ATV

Blog

  • Arrestohet prokurori në Prizren nën dyshimin për “marrje ryshfeti”

    Arrestohet prokurori në Prizren nën dyshimin për “marrje ryshfeti”

    Beqë Shala, prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti”.

    Ai është arrestuar të hënën, ka njoftuar Prokuroria.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës. Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Shifra shqetësuese: 86 të vdekur për nëntë muaj në aksidente trafiku, prej tyre 47 kanë qenë shoferë

    Shifra shqetësuese: 86 të vdekur për nëntë muaj në aksidente trafiku, prej tyre 47 kanë qenë shoferë

    86 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku në periudhën janar-shtator 2025. Prej tyre, 47 kanë qenë shoferë.

    Policia njofton se nga 75 aksidente me fatalitet për nëntë muajt e parë të 2025-ës, 29 kanë qenë vetaksidente.

    “Sipas analizave të deritanishme nga tetëdhjetegjashtë (86) persona që kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor për periudhën “Janar-Shtator 2025”, sipas pjesëmarrësve: dyzeteshtatë (47) apo 54.6 %, kanë qenë shoferë. Nga shtatëdhjetepesë (75) aksidente fatale për periudhën “Janar-Shtator 2025”, sipas tipit të aksidentit: njëzetenëntë (29) aksidente fatale apo 38.6 %, kanë qenë vet aksident”, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

    Hoxha apeloi për kujdes në trafik sidomos kur ka reshje shiu dhe zvogëlim të dukshmërisë në rrugë.

    “Andaj, kërkojmë kujdes dhe vigjilencë të shtuar nga të gjithë shoferët e automjeteve, gjithashtu kërkohet përshtatje dhe respektim i kufizimeve të shpejtësisë në rrugë të të gjitha niveleve kur kemi reshje shiu dhe zvogëlim të dukshmërisë në rrugë. Përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës është e domosdoshme për një siguri më të madhe gjatë vozitjes dhe evitim të aksidenteve rrugore që shpesh po rezultojnë me pasoja fatale”, shtoi Hoxha. /BetimipërDrejtësi

  • Xhemperat me Vija me Ngjyra – Trendi që po dominon këtë dimër

    Xhemperat me Vija me Ngjyra – Trendi që po dominon këtë dimër

    Nëse doni të shtoni një prekje ngjyre dhe stil në garderobën tuaj këtë dimër, gjomperat me vija me ngjyra janë zgjedhja perfekte. Ky trend ka pushtuar rrugët dhe pasarelat e modës, duke u bërë një element kyç për çdo veshje të përditshme.

    Hailey Bieber – Ikona e Stilit Modern

    Hailey Bieber ka qenë një ndër mbështetëset më të mëdha të këtij trendi. Ajo është parë shpesh me xhemperë me vija me ngjyra, duke i kombinuar ato me xhinse të gjera dhe atlete të bardha për një pamje të relaksuar dhe moderne. Ky stil i saj është një frymëzim i shkëlqyer për ata që duan të jenë në hap me modën.

     

    Si të Stiloni Xhemperin me Vija me Ngjyra

    Për të arritur një pamje të ngjashme me atë të Hailey, mund të kombinoni një xhemper me vija me ngjyra me xhinse të gjera ose pantallona të shkurtra, dhe atlete të bardha ose çizme të sheshta. Shtoni disa aksesorë të thjeshtë si syze dielli ose një çantë të vogël për të përfunduar look-un tuaj.

    Pse të Zgjidhni Xhemperin me Vija me Ngjyra?

    Ky trend është i përshtatshëm për çdo moshë dhe mund të kombinohet lehtësisht me pjesë të tjera të garderobës tuaj. Ngjyrat e ndezura dhe dizajni me vija i japin një pamje dinamike dhe energjike, duke e bërë xhemperin një zgjedhje ideale për ditët e ftohta të dimrit.

  • Filmat horror: Terapia ideale për ankthin

    Filmat horror: Terapia ideale për ankthin

    Filmat horror, me skena të tmerrshme, mund të duken të frikshme, por studimet tregojnë se ata mund të jenë një formë efektive e terapisë gjatë periudhave të ankthit.

    Psikologu Coltan Scrivner nga Universiteti i Arizona-s, autor i librit Morbidly Curious, thotë se tregimet horror kanë ekzistuar për mijëra vjet dhe ndihmojnë njerëzit të kuptojnë rreziqet përreth tyre. “Të kuptuarit e kërcënimeve në një ambient të sigurt është një mënyrë për të mësuar të përballosh frikën”, shpjegon ai.

    Studimet e fundit ndajnë shikuesit e filmave horror në tre grupe: “Adrenaline Junkies” që kërkojnë emocionet e tensionit, “White Knucklers” që gjejnë kënaqësi në kapërcimin e frikës dhe “Dark Copers” që përdorin frikën si mënyrë për të përballuar ankthin dhe stresin e jetës reale.

    Shkencëtarët sugjerojnë se përjetimi i frikës në mënyrë të kontrolluar aktivizon proceset e trurit që na ndihmojnë të përgatitemi për pasiguri dhe situata të paparashikueshme.

  • Tre veprime të përditshme që rrisin rrezikun e diabetit

    Tre veprime të përditshme që rrisin rrezikun e diabetit

    Diabeti i tipit 2 është një sëmundje që rëndom prek njerëzit mbi moshën 45 vjeçare dhe formohet kur trupi ka një rezistencë të lartë ndaj insulinës.

    Tre veprimet e mëposhtme rrisin ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe ju bëjnë më të rrezikuar të prekeni nga diabeti i tipit 2.

    Neglizhenca ndaj mëngjesit

    Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës dhe ka një arsye për këtë. Kur hiqni dorë nga mëngjesi, niveli i sheqerit në gjak do të rritet ndjeshëm dhe më shumë se në çdo vakt tjetër.

    Kur niveli i sheqerit në gjak është më i lartë, pankreasi duhet të çlirojë më shumë insulinë. Kësisoj ai rrit ndjeshmërinë e trupit ndaj saj. Uria gjatë ditës, e shtyn më pas njeriun të zgjedhë produkte jo të shëndetshme dhe të hajë më shumë. Mos hiqni dorë nga mëngjesi dhe sigurohuni që të konsumoni më shumë fibër, karbohidrate komplekse dhe proteinë.

    Pagjumësia

    Pagjumësia kontribuon në zhvillimin e diabetit të tipit 2. Drobitja që pëson njeriu nga mungesa e gjumit zgjat gjithë ditën dhe nxit urinë por edhe ndryshime hormonale. Nëse njeriu fle më pak se shtatë orë në natë, trupi çliron më pak insulinë dhe më shumë kortizol. Ky hormon e bën më të vështirë shpërbërjen e glukozës dhe rrjedhimisht niveli i sheqerit në gjak do të jetë më i lartë.

    Mungesa e Vitaminës D

    Vitaminat në përgjithësi janë të shëndetshme. Mungesa e vitaminës D ju rrezikon ndaj një sërë sëmundjesh, përfshirë këtu edhe diabeti i tipit 2. Studimet tregojnë se njerëzit që kanë sasi të mjaftueshme të vitaminës D në trup janë 43 pëqind më pak të prirur për t’u prekur nga kjo sëmundje.

    Mungesa e zgjatur e vitaminës D shkakton çrregullime të masës minerale të kockave dhe fraktura tek fëmijët dhe të rriturit. Mungesa e kësaj vitamine, nxit problemet me kockat, muskujt dhe mund të kontribuojë në shfaqjen e osteoporozës. Studime të shumta e kanë lidhur mungesën e vitaminës D me depresionin, sëmundjet e zemrës, çrregullimet imunitare, infeksionet dhe shtimin e qelizave të dëmshme.

  • Zgjidh sportin e duhur për ty

    Zgjidh sportin e duhur për ty

    Armiku numër një i shëndetit dhe formave tona është jeta sedentare. Për të fituar ndaj saj, çdo formë e aktiviteteve fizike është e mirëpritur, nga stërvitja me intensitet të lartë, tek sportet e stinës, një shëtitje e thjeshtë.

    Për të pasur rezultatet maksimale nga një stërvitje, nuk janë të gjitha disiplinat njësoj, sidomos nëse kemi pak kohë në dispozicion.

    Kënaqësia e para

    Rregulla numër një është të zgjedhim disiplinën sportive që na pëlqen. Lëvizja duhet të jetë një aktivitet zbavitës . Kjo është mënyra më e mirë për tu motivuar për të fituar ndaj përtacisë. Ndërsa një sport që është i mërzitshëm, dhe i lodhshëm është i destinuar të braktiset në pak kohë.

    Për të ndërtuar muskulaturën

    Stërvitja e duhur është ajo me intensitet të lartë, qoftë dhe me sesione të shkurtra. Disiplina më popullore në këtë periudhë është crossfit apo Trx, me të cilin bëhen ushtrime në këmbë ose në tokë me ndihmën e një tërheqësi.

    Për të djegur kalori e për t’u dobësuar

    Sportet ideale janë ato që kërkojnë një punë më të gjatë dhe me një intensitet mesatar dhe konstant. Si për shembull ecja, apo ecja e shpejtë, apo biçikleta, vrapi. Aktivitetet aeorobike janë ato që djegin më shumë yndyra, ndërsa anaerobike konsumojnë më shumë sheqerna.Nëse objektivi është rënia në peshë zgjidhni të parin. Mjaft efikase janë dhe taekvvondo, artet marciale me të cilat djeg rreth 770 kalori në orë, apo dhe noti që të harxhon 700 kalori në orë.

    Për të luftuar stresin

    Aktiviteti fizik liron endorfinën, largon mendimet negative dhe përmirëson humorin. Pra, çdo formë lëvizjeje është e mirë për të luftuar stresin.

    Kundër dhimbjes së kurrizit në zyrë

    Gjimnastika posturale është mjaft e mirë për të lehtësuar kontraktimet muskulore. Ka mjaft ushtrime të thjeshta që mund ti mësoni nga një instruktor dhe ti bëni përditë edhe kur jeni para tavolinës së punës. Disiplina e Pilates, që përmirëson elasticitetin dhe tërheqjen e muskujve është e rekomanduar.

  • Gjysmë milioni euro nën hetim, Albina Nura jep dëshmi për rastin e BE-së në Kosovë

    Gjysmë milioni euro nën hetim, Albina Nura jep dëshmi për rastin e BE-së në Kosovë

    Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka nisur seanca gjyqësore në rastin ndaj ish-zyrtares së Bashkimit Evropian në Kosovë, Albina Nura.

    Në këtë seancë, po jep dëshminë e saj vetë e akuzuara Nura, e cila ka sqaruar procedurat që, sipas saj, janë ndjekur në rastin e nënshkrimit të amendamenteve të kontratave.

    “Sipas kontratës, unë e kam pasur të detyruar të lajmëroja vetëm punët me pagesë, pra nëse kam pasur punë me pagesë jashtë orarit të punës. As në kontratën time nuk më është kërkuar të raportoja investime të mia dhe të familjes sime. Nuk ka të bëjë ‘pragu’ me investimet e mia, vlen vetëm për implementimin e buxheteve të implementuara të BE-së”, ka thënë Nura.

    Ajo ka shtuar se të gjitha transaksionet financiare janë bërë në mënyrë të ligjshme dhe të dokumentuar: “Qysh e kam dëshmuar, edhe kur jam pyetur në hetuesi, edhe kur i kam dorëzuar transferet bankare në 2020, secili transfer është bërë me kontrata, të gjitha janë te noteri. Nuk ka kurgjë në ato transfere që nuk mbështetet se janë bërë nga unë dhe burri im. Shumë prej atyre financimeve për të cilat më kanë pyetur edhe hetuesit, të gjitha janë në regjistrin e kredive dhe janë pjesë e këtij folderi”.

    Sipas Nurës, të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me rregullat institucionale të Bashkimit Evropian dhe nuk ka pasur asnjë veprim të kundërligjshëm nga ana e saj.

    Albina Nura akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se i ka shkaktuar dëm prej rreth 500 mijë eurosh buxhetit të BE-së, me ç’rast dyshohet për veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt interesi”.

  • Gjermania ther mbi 400 mijë shpezë për shkak të gripit

    Gjermania ther mbi 400 mijë shpezë për shkak të gripit

    Gjermania ka therur më shumë se 400 mijë shpezë ndërsa rastet e gripit të shpendëve vazhdojnë të rriten në të gjithë vendin, njoftuan sot autoritetet.

    Instituti Friedrich Loeffler (FLI) tha se shpërthimet aktuale i ngjajnë valës së rëndë të regjistruar në vitin 2021, një nga vitet më të këqija për gripin e shpendëve në Gjermani.

    Sipas institutit, gripi i shpezëve është zbuluar në 30 ferma deri më tani, duke çuar në therjen dhe shkatërrimin e pulave, rosave, patave dhe gjelave të detit për të përmbajtur përhapjen.

    “Është e pamundur të parashikohet se si do të zhvillohet situata,” paralajmëroi instituti.

    Humbjet më të rënda janë raportuar në shtetet verilindore të Mecklenburg-Pomerania Perëndimore dhe Brandenburg.

    Autoritetet në distriktin Markisch-Oderland të Brandenburgut njoftuan plane për të therur 130 mijë shpezë të tjera, pasi kishin shkatërruar rreth 150 mijë shpezë në fillim të këtij viti.

    Vdekje masive të pulëbardhave janë raportuar gjithashtu në zonën Linumer Teichland në Brandenburgun veriperëndimor. Gjatë sezonit të dimrit 2020-2021, Gjermania u detyrua të therte më shumë se dy milionë shpezë për shkak të shpërthimeve të gripit të shpezëve

  • Shtyhet seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”

    Shtyhet seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”

    Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”, ku Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq ishte paraparë të dilnin sot para trupit gjykues me fillim nga ora 09:30.

    Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se arsyeja e shtyrjes është se Gjykata e Shkupit nuk mund të sigurojë lidhjen me video-konferencë për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë, për shkak se pajisjet nuk janë funksionale.

    Në njoftimin e Gjykatës thuhet:

    “Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special njofton se është anuluar seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.S, D.M. dhe V.T., pasi përmes emailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës është njoftuar se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Gjykata e Shkupit, ka njoftuar se nuk kanë mundësi që të bëjnë lidhjen me video-konferencë për datën 27 tetor 2025, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë”.

  • Bimët që ndihmojnë si kura natyrale për ankthin

    Bimët që ndihmojnë si kura natyrale për ankthin

    Disa bimë mjekësore janë studiuar si trajtim për ankthin, megjithatë duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore për të kuptuar rreziqet dhe përfitimet. Gazeta Shendeti ka listuar më poshtë disa nga bimët mjekësore që mund t’ju ndihmojnë të lehtësoni ankthin.

    Lulet e pasionit: Disa testime të vogla klinike sugjerojnë se lulet e pasionit mund të ndihmojnë me ankthin. Në shumë produkte lulet e pasionit janë të kombinuara me bimë të tjera, prandaj është e vështirë të dallosh cilësitë unike të secilës bimë.

    Sanëza: Në disa studime, njerëzit që përdorën sanëz raportuan më pak ankth dhe stres. Sanëza në përgjithësi konsiderohet e sigurt kur merret në doza të rekomanduara, megjithatë, duke qenë se nuk ka studime në lidhje me sigurinë e saj në periudha afatgjate, mos e përdorni për shumë kohë, vetëm nëse jua ka rekomanduar mjeku. Mund të shkaktojë disa efekte anësore, si dhimbje koke, marramendje apo përgjumje.

    Kamomili: Të dhëna të limituara tregojnë se përdorimi afatshkurtër i kamomilit konsiderohet në përgjithësi i sigurt dhe mund të jetë efikas në lehtësimin e simptomave të ankthit. Por, duhet të keni kujdes në rast se merrni ilaçe për hollimin e gjakut, pasi rritur rrezikun për gjakrrjedhje. Përdorimi i kamomilit mund të shkaktojë alergji tek disa njerëz që janë të ndjeshëm ndaj familjes së bimëve si krizantema, margarita, kumaku dhe kamomili.

    Bari i bletës: Është një nga bimët më të njohura që përdoret për të lehtësuar stresin, për t’u qetësuar dhe relaksuar. Studime të kahershme kanë treguar se bari i bletës mund të lehtësojë disa nga simptomat e ankthit dhe nervozizmin. Ai është i sigurt nëse përdoret për periudha afatshkurtër.