ATV

Blog

  • Përmbytjet në Meksikë shkaktojnë të paktën 23 viktima teksa stuhitë lëvizin drejt veriut

    Përmbytjet në Meksikë shkaktojnë të paktën 23 viktima teksa stuhitë lëvizin drejt veriut

    Të paktën 23 persona kanë humbur jetën në Meksikë deri në fund të një jave me reshje të dendura shiu, kanë bërë të ditur autoritetet.

    Autoritetet e mbrojtjes civile të Meksikës raportuan të premten reshje të forta në 31 nga 32 shtetet e vendit, me zonat më të prekura që ishin Veracruz në lindje, Querétaro dhe Hidalgo në qendër, si dhe shteti verior qendror San Luis Potosí. Në shtetin e Hidalgo-s u raportuan 16 viktima dhe rreth 1,000 shtëpi të dëmtuara. Pesë persona humbën jetën në Puebla, ndërsa 11 të tjerë rezultojnë të zhdukur, raporton the guardian,transmeton Sinjali.

    Një fëmijë ka vdekur në shtetin e Veracruz-it dhe një oficer policie në Querétaro.

    Laura Velázquez, koordinatorja kombëtare e mbrojtjes civile, tha se në zonat e prekura janë regjistruar rrëshqitje dheu, përmbytje të lumenjve dhe shembje rrugësh.

    Pas një takimi me zyrtarë lokalë dhe anëtarë të kabinetit të saj, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se autoritetet “po punojnë për të ndihmuar popullsinë, për të rihapur rrugët dhe për të rikthyer energjinë elektrike”. Ushtria është dërguar për të ndihmuar në shpërndarjen e ndihmave në zonat e përmbytura, me mbi 5,400 trupa të angazhuar, së bashku me pajisje shpëtimi dhe mjete transporti.

    Janë hapur strehimore për njerëzit e zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

    Meksika është përballur me reshje jashtëzakonisht të mëdha gjatë vitit 2025, duke shënuar edhe një rekord të ri të sasisë së shiut në kryeqytetin, Mexico City.

    Ndërkohë, stuhia tropikale “Raymond” ndodhej në brigjet e Paqësorit të vendit të shtunën, duke shkaktuar reshje të dendura teksa lëvizte drejt veriut. Dëme nga kjo stuhi janë raportuar në shtetet Chiapas, Guerrero, Oaxaca dhe Michoacán.

    Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së, pritej që stuhia të godiste pjesën jugore të gadishullit Baja California gjatë fundjavës.

  • S’ka qetësi në Ukrainë: Sulmi ajror lë 20 të plagosur dhe një fëmijë të vdekur

    S’ka qetësi në Ukrainë: Sulmi ajror lë 20 të plagosur dhe një fëmijë të vdekur

    Të paktën 20 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmeve me dronë që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, mëngjesin e së enjtes. Mes viktimave raportohet edhe një fëmijë që ka humbur jetën në një nga sulmet e ndodhura në juglindje të vendit.

    Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë ndërtesa banimi të goditura dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa rajone të vendit.

    Në Kiev, ekipet e emergjencës kanë evakuuar më shumë se 20 persona nga një godinë 17-katëshe, ku flakët kanë përfshirë katet e gjashtë dhe të shtatë pas shpërthimeve.

    Një banore e zonës, Tetiana Lemishevska, 61 vjeç, tregoi për agjencinë Associated Press për momentet e frikshme gjatë sulmit. “Të gjithë po flinin kur papritmas dëgjuam një zhurmë të mprehtë. Ishte e qartë që diçka po fluturonte. Arrita të mbuloja kokën me batanije dhe pastaj ndodhi shpërthimi  xhamat u thyen dhe fluturuan deri te dera”, tha ajo.

    Presidenti Volodymyr Zelenskyy deklaroi se sulmet kanë pasur në shënjestër infrastrukturën civile dhe atë energjetike, ndërsa vendi po përgatitet për përballimin e dimrit të ashpër.

  • Trump do t’u vendosë importeve kineze 100 për qind taksë shtesë nga nëntori

    Trump do t’u vendosë importeve kineze 100 për qind taksë shtesë nga nëntori

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se SHBA-të do të vendosin një tarifë shtesë prej 100% mbi importet nga Kina, duke e akuzuar këtë të fundit për marrjen e një “pozicioni jashtëzakonisht agresiv” në tregti.

    Në një postim të premten në platformën e tij Truth Social, Trump tha se Pekini i kishte dërguar një “letër jashtëzakonisht armiqësore botës” dhe kishte vendosur “kontrolle të eksportit në shkallë të gjerë mbi pothuajse çdo produkt që prodhojnë”.

    Trump, i cili paralajmëroi se tarifat shtesë do të fillonin më 1 nëntor, tha gjithashtu se SHBA-të do të vendosin kontrolle eksporti mbi çdo “softuer kritik” për Kinën.

    Presidenti shtoi se po i vendoste tarifat për shkak të kontrolleve të eksportit të vendosura mbi metalet e rralla nga Kina.

    Ai shkroi: “Bazuar në faktin se Kina ka marrë këtë qëndrim të paprecedentë dhe duke folur vetëm për SHBA-në, dhe jo për kombet e tjera që u kërcënuan në mënyrë të ngjashme, duke filluar nga 1 nëntori 2025 (ose më shpejt, varësisht nga çdo veprim ose ndryshim i mëtejshëm i ndërmarrë nga Kina), Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin një tarifë prej 100% ndaj Kinës, mbi çdo tarifë që ata po paguajnë aktualisht”.

    “Është e pamundur të besohet se Kina do të kishte ndërmarrë një veprim të tillë, por ata e kanë ndërmarrë, dhe pjesa tjetër është histori. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shtoi presidenti.

    Trump tha më herët të premten se “duket se nuk ka arsye” për t’u takuar me udhëheqësin kinez Xi Jinping si pjesë e një udhëtimi të ardhshëm në Korenë e Jugut, dhe theksoi: “Ka shumë kundërmasa të tjera që, gjithashtu, janë duke u shqyrtuar seriozisht”.

  • Sot mot me vranësira dhe diell, temperaturat deri në 19°C

    Sot mot me vranësira dhe diell, temperaturat deri në 19°C

    Sot parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa në zona të caktuara pritet të ketë reshje të pakta lokale shiu, kryesisht riga.

    Era do të fryjë nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 17-54 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 8 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 14 deri në 19°C.

  • KQZ njofton se sot nis shpërndarja e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale

    KQZ njofton se sot nis shpërndarja e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po finalizon përgatitjet për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale, të cilat do të zhvillohen më 12 tetor. Sot, e shtunë, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë shpërndarja e materialit zgjedhor në të gjitha vendvotimet.

    “Ju njoftojmë se nesër (e shtunë, 11 tetor 2025, ora 08:00) nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor për Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025”, thuhet në njoftiimin e KQZ-së.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen të dielën, më 12 tetor. Vendvotimet pritet të hapen në orën 07:00 dhe të mbyllen në orën 19:00. Qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar për komunën e tyre, si dhe për një asamblist të kuvendit përkatës komunal.

    Për të mundësuar votimin me kusht në Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, në çdo komunë është caktuar nga një qendër votimi.

    Sipas KQZ-së më 12 tetor, do të hapen 38 qendra votimi për votim me kusht, me gjithsej 54 vendvotime. Në Zgjedhjet Lokale votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi.

  • Aksident me fatalitet në Mitrovicë, humb jetën një 55-vjeçar – lëndohen katër të tjerë

    Aksident me fatalitet në Mitrovicë, humb jetën një 55-vjeçar – lëndohen katër të tjerë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 22:40 në rrugën “Liqeni” në Mitrovicën e Jugut, ku pas një aksidenti mes dy veturave, një person ka humbur jetën si dhe janë lënduar katër të tjerë.

    Lajmin e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës, i cili bëri të ditur se personi që ka humbur jetën është një 55 vjeçar.

    “Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, si pasojë e aksidentit  ka humbur jetën viktima m/k/sh rreth 55- vjeçar, ndërsa lëndime kanë  pësuar edhe katër persona tjerë.”, tha ai.

  • Votimi me kusht mund të bëhet vetëm në brenda komunës ku jeni të regjistruar si votues

    Votimi me kusht mund të bëhet vetëm në brenda komunës ku jeni të regjistruar si votues

    Qytetarët që nuk ndodhen në komunën e tyre në ditën e zgjedhjeve lokale, nuk mund të votojnë me kusht në komuna të tjera.

    Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    “Një votues i një komune të caktuar nuk mund të votoj me kusht në komunën tjetër ku ai është votues”, deklaroi Elezi.

    Ai kumtoi se edhe votimi me kusht brenda komunës mund të bëhet vetëm në qendrën e votimit që KQZ ka caktuar.

    Ndiqni intervistën:

    Zëdhënësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi deklaroi ne emisionin “Compass” të ATV-së, se fletvotimet për zgjedhjet lokale, janë shtypur dhe po ruhen nga policia.

    “Fletvotimet janë shtypur në Celje të Sllovenisë, në kompaninë “Cetis” dhe nga atje, javën e kaluar janë sjellë në Kosovë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.

    Elezi përmendi se fletvotimet ruhen nga policia 24 orë.

    Ndiqni intervistën:

    https://www.youtube.com/live/-9DXwXkNoKU?si=dWdDZBVG63K3i8N0

  • Fletvotimet për zgjedhjet lokale, ruhen 24 orë nga policia

    Fletvotimet për zgjedhjet lokale, ruhen 24 orë nga policia

    Zëdhënësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi deklaroi ne emisionin “Compass” të ATV-së, se fletvotimet për zgjedhjet lokale, janë shtypur dhe po ruhen nga policia.

    “Fletvotimet janë shtypur në Celje të Sllovenisë, në kompaninë “Cetis” dhe nga atje, javën e kaluar janë sjellë në Kosovë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.

    Elezi përmendi se fletvotimet ruhen nga policia 24 orë.

    Ndiqni intervistën:

    https://www.youtube.com/live/-9DXwXkNoKU?si=dWdDZBVG63K3i8N0

  • Kandidatët e KDTP-së kërkojnë besimin e qytetarëve për zgjedhjet e 12 tetorit

    Kandidatët e KDTP-së kërkojnë besimin e qytetarëve për zgjedhjet e 12 tetorit

    Në kuadër të fushatës zgjedhore të Kosova Demokratik Türk Partisi, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri në Mamushë, Abdulahadi Krasniç gjatë një tubimi me qytetarët është zotuar për vazhdimin e zhvillimit në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.

    Ai njoftoi gjithashtu bashkatdhetarët nga Mamusha që jetojnë në Turqi për organizimin e transportit falas nga Bursa drejt Kosovës, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Kurse në Prizren, kandidati për kryetar komune, Furkan Bütüç, ditën e 28 të fushatës e kaloi në qendrën e personave me sindromën Down, ku u zotua se do të jetë pranë tyre për të adresuar nevojat dhe sfidat e tyre.

    Bütüç, gjatë takimit me Shoqatën e Zejtarëve të Prizrenit, premtoi mbështetje të plotë për zejtarët dhe për t’u dhënë hapësira të reja për zhvillim.

    Bütüç rikujtoi gjithashtu se zyra e KDTP-së në lagjen Kurila do të mbetet gjithmonë e hapur për qytetarët, duke theksuar se mbështetja e popullit është forca që i jep energji ekipit të tij për të ecur drejt fitores më 12 tetor.

  • Zhvillim dhe qeverisje të ndershme, premtojnë kandidatët e GUXO-së në Malishevë e Lipjan

    Zhvillim dhe qeverisje të ndershme, premtojnë kandidatët e GUXO-së në Malishevë e Lipjan

    Në vazhdën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kandidati i partisë GUXO për kryetar të Malishevës, Valon Krasniqi, ka premtuar se do të ngrihet shtatorja e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, si simbol nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij në shtetndërtim.

    Krasniqi gjatë vizitës në fshatin Carrallukë ka kritikuar pushtetin aktual për, siç tha ai, “trajtim të padrejtë” ndaj këtij lokaliteti. Sipas tij, mungesa e investimeve, infrastruktura e dobët dhe politizimi i arsimit janë ndër problemet që do të marrin fund me ardhjen e qeverisjes së tij.

    Gjatë ditës së premtë, Krasniqi gjithashtu ka falënderuar deputetin Nezir Kraki për mbështetjen në fushatë, duke e cilësuar atë si një personalitet të përgatitur dhe frymëzues.

    Ndërkohë, në Lipjan, kandidati i partisë GUXO, Ardian Bytyqi, ka theksuar se qytetarët e kësaj komune meritojnë ndryshim pas, siç u shpreh ai, “12 viteve të keqqeverisjes, keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit”. Ai ka premtuar një qeverisje të re, të bazuar në transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm për të rinjtë dhe komunitetin.
    Bytyqi po ashtu ka sqaruar edhe mënyrën e votimit për listën e partisë GUXO dhe ka kërkuar mbështetje për të dhe kandidatët për asamblenë komunale.