ATV

Blog

  • Heqja e masave ndaj Kosovës në fokus të takimit Osmani–Von der Leyen

    Heqja e masave ndaj Kosovës në fokus të takimit Osmani–Von der Leyen

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të ecë përpara me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se me von der Leyen kanë diskutuar mbi zbatimin e Planit të Rritjes dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.

    “Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore.”, ka shkruar Osmani.

  • Të enjten fillon Liga e Parë e Meshkujve në Basketboll

    Të enjten fillon Liga e Parë e Meshkujve në Basketboll

    Liga e Parë e Meshkujve në Basketboll pritet të fillojë të enjten dhe të premten, ku do të zhvillohet java e parë.

    Ky edicion pritet të jetë shumë interesant, me nëntë skuadra që do të garojnë e luftojnë, që edicionin e ardhshëm të jenë pjesë e elitës së basketbollit.

    Java 1

    E enjte

    17:00 Kerasan – Borea

    18:00 Gjakova – Kosovari

    E premte

    17:00 Proton Cable Prizreni – New Basket

    20:30 KEKU – Istogu /ATVLIVE.TV

  • Nëse i shihni këtë dy persona, lajmërojeni menjëherë Policinë – dyshohen për vjedhje të rëndë

    Nëse i shihni këtë dy persona, lajmërojeni menjëherë Policinë – dyshohen për vjedhje të rëndë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të identifikuar dy personave të dyshuar.

    Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Policia ka bërë me dije se personat që kërkohen, dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë”.

    Kërkesa e Policisë:

    PERSON NË KËRKIM

    Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe mediave me qëllim të identifikimit, lokalizimit dhe arrestimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë”, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për gjetjen dhe kapjen e personave të dyshuar.

    Policia e Kosovës bën thirrje që kushdo që ka informacion lidhur me identitetin apo vendndodhjen e personave në fotot e bashkangjitura, të kontaktojë menjëherë:

    📞192

    📞038 508 07001

    📧[email protected]

    📱Aplikacioni digjital “Lajmëro Policinë”.

    Të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.

    Policia e Kosovës

    Drejtoria Rajonale e Policisë – Gjilan.

  • Fundi i grupeve? UEFA gati të ndryshojë gjithçka në kualifikimet për Euro 2028

    Fundi i grupeve? UEFA gati të ndryshojë gjithçka në kualifikimet për Euro 2028

    Sipas planit të ri, formati aktual me grupe do të zëvendësohet nga sistemi zviceran – i ngjashëm me atë që do të përdoret në Ligën e Kampionëve.

    Ky ndryshim mund të hyjë në fuqi që nga kualifikueset për Kampionatin Evropian 2028. Qëllimi i UEFA-s është ta bëjë garën më konkurruese, më interesante dhe me më shumë përballje mes kombëtareve të mëdha evropiane, duke shmangur ndeshjet e parashikueshme dhe shpesh të mërzitshme.

    Kjo lëvizje vjen në një kohë kur tifozët po shprehin pakënaqësi në rritje ndaj ndërprerjeve ndërkombëtare – të cilat ndodhin tri herë gjatë tre muajve të parë të sezonit. Organet drejtuese të futbollit duket se po i marrin parasysh këto shqetësime.

    Pushimi i tetorit për ndeshjet ndërkombëtare është i fundit i këtij formati. Nga viti 2026, pritet që ky cikël të ndryshojë plotësisht, në përputhje me reformat e reja që po përgatiten. /ATVLIVE.TV

  • Zyrtare: Barcelona rinovon me Frenkie de Jong, klauzola e re — 500 milionë euro!

    Zyrtare: Barcelona rinovon me Frenkie de Jong, klauzola e re — 500 milionë euro!

    Barcelona ka bërë zyrtare rinovimin e kontratës me Frenkie de Jong, duke i dhënë fund spekulimeve rreth së ardhmes së mesfushorit holandez. Lajmi është konfirmuar sot nga vetë klubi katalanas përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

    Kontrata e re përfshin një klauzolë lirimi marramendëse prej 500 milionë eurosh, duke dëshmuar besimin e plotë të klubit te lojtari dhe rëndësinë që ai ka në projektin afatgjatë të skuadrës.

    De Jong ka qenë një nga emrat më të përfolur në merkato gjatë dy sezoneve të fundit, mes interesimit të vazhdueshëm nga klube të mëdha si Manchester United dhe Bayern Munich. Megjithatë, Barcelona ka qenë gjithmonë e qartë në qëndrimin e saj për të mos e lënë të largohet.

    “Jam shumë i lumtur që vazhdoj të jem pjesë e këtij klubi të madh. Barcelona është shtëpia ime dhe dua të fitoj gjithçka me këtë fanellë,” është shprehur De Jong pas firmës së marrëveshjes së re.

    Rinovimi me Frenkie de Jong vjen në një moment kyç për Barcelonën, që po përpiqet të konsolidojë skuadrën e saj me elementët më të rëndësishëm, në një projekt që synon rikthimin në majat e futbollit europian.

  • Kristjan Asllani gati për sfidën ndaj Napolit: “Te Torino ndjej se është koha ime”

    Kristjan Asllani gati për sfidën ndaj Napolit: “Te Torino ndjej se është koha ime”

    Kristjan Asllani po kalon një periudhë shumë pozitive në karrierën e tij, si me kombëtaren shqiptare, ashtu edhe në klubin e ri, Torino. Pas asistit të shkëlqyer për Armando Brojën në miqësoren ndaj Jordanisë, mesfushori kuqezi duket më i pjekur dhe më i vendosur për të treguar vlerat e tij në fushën e lojës.

    Asllani është tashmë i rikuperuar dhe në formë të plotë, gati për sfidën e fundjavës kundër Napolit në Serie A – një përballje që pritet me shumë interes nga tifozët e “granatave”.

    “Tani rikthehemi. E dimë që përballë do të kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Napolit. Çdo herë që zbresim në fushë, futemi për të fituar. Në çdo stërvitje jemi kompetitivë, japim maksimumin, edhe pse jo gjithmonë gjërat shkojnë siç duam, si ndaj Parmës,” u shpreh ai për mediat italiane.

    Një nga momentet më të rëndësishme të këtij sezoni për Asllanin ishte padyshim vendimi për t’u larguar nga Interi dhe për të zgjedhur Torinon – një hap që, sipas tij, ka qenë jetik për zhvillimin personal dhe profesional.

    “Më vjen keq që u largova nga një grup fantastik dhe nga një shoqëri e madhe si Interi, por ky ndryshim ishte i mirë për të gjithë – për mua dhe për klubin. Jam shumë i lumtur që ndodhem te Torino, e doja shumë të isha këtu. Të gjesh një grup që të do, të ndihmon shumë për t’u përshtatur,” u shpreh Asllani.

    Duke folur për konkurrencën e ashpër që pati në Inter me emra të mëdhenj si Brozovic dhe Calhanoglu, 22-vjeçari shqiptar nuk fshehu vështirësitë, por as krenarinë për eksperiencën e fituar.

    “Konkurrenca me Brozovic dhe Calhanoglu ishte e madhe. Kam pasur vështirësitë e mia, por jam i lumtur për rrugëtimin që kam bërë. Tani është radha ime për të treguar veten,” theksoi ai.

    Me Torinon që po kërkon të rikthehet në zonat europiane të renditjes, roli i Asllanit pritet të jetë gjithnjë e më vendimtar. Ai është jo vetëm një projekt për të ardhmen, por tashmë një element kyç në të tashmen e klubit “granata”.

  • Takimi i NATO-s në Bruksel, Britania: Duhet t’i përgjigjemi ashpër Putinit

    Takimi i NATO-s në Bruksel, Britania: Duhet t’i përgjigjemi ashpër Putinit

    Sekretari i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar John Healey tha se vendi i tij dhe NATO po kërkojnë të demonstrojnë forcën dhe unitetin e të gjithë aleatëve përballë kërcënimit rus.

    Duke folur përpara takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivelin e ministrave të Mbrojtjes, ai vuri në dukje se nëse veprimet e Rusisë janë të qëllimshme apo jo, “Putin po shikon atë që bëjmë”.

    “Nëse NATO është e kërcënuar, ne do të veprojmë. Dhe ne duhet t’i përgjigjemi përshkallëzimit të Putinit me forcën tonë. Kështu që sot ne po rritemi së bashku”, theksoi sekretari i Mbrojtjes.

    Healey njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të marrë pjesë në misionin e Sentry Lindore të NATO-s: Avionët luftarakë britanikë do të vazhdojnë të patrullojnë mbi Poloninë deri në fund të vitit.

    “Ne po rritim gjithashtu prodhimin tonë të dronit për Ukrainën, duke shpërndarë mbi 100,000 drone këtë vit dhe duke ndërtuar bashkërisht drone të reja, të përmirësuara të përgjimeve me Ukrainën”, tha Healey.

    Mbretëria e Bashkuar furnizoi mbi 85 mijë drone në Ukrainë gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025. Më 11 shtator, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan një marrëveshje për të prodhojnë përgjues të dronëve ukrainas.

  • Piqué “provokon” Marcelo: “Festoja humbjet e Real Madrid po aq sa fitoret e Barcelonës”

    Piqué “provokon” Marcelo: “Festoja humbjet e Real Madrid po aq sa fitoret e Barcelonës”

    Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Piqué, ka rikujtuar edhe një herë publikisht rivalitetin e zjarrtë mes dy klubeve më të mëdha spanjolle, Barcelonës dhe Real Madridit. Në një deklaratë drejtuar ish-mbrojtësit madrilen Marcelo, Piqué ka pranuar pa hezitim se humbjet e Real Madridit i ka festuar po aq fort sa fitoret e skuadrës së tij.

    “Më kujtohet që i festoja humbjet e Real Madridit njësoj si fitoret e Barcelonës,” i tha Piqué Marcelo-s, duke buzëqeshur, në një bisedë që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

    Deklarata, edhe pse e thënë në një ton miqësor, ka rikthyer tensionin klasik që ka karakterizuar për dekada “El Clásico-n” dhe raportet mes lojtarëve të dy ekipeve. Piqué, i njohur për deklaratat e tij thumbuese ndaj Real Madridit gjatë gjithë karrierës, ka qenë gjithnjë një figurë që ka përçuar emocion dhe ndarje të forta në kampin spanjoll.

    Marcelo, nga ana e tij, e priti me sportivitet komentin, duke buzëqeshur, megjithëse reagimet e tifozëve të Realit në rrjet nuk munguan.

    Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur ish-lojtarët e “El Clásico”-s po shfaqen gjithnjë e më shumë në media me rrëfime prapa skenave të viteve të lavdishme të futbollit spanjoll. Me sa duket, rivaliteti Barça–Real nuk shuhet as pas tërheqjes nga futbolli profesionist.

  • Mesfushori Dijon Kameri në radarët e Kombëtares së Kosovës

    Mesfushori Dijon Kameri në radarët e Kombëtares së Kosovës

    Dijon Kameri është një nga futbollistët e mundshëm që mund t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës.

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shfaqur prej kohësh interes për mesfushorin 21-vjeçar, i cili aktualisht luan për Cracovian në Poloni.

    Megjithatë, në disa raste, Kameri ka refuzuar të veshë fanellën “Dardane” për shkak se ka qenë i përfshirë më parë në ekipet e moshave të Austrisë, konkretisht Austria U21.

    Ai u transferua në Cracovia gjatë afatit kalimtar veror nga RB Salzburg i Austrisë, ndërsa më parë ka luajtur edhe për skuadrat Grasshoppers, SCR Altach dhe FC Liefering.

    Kombëtarja e Kosovës tashmë ka një përzgjedhje të gjerë në pozitën e mesfushës, por ardhja e Kamerit pritet të rrisë konkurrencën në ekip. /ATVLIVE.TV

  • Gattuso pas fitores ndaj Izraelit: “Kjo skuadër po më bën të ëndërroj, por nuk ka vend për vetëkënaqësi”

    Gattuso pas fitores ndaj Izraelit: “Kjo skuadër po më bën të ëndërroj, por nuk ka vend për vetëkënaqësi”

    Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores bindëse kundër Izraelit në stadiumin “Friuli”. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai vlerësoi përkushtimin dhe mentalitetin e lojtarëve.

    “Në momentet kur ata nisnin aksionet nga prapa, ne reaguam menjëherë me markim dhe më pas u organizuam si repart. Më pëlqeu shumë mënyra si u soll ekipi. Jam i kënaqur me punën e sulmuesve, jo vetëm për 16 golat e shënuar, por edhe për angazhimin në fazën mbrojtëse dhe mentalitetin e tyre. Ndaj Izraelit kemi ditur të vuajmë kur ishte e nevojshme”, u shpreh Gattuso.

    Lidhur me ndeshjet e “play off”-it, tekniku theksoi se skuadra nuk duhet të bjerë në kurthin e vetëkënaqësisë:

    “Si mund të nënvlerësosh dikë? Duhet të vëmë helmetat dhe të punojmë me përkushtim. Nuk ka vend për gabime në këtë fazë.”

    Ai komentoi edhe sistemin e lojës, duke nënvizuar se skuadra ndihet më komode me dy sulmues:

    “Luajmë më mirë me dy sulmues, por kjo nuk do të thotë se Raspadori luajti keq. Ka vend për të gjithë, dhe në nëntor do të provojmë disa risi në formacion.”

    Gattuso nuk harroi të përgëzojë tifozët për mbështetjen e tyre të zjarrtë në stadium:

    “10 mijë tifozë sot vlejnë sa 40 mijë. E ndjejmë që populli italian dëshiron të na shohë në Botëror.”

    Në fund, trajneri foli hapur për pritshmëritë e tij personale dhe të ardhmen:

    “Nëse nuk kualifikohemi në Botëror, do të largohem. Do të shkoj të jetoj shumë larg Italisë. Kam pak merita, por kjo skuadër po më bën të ëndërroj”, përfundoi Gattuso. /ATVLIVE.TV