ATV

Blog

  • Liburn Aliu emërohet drejtor i ri i Portit të Durrësit

    Liburn Aliu emërohet drejtor i ri i Portit të Durrësit

    Liburn Aliu është emëruar sot drejtor i ri i Portit të Durrësit. Prezantimi i tij u bë nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

    Në fjalën e tij, Aliu e cilësoi Portin e Durrësit si portin e të gjithë shqiptarëve dhe theksoi rëndësinë e tij strategjike për Kosovën dhe rajonin.

    “E dashur Belinda, të nderuar kolegë, ndihem shumë i privilegjuar për besimin që më është dhënë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe nga zëvendëskryeministrja, për një detyrë që është mjaft sfiduese. Porti i Durrësit është porti i gjithë shqiptarëve dhe i rajonit,” deklaroi ai.

    Aliu falënderoi qeverinë shqiptare, kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Balluku për besimin, duke theksuar se “Porti i NATO-s do të ndihmojë në rritjen e sigurisë në mbarë rajonin.

  • Ronaldinho: “Sekreti i Numrit 10 dhe Magjia e Këmbëve”

    Ronaldinho: “Sekreti i Numrit 10 dhe Magjia e Këmbëve”

    Ronaldinho ka dhënë një mesazh të fuqishëm për të riun e talentuar Lamine Yamal, duke theksuar se numri 10 nuk mbahet me fjalë, por me prekje magjike dhe moralin e një kampioni.

    “Ju keni një talent të rrallë, një dhuratë për të cilën ëndërrojnë stadiumet më të mëdha të botës. Mos lejoni që fjalët të vjedhin shkëlqimin e këmbëve tuaja,” thotë legjenda braziliane.

    Ai shton se ka parë lojtarë të mëdhenj si Messi dhe Iniesta, të cilët bënë histori jo me zërin e tyre, por me heshtjen e heronjve.

    “El Clásico, ndeshja më e ndjekur në botë, fitohet nga shkëlqimi i këmbëve, jo nga britma e gjuhës. Çdo prekje, çdo driblim dhe çdo goditje e lirë është një mundësi për të treguar artin tuaj në fushë.”

    Ronaldinho inkurajon Lamine-n që të përdorë talentin e tij me përgjegjësi:

    “Një goditje e lirë që prek këndin, një driblim që i lë mbrojtësit në hije — ky është limiti i mundësive tuaja. E ardhmja është në këmbët tuaja dhe fjalët nuk duhet të jenë pengesë për këtë rrugëtim. Talentin duhet ta mbani si një përgjegjësi dhe një dhuratë që mund të ndryshojë lojën dhe zemrat e tifozëve.”

    Mesazhi i Ronaldinhos nuk është vetëm për Lamine Yamal, por për çdo lojtar të ri që aspiron të bëhet legjendë: magjia e futbollit qëndron në veprime, në prekje të guximshme dhe në përkushtimin për të lënë gjurmë në fushë, jo në fjalë boshe. /ATVLIVE.TV

  • 14-vjeçari nga Kosova, hero në Gjermani

    14-vjeçari nga Kosova, hero në Gjermani

    Një 14-vjeçar me rrënjë nga Kosova është bërë hero në Gjermani. Len Fejzullahu ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar shokun e shkollës, kur u sulmua nga një person tjetër me çekiç.

    “Friedberger Allgemeine” ka shkruar të hënën për rrëfimin e 14-vjeçarit që tregoi guxim të jashtëzakonshëm.

    14-vjeçari po qëndronte në oborrin e shkollës me dy shokët e tij, kur një adoleshent iu afrua. Ai po mbante një çekiç si dhe ishte veshur me uniformë ushtarake.

    “Fillimisht mendova se ishte i gomës dhe se po përpiqeshin të më bënin shaka”, ka rrëfyer 14-vjeçari. Por ajo që ndodhi pastaj nuk ishte aspak shaka. Dhe po të mos vraponte në ndihmë të shokut të tij dhe të rrezikonte jetën e vet, gjërat do të ishin edhe më keq.

    Sulmi ka shokuar Friedbergun në Gjermani në mes të tetorit. Një 15-vjeçar pati sulmuar dy 14-vjeçarë pak para se të niste mësimi, duke e lënduar njërin prej tyre rëndë. Sulmuesi është në mbajtje nën akuzën për tentimvrasje dhe lëndim të rëndë. Hetuesit po mbledhin informata nëse bëhet fjalë për prapavijë ekstremiste.

    Si ndodhi rasti?

    Sulmuesi e kishte goditur njërin nga shokët e Lenit në kokë. Kur ai e sulmoi Lenin, 14-vjeçari arriti të shmangej dhe u godit vetëm në krah. Ndërsa një i tretë kishte ikur te hyrja e shkollës. “E pash shokun tim të shtrirë në tokë”, ka thënë Leni.

    Pastaj sulmuesi e ka goditur disa herë.

    “Mendova se nuk mund ta lë vetëm”, ka rrëfyer Leni që më pas ka shkuar drejt sulmuesit e fillimisht duke e goditur në këmbë e më pas kishte arritur t’ia merrte çekiçin e ta godiste në bark dhe ta rrëzonte.

    Pas kësaj, Leni dhe shoku i tij arritën të shkonin drejt shkollës. Sulmuesi kishte shtënë në drejtim të tyrin me një armë jo reale. Shoku i Lenit ishte lënduar në kokë dhe teksa iknin i duhej ndihma. Te dera e shkollës takuan dy mësimdhënës që shpejt thirrën policinë dhe ambulancën. Shërbimet emergjente u paraqitën shpejt dhe sulmuesi u arrestua. 15-vjeçari kishte të kaluar me kërcënime dhe po hetohet edhe për mundësinë e ekstremizmit.

    Leni ka dhënë deklaratë në polici. Ai ka përgënjeshtruar edhe komentet në TikTok se sulmuesi ka qenë i bullizuar duke thënë se e ka njohur vetëm si figurë. Madje ka thënë se po që se sulmuesi do të ishte i huaj, komentet do të ishin ndryshe.

    Leni tani e kujton rastin dhe e kupton sa ka rrezikuar. I dyshuari kishte pasur edhe thikë me vete.

    Sot, ai është ftuar në takim nga kryebashkiaku Roland Eichman.

  • Dani Carvajal mund të mungojë mbi dy muaj për shkak të operacionit në gju

    Dani Carvajal mund të mungojë mbi dy muaj për shkak të operacionit në gju

    Mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, mund të mungojë më shumë se dy muaj, pasi drejtuesit e La Ligës njoftuan të hënën se lojtari ka nevojë për një ndërhyrje tjetër kirurgjikale në gju.

    Kapiteni i Real Madridit u rikthye së fundmi nga një dëmtim për të luajtur si zëvendësues në fitoren 2-1 ndaj Barcelonës të dielën. Megjithatë, mbrojtësi 33-vjeçar do të mungojë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit javën e ardhshme dhe pritet të mungojë edhe në takimin me Manchester Cityn në Santiago Bernabeu më 10 dhjetor.

    “Ai është diagnostikuar me praninë e një trupi të lirshëm në nyjen e gjurit të djathtë. Carvajal tani do t’i nënshtrohet një artroskopie,” njoftoi Real Madrid, pa specifikuar periudhën e mungesës së tij.

    Carvajal kishte pësuar një dëmtim të rëndë në të njëjtin gju në vitin 2024 dhe iu nënshtrua një operacioni që e mbajti jashtë për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar.

    Raportet e mediave spanjolle sugjerojnë se mbrojtësi mund të mungojë midis gjashtë dhe dhjetë javësh, që do të thotë se ai mund të mos marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në nëntor. /ATVLIVE.TV

  • Rama: Turp për ata që Thaçin edhe mbrapa hekurave e shohin si armik politik

    Rama: Turp për ata që Thaçin edhe mbrapa hekurave e shohin si armik politik

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si të tmerrshme faktin që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të mbahen në Hagë nën akuzën për krime lufte, edhe pesë vjet pas arrestimit. Ai në një shkrim në Facebook ka akuzuar edhe “tifozët te verbuar” politikë, që sipas tij, edhe mbrapa hekurave e trajtojnë ish-presidentin Hashim Thaçi si armik politik.

    “A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!” ka shkruar Rama fillimisht duke publikuar një fotografi të Thaçit me ish-gjeneralin amerikan që udhëhoqi forcat e NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë më 1999, e që do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    Rama është marrë edhe me komentuesit, që sipas tij, po urojnë që Thaçi të mos dalë kurrë nga burgu.

    “Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ndodhen ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.Së fundmi në Kosovë, Hagë e Shqipëri ka pasur protesta në kërkim të drejtësisë. Ato u përkrahën publikisht nga Rama.

  • GO+ Peja synon fitoren e parë në Ligën ENBL ndaj Spartak Pleven

    GO+ Peja synon fitoren e parë në Ligën ENBL ndaj Spartak Pleven

    Sonte, GO+ Peja do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi për edicionin e ri të Ligës ENBL, duke u përballur me skuadrën bullgare BC Spartak Pleven në parketin e palestrës “Karagaqi”.

    Fillimi i ndeshjes është planifikuar për ora 19:30.

    Skuadra pejane, që po debuton këtë vit në Ligën ENBL, ka pasur një start të vështirë, duke pësuar dy humbje në dy ndeshjet e para. Me rezultat 72:83 ndaj Riga Zelli dhe 83:98 ndaj Dubravës.

    Nga ana tjetër, Spartak Pleven ka filluar sezonin me dy fitore radhazi, duke mposhtur Olomoucko me 91:84 dhe Dubravën me 83:82.

    Megjithatë, GO+ Peja hyn në këtë përballje me motivim të lartë për të shënuar fitoren e parë në këtë kompeticion ndërkombëtar dhe për t’u rikthyer te rezultatet pozitive para tifozëve, duke pasur parasysh formën e mirë në ProCredit Superligë, ku ka regjistruar tre fitore në tri ndeshje. /ATVLIVE.TV

  • Skandal në volejbollin shqiptar – Nayara Ferreira rrëfen tronditjen pas kërkesës për test gjinie: “Jam 100% femër, ky është diskriminim”

    Skandal në volejbollin shqiptar – Nayara Ferreira rrëfen tronditjen pas kërkesës për test gjinie: “Jam 100% femër, ky është diskriminim”

    Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur sportin shqiptar. Për herë të parë, një sportiste është pezulluar për mungesë të testit të gjinisë.

    Bëhet fjalë për volejbollisten braziliane të Dinamos, Nayara Ferreira, e cila është dyshuar për gjininë e saj dhe i është kërkuar të vërtetojë se është femër nëpërmjet analizës së gjakut.

    Dyshimet, sipas burimeve, kanë lindur nga thashetheme dhe biseda korridoresh, pa asnjë provë konkrete. Megjithatë, kjo ka mjaftuar që sportistja të izolohet në shtëpi për më shumë se një javë dhe të përjetojë një shok të fortë psikologjik.

    Në një intervistë ekskluzive për “Top Channel”, në emisionin Top Story me gazetarin Endi Tufa, Nayara ka rrëfyer tronditjen e saj emocionale dhe ka folur hapur për diskriminimin që ndien.

    “Kjo është një situatë shumë e vështirë për mua. Luaj volejboll që nga mosha 12-vjeçare dhe kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë. Jam larg familjes dhe po e përballoj e vetme. Nuk më kanë dhënë asnjë arsye ligjore pse më kërkojnë testin. Kur pyeta federatën, më thanë se është ‘dokument privat’. Çfarë është private për ta në lidhje me jetën time?” – u shpreh ajo me lot në sy.

    Ferreira theksoi se nuk ka pse të dëshmojë feminitetin e saj, duke e quajtur kërkesën diskriminuese dhe çnjerëzore.

    “Jam 100% femër. Nuk duhet të shpjegoj që kam lindur femër. Ju më gjykoni nga si vishem apo nga fiziku im. Kjo është e turpshme. Nuk e di si mund të flejë i qetë presidenti i federatës pas kësaj.”

    Sportistja tregon se për ditë të tëra nuk ka mundur as të flejë, as të hajë, as të pijë ujë për shkak të stresit që ka përjetuar.

    “Faleminderit Federatës Shqiptare që ma bëtë këtë,” – tha ajo me ironi. – “Por e di që e vërteta do të dalë në dritë. Nuk kam frikë.”

    Pavarësisht gjithçkaje, Nayara ka marrë mbështetje të madhe nga publiku dhe koleget e saj, të cilat e konsiderojnë trajtimin e saj të padrejtë dhe poshtërues për sportin shqiptar. /ATVLIVE.TV

  • NBA – Befasi në Los Angeles, Lakers mposhten në shtëpi nga Trail Blazers

    NBA – Befasi në Los Angeles, Lakers mposhten në shtëpi nga Trail Blazers

    Në mbrëmjen e fundit të NBA-së u zhvilluan 11 ndeshje emocionuese, ku nuk munguan as surprizat.

    Një nga befasitë më të mëdha ndodhi në Crypto.com Arena, ku Los Angeles Lakers u mundën në shtëpi nga Portland Trail Blazers me rezultat 108:122.

    Lakers vazhduan të luajnë pa dy yjet e tyre kryesorë, LeBron James dhe Luka Doncic, ndërsa përgjegjësinë kryesore e mori Austin Reaves, i cili shkëlqeu me 41 pikë, por që në fund nuk mjaftuan për fitore.

    Në anën tjetër, Portland u tregua më i balancuar në sulm, me tre lojtarë që shënuan mbi 20 pikë:

    • Deni Avdija – 25 pikë

    • Jrue Holiday – 24 pikë

    • Jerami Grant – 22 pikë

    Rezultatet e plota të natës:

    • Detroit Pistons – Cleveland Cavaliers 95:116

    • Philadelphia 76ers – Orlando Magic 136:124

    • Chicago Bulls – Atlanta Hawks 128:123

    • Houston Rockets – Brooklyn Nets 137:109

    • New Orleans Pelicans – Boston Celtics 90:122

    • San Antonio Spurs – Toronto Raptors 121:103

    • Dallas Mavericks – Oklahoma City Thunder 94:101

    • Utah Jazz – Phoenix Suns 138:134

    • Minnesota Timberwolves – Denver Nuggets 114:127

    • Golden State Warriors – Memphis Grizzlies 131:118

    • Los Angeles Lakers – Portland Trail Blazers 108:122. /ATVLIVE.TV

  • Sulmohet një person zyrtar në Lipjan, viktima pranon tretman mjekësor

    Sulmohet një person zyrtar në Lipjan, viktima pranon tretman mjekësor

    Një person është arrestuar të hënën pasdite në Lipjan, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një person zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të tij.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:45, ndërsa i dyshuari, një mashkull kosovar, është ndaluar menjëherë nga autoritetet në vendin e ngjarjes.

    Si pasojë e sulmit fizik, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për të pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor.

    Pas intervistimit në stacionin policor dhe mbledhjes së provave fillestare, prokurori i rastit ka marrë vendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

  • Vidhen një veturë dhe një motoçikletë, incidentet ndodhin në Graçanicë dhe Prishtinë

    Vidhen një veturë dhe një motoçikletë, incidentet ndodhin në Graçanicë dhe Prishtinë

    Dy raste të ndara vjedhjeje janë raportuar të hënën në Graçanicë dhe Prishtinë.

    Në rastin e parë, një grua ka njoftuar Policinë se persona të panjohur i kanë vjedhur automjetin e saj të tipit “Opel” me targa lokale.

    Në një rast tjetër, një burrë nga Prishtina ka raportuar se i është vjedhur motoçikleta nga persona ende të paidentifikuar.

    Në të dy rastet, njësitë relevante policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të mundshëm të vjedhjeve.