ATV

Blog

  • Shenjat që tregojnë se të tjerët po ju bëjnë ‘lavazh truri

    Shenjat që tregojnë se të tjerët po ju bëjnë ‘lavazh truri

    Njerëzit nuk kanë nevojë për magji apo hipnozë për të manipuluar të tjerët — mjaftojnë disa taktika të thjeshta, por shumë efektive, për t’i bërë njerëzit të mendojnë apo të veprojnë sipas dëshirës së tyre. Pikërisht për këtë arsye, është thelbësore të jeni të vetëdijshëm kur ndodheni në mes të një loje mendore.

    Ne duam t’ju ndihmojmë të shmangni këto forma të fshehta manipulimi, në mënyrë që të ruani lirinë tuaj të mendimit. Ja disa prej skemave më të zakonshme të asaj që quhet shpesh “lavazh truri”:

    1. Shpërqendrimi nga çështjet e rëndësishme

    Kur media përqendrohet tepër në sport, argëtim ose tema të parëndësishme, shpesh nuk është rastësi. Kjo taktikë shërben për t’i larguar njerëzit nga temat e thella si politika, ekonomia, psikologjia apo teknologjia. Ndërsa publiku merret me lajme sipërfaqësore, çështjet e vërteta mbeten në hije.

    2. Përdorimi i frikës

    Një nga mjetet më të fuqishme të manipulimit është frika. Kur njerëzve u ofrohet një problem — si dhuna apo pasiguria — ata kërkojnë menjëherë një zgjidhje, edhe nëse kjo nënkupton heqjen dorë nga disa të drejta. Kështu, frika shndërrohet në justifikim për masa të ashpra që përndryshe s’do të pranoheshin.
    3. Zbatimi gradual i ideve

    Kjo taktikë quhet “diplomim”. Një ide e diskutueshme nuk prezantohet menjëherë në formën e saj të plotë. Ajo paraqitet ngadalë, hap pas hapi, derisa njerëzit të mësohen me të dhe ta pranojnë si diçka të zakonshme.

    4. Trajtimi si fëmijë

    Një mënyrë tjetër për të kontrolluar mendimet është komunikimi poshtëruese – duke folur me njerëzit sikur të ishin fëmijë. Përdoren shpërblime dhe ndëshkime, ofrohen përgjigje bardh e zi për tema komplekse, duke krijuar përshtypjen se njerëzit e zakonshëm nuk mund t’i kuptojnë gjërat e mëdha.

    5. Izolimi emocional

    Manipulatorët përpiqen t’ju bëjnë të ndiheni sikur jeni të vetmit që mendoni ndryshe. Mund të jetë përmes filmave, reklamave apo trendeve që paraqiten si “universale”. Nëse nuk përshtateni, ndoshta do të ndiheni “të çuditshëm”. Por në realitet, çdo njeri ka të drejtë në mendimet dhe ndjenjat e veta.

    Përfundim

    Manipulimi nuk ndodh vetëm përmes fjalëve – ai ndodh përmes emocioneve, frikës dhe perceptimeve. Sa më shumë të mësoni t’i njihni këto taktika, aq më e vështirë bëhet që dikush t’i përdorë kundër jush.

     

  • Zhegrova surprizon të ëmën me një orë luksoze

    Zhegrova surprizon të ëmën me një orë luksoze

    Futbollisti i njohur Edon Zhegrova ka prekur zemrat e ndjekësve me një gjest të veçantë ndaj nënës së tij ai i dhuroi asaj një orë luksoze Patek Philippe, me vlerë rreth 51 mijë euro. Ky veprim, më shumë se një dhuratë materiale, simbolizon dashurinë, mirënjohjen dhe respektin e thellë që Edoni ndien për nënën e tij.

    Nëna e futbollistit e ndau këtë moment të paharrueshëm me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, duke shprehur emocionet me fjalë prekëse:

    “Sot ishte një ditë që do ta kujtoj gjithmonë – një ditë plot emocione, dashuri dhe krenari. Djali im më surprizoi me një dhuratë të jashtëzakonshme, një orë Patek Philippe. Nuk është fjala për vlerën materiale, por për ndjenjën dhe mesazhin që ajo mbart. Të shoh fëmijën tim të rritur, mirënjohës dhe plot respekt është dhurata më e madhe që një nënë mund të marrë. Faleminderit, biri im, që më bën të ndjej sa shumë vlej dhe sa dashuri mbjell në jetën time çdo ditë. Kjo orë për mua nuk është thjesht një aksesor, por kujtimi i një ndjenje të pastër, të sinqertë dhe të përjetshme midis nënës dhe djalit.”

    Ky moment i ëmbël mes Edonit dhe nënës së tij u pëlqye dhe u shpërnda gjerësisht nga fansat, duke u bërë shembull i lidhjes së fortë familjare dhe mirënjohjes së vërtetë.

  • Hëna e re në Peshore dhe shenjat më të prekura

    Hëna e re në Peshore dhe shenjat më të prekura

    Ndërsa sezoni i Peshores po mbaron një Hënë e Re e fuqishme në të njëjtën shenjë një ditë më parë shënon një pikë kthese.

    Nevoja për ekuilibër, harmoni dhe ndershmëri në marrëdhënie del në pah, ndërsa Hëna e Re bën thirrje për vetëanalizë, sqarim dhe lëvizje të guximshme që çojnë në ndryshime kuptimplote.

    Me energjitë e Diellit dhe Hënës në Peshore që përballen me sfidat nga Jupiteri në Gaforre, kjo periudhë ngjall emocione të forta dhe ngjall plagë të vjetra. Në të njëjtën kohë, prania e Plutonit në Ujor dhe bashkimi Merkur-Mars në Akrep japin një ndjesi “zbulese” dhe depërtimi të thellë, duke i shtyrë shenjat të shohin të vërtetën, pavarësisht se sa e vështirë është.

    Dashi

    Tensioni i brendshëm që sjell kjo Hënë e Re ka të bëjë kryesisht me marrëdhëniet. Periudha nxjerr në pah situata të ngarkuara emocionalisht dhe shkakton probleme të vjetra që ndikojnë në komunikimin me të tjerët. Dashi thirret të dalë nga introversioni dhe të bëjë vend për mbështetje nga mjedisi i tij. Ekuilibri në marrëdhënie kërkon ndershmëri dhe reciprocitet dhe kjo është koha e duhur për t’i rivendosur ato.

    Gaforrja

    Dyshimet që mund të kenë lindur në sferën profesionale ose në çështjet e vetëvlerësimit tani dalin në pah për t’u adresuar. Hëna e Re sjell kujtesa për vlerën personale dhe qëndrueshmërinë e ndërtuar përmes përvojave të jetës. Gaforrja duhet të pranojë se është pikërisht aty ku duhet të jetë dhe se është e pajisur për të vazhduar, pa e zvogëluar ose dyshuar veten.

    Peshorja

    Me Diellin dhe Hënën në Peshore, kjo Hënë e Re është një kohë vendimtare për fuqizimin personal. Nevoja për ekuilibër nuk do të thotë domosdoshmërisht shmangia e konfliktit. Përkundrazi, mund të kërkojë marrjen e pozicioneve të qarta dhe guximin. Periudha ofron një mundësi për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet më qartë, për të rritur vetëbesimin tuaj dhe për të theksuar autenticitetin, edhe nëse sjell reagime negative.

  • Fero: Për herë të parë jam falur në paraburgim

    Fero: Për herë të parë jam falur në paraburgim

    Reperi i njohur Fero ka dhënë një intervistë të hapur dhe emocionale për emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ku ka folur për fillimet e vështira të karrierës, për bujën që shoqëroi marrëdhënien dhe ndarjen me ish-bashkëshorten Arbenita Ismajli, si dhe për rrugëtimin e tij shpirtëror dhe përkushtimin e sotëm ndaj muzikës.

    Ai pranoi se gjatë së kaluarës kishte bërë gabime për të cilat është penduar, por theksoi se feja ka luajtur një rol të madh në transformimin e tij.

    “Me të tregu drejt, ndihma më e madhe për me u largu prej gjërave të këqija ka qenë feja. Kur njeriu fillon me u marrë me religjion, ai fiton një mburojë shpirtërore, sepse përqendrohet vetëm tek gjërat e mira. Kjo ka qenë forca ime,” – u shpreh reperi.

    I pyetur nga Arbana Osmani për mënyrën se si ndodhi “zgjimi” i tij fetar, Fero tregoi për herë të parë se momenti i parë kur u fal ka qenë gjatë kohës që ndodhej në paraburgim.
    “Kur e kam falë vaktin e parë, isha në paraburgim. U ndjeva jashtëzakonisht mirë shpirtërisht, dhe vetë më erdhi dëshira me u falë. Edhe pse më herët isha falë ndonjëherë, s’e dija si ta bëja si duhet,” – rrëfeu ai.

    Gjatë intervistës, reperi foli edhe për vajzën e tij dhe raportin e ndërlikuar me ish-bashkëshorten. Ai zbuloi se ka kaluar një vit pa e parë vajzën, gjë që e ka prekur thellë emocionalisht.

    “S’kam dashtë kurrë me folë keq për të, sepse ajo është nëna e vajzës sime. Edhe njerëzit që më njohin e dinë që gjithmonë kam folë mirë për të. Thjesht, kur kalon shumë kohë pa e pa vajzën, ndihesh keq dhe ndonjëherë shpërthen prej dhimbjes. Nëse ndonjë fjalë e imja e ka lënduar, i kërkoj falje. Qëllimi im ka qenë vetëm ta shoh vajzën. Herën e fundit e kam takuar më 5 tetor, në Gjilan,” – tregoi Fero.

    Sa i përket statusit të tij aktual, ai u shpreh se nuk është në një lidhje dhe se aktualisht është i përkushtuar vetëm ndaj karrierës muzikore.

    “Tash për tash, jam i fokusuar në muzikë. Nga përvoja ime, lidhjet shpesh të largojnë nga përqendrimi, sepse kërkojnë kohë dhe energji. Muzika është shumë dinamike, dhe për momentin ndihem më i qetë kështu, duke iu përkushtuar vetëm karrierës,” – tha ndër të tjera reperi.

    Intervista e Feros u prit me interes të madh nga publiku, pasi për herë të rrallë ai foli me sinqeritet për gabimet, reflektimin dhe rrugën e tij drejt paqes shpirtërore e profesionale.

  • KQZ: Fushata zgjedhore për balotazhin nga 3 deri më 9 nëntor

    KQZ: Fushata zgjedhore për balotazhin nga 3 deri më 9 nëntor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që aktivitetet zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetarë të Komunave, do të jetë nga 3 deri më 9 nëntor 2025.

    Sipas vendimit të KQZ-së për miratimin e planit të aktiviteteve, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që garojnë në raundin e dytë, do të fillojë më 3 nëntor dhe do të përfundojë në orën 06:59 më 9 nëntor.

    Po sipas vendimit të KQZ-së, nga 26 deri më 29 tetor, është planifikuar që të bëhet dërgimi i fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar gjatë raundit të parë dhe që i takojnë komunave ku do të mbahet raundi i dytë.

    Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 27 tetor dhe do të përfundojë më 8 nëntor 2025.

    KQZ do t’i japë mundësi subjekteve politike që do të garojnë në raundin e dytë që të akreditojnë vëzhgues shtesë dhe të konfirmojnë vëzhguesit e akredituar.

    Kjo mund të bëhet nga data 28 tetor deri më 3 nëntor.

    Edhe mediat, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatike, do të duhet që të konfirmojnë vëzhguesit e tyre nga 31 tetori deri më 3 nëntor 2025.

    Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e rekomandimeve për përfshirjen në rezultatet përfundimtare të rezultateve që dolën pas rinumërimit të 16 kutive të votimit nga 12 vendvotime të ndryshme.

    Vendvotimet e rinumëruara me vendim të KQZ-së për shkak të evidentimit të mospërputhjeve, janë: Deçan (0105/03 – Kuvend Komunal); Gllogoc (0305/02, 0327/01, 0329/02 – Kuvend Komunal), Gjilan (0408/05, 0408/06 – Kryetar Komune dhe Kuvend Komunal), Lijan (1301/08 – Kuvend Komunal), Prishtinë (1904/04 – Kryetar Komune dhe Kuvend Komunal), Prizren (2034/04 – Kryetar Komune; 2034/01 | 2034/03 – Kuvend Komunal), Shtime (2207/01 – Kryetar Komune) dhe Suharekë (2404/01 – Kuvend Komunal).

    Gjithashtu, në mbledhje është bërë e ditur se personat që mbushin 18 vjet do të përfshihen në listën e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve.
    Ndërsa ata që mbushin 18 vjet dhe jetojnë jashtë Kosovës do të duhet të vijnë në Kosovë për të votuar.

    Po ashtu, personat që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës do të largohen drejtpërdrejt nga lista e rregullt e votuesve në Kosovë.

  • “Ishte një ëndërr, tani një realitet”, Messi flet pas rinovimit me Inter Miami

    “Ishte një ëndërr, tani një realitet”, Messi flet pas rinovimit me Inter Miami

    Fansat e futbollit, mbi të gjithë ato të Leo Messi-t, kanë një arsye të fortë për të festuar. “Pleshti” jo vetëm që nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli, por së fundmi legjenda argjentinase rinovoi kontratën e tij me Inter Miami deri në 2028. Me këtë firmë Messi vërtetoi se do të qëndrojë në futbollin aktiv të paktën edhe 3 vite të tjera, minimaliosht do të luajë futboll deri në moshën 41-vjeçare. Messi nuk e fshehu gëzimin për këtë firmë të re me klubin nga Los Angelos:

    “Jam me të vërtetë i lumtur që do të vijojë të jem pjesë e këtij projekti, fillimisht ishte një ëndërr, por tani është bërë një realitet i bukur. Që kur kam ardhur në Miami, kam qenë shumë i lumtur, pra jam i kënaqur që do të vijoj të luaj këtu”, u shpreh Lionel Messi.

    Ylli argjentinas është kthyer në një embleme jo vetëm për klubin e Inter Miami ku në 82 ndeshje ka shënuar 71 gola dhe ka dhuruar 37 asiste, por ka rritur jashtëzakonisht shumë edhe imazhin e MLS.

    I lumtur për rinovimin me Leo Messin u shfaq edhe David Beckham, CEO dhe pronari i Inter Miami: “Ideja jonë ka qenë ajo që të sillnim në skuadër dhe në qytet lojtarin më të mirë në botë, dhe bëmë pikërisht këtë. Jam i lumtur që Messi do të vijojë të jetë pjesë e ekipit tonë”, u shpreh Beckham.

  • Turqi/ Hetim për “spiunazh” ndaj Imamoglu-s, policia bastis live televizionin opozitar dhe arreston kryeredaktorin

    Turqi/ Hetim për “spiunazh” ndaj Imamoglu-s, policia bastis live televizionin opozitar dhe arreston kryeredaktorin

    Prokurorët turq kanë nisur një hetim për “spiunazh” ndaj Ekrem Imamoglut, ish-kryebashkiak i Stambollit dhe kandidat për kryetar të partisë opozitare CHP, siç u bë e ditur të premten (24 tetor).

    Edhe drejtori i fushatës elektorale të Imamoglut, Necati Özkan, po hetohet për të njëjtën akuzë, ndërsa kryeredaktori i kanalit televiziv TELE1, Merdan Yanardag, është arrestuar në kuadër të së njëjtës çështje.

    Imamoglu, i cili është në paraburgim dhe pret gjykimin për çështje të tjera, si dhe Ozkan, kanë marrë urdhër të paraqiten në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit për të dhënë dëshmitë e tyre.

    Bastisja në televizionin TELE1 zgjati rreth një orë dhe drejtori i përgjithshëm i lajmeve të stacionit, Merdan Yanardag, u arrestua.
    Gazetari Gohan Kayıs, prezantues i emisionit të mëngjesit , transmetoi drejtpërdrejt operacionin, duke informuar shikuesit se ekipet e policisë kishin qenë në stacion që nga orët e para të mëngjesit. Ai tha se rreth 50 anëtarë të TEM morën pjesë në operacion.

    Kayıs tha se e pyeti udhëheqësin e ekipit nëse Merdan Yanardag ishte informuar për operacionin dhe ai u përgjigj:
    “Nuk mund ta kontaktoni.”

    Gazetari shtoi se, bazuar në këtë përgjigje, ai supozoi se Yanardag ishte marrë tashmë në paraburgim.
    Pak më vonë, Zyra e Prokurorit njoftoi zyrtarisht se drejtori i përgjithshëm i lajmeve të TELE1, Merdan Yanardag , u arrestua këtë mëngjes si pjesë e operacionit. Sipas Hurryiet , personi i arrestuar akuzohet për spiunazh për kryetarin e ndaluar të Stambollit, Ekrem Imamoglu dhe shërbimet e huaja.

    Të njëjtat burime theksojnë se policia po kërkon prova se Imamoglu, së bashku me drejtorin e lajmeve të TELE1 dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja, u përpoqën të ndryshonin të dhënat e zgjedhjeve lokale të vitit 2019.

    Avokati i Yanardag, Bilgütay Haki Durna , duke folur për TELE1, tha se deri më tani nuk është informuar për dosjen e çështjes.
    “Kam parë vetëm njoftimin e Prokurorisë. Fatkeqësisht, në vendin tonë, akuzat serioze shpesh bëhen pa prova të mjaftueshme dhe njerëzit privohen nga liria e tyre pa bazë. Do të shkoj në stacionin e policisë për të pasur qasje në dosje”, tha ai.

    Durna theksoi gjithashtu se “është e pamundur të vihet në dyshim identiteti patriotik i Merdan Yanardag” dhe shtoi:
    “Në vendin tonë, njerëzit detyrohen të provojnë se nuk janë fajtorë”. Në përfundim, ai vuri në dukje se foli me familjen e gazetarit pasi përfundoi hetimi. “Familja e tij, ashtu si ai, mbetet e qetë dhe dinjitoze. Ata ishin të përgatitur për një mundësi të tillë për shkak të punës së tij. Ata janë moralisht të fortë dhe ne do të vazhdojmë së bashku në procesin ligjor”, tha ai.

  • Kur ëndrra kërkon sakrificë: Kjo është valltarja që iku nga shtëpia dhe nuk foli me familjen për një vit

    Kur ëndrra kërkon sakrificë: Kjo është valltarja që iku nga shtëpia dhe nuk foli me familjen për një vit

    Përgatiti Enea Streli

    Hylkije Dibrani Sadiku është një ndër figurat më të njohura të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të Kosovës “Shota”. Ajo mbetet një prej valltareve që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kulturës sonë skenike.

    Në moshën 20 vjeçare, u largua nga Gjakova për t’u punësuar në Ansamblin “Shota” dhe ky ishte një vendim i vështirë sepse në atë kohë, vallëzimi për gratë shpesh shihej me paragjykim. Në emisionin “LIBERO”, Sadiku rrëfeu historinë e saj – nga hapat e parë në skenë, deri te sfidat e jetës që e kanë bërë më të fortë dhe më të pjekur si artiste dhe si njeri.

    Në mes tjerash, theksoi se në fillimet e saj të karrierës për një vit të tërë ajo nuk foli me familjen e saj, duke përballuar e vetme sfidat që i solli jeta e re në Prishtinë.

    “…Kur s’kam folur me prindërit kam qenë duke jetuar në Prishtinë… gjatë kësaj periudhe jam njohur me burrin tim Gani Sadikun, në atë kohë ai erdhi në Gjakovë për të bindur familjen time për ne, dhe pse unë s’kisha kontakte të mira me ta por familja ime pranoi dhe u pajtuam…”, u shpreh ajo.

    Vlen ta potencojmë se Sadiku ka punuar për 30 vite në ansamblin “Shota”. Ajo është autore e një koreografie të titulluar “Vallja e nuseve të Gjakovës”.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Hylkije Sadikut, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Pamje prekëse nga Kharkivi – policia ukrainase shpëton fëmijët pas sulmit me dron rus në kopsht

    Pamje prekëse nga Kharkivi – policia ukrainase shpëton fëmijët pas sulmit me dron rus në kopsht

    Policia ukrainase ka publikuar pamje prekëse që tregojnë momentet kur fëmijët u shpëtuan pas një sulmi rus ndaj një kopshti fëmijësh në qytetin e Kharkivit.

    Sipas autoriteteve, sulmi u krye me dron dhe ndodhi në orët e paradites, në një kohë kur fëmijët ndodheshin brenda ndërtesës duke marrë pjesë në aktivitetet e tyre të përditshme.

    Në momentin e shpërthimit, në kopsht ishin gjithsej 48 fëmijë. Falë reagimit të shpejtë dhe përgjegjësisë së mësuesve, të cilët nuk e injoruan alarmimin për sulm ajror, u arrit që të gjithë fëmijët të dërgoheshin me shpejtësi në strehim, duke shmangur një tragjedi të madhe.

    Pamjet e publikuara nga policia, të marra nga kamerat e trupit të oficerëve, tregojnë momentet e para pas goditjes – tymi, rrënojat dhe punën e palodhur të forcave të emergjencës që po kërkonin të siguronin zonën dhe të ndihmonin personelin e kopshtit.

    Sipas njoftimit zyrtar, askush nga fëmijët nuk është plagosur rëndë, megjithëse disa prej tyre kanë pësuar tronditje psikologjike.

    Autoritetet vendore e kanë cilësuar këtë ngjarje si një shembull të guximit dhe përkushtimit të mësuesve dhe forcave të shpëtimit, të cilët, përmes veprimit të tyre të shpejtë, shpëtuan dhjetëra jetë të pafajshme.

    Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Ukrainë dhe jashtë saj, duke theksuar edhe një herë rrezikun e vazhdueshëm që civilët – dhe veçanërisht fëmijët – përballen çdo ditë në zonat pranë vijës së frontit./Telegrafi

  • Kamberi në ShBA: Standardet për serbët në Kosovë të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi

    Kamberi në ShBA: Standardet për serbët në Kosovë të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi

    Një delegacion i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të udhëhequr nga deputeti Shaip Kamberi, kanë zhvilluar një takim me Kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata thanë se biseduan gjerësisht “për gjendjen reale në Luginën e Preshevës, përtej narrativave zyrtare të Beogradit” dhe treguan se po kërkojnë barazi – të njëjtat standarde që Serbia i kërkon për serbët në Kosovë”.

    Sipas njoftimit të Kamberit, në këtë bisedë, ata kanë shprehur pozitën e vështirë të shqiptarëve atje dhe kanë kërkuar mundësinë e angazhimit të ShBA-së për mbështetje.

    “Hapur folëm pozitën e vështirë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Militarizimin e zonës e moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, që nga Marrëveshjen Kornizë të vitit 2001. Pasivizimin e adresave, që po përdoret si mjet administrativ për fshirjen e shqiptarëve nga regjistrat civilë, si dhe diskriminimin dhe margjinalizimin sistematik në institucione publike, arsim dhe punësim.

    Në takim kërkova edhe mundësinë e angazhimi më intensiv të Shteteve të Bashkuara në Luginën e Preshevës, përmes mbështetjes institucionale, monitorimit të situatës dhe përfshirjes më të drejtpërdrejtë në çështjet e të drejtave të njeriut.

    Theksova se Lugina e Preshevës kërkon barazi – të njëjtat standarde që Serbia i kërkon për serbët në Kosovë duhet të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi.”