ATV

Blog

  • Maroku shkruan histori: 16 fitore radhazi, thyen rekordin botëror të Spanjës!

    Maroku shkruan histori: 16 fitore radhazi, thyen rekordin botëror të Spanjës!

    Maroku vazhdon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare të futbollit. Me fitoren minimale 1:0 ndaj Republikës së Kongos, “Luanët e Atlasit” kanë regjistruar triumfin e 16-të radhazi në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026, duke vendosur një rekord të ri botëror dhe duke kaluar Spanjën në këtë statistikë historike.

    “Luanët vazhdojnë të shkruajnë historinë me krenari dhe nder! 16 fitore radhazi – rekordi botëror është yni!” – shkruan Federata Marokene e Futbollit në platformën X, duke ndarë një video që përmbledh të gjitha ndeshjet fitimtare, që nga suksesi ndaj Zambisë më 7 qershor 2024.

    Rekordi i mëparshëm mbahej nga Spanja, me 15 fitore radhazi të regjistruara nga qershori 2008 deri në qershor 2009. Para saj, Franca kishte vendosur një rekord me 14 fitore midis marsit 2003 dhe shkurtit 2004.

    Me këtë arritje, Maroku jo vetëm që dominon futbollin afrikan, por tashmë lë gjurmë edhe në historinë globale të këtij sporti. /ATVLIVE.TV

  • Rasti për korrupsion kundër Nagip Krasniqit, dëshmon eksperti i lartë për tregtim të energjisë, Hasan Kerolli

    Rasti për korrupsion kundër Nagip Krasniqit, dëshmon eksperti i lartë për tregtim të energjisë, Hasan Kerolli

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

    Në seancën e së enjtes, përballë trupit gjykues ka dhënë dëshminë e tij eksperti i lartë për tregtim të energjisë në këtë korporatë, Hasan Kerolli.

    Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, i ka shkaktuar shtetit një dëm financiar prej rreth 3.2 milionë eurosh.

    Sipas aktakuzës, ai i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa qenë e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

    Lidhur me këto akuza, Nagip Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 3 korrik.

  • Florentina Kallaba do të ndajë drejtësinë në Kampionatin Botëror të vajzave në futsall

    Florentina Kallaba do të ndajë drejtësinë në Kampionatin Botëror të vajzave në futsall

    Gjyqtarja kosovare Florentina Kallaba ka arritur suksesin më të madh në karrierën e saj, pasi është përzgjedhur në mesin e tetë gjyqtareve ndërkombëtare të UEFA-s që do të ndajnë drejtësinë në
    Kampionatin Botëror të vajzave në futsall, i cili do të mbahet në Filipine.

    Ajo njëherësh shënon suksesin më të madh deri më tash të gjyqtarëve kosovar, pasi iu besua ndarja e drejtësisë në kompeticionin më të madh botëror në futsall.

    Përzgjedhja e saj është rezultat i profesionalizmit, përvojës dhe përkushtimit që ajo ka treguar ndër vite në ndeshjet e kampionatit vendor, por edhe në ato ndërkombëtare.

    Florentina Kallaba njihet për autoritetin në fushën e lojës, për korrektësi në drejtësi dhe qetësi, vlera këto që e kanë bërë një prej gjyqtareve më të respektuara në Evropë.

    Me përkushtimin e saj ndaj këtij profesioni ajo është një frymëzim për vajzat dhe gratë në sport, duke dëshmuar se me punë të palodhur dhe pasion, çdo synim mund të arrihet.

    Përzgjedhja e Kallabës për Kampionatin Botëror është dëshmi e punës dhe dedikimit të FFK-së si institucion që kontribuon në rritjen e cilësisë së ndarjes së drejtësisë në vendin tonë. /ATVLIVE.TV

  • Votues nga komuna të tjera në Junik? Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve pas pretendimeve nga AAK-ja

    Votues nga komuna të tjera në Junik? Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve pas pretendimeve nga AAK-ja

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar pas dyshimeve për manipulime në procesin zgjedhor në Junik.

    Deputeti i kësaj partie Daut Haradinaj bëri të ditur se në këtë komunë kanë votuar edhe qytetarë të komunave tjera, duke kërkuar hetim nga Prokuroria.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka bërë të ditur se kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës ka ndërmarrë veprime zyrtare.

    “Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës se Junikut, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e te gjitha veprimeve të nevojshme”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.

    Ndryshe edhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar për këtë rast.
    Sipas Nitajt, bëhet fjalë për qindra raste që “nuk mund të arsyetohen me asnjë kriter”, ndërsa disa komuna tashmë e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri.
    “Rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga persona që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune e as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë”, ka shkruar Nitaj. /Telegrafi

  • Sekuestrohen mbi 100 litra vaj ulliri të padeklaruar në Vërmicë

    Sekuestrohen mbi 100 litra vaj ulliri të padeklaruar në Vërmicë

    Dogana e Kosovës ka sekuestruar sot 110 litra vaj ulliri të padeklaruar, të vendosura në 22 bidona prej nga 5 litra secili.

    Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare Vërmicë kanë ndaluar një automjet për kontroll të dytë.
    “Pasi personi përgjegjës kishte mohuar se kishte ndonjë gjë për të deklaruar, ndërsa gjatë kontrollit të detajuar në automjet janë gjetur 110 litra vaj ulliri të padeklaruar, të vendosura në 22 bidona prej nga 5 litra secili”, thuhet në njoftim.
    Më tej thuhet se personi përgjegjës për mallrat e padeklaruara nuk posedonte faturë përkatëse, duke kryer kështu kundërvajtje doganore sipas nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK-së).
    Dogana e Kosovës rikujton qytetarët dhe udhëtarët se janë të obliguar të deklarojnë saktësisht çdo mall gjatë hyrjes në territorin e vendit. Mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe sjell masa ndëshkuese.

  • Dogana sekuestron telefona të padeklaruar në Prishtinë

    Dogana sekuestron telefona të padeklaruar në Prishtinë

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli në Prishtinë, në një nga bodrumet e një objekti është gjetur një kasafortë e mbuluar me pako, në të cilën pas hapjes janë gjetur një sasi e konsiderueshme telefonash të rinj të padeklaruar.

    Në total janë sekuestruar 41 pajisje të reja elektronike, derisa nuk është ofruar asnjë dokumentacion për origjinën e mallit.

    “19 copë telefona mobil të mençur SAMSUNG GALAXY A26 5G; 21 copë telefona mobil të mençur SAMSUNG GALAXY A16; 1 copë tablet SAMSUNG GALAXY TAB A9+ 5G”, janë pajisjet e sekuestruara sipas njoftimit.

    Dogana e Kosovës thotë se do të vazhdojë me procedurat administrative dhe hetimore lidhur me këtë rast.

  • “Zëri i një kombi që nuk ndalet kurrë” – Dion Gallapeni pas fitores historike ndaj Suedisë

    “Zëri i një kombi që nuk ndalet kurrë” – Dion Gallapeni pas fitores historike ndaj Suedisë

    Dion Gallapeni, një nga lojtarët më të spikatur të Kosovës në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ka shprehur emocionet e tij pas fitores ndaj Suedisë.

    Mbrojtësi anësor, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka treguar se kjo fitore ka një domethënie më të thellë për të dhe për gjithë ekipin.

    “Nuk është vetëm një fitore… është zëri i një kombi që nuk ndalet kurrë! Kur vesh këtë fanellë, ndjen peshën e historisë dhe dashurinë e mijëra zemrave që rrahin bashkë me ne”, ka shkruar Gallapeni.

    Aktualisht, ai është pjesë e klubit polak Widzew Łódź, ku po vazhdon të shkëlqejë edhe në nivel klubesh. /ATVLIVE.TV

  • Gjashtë të arrestuar pas një përleshjeje në Viti

    Gjashtë të arrestuar pas një përleshjeje në Viti

    Gjashtë persona janë arrestuar nga policia të mërkurën në Viti pasi janë përfshirë në një përleshje pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 14:30, ndërsa të gjithë të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

    Gjatë intervenimit në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar 5.38 gram substancë të dyshuar narkotike.

    Me vendim të prokurorit të rastit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

  • Infantino: “Shaqiri dhe të tjerët do të kishin luajtur për Kosovën, po të ishte pranuar më herët”

    Infantino: “Shaqiri dhe të tjerët do të kishin luajtur për Kosovën, po të ishte pranuar më herët”

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ishte mysafir special në Kosovë javën e kaluar, ku u prit nga udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe sportit. Me këtë rast, ai u dekorua nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit në Kosovë.

    Pas ceremonisë, Infantino dha një intervistë ekskluzive për podcastin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në futbollin ndërkombëtar, sfidat dhe të ardhmen e këtij sporti në vend.

    Një nga temat që ai preku ishte edhe mungesa e disa futbollistëve me prejardhje nga Kosova në ekipin kombëtar, si pasojë e mospranimit të hershëm të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

    “Për shumë lojtarë nga Kosova që kanë lindur dhe janë rritur jashtë vendit, sigurisht që ka pasur shumë ndikime dhe histori të ndryshme,” tha Infantino.

    “Siç e dimë, shumë prej tyre, në kohën kur Kosova ende nuk ishte pranuar ndërkombëtarisht, luanin për ekipin kombëtar të Zvicrës – për shembull Xherdan Shaqiri dhe të tjerë. Ata ishin ndër lojtarët më të mirë që do të kishin luajtur për Kosovën, por fatkeqësisht në atë kohë kjo nuk ishte e mundur.”

    Sipas tij, ndonëse nuk patën mundësinë të veshin fanellën dardane, këta lojtarë vazhdojnë të ndiejnë lidhje të fortë me vendin e prejardhjes.

    “Të gjithë këta lojtarë ndiejnë shumë për Kosovën. Prindërit e tyre janë detyruar të largohen nga vendi dhe të ndërtojnë jetë tjetër jashtë. Por ata janë rritur me rrënjët e Kosovës,” theksoi presidenti i FIFA-s. /ATVLIVE.TV

  • Rama i reagon VV-së: Po i ngatërroni marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri me “çorbën e balotazheve komunale”

    Rama i reagon VV-së: Po i ngatërroni marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri me “çorbën e balotazheve komunale”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pas akuzave se ai kishte ardhur në Kosovë për të ndikuar në votimin për Gjykatën Speciale.

    Në një reagim publik, Rama tha se pretendimet e Vetëvendosjes janë të pavërteta dhe se partia e Albin Kurtit po përzien raportet institucionale mes dy shteteve me fushatën lokale në Kosovë.

    “Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale. Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti apo nevoja, ndërsa Lëvizja… dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim,” tha Rama.

    Ai shtoi se nuk është “në asnjë lloj gare me Vetëvendosjen”, por se e konsideron të papranueshme ngatërrimin e “marrëdhënieve institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”.

    Rama kujtoi se Gjykata Speciale u themelua për çështjen e “trafikut të organeve”, jo për të “marrë peng presidentin e Republikës së Kosovës”.

    Në fund, kryeministri shqiptar sqaroi se nuk është organizator apo folës në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por se e mbështet me zemër dhe do të merrte pjesë “si qytetar i thjeshtë”, nëse nuk do të ekzistonte rreziku që nisma të politizohej.