ATV

Blog

  • Mirlind Daku titullar ndaj Jordanisë – Kosovari nis nga minuta e parë në “Air Albania”

    Mirlind Daku titullar ndaj Jordanisë – Kosovari nis nga minuta e parë në “Air Albania”

    Sulmuesi me origjinë nga Kosova, Mirlind Daku, do të jetë titullar në ndeshjen miqësore që Shqipëria zhvillon sonte ndaj Jordanisë, në stadiumin “Air Albania” me fillim nga ora 19:00.

    Ky është një moment i rëndësishëm për Dakun, i cili vazhdon të fitojë besimin e trajnerit Sylvinho, pas paraqitjeve të mira në fanellën kuqezi. Sulmuesi nga Gjilani do të udhëheqë repartin ofensiv, i mbështetur nga Arbër Hoxha në krahun e majtë dhe Jasir Asani në të djathtin – një treshe sulmuese që premton rrezik konstant për portën kundërshtare.

    Daku ka treguar shpesh se është një sulmues i papërkulshëm, dhe sonte do të ketë një tjetër mundësi për të lënë gjurmë në sy të trajnerit dhe tifozëve, ndërsa Shqipëria përgatitet për sfidat vendimtare të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

    Formacioni i Shqipërisë për ndeshjen kundër Jordanisë:
    • Portier: Gentian Selmani
    • Mbrojtja: Ivan Balliu, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti (C), Mario Mitaj
    • Mesfusha: Kristjan Asllani, Juljan Shehu, Nedim Bajrami
    • Sulmi: Jasir Asani, Mirlind Daku, Arbër Hoxha

    Ndeshja vjen vetëm pak ditë pas fitores historike 1:0 ndaj Serbisë në Leskovc, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026 – ku Rey Manaj shënoi golin e artë për Shqipërinë.

    Sonte, me Mirlind Dakun në majën e sulmit, Shqipëria synon një tjetër paraqitje pozitive dhe konfirmim të formës së mirë që ka shfaqur në muajt e fundit

  • Tension në Kamerun pas barazimit ndaj Angolës – tifozët shpërthejnë kundër Samuel Eto’o

    Tension në Kamerun pas barazimit ndaj Angolës – tifozët shpërthejnë kundër Samuel Eto’o

    Klima në futbollin kamerunas është përshkruar nga tensione të mëdha pas barazimit 0-0 me Angolën, që i ka kushtuar kombëtares humbjen e një vendi të drejtpërdrejtë për në Kupën e Botës 2026. “Luanët e pathyeshëm” janë detyruar të kalojnë në fazën play-off, duke i lënë vendin e parë në grup Kepit të Gjelbër.

    Situata shpërtheu menjëherë pas ndeshjes në stadiumin e Yaoundé, ku mijëra tifozë shënjestruan me akuza dhe thirrje fyese presidentin e Federatës Kamerunase të Futbollit, Samuel Eto’o. Mediat lokale raportojnë se në tribunat e stadiumit janë dëgjuar thirrje si:

    “Ai është arsyeja pse nuk jemi kualifikuar!”
    “Eto’o e ka shkatërruar futbollin tonë!”

    Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë forcat e sigurisë duke ndërhyrë për të mbajtur rendin, teksa disa dëshmitarë pohojnë se Eto’o ka reaguar me nervozizëm ndaj sharjeve, para se të tërhiqej nga stafi i tij për të shmangur një incident më të madh.

    Në mbrojtje të ish-yllit të Barcelonës ka dalë zyrtari i qeverisë kamerunase, Jean de Dieu Momo, i cili ka deklaruar se sjellja e tifozëve ishte “e tepruar, provokuese dhe e nxitur nga xhelozia”.

    Samuel Eto’o, që dikur konsiderohej si simboli i futbollit kamerunas për sukseset e tij në arenën ndërkombëtare, sot ndodhet nën një presion të madh. Mandati i tij si president i federatës ka qenë i mbushur me tensione, përplasje me trajnerin Marc Brys, dhe polemika të brendshme që kanë lënë gjurmë në performancën e skuadrës kombëtare.

    Barazimi ndaj Angolës dhe dështimi për të siguruar kualifikimin direkt në Botëror, për shumë tifozë dhe analistë, përfaqëson një dështim të madh në epokën Eto’o – dhe për momentin, pozita e tij në krye të FECAFOOT duket më e brishtë se kurrë.

  • Cristiano Ronaldo vetëm një gol larg nga rekordi historik në kualifikueset e Kupës së Botës

    Cristiano Ronaldo vetëm një gol larg nga rekordi historik në kualifikueset e Kupës së Botës

    Legjenda portugeze Cristiano Ronaldo është në prag të një tjetër rekordi madhështor. Sulmuesi 40-vjeçar është vetëm një gol larg për t’u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kualifikueset e Kupës së Botës.
    Me golat e fundit të shënuar me fanellën e Portugalisë, Ronaldo e ka çuar numrin e tij në kualifikueset botërore në 41, duke barazuar rekordin aktual. Tani, me vetëm një gol të ri, ai do të shkruajë emrin në historinë e FIFA-s si golashënuesi absolut në këtë kompeticion.

    Ronaldo tashmë është:
    • Golashënuesi më i mirë në histori të ekipeve kombëtare,
    • Golashënuesi më i mirë në historinë e Europianëve,
    • Golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve,
    • Dhe tani, pranë një tjetër rekordi botëror.

    Portugalia do të zhvillojë ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikueseve në ditët në vijim dhe të gjitha sytë do të jenë nga Ronaldo, që kërkon të vendosë edhe një tjetër vulë në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

  • Një veturë bie në liqenin e Ujmanit

    Një veturë bie në liqenin e Ujmanit

    Një veturë ka përfunduar në liqenin e Ujmanit pasditen e së martës.

    Rasti është konfirmuar nga zëvendës drejtori i policisë për veriun, Veton Elshani.

    Sipas të dhënave fillestare, vetura ka rënë në liqen derisa dy persona kanë qenë duke bërë fotografi aty afër.

    Siç njoftohet nga policia, personat kishin harruar të tërhiqnin frenin e dorës.

    Përveç dëmeve materiale në makinë, nuk raportohet për të lënduar.

  • A po venitet mbështetja për Listën Serbe?

    A po venitet mbështetja për Listën Serbe?

    Kandidatët për kryetarë të Listës Serbe, në raund të parë fituan nëntë, nga gjithsej 10 komuna me shumicë serbe, në territorin e Kosovës.

    Partia më e madhe serbe në vend, zë vendin e parë për nga numri i komunave të fituara pa balotazh.

    Sidoqoftë, nëse merret për bazë përqindja e votave të fituara, në disa komuna ka rënie të përkrahjes për këtë parti, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

    Në Mitrovicë të Veriut, Milan Radojevic, mori pak mbi 60% të votave, apo rreth 31% në pak se në zgjedhjet e kaluara.

    Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këtë komunë dolën të votojnë rreth tre mijë persona më pak, se në tetorin e para katër vjetëve.

    Edhe në tre komunat e tjera veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, kandidatët e Listës Serbe, morën më pak vota në përqindje.

    Por në secilën prej tyre, mbështetja nuk bie nën 70%.

    Profesori Gëzim Qerimi, thotë se LS-ja vazhdon të jetë faktor politik në dhjetë komunat me shumicë serbe.

    “Vërehet se nuk është një mbështetje absolute për Listën Serbe, por vazhdon të jet mjaft e fuqishme, duke pasur parasysh se vetëm në Mitrovicën e Veriut, ka një rënie të mbështetjes sepse fitorja është me 60% të elektoratit, por në tri komunat e tjera, mbështetja është mbi 70% dhe mund të konsiderohet si një mbështetje e madhe”, thotë Qerimi.

    Ndërkohë në komunat veriore, dalja për të votuar që më e vogël se në vitin 2021, sidomos në Leposaviq, ku rreth gjashtë mijë qytetarë më pak, morën pjesë në proces.

    Në Partesh kandidati i partisë rriti mbushjen.

    Novobërda i dha thuajse të njëjtën përqindje të votave kandidatit të Listës Serbe edhe në këto zgjedhje, ashtu si dhe Shtërpca.

    Në Graqanicë LS-ja doli e para me mbi 62% të votave të fituara, por rreth 15% më pak se në vitin 2021.

    Në Ranillugë, kandidati i partisë, mori afro 30% më pak mbështetje, teksa në zgjedhjet e kaluara nuk kishte fare kundër kandidat.

    Profesori universitar, Basri Muja, rezultatet i lidh me mundësimin e pluralizmit politik, në komunat me shumicë serbe.

    “Ka të bëjë me humbjen e përkrahjes së Listës Sërpska, por mbi të gjitha me vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të republikës dhe si rrjedhojë edhe të mundësisë më të madhe për organizime politike, autotentike të pjestarëve të këtij komuniteti në Kosovë”, përmend Muja.

    Në Kllokot, ashtu si në vitin 2021, kandidati i Listës Serbe, do të ballafaqohet në balotazh me kandidatin që zuri vendin e dytë në zgjedhjet e 12 tetorit.

     

  • Jobe Bellingham në radarin e dy klubeve nga Premierliga angleze

    Jobe Bellingham në radarin e dy klubeve nga Premierliga angleze

    Ylli anglez Jobe Bellingham,mund të largohet nga klubi gjerman Borussia Dortmund.

    Talenti 20 vjeçar nuk po kalon momente të mira në Signal Iduna Park,dhe madje ka pasur përplasje edhe në mes të babait të tij dhe trajnerit Niko Kovac.

    Përndryshe dy klube nga Premierliga angleze Manchester United dhe Crystal Palace janë të interesuar për shërbimet e Jobe,dhe pritet që njëra apo klubi të dërgojnë ofertat për anglezin.

    Tek Man United shihet si një lojtar perfekt për sistemin 3-4-2-1,të cilën e aplikon trajneri Ruben Amorim.

    Kurse në anën Crystal Palace synon transferimin e Bellingham,kjo për faktin se në rast se Adam Ëharton largohet atëherë 20 vjeçari do të ishte zëvendësimi ideal për të në repartin e mesfushës.

  • Këtu mund t’i ndiqni LIVE rezultatet e kandidatëve për Asamble Komunale

    Këtu mund t’i ndiqni LIVE rezultatet e kandidatëve për Asamble Komunale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka publikuar edhe linkun ku mund të ndiqen në kohë reale rezultatet e kandidatëve për Asambletë Komunale.

    KQZ ka bërë të ditur se publikimi i këtyre rezultateve bëhet në platformën e tyre, duke klikuar në këtë link: https://resultslocal2025.kqz-ks.org

    Në këtë platformë mund të gjendet edhe rezultatet për kryetarë të komunave; dhe, rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale./ATVLIVE/

  • A keni dëgjuar për pastrimin suedez të shtëpisë?

    A keni dëgjuar për pastrimin suedez të shtëpisë?

    Një filozofi jetese që kombinon rregullin, qetësinë dhe lirinë nga gjërat e panevojshme

    Edhe pse duhet të ketë pak “rroba për dalje”, nuk duhet të jenë të tepërta. Një fustan klasik apo një sako mund të përshtaten si për veshje të përditshme, ashtu edhe për raste të veçanta.

    Metoda e “pastrimit suedez” ka fituar popullaritet falë artistes Margareta Magnusson dhe idesë së saj për të shmangur grumbullimin e rrëmujës dhe të sendeve që do ta rëndonin atë dhe të dashurit e saj pas vdekjes.

    Ajo ka shkruar për këtë temë, dhe qasja e saj ndaj pastrimit të shtëpisë është treguar shumë universale: funksionon jo vetëm për rregullimin e dollapit, por edhe për rishikimin e zakoneve, shëndetit madje edhe pamjes suaj.

    Ku të filloni – dollapi dhe rafti i këpucëve

    Ekspertët këshillojnë që të fillohet me më të dukshmen – rrobat dhe këpucët. Aty është më e lehtë të bëhet një përzgjedhje: të gjithë e dinë çfarë veshin rregullisht dhe çfarë qëndron pa u përdorur prej vitesh.

    Taka të larta që nuk i keni veshur për dhjetë vjet? Një palë këpucë që ju bezdisin që në hapin e parë? Këto sende vetëm zënë hapësirë dhe ju ngarkojnë psikologjikisht. E njëjta gjë vlen edhe për stilet e vjetruara që “presin kthimin e modës”, në realitet, me gjasë nuk do t’i vishni më kurrë.

    Megjithatë, mos u nxitoni t’i hidhni menjëherë të gjitha: disa rroba cilësore mund t’i ruani përkohësisht, ndërsa pjesën tjetër dhuroni atyre që kanë më shumë nevojë, transmeton Telegrafi.

    Por çfarë të bëni me një gardërobë që duket “plot”, ndërkohë që në të vërtetë përdoret vetëm pjesërisht?

    Matematika e gardërobës: 30% kundrejt 70%

    Sipas statistikave, gratë përdorin rregullisht vetëm rreth 30% të rrobave të tyre, ndërsa pjesa tjetër u përket “të së kaluar”: rroba “para lindjes së fëmijë”, “për dobësim”, “për raste të veçanta” ose të blera me nxitim për shkak të uljeve.

    Logjika e metodës suedeze është e thjeshtë: mbani vetëm ato që i përshtaten stil-it tuaj aktual të jetës. Të tjerat duhet larguar. Nuk ka kuptim të lini gjëra të panevojshme “për në shtëpinë verore” ose “për rinovim”, zakonisht mbeten të papërdorura.

    Por si ta mbushni hapësirën e liruar që të mos kthehet përsëri në magazinë?

    Më pak, por më mirë: fokus në cilësi

    Hapi i radhës është të mësoni të zgjidhni cilësinë përpara sasisë. Kjo vlen veçanërisht për veshjet e sipërme. Ato zgjasin më shumë, prandaj është më e leverdishme të investoni në një artikull të mirë gjatë uljeve, sesa të blini çdo sezon produkte të lira e jetëshkurtra.

    I njëjti parim vlen edhe për gardërobën bazë. Pse të blini një pulovër të pestë të ngjashme vetëm për shkak të një uljeje? Vlen ta pyesni veten sinqerisht: “A është kjo diçka që vërtet dua ta vesh sërish e sërish?”

    Edhe pse duhet të ketë pak “rroba për dalje”, nuk duhet të jenë të tepërta. Një fustan klasik apo një sako mund të përdoren si për ditët e zakonshme, ashtu edhe për rastet e veçanta.

    Shkathtësia është çelësi për të shmangur grumbullimin e panevojshëm.

    Por pastrimi suedez nuk ka të bëjë vetëm me rrobat. Mbajtja e dollapit të organizuar është vetëm hapi i parë. /Telegrafi/

  • Orari i ndeshjeve në Superligën e pingpongut për meshkuj dhe femra

    Orari i ndeshjeve në Superligën e pingpongut për meshkuj dhe femra

    Këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e javës së 10-të dhe të fundit në Superligën e femrave dhe javën e 12-të të meshkujve.

    Te Superliga e femrave, në javën e fundit do të jetë edhe skuadra kampione, pasi në Prishtinë do të ballafaqohen Drita dhe Prishtina, që me pikë të barabarta e kryesojnë renditjen aktuale. Në ndeshjet tjera Gjilani takohet me Ahmet Hoxhën dhe Juniku e Shpresa garojnë për pozitën e 5-të.

    Te meshkujt, këtë javë i kemi dy ballafaqime shumë të forta që do të luhen në Prishtinë, së pari Dardania e pret kryesuesen, Lidhjen e Prizrenit, kurse Pripingu e pret Lirinë, pra do të jetë ky një ballafaqim ndërmjet të tretit dhe të dytit në tabelë. Hasan Prishtina takohet me Prishtinën, kurse Vushtrria e pret Shkolla Prizrenin rivalin direkt për pozitë e 6-të. /ATVLIVE.TV

  • Mirjeta Bytyqi: “Duhet të tregojmë kurajë, disiplinë dhe shpirt të fortë ekipor”

    Mirjeta Bytyqi: “Duhet të tregojmë kurajë, disiplinë dhe shpirt të fortë ekipor”

    Hendbollistja Mirjeta Bytyqi ka shkëlqyer në fundjavë në Zvicër. Ajo i shënoi plot 14 gola nga 15 tentime për skuadrën Spono Eagles.

    Bytyqi e solli atë energji pozitive në Kombëtaren e Kosovës ku është njëra prej lidereve, ndërsa ndaj Francës të mërkurën dhe ndaj Kroacisë të dielën, do të jetë kapitene.

    Bytyqi është e vetëdijshme për nivelin e kundërshtareve, kurse çmon mundësinë që do ta kenë për rritje të mëtejme dhe për zhvillimin e lojtareve të reja.

    “Ekipi ynë kombëtar i është nënshtruar një përtërirjeje të madhe dhe e shohim këtë periudhë si mundësi të vlefshme për rritje dhe zhvillim të mëtejmë. Të përballemi me Francën dhe Kroacinë do të jetë sfidë e madhe. Por po ashtu do të jetë shans për të fituar përvojë të rëndësishme dhe që të vazhdojmë ndërtimin për të ardhmen. Është esenciale për ne të tregojmë kurajë, disiplinë dhe shpirt të fortë ekipor”, ka thënë Bytyqi.

    Kombëtarja është duke udhëtuar për në Francë, ndërsa nesër (e mërkurë) do të zhvillojë ndeshjen nga ora 20:45 në Nimes, kundër të kaltërve. /ATVLIVE.TV