ATV

Blog

  • Mospjesëmarrja e Kurtit në protestë, Ali Ahmeti: Kjo nuk është gjë e mirë

    Mospjesëmarrja e Kurtit në protestë, Ali Ahmeti: Kjo nuk është gjë e mirë

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nga Tirana, tha se protesta në Tiranë është mbarëkombëtare.

    Ahmeti u shpreh se sot po përjeton një emocion shumë të veçantë.

    “Kjo është një protestë mbarëkombëtare, sot bashkë me bashkëkombasit tanë në Shqipëri të cilët kanë qenë përherë bashkë me ne në ditë të vështira, nga Gjirokastra, deri në Shkodër, Kukës, kanë hapur të gjitha dyert dhe sot kam një emocion të veçantë se kjo protestë për drejtësi, që të gjithë jemi UÇK, mbahet në sheshin “Skenderbe”, mu në kryeqytetin e Shqipërisë, aty ku kanë vepruar të gjithë këta heronj dhe shumë të tjerë”, u shpreh ai.

    Ndërkaq, në lidhje me mospjesëmarrjen e Albin Kurtit dhe Sali Berishës në këtë protestë, ai tha se kjo nuk është gjë e mirë.

    Ahmeti shtoi gjithashtu se kjo është protestë nuk ka ngjyrime politike dhe as prapavijë partiake.

    “Nuk është mirë, kjo është një protestë mbarëkombëtare, është e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta, pa ngjyrime politike, besoj që në të ardhmen do ta shohin që të gjithë që këtu nuk ka prapavijë as partiake, as për politika ditore, por është një solidaritet që bëhet për drejtësi, për ata të cilët kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës, që t’u jepet pafajësia, sepse janë të pafajshëm”.

    “Ushtria jonë ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat, ushtria jonë ka pasur vështirësitë nga më të mëdha për të menaxhuar me gjithë atë gjenocit që kanë ushtruar bandat serbe në Kosovë”, u shpreh ai.

  • KQZ verifikon mbi 97% të votave në Mitrovicë – Tahiri mbi 100 vota para Pecit

    KQZ verifikon mbi 97% të votave në Mitrovicë – Tahiri mbi 100 vota para Pecit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me verifikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale.

    Në faqen e tyre kanë bërë përditësimin e fundit edhe për rezultatet në Mitrovicën Jugore.

    Atje, KQZ njofton se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka 48.04%, ose 14,905 Vota.

    Kurse kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci ka 47.66% ose 14,788 Vota.

    Deri tani janë verifikuar 97.14 për qind e votave atje.

    Nga kjo përqindje, Tahiri prin para Pecit 117 vota.

  • Kamionët me ndihma humanitare qëndrojnë në pritje në kufi, ndërsa Izraeli mban të mbyllur pikën e kalimit

    Kamionët me ndihma humanitare qëndrojnë në pritje në kufi, ndërsa Izraeli mban të mbyllur pikën e kalimit

    Izraeli vazhdon të refuzojë hapjen e pikës së kalimit të Rafah-ut mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës, pavarësisht rrethanave urgjente humanitare në territorin palestinez.

    Si pasojë, dhjetëra kamionë me ndihma jetike humanitare qëndrojnë të bllokuar në anën egjiptiane të kufirit, në pritje të lejimit të hyrjes në Gaza. Pamjet që vijnë nga terreni tregojnë kolonat e gjata të automjeteve të ngarkuara me ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera emergjente.

    Kjo situatë ndodh në kundërshtim me planin e propozuar për armëpushim prej 20 pikash, i cili parasheh shpërndarjen e menjëhershme të ndihmave në Rripin e Gazës.

    Ndërkohë, agjencia izraelite e ndihmës ushtarake, COGAT, ka deklaruar se pika e Rafah-ut nuk do të hapet, pasi ajo nuk është përfshirë në asnjë fazë të marrëveshjes së armëpushimit. Sipas deklaratës, ndihmat humanitare do të kalojnë vetëm përmes pikës së Kerem Shalom, e cila kontrollohet nga Izraeli dhe ku mallrat do t’i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë.

    Më herët, autoritetet izraelite kishin paralajmëruar se pika e Rafah-ut mund të qëndrojë e mbyllur, ndërsa furnizimet me ndihmë mund të zvogëlohen, duke akuzuar Hamasin për vonesa në lirimin e trupave të pengjeve.

  • Gucati nga Tirana: As shiu nuk na ndal, ashtu si në luftë

    Gucati nga Tirana: As shiu nuk na ndal, ashtu si në luftë

    Përkrahës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në zemër të Tiranës, në një protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

    Protesta, e tretë me radhë, sipas organizatorëve, ka për qëllim të tregojë unitet mbarëkombëtar dhe të kërkojë drejtësi për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një deklaratë për RTV21, tha: “Kjo është protesta e tretë me radhë dhe nuk besoj se shiu apo moti i keq do t’i ndalë qytetarët, njësoj siç nuk na ndali as gjatë luftës.”

    Ai shtoi se pjesëmarrja e figurave të rëndësishme kombëtare e bën këtë protestë edhe më domethënëse.

    “Është e rëndësishme që sot këtu janë edhe  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili do të mbajë edhe një fjalim,” theksoi Gucati.

    Sipas tij, protesta ka karakter gjithëkombëtar dhe është vetëm një ndër disa që do të pasojnë. “Kjo është një protestë bashkimi, protestë që do të pasohet nga dy të tjera në ditët dhe javët në vijim,” tha ai.

  • Basha me deputetët finlandezë: Kosova e përkushtuar ndaj integrimit evropian

    Basha me deputetët finlandezë: Kosova e përkushtuar ndaj integrimit evropian

    Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka zhvilluar takim me deputetë të Kuvendit të Finlandës të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

    Kryekuvendari thotë se ligjvënësve finlandez u theksoi vendosmërinë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës dhe aspiratat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

    “Ne jemi popull që besojmë në vlerat perëndimore të demokracisë, të drejtës, të mirëqenies, barazisë dhe të lirisë, mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Përkundër sjelljeve të vazhdueshme penguese, agresive dhe destruktive të Serbisë, angazhimi ynë mbetet garantimi i integritetit territorial, sigurimi i mirëqenies për të gjithë qytetarët tanë dhe avancimi në rrugën tonë të integrimit evropian”.

    Basha, shtoi se në këtë takim theksoi se Kosova është e dëshmuar për përkushtim në respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve si shoqëri gjithëpërfshirëse. “Ku secili qytetar, pa asnjë dallim, ka vend të barabartë në jetën publike dhe politike të vendit, me të gjitha të drejtat e garantuara kushtetuese dhe ligjore”.

    Me mysafirët finlandez, Basha thotë se foli për reformat institucionale.

    “Në takim nënvizova edhe faktin se shteti ynë ka ndërmarrë reforma të thella institucionale, duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke e luftuar me vendosmëri korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo vërtetohet edhe me matjet e indekseve kredibile ndërkombëtare, që Kosovën e vlerësojnë si vend që garanton lirinë e shprehjes dhe që po shënon progres të gjithëmbarshëm ekonomik, duke dëshmuar kështu orientimin tonë të qartë drejt të ardhmes në familjen evropiane”, ka thënë Basha.

  • Edita Tahiri: Albin Kurti po ëndërron, nuk do të zgjidhet më kryeministër

    Edita Tahiri: Albin Kurti po ëndërron, nuk do të zgjidhet më kryeministër

    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, tha me bindje të plotë se Albin Kurti nuk do të zgjidhet më kryeministër, duke shtuar se “ai po ëndërron”.

    “Nuk do të zgjidhet më Albin Kurti kryeministër. Ai po ëndërron! Ka demokraci” tha Tahiri në emisionin Kosova Live.

    Ajo theksoi se Kosova nuk është pronë e një partie politike dhe se shteti nuk mund të funksionojë sipas dëshirës së Vetëvendosjes.

    “Ne nuk jemi në shtëpinë e Vetëvendosjes që të bëhet shteti si duan ata. Ky është shtet demokratik” – shtoi tutje Tahiri.

  • Si mund t’i shmangim sëmundjet e trashëgueshme

    Si mund t’i shmangim sëmundjet e trashëgueshme

    Sipas revistës shkencore “Nature”, shkencëtarët kanë arritur të përdorin për herë të parë teknikën e korrigjimit të gjeneve për të ndaluar sëmundjen e trashëguar të zemrës në fillesën e embrionit të njeriut.

    Shkencëtarët arritën të përdorin për herë të parë teknikën e korrigjimit të gjeneve për të ndaluar sëmundjen e trashëguar të zemrës në fillesën e embrionit të njeriut, sipas një studimi.

    Hulumtimi do të shërbejë për të mundësuar zvogëlimin e rasteve të kësaj sëmundjeje tek fëmijët e krijuar përmes IVF (Fertilizimi In Vitro – një procedurë që përfshin stimulimin e vezoreve, rikthimin e vezëve dhe transferimin e embrionit , për të ndihmuar njerëzit me probleme të fertilitetit për të patur një fëmijë – shën. i përkth.) dhe për t’i hapur rrugën shërimit të disa prej mijëra sëmundjeve të shkaktuara nga mutacionet në gjenet e vetme.

    Shkencëtarët zbuluan një mutacion në një gjen që shkaktonte kardiomiopatinë hipertrofike (HCM), që ishte shkaku më i zakonshëm i vdekjes së papritur te atletët e rinj të shëndetshëm.

    Sipas revistës shkencore ky ishte një projekt bashkëpunues mes institutit “Salk” në Kaliforni, “Oregon Health”, universitetit “Science” dhe Institutit për Shkencat Bazë të Koresë.

    Shkencëtarët gjeneruan qeliza burimore nga një biopsi lëkure e dhuruar nga një person me HCM dhe i modifikuan ato duke përdorur teknikën e korigjimit të gjeneve CRISPR, e cila u mundëson gjenomeve t’u nënshtrohen lehtësisht ndryshimeve të sakta të përkatësisë.

    Duke përdorur teknikën IVF, shkencëtarët fertilizuan vezët e shëndetshme të donatorëve me spermatozoidet e donatorëve HCM dhe injektuan vezët me komponentët më të mirë të gjeneve.

    Embrionet u lejuan të rriten vetëm për disa ditë dhe nuk ishin të paracaktuara për transplantim.

    Në përgjithësi, HCM-ja mund të prekë një në 500 persona dhe individët me një kopje të gabuar të gjenit kanë 50 për qind mundësi që t’ua transmetojnë këtë mutacion fëmijëve të tyre.

    Korrigjimi i mutacionit në embrione do të mundësonte parandalimin e transmetimit të sëmundjes te gjeneratat e ardhshme.

    Pavarësisht, avancimeve në teknologjinë e qelizave burimore dhe korrigjimit të gjeneve, shkencëtarët duhet të vazhdojnë hulumtimet me shumë kujdes, për të shmangur futjen e mutacioneve të padëshiruara në qelizat që në fund të procesit bëhen vezë ose spermë.

    “Studimi është kryer në përputhje të plotë me udhërrëfyesin e etikës për korrigjimin e gjenomit të njeriut të lëshuar nga Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë”, tha profesori, Juan Carlos Izpisua Belmonte nga Instituti “Salk”.

  • Britania miraton vaksinën për mbrojtjen nga HIV-i

    Britania miraton vaksinën për mbrojtjen nga HIV-i

    Një injeksion për të parandaluar HIV-in do t’u ofrohet pacientëve në shërbimin shëndetësor shtetëror në Angli dhe Uells për herë të parë.

    Injeksioni me veprim të gjatë, që jepet çdo dy muaj, është një alternativë ndaj marrjes së pilulave të përditshme për t’u mbrojtur nga virusi.

    Ekspertët shpresojnë që injeksionet e kabotegravirit (CAB-LA) do të ndihmojnë në përmbushjen e ambicies për t’u dhënë fund rasteve të reja të HIV-it deri në vitin 2030 në Mbretërinë e Bashkuar.

    Terapia parandaluese e HIV-it, e njohur si PrEP (profilaksia para ekspozimit), merret nga personat HIV-negativë për të zvogëluar rrezikun e infektimit me HIV.

    Pilulat kanë qenë në dispozicion prej vitesh dhe janë ende jashtëzakonisht efektive në ndalimin e infeksioneve HIV, por nuk janë gjithmonë të lehta për t’u marrë nga disa persona.

  • Edhe pas rigjykimit, një vit burg dhe 15 mijë euro gjobë për ish-kryetarin e LDK-së në Drenas

    Edhe pas rigjykimit, një vit burg dhe 15 mijë euro gjobë për ish-kryetarin e LDK-së në Drenas

    Edhe në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë ish-kryetarin e degës së LDK-së në Drenas, Bedri Nika, kurse nipin e tij, Albian Nika, u dënua me gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, lidhur me akuzën për pastrim parash.

    Ndryshe, në seancën e datës 26 nëntor 2024, dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë për veprën penale në bashkëkryerje “Shpëlarje e parave”.

    Ndërsa, Apeli e kishte kthyer përseri këtë cështje në rivendosje.

    Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve të cilët u shpallën fajtorë për pastrim parash, u shpall të premten nga gjyqtarja Violeta Namani.

    Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Bedri Nika u dënua me 1 vit burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, si dhe me 15 mijë euro gjobë.

    Ndërsa, të akuzuarit Albian Nika, gjykata i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh dhe 3 mijë euro gjobë. Ndërsa, më pëlqimin e të akuzuarit Nika, dënimi me burgim do të shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

    Po ashtu, Gjykata me këtë aktgjykim ka konfiskuar edhe 121 banknota të dëmtuara në vlerë totale prej 6050 euro, të cilat mjete janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

    Gjithashtu, detyrohen të akuzuarit që në mënyrë solidare, t’ia kompensojnë të dëmtuarës- bankës NLB në Prishtinë shumën prej 5 mijë e 900 euro, në afat prej një muaji pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

    Ndaj të akuzuarit Bedri Nika për veprën penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”, Gjykata refuzoi akuzën me arsyetimin se prokurori i Prokurorisë Speciale është tërhequr nga akuza, në fjalën hyrëse të këtij shqyrtimi gjyqësor.

    Gjykata, obligoi dy të akuzuarit Nika, që secili veç e veë në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 200 euro dhe në emër të Kompensimit të Viktimave të Krimit shumën prej 100 euro.

    Në fund, Gjykata njoftoi se palët e pakënaqura, kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese sipas afatit ligjor.

    Ndryshe, në seancën e datës 28 tetor 2024, dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë për veprën penale në bashkëkryerje “Shpëlarje e parave”.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 prill 2023, kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar të akuzuarin Bedri Nika me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë për veprën penale “pastrimi i parasë”, ndërsa e kishte liruar për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”. Kurse të akuzuarin Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” e kishte dënuar me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

    Ndryshe, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Por, Gjykata Supreme e kishte konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përpiluar duke u bazuar në dispozita ligjore, pasi që si dispozitivi, ashtu edhe arsyetimi nuk përmbajnë sqarime të duhura në lidhje me “aktivitetin kriminal”, që konsiderohet element esencial i figurës së veprës penale për të cilën të dënuarit Nika shpallur fajtor.

    Sipas të njëjtit aktgjykim thuhet se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale me të cilat janë përfshirë aktgjykimet e shkallës së parë dhe së dytë janë të asaj natyre që nuk kanë mundur që të evitohen nga Gjykata Supreme e Kosovës, kështu që të njëjtat kanë qenë arsye që kanë imponuar që detyrimisht kjo çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë që duhet të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit,

    Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2021, Bedri Nika ngarkohej me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër ngarkohej edhe i akuzuari Albian Nika. /BetimipërDrejtësi/

  • “Pa çlirimtarët s’ka shtet”, mesazhet që përcjellin qytetarët nga Kosova në Tiranë

    “Pa çlirimtarët s’ka shtet”, mesazhet që përcjellin qytetarët nga Kosova në Tiranë

    Protestues nga qytete të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe Evropa tanimë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, ku pas disa orësh nis protesta “Drejtësi për çlirimtarët”.

    Ata kërkuar të lirohen çlirimtarët pasi po mbahen padrejtësisht në Hagë. Sami Hoti nga Rugova e Gjakovës kanë vendos të vinë në protestë për shkak të padrejtësisë ndaj çlirimtarëve.

    “Të lirohen sa më shpejtë se po mbahen padrejtësisht dhe i bëj apel të gjithë shqiptarëve, ai që e ndien vetën shqiptar të na bashkëngjiten në këtë protestë”, tha ai.

    Muhamet Beqiri nga Skenderaj tha se sot i madh e i vogël duhet të jetë në këtë shesh të mrekullueshëm për këtë protestë të mrekullueshme.

    “Mesazhi i im dhe i gjithë këtyre sa më shpejt të lirohen të pafajshmit, le të arrestohen udbashat që kanë vrarë e kanë masakruar”, tha ai.

    E qytetari nga Tirana, Aliu thekson se ka dalur në këtë protestë për gjakun e shqiptarëve.

    “Të lirohen ushtarët e UÇK-së. Nuk kam ardhur për politikanët se këta janë të gjithë të korruptuar por kam ardhur për gjak shqiptar”, tha ai, raporton euronewsal.

    Kurse, një qytetar nga Vushtrria tha se popullit të Kosovës është duke iu bërë padrejtësi, pasi nëse dënohet UÇK-ja dënohet i gjithë populli shqiptar.

    “Jemi në përkrahje të çlirimtarëve, fal tyre sot Kosova po gëzon lirshëm, fal tyre fëmijët shkojnë në shkollë lirshëm, fal tyre çdo infrastrukturë, çdo arritje që është bërë fal tyre, duke fillua prej policisë, ushtrisë prej të gjithave i kemi fal çlirimtarëve….një herë e përgjithmonë të vendoset drejtësia në vend. Pa luftës kemi pas padrejtësi ndaj Haradinajt, Limajt pas andej ka ndodhur gjykata e UNMIK-ut që ka qen inkriminuese, e padrejtë, tani EULEX, tash një gjykatë e specializuar me urdhër me dëshmitë të falsifikuara nga Serbia”, tha ai.

    Protesta në Tiranë organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Gjatë ditës së djeshme në konferencë për media kanë njoftuar se nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusë.