ATV

Blog

  • Kurti: Sot nisin komunikimet me krerët e opozitës për zgjedhjen e presidentit

    Kurti: Sot nisin komunikimet me krerët e opozitës për zgjedhjen e presidentit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot do të nisin komunikimet për takime me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

    Kurti tha se komunikimet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Këtë deklaratë ai e bëri për KosovaPress, pas homazheve për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ejup Statovci.

    “Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, tha Kurti.

    Ndryshe dje, pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se janë të domosdoshme takimet e reja dhe bisedimet me partitë, duke theksuar se Kosova nuk ka nevojë për destabilitet të mëtejshëm institucional.

    “Duhet të ketë takime, bisedime e pajtime. Unë e kam parë që është e mundshme, ekziston rruga në të cilën mund të ecim bashkë”, deklaroi ai.

    Sa i përket kandidatit për president, Kurti bëri të qartë se LVV-ja vazhdon t’i qëndrojë marrëveshjes politike dhe kandidaturës së Bekim Sejdiut.

    Sipas Kurtit, Sejdiu është tërhequr pasi gjashtë deputetë të LDK-së e kanë shkelur marrëveshjen.

    Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon më 6 tetor. Në rast të dështimit të zgjedhjes së kreut të shtetit brenda këtij afati, vendi përballet me zgjedhje të reja. /Telegrafi/

  • “Liria ka emër” proteston sot, Policia me plan të veçantë për mbarëvajtjen

    “Liria ka emër” proteston sot, Policia me plan të veçantë për mbarëvajtjen

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme për sigurimin e protestës së paralajmëruar për sot në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

    Protesta synon të shprehë vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Policisë, masat do të zbatohen para, gjatë dhe deri në përfundimin e protestës, me qëllim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike.

    Policia ka theksuar se në pajtim me Ligjin mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirisht qëndrimet përmes tubimeve dhe protestave të qeta. Sipas saj, angazhimi i oficerëve synon që protesta të zhvillohet pa incidente dhe që pjesëmarrësit të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe brenda kornizës ligjore.

    Për shkak të lëvizjes së pjesëmarrësve, do të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit. Prej orës 15:00 do të mbyllen përkohësisht rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri”. Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga nevoja operative, mund të mbyllen edhe rrugë të tjera.

    Për këtë qëllim, janë angazhuar edhe njësitë patrulluese të trafikut, të cilat do të riorientojnë qarkullimin nëpër rrugë alternative sipas nevojës.

    Policia ka garantuar praninë e zyrtarëve policorë në terren dhe ka thënë se siguria e qytetarëve, ruajtja e rendit kushtetues dhe e sigurisë publike mbeten prioritet i saj.

    Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar organizatorët dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e vazhdueshëm, duke apeluar për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të trafikut rrugor në interes të sigurisë së përgjithshme.

  • Trump fajëson sërish Ukrainën për rritjen rekord të çmimit të naftës në SHBA

    Trump fajëson sërish Ukrainën për rritjen rekord të çmimit të naftës në SHBA

    Presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar sërish sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse për rritjen e fortë të çmimeve të karburanteve në SHBA, duke argumentuar se dëmtimi i kapaciteteve ruse të përpunimit po ndikon më shumë në treg sesa lufta në Lindjen e Mesme.

    Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më 30 shtator, Trump tha se administrata po shqyrton edhe ndalimin e eksporteve amerikane të naftës dizel, me synimin për të rritur furnizimin në tregun vendas dhe për të ulur çmimet. Megjithatë, ai paralajmëroi se një masë e tillë mund të ketë efekt negativ edhe mbi çmimin e benzinës.

    Trump argumentoi se sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse kanë reduktuar prodhimin e karburanteve dhe kanë krijuar presion mbi furnizimet globale.

    “Nafta është dëmtuar shumë më tepër nga ajo që po ndodh në Rusi sesa nga Lindja e Mesme”, tha Trump, duke iu referuar sulmeve ndaj rafinerive ruse.

    Por sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, dha një tablo më të gjerë. Ai tha se tregu po përballet me humbje të eksporteve nga disa zona të rëndësishme, përfshirë Lindjen e Mesme dhe Kinën, duke e bërë furnizimin global më të ngushtë.

    Presioni mbi tregun amerikan është bërë veçanërisht i madh. Çmimi i naftës dizel në SHBA ka arritur rekord prej rreth 6.53 dollarësh për gallon, ndërsa çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Sipas Reuters, çmimi i dizelit është rritur me më shumë se 40 për qind gjatë vitit të fundit.

    Rritja e çmimeve lidhet me një kombinim faktorësh, përfshirë ndërprerjet e furnizimeve në Lindjen e Mesme, dëmtimin e kapaciteteve të rafinerive ruse nga sulmet ukrainase, reduktimin e eksporteve kineze dhe nivelet e ulëta të rezervave të karburanteve.

    Trump kishte bërë të njëjtin argument edhe më herët, kur i kërkoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës. Më 13 shtator, Trump tha se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës ruse të dizelit po shkaktonin mungesa të karburantit dhe po “dëmtonin botën”.

  • Dy kosovarë arrestohen në Gjermani, dyshohen për zjarrvënie dhe tentativë vrasjeje

    Dy kosovarë arrestohen në Gjermani, dyshohen për zjarrvënie dhe tentativë vrasjeje

    Dy shtetas të Kosovës, 58 dhe 37 vjeç, janë arrestuar në Gjermani dhe ndodhen në paraburgim, nën dyshimin se janë përfshirë në dy raste të rënda zjarrvënieje në ndërtesa banimi. Në njërin prej rasteve, autoritetet po hetojnë edhe dyshimin për tentativë vrasjeje.

    Sipas Policisë së Ludwigsburgut dhe Prokurorisë së Stuttgartit, hetimet kanë lidhur dy burrat me dy raste të ndara, të ndodhura në nëntor të vitit 2025 dhe mars të vitit 2026.

    Rasti i parë ka ndodhur më 11 nëntor 2025, në një apartament në katin përdhes të një ndërtese shumëfamiljare në Brunnenstraße, në Böblingen. Sipas hetuesve, një shpërthim i fortë i shkaktuar nga zjarri bëri që banorët të kuptonin se kishte rënë zjarr dhe të largoheshin nga ndërtesa.

    Hetimet e mëtejshme përqendruan dyshimet te 58-vjeçari nga Kosova, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në zjarrvënien e banesës.

    Më pas, hetimi çoi edhe te një 37-vjeçar, po ashtu shtetas i Kosovës. Autoritetet dyshojnë se 58-vjeçari e kishte angazhuar atë kundrejt pagesës për t’i vënë flakën një shtëpie në Jägerholzweg, në Weil im Schönbuch, më 29 mars 2026.

    Në momentin e zjarrit, në shtëpi ndodhej një grua 86-vjeçare. Ajo u alarmua nga detektori i tymit dhe arriti të largohej nga banesa pa pësuar lëndime.

    Për shkak të rrethanave të rastit dhe faktit se gruaja ndodhej brenda banesës kur ajo u përfshi nga zjarri, autoritetet e kanë klasifikuar rastin edhe si dyshim për tentativë vrasjeje.

    Pas hetimeve të përbashkëta me Inspektoratin e Policisë Kriminale të Kielit, të dyshuarit u arrestuan në fillim të shtatorit.

    Më 3 dhe 4 shtator 2026, ata u paraqitën para një gjyqtari në Gjykatën e Qarkut të Stuttgartit, me kërkesë të Prokurorisë së Stuttgartit.

    Gjykata lëshoi urdhër-arreste ndaj të dyve për dyshimin e bazuar për zjarrvënie të rëndë dhe tentativë vrasjeje, ndërsa ata u dërguan në institucionet e paraburgimit.

    Hetimet për rrethanat dhe motivin e mundshëm të rasteve janë ende në vazhdim.

    Të dy shtetasit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.

  • Kuvendi i Prizrenit miraton deklaratën për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Kuvendi i Prizrenit miraton deklaratën për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Kuvendi Komunal i Prizrenit ka miratuar unanimisht një deklaratë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Në deklaratë, Kuvendi thotë se respekton pavarësinë e gjyqësorit, por shpreh “mospajtimin e tij të thellë” me aktgjykimin e shpallur më 16 shtator 2026.

    Kuvendi thekson se përgjegjësia penale është individuale dhe, sipas tij, nuk mund të shtrihet apo interpretohet si përgjegjësi kolektive e UÇK-së dhe e luftës së saj.

    Po ashtu, Kuvendi i Prizrenit shpreh solidaritet me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe familjet e tyre, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që, pavarësisht dhimbjes dhe emocioneve, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin.

    Në fund të deklaratës, Kuvendi i Prizrenit përcjell edhe mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”, duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës”, me të cilin është shpallur aktgjykimi.

    Deklarata plotë:

    DEKLARATË LIDHUR ME AKTGJYKIMIN NDAJ ISH-DREJTUESVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

    Kuvendi i Komunës së Prizrenit, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, shpreh mospajtimin e tij të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026, ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Kuvendi i Komunës së Prizrenit, rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte vazhdimësi e luftës për liri dhe çlirim, e lindur nga rrethanat e rënda të represionit, dhunës, vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës.

    Kuvendi i Komunës së Prizrenit, konsideron se, për një dënim penal të kësaj peshe, përgjegjësia personale e secilit të akuzuar duhet të provohet me prova të qarta, konkrete, bindëse dhe përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shtrihet apo të interpretohet si përgjegjësi kolektive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftës së saj.

    Kuvendi i Komunës së Prizrenit shpreh solidaritet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, me familjet e tyre, si dhe me të gjithë ata që këtë proces e kanë përjetuar me dhimbje dhe shqetësim.

    Kuvendi i Komunës së Prizrenit, nderon sakrificën e dëshmorëve, martirëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe Kosovës që kontribuan për lirinë e vendit, duke vlerësuar ruajtjen e kujtesës historike dhe të vlerave të luftës së UÇK-së si përgjegjësi institucionale dhe shoqërore.

    U bëhet thirrje qytetarëve të Prizrenit dhe të gjithë Kosovës që, përkundër dhimbjes dhe emocioneve të forta, ta ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke shprehur qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe institucionale.

    Duke pasur parasysh se aktgjykimi u shpall me formulimin “Në emër të popullit të Kosovës”, Kuvendi i Komunës së Prizrenit përcjell qartë mesazhin e qytetarëve të tij: “JO NË EMRIN TIM!”

  • Nis angazhimi i të burgosurve në punët bujqësore në Smrekonicë

    Nis angazhimi i të burgosurve në punët bujqësore në Smrekonicë

    Në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë ka nisur vjelja e mollëve dhe nxjerrja e patateve nga sipërfaqet bujqësore të kësaj qendre.

    Aktiviteti po zhvillohet në kuadër të punës së Njësisë Ekonomike të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ndërsa punët bujqësore po realizohen nga të burgosurit, nën mbikëqyrjen dhe mbështetjen e zyrtarëve përgjegjës.

    Sipas SHKK-së, angazhimi i të burgosurve në punët bujqësore është pjesë e programeve të punës dhe aftësimit profesional. Përmes këtyre aktiviteteve, atyre u mundësohet të fitojnë shkathtësi praktike, të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të kontribuojnë në aktivitetet prodhuese të Njësisë Ekonomike.

    Puna në bujqësi dhe aktivitetet e tjera prodhuese synojnë të ofrojnë një angazhim konstruktiv për të burgosurit dhe të kontribuojnë në përgatitjen e tyre për riintegrim në shoqëri pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.

  • Këto janë shenjat që organizmi ka filluar të plaket

    Këto janë shenjat që organizmi ka filluar të plaket

    Shkencëtarët besojnë se shkalla e plakjes në të cilën jeni ju varet kryesisht nga faktorët e jashtëm dhe jo nga gjenetika.

    Vetëm 20% e ndikimit përcaktohet nga trashëgimia.

    Sipas hulumtimeve të fundit, disa njerëz janë 3 herë më të shpejtë ndërsa të tjerët, një vit biologjik është i barabartë me 16.5 muaj kalendarik.

    Mosha biologjike e një personi ka një efekt të madh në atë se si ata duken, prandaj njerëzit e të njëjtës moshë mund të duken më të rinj ose më të vjetër se ata me të vërtetë.

    Më poshtë ju sjellim një listë të shenjave që mund të tregojnë se trupi juaj po plaket shumë shpejt

    Problemet me aknet

    Kjo mund të jetë mungesë e zinkut. Mund të vendosni krem për t’i hequr, por pse të mos e luftoni problemin te rrënja. Hani sa më shumë ushqime të pasura në zink, badem, fara të kungullit, spinaq dhe kikirikë.

    Dhimbjet e kokës

    Dhimbjet e kokës nganjëherë mund të shfaqen si pasojë e mungesës së magnezit, e kjo lehtë mund të hiqet nëse konsumoni më shpesh banane dhe lakër.

    Ngërçet në muskuj

    Edhe ngërçet në muskuj mund të shfaqen si pasojë e mungesës së magnezit. Provoni të laheni në ujë të ngrohtë me kripë të hidhur, pasi që kripa përmban magnez dhe lëkura juaj mund ta absorbojë.

    Shikimi i dobësuar

    Shikimi i dobësuar është pasojë e mënyrës së gjatë si jetoni, ushqimit dhe shprehive negative. Ushqimi i përpunuar në mënyrë industriale, mungesa e lëvizjes dhe qëndrimi para kompjuterit, duhani, ndikojnë në shëndetin e syve.

    Thonjtë që qërohen dhe floku i thatë

    Kjo është shenjë se ju mungon vitamina B7. Hani më shumë tharëm të bukës, djathë dhe kikirikë, në mënyrë që të keni thonj të shëndetshëm.

    Floku i dobët

    Nëse vëreni se gjatë krehjes së flokut po ju bien shumë qime, kjo është shenjë e mungesës së hekurit. Hani sa më shumë perime me gjethe të gjelbër të errët dhe mish të kuq.

    Flluskat e bardha

    Nëse keni flluska të bardha në nyja dhe gishtërinj, kjo tregon se keni mungesë të aminoacideve esenciale. Mund t’i kompensoni, duke konsumuar sa më shumë peshk, fruta deti dhe pemë me lëvozhgë të fortë.

    Lëkura me zbokth

    Nëse e keni vërejtur se lëkura shpesh ju shtrëngohet, keni të kruara, keni zbokth, kjo do të thotë se ka nevojë për hidratim. Aplikoni krem hidratues gjatë ditës, ndërsa krem më të yndyrshëm gjatë natës.

    Çfarë fshihet prapa lodhjes?

    Lodhja është alarm, të cilën psikika ia dërgon trupit. Nga lodhja tensionoheni, bëheni me depresion, nuk keni vullnet për asnjë aktivitet të mundshëm, që do të thotë se këto i shkakton stresi. Në vend të kësaj, ecni, vraponi dhe shmangni uljen e përditshme.

    Fryrjet në stomak

    Kjo vjen si pasojë e tretjes jo të mirë të ushqimit apo edhe si pasojë e ushqimeve të caktuara. Përjashtoni nga ushqimi ose pakësoni kripën, ushqimin e shpejtë, pijet e gazuara, makaronat, orizin. Hani perime të ziera, pemë, drithëra, bishtaja, vezë, mish pule ose gjeldeti, jogurt dhe çaj të gjelbër. Shmangni alkoolin, kafenë dhe lëngjet.

  • Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin ku bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Vendimi është marrë nga gjykatësi i vetëm i këtij rasti, Christopher Gosnell më 30 shtator 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimit, gjykatësi konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra penale të tjera.

    Po ashtu, për vazhdimin e paraburgimit, Specialja bën të ditur se gjykatësi mori parasysh edhe faktin që Thaçi u shpall fajtor dhe u dënua në gjykimin për krime lufte.

    “Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje”, thekson Specialja.

    Gjykatësi vlerësoi se caktimi i paraburgimit vazhdon të mbetet i domosdoshëm dhe proporcional.

    Kujtojmë se në rastin për krime lufte, Specialja shpalli aktgjykimin më 16 shtator 2026, me të cilin Thaçi u dënua me 25 vjet burgim. Me aq vite burgim u dënua edhe Jakup Krasniqi. Ndërkaq, Kadri Veseli me 18 vjet burgim e Rexhep Selimi me 13.

    Në gjykimin për veprat penale kundër administrimit të dejtësisë, më 14 shtator 2026 ka përfunduar paraqitja e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars. Ndërsa, si dëshmitare e mbrojtjes së Thaçit dëshmoi ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo dëshmoi mç 11 dhe 12 maj 2026.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU.

  • Fanella e Michael Jordan nga finalja e NBA-së shitet për 12.26 milionë dollar

    Fanella e Michael Jordan nga finalja e NBA-së shitet për 12.26 milionë dollar

    Fanella legjendare e Michael Jordanit, e veshur gjatë finales së NBA-së në vitin 1998 ndaj Utah Jazz, është shitur për plot 12.26 milionë dollarë, duke u bërë fanella më e shtrenjtë e basketbollit e shitur ndonjëherë në ankand.

    Bëhet fjalë për fanellën e bardhë ikonike të Chicago Bulls, me numrin 23, të cilën Jordan e veshi më 7 qershor 1998, në ndeshjen e tretë të finales, në United Center të Çikagos.

    Ajo ndeshje mbeti një nga momentet më të veçanta të epokës së “Last Dance”. Bulls shkatërruan Utah Jazz me rezultatin 96-54 dhe morën epërsinë 2-1 në seri.

    Në fund, Chicago triumfoi 4-2, ndërsa Jordan siguroi titullin e gjashtë dhe të fundit të NBA-së në karrierën e tij.

    Ankandi u zhvillua përmes platformës JOOPITER, të themeluar nga Pharrell Williams. Çmimi fillestar ishte 10 milionë dollarë, ndërsa me taksat dhe shpenzimet shtesë, shuma përfundimtare arriti në 12.26 milionë.

    Në mënyrë interesante, për fanellën u bë vetëm një ofertë detyruese.

    Ky rekord i ri tejkalon edhe rekordin e mëparshëm të Jordanit. Në vitin 2022, fanella e kuqe e veshur prej tij në ndeshjen e parë të së njëjtës finale ishte shitur për më shumë se 10 milionë dollarë.

    Vlera e fanellës së fundit lidhet edhe me rrallësinë e saj. Sipas JOOPITER, ajo është e vetmja fanellë e bardhë e Jordanit nga finalet e vitit 1998 që njihet publikisht dhe ka dalë në treg.

    Megjithatë, Jordan nuk mban rekordin absolut në sport. Ai i përket legjendës së bejsbollit, Babe Ruth, fanella e të cilit u shit për 24.12 milionë dollarë.

    Kështu, fanella e Jordanit hyn në histori me një rekord të ri në basketboll dhe me një çmim që tregon edhe një herë vlerën e jashtëzakonshme të trashëgimisë së tij sportive.

  • Cristiano Ronaldo drejt fundit me Portugalinë, e ardhmja e tij në pikëpyetje

    Cristiano Ronaldo drejt fundit me Portugalinë, e ardhmja e tij në pikëpyetje

    E ardhmja e Cristiano Ronaldos me Kombëtaren e Portugalisë duket se po hyn në një tjetër fazë, ndërsa në vend po rikthehen spekulimet për një pensionim të mundshëm të yllit portugez pas Kupës së Botës 2026.

    Sipas mediumit spanjoll “Diario AS”, Federata Portugeze e Futbollit kishte parashikuar që Ronaldo ta mbyllte aventurën me përfaqësuesen pas përfundimit të Botërorit.

    Raportohet se gjatë procesit për përzgjedhjen e pasuesit të Roberto Martinezit, federata u kishte bërë me dije disa prej kandidatëve për postin e trajnerit se 41-vjeçari mund të mos rikthehej më te Portugalia pas turneut të vitit 2026.

    Megjithatë, duke qenë se Ronaldo nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij, trajneri Jorge Jesus vendosi ta përfshinte kapitenin në listën e lojtarëve për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

    Por situata ndryshoi pas zhvillimeve të fundit brenda grumbullimit të Portugalisë.

    Ronaldo u largua nga grumbullimi në mes të kampit, pas një përplasjeje me trajnerin Jorge Jesus, e cila lidhej me minutat e pakta të lojës.

    Ky episod ka rikthyer edhe më fuqishëm diskutimet rreth të ardhmes së tij me përfaqësuesen dhe mundësisë që aventura e gjatë e Ronaldos me fanellën e Portugalisë të jetë pranë fundit.

    Ndërkohë, motra e tij, Katia Aveiro, ka dalë në mbështetje të kapitenit portugez, duke deklaruar se “CR7 meritonte më shumë respekt” pas zhvillimeve të fundit.

    Ronaldo mbetet një prej figurave kryesore në historinë e futbollit portugez, ndërsa vendimi për të ardhmen e tij me kombëtaren pritet të jetë një nga temat më të diskutuara në muajt e ardhshëm.