ATV

Blog

  • Pse nuk duhet të flini kurrë përmbys?

    Pse nuk duhet të flini kurrë përmbys?

    Shumë njerëz nuk i kushtojnë rëndësi pozicionit të trupit gjatë gjumit, por mjekët po paralajmërojnë se një mënyrë e gabuar e të fjeturit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.

    Sipas një studimi të Benden Health, shumica e njerëzve flenë në anën e djathtë, por ekspertët këshillojnë që pozicioni më i mirë është të flesh në anën e majtë, pasi ndihmon në qarkullimin e gjakut, tretje më të mirë dhe lehtësim të presionit mbi organet e brendshme.

    Ndërkohë, doktoresha Cheryl Lythgoe paralajmëron se të fjeturit përmbys është ndër pozicionet më të dëmshme për trupin. Sipas saj, ky pozicion mund të shkaktojë dëmtime të shtyllës kurrizore, nyjeve dhe nervave, duke çuar në dhimbje kronike të qafës dhe shpinës.

    Ajo shton se gjumi përmbys gjithashtu vështirëson frymëmarrjen, pasi pesha e trupit ushtron presion mbi mushkëritë dhe organet e tjera.

    “Pozicionet e gjumit që ushtrojnë presion të tepërt mbi shpinën, si për shembull shtrirja përmbys ose përkulja në formë të fetusit, mund të shkaktojnë dhimbje kronike dhe çrregullime të gjumit”, ka deklaruar Lythgoe.

    Ekspertët rekomandojnë që personat që vuajnë nga dhimbjet e shpinës të flenë në shpinë ose në anën e majtë, duke vendosur një jastëk nën gjunjë, për të ruajtur pozicionin natyral të shtyllës kurrizore dhe për të parandaluar tensionin e tepërt në trup.

  • Doué jashtë fushave sërish!

    Doué jashtë fushave sërish!

    Desire Doué, një nga futbollistët më premtues në botë i PSG, është lënduar sërish.

    Ylli francez pësoi një lëndim muskular gjatë ndeshjes së djeshme kundër Lorientit.

    Doué u detyrua të largohej nga fusha me barelë, duke shfaqur dhimbje të mëdha dhe dukshëm i dëshpëruar.

    Ky është dëmtimi i dytë për të në këtë sezon.

    Sipas raportimeve, mesfushori do të mungojë për disa javë, çka do ta bëjë të humbasë disa ndeshje të rëndësishme në kampionat dhe në Champions League./ATVLIVE.TV

  • Liverpool në krizë, por Arne Slot gëzon ende besimin e klubit

    Liverpool në krizë, por Arne Slot gëzon ende besimin e klubit

    Liverpool po kalon një periudhë të vështirë dhe presioni ndaj trajnerit Arne Slot po rritet ndjeshëm pas eliminimit nga Kupa e Ligës të mërkurën mbrëma ndaj Crystal Palace. Megjithatë, sipas raportimeve të “BBC”, drejtuesit e klubit nuk kanë në plan ta shkarkojnë trajnerin holandez.

    Slot është kritikuar për zgjedhjet e tij në ndeshjen kundër Palace, ku preferoi të aktivizojë lojtarë të rinj dhe rezervistë. Humbja ishte e pritshme, por ajo erdhi në një moment delikat për
    “The Reds”, të cilët kanë pësuar tashmë katër humbje radhazi në Premier League dhe ndodhen shtatë pikë pas kryesuesit Arsenal.

    Gazetari i njohur i “BBC”-së, Phil McNulty, thekson se pavarësisht formës së dobët, Liverpool “nuk është klub që panikon dhe nuk merr vendime të nxituara”. Ai kujton se Slot fitoi titullin kampion në sezonin e parë pas largimit të Jurgen Klopp dhe ende “gëzon shumë besim” nga drejtuesit e klubit.

    Megjithatë, McNulty shton se skuadra duhet të tregojë më shumë forcë dhe ekuilibër, pasi aktualisht “është një ekip i brishtë dhe pa identitet të qartë”.

    I pyetur nëse trajneri mund të jetë në rrezik shkarkimi nëse rezultatet e dobëta vazhdojnë deri në Krishtlindje, McNulty u shpreh:

    “Sigurisht që do të ishte nën presion, por jo në rrezik për punën e tij. Pronaret e Liverpoolit janë të qetë dhe të matur. Ata besojnë te Slot dhe e dinë që gjatë verës skuadra pësoi shumë ndryshime.”

    Në javët e ardhshme, Liverpool do të ketë një seri ndeshjesh vendimtare kundër Aston Villa-s, Real Madridit dhe Manchester City-t — tri përballje që mund të përcaktojnë drejtimin e sezonit dhe fatin e Arne Slot në “Anfield”. /ATVLIVE.TV

  • Presidentja fton në takim krerët e partive politike

    Presidentja fton në takim krerët e partive politike

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka dërguar ftesë për takim kryetarëve të partive politike.

    Kështu raportohet nga mediat duke u thirrur në burime.

    Sipas mediave, takimi do të zhvillohet gjatë ditës së premte nga ora 12:00.

    Takimi është paralajmëruar qysh nga dështimi i formimit të qeverisë së propozuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

  • Real Madridi dhe Superliga Evropiane kërkojnë dëmshpërblim prej miliarda eurosh nga UEFA

    Real Madridi dhe Superliga Evropiane kërkojnë dëmshpërblim prej miliarda eurosh nga UEFA

    Përplasja mes Real Madridit, Superligës Evropiane dhe UEFA-s po hyn në një fazë të re të tensionuar. Pas fitores ligjore të Superligës në Gjykatën Provinciale të Madridit e cila hodhi poshtë ankesën e UEFA-s – tani duket se beteja nuk do të ndalet në sallat e drejtësisë, por do të kalojë në një përballje të ashpër financiare që mund të trazojë gjithë futbollin evropian.

    Sipas mediave spanjolle, përfshirë gazetën AS, Real Madridi dhe kompania A22 Sports Management (organizata që qëndron pas projektit të Superligës Evropiane) janë duke përgatitur një padi të re kundër UEFA-s, ku kërkojnë rreth 4.5 miliardë euro si kompensim për dëmet e pësuara.

    Në një deklaratë të mëparshme, klubi “mbretëror” kishte paralajmëruar se “do të kërkojë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar” pas veprimeve që, sipas tyre, penguan zhvillimin e projektit të Superligës.

    Shuma e kërkuar përfshin fitimet e humbura, dëmin ekonomik dhe goditjen e imazhit publik, të cilat sipas avokatëve të Realit dhe A22-s janë pasojë direkte e vendimeve dhe presionit të UEFA-s.

    Në javët apo muajt e ardhshëm pritet të kuptohet më qartë nëse padia do të dorëzohet zyrtarisht dhe si do të reagojë UEFA përballë kësaj kërkese marramendëse që mund të tronditë botën e futbollit evropian.

  • Komuna e Prishtinës publikon oraret e linjave rajonale në kuadër të projektit “TRIP”

    Komuna e Prishtinës publikon oraret e linjave rajonale në kuadër të projektit “TRIP”

    Komuna e Prishtinës ka bërë publike oraret e reja të qarkullimit për linjat rajonale të transportit publik, që tashmë janë në funksion si pjesë e projektit TRIP – Transporti i Ri i Prishtinës.

    Ky sistem i ri synon të sjellë një standard më të lartë të shërbimit për qytetarët, me linja më të rregullta, lidhje më efikase ndërmjet zonave të ndryshme të kryeqytetit dhe qasje më të lehtë në destinacionet kryesore.

    Në njoftimin zyrtar, Komuna thekson se TRIP përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik në Prishtinë, duke e bërë lëvizjen më të lehtë, më të shpejtë dhe më të qëndrueshme për të gjithë.

    “Të dashur qytetarë, në kuadër të projektit TRIP, transporti i Ri i Prishtinës, ju njoftojmë për oraret e qarkullimit të linjave rajonale që janë tashmë në funksion. Ky sistem synon të ofrojë shërbim më të rregullt, lidhje më të lehta dhe qasje të përmirësuar për të gjithë banorët e Prishtinës. Në grafikat e mëposhtme mund të gjeni oraret, stacionet dhe drejtimet e secilës linjë që operon në kuadër të transportit të ri të Kryeqytetit”, thuhet në njoftim.

    Qytetarët mund t’i shikojnë oraret, stacionet dhe drejtimet e çdo linje rajonale përmes materialeve të publikuara nga Komuna, në mënyrë që të planifikojnë më mirë udhëtimet e tyre brenda dhe jashtë qytetit.

  • Peci bën thirrje për dënim me burgim ndaj gazetarëve: Minimalisht tre vjet

    Peci bën thirrje për dënim me burgim ndaj gazetarëve: Minimalisht tre vjet

    Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka ashpërsuar retorikën ndaj mediave, duke kërkuar dënim me burg nga tre deri në pesë vite për gazetarët, të cilët sipas tij “kanë ndikuar dhe devijuar vullnetin e qytetarëve në ditën e zgjedhjeve”.

    Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi ndaj tij ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), pas një postimi që është cilësuar si sulm dhe linçim publik ndaj gazetarëve kosovarë.

    Ish-ministri i Bujqësisë ka shkuar edhe më tej, duke i cilësuar disa gazetarë si “të përfshirë në një organizim kriminal”, që sipas tij ka nisur qysh një vit më parë dhe ka kulmuar gjatë ditës së zgjedhjeve.

    “Kemi të bëjmë me një organizim kriminal. Mos harroni, me organizu ‘exit poll’, me bërë fushatë sistematike të linçimit publik, me shkrime shpifëse e debate të rrejshme. Nga analizat e Vetëvendosjes, 70 për qind e shkrimeve negative në nivel vendi kanë qenë kundër meje, ndonëse unë jam opozitë në Mitrovicë. Si është e mundur kjo?”, ka deklaruar Peci.

    Ai ka akuzuar disa gazetarë për publikimin e rezultateve të exit poll-it në orët e para të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve, duke pretenduar se përmes tyre është ndikuar perceptimi publik për rezultatin.

    “Ata që publikojnë rezultate të pavërteta ditën e zgjedhjeve dhe e thyejnë heshtjen zgjedhore, duhet të ndëshkohen me 3 deri në 5 vite burg. Kjo është devijim i vullnetit të qytetarëve dhe konsumim i veprave penale”, ka shtuar ai.

    Peci ka përmendur edhe emra konkretë të gazetarëve, ndaj të cilëve ka paralajmëruar kallëzim penal, duke i quajtur disa prej tyre “kriminelë, e jo gazetarë”.

  • Xheneta Fetahu surprizon në klipin e ri të çiftit të njohur Adri & Iliriana

    Xheneta Fetahu surprizon në klipin e ri të çiftit të njohur Adri & Iliriana

    Çifti i njohur i muzikës shqiptare, Adri dhe Iliriana, kanë rikthyer vëmendjen e publikut me projektin e tyre më të ri muzikor.

    Kënga mban titullin “Haram” dhe tashmë ka nisur të marrë vlerësime pozitive nga ndjekësit e tyre në rrjete sociale.

    Në videoklipin e këtij projekti, një surprizë e veçantë është prania e Xheneta Fetahut, ish-banore e “Big Brother VIP Kosova”, e cila sjell një energji dhe prezencë të veçantë në klip.

    “Haram” pritet të bëhet një nga këngët më të pëlqyera të sezonit, duke kombinuar vokalet karakteristike të çiftit me një videoklip modern dhe artistik.

     

  • Varroset sot veterani i UÇK-së, i cili vdiq në Itali

    Varroset sot veterani i UÇK-së, i cili vdiq në Itali

    Varrimi i veteranit të UÇK-së, Zenun Berishës, do të bëhet sot në Grabanicë.

    I ndjeri ka vdekur më 24 tetor në Bolonja të Italisë.

    Përmes një postimi të familjarëve në Facebook, ai do varroset në varrezat e Dëshmorëve të Grabanicës.

  • Trump urdhëron testimin e armëve bërthamore të SHBA-së për herë të parë në 30 vjet

    Trump urdhëron testimin e armëve bërthamore të SHBA-së për herë të parë në 30 vjet

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të enjten se SHBA-të do të rifillojnë testimin e armëve bërthamore për herë të parë në tre dekada, duke thënë se kjo do të ishte në një “bazë të barabartë” me Rusinë dhe Kinën.

    “Tani është koha e përshtatshme”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One gjatë rrugës për në Uashington menjëherë pas një takimi me presidentin e Kinës Xi Jinping në Korenë e Jugut.

    Trump e bëri njoftimin për herë të parë në mediat sociale përpara takimit të tij me Xi, duke theksuar se “kishte të bënte me të tjerët”.

    “Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, unë kam udhëzuar Departamentin e Luftës të fillojë testimin e armëve tona bërthamore në një bazë të barabartë,” tha ai në një postim në Truth Social. “Ky proces do të fillojë menjëherë.”

    Njoftimi i habitshëm i Trump vjen pasi Presidenti rus Vladimir Putin këtë javë njoftoi se Moska testoi një dron të ri nënujor me energji atomike dhe të aftë për të mbushur bomba bërthamore dhe një raketë të re lundrimi me energji bërthamore.

    Putin nuk njoftoi asnjë provë të armëve bërthamore të Rusisë, testi i fundit i të cilave ndodhi në vitin 1990.

    Gjithashtu, përpara udhëtimit të udhëheqësit amerikan në Korenë e Jugut, pjesa e fundit e turneut të tij aziatik, Koreja e Veriut njoftoi testimin e raketave të asaj që pretendonte të ishte një armë raketore “det-sipërfaqe”.

    Javën e kaluar, udhëheqësi i Phenianit Kim Jong-un zbuloi disa nga armët më të reja të ushtrisë së tij, duke përfshirë atë që dukej të ishte një sistem balistik me rreze të shkurtër veprimi i pajisur me automjete rrëshqitëse hipersonike.