ATV

Blog

  • Nis takimi mes presidentes së KE-së dhe Osmanit në Presidencë

    Nis takimi mes presidentes së KE-së dhe Osmanit në Presidencë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Takimi po zhvillohet në objektin presidencial, ndërsa mediat janë lejuar të raportojnë vetëm në fillim të takimit.

    Pas takimit me Osmanin, Ursula von der Leyen pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Ky takim do të zhvillohet në objektin e Kuvendit të Kosovës, dhe jo në zyrat e Qeverisë.

    Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse pas këtyre takimeve do të mbahet ndonjë konferencë për media.

  • Osmani shpreson që partitë “të gjejnë gjuhë të përbashkët” për formimin e ekzekutivit

    Osmani shpreson që partitë “të gjejnë gjuhë të përbashkët” për formimin e ekzekutivit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është në duart e partive politike që të formojnë Qeverinë e re, duke theksuar se shpreson shumë që ato të gjejnë gjuhë të përbashkët në mënyrë që vendi të ketë ekzekutiv me mandat të plotë sa më shpejtë.

    “Unë shpresoj shumë që sa më parë të kemi Qeveri me mandat të plotë kushtetues sepse siç e dini Qeveria në detyrë ka kompetenca të kufizuara sipas Ligjit për Qeverinë. Kjo pastaj e pengon jo vetëm punën e Qeverisë, por e pengon shtetin në tërësi”, tha Osmani për gazetarët, pasi mori pjesë në një ngjarje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Osmani tha se një ekzekutiv me mandat të plotë do të mund të shtyjë përpara reforma, të miratojë një buxhet gjithëpërfshirës dhe të marrë vendime të tjera.

    “Por, kur do të ndodhë kjo, siç e thash është në duart e partive politike, të cilat shpresoj shumë se do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe qytetarët e Kosovës, në përputhje me vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhje, do të kenë Qeveri me mandat të plotë”, tha e para e vendit.

    Osmani e ka mandatuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re qeveritare, e cila duhet të miratohet me 61 vota.

    Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk mori vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme.

    Kurti ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të zhvillojë diskutime me partitë për formimin e koalicionit qeverisës.

    “Nga data që është mandatuar janë 15 ditë dhe natyrisht që afatet rrjedhin, por negociatat për koalicione bëhen vetëm ndërmjet partive, në rastin konkret mund të bëhen edhe me deputetë. Por, janë diskutime mes partive politike, në të cilat, si presidente nuk do të duhej të ndërhyja. Rrjedhimisht, unë nuk mund ta di se deri ku kanë arritur ato negociata, potencialisht”, deklaroi Osmani.

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu nga LVV-ja, ka deklaruar ditë më parë se partia e saj mund të diskutojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ndonjë koalicion të mundshëm, pasi Nisma Socialdemokrate nuk ka qenë e interesuar të përfshihet në qeverisje.

    Ajo e ka përjashtuar ndonjë koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Haxhiu ka përmendur po ashtu mundësinë që të diskutojnë me deputetët individualë për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Njohësit e zhvillimeve politike i thanë Radios Evropa e Lirë se gara e partive politike për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale – që do të mbahet më 9 nëntor – mund t’i ndikojë negociatat për formimin e ekzekutivit të ri.

    Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

    Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

    Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja./REL

  • Ilka Štuhec shpall sezonin e fundit në Kupën e Botës: Synon Lojërat Olimpike në Cortina

    Ilka Štuhec shpall sezonin e fundit në Kupën e Botës: Synon Lojërat Olimpike në Cortina

    Skiatorja alpine sllovene, Ilka Štuhec, ka konfirmuar planet për sezonin e ri të Kupës së Botës në një konferencë për shtyp të mbajtur në Hotel Arena në Maribor. 35-vjeçarja, dy herë kampione bote në disiplinën e lëshimit, deklaroi se ky sezon me shumë gjasë do të jetë i fundit në karrierën e saj të gjatë dhe të suksesshme.

    “Po, ky është sezoni im i fundit — nëse nuk ndryshoj mendje,” u shpreh ajo me një buzëqeshje, duke lënë një derë të hapur për ndonjë rikthim të mundshëm.

    Për Ilkën, sezoni i ri do të nisë më vonë se zakonisht. Gara e parë për të do të zhvillohet më 12 dhjetor në pistën e njohur të St. Moritz, ku do të garojë në disiplinën e saj të preferuar, lëshimin. Përveç Kupës së Botës, fokusi kryesor i skiatores nga Maribori do të jenë Lojërat Olimpike Dimërore në Cortina d’Ampezzo, të planifikuara për shkurtin e vitit 2026.

    “Lojërat Olimpike janë gjithmonë një ngjarje e veçantë. Këtë herë janë më afër, gjeografikisht dhe emocionalisht,” theksoi ajo. “Kemi një kalendar tashmë të përcaktuar. Ndoshta do të kemi edhe një udhëtim në SHBA, por gjithçka varet nga kushtet e motit.”

    Me një karrierë që ka kaluar sfida, lëndime dhe triumfe, Ilka Štuhec mbetet një prej emrave më të respektuar në skitë alpine. Sezoni i ardhshëm pritet të jetë një rrugëtim emocional, jo vetëm për të, por edhe për adhuruesit e sportit që e kanë ndjekur në çdo hap.

    Nëse ky vërtet do të jetë fundi i saj në Kupën e Botës, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt — Ilka do të kërkojë të përmbyllë karrierën me stil dhe me garën më të madhe të dimrit: Olimpiadën.

  • Broja në superformë, gol dhe asist ndaj Jordanisë – reagon Burnley

    Broja në superformë, gol dhe asist ndaj Jordanisë – reagon Burnley

    Armando Broja dha sinjale të forta forme me fanellën kuqezi në miqësoren e fituar 4-2 ndaj Jordanisë. Sulmuesi u hodh në fushë nga Silvinjo në pjesën e dytë dhe bëri diferencën brenda pak minutash.

    Fillimisht realizoi një gol, më pas shërbeu një asist për Nedim Bajramin – duke vulosur një paraqitje mbresëlënëse në vetëm 15 minuta.

    Reagimi nuk mungoi as nga ekipi e tij, Burnley, që i kushtoi një postim të veçantë Brojës:

    “Një gol dhe asist për Armando Brojën në fitoren 4 me 2 të Shqipërisë kundër Jordanisë.”

    Tani, sulmuesi 23-vjeçar synon të gjejë rrjetën edhe në Premier League, teksa ndeshja e radhës për Burnleyn është ndaj Leeds United në shtëpi. /ATVLIVE.TV

  • Ushtria izraelite thotë se një nga trupat e dorëzuar nga Hamasi “nuk përputhet me asnjë nga pengjet”

    Ushtria izraelite thotë se një nga trupat e dorëzuar nga Hamasi “nuk përputhet me asnjë nga pengjet”

    Ushtria izraelite ka njoftuar të mërkurën se një nga trupat e dorëzuar nga Hamasi të martën në mbrëmje “nuk përputhet me asnjë nga pengjet”.

    Sipas ushtrisë, konstatimi është bërë pas ekzaminimeve në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore. “Hamasi është i detyruar të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të kthyer pengjet e vdekura”, është theksuar në njoftim.

    Grupi militant palestinez kishte kthyer të hënën 20 pengjet e gjalla dhe trupat e katër të vdekurve. Të martën, njoftoi ushtria izraelite, Hamasi ktheu edhe katër trupa të tjerë, pas presionit nga Izraeli se nëse nuk do t’i kthente ato, do të ndalohej hyrja e ndihmave humanitare në Gazë.

    Në total, janë 28 pengje që kanë vdekur gjatë robërisë, që nga marrja e tyre nga Hamasi gjatë një sulmi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023.

  • Në dhjetor nis gjykimi në mungesë ndaj tre të akuzuarve për krime lufte në Kosovë

    Në dhjetor nis gjykimi në mungesë ndaj tre të akuzuarve për krime lufte në Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se më 22 dhjetor do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj tre të pandehurve të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

    Të akuzuarit Dushan Gavraniq, Zoran Sharac dhe Zharko Cvetanoviq përballen me aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2024, për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

    Gjykimi do të zhvillohet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës. Gjykata u ka bërë thirrje të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para autoriteteve të drejtësisë së Kosovës, ndërsa qytetarët që posedojnë informacione për vendndodhjen e tyre ftohen t’i raportojnë ato tek Policia e Kosovës apo organet kompetente.

    Seanca do të mbahet në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, Objekti D, Kati I, Salla nr. 27, me fillim nga ora 13:15, dhe do të udhëhiqet nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska.

  • Çmime marramendëse për biletat e ndeshjes Real Madrid-Barcelonë

    Çmime marramendëse për biletat e ndeshjes Real Madrid-Barcelonë

    Tifozët spanjollë të futbollit po përballen me një provë serioze për xhepat e tyre, pasi çmimet e biletave për El Clasicon e parë të sezonit arritën nivele astronomike.

    Përballja mes Real Madridit dhe Barcelonës, e cila do të luhet në ‘Santiago Bernabeu’ më 26 tetor, do të jetë në dispozicion vetëm për ata që janë të gatshëm të paguajnë shuma rekord.

    Sipas informacionit zyrtar nga faqja e internetit e Real Madridit, çmimet e biletave për derbin e madh variojnë nga 135 deri në 465 euro. Biletat më të lira janë për vendet në amfiteatrin e katërt të stadiumit, ndërsa më të shtrenjtat, duke ofruar shikueshmërinë më të mirë të fushës, arrijnë një çmim mbresëlënës prej 465 eurosh.

    Megjithatë, tronditja e vërtetë vjen nga çmimet për vendet VIP. Ato fillojnë nga 990 euro, duke vendosur një rekord të ri për klubin në vitet e fundit.

    Edhe vendet standarde në seksionet e poshtme dhe të sipërme të tribunave shiten për rreth 405 euro, ndërsa ato me pamje më të mirë në seksionin qendror kushtojnë 325 euro.

  • ASK: Rritet numri i martesave, bie numri i divorceve

    ASK: Rritet numri i martesave, bie numri i divorceve

    Numri i martesave në gusht është rritur ndjeshëm, duke shënuar një rritje prej 59.5 për qind krahasuar me muajin korrik.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë gushtit janë regjistruar 1972 kurorëzime brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në korrik ishin 1236 martesa.

    Në anën tjetër, është shënuar rënie prej 45.2 për qind në numrin e divorceve.
    Në gusht janë regjistruar 97 divorce, krahasuar me 177 raste në korrik.

    Po ashtu, në gusht janë regjistruar 2516 lindje, që paraqet një rënie prej 6.4 për qind në krahasim me muajin paraprak, ndërsa 914 raste të vdekjeve, që është një rritje prej 4.3 për qind krahasuar me korrikun.

    ASK thekson se këto të dhëna bazohen në informacionet e siguruara nga Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës.

  • Protesta për UÇK-në, Spiropali: Ne jemi bashkë në një thirrje e një besim, Liria ka emër

    Protesta për UÇK-në, Spiropali: Ne jemi bashkë në një thirrje e një besim, Liria ka emër

    Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar për protestën gjithëkombëtare që do të mbahet të premten, më 17 tetor, në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Spiropali ka theksuar se të gjithë shqiptarët do të jenë të bashkuar në Tiranë “si një zemër” kundër padrejtësisë.

    Ajo ka kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar drejtësia ndërkombëtare ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke e quajtur atë “alkimi djallëzore të shndërrimit të heronjve në vrasës”.

    Spiropali ka shtuar se protesta e 17 tetorit në sheshin “Skënderbej” do të jetë një zë i fuqishëm për drejtësi dhe liri.

    Postimi i plotë:

    Zemrat Kuqezi kundër Padrejtësisë!

    Në këtë shekull të shqiptarëve, liria nuk mund të jetë e plotë me pranga në duart e çlirimtarëve. Me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin në qeli, ndërgjegjja kombëtare nuk mund të jetë e qetë dhe padrejtësia do të ketë ende hise në hakun e shqiptarit.

    Alkimia djallëzore e shndërrimit të heronjve të djeshëm të moralit dhe aleatëve euroatlantikë, në vrasës, e kthimit përmbys me truke e trike juridike e të vërtetave historike, shpërblimi i agresorit të djeshëm me rivrasjen e viktimës është më shumë se kriminale. Ajo duhet të marrë fund ashtu siç nisi, menjëherë dhe pa kushte.

    Në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë e kudo ku rreh zemra e shqiptarit, ne jemi bashkë në një thirrje e një besim: Liria ka emër!

    Liria ka emrin e çlirimtarëve të djeshëm dhe luftëtarëve të sotëm, që ndeshen për shumë më shumë se lirinë personale.

    Po ndeshen për të vërtetën, kujtesën historike dhe të drejtën e një populli që nuk ka marrë shpagim e as nuk kërkon hakmarrje, por do, lutet e kërkon të marrë e do të marrë, vetëm drejtësi.

    Në 17 tetor zemra e shqiptarëve anë e mbanë botës, kudo ku i ka çuar fati e kudo po ndërtojnë fatin e tyre, do të rrahë në sheshin Skënderbej.

    Nën hijen e Heroit Kombëtar, ne do të protestojmë kundër padrejtësisë që prek të gjithë shqiptarët, çojmë zërin tonë në Hagë duke kërkuar kthimin në liri të çlirimtarëve.

    Ajo që lindi si gjykatë speciale e parimeve të së drejtës nuk mund të jetë pafundësisht sinonim i padrejtësisë e turp i drejtësisë ndërkombëtare, që kërkon të përmbysë historinë, të relativizojë të vërtetën, të përdhosë sakrificën përmes padrejtësive proceduriale, paraburgimit të zgjatur pa gjyq.

    E mbi të gjitha kur sot, ka vetëm një grusht akuzash të pabaza, të pafaktuara, pjellë e një raporti të diskretituar tanimë si prodhim fantazie nga hetimet serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i fortë dhe i pandashëm në përkrahje të Republikës së Kosovës, por edhe në denoncimin e kësaj padrejtësie, deri në kthimin në shtëpi të luftëtarëve.

    Të premten në 17 tetor, në sheshin “Skënderbej”.

    Shqiptarët bashkë për Lirinë! Për Drejtësinë! Për Kosovën!

  • “Dardanët” mbështesin protestën gjithëkombëtare në Tiranë

    “Dardanët” mbështesin protestën gjithëkombëtare në Tiranë

    Mbështetje për protestën gjithëkombëtare që do të mbahet në Tiranë ka shprehur edhe Grupi i tifozëve të Kosovës, “Dardanët”.

    Përmes një njoftimi në Facebook, ata i janë bashkuar thirrjes së organizatave të dala nga lufta, duke kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësve të UÇK-së nga Haga.

    “Dardanët” theksojnë se mesazhi nga kryeqyteti shqiptar duhet të jetë i qartë se UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte dhe se adresa e krimeve është Beogradi.

    LEXONI EDHE:

    ​Osmani mbështet protestën në Tiranë, thotë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze