ATV

Blog

  • Sulmuesi i Bayernit shkrin rekordet, Harry Kane tejkalon legjendat

    Sulmuesi i Bayernit shkrin rekordet, Harry Kane tejkalon legjendat

    Harry Kane po kalon një formë të jashtëzakonshme me Bayern Munich këtë sezon, duke vendosur një rekord që as Cristiano Ronaldo e as Lionel Messi nuk kanë arritur ndonjëherë në karrierat e tyre madhështore.

    Para ndeshjes së Ligës së Kampionëve të së mërkurës kundër Club Brugge, ylli anglez kishte regjistruar 19 gola në 11 ndeshje në të gjitha garat. Dhe iu deshën vetëm 14 minuta për të realizuar golin e tij të 20-të të sezonit, duke e dyfishuar epërsinë e bavarezëve me një goditje të saktë nga afërsia.

    Ky ishte goli i tij i 20-të në vetëm 12 ndeshje, një arritje që nuk e ka realizuar asnjë lojtar tjetër në futbollin modern që nga fillimi i sezonit, sipas të dhënave të Opta.

    Për krahasim, Lionel Messi ka arritur kuotën e 20 golave më shpejt pas 17 paraqitjesh – në tre sezone të ndryshme gjatë karrierës së tij. Ndërsa Cristiano Ronaldo e ka bërë këtë pas 13 ndeshjeve, në sezonin 2014/15.

    Kane, i cili ka shënuar në tetë ndeshje radhazi për herë të parë në karrierë, ka përforcuar statusin e tij si sulmuesi më vdekjeprurës në Evropë. Ai është gjithashtu lojtari i parë në dhjetë ligat kryesore evropiane që arrin kuotën e 20 golave këtë edicion.

    Për krahasim, “makineria e golave” Erling Haaland i Manchester Cityt, aktualisht ka 15 gola këtë sezon — pesë më pak se sulmuesi i Bayernit. /ATVLIVE.TV

  • ‘Numri 20 nuk do të harrohet kurrë’ — Homazh për Diogo Jotën

    ‘Numri 20 nuk do të harrohet kurrë’ — Homazh për Diogo Jotën

    Në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve midis Eintracht Frankfurtit dhe Liverpoolit, organizatorët bënë një gjest prekës për të nderuar kujtimin e lojtarit të ndjerë Diogo Jota.

    Futbollisti portugez, një nga lojtarët më të dashur të Liverpoolit, humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Spanjë në fillim të korrikut, duke tronditur gjithë botën e futbollit.

    Mbrëmë, drejtuesit e Eintrachtit u siguruan që Jota të mos harrohej. Gjatë prezantimit të skuadrave, në ekranin gjigant të stadiumit u shfaq formacioni i Liverpoolit me 11 lojtarë rezervë, ndonëse trajneri Arne Slot kishte futur në stol vetëm 10.

    Emrat e dhjetë lojtarëve ishin të shkruar me të bardha, ndërsa emri i Jotës dhe numri 20 u paraqitën me ngjyrë dhe stil dallues, si shenjë respekti për ish-sulmuesin e Reds.

    Gjatë leximit të formacioneve, spikeri zyrtar i stadiumit ndali për një moment dhe tha me emocion:

    “Përgjithmonë numri 20 — Diogo Jota.”

    Ky moment u shoqërua me duartrokitje të gjata nga tifozët e të dyja skuadrave.

    Në fund, Liverpooli e mbylli ndeshjen me fitore bindëse, duke triumfuar ndaj Eintracht Frankfurt me rezultat 1–5. /ATVLIVE.TV

  • Bashkimi pëson humbje të thellë në Itali ndaj Reggiana-s

    Bashkimi pëson humbje të thellë në Itali ndaj Reggiana-s

    Skuadra e Bashkimit është mundur në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në FIBA Europe Cup, duke u mposhtur nga Pallacanestro Reggiana në Itali me rezultat të thellë 100:65 (31:17, 21:21, 29:13, 19:14).

    Vendasit e nisën furishëm takimin, duke fituar çerekun e parë 31:17, ndërsa periudha e dytë ishte e barabartë 21:21, me italianët që shkuan në pushim me epërsi 52:38.

    Në pjesën e dytë, Reggiana vazhdoi dominimin, duke fituar çerekun e tretë 29:13 dhe duke e mbyllur ndeshjen pa asnjë dilemë me shifrat 100:65.

    Te Portokallezinjtë, më efikas ishte Isaiah Cousins me 19 pikë, i ndjekur nga Lejson Zeqiri me 14 dhe De’Quon Lake me 13 pikë.

    Kjo ishte humbja e dytë rresht për Bashkimin në grupet e Europe Cup, ndërsa Pallacanestro Reggiana regjistroi fitoren e dytë.

    Nënkampioni i Kosovës do të kërkojë rikthimin në formë në ndeshjen e ardhshme ndaj Dijon-it, që zhvillohet më 29 nëntor në palestrën e tyre në Prizren. /ATVLIVE.TV

  • Trepça mposhtet nga ekipi gjerman Braunschweig në “Minatori”

    Trepça mposhtet nga ekipi gjerman Braunschweig në “Minatori”

    Ekipi gjerman Basketball Löwen Braunschweig ka dalë fitues në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë, duke e mposhtur Trepçën me rezultat 84:70 (14:18, 20:14, 24:24, 26:14), në kuadër të xhiros së dytë të FIBA Europe Cup.

    Pavarësisht formës jo të mirë në Bundesliga, ku nga katër ndeshje kanë po aq humbje, gjermanët mbrëmë treguan karakter dhe nuk lejuan befasi në Mitrovicë.

    Xehetarët e nisën më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 18:14, falë një loje të disiplinuar në mbrojtje dhe efikasiteti në sulm.

    Megjithatë, në çerekun e dytë, Braunschweig përmirësoi lojën, duke e përmbysur epërsinë dhe duke shkuar në pushim me rezultat 32:34 në favor të tyre.

    Çereku i tretë ishte tejet i baraspeshuar — në fund të tij rezultati në semafor shënonte 56:58 për mysafirët.

    Në dhjetë minutat e fundit, ekipi gjerman dominoi plotësisht, duke krijuar shkëputje prej 13 pikësh në minutën e 35-të (73:58) dhe duke e ruajtur avantazhin deri në fund për fitoren 84:70.

    Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Trepçën në fazën e grupeve të Kupës Evropiane.

    Në radhët e mitrovicasve u dalluan Adnan Arslanagiq me 18 pikë dhe Chad Brown me 16, ndërsa te skuadra gjermane spikatën Grant Sherfield me 21 pikë, Luka Scuka me 18, si dhe Barra Njie po ashtu me 18 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Drita gati për Ligën e Konferencës, luan sonte me Omonian

    Drita gati për Ligën e Konferencës, luan sonte me Omonian

    Skuadra kosovare, Drita, sonte zhvillon ndeshjen e saj të dytë në UEFA Conference League, ku përballë do të ketë ekipin qipriot Omonia.

    Përballja fillon nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku kampioni aktual i Superligës së Kosovës do të kërkojë një rezultat pozitiv kundër një kundërshtari me përvojë evropiane.

    Omonia është një nga klubet më të suksesshme në Qipro, me 21 tituj kampioni, 16 Kupa të Qipros dhe 17 Superkupa.

    Sipas faqes së njohur Transfermarkt, vlera e skuadrës arrin në rreth 16.6 milionë euro. Ndërsa ajo e ‘Intelektualëve’ në 6.58 milionë euro.

    Futbollisti më i njohur i Omonias është Stevan Jovetiq, megjithatë pjesëmarrja e tij në këtë takim mbetet në dyshim për shkak të një lëndimi.

    Ndërsa trajneri Ramadani, përveç Veton Tushës që është i lënduar, të gjithë lojtarët e tjerë i ka në dispozicion. /ATVLIVE.TV

  • ShBA-ja sanksionon dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës, “Rosneft” dhe “Lukoil”

    ShBA-ja sanksionon dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës, “Rosneft” dhe “Lukoil”

    Administrata Trump vendosi të mërkurën sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, ndërsa i bëri thirrje Moskës të bjerë dakord për një armëpushim të menjëhershëm në luftën me Ukrainën.

    Presidenti Donald Trump kishte sinjalizuar për javë të tëra se mund të vendoste sanksione kundër Rusisë për vazhdimin e luftës, por nuk kishte arritur të merrte masa të mëdha ndëshkuese deri të mërkurën. Njoftimi erdhi një ditë pasi Trump tha se një takim i planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.

    “Çdo herë që flas me Vladimirin, zhvilloj biseda të mira dhe pastaj ato nuk çojnë askund. Ato thjesht nuk shkojnë askund”, tha Presidenti Donald Trump, pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte për të diskutuar negociatat e paqes.

    Në komentet në Zyrën Ovale, Trump shpjegoi se “ndjeu se kishte ardhur koha” për sanksionet, duke vënë në dukje se “priti shumë kohë” për t’i vendosur ato. Megjithatë, presidenti amerikan tha se shpreson që “ato nuk do të zgjasin shumë”, sepse lufta do të mbarojë.

    Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha në një deklaratë të mërkurën se ishte “koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”.

    “Duke pasur parasysh refuzimin e Presidentit Putin për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Thesari po vendos sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinën e luftës së Kremlinit”, tha ai.

    Sanksionet goditën Rosneft dhe Lukoil dhe dhjetëra degë të tyre. Mbretëria e Bashkuar shënjestroi dy kompanitë e naftës javën e kaluar dhe Bashkimi Evropian ra dakord për një paketë tjetër sanksionesh të mërkurën.

    Opozita bllokoi marrëveshjen me Bankën Botërore, tani ankohet për vonesën e Planit të Rritjes nga BE
    Read more

  • BE-ja miraton paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    BE-ja miraton paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    Vendet e BE-së kanë miratuar zyrtarisht të enjten paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin një ndalim të importeve të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG).

    27 shtetet anëtare e kanë miratuar paketën të mërkurën në mbrëmje, pasi Sllovakia hoqi bllokimin e saj.

    “Është një paketë e rëndësishme që synon rrjedhat kryesore të të ardhurave ruse përmes masave të reja energjetike, financiare dhe tregtare”, ka thënë presidenca daneze e BE-së.

    Ndalimi i LNG-së do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh dhe kontratat afatgjata nga 1 janari 2027. Ndalimi i plotë do të ndodhë një vit më parë se plani i Komisionit për t’i dhënë fund varësisë së bllokut nga lëndët djegëse fosile ruse.

    Masat në paketë përfshijnë gjithashtu një mekanizëm të ri për të kufizuar lëvizjen e diplomatëve rusë brenda BE-së, thuhet në deklaratë.

    “Synon bankat ruse, bursat e kriptomonedhave, subjektet në Indi dhe Kinë, ndër të tjera”, ka thënë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në një postim në X.

    “BE-ja po frenon lëvizjet e diplomatëve rusë për të kundërshtuar përpjekjet e destabilizimit. Është gjithnjë e më e vështirë për Putinin të financojë këtë luftë”, ka shtuar ajo.

    Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, ka thënë se ndalimi i importeve të LNG-së është një hap i rëndësishëm drejt një heqjeje të plotë graduale të energjisë ruse në BE.

  • Kurti dhe Haddad flasin për forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë

    Kurti dhe Haddad flasin për forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad.

    Takimi u zhvillua në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër.

    Përmes një postimi në “X”, Kurti ka bërë të ditur se në takim është biseduar për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale si dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    “U takova me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Londër. Diskutuam forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë, sigurinë, zhvillimet rajonale dhe integrimin në BE. Jam mirënjohës për mbështetjen e Francës si një anëtare kyçe e BE-së dhe për vlerat tona të përbashkëta që udhëheqin partneritetin tonë,” ka shkruar Kurti.

    Samiti i Procesit të Berlinit po zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, ku po diskutohen bashkëpunimi rajonal, integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik i rajonit.

  • Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku dhe pedagogu shqiptar

    Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku dhe pedagogu shqiptar

    Një mjek shqiptar në Kanada ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me makinë.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë Ambasada e Shqipërisë në Kanada, teksa ambasadorja Artemis Kosta Malo, ka ngushëlluar familjarët e të ndjerit.

    Agron Alija shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios.
    “Me dhimbje të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Agron Alija. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Agron Alija për këtë humbje të pazëvendësueshme.

    Dr. Agron Alija ishte një figurë emblemë e komunitetit shqiptar në Kanada, një profesionist i përkushtuar në fushën e mjekësisë dhe një njeri me shpirt fisnik që kontribuoi me dashuri, përkushtim dhe integritet në shërbim të njerëzve dhe komunitetit veçanërisht në Hamilton dhe London, aty ku edhe shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios.

    Humbja e tij la një boshllëk të madh jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë ata që patën fatin ta njihnin e ta vlerësonin. Në këto momente të vështira, shpreh gjithë mbështetjen time dhe uroj forcë dhe durim familjes së Dr. Alija për të përballuar këtë humbje. U prehsh në paqe, Dr. Alija. Kujtimi për ty do të qëndrojë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona, me respekt, mirënjohje dhe mall të thellë për njeriun fisnik, mjekun e përkushtuar dhe mikun e dashur që ishe”, shkruan ambasadorja shqiptare.

  • Shtetasi i huaj ndërron jetë në “Aeroportin Adem Jashari”

    Shtetasi i huaj ndërron jetë në “Aeroportin Adem Jashari”

    Një shtetas zviceran ka ndërruar jetë në “Aeroportin Adem Jashari” teksa po priste udhëtimin e tij për në Zvicër.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, shtetasit të huaj i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, por pavarësisht ndihmës mjekësore ai ka ndërruar jetë.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Aeroporti Adem Jashari, Lipjan 22.10.2025 – 21:00. Është raportuar se një mashkull shtetas zviceran, i cili ka qenë duke pritur për të udhëtuar për në Zvicër, i është keqësuar gjendja shëndetësore i është ofruar ndihma mjekësore, por pastaj ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.