ATV

Blog

  • Eksperimenti i Thomasson s’jep rezultat, Kosova triumfoi

    Eksperimenti i Thomasson s’jep rezultat, Kosova triumfoi

    Kosova arriti të fitojë përsëri në ndeshjen kualifikuese ndaj Suedisë.

    Goli i Fisnik Asllanit në minutën e 32-të rezultoi vendimtar për “Dardanët”, të cilët shënuan një fitore historike, duke e bërë ëndrrën për kualifikim në Kupën e Botës një mundësi reale.

    Selektori i Suedisë, Jon Dahl Thomasson, kishte provuar një taktikë të pazakontë para ndeshjes. Ai kishte mbajtur të fshehtë formacionin titullar, duke ua bërë të ditur lojtarëve vetëm disa orë para ndeshjes – ndryshe nga zakonisht, kur ata njoftoheshin që në kohën e drekës.

    Megjithatë, kjo strategji nuk dha rezultat, pasi Suedia tani është më pranë fundit të tabelës sesa vendeve të para që sigurojnë kualifikimin direkt ose vendin e dytë për play-off.

    Megjithatë, Suedia ende ka një mundësi për të arritur në fazën play-off, falë paraqitjeve të mira në Ligën e Kombeve, ku përfundoi në vendin e parë në Ligën C, duke siguruar ngritjen në Ligën B. /ATVLIVE.TV

  • Tarifat e Trumpit për drurin dhe mobiliet hyjnë në fuqi, preken edhe tregtarët kosovarë

    Tarifat e Trumpit për drurin dhe mobiliet hyjnë në fuqi, preken edhe tregtarët kosovarë

    Tarifat e reja të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbi drurin e importuar, mobiliet dhe dollapët e kuzhinës hynë në fuqi të martën. Ky zhvillim pritet të rrisë kostot e ndërtimit në një treg që tashmë është sfidues për shumë blerës.

    Sipas Shtëpisë së Bardhë, detyrimet doganore u vendosën për të forcuar industrinë amerikane dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Ato bëhen pjesë e një sërë tarifash të veçanta sektoriale që Trumpi ka vendosur që prej rikthimit të tij në presidencën amerikane.

    Masat më të fundit përfshijnë një tarifë prej 10 për qind mbi importet e drurit të butë, ndërsa detyrimet mbi disa mobilie të mbështjella dhe dollapë kuzhine nisin nga 25 për qind.

    Mobiliet, dyert dhe dritaret, materialet ndërtimore prej druri janë ndër eksportet kryesore të Kosovës në SHBA në vitet e fundit.

    Nga 1 janari, norma për mobiliet e mbështjella të importuara pritet të ngjitet në 30 për qind, ndërsa ato për dollapët dhe tualetet e kuzhinës do të ngrihen në 50 për qind.

    Megjithatë, detyrimet për produktet prej druri nga Britania nuk do të kalojnë 10 për qind, ndërsa ato nga Bashkimi Evropian dhe Japonia do të përballen me një tavan prej 15 për qind.

    Të tre partnerët tregtarë kanë arritur marrëveshje me administratën Trump për të shmangur tarifa më të ashpra.

    Ende nuk është e qartë se çfarë tarifa do të vlejnë për Kosovën, që tashmë ka hequr tarifën doganore prej 10 për qind ndaj të gjitha produkteve të importuara nga SHBA-ja.

    Por, tarifat e reja do të “krijojnë pengesa shtesë për një treg banesash tashmë të vështirë, duke rritur më tej kostot e ndërtimit dhe rinovimit”, paralajmëroi kryetari i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve të Shtëpive (NAHB), Buddy Hughes.

    Duke vendosur tarifat e fundit, Trump tha se Sekretari i Tregtisë kishte zbuluar se “produktet e drurit përdoren në funksione kritike të Departamentit të Luftës, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës për testime operacionale”.

    Deklarata e Trumpit shtoi se prodhimi amerikan i drurit “mbetet i pazhvilluar”, duke e lënë vendin të varur nga importet.

    Por, Hughes nga NAHB-ja tha se “vendosja e këtyre tarifave nën pretekstin e ‘sigurisë kombëtare’ injoron rëndësinë që ka banimi për sigurinë fizike dhe ekonomike të të gjithë amerikanëve”.

    Ai bëri thirrje për një marrëveshje që “të zhbëjë tarifat mbi materialet e ndërtimit.”

    Edhe Kanadaja, furnizuesi kryesor i drurit për Shtetet e Bashkuara, pritet të preket.

    Tarifa 10 për qind mbi drurin shtohet mbi detyrimet aktuale që SHBA-ja ia ka rritur së fundi në 35 për qind.

    Kjo do të thotë se veprimi më i fundit i Trumpit e çon tarifën e përgjithshme për drurin kanadez në 45 për qind.

    Stephen Brown nga Capital Economics i tha AFP-së se, me 30 për qind të drurit që buron nga jashtë, një tarifë 10 për qind mund të rrisë koston e ndërtimit të një shtëpie mesatare për 2.200 dollarë.

    Brown shtoi se Kina, Vietnami dhe Meksika përbëjnë pjesën më të madhe të importeve amerikane të mobilieve.

    Ai pret që Vietnami të përballet me ndikimin më të madh “pasi mobiliet përbëjnë 10 për qind të eksporteve të tij drejt SHBA-së.”

    Tarifat u vendosën në bazë të Nenit 232 të Aktit për Zgjerimin e Tregtisë të vitit 1962, e njëjta dispozitë që Trumpi përdori për të vendosur tarifat mbi çelikun, aluminin dhe automjetet këtë vit./REL/

  • Rriten çmimet sërish, inflacioni arrin në 4.7 për qind

    Rriten çmimet sërish, inflacioni arrin në 4.7 për qind

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) ishte më i lartë për 4.7% në shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, pra gusht të vitit të kaluar.

    Ndërkohë, inflacioni mujor shënoi një rënie prej -0.2% në krahasim me gushtin 2025. Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimit në disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.

    Ndër to, çmimet e pushimeve të organizuara u rritën me 23.1%, biletat e fluturimeve me 22.5%, energjia elektrike me 17.4%, kafeja, çaji dhe kakaoja me 14.2%, si dhe pemët me 13.0%.

    Rritje të ndjeshme kanë pasur edhe mishi (12.1%), qumështi, djathi dhe vezët (8.8%), shërbimet hoteliere (8.3%), dhe vajrat e yndyrat (6.8%).

    Këto nëngrupe kanë pasur ndikimin më të madh në inflacionin vjetor, me një efekt të përbashkët prej 4.9 për qind në IHÇK.

    Në anën tjetër, rënie e çmimeve është regjistruar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -3.1%, duke ndikuar me -0.2 për qind në indeksin e përgjithshëm. Në krahasim me muajin gusht 2025, çmimet mesatare të konsumit në shtator ranë për 0.2%.

    Kjo rënie mujore është shpjeguar me uljen e çmimeve te karburantet dhe lubrifikantët (-3.6%), pemët (-2.8%), biletat e fluturimeve (-1.6%), dhe energjinë elektrike (-1.2%).

    Megjithatë, disa kategori shënuan ngritje, përfshirë lëndët djegëse të ngurta si druri e peletët (1.4%), qumështin, djathin dhe vezët (1.1%), blerjen e automjeteve (0.6%) dhe shërbimet hoteliere (0.4%). ASK bën të ditur se këto luhatje të çmimeve ndikojnë drejtpërdrejt në normën mujore dhe vjetore të inflacionit, e cila matet përmes indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK).

  • Tradita vazhdon: Spotify dhe albumi i Ed Sheeran në fanellën e Barcelonës për “El Clasico”

    Tradita vazhdon: Spotify dhe albumi i Ed Sheeran në fanellën e Barcelonës për “El Clasico”

    Si çdo herë, “El Clasico” mbetet derbi më i ndjekur në botë, ku dy gjigantët e futbollit, Real Madridi dhe Barcelona, ofrojnë spektakël dhe emocion për tifozët globalë.

    Që nga nisja e bashkëpunimit me “Spotify”, Barcelona ka vendosur të promovojë në fanellat e saj albume të ndryshme muzikore gjatë “El Clasico”.

    Këtë herë, në fanellën e katalanasve do të prezantohet albumi i ri “Play” i këngëtarit britanik të njohur, Ed Sheeran.

    Kjo traditë nisi në vitin 2022 me artistë si Drake, më pas Rosalia me albumin “Motomami”, “The Rolling Stones” në 2023, si dhe Karol G dhe Coldplay në vitin 2024. Ndërsa këtë vit, pas Ed Sheeran, fanellat kanë promovuar edhe Travis Scott.

    Kujtojmë se “El Clasico” do të zhvillohet më 26 tetor në “Santiago Bernabeu”, me fillim në orën 16:15. /ATVLIVE.TV

  • UEFA njofton hapjen e sezonit 2027/28 me vetëm një ndeshje të marten

    UEFA njofton hapjen e sezonit 2027/28 me vetëm një ndeshje të marten

    UEFA ka njoftuar se në mbrëmjen e së martës do të zhvillohet vetëm një ndeshje, e cila shënon hapjen e sezonit 2027/28 të Ligës së Kampionëve.

    Ky takim do të jetë ai i kampionëve në fuqi të Evropës, të cilët do të hapin garën në fazën e ligës, pjesë e një ristrukturimi të madh të formatit tradicional të këtij kompeticioni.

    Ndërkohë, 17 ndeshjet e tjera të javës së parë do të zhvillohen në mbrëmjet e së mërkurës dhe të enjtes.

    Sipas formatit aktual, 18 ndeshjet e raundit hapës zakonisht ndahen në mënyrë të barabartë në tre netë, me gjashtë ndeshje secilën mbrëmje. Por për sezonin e ri do të ketë ndryshime, me tetë ose nëntë ndeshje që do të luhen të mërkurën dhe të enjten gjatë javës së parë të garave. /ATVLIVE.TV

  • Udine nën masa të rrepta sigurie për ndeshjen Itali–Izrael dhe marshimin pro-Palestinë

    Udine nën masa të rrepta sigurie për ndeshjen Itali–Izrael dhe marshimin pro-Palestinë

    Qyteti italian i Udines ndodhet sot nën masa të jashtëzakonshme sigurie për shkak të ndeshjes mes Italisë dhe Izraelit, e vlefshme për fazën “play-off” të kualifikueseve evropiane për Kupën e Botës 2026. Takimi pritet të zhvillohet në orën 20:45 në “Stadio Friuli”, përpara rreth 10 mijë tifozëve, pasi autoritetet kanë kufizuar kapacitetin për arsye sigurie.

    Paralelisht me ndeshjen, në qytet është paralajmëruar një marshim pro-Palestinë, me pjesëmarrje të pritshme po aq të madhe sa numri i tifozëve në stadium. Kjo ka shtyrë Ministrinë e Brendshme italiane të ndërmarrë një plan të gjerë sigurie.

    Në terren janë vendosur rreth 1000 forca sigurie – përfshirë policë, karabinierë dhe ushtarë – ndërsa situata monitorohet edhe nga helikopterë dhe dronë. Rreth stadiumit është shpallur “zonë e kuqe”, ku kontrollet janë të rrepta dhe përfshijnë përdorimin e detektorëve të metaleve dhe pajisjeve me rreze X.

    Në disa pika strategjike do të vendosen snajperë, ndërsa kombëtarja izraelite po shoqërohet nga agjentë të shërbimit sekret “Mossad”.

    Prefekti i Udines ka urdhëruar ndalimin e shitjes së pijeve në shishe qelqi apo kanaçe, si dhe heqjen e tavolinave, karrigeve dhe çadrave nga ambientet e jashtme të bareve dhe restoranteve pranë stadiumit.

    Masat e marra synojnë të garantojnë mbarëvajtjen e një mbrëmjeje të vlerësuar me “rrezik të lartë sigurie”. /ATVLIVE.TV

  • Reagimet pas fitores historike: Kurti dhe Osmani përgëzojnë Dardanët pas triumfit ndaj Suedisë

    Reagimet pas fitores historike: Kurti dhe Osmani përgëzojnë Dardanët pas triumfit ndaj Suedisë

    Fitorja historike e Kosovës ndaj Suedisë në Goteborg ka ngjallur entuziazëm të madh në gjithë vendin, ndërsa ndër të parët që kanë reaguar kanë qenë udhëheqësit e shtetit.

    Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë përgëzuar ekipin kombëtar për paraqitjen e jashtëzakonshme dhe rezultatin që e mban Kosovën fuqishëm në garë për një vend në Kupën e Botës 2026.

    Kryeministri Albin Kurti në një postim në Facebook e ka cilësuar fitoren si historike, duke vlerësuar karakterin dhe disiplinën e skuadrës.

    “Kosova e jashtëzakonshme! Lojë e disiplinuar, fitore e merituar dhe tjetër rezultat historik ndaj Suedisë për të forcuar vendin e dytë në grup dhe për të mbajtur të gjallë e të prekshme ëndrrën për kualifikim në Kupën e Botës. Gëzuar fitorja, përgëzime lojtarëve tanë e urime të gjithëve”, ka shkruar Kurti.

    Ndërkohë, edhe Presidentja Vjosa Osmani ka uruar futbollistët për paraqitjen e tyre të shkëlqyer, duke theksuar shpirtin garues të ekipit.

    “Djemtë e Kosovës treguan zemër, karakter dhe lojë fantastike sonte ndaj Suedisë, duke na kujtuar se kur luajmë me shpirt, asnjë sfidë nuk është e pamundur”, ka shkruar ajo.

    Kosova triumfoi me rezultat 1-0 në Goteborg, me golin vendimtar të Fisnik Asllanit, duke mbajtur vendin e dytë të grupit me 7 pikë, vetëm tri më pak se Zvicra. Kjo fitore e ka mbajtur të gjallë ëndrrën e Dardanëve për një kualifikim historik në Botërorin e vitit 2026.

  • Shqipëri–Jordani: Kuqezinjtë rikthehen në fushë pas fitores historike ndaj Serbisë

    Shqipëri–Jordani: Kuqezinjtë rikthehen në fushë pas fitores historike ndaj Serbisë

    Kombëtarja e Shqipërisë do të zbresë sot në fushën e stadiumit “Air Albania” në Tiranë për të zhvilluar një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Jordanisë. Kjo është sfida e dytë për Kuqezinjtë në muajin tetor, pas triumfit të madh dhe të shumëpritur ndaj Serbisë në Leskovc, ku Shqipëria fitoi me rezultat 2-0.

    Këtë herë atmosfera do të jetë më pak e tensionuar, pasi ndeshja ndaj Jordanisë ka karakter miqësor dhe i shërben trajnerit Sylvinho për të testuar elementë të rinj në skuadër. Pritet që tekniku brazilian t’u japë hapësirë lojtarëve që kanë pasur më pak minuta në ndeshjet zyrtare, si dhe disa futbollistëve të rinj që kanë spikatur me ekipet e tyre.

    Kjo ndeshje konsiderohet si një mundësi ideale për të vlerësuar gjendjen e përgjithshme të skuadrës, për të parë nga afër potencialin e lojtarëve të rinj dhe për të ndërtuar alternativa të vlefshme për sfidat zyrtare që e presin Shqipërinë në muajt në vijim. Me eliminatoret drejt fundit dhe përgatitjet për Europianin që afrohet, çdo ndeshje ka rëndësinë e vet për ndërtimin e një grupi sa më solid dhe konkurrues.

    Takimi mes Shqipërisë dhe Jordanisë do të zhvillohet sot ( e martë), më 14 tetor. Ndeshja do të nisë në orën 19:00 dhe pritet të ndjeket nga një numër i konsiderueshëm tifozësh, të cilët janë ende nën emocionet e fitores ndaj Serbisë.

    Pavarësisht se bëhet fjalë për një miqësore, interesimi për ndeshjen është i madh, pasi tifozët dëshirojnë të shohin në aksion disa nga emrat e rinj që mund të bëhen pjesë e të ardhmes së ekipit kombëtar. /ATVLIVE.TV

  • Plagoset një person në Drenas, policia heton rastin si “vrasje në tentativë”

    Plagoset një person në Drenas, policia heton rastin si “vrasje në tentativë”

    Një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, pasi ishte plagosur në këmbë nga një person i dyshuar.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 19:00 në Gllogoc, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

    “Viktima, mashkull kosovar, kishte kërkuar tretman mjekësor në QKMF Drenas, pasi kishte marrë plagë në këmbë, dyshohet nga arma e zjarrit e një personi të panjohur. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë njoftuar organet e drejtësisë. Me urdhër të prokurorit, ka nisur hetimi i rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Pas marrjes së ndihmës së parë, viktima është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor.

  • Një person bie në pranga, organizonte bixhoz të paligjshëm në Podujevë

    Një person bie në pranga, organizonte bixhoz të paligjshëm në Podujevë

    Një person është arrestuar në Podujevë pasi dyshohet se po organizonte lojëra të fatit.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti është zbuluar më 13 tetor rreth orës 21:00, kur njësitet policore kanë hasur të dyshuarin në një lokal ku po zhvilloheshin lojëra fati.

    Gjatë kontrollit, janë sekuestruar 85 euro para të gatshme, 1000 dinarë serbë dhe pajisje të ndryshme elektronike që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.