ATV

Blog

  • Zhvillohet java e fundit e Superligës së Meshkujve në Ping-Pong

    Zhvillohet java e fundit e Superligës së Meshkujve në Ping-Pong

    Këtë fundjavë do të luhet xhiroja e katërmbëdhjetë e Superligës së meshkujve, që njëherit është java e fundit e Kampionatit Ekipor për vitin 2025.

    Pikërisht në këtë javë do të vendoset epilogu për titullin kampion. Aktualisht, Lidhja e Prizrenit në vendin e parë e ka një pikë më shumë se Liria, në të dytin dhe ballafaqimi ndërmjet tyre në Prizren do ta zgjidhë enigmën se cila skuadër do të jetë kampione.

    Lidhjes së Prizrenit i mjafton fitorja me çfarëdo rezultati, kurse Lirisë i nevojitet fitorja së paku me 2 pikë epërsi, pasi ndeshjen e parë në pranverë e ka fituar kampioni aktual me 4:3. Në rast se Liria fiton me 4:3, atëherë kalkulohen pikët nga duelet individuale nga të dyja ndeshjet.

    Në ndeshjet tjera, Dardania takohet me Pripingun në Prishtinë, Shkolla Prizreni e Prishtina vendosin për vendin e 5-të, kurse Hasan Prishtina takohet me Vushtrrinë, të dyja këto skuadra pa gjasa për ta ruajtur statusin e anëtarit të Superligës edhe për vitin e ardhshëm. /ATVLIVE.TV

  • Ramabaja i kërkon falje publike Përparim Grudës të PDK’së

    Ramabaja i kërkon falje publike Përparim Grudës të PDK’së

    Mbrëmë u zhvillua një debat mes analistit politik Sadri Ramabaja dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda. Debati u ndez pasi Ramabaja i drejtoi Grudës një pyetje provokuese, duke kërkuar të dijë se “ku ka punuar gjyshi i tij”.

    Pas debatit, sot Ramabaja ka kërkuar falje publike ndaj deputetit Gruda. Në një deklaratë të gjatë, ai theksoi se kërkimi i faljes nuk është akt nënshtrimi, por shprehje e lirisë morale dhe njohje e gabimit, duke iu referuar filozofisë perëndimore dhe mendimeve të Immanuel Kantit.

    Ramabaja gjithashtu kujtoi përvojat e tij personale si viktimë politike pas çlirimit të Kosovës, duke shpjeguar se mbrëmë kishte shkuar përtej natyrës së tij dhe kishte interpretuar gabimisht disa fakte, duke cenuar dinjitetin e Grudës. Ai shtoi se kërkimfalja është një akt që tejkalon dimensionin personal dhe kontribuon për pajtimin dhe kujtesën kolektive.

    “Filozofja Hannah Arendt e quante kërkimfaljen një ‘akt të rivendosjes së botës’, sepse përmes saj njeriu ndalon ciklin e pafund të dhunës e hakmarrjes dhe hap mundësinë për një fillim të ri”, përfundoi Ramabaja.

  • Sulmuesi danez shndërrohet në fitim për Manchester United

    Sulmuesi danez shndërrohet në fitim për Manchester United

    Arkat e Manchester United do të rriten me të paktën 44 milionë euro, pas shitjes së pritshme të sulmuesit danez Rasmus Hojlund te Napoli. Vetëm pak muaj pas mbërritjes në Itali, 22-vjeçari ka bindur drejtuesit italianë të blejnë përfundimisht kartonin e tij.

    Sipas gazetës britanike Mirror, United ka dhënë dritën jeshile për aktivizimin e opsionit të blerjes në afatin kalimtar të janarit. Danezi i’u bashkua Napolit si huazim gjatë verës, ku shënoi katër gola në gjashtë ndeshje, përpara se një dëmtim ta ndalonte përkohësisht.

    Napoli është i bindur për potencialin e sulmuesit dhe synon të aktivizojë klauzolën e lirimit prej 44 milionë eurosh që në janar. Bisedimet mes palëve janë tashmë në fazë të avancuar.

    Në rast se Napoli kualifikohet për Ligën e Kampionëve, blerja do të bëhet automatikisht e detyrueshme, duke garantuar përfitim të sigurt financiar për Manchester United.

    Hojlund ishte blerë nga United në vitin 2023 nga Atalanta për rreth 78 milionë euro, por nuk arriti të përshtatej plotësisht në “Old Trafford”. Tani, aventura italiane duket se po i rikthen formën dhe besimin, ndërsa për Napolin ai shihet si një investim strategjik për të ardhmen. Për United, shitja përfaqëson një mundësi për të balancuar financat dhe për të hapur rrugën për përforcime të reja në sulm. /ATVLIVE.TV

  • Vinicius Junior nuk shitet, pavarësisht tensioneve me Xabi Alonso

    Vinicius Junior nuk shitet, pavarësisht tensioneve me Xabi Alonso

    Pavarësisht tensioneve të fundit dhe reagimit ndaj trajnerit Xabi Alonso, Real Madridi nuk ka plane për të shitur Vinicius Junior.

    Incidenti gjatë El Clasicos, kur braziliani u zëvendësua në fitoren 2-1 ndaj Barcelonës dhe u shpreh “Gjithmonë unë! Po largohem nga skuadra!”, ka nxitur spekulime mbi të ardhmen e tij.

    Sipas burimeve pranë klubit, “nuk ka asnjë plan për shitjen e tij”. Edhe pse Vinicius do të ketë vetëm një vit kontratë në fund të sezonit dhe bisedimet për rinovim nuk kanë përparuar, drejtuesit e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë.

    Liverpooli është përmendur si klub i interesuar, por kjo mbetet spekulim. Klubi madrilen shpreson që lojtari të luajë një rol kyç në garën për titullin e La Ligas, ndërsa një transferim në janar përjashtohet. /ATVLIVE.TV

  • Komandanti i KFOR-it dhe ministri malazez diskutojnë për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal

    Komandanti i KFOR-it dhe ministri malazez diskutojnë për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal

    Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, u takua me ministrin e mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapović, dhe shefin e mbrojtjes, gjeneral brigadier Miodrag Vuksanović, në Ministrinë e Mbrojtjes në Podgoricë.

    Gjatë takimit, ata diskutuan për situatën e sigurisë në Kosovë, rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Malit të Zi në kuadër të misioneve ndërkombëtare të sigurisë.

    Gjeneralmajor Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e qëndrueshme të Malit të Zi ndaj misionit të KFOR-it dhe për profesionalizmin e trupave malazeze që shërbejnë në Kosovë.

    KFOR-i vijon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

    Misioni punon në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Nga 52,000 deri në 117,000 euro për episod, aktorët turq më të paguar

    Nga 52,000 deri në 117,000 euro për episod, aktorët turq më të paguar

    Sipas raportimeve të mediave turke, disa prej aktorëve kryesorë të serialeve turke, që gëzojnë pagat më të larta, janë Kenan İmirzalıoğlu, Afra Saraçoğlu, Demet Özdemir dhe Çağatay Ulusoy.

    Këta aktorë jo vetëm që kanë arritur të ndërtojnë një emër të njohur në vendin e tyre, por kanë shkuar përtej kufijve të Turqisë, falë projekteve të suksesshme dhe performancave të tyre të jashtëzakonshme.

    Pagat për çdo episod janë impresive. Kenan İmirzalıoğlu, një prej figurave më të njohura, përfiton rreth 117,000 euro, duke u shpallur si aktori më i paguar.

    Afra Saraçoğlu, një aktore e re dhe e talentuar, merr rreth 65,000 euro për episod.

    Po ashtu, Demet Özdemir, që është bërë ikonë e ekranit, fiton gjithashtu një shumë të konsiderueshme prej rreth 52,000 euro.

    Nga ana tjetër, Çağatay Ulusoy, që është i njohur për rolet e tij të suksesshëm, merr rreth 84,000 euro për episod.

    Me rritjen e kërkesës për prodhime turke, aktorët e lartpërmendur janë bërë figura qendrore jo vetëm për publikun turk, por edhe për ndjekësit në të gjithë botën.

    Pra, pagat e tyre të larta reflektjnë jo vetëm suksesin personal, por edhe ndikimin e përgjithshëm të artit turk në arenën ndërkombëtare.

  • Tragjedi për Interin: Portieri Josep Martinez përfshihet në aksident fatal

    Tragjedi për Interin: Portieri Josep Martinez përfshihet në aksident fatal

    Portieri i dytë i Interit, Josep Martinez, është përfshirë në një aksident automobilistik. Ngjarja ndodhi në mëngjes në Fenegrò, afër Comos, ku 27-vjeçari përplasi një person të moshuar me makinën e tij.

    Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, viktima nuk arriti t’i mbijetonte aksidentit dhe ndërroi jetë.

    Trajneri Cristian Chivu madje ka anuluar konferencën për shtyp që ishte planifikuar për sot.

    Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me portierin spanjoll pas kësaj ngjarjeje. /ATVLIVE.TV

  • Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, LVV synon fitore në 12 komuna

    Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, LVV synon fitore në 12 komuna

    Më 9 nëntor do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në disa komuna të Kosovës.

    Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, njofton se kjo parti është në balotazh në 12 komuna.

    Bashkë për fitore më 9 nëntor! Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Pejë, Gjakovë, Vushtrri, Rahovec, Fushë Kosovë, Obiliq, Kaçanik, Viti – Bashkë fitojmë! Në 12 komuna, me 12 kandidatë që përfaqësojnë punën, ndershmërinë dhe vizionin për zhvillim”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

    Tutje, LVV ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë.

    “Për një komunë më të drejtë, më të ndershme e më të mirë për të gjithë. Më 9 nëntor dalim të gjithë Bashkë, sepse Bashkë është forca jonë. Bashkë, numri është 105”.

  • Mos i vishni kurrë rrobat e reja pa i larë, arsyeja do t’ju trondisë

    Mos i vishni kurrë rrobat e reja pa i larë, arsyeja do t’ju trondisë

    Shumë prej nesh, nga padurimi për të veshur blerjet e reja, nuk presin asnjë moment dhe i veshin rrobat direkt nga dyqani. Por specialistët paralajmërojnë se ky zakon mund të ketë pasoja serioze për lëkurën dhe shëndetin.

    Edhe pse rrobat duken të pastra dhe aromatike, gjatë prodhimit, transportit dhe ekspozimit në dyqane ato kalojnë nëpër shumë duar dhe ambiente të ndryshme, ku mund të grumbullojnë kimikate të dëmshme dhe mikroorganizma. Prodhuesit përdorin substanca si formaldehid, ngjyrues artificialë dhe anti-myk për të ruajtur ngjyrën, elasticitetin dhe formën e rrobave, të cilat mund të shkaktojnë kruarje, skuqje, reaksione alergjike dhe irritime të lëkurës, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me lëkurë të ndjeshme.

    Rrobat e reja shpesh provohen nga dhjetëra persona në dyqane, duke i ekspozuar ndaj djersës, parfumit dhe mikroorganizmave të ndryshëm. Edhe fibrat natyrale, si pambuku apo liri, trajtohen me kimikate gjatë prodhimit dhe nuk janë të përjashtuara nga këto rreziqe.

    Ekspertët këshillojnë që të gjitha rrobat e reja, veçanërisht të brendshmet, pizhameja dhe ato që vishen afër trupit, të lihen për larjen e parë me ujë të vakët dhe detergjent të butë. Rrobat me ngjyra të forta duhet të lahen veçmas për të shmangur ngjyrosjen e rrobave të tjera, ndërsa fëmijët duhet të kenë veçanërisht kujdes dhe çdo veshje e tyre të lahet dy herë para përdorimit. Për rrobat e ndjeshme, rekomandohet larje me dorë ose programe delikate dhe shmangie e temperaturave shumë të larta që mund të dëmtojnë ngjyrën.

    Pra, larja e parë nuk është thjesht një hap higjienik, por një mënyrë për të mbrojtur shëndetin dhe lëkurën tuaj nga irritimet dhe alergjitë e mundshme.

  • “Lufta për liri nuk është krim”, Rama: Turp për ata që Thaçin edhe mbrapa hekurave e shohin si armik politik

    “Lufta për liri nuk është krim”, Rama: Turp për ata që Thaçin edhe mbrapa hekurave e shohin si armik politik

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se është e padrejtë që ata të cilët luftuan për lirinë e Kosovës, duhet të përballen me gjykatën në Hagë për të vërtetuar se lufta për liri nuk është krim.

    Rama ka thënë se është turp edhe për siç i ka quajtur ai “shqipsharësit digjitalë”, që shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty.

    “A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!

    Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.” shkruan Rama.