ATV

Blog

  • Gjimshiti arrin shifrën historike: 300 ndeshje me fanellën e Atalantës

    Gjimshiti arrin shifrën historike: 300 ndeshje me fanellën e Atalantës

    Berat Gjimshiti shënon një tjetër moment historik në karrierën e tij. Kapiteni i kombëtares shqiptare zhvillon këtë të mërkurë ndeshjen e tij të 300-të me fanellën e Atalantës, në një histori që ka nisur dhjetë vite më parë dhe që ende vazhdon me të njëjtin pasion.

    Në më shumë se një dekadë në Bergamo, mbrojtësi shqiptar është shndërruar në një simbol të klubit dhe një nga lojtarët me më shumë kontribute në historinë e tij.

    Nga 300 ndeshje të zhvilluara, 259 prej tyre janë në Serie A, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga paraqitjet në Kupën e Italisë, Champions League, Europa League, si dhe në Superkupat e Italisë e Europës.

    Në këto vite, Gjimshiti ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar 10 asistime, duke u renditur ndër mbrojtësit më produktivë të klubit. Aktualisht ai mban vendin e shtatë në listën e lojtarëve me më shumë paraqitje për Atalantën, por deri në fund të sezonit mund të ngjitet në top-4.

    Gjimshiti ka qenë pjesë e skuadrës që ka luftuar për titullin kampion në Serie A, ka luajtur në finalen e Kupës së Italisë dhe, mbi të gjitha, ka qenë protagonist në fitoren historike të Europa League në vitin 2024, kur Atalanta mposhti 3-0 Bayer Leverkusenin – skuadrën kampione të Gjermanisë dhe fituese të Kupës së Gjermanisë – duke i dhënë klubit trofeun e parë europian në histori.

    Në arenën ndërkombëtare, mbrojtësi nga Lugina e Preshevës është gjithashtu rekordmen për lojtarët kuqezinj, me 32 paraqitje në Champions League, ndërsa kujton me krenari edhe golin e shënuar ndaj Shakhtar Donetsk në fazën e grupeve sezonin e kaluar.

    Ai, sonte pritet të jetë në fushë në kuadër të Ligës së Kampionëve, në ndeshjen që Atalanta e luan kundër Marseille në Francë, nga ora 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Prokuroria Speciale nis hetimet për rastin e plagosjes së zyrtarit të BE-së në Gjakovë

    Prokuroria Speciale nis hetimet për rastin e plagosjes së zyrtarit të BE-së në Gjakovë

    Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me plagosjen e një zyrtari të Bashkimit Evropian, i cili u sulmua të martën në Gjakovë.

    Zëdhënësja e PSRK-së, Nora Luta konfirmoi se në bashkëpunim me Policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike.

    “Prokuroria Speciale ju njofton se nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike. Duke theksuar se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta.

    Në anën tjetër, në raportin 24 orësh të Policisë thanë se viktima kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë pasi kishte dy plagë që dyshohet se i janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. Rasti u iniciua si “Vrasje në tentativë”.

    “NN.04.11.2025-19:57. Viktima mashkull shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Gjakovë, pasi që i njëjti kishte dy plagë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Viktima me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar në QKUK. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

  • Një burrë tentoi ta puthë presidenten meksikane – publikohen pamjet

    Një burrë tentoi ta puthë presidenten meksikane – publikohen pamjet

    Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u ngacmua seksualisht të martën pasdite nga një burrë i panjohur, i cili iu afrua, tentoi ta puthte dhe e preku ndërsa turma përreth nuk reagoi menjëherë.

    Ngjarja ndodhi teksa Sheinbaum po ecte nga Pallati Kombëtar drejt Ministrisë së Arsimit në Mexico City.

    Ngacmimi përfundoi vetëm kur ndërhyri Juan José Ramírez Mendoza, shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Presidentes.

    Incidenti u filmua nga kalimtarët dhe ka rihapur debatin mbi nivelin e mbrojtjes së krerëve të shtetit, veçanërisht pasi Sheinbaum, si paraardhësi i saj Andrés Manuel López Obrador, ka refuzuar idenë e një garde presidenciale.

    Sipas statistikave, 45% e grave meksikane kanë përjetuar ngacmime në rrugë. Sheinbaum, pas incidentit, iu drejtua bashkëpunëtorit të saj duke thënë: “Mos u shqetëso.”

    Kodi Penal Federal e klasifikon kontaktin fizik pa pëlqim si ngacmim seksual, të dënueshëm me deri në pesë vjet burg. Disa media raportuan se agresori ishte arrestuar, por autoritetet nuk e kanë konfirmuar.

    Organizatat për të drejtat e grave e quajtën incidentin dëshmi të normalizimit të dhunës seksiste dhe apeluan që presidentja ta përdorë rastin për të dërguar një mesazh të fortë kundër këtij fenomeni. Ministria e Grave deklaroi se: “Asnjë grua, pavarësisht pozitës, nuk është e përjashtuar nga ngacmimet seksuale dhe raportimi i tyre është thelbësor për drejtësinë dhe ndryshimin kulturor.”

    Aktivistja Diana Luz Vázquez shtoi: “Nëse një burrë guxon ta bëjë këtë ndaj një presidenteje, imagjinoni çfarë përjetojmë ne të tjerat.”

  • FC Malisheva zyrtarizon Elon Berishën

    FC Malisheva zyrtarizon Elon Berishën

    Klubi i Malishevës ka zyrtarizuar sot Elon Berishën si kryetrajner të skuadrës.

    Para disa ditësh ndan rrugët me trajnerin, Qatip Osmani dhe sot përfundimisht kanë nënshkruar me Berishën që më parë ishte pjesë e Prishitnës së Re.

    Njoftimi i plotë i klubit:

    “Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se kemi arritur marrëveshje me trajnerin, Elon Berisha i cili do të e udhëheqë Shtabin Teknik të klubit tonë.

    Kryetrajneri i ri udhëhoqi Prishtinën e Re duke shkruajtur historinë, nga liga e dytë, deri në Superligë, aty ku e drejtoi për 5 xhirot e para.

    Me Elonin kemi dakorduar rrugën tonë përpara, drejt objektivave tona, andaj jemi të bindur se bashkë do t’i arrijmë.

    Në ditët në vazhdim do të prezantojmë edhe përbërjen e plotë të shtabit të ri teknik.

    Mirë se vjen në familjen tonë, Elon!”

  • Kosova U20 fiton bindshëm ndaj Katarit U20

    Kosova U20 fiton bindshëm ndaj Katarit U20

    Kombëtarja e Kosovës U20 ka arritur një fitore të merituar me rezultat 3:0 ndaj Katarit U20, në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Futbollistët e përzgjedhur nga trajneri Bekim Isufi dhanë një paraqitje mbresëlënëse, duke dominuar gjatë gjithë takimit.

    Në pjesën e parë, mbrojtësi i krahut Omer Bajraktari realizoi dy gola, duke i dhënë epërsi të qartë Kosovës.

    Në pjesën e dytë, rezultatin përfundimtar 3:0 e vulosi Ermir Qetaj, i cili shënoi në minutën e 59-të.

    Ekipi mysafir nga Katari mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Robert Joseph Oluw Atobi u ndëshkua me karton të kuq. /ATVLIVE.TV

  • Chicago Bulls me përmbysje spektakolare ndaj 76ers – ngjiten në krye të Konferencës Lindore

    Chicago Bulls me përmbysje spektakolare ndaj 76ers – ngjiten në krye të Konferencës Lindore

    Basketbollistët e Chicago Bulls kanë shënuar një nga fitoret më të mëdha të këtij sezoni në NBA, duke mposhtur Philadelphia 76ers me rezultat të ngushtë 113:111 në “United Center”.

    Fitorja e mbrëmshme ishte e gjashta në shtatë ndeshje për skuadrën nga Chicago, e cila tashmë është ngjitur në vendin e parë të Konferencës Lindore, duke konfirmuar formën mbresëlënëse në këtë fillim sezoni.

    Takimi nisi më mirë për 76ers, të cilët në fund të çerekut të parë kishin ndërtuar një epërsi prej 18 pikësh dhe e ruajtën deri në pushim me rezultatin 75:56. Por pjesa e dytë solli një ndryshim të madh skenari, me Bulls që reaguan fuqishëm dhe përmbysën gjithçka falë një loje të disiplinuar dhe efikase në sulm.

    Në fund, Nikola Vučević u bë heroi i ndeshjes me një gjuajtje vendimtare për tre pikë në sekondat e fundit, që vulosi triumfin e madh të skuadrës së Billy Donovan. Malazezi e mbylli ndeshjen me 19 pikë dhe 10 kërcime, duke regjistruar një tjetër paraqitje “double-double”.

    Në shkëlqim të plotë ishte edhe Josh Giddey, i cili realizoi një triple-double spektakolar me 29 pikë, 15 kërcime dhe 12 asistime, duke qenë motorri kryesor i rikthimit të Bulls.

    Për Philadelphia, Tyrese Maxey ishte më i miri me 39 pikë, ndërsa Joel Embiid kontribuoi me 20 pikë, por pa mundur të ndalin rikthimin e furishëm të vendasve.

    Pas kësaj fitoreje, Chicago Bulls kryeson Lindjen me bilanc 6-1, ndërsa Philadelphia 76ers ndodhet menjëherë pas tyre me 5-2.

    Rezultatet tjera të mbrëmjes në NBA:
    • Toronto Raptors 128–100 Milwaukee Bucks
    • Atlanta Hawks 127–112 Orlando Magic
    • Chicago Bulls 113–111 Philadelphia 76ers
    • New Orleans Pelicans 116–112 Charlotte Hornets
    • Golden State Warriors 118–107 Phoenix Suns
    • LA Clippers 107–126 Oklahoma City Thunder

  • Dogana kap mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera rreth 8 mijë euro

    Dogana kap mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera rreth 8 mijë euro

    Gjatë kontrolleve të zhvilluara në orët e fundit në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë evidentuar dy raste të tentativave për kalim të mallrave pa deklarim doganor.

    Siç njofton Dogana e Kosovës, të dy automjetet janë ndaluar, ndërsa drejtuesit e tyre kishin deklaruar se nuk posedonin mallra për deklarim.

    Megjithatë, gjatë kontrolleve të detajuara janë zbuluar sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara, në vlerë totale rreth 8,000 euro, raporton Gazeta Sinjali..

    Mallrat e padeklaruara përfshinin: Veshmbathje dhe tekstil: trenerka, xhaketa, peshqira, mbulesa krevati, fustane etj, produkte kozmetike dhe farmaceutike: kremra, vajra, pika për sy, mjaltë mjekësor, ilaçe të ndryshme, vegla pune elektrike: sharra elektrike, trapanë, aku-veglash të markave të ndryshme, pajisje ndërtimi, produkte elektronike dhe aksesorë për automjete: pajisje audio, kamera, drita LED, ndëgjuese, mbajtëse telefoni, jastëkë automjeti etj, artikuj të ndryshëm: çanta, parfume, libra, sete pedikyri, pajisje pastrimi etj.

    Mallrat janë ndaluar përkohësisht, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë nisur procedurat për kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallit, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK).

  • OKB-ja dënon mosveprimin lidhur me incidentin në Novi Sad

    OKB-ja dënon mosveprimin lidhur me incidentin në Novi Sad

    Kombet e Bashkuara kritikuan mungesën e llogaridhënies lidhur me shembjen e strehës së betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, një vit pas tragjedisë që nxiti protesta masive.

    Shefi për të drejtat e njeriut në OKB, Volker Turk, kërkoi që të bëhen përpjekje të reja për të hetuar për përgjegjësinë në këtë ngjarje, duke argumentuar se kjo është thelbësore për të rikthyer besimin e publikut në institucione dhe për të respektuar sundimin e ligjit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Nuk ka pasur një proces domethënës për të zbuluar të vërtetën dhe për të kërkuar drejtësi për tragjedinë që rezultoi me vdekjen e 16 personave në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Kjo, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga dhjetëra mijëra persona që kanë dalë në rrugë duke kërkuar drejtësi”, tha Turk përmes një deklarate.

    “Për më tepër, shumë pretendime për sulme të dhunshme dhe arrestime arbitrare të protestuesve paqësorë dhe gazetarëve gjatë demonstratave nuk janë hetuar dhe mbesin të pandëshkuara. Përkundrazi, incidente të tilla vazhdojnë të ndodhin”, shtoi ai.

    Të shtunën, më shumë se 100.000 serbë shënuar përvjetorin e parë të incidentit në Novi Sad, që tronditi këtë shtet në Ballkanin Perëndimor.

    Disa javë pas renovimit të ndërtesës, streha prej betoni në stacionin hekurudhor u shemb më 1 nëntor 2024, një aksident që kritikët e cilësuan si simbol të korrupsionit në Serbi, që më pas çoi në rrezmin e qeverisë.

    Në protestat e së shtunës, protestuesit kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    Nëna e njërit nga viktimat e aksidentit po mban grevë urie para Parlamentit serb që nga e diela, dhe qindra njerëz po shkojnë për ta vizituar dhe për t’i ofruar mbështetje.

    Turk bëri thirrje për hetime të menjëhershme, transparente, të pavarura dhe efektive për aksidentin, pasi procedurat kundër përgjegjësve të dyshuar kanë ngecur, u tha në deklaratë.

    Ai po ashtu bëri thirrje për hetime të ngjashme për të gjitha pretendimet për arrestime arbitrare dhe përdorim të tepruar të forcës nga polica gjatë protestave.

    “Respektimi i lirisë së shprehjes dhe tubimeve paqësore janë themelore për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe bëhen veçanërisht jetike në një mjedis thellësisht të polarizuar”, u shpreh Turk.

    Komisionari i lartë për të drejtat e njeriut theksoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, të lirë nga presioni politik.

    “Kjo është mënyra e vetme për të ruajtur besimin e njerëzve në sundim të ligjit”, tha ai.

    Serbia është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përmes Raportit të Progresit të publikuar të martën, Komisioni Evropian i rekomandoi Beogradit “të ulë ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në prokurori”./REL

  • Berisha paralajmëron protesta për rrëzimin e Ramës: Do përballemi dhëmbë për dhëmbë

    Berisha paralajmëron protesta për rrëzimin e Ramës: Do përballemi dhëmbë për dhëmbë

    Kryetari i PD-së në Shqipëri, Sali Berisha, ka paralajmëruar protesta deri në rrëzimin e Edi Ramës.

    Me një ton jo fort të butë, Berisha madje është shprehur se do përballen “dhëmbë për dhëmbë” deri në rrëzimin e këtij të fundit.

    “Do përballemi dhëmbë për dhëmbë me Edi Ramën. Koha është e guximtarëve”, theksoi Berisha në konferencë për media.

    Ai ka thënë madje se ‘protestat e PD-së e çuan Erion Veliajn në burg’.

    “Ju garantoj unë ju, se po të mos ishin protestat e udhëhequra nga Belind Këlliçi, 46 javë në cdo lloj moti, Erion Veliaj do të ishte në zyrë sot. Në vlerësimin tim, ndër më eficentet dhe më të rëndësishmet që ka bërë PD. Ai përbënte një rrezik madhor për vendin me karakterin e tij, në cdo aspekt, me të ne shpëtuam vendi nga gjysma e zezë e Edi Ramës”, tha Berisha.

  • 2 Korriku eliminohet nga UEFA Youth League

    2 Korriku eliminohet nga UEFA Youth League

    Skuadra kosovare, 2 Korriku, është eliminuar nga UEFA Youth League, pavarësisht fitores 1-0 ndaj Hibernianit.

    Humbja e thellë 4-0 në ndeshjen e parë ishte vendimtare për eliminimin e tyre.

    Golin e vetëm të takimit të kthimit e shënoi Omer Shala në minutën e 3-të.

    Me këtë fitore, Hiberniani kalon në raundin e tretë të Youth League, ndërsa kundërshtari i tyre ende nuk është përcaktuar. /ATVLIVE.TV