ATV

Blog

  • Begaj kërkon nga Vietnami njohjen e pavarësisë së Kosovës

    Begaj kërkon nga Vietnami njohjen e pavarësisë së Kosovës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se do ta mirëprisnin një rishikim të qëndrimit të Vientamit lidhur me njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, duke nënvizuar se Kosova është një realitet i pakthyeshëm në Ballkanin Perëndimor.

    Ai kështu është shprehur gjatë pranimit të Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e Republikës Socialiste të Vietnamit në Republikën e Shqipërisë, Pham Thi Thu Huong.

    Begaj vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe tradicionale që ekzistojnë midis dy vendeve tona prej 75 vitesh, duke nënvizuar nevojën për intensifikimin e kontakteve politike, ekonomike dhe kulturore.

  • Parlamenti Evropian miratoi rezolutën më të ashpër ndonjëherë për pushtetin e Vuçiqit në Serbi

    Parlamenti Evropian miratoi rezolutën më të ashpër ndonjëherë për pushtetin e Vuçiqit në Serbi

    Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi një rezolutë për Serbinë, që – sipas 31 pikave të raportit – është më e ashpra ndaj regjimit në Serbi.

    Autoritetet serbe u kërkohet të sqarojnë plotësisht rrethanat e rrëzimit të strehës së autobusëve në Novi Sad, të vendosin sanksione ndaj përgjegjësve dhe të japin mbështetje të plotë për studentët.

    Kampi në Parkun “Pionirski” u etiketua si i paligjshëm, ndërsa u shpreh shqetësim për përfshirjen e personave me të kaluar kriminale në organizimin e antiprotesteve nga partia në pushtet.

    Për rezolutën votuan 457 eurodeputetë, 103 ishin kundër, raporton nova.rs.

    Deputetët e Parlamentit Evropian votuan për tekstin e harmonizuar që trajton polarizimin dhe shtimin e represionit në Serbi, një vit pas rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

    Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve serbe që të zbatojnë urgjentisht dhe në mënyrë të plotë të gjitha rekomandimet e OSBE dhe ODIHR për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi.

    Gjatë debatit, eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos theksoi se është e pavërtetë që me vendimin e Këshillit të BE-së do të pengohet transferimi i gazit për Serbinë.

    Sipas saj, “BE mbështet Serbinë që të diversifikojë të gjitha burimet e furnizimit dhe të integrohet në rrjetet energjetike të BE-së”.

  • Nuk ka fitues në Prizren, Vushtrria marshon drejt vendit të parë në Ligën e Parë

    Nuk ka fitues në Prizren, Vushtrria marshon drejt vendit të parë në Ligën e Parë

    Janë mbyllur ndeshjet e xhiros së 13-të në Ligën e Parë, ku nuk kishte fitues në Prizren dhe Vushtrria marshon drejt vendit të parë me 28 pikë.

    Rezultatet:

    Tefik Çanga 0 – 1 Ramiz Sadiku

    Vushtrria 1 – 0 Istogu

    Liria 0 – 0 Vëllaznimi

    Dinamo 2 – 0 Kika

    Suhareka 1 – 1 Trepça ’89

    Vjosa 1 – 2 Trepça

    Rilindja 1 – 0 Besa Peja

    KEK-u 1 – 1 Prizreni

    Feronikelk ’74 – 2 Korriku (e shtyrë). /ATVLIVE.TV

  • Hakim Ziyech rikthehet në atdhe – zyrtarizohet te Wydad Casablanca

    Hakim Ziyech rikthehet në atdhe – zyrtarizohet te Wydad Casablanca

    Pas një periudhe të vështirë me lëndime dhe mungesë të vazhdimësisë në nivele të larta, ylli i kombëtares së Marokut, Hakim Ziyech, ka vendosur të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.

    Mesfushori ofensiv është zyrtarizuar si përforcimi më i ri i klubit Wydad Casablanca, një prej emrave më të mëdhenj në futbollin maroken dhe afrikan.

    Ziyech, i cili më parë ka luajtur për klube të njohura si Ajax, Chelsea dhe së fundmi Al-Duhail në Katar, ka zgjedhur të rikthehet në vendlindje për të vazhduar karrierën si lojtar i lirë, pasi përfundoi kontratën me klubin katariot.

    Marrëveshja mes lojtarit dhe klubit maroken është arritur gjatë ditës së sotme, dhe pritet që prezantimi zyrtar të bëhet në një ceremoni speciale në Casablanca, ku tifozët e Wydad-it presin me entuziazëm ardhjen e një prej figurave më të njohura të futbollit maroken në vitet e fundit.

    Ky transferim shënon për herë të parë që Ziyech do të luajë në kampionatin e vendit të tij, pavarësisht se karriera e tij ndërkombëtare ka nisur dhe është zhvilluar jashtë Marokut. Ai e nisi ngritjen e tij në Holandë me Heerenveen, më pas shpërtheu me Ajaxin, për të kaluar te Chelsea në Premier League, ku fitoi edhe Ligën e Kampionëve.

    Gjatë qëndrimit të tij te Al-Duhail, Ziyech u përball me disa probleme fizike dhe nuk arriti të lërë gjurmë, duke u paraqitur vetëm në 9 ndeshje dhe duke shënuar një gol.

    Tani, në moshën 32-vjeçare, ai kërkon të rigjejë formën e tij më të mirë dhe të ndihmojë Wydad-in në garat vendore dhe kontinentale. Për vetë klubin, ardhja e Ziyech shihet si një goditje e madhe në merkato dhe një sinjal i qartë për synimet e larta në sezonin e ri. /ATVLIVE.TV

  • Britania e zgjat misionin në KFOR edhe për tre vjet

    Britania e zgjat misionin në KFOR edhe për tre vjet

    Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të vazhdojë të mbështesë misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, edhe për të paktën tre vitet e ardhshme.

    Sipas faqes zyrtare të qeverisë britanike, vendi ka qenë një kontribues kyç i KFOR-it që nga viti 1999 dhe fokusi kryesor është një forcë rezervë prej qindra ushtarësh britanikë që mund të vendosen në Kosovë me njoftim të shkurtër, në rast nevoje. Vendosja më e fundit e madhe ishte në vitin 2023 pas sulmeve kundër policisë në veri të Kosovës.

    Zgjatja e mbështetjes deri në dhjetor 2028 përmbush strategjinë “NATO e para” dhe synon të rrisë sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi vjen ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer pret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër për të diskutuar bashkëpunimin rajonal dhe menaxhimin e migracionit të parregullt.

    Ministri i Forcave të Armatosura, Al Carns, theksoi se qindra misione të kryera gjatë dekadave në mbështetje të KFOR-it kanë kontribuar në stabilitetin e rajonit, ndërsa trajnime të reja për vendet e Ballkanit Perëndimor do të fillojnë vitin e ardhshëm për të ndihmuar në ndërtimin e mirëkuptimit mbi mbrojtjen e jetës së civilëve dhe rolin e grave në siguri.

    KFOR-i, i mbështetur nga më shumë se 30 vende, u krijua pas fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999 për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë. Mbretëria e Bashkuar mbetet një aleat kryesor dhe partner i rëndësishëm i Kosovës, e cila u njoh si shtet i pavarur nga Britania në vitin 2008.

  • Një tjetër varr masiv zbulohet në Siri, shumica e viktimave gra dhe fëmijë

    Një tjetër varr masiv zbulohet në Siri, shumica e viktimave gra dhe fëmijë

    Ekipet e mbrojtjes civile siriane nxorën të martën mbetjet e 20 personave nga një varr masiv në lindje të qytetit të Doumës, në periferi të Damaskut.

    Shumica e mbetjeve duket se janë ato të fëmijëve dhe grave, raportoi rrjeti shtetëror, duke shtuar se hetuesit nuk ishin në gjendje të identifikonin viktimat.

    Ekipet e mbrojtjes civile nuk gjetën rroba te viktimat, duke sugjeruar se ato u vranë lakuriq, raportoi Anadolu.

    Që nga përmbysja e regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, në Siri janë zbuluar varre të shumta masive, më i madhi prej të cilave ishte pranë Damaskut. Një raport i Reuters kishte raportuar se 60,000 deri në 80,000 trupa të viktimave të tij u zhvendosën në një vend sekret nga varret masive përreth Damaskut nën sundimin e Assadit.

  • Si e kaloi Sarkozy natën e parë në qeli

    Si e kaloi Sarkozy natën e parë në qeli

    Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka kaluar natën e parë pas hekurave në burgun e njohur La Santé në Paris, ku po qëndron në izolim. Avokati i tij, Jean-Michel Darrois, e përshkroi përvojën e parë të klientit të tij si të vështirë, por të përballueshme.

    “Nuk është Club Med (resort luksoz). Sot ka bërë sport, ka filluar të shkruajë librin e tij dhe ndodhet në një qeli prej 9 metrash katrorë, ku zhurma nuk mungon asnjë çast” tha ai me ironi pas vizitës së tij në mbrëmje në institucionin e sigurisë së lartë.

    Sarkozy ka pasur mundësi ta takojë edhe bashkëshorten, këngëtaren Carla Bruni, në njërin nga tre takimet javore njëorëshe që i lejon administrata e burgut.

    “Sot ishte dita e parë, dhe një ditë e parë në burg është gjithmonë e tmerrshme, por ai e ka kaluar me qetësi,” theksoi avokati i tij.

    Burgu mban 1,237 të burgosur kur kapaciteti i tij maksimal është 657. Ish-presidenti nuk po mbahet në seksionin “vulnerabël”, i cili më parë ka mbajtur personazhe të famshëm si Bernard Tapie, por në izolim, jo ​​për dënim të shtuar, por për t’u siguruar që ai të mos bjerë në kontakt me të burgosur të tjerë që mund të kërcënojnë sigurinë e tij.

    Me të mbërritur në qeli, ai u prit nga brohorima nga të burgosurit e tjerë, “Oh, mirë se erdhe Sarkozy!” dhe “Sarkozy është këtu!”. Rojet më pas i morën gjurmët e gishtërinjve dhe një foto, dhe atij iu caktua një numër i të burgosurit, së bashku me një kartë identiteti të brendshme të burgut.

    Sarkozi la dokumentet e tjera dhe sendet personale në një kasafortë të vogël, por iu lejua të mbante unazën e martesës. Më pas, si çdo i burgosur tjetër, ai mori një “kit hyrjeje” sapun, çarçafë, tenxhere, tiganë, letër dhe një stilolaps.

    Ai u shoqërua për në qelinë e tij, e cila ka një banjo me dush, një kuzhinë të vogël, një krevat, një tavolinë, një televizor të vogël dhe – telefonat celularë janë të ndaluar – një linjë telefonike fikse me 10 numra të paraautorizuar nga administrata e burgut, e cila mund të përgjojë bisedat.

    Pjesa më e vështirë është nata, sepse rojet, veçanërisht në fazën e parë të paraburgimit, e ndezin dritën çdo orë për të kontrolluar nëse i burgosuri ka tentativa vetëvrasjeje, dhe sepse praktika kërkon që gjatë gjithë natës së parë të burgosurit e tjerë të brohorasin emrin e të sapoardhurit. Dhe, tashmë si Ministër i Brendshëm i “rendit dhe ligjit”, Sarkozy nuk ka qenë kurrë i butë me kriminelët.

  • “TRENDI” I SHEKULLIT/Përse ju vajza ‘çmendeni’ pas meshkujve që nuk janë të gatshëm të krijojnë lidhje serioze me ju?

    “TRENDI” I SHEKULLIT/Përse ju vajza ‘çmendeni’ pas meshkujve që nuk janë të gatshëm të krijojnë lidhje serioze me ju?

    Sindroma “Peter Pan” —joshja ndaj një partneri që nuk rritet kurrë

    Sindroma Peter Pan përdoret për të përshkruar sjelljet që tregojnë mungesë pjekurie  shmangien e përgjegjësive personale dhe profesionale, mungesën e seriozitetit dhe dëshirën për të jetuar vetëm në momentin. Edhe nëse kjo ju kujton partnerin tuaj, ka shumë gjasa që ai t’ju duket sërish joshës.

    Meshkujt me këtë sindromë shpesh janë tërheqës, plot energji dhe sharm, por në të njëjtën kohë e kanë të vështirë të marrin përgjegjësi dhe të përfshihen në detyrat e jetës së përditshme. Ata kanë një magjepsje që është njëkohësisht irrituese dhe e parezistueshme.

    Ashtu si personazhi fiktiv në film, edhe një partner me “sindromën Peter Pan” mund t’ju ndihmojë të largoheni përkohësisht nga realiteti. Dhe kjo ndjesi çlirimi mund t’ju bëjë të anashkaloni shenjat paralajmëruese, duke ju shtyrë të vazhdoni marrëdhënien me të. Paaftësia e tij për t’u marrë seriozisht me jetën mund të sjellë shumë argëtim, aventura dhe çaste spontane veçanërisht nëse ju vetë keni ardhur nga një familje strikte ku argëtimi ishte i kufizuar.

    Shpesh, njerëzit ndihen tërhequr nga ata që mishërojnë cilësi që vetë nuk i kanë përjetuar apo nuk i kanë lejuar vetes t’i shijojnë. Edhe nëse keni qenë e vetmuar për një kohë të gjatë, një person që ju ndihmon të harroni përgjegjësitë mund t’ju duket si një frymëmarrje e freskët.

    Por kur kjo ndodh në një periudhë kur jeni në kërkim të stabilitetit apo përparimit profesional, joshja ndaj një “Peter Pan-i” mund të jetë e rrezikshme. Dashuria mund t’ju verbojë, duke ju bërë të injoroni faktin që partneri nuk ka plane, synime apo dëshirë për të ndërtuar të ardhmen. Një lidhje që nis me shumë gaz dhe qeshje mund të shndërrohet shumë shpejt në një realitet që s’përputhet me ëndrrat tuaja.

  • Jurgen Klopp zbulon si i disiplinonte lojtarët që “shpërthenin” në rrjete sociale

    Jurgen Klopp zbulon si i disiplinonte lojtarët që “shpërthenin” në rrjete sociale

    Ish-trajneri legjendar i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka treguar një anë tjetër të stilit të tij drejtues – atë të disiplinës dhe transparencës absolute në dhomën e zhveshjes.

    Në një rrëfim interesant, Klopp pranoi se gjatë viteve të tij në “Anfield” kishte momente kur disa lojtarë ndiheshin të zhgënjyer nga vendimet e tij, dhe këtë e shprehnin publikisht në rrjete sociale.

    “Kishte raste kur ndonjë lojtar ndihej i mërzitur me zgjedhjet e mia dhe postonte diçka në rrjete sociale, për ta fshirë më vonë,” – tregoi Klopp.
    “Por ditën tjetër, në dhomën e zhveshjes, para të gjithëve, unë i thoja: ‘Mirë, tani na shpjego pse e postove atë mesazh të vogël.’”

    Sipas tij, kjo metodë ishte mënyra më efikase për të vendosur rregulla dhe respekt mes lojtarëve:
    “E bëja që të tjerët ta kuptonin se nëse guxonin të bënin të njëjtën gjë, do të duhej të përballeshin me të gjithë grupin.”

    Një mënyrë tipike “Klopp”, e drejtpërdrejtë, pa frikë dhe me mesazh të qartë: askush nuk është mbi ekipin.

  • Furça juaj e dhëmbëve është plot me baktere

    Furça juaj e dhëmbëve është plot me baktere

    Bakteret nga tualetet, virusi i herpesit dhe maja që shkakton mykun mund të shumohen lehtësisht në furçat tona të dhëmbëve. Megjithatë, ekzistojnë mënyra të thjeshta për t’i mbajtur ato më të pastra*dhe për të reduktuar rreziqet që mbartin.

    Në fakt, furça e dhëmbëve është një ekosistem i vogël, por i ndotur. Qimet e saj të grisura formojnë një “shkurre” plastike që çdo ditë përmbytet përkohësisht nga uji, duke u kthyer në një ligatinë të pasur me lëndë ushqyese. Brenda kësaj strukture të dendur lulëzojnë miliona mikroorganizma.

    Sipas studimeve, një furçë dhëmbësh mund të strehojë nga 1 deri në 12 milionë baktere dhe kërpudha, që i përkasin qindra specieve të ndryshme, përfshirë edhe viruse të panumërta. Këto mikrobe formojnë filma biologjikë në sipërfaqet e ekspozuara të furçës ose depërtojnë në qimet e dëmtuara nga përdorimi.

    Pse ndodh kjo?
    Çdo ditë, furça ekspozohet ndaj ujit, pështymës, qelizave të lëkurës dhe mbetjeve ushqimore nga goja jonë duke u ofruar mikrobeve një mjedis ideal për t’u shumuar. Për më tepër, shkarkimi i tualetit ose ajri që hyn nga dritaret mund të sjellë mikroorganizma të tjerë, të cilët përfundojnë në furçën tonë. Dhe pastaj, dy herë në ditë, ne e fusim këtë përzierje mikrobesh në gojë.

    Sipas Marc-Kevin Zinn, mikrobiolog në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Rhine-Waal në Gjermani, mikrobet që ndodhen në furçat e dhëmbëve vijnë kryesisht nga tre burime:

    1. Goja e përdoruesit,
    2. Lëkura e tij,
    3. Mjedisi ku mbahet furça.

    Por edhe furçat e reja mund të mos jenë plotësisht sterile. Një studim mbi 40 furça të reja të blera në dyqane në Brazil zbuloi se gjysma e tyre ishin tashmë të kontaminuara me mikrobe përpara përdorimit.

    Kjo tregon se kujdesi dhe mirëmbajtja e furçës së dhëmbëve janë thelbësore për higjienën orale dhe për shmangien e ekspozimit të panevojshëm ndaj mikrobeve.