ATV

Blog

  • Një i lënduar nga aksidenti në autostradën Prishtinë-Prizren

    Një i lënduar nga aksidenti në autostradën Prishtinë-Prizren

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në autostradën Prishtinë-Prizren.

    Sipas pamjeve të publikuara nga mediat një kamion duket se ka dalë nga rruga.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi ka konfirmuar rastin.

    Sipas policisë të përfshira ishin dy automjete, teksa një person ka kërkuar ndihmë mjekësore.

    “Rreth orës 08:05, policia është njoftuar për një aksident trafiku. Njësia e trafikut (autostradës), njofton se në autostradën për Shqipëri, drejtimi Prishtinë-Prizren (km i 25), ka ndodhur aksident trafiku ku të përfshira kanë qenë dy automjete. Si pasojë e aksidentit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në përgjigjje.
  • Zbulohet plantacion me 525 bimë kanabis në Podujevë – policia asgjëson bimët në vendngjarje

    Zbulohet plantacion me 525 bimë kanabis në Podujevë – policia asgjëson bimët në vendngjarje

    Një operacion policor i zhvilluar mëngjesin e sotëm në fshatin Zhiti të komunës së Podujevës ka rezultuar me zbulimin e tri plantacioneve të kultivuara me gjithsej 525 bimë narkotike të llojit kanabis-sativa.

    Sipas njoftimit zyrtar, plantacionet janë gjetur rreth orës 09:45 në një zonë pyjore të fshatit, ku njësitet policore kanë ndërhyrë pas marrjes së informacioneve në terren. Pas evidentimit dhe marrjes së mostrave për analiza, me urdhër të prokurorit të rastit, bimët narkotike së bashku me mjetet e punës janë asgjësuar në vendin e ngjarjes.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është nën hetime intensive, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për persona të arrestuar që lidhen me kultivimin e këtyre bimëve.

    “Raportohet se në pyllin e fshatit janë gjetur tri plantacione të mbjella me 525 bimë narkotike të llojit kanabis-sativa. Pas marrjes së mostrave, me vendim të prokurorit, bimët dhe mjetet e punës janë asgjësuar në vendin e ngjarjes. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Aktakuzë për kanosje ndaj një personi nga Shtërpca – Prokuroria kërkon paraburgim

    Aktakuzë për kanosje ndaj një personi nga Shtërpca – Prokuroria kërkon paraburgim

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit R.F., nga komuna e Shtërpcës, i dyshuar për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 15 tetor 2025, rreth orës 17:20, në fshatin Biti e Epërme të Shtërpcës, i pandehuri dyshohet se me dashje dhe qëllim frikësimi, e ka kanosur seriozisht me fjalë të dëmtuarin I.S., duke i thënë:

    “Ti po lypshe me të myt, o të mys apo don me dit.”

    Lidhur me këtë rast, ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, ku mësoi se ngjarja ka ndodhur më 15 tetor, në afërsi të shtëpisë së viktimës Ilir Salihu nga fshati Paljojc, i cili ka raportuar në polici se është kërcënuar nga Rexhep Fejzullahu, po ashtu nga i njëjti fshat.

    Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje rreth një rruge pranë shtëpisë së të dëmtuarit. I pandehuri, duke lëvizur me automjetin e tij, kishte hyrë në pronën e të dëmtuarit, kishte filluar të bërtiste dhe më pas kishte shqiptuar fjalët kërcënuese. Sipas Prokurorisë, si pasojë e këtij veprimi, viktima ka përjetuar frikë dhe pasiguri.

    Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

  • Pije të sigurta për diabetikët – çfarë mund të konsumoni pa rrezikuar shëndetin

    Pije të sigurta për diabetikët – çfarë mund të konsumoni pa rrezikuar shëndetin

    Kur ju keni diabet, zgjedhja e pijeve të duhura nuk është gjithmonë e thjeshtë.

    Studimet e fundit kanë treguar se efekti i pijeve te diabetikë të ndryshëm, ndryshon. A duhet që diabetikët të pinë kafe?

    A janë të dëmshme pijet e gazuara me zero kalori? Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave në lidhje me pijet që duhet të konsumojnë diabetikët, i gjeni më poshtë.

    Pini më shumë ujë

    Një studim i kohëve të fundit, i publikuar në revistën Diabets Care, tregon se njerëzit që pinë pak ujë kanë më shumë gjasa që sheqeri në gjak t’ju rritet me 30%. Kjo për shkak të hormonit vasopressin, i cili ndihmon trupin të rregullojë hidratimin. Nivelet e këtij hormoni rriten kur trupi është i dehidratuar, gjë që bën që mëlçia të prodhojë më shumë sheqer në gjak. Është e rekomandueshme të pini 8 gota ujë në ditë për gratë dhe pak më shumë për meshkujt.
    Pini më shumë qumësht

    Qumështi nuk është një produkt vetëm për fëmijë, por është dhe një pije e mirë për diabetikët. Ai ju siguron kalcium, magnez, kalium dhe vitaminë D, të cilat i nevojiten trupit për funksionet themelore.

    Gjithashtu, studimet kanë treguar se qumështi nxit dhe humbjen në peshë dhe uljen e presionit të gjakut. Ekspertët rekomandojnë të konsumoni produkte bulmeti në dy ose në tre vakte, dhe në mëngjes gjithmonë një gotë qumësht.

    Pini më shumë çaj

    Çaji nuk ka kalori dhe është i mbushur me antioksidantë. Më të rekomandueshëm për shëndetin janë çaji jeshil ose i zi. Një studim nga kinezët tregoi se çaji i zi dhe i gjelbër kanë nivele të larta të polisaharideve, të cilat ngadalësojnë thithjen e sheqerit në gjak. Duhet të pini 4-5 filxhanë çaj në ditë, pasi do ju ndihmojë të ulni zhvillimin e diabetit me 16%. Çaji gjithashtu zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

    Pini me kujdes kafe

    Disa studime sugjerojnë se prija e kafesë ul zhvillimin e diabetit të tipit 2. Por një studim tjetër tregon se njerëzit që tashmë kanë diabet, kafeja mund ta rrisë sheqerin në gjak dhe vështirëson përpunimin e saj. Ekspertët sugjerojnë të pini 1-2 kafe në ditë, në disa orë distancë në mes.

    Pini me kujdes pijet e gazuara për diabetikët

    Zakonisht pijet e gazuara për diabetikët janë me zero kalori. Shkencëtarët kanë provuar se pavarësisht se nuk kanë kalori, ata nxisin rritjen e sheqerit në gjak. Njerëzit që pinë pije të gazuara janë të rrezikuar me 67% nga prekja e diabetit, sesa ata që nuk e pinë. Një gotë me pijë të gazuar me zero sheqer është e rekomandueshme për diabetikët, por jo e nevojshme.

  • Fisnik Asllani në radarin e gjigantit katalunas Barcelona

    Fisnik Asllani në radarin e gjigantit katalunas Barcelona

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Fisnik Asllani,mund të kalojë tek gjiganti katalunas Barcelona.

    Asllani në një intervistë për gazetën gjermane SportBild,Asllani ka deklaruar se dëshira e tij është që të luaj për blaugranasit .

    Përndryshe gazetari gjerman Florian Plettenberg raprton se Barca është duke monitoruar Asllanin,dhe se transferimi i yllit dardan në Camp Nou mund të realizohet verën e ardhshme.

    Ndërkohë Hoffenheim ka vendosur një klauzolë lirimi për Asllanin,dhe për këtë gjë është informuar edhe gjiganti katalunas.

    • Kujtojmë që Fisnik Asllani së fundmi shënoi për Kombëtaren e Kosovës në fitoren 1:0 ndaj Suedisë,duke shtuar gjasat e dardanëve për kualifikim në botërorin e vitit 2026.
  • A vuani nga migrena të shpeshta? Kjo erëz natyrale mund t’ju ndihmojë t’i lehtësoni dhimbjet

    A vuani nga migrena të shpeshta? Kjo erëz natyrale mund t’ju ndihmojë t’i lehtësoni dhimbjet

    Migrena është një çrregullim i zakonshëm neurologjik që shkakton dhimbje të forta dhe simptoma shoqëruese si të përziera dhe ndjeshmëri ndaj dritës.

    Edhe pse më shpesh trajtohet me ilaçe, ekzistojnë edhe mënyra natyrale që mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave në fazat e hershme të sulmit.

    Edhe pse migrena trajtohet më shpesh me ilaçe, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë alternativa natyrale për të lehtësuar simptomat, veçanërisht në fazat e hershme të një sulmi. Një nga metodat që ka rezultuar e dobishme është pirja e një tretësire të thjeshtë me gjysmë luge kripë të tretur në një gotë me ujë.

    Ky kombinim mund ta ndihmojë trupin të rivendosë ekuilibrin e elektroliteve më shpejt, gjë që është veçanërisht e rëndësishme sepse natriumi, një përbërës kyç i kripës, luan një rol të rëndësishëm në punën e sistemit nervor dhe qarkullimit të gjakut.

    Kur ekuilibri i elektroliteve prishet, mund të shfaqen simptoma që kujtojnë migrenën: marramendje, të përziera, dhimbje koke. Në raste të tilla, pirja e një sasie të vogël uji me kripë mund të sjellë lehtësim të shpejtë.

    Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kjo metodë nuk zëvendëson terapinë mjekësore dhe rekomandohet kujdes, veçanërisht për njerëzit me tension të lartë të gjakut, sëmundje të veshkave ose probleme të tjera kronike shëndetësore. Para se të përdorni ndonjë zgjidhje alternative, konsultohuni me mjekun tuaj.

  • Era Istrefi publikon fotografi mahnitëse nga prapaskenat e dy projekteve të fundit

    Era Istrefi publikon fotografi mahnitëse nga prapaskenat e dy projekteve të fundit

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Era Istrefi, ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjete sociale disa fotografi të mrekullueshme nga prapaskenat e dy projekteve të saj më të reja muzikore, të titulluara “Ama do love” x “Hajde”.

    Me një stil unik dhe tejet sensual, Era shfaqet në veshje që pasqyrojnë identitetin e saj artistik dhe energjinë e projekteve muzikore që ka sjellë së fundmi.

    Fotografië e publikuara ofrojnë një vështrim më të afërt në atmosferën kreative dhe punën pas skenave të videoklipeve, që tashmë kanë tërhequr vëmendje të madhe nga fansat e saj dhe publiku më i gjerë.

    Era Istrefi/Instagram

    Projekti “Ama do love” x “Hajde” vjen i shoqëruar me një videoklip zyrtar, i cili sjell jo vetëm një melodi ritmike që fton në kërcim, por edhe një vizual tërheqës dhe estetikisht të kuruar në detaje.

    Ky kombinim i muzikës dhe imazhit e sjell Erën në një dimension të ri, duke ndërthurur elemente bashkëkohore me frymëzime të dukshme nga stili i dekadave të kaluara, veçanërisht nga vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë.

    Me këtë paraqitje të re, Era jo vetëm që konfirmon statusin e saj si ikonë stili dhe zëri në skenën ndërkombëtare, por gjithashtu dëshmon se është gjithmonë e gatshme të eksperimentojë dhe të sjellë risi. /Telegrafi/

  • KFOR: Mirëpresim respektimin e marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri

    KFOR: Mirëpresim respektimin e marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mirëpret respektimin nga autoritetet e Kosovës të marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit.

    Ky qëndrim i KFOR-it vjen pasi më 16 tetor, për disa minuta, disa makina të FSK-së kishin qëndruar në Mitrovicë të Veriut. FSK-ja dhe Policia e Kosovës thanë se trupat e FSK-së ngatërruan rrugën.

    KFOR-i tha se i pranon deklaratat e bëra nga autoritetet se njësiti i FSK-së gabimisht hyri në Mitrovicë të Veriut dhe shpejt u largua që aty.

    “KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga FSK-ja të marrëveshjes për të mos dislokuar personel të FSK-së në veri të Kosovës, pa njoftim paraprak dhe pa miratimin e komandantit të KFOR-it. Ky qëndrim u rikthesua gjatë bisedës telefonike mes komandantit të KFOR-it dhe komandantit të FSK-së të zhvilluar më 16 tetor. Komandanti i FSK-së theksoi se njësiti i FSK-së gabimisht kishte devijuar përkohësisht nga itinerari i tij”, tha KFOR në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

    FSK-ja tha se pjesëtarë të saj me disa automjete u futën gabimisht në veri të vendit, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes.

    Sipas kësaj force, incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së autokolonës nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.

    Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarë të FSK-së “e humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”.

    Kjo ngjarje nxiti reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët e cilësuan si shkelje të marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri, teksa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se kjo ngjarje ka rritur tensionet.

    Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

    Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

    Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.

    FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028./REL

  • Arrestohet në Malishevë një burrë i dyshuar për dhunim të një të miture

    Arrestohet në Malishevë një burrë i dyshuar për dhunim të një të miture

    Një vajzë e mitur dyshohet të jetë dhunuar në Malishevë, dy ditë më parë.

    Për këtë policia ka njoftuar se tashmë ka arrestuar të dyshuarin.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Më 16.10.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e lart-cekur ndaj viktimës së mitur femër. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Trump mohon dërgimin e trupave në Gaza, pasi paralajmëroi Hamasin

    Trump mohon dërgimin e trupave në Gaza, pasi paralajmëroi Hamasin

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa në Gaza, pavarësisht paralajmërimeve të tij të rënda ndaj Hamasit.

    “Nuk do të jemi ne”, u tha Trump gazetarëve. “Nuk do të na duhet. Ka njerëz shumë afër, shumë afër që do të hyjnë dhe do ta bëjnë këtë shumë lehtë, por nën kujdesin tonë”, shtoi tutje ai, shkruan AP.

    Trump më herët në një postim në Truth Social paralajmëroi Hamasin se “nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të hyjmë dhe t’i vrasim” nëse gjakderdhja e brendshme vazhdon në Gaza. Deklaratat e tij erdhën pas një periudhe tensioni dhe pas vendosjes së armëpushimit të përkohshëm javën e kaluar.

    Zyrtarë amerikanë dhe aleatët e SHBA-së kanë thënë më parë se një operacion tokësor do të kërkonte vlerësime të hollësishme dhe koordinim me partnerët rajonalë — por në këtë rast Presidenti duket se po refuzon dërgimin e forcave amerikane, duke vënë theksin tek aktorë të tjerë që, sipas tij, janë “shumë afër” dhe do të ndërhynin nën “kujdesin tonë”.

    Reagimet ndërkombëtare dhe rajonale ndaj fjalimeve të Trumpit pritet të jenë të ndryshme: disa do të shohin paralajmërimin si një sinjal përvendimtar pa përfshirjen ushtarake amerikane, ndërsa të tjerë do të mbajnë vëzhgim të ngushtë mbi mundësinë e eskalimit të dhunës në terren.

    Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar vijon të bëjë thirrje për zbutje të tensioneve dhe mbrojtje të civilëve në Gaza dhe në territoret përreth, teksa situata mbetet e ndjeshme.