ATV

Blog

  • Serge Gnabry rikthehet në formë: Bayern përfiton, por e ardhmja mbetet e pasigurt

    Serge Gnabry rikthehet në formë: Bayern përfiton, por e ardhmja mbetet e pasigurt

    Serge Gnabry është kthyer në një nga temat më të përfolura brenda kampit bavarez, teksa sulmuesi 30-vjeçar po kalon një sezon mbresëlënës, duke fituar sërish besimin e klubit dhe tifozëve pas një periudhe të vështirë.

    Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany po kalon një moment të shkëlqyer, si në Bundesliga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, dhe forma e lartë e shumicës së lojtarëve, përfshirë edhe Gnabryn, ka qenë vendimtare për suksesin aktual.

    Pas një vere ku Bayern nuk e përjashtoi mundësinë e largimit të tij, Gnabry është shndërruar në një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës. Deri tani, ai ka zhvilluar 15 paraqitje zyrtare, duke shënuar tre gola dhe dhënë pesë asiste. Roli i tij pas Harry Kane është kthyer në një pikë kyçe në mekanizmin ofensiv të kampionëve të Gjermanisë.

    Megjithatë, pavarësisht formës së mirë, çështja e kontratës së tij mbetet pezull. Klubi nuk e ka përjashtuar një rinovim të mundshëm, por bisedimet nuk kanë marrë ende një drejtim konkret. I pyetur për të ardhmen, vetë lojtari është shprehur: “Nuk jam aspak i shqetësuar për momentin”, duke lënë të hapur të gjitha skenarët.

    Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjatjen e kontratës brenda muajve të ardhshëm, Gnabry mund të kthehet në një opsion interesant për shumë klube në merkaton e verës, pasi do të hyjë në vitin e parafundit të kontratës së tij me Bayernin. Për momentin, bavarezët po përfitojnë nga forma e tij, por e ardhmja e sulmuesit mbetet ende e paqartë.

  • Elton Krasniqi dhe Shkambi Baruti i bashkohen FC Prishtinës

    Elton Krasniqi dhe Shkambi Baruti i bashkohen FC Prishtinës

    FC Prishtina ka zyrtarizuar përforcimet e radhës në skuadër, duke afruar sulmuesin anësor 20-vjeçar, Elton Krasniqi. Futbollisti nga Kosova vjen me një përvojë të çmuar nga futbolli gjerman dhe i bashkohet klubit nga kryeqyteti në prag të edicionit të ri.

    Krasniqi ka qenë pjesë e skuadrës U19 dhe ekipit të dytë të Stuttgartit, ndërsa më parë ka zhvilluar karrierën e tij në akademinë e Hannoverit, ku është formuar si lojtar.

    Në nivel ndërkombëtar, ai ka përfaqësuar Kombëtaren e Kosovës në grupmoshat U15, U17 dhe U19.

    I prezantuar sot si lojtari më i ri i FC Prishtinës, Krasniqi shprehu emocionet e tij për këtë hap të ri në karrierë:

    “Jam i lumtur që i bashkohem një klubi të madh siç është Prishtina. Shpresoj që ky do të jetë një vit i suksesshëm dhe do të jap maksimumin për të arritur objektivat tona. Mezi pres të zbres në fushë dhe të luaj para tifozëve tanë, Plisat”, u shpreh ai për faqen zyrtare të klubit.

    Ndërsa, Shkambi Baruti, është qendërmbrojtës 194 cm i gjatë dhe i bashkohet skuadrës nga kryeqyteti.

    Baruti vjen me një përvojë nga futbolli shqiptar. Ai ishte pjesë e Partizanit, më pas kaloi te Tomori, ndërsa së fundmi ka luajtur për ekipin e Erzenit.

    21 vjeçari për faqen zyrtare te klubit u shpreh i lumtur që është pjesë e Prishtinës.

    “Është krenari të jesh pjesë e klubit ma të trofeshëm në Kosovë, premtoj se do ta jap maksimumin për këtë fanellë si dhe për tifozët e zjarrtë Plisat” – përfundoi Baruti. /ATVLIVE.TV

  • Përditsim zyrtar nga FC Barcelona: Situata e dëmtimeve para ndeshjes ndaj Gironës

    Përditsim zyrtar nga FC Barcelona: Situata e dëmtimeve para ndeshjes ndaj Gironës

    Klubi i FC Barcelona ka publikuar sot një përditësim zyrtar mbi gjendjen fizike të lojtarëve të ekipit të parë, teksa skuadra përgatitet për sfidën e radhës në La Liga ndaj Gironës.

    Të gatshëm për ndeshjen:
    • Fermín López është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e fundjavës.
    • Lamine Yamal, i cili kishte pasur shqetësime të lehta, gjithashtu është i gatshëm për të luajtur.

    Të dëmtuar:
    • Raphinha do të mungojë për 1 deri në 2 javë për shkak të një dëmtimi muskulor.
    • Dani Olmo pritet të jetë jashtë fushave për rreth 3 javë.
    • Joan García do të mungojë për një periudhë prej 1 muaji.
    • Marc-André ter Stegen përballet me një mungesë të gjatë prej 3 muajsh, pas një dëmtimi që kërkon trajtim të specializuar.
    • Gavi, i cili ka pësuar një dëmtim serioz, do të jetë jashtë fushave për rreth 5 muaj, duke mbyllur pjesën më të madhe të sezonit.

    Barcelona përballet me një seri mungesash të rëndësishme, por rikthimi i lojtarëve si Fermín dhe Yamal jep shpresa për një paraqitje pozitive ndaj një kundërshtari të fortë si Girona.

  • Kurti: Nuk kam nisur ende bisedimet për qeverinë, po përgatisim planin për ditët në vijim

    Kurti: Nuk kam nisur ende bisedimet për qeverinë, po përgatisim planin për ditët në vijim

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka zhvilluar komunikime me ndonjë parti apo deputetë lidhur me formimin e qeverisë së re, por ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të nisë një plan konkret për këtë proces, raporton Ekonomia Online.

    Kurti tha se ditët e fundit ka qenë i angazhuar me analizën e rezultateve zgjedhore dhe me vlerësimin e kontributeve të fushatave nëpër komuna, duke shtuar se për këtë arsye nuk ka pasur ende takime politike.

    “Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë,” tha Kurti.

  • Arrestohet një person në Graçanicë, nuk respektoi urdhrin mbrojtës të gjykatës

    Arrestohet një person në Graçanicë, nuk respektoi urdhrin mbrojtës të gjykatës

    Një person është arrestuar pasditen e së hënës në komunën e Graçanicës, pasi dyshohet se nuk ka respektuar një urdhër mbrojtës të lëshuar më herët nga gjykata. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, kur autoritetet janë njoftuar për shkeljen e masës së sigurisë.

    Në raportin e saj 24-orësh, Policia ka konfirmuar se i dyshuari, mashkull kosovar, ka vepruar në kundërshtim me masën e caktuar nga organi i drejtësisë. Për këtë arsye, rasti është klasifikuar zyrtarisht nga autoritetet si vepër penale e “mospërfilljes së gjykatës”. I dyshuari është shoqëruar në stacion për procedura të nevojshme hetimore, ndwrsa me vendim të prokurorit kujdestar, ai është dërguar në mbajtje.

  • Kuriozitet i Tokës – Si lind diamanti: një mrekulli që fillon në errësirë

    Kuriozitet i Tokës – Si lind diamanti: një mrekulli që fillon në errësirë

    A e keni menduar ndonjëherë… si mundet që një gur i vogël, që ndriçon si drita e diellit, të lindë në vendin më të errët të Tokës?

    Diamanti – simbol i dashurisë, i përjetësisë dhe i forcës, ka një histori që fillon shumë thellë, rreth 150 deri në 200 kilometra poshtë nesh, në një botë të mbushur me zjarr dhe presion të jashtëzakonshëm.

    Në ato thellësi, temperatura kalon 1000 gradë Celsius, dhe presioni është aq i madh sa çdo gjë tjetër do të shkrihej menjëherë. Por jo karboni.

    Ky element i zakonshëm që gjendet në qymyr, në ajrin që thithim dhe në trupin tonë, ndryshon formë. Atomet e tij lidhen në mënyrë të përsosur, dhe nga ky proces i heshtur, lind diamanti, materiali më i fortë natyror në Tokë.

    Por çfarë e bën këtë më mahnitëse është fakti se ky transformim zgjat miliona, madje miliarda vjet. Natyra punon ngadalë, në fshehtësi.Dhe vetëm kur vjen koha e duhur, një shpërthim i lashtë vullkanik e shtyn diamantin lart, përmes një rrugëtimi të gjatë drejt sipërfaqes. Aty ai del më në fund në dritë, i fshehur brenda shkëmbinjve kimberlitikë, si një sekret që Toka ka ruajtur për miliona vjet.

    Tani, mendojeni këtë: diamanti dhe grafiti: materiali që përdorim çdo ditë për të shkruar janë të përbërë nga i njëjti element: karboni. Por ndërsa grafiti është i butë dhe i errët, diamanti është i fortë dhe i pastër. E vetmja diferencë është mënyra se si janë renditur atomet e tyre. Në një rast, ato janë të shpërndara; në tjetrin, të lidhura në mënyrë perfekte.

    Një detaj i vogël që bën diferencën midis së zakonshmes…dhe të jashtëzakonshmes.Dhe ndoshta pikërisht për këtë diamanti na magjeps kaq shumë. Sepse në historinë e tij shohim edhe tonën: presioni, koha, vështirësitë janë ato që nxjerrin në pah forcën dhe bukurinë më të pastër.

    Përveç bukurisë, diamantet janë edhe një instrument shkencor unik, duke ndihmuar studiuesit të kuptojnë strukturën dhe temperaturat ekstreme të brendësisë së Tokës.

    Herën tjetër që shihni një diamant, mendoni për atë që nuk shihet menjëherë: mijëra vjet formimi, zjarr dhe presion, dhe fuqia e natyrës që e solli në dritë. Nuk është thjesht një gur; është një copë historie që vazhdon të shkëlqejë, edhe pas miliarda vjetësh.

  • Ndeshjet vendimtare të ditës: Shtatë ekipe pranë ëndrrës së Botërorit

    Ndeshjet vendimtare të ditës: Shtatë ekipe pranë ëndrrës së Botërorit

    Ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026 vazhdojnë sot, me pritshmëri të lartë për të mësuar emrat e pesë – e ndoshta deri në shtatë – kombëtareve të tjera që do të sigurojnë pjesëmarrjen në turneun e madh që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Nga Afrika, pritet të zyrtarizohen tre pjesëmarrës të rinj, ndërsa nga Azia, dy ekipe mund të sigurojnë kualifikimin. Evropa, gjithashtu, mund të japë dy emra të rinj në listën e pjesëmarrësve, në varësi të rezultateve të mbrëmjes.

    Në grupin A të zonës afrikane, Benini dhe Gaboni kanë një mundësi të artë për të siguruar paraqitjen e tyre të parë historike në Kupën e Botës.

    Benini pret Nigerinë në orën 18:00. Një fitore do ta çonte Beninin direkt në Kupën e Botës.

    Në rast barazimi, Benini do të varej nga ndeshja Afrika e Jugut – Ruanda, ku fitorja e Afrikës së Jugut do të siguronte kalimin e saj.

    Nigeria, nga ana tjetër, do të kualifikohej vetëm nëse mposht Beninin dhe Afrika e Jugut nuk arrin të fitojë.

    Një rezultat specifik 2-1 në favor të Nigerisë dhe humbje e Afrikës së Jugut do ta vendoste fatin e grupit përmes numrit të kartonëve të marrë – një skenar i pazakontë, por i mundshëm.

    Anglia mund të sigurojë biletën për Kupën e Botës me një fitore ndaj Letonisë.

    Portugalia, gjithashtu, ka mundësinë të kualifikohet sot, nëse mposht Hungarinë.

    Nga Azia, priten dy emra të tjerë që do të bëhen pjesë e garës globale, në pritje të rezultateve të fundit të raundit kualifikues. /ATVLIVE.TV

  • Lëndoi policin për t’i ikur kontrollit, arrestohet i dyshuari në Klinë

    Lëndoi policin për t’i ikur kontrollit, arrestohet i dyshuari në Klinë

    Një person është arrestuar në Klinë të hënën paradite, pasi dyshohet se ka lënduar një zyrtar policor gjatë tentativës për t’iu shmangur një ndalese të autoriteteve.

    Incidenti ka ndodhur rreth orës 11:40, kur i dyshuari ishte ndaluar nga një patrullë policore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Sipas raportit të Policisë, pasi iu komunikua se duhej t’i nënshtrohej kontrollit, ai me vrull ka nisur automjetin për t’u larguar me forcë nga vendi i ngjarjes.

    Gjatë këtij manovrimi, një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Pas një reagimi të shpejtë, njësitet policore kanë arritur ta identifikojnë dhe ta arrestojnë të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

    Pas përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Vizita e Von der Leyen në Kosovë, në agjendë takimi me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti

    Vizita e Von der Leyen në Kosovë, në agjendë takimi me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë nesër Kosovën, ku do të zhvillojë takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Kjo vizitë është pjesë e një turi në Ballkanin Perëndimor për të rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për rrugën evropiane të rajonit.

    Në qendër të bisedimeve do të jetë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Ky mekanizëm synon të përshpejtojë integrimin gradual të rajonit në tregun e përbashkët evropian, duke kushtëzuar mbështetjen financiare me zbatimin e reformave thelbësore nga ana e institucioneve vendore.

    Vizita e saj në Prishtinë vjen menjëherë pas qëndrimit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

  • GO+ Peja nis sonte garat në Ligën ENBL

    GO+ Peja nis sonte garat në Ligën ENBL

    GO+ Peja do të ketë sonte ndeshjen e parë në Ligën ENBL të basketbollit.

    Skuadra me traditë nga Kosova do të përballet me ekipin Riga Zelli nga Letonia.

    Sfida zhvillohet nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, për shkak se palestra në Pejë është e zënë për shkak të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë.

    Për verdhezinjtë ky është takimi i parë, ndërsa Riga Zelli do të ketë ndeshjen e dytë dhe hyn pas fitores ndaj Dziki Warszawa (93:91).

    Pejanët do të kenë tetë ndeshje, katër vendas dhe katër mysafirë, për të kërkuar kualifikimin tutje. /ATVLIVE.TV