ATV

Blog

  • Tensione në ndeshjen KBF Prishtina – KBF Peja 03, një lojtare përjashtohet

    Tensione në ndeshjen KBF Prishtina – KBF Peja 03, një lojtare përjashtohet

    Një incident i vogël ndodhi gjatë ndeshjes mes KBF Prishtina dhe KBF Peja 03 në kategorinë e femrave, në kuadër të xhiros së tretë.

    Në çerekun e katërt të ndeshjes, gjatë një aksioni, basketbollistja e Pejës, Arbnore Përquku, goditi me grusht topin që po e mbante në duar lojtarja e Prishtinës, Besjana Martinaj.

    Pas kësaj, Martinaj reagoi duke vrapuar drejt Përqukut, çka çoi në një përleshje të shkurtër mes dy lojtareve, e cila zgjati vetëm disa sekonda.

    Ndeshja u ndërpre për pak minuta derisa situata u qetësua. Si pasojë e incidentit, basketbollistja e KBF Prishtinës, Besjana Martinaj, u përjashtua nga loja.

    Në fund, takimin e fitoi KBF Peja 03 me rezultat bindës, 63:91. /ATVLIVE.TV

  • Rubin Kazan mposhtet në shtëpi, Daku humb penallti

    Rubin Kazan mposhtet në shtëpi, Daku humb penallti

    Skuadra e Rubin Kazanit ka pësuar një humbje të rëndë 0:3 në shtëpi përballë Baltikës, në kuadër të javës së 12-të të kampionatit rus të futbollit.

    Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, pati mundësinë të shënonte për Rubinin nga pika e bardhë, por nuk arriti të konkretizojë. Goditja e tij e fuqishme u ndal në mënyrë të shkëlqyer nga portieri i Baltikës.

    Për performancën e tij në këtë takim, Daku u vlerësua me notën 5.9 nga platforma e njohur “Flashscore”. /ATVLIVE.TV

  • Man United “heshtë”Anfieldin-mund Liverpolin në derbin e fundjavës në Premierligës

    Man United “heshtë”Anfieldin-mund Liverpolin në derbin e fundjavës në Premierligës

    Liverpool nuk po këndellet asesi nga kriza e rezultateve,ku kësaj rradhe pësoi nga Man United me rezultat 2:1.

    Pjesa e parë nisi furishëm për “Djajtë e Kuq”,të cilët kaluan në epërsi në minutën e 2-të përmes Bryan Mbeumo,i cili shënoi golin më të shpejtë në histori të përballjeve në mes ekipeve më të trofeshme në Angli.

    Në pjesën e dytë Liverpool u hodh në sulm për të rikthyer në lojë,dhe këtë e arriti në minutën e 82-të kur Gakpo barazoi në 1:1,por Harry Maguire shuajti shpresat në minutën e 84-të duke shënuar për 2:1,që në fund doli të jetë rezultati i fitores për Man United.

    Liverpool gjendet në pozitën e tretë me 15 pikë,teksa Man United ngjitet në pozitën e 9-të me 13 pikë.

  • Merr fund paqja, Izraeli sulmon Gazën

    Merr fund paqja, Izraeli sulmon Gazën

    Ushtria izraelite ka njoftuar se ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore në qytetin Rafah, në jug të Rripit të Gazës, pas bombardimeve të mëparshme gjatë së njëjtës ditë. Izraeli pretendon se këto goditje janë përgjigje ndaj sulmeve të kryera nga Hamasi, të cilat janë mohuar kategorikisht nga organizata palestineze.

    “Si përgjigje ndaj shkeljes flagrante të marrëveshjes së armëpushimit më herët gjatë ditës, ushtria izraelite ka nisur një seri goditjesh ndaj objektivave të Hamasit në jug të Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratën zyrtare të ushtrisë.

    Ndërkohë, si Izraeli ashtu edhe Hamasi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, e cila ka hyrë në fuqi më 10 tetor. Sipas një gazetari të AFP, sulmet izraelite janë përqendruar në anën lindore të Khan Yunis, gjithashtu në jug të enklavës palestineze.

    Sipas Axios, SHBA po përpiqet të parandalojë shembjen e armëpushimit për shkak të përshkallëzimit të sotëm të dhunës në Gaza.

    Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan bisedime me ministrin izraelit për Çështje Strategjike, Ron Dermer, duke i kërkuar përmbajtje dhe reagim të matur nga Izraeli pas sulmeve ndaj trupave të IDF në jug të Gazës.

    Më herët gjatë ditës, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi Hamasin për pasoja të rënda në rast të sulmeve kundër trupave izraelite apo të shkeljeve të mëtejshme të armëpushimit.

    “Hamasi do të paguajë një çmim të rëndë për çdo sulm ndaj ushtarëve tanë dhe për çdo shkelje të armëpushimit në Gaza. Hamasi do të mësojë sot në mënyrë të ashpër se ushtria izraelite është e vendosur të mbrojë trupat e saj dhe të parandalojë çdo dëm ndaj tyre” deklaroi Katz.

  • Prokuroria Speciale publikon pamjet e aksionit në veri

    Prokuroria Speciale publikon pamjet e aksionit në veri

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se operacioni i sotëm policor në Komunën e Zubin Potokut dhe Zveçanit është zhvilluar në kuadër të një hetimi lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), A.S., me qëllim verifikimin e informatave dhe identifikimin e mundshëm të provave relevante.

    Sipas komunikatës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë kryer bastisje në dy lokacione në Zveçan dhe në shtatë lokacione në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “Vrasje e rëndë”, dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

    Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar shtatë persona, të cilët, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Po ashtu, gjatë zbatimit të urdhrit për bastisje, si një hap i rëndësishëm procedural në kuadër të një hetimi që është ende në zhvillim, janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, si: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente dhe pajisje elektronike të ndryshme.

    “Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës”, theksohet në komunikatë.

  • Çka vodhën në vlerë milionëshe hajdutët e Luvrit

    Çka vodhën në vlerë milionëshe hajdutët e Luvrit

    Persona të panjohur që hynë me forcë në Luvër të dielën kishin synimin tek Galeria Apollo. Plaçka e tyre daton që nga koha e Napoleonit dhe vlen miliona dollarë.

    Hajdutët e kishin planifikuar me kujdes organizimin dhe zgjodhën një destinacion veçanërisht të vlefshëm në Luvër: Galerie d’Apollon në katin e parë, e cila strehon disa ekspozita veçanërisht të vlefshme. Autorët thuhet se janë përqendruar në dy vitrina.

    Nëntë bizhuteri të vjedhura

    Hajdutët vodhën gjithsej nëntë bizhuteri nga koleksioni i Napoleonit dhe Perandoreshës. Deri më tani dihet se poshtë kishte një gjerdan, një brosh, vathë dhe një diademë. U përmendën edhe dy kurora – njëra prej tyre ajo e Perandoreshës Eugénie, e cila u gjet e thyer pas krimit, shkruan 20minuten. U gjet edhe një objekt i dytë grabitjeje, i cili ende nuk dihet, transmeton albinfo.ch.

    Xhevahiret e Kurorës Franceze në Luvër

    Përveç orendive madhështore të vetë dhomës, pjesët e mbetura të xhevahireve të kurorës franceze janë atraksionet kryesore të galerisë. Në vitin 1887, Republika e Tretë Franceze shiti më shumë xhevahire kurore për të shpërndarë frikën e një grushti shteti mbretëror. Vetëm xhevahiret me rëndësi historike u përjashtuan. Në të njëjtin vit, 23 bizhuteritë e mbetura u ekspozuan në Galerie d’Apollon dhe u prezantuan në vitrina së bashku me objekte të tjera me vlerë nga koleksionet e Luvrit. Vitrina të tjera u shtuan në vitin 1985 dhe 2020.

    Ndër pjesët më të rëndësishme janë kurorat e bëra për Luigjin XV dhe Napoleonin. Diamanti Hydrangea, një diamant portokalli-rozë me 20 karat, i cili u ble nga Luigji XIV, dhe Diamanti Regent me 140 karat, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga diamantet më të pastra të krijuara ndonjëherë, janë gjithashtu të ekspozuara atje. Po kështu edhe Sancy, një diamant i verdhë i çelët me 55 karat, i cili dikur ishte pjesë e xhevahireve të kurorës së Mbretërisë së Bashkuar.

  • Trump publikon video me Al ku hedh “ujëra të zeza” mbi protestuesit

    Trump publikon video me Al ku hedh “ujëra të zeza” mbi protestuesit

    Pasi e kaloi ditën duke luajtur golf, Donald Trump postoi një video të krijuar nga Inteligjenca Artificiale në rrjetin social Truth Social.

    Në video, ai mban një kurorë, fluturon në një aeroplan luftarak me fjalët “KING TRUMP” të shkruara mbi të dhe hedh “”ujëra të zeza” mbi një turmë protestuesish.

    Videoja e shpërndarë, e tregon atë duke fluturuar mbi një turmë protestuesish në një vend që të kujton Times Square.

    Aeroplani hedh “ujëra të zeza” mbi protestuesit anti-Trump, ndërsa në sfond luhet kënga “Danger Zone” nga Kenny Loggins.

  • Zjarr në Maliq të Shqipërisë, vdes nëna me djalin 14 vjeç, vajza 6-vjeçare në gjendje të rëndë

    Zjarr në Maliq të Shqipërisë, vdes nëna me djalin 14 vjeç, vajza 6-vjeçare në gjendje të rëndë

    Një ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Maliqit në qarkun e Korçës në Shqipëri, ku nënë e bir humbën jetën si pasojë e një zjarri në banesë.

    Vajza 6-vjeçare e familjes është nisur me urgjencë drejt Tiranës, për trajtim të specializuar në një qendër të djegieve.

    Mediat në Tiranë raportojnë se gjendja e fëmijës është shumë e rëndë, për shkak të djegieve të shumta në trup.

    E mitura është e vetmja e mbijetuar nga ngjarja tragjike që ndodhi në banesën e familjes Azizllari, ku humbën jetën nëna Merjeme Azizllari dhe djali 14-vjeçar.

    Dyshohet se zjarri ka nisur nga një dyshek sfungjeri, në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.

    Sipas dëshmive të fqinjëve, vajza arriti të shpëtonte vetëm falë ndërhyrjes së një gruaje që ndodhej pranë banesës dhe e pa atë duke kërkuar ndihmë.

    Ajo ishte hedhur nga dritarja, ndërsa nëna dhe vëllai i saj nuk arritën të dilnin në kohë për shkak të tymit të dendur.

    “Familje punëtore, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim “laji, shpëlaji”. E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë.

    Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur”, tha fqinja e familjes, Benereta Pashollari.

    Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele (19 tetor) rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq.

    Fillimisht u raportua se nëna dhe dy fëmijët e saj kishin mbetur të plagosur, por më pas u mësua se gruaja, Merjeme Azizllari kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë brenda në shtëpi.

    Më vonë, ndërroi jetë në spital edhe djali i saj i madh, 14 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë si pasojë e djegieve vazhdon të jetë fëmija i vogël 6 vjeç.

    Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.

  • Donat Rrudhani shënon gol në fitoren e Sion-it ndaj Grasshoper

    Donat Rrudhani shënon gol në fitoren e Sion-it ndaj Grasshoper

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës Donat Rrudhani po shkëlqen me fanellën e Sionit.

    Rrudhani luajti rol të rëndësishëm në fitoren kundër Grasshoper,ku realizoi nga pika e bardhë për 1:0.

    Përndryshe Rrudhani ka luajtur rreth 70 minuta në këtë ndeshje,ku regjistroi 4 goditje drejt portës,1 herë shtyllën si dhe fitoi dy nga pesë duelet dhe faqja e njohur Sofascore e vlerësoi me notën 7.2.

    Kujtojmë që Donat Rrudhani në 3 ndeshjet e zhvilluara për Sionin në Superligën zvicrane ka realizuar vetëm 1 gol e dhuroi 1 asistim.

  • Lionel Messi afër renovimit me Inter Miamin

    Lionel Messi afër renovimit me Inter Miamin

    Ylli argjentinas Lionel Messi,është shumë afër kontratës së re me Inter Miamin.

    Eksperti i transferimeve Fabrizio Romano bën të ditur se negociatat për marrëveshjen janë në fazën e fundit,dhe se deri në finalizimin e tyre kanë mbetur edhe disa detaje administrative.

    Përndryshe Messi sipas Romanos është i përqendruar tek projekti i Inter Miamit,dhe se dëshiron të arrijë objektivat me klubin nga MLS.

    Në rast se rinovimi i kontratës do të realizohet,atëherë Messi do të bëhej një nga fytyrat e rëndësishme jo vetëm të Inter Miamit por edhe të futbollit amerikan.

    Kujtojmë që kontrata aktuale e Lionel Messit me Inter Miamin skadon më 31 dhjetor të vitit 2025,dhe ka realizuar 29 gola në 28 ndeshje gjatë këtij viti me ekipin nga MLS.