. Eksponatet e para që pasuruan sallat e muzeut ishin pikërisht statujat, kolonat, enët e qeramikës dhe monedhat e zbuluara në këtë qytet antik.
    Në katin e parë u ekspozuan veprat monumentale të zbuluara në Apoloni, ndërsa kati i sipërm u dedikua objekteve të vogla arkeologjike, si terrakota, figura e qeramika të rralla.

    Por lavdia e tij zgjati pak. Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa u bombardua nga ushtria italiane dhe më pas u plaçkit, duke humbur shumë prej artefakteve me vlerë të jashtëzakonshme historike.
    Arkeologu Leon Rey reagoi ashpër ndaj kësaj ngjarjeje, duke botuar një notë proteste në revistën e tij “Albania”.

    Sot, pjesë të koleksionit të shpëtuar gjenden në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Tiranës, Muzeun Historik të Vlorës dhe në Muzeun e Parkut Arkeologjik të Apolonisë dëshmi të gjalla të një epoke që shënoi fillesat e arkeologjisë shqiptare.