ATV

Blog

  • Kampi Nacional i FFK-së në Hajvali po mirëpret Kombëtaren e Kosovës U18 në një grumbullim treditor

    Kampi Nacional i FFK-së në Hajvali po mirëpret Kombëtaren e Kosovës U18 në një grumbullim treditor

    Kombëtarja e Kosovës U18 po e zhvillon grumbullimin e radhës treditor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Në këtë grumbullim po marrin pjesë 28 futbollistë, të cilët po punojnë nën drejtimin e stafit të trajnerëve të kësaj grupmoshe: Alban Dragusha, Erdin Hashani, Sheremet Isufi dhe Flamur Neziri.

    Gjatë këtyre tri ditëve, përveç seancave stërvitore intensive, është paraparë edhe një ndeshje kontrolluese, ku futbollistët do të ndahen në dy ekipe, me qëllim të vlerësimit më të mirë të formës së secilit lojtar.

    Trajneri Erdin Hashani theksoi rëndësinë e këtij grumbullimi për vazhdimësinë e punës me lojtarët e rinj nga kampionati vendor:

    “Edhe këtë herë grumbullimin e kemi me lojtarë që janë nga kampionati vendor, ndërsa shpresojmë që në nëntor të realizojmë një grumbullim me futbollistë që luajnë jashtë Kosovës. Kemi përcjellë me kujdes këta futbollistë gjatë gjithë kohës dhe mendoj se ka shumë brum për të ardhmen. Ky grumbullim është i rëndësishëm për të mbajtur kontinuitetin dhe për të parë nga afër formën e secilit futbollist. Këtu, në fanellën e Kombëtares, emocionet janë ndryshe dhe kjo ndikon pozitivisht te lojtarët. Grupmosha U18 është urë lidhëse mes U17 dhe U19, prandaj synojmë të kemi sa më shumë grumbullime për t’ia lehtësuar punën edhe Kombëtares U19”, tha ai.

    Ndërkaq, futbollisti Lorik Mehmeti u shpreh krenar për mundësinë që i është dhënë për të përfaqësuar Kosovën:

    “Është kënaqësi dhe ndjenjë e fortë të bartësh këtë fanellë e të kontribuosh për shtetin tënd. Kushdo që e merr këtë mundësi duhet ta shfrytëzojë në maksimum. Jam shumë krenar dhe besoj se me punë të vazhdueshme do ta arrij qëllimin për të qenë pjesë e Kombëtares A”, tha ai.

    Edhe bashkëlojtari i tij, Eldi Meholli, vlerësoi punën dhe përkushtimin gjatë këtij grumbullimi:

    “Stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Ky grumbullim është si një fazë parapërgatitore për gjeneratën U19, e cila do të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese. Kalimi nga një grupmoshë në tjetrën është i rëndësishëm, por varet nga forma që tregojmë në klube. Forma e mirë të sjellë këtu. Normalisht, ëndrra e secilit prej nesh është të arrijmë te Kombëtarja A dhe për këtë do të vazhdojmë të punojmë fort”, tha ai.

    Ky grumbullim është pjesë e planit të vazhdueshëm të FFK-së për zhvillimin e talenteve të rinj dhe përgatitjen e tyre drejt Kombëtares U19, por edhe Kombëtares U21 e Kombëtares A. /ATVLIVE.TV

  • Dukagjini i Ismet Munishit ndal serinë e Debatik Currit – fitore e madhe në Gjilan!

    Dukagjini i Ismet Munishit ndal serinë e Debatik Currit – fitore e madhe në Gjilan!

    Është mbyllur ndeshja e javës së 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, ku Dukagjini është rikthyer fuqishëm te fitoret pas katër takimeve pa triumf, duke mposhtur Gjilanin në udhëtim me rezultat të pastër 0-2.

    Vetëm pas shtatë minutave lojë, kapiteni Altin Mërlaku zhbllokoi sfidën me një gol spektakolar nga gjuajtja e lirë, duke i dhënë epërsinë skuadrës nga Klina.
    Gjilani reagoi me disa raste të rrezikshme, por pa arritur të gjejë golin e barazimit, ndërsa pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të mysafirëve.

    Në pjesën e dytë, vendasit shtuan presionin dhe dominuan posedimin, mirëpo Dukagjini u tregua më i qetë dhe më efikas në fund.
    Në minutat e fundit të takimit, Basit Khalid, pasi u fut si zëvendësues, vulosi rezultatin me golin e dytë për 0-2, duke siguruar tri pikë të arta për skuadrën e Ismet Munishit.

    Me këtë fitore, Dukagjini konsolidon pozitën e katërt në tabelë me 17 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e tetë me 11 sosh, duke pësuar humbjen e parë nën drejtimin e Debatik Currit.

    Në xhiron e ardhshme, Dukagjini pret Malishevën, ndërsa Gjilani udhëton në kryeqytet për t’u përballur me Prishtinën.

  • Ballkani triumfon bindshëm ndaj Malishevës me rezultat 5:0

    Ballkani triumfon bindshëm ndaj Malishevës me rezultat 5:0

    Ka përfunduar ndeshja e javës së 11-të në Superligën e Kosovës ndërmjet Malishevës dhe Ballkanit.

    Në stadiumin “Liman Gegaj”, skuadra nga Theranda ka shënuar fitore të thellë 5:0, duke e dominuar plotësisht takimin.

    Për Ballkanin shënuan Kryeziu, Tolaj (dy gola), Serebe dhe Ribeiro.

    Pas këtij triumfi, Ballkani mbetet në pozitën e dytë të renditjes me 22 pikë, ndërsa Malisheva renditet në vendin e gjashtë me 13 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Tërmeti 6.1 rihter në Turqi, 26 të plagosur dhe qindra paslëkundje

    Tërmeti 6.1 rihter në Turqi, 26 të plagosur dhe qindra paslëkundje

    Mbi 300 pas lëkundje janë ndjerë në Turqi pas tërmetit me magnitudë 6.1 Rihter. Tërmeti me epiqendër në qytetin Balıkesir u ndje të hënën në mbrëmje. Nga tërmeti janë plagosur 26 persona të cilët kanë marrë plagë teksa largoheshin nga vendi ku ndodheshin.

    Siç është njoftuar nga Shërbimi Sizmologjik Turk, tërmeti me magnitudë 6.1 Rihter që ndodhi në orën 22:48 të hënën në mbrëmje u ndje në shumë provinca, duke përfshirë Balıkesir, Izmir, Bursa, Stamboll, Tekirdag, Kocaeli dhe Sakarya.

    Pas tërmetit u regjistruan gjithsej 330 lëkundje pasuese gjatë një periudhe prej afërsisht 13 orësh, nga ora 22:48 e djeshme deri në orën 11:00 të sotme. 12 lëkundje pasuese janë regjistruar me magnitudë 4 ose më të lartë.

    Në zonën ku ndodhi tërmeti, 26 qytetarë u shtruan në spital me lëndime të lehta, ndërsa Ministri i Brendshëm turk njoftoi se të gjithë janë larguar tashmë nga spitali. Operacioni i ngritur për t’u përballur me pasojat e tërmetit përfshin 1,204 persona nga shërbime të ndryshme turke.

  • Tchouaméni i përgjigjet “sfidës” së Lamine Yamal: “Nuk e kam parë, por nëse e ka thënë… le të shohim çfarë ndodh”

    Tchouaméni i përgjigjet “sfidës” së Lamine Yamal: “Nuk e kam parë, por nëse e ka thënë… le të shohim çfarë ndodh”

    Pas ndeshjes së zjarrtë të “El Clásico”-s, tensionet mes Barcelonës dhe Real Madridit nuk janë shuar ende. Këtë herë, në qendër të vëmendjes janë dy yjet e rinj të futbollit europian: Lamine Yamal dhe Aurelien Tchouaméni.

    Në rrjetet sociale qarkulloi një deklaratë e supozuar e Lamine Yamal, i cili kishte thënë se “do ta priste Tchouaménin në rrugë”. Pyetur për këtë gjatë një interviste, mesfushori i Realit reagoi me qetësi dhe buzëqeshje karakteristike.

    Tchouaméni:
    “Nuk e kam parë, por nëse e ka thënë… le të shohim çfarë ndodh.”

    Një përgjigje e shkurtër, por plot vetëbesim, që mjaftoi për të ndezur sërish rrjetet sociale. Tifozët e të dyja skuadrave tashmë po presin me padurim takimin e radhës mes Real Madridit dhe Barcelonës, ku kjo “sfidë” e re personale pritet të marrë edhe më shumë vëmendje.

    Rivaliteti i përjetshëm “El Clásico” po gjen vazhdimësinë e tij te brezi i ri – Yamal dhe Tchouaméni, dy yje që po e mbajnë të gjallë zjarrin mes dy klubeve më të mëdha të Spanjës.

  • Jurgen Uldedaj falenderon trajnerët e tij, që i ndihmuan të shpallet kampion bote

    Jurgen Uldedaj falenderon trajnerët e tij, që i ndihmuan të shpallet kampion bote

    Boksieri, Jurgen Uldedaj, pasi u shpall kampion bote në IBO Cruiserweight falenderon trajnerët e tij, që i ndihmuan gjatë rrugës së suksesit të madh.

    “Ky titull IBO World Cruiserweight Champion nuk do të ishte i mundur pa njerëzit që më kanë qëndruar pranë çdo ditë — në punë, në betejë dhe në çdo moment të rrugëtimit tim.

    “Sepp Maurer – njeriu që ka ndërtuar themelin e forcës sime. Falë përkushtimit të tij të jashtëzakonshëm në stërvitje, disiplinës dhe profesionalizmit që sjell nga përvoja e tij gjermane, kam arritur formën më të mirë të karrierës sime. Çdo detaj që kemi punuar bashkë ka bërë diferencën në këtë fitore.

    “Don Charles – një strateg i madh, një mentor dhe një udhëheqës që di si të nxjerrë kampionin brenda çdo boksieri. Me përvojën e tij të gjatë në ring me kampionë si Derek Chisora dhe Daniel Dubois, ai më ka mësuar të mendoj si kampion dhe të besoj në veten time deri në fund. Faleminderit për çdo këshillë, për çdo moment motivimi dhe për gjithë besimin që më ke dhënë.

    “Falënderim i madh edhe për trajnerët ndihmës, pad man-in , cutman-in, fizioterapistin, ekipin e kondicionit dhe nutricionit, si dhe për të gjithë ata që punojnë pas skenës çdo ditë që unë të jem gati për luftë. Secili prej jush ka dhënë një pjesë të vetën në këtë fitore.”

  • Kryeministrja japoneze do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

    Kryeministrja japoneze do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

    Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi ka shprehur qëllimin e saj për të nominuar Presidentin e SHBA-së Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Carolyn Levitt për gazetarët.

    Çmimi Nobel për Paqen është një dëshirë e madhe e presidentit republikan amerikan, i cili pretendon se i ka dhënë fund disa konflikteve të armatosura në të gjithë botën që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë.

    “Në një periudhë kaq të shkurtër kohore, bota ka arritur të gëzojë më shumë paqe”, tha kryeministrja e sapozgjedhur e Japonisë presidentit të SHBA-së gjatë takimit të tyre. “Jam i impresionuar dhe i frymëzuar nga ju, z. President”, shtoi Sanae Takaichi.

    Sanae Takaichi falënderoi Donald Trump për “miqësinë e tij të qëndrueshme” me ish-kryeministrin e ndjerë japonez Shinzo Abe, i cili ishte mentori i saj.

    Nga ana e tij, presidenti amerikan e siguroi kryeministrin japonez se Uashingtoni është aleati i Tokios “në nivelin më të lartë”, në një kohë kur SHBA-të po ushtrojnë presion mbi Tokën e Diellit që po Lind për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

    “Gjithmonë kam pasur dashuri dhe respekt të madh për Japoninë. Dua t’ju siguroj se kjo do të jetë një marrëdhënie e privilegjuar. Ne jemi aleatë në nivelin më të lartë”, tha Trump.

  • Supremja merr vendim për të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

    Supremja merr vendim për të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

    Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.

    Gjykata Supreme, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një paqartësi dhe konfuzion juridik në raport me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

    “Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, Gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik. Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: “Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, thuhet në njoftim.

    Gjykata vlerëson se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë.

    Kësisoj, e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

    Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se kërkesa e Ministrisë për paraqitjen e dokumentit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e përcaktuar në udhëzimin kontestues që dëshmon se veterani “nuk është në marrëdhënie pune”, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor.

    “Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ që kërkon një vërtetim të tillë në formën aktuale, duhet të shfuqizohet ose të harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, me qëllim që të sigurohet përputhshmëria vertikale e akteve juridike dhe të garantohet zbatimi i drejtë dhe i njëtrajtshëm i ligjit.

    Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me rregullimin e ri ligjor të paraparë në nenin 16A, paragrafi 5 të Ligjit, dhe për këtë arsye, nuk mund të shërbejë si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.

    Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria ka qenë e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore.

    Mos ndryshimi i Udhëzimit Administrativ nr.01/2015, përkundër ndryshimeve të ligjit që kanë ndodhur më vonë respektivisht në vitin 2017, dhe lënia në fuqi e dispozitës nga neni 14.A, paragrafi 1.5, e Udhëzimit kontestues të vitit 2015, bie në kundërshtim me ligjin cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të drejtat e garantuara me ligj.

  • Duda Balje reagon pasi Kurti i’a shkarkoi bashkëpartiakun

    Duda Balje reagon pasi Kurti i’a shkarkoi bashkëpartiakun

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka liruar sot nga detyra zëvendësministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari, ka njoftuar shkurt Zyra e Kryeministrit.

    Ugllar është anëtar i partisë SDU, që udhëhiqet nga deputetja Duda Balje.

    Ky veprim po shihet si një formë “hakmarrjeje” ndaj deputetës së komuniteteve, Duda Balje, e cila nuk e votoi Qeverinë e propozuar nga Kurti në seancën e së dielës.

    “Hakmarrja nuk ka nisur, veç ka vazhduar!”.

  • Lirohet nga detyra zëvendësministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari

    Lirohet nga detyra zëvendësministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga detyra të zëvendësministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari.

    Vendimi është bërë publik nga Zyra e Kryeministrit, por nuk janë dhënë detaje shtesë lidhur me arsyet e largimit nga kjo pozitë.

    “Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka liruar sot nga detyra zëvendësministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari”, thuhet në njoftim.

    Elldin Uglari është njëkohësisht anëtar i partisë SDU, e cila udhëhiqet nga deputetja Duda Balje.