ATV

Blog

  • Meghan Markle rikthehet në ekran pas 8 vitesh, këtë herë luan vetveten në një komedi hollivudiane

    Meghan Markle rikthehet në ekran pas 8 vitesh, këtë herë luan vetveten në një komedi hollivudiane

    Pas një pauze të gjatë nga bota e filmit, Meghan Markle po i rikthehet aktrimit me një rol që po ngjall shumë interes në industrinë e Hollywood-it. Dukesha e Sussex-it do të shfaqet në komedinë e re “Close Personal Friends”, një projekt i studios prestigjioze Amazon MGM, ku do të luajë përkrah aktorëve të njohur si Lily Collins, Brie Larson dhe Jack Quaid.

    Burime pranë produksionit kanë bërë të ditur se Meghan do të luajë një version të vetes në film – një grua që përpiqet të balancojë jetën publike dhe atë personale, në një histori që ndërthur humorin me reflektimin mbi miqësinë dhe famën.

    Xhirimet janë duke u zhvilluar në Pasadena të Los Angeles-it, ndërsa rikthimi i Meghan-it në set është përshkruar si “emocionues dhe i shumëpritur”. Një burim nga ekipi ka treguar për mediat britanike:
    “Ky projekt është perfekt për të. Meghan ka pritur kohën e duhur dhe rolin e duhur për t’u rikthyer në ekran. Ajo është e lumtur dhe ndihet më e lirë se kurrë. Harry e mbështet plotësisht dhe është krenar për të.”

    Meghan Markle u bë e njohur për publikun në mbarë botën përmes rolit të Rachel Zane në serialin popullor Suits, ku u shfaq për shtatë sezone. Pas fejesës me Princin Harry në vitin 2017, ajo u tërhoq nga aktrimi për t’u përkushtuar jetës mbretërore një periudhë që përfundoi me vendimin e çiftit për t’u larguar nga detyrat zyrtare dhe për të nisur një jetë të re në Shtetet e Bashkuara.

    Rikthimi i saj në aktrim, pas plot tetë vitesh, shihet si një hap i ri në karrierën e Meghan-it dhe ndoshta fillimi i një kapitulli të ri në marrëdhënien e saj me publikun.

  • Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

    Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

    Dhjetëra punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar të enjten pranë ndërtesës së televizionit shtetëror, për shkak vonesës së pagave, duke paralajmëruar grevë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

    Në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, punonjësit mbajtën pankarta me mbishkrimin “Punëtorët e RTK-së – jo viktima të krizës”, “Gazetarë pa pagesë, demokraci pa zë”, dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”.

    Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë nuk e kanë marrë pagën e nëntorit, për shkak se RTK-së nuk i është ndarë pjesa e dytë e buxhetit për këtë vit.

    Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gazetari dhe përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Bimbashi, u bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, Qeverisë në detyrë dhe menaxhmentit të RTK-së të punojnë për ta kaluar buxhetin për televizionin shtetëror.

    “Ne kemi qenë të durueshëm, por durimi jonë ka kufij. Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe, nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

    RTK-ja po përballet me probleme financiare tash e një kohë, pasi raporti vjetor i saj duhet të diskutohet nga Komisioni për buxhet i Kuvendit – që nuk është i themeluar – në mënyrë që më pas të ketë buxhet për pagat e mbi 700 punëtorëve.

    Javën e kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk gjeti pajtueshmëri me përfaqësuesit politikë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që të shtynte përpara, ndër të tjera, edhe çështjen e buxhetit për RTK-në.

    Kjo është protesta e dytë e punëtorëve të RTK-së pas asaj në gusht, pas të cilës Qeveria në detyrë e miratoi kërkesën e televizionit për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro.

    Ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, se Qeveria në detyrë nuk mund ta përsërisë vendimin e gushtit.

    Murati shtoi se përgjegjësinë për ndarjen e mjeteve buxhetore për RTK-në e ka Kuvendi i Kosovës dhe jo Qeveria.

    Ai theksoi se zgjidhja për pagat e punëtorëve të transmetuesit publik varet nga formimi i komisioneve parlamentare./REL

  • Çfarë ndodh me trupin kur nuk fle mjaftueshëm – dhe pse mungesa e gjumit po quhet “sëmundja moderne”

    Çfarë ndodh me trupin kur nuk fle mjaftueshëm – dhe pse mungesa e gjumit po quhet “sëmundja moderne”

    Nëse mendon se një natë pa gjumë s’është ndonjë problem i madh, mendo edhe një herë. Shkencëtarët po e quajnë mungesën e gjumit “sëmundjen e heshtur të shekullit”, sepse ndikon pothuajse në çdo pjesë të trupit – nga truri, deri te zemra dhe lëkura.

    Trupi ynë funksionon si një orë biologjike e ndërlikuar. Kur nuk flemë mjaftueshëm, hormonet dalin nga ekuilibri: niveli i kortizolit (hormoni i stresit) rritet, ndërsa melatonina, që ndihmon në rigjenerim dhe gjumë të thellë, bie ndjeshëm. Pasojat shfaqen menjëherë – truri bëhet më i ngadalshëm, kujtesa përkeqësohet, dhe vendimet merren me më shumë impuls sesa logjikë.

    Por mungesa e gjumit nuk ndikon vetëm në trurin. Studime të fundit tregojnë se njerëzit që flenë më pak se 6 orë në natë kanë më shumë gjasa të shtojnë peshë, sepse trupi prodhon më shumë ghrelin, hormon që shton ndjenjën e urisë. Prandaj, ndonjëherë nuk është faji i ushqimit, por i mungesës së gjumit që na bën të kërkojmë ëmbëlsira natën vonë.

    Gjumi ndikon edhe në pamjen tonë. Lëkura e lodhur, rrathët e zinj nën sy dhe fytyra pa shkëlqim janë sinjale të qarta që trupi nuk po rigjenerohet si duhet. Në fakt, gjatë gjumit qelizat e lëkurës rinovohen, prandaj shumë dermatologë e quajnë “trajtim bukurie natyral”.

    Në shoqërinë moderne, mungesa e gjumit është bërë diçka normale – ndoshta për shkak të orareve të ngarkuara, telefonave që nuk ndalen kurrë apo stresit të përditshëm. Por mjekët thonë se një natë e mirë gjumi është më e rëndësishme se çdo dietë apo suplement.

    Në fund të ditës, nuk është luks të flesh mirë – është domosdoshmëri. Sepse gjumi nuk është kohë e humbur; është koha kur trupi punon për të të mbajtur gjallë, të shëndetshëm dhe me mendje të kthjellët.

  • Superliga e Kosovës: Ndeshjet e javës së 13-të dhe oraret e tyre

    Superliga e Kosovës: Ndeshjet e javës së 13-të dhe oraret e tyre

    Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar orarin për javën e 13-të të Superligës.

    Ndeshjet do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën.

    Të shtunën, Drenica do ta presë Ballkanin në stadiumin “Bajram Aliu”, ndërsa Llapi do të presë Prishtinën e Re në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Të dy ndeshjet fillojnë në ora 13:00.

    Të dielën, Malisheva do të presë Gjilanin në stadiumin “Liman Gegaj”, ndërsa Ferizaj do të presë Dukagjinin në “Stadiumin e Qytetit”, gjithashtu nga ora 13:00.

    Ndërkaq, ndeshja mes Dritës dhe Prishtinës, e paraparë të zhvillohet të hënën, është shtyrë për afat të pa caktuar. /ATVLIVE.TV

  • Nga gurët dhe druri, lind arti i Halil Lajqit nga Istogu

    Nga gurët dhe druri, lind arti i Halil Lajqit nga Istogu

    Në duart e Halil Lajçit, çdo copë druri apo guri merr shpirt. Ai punon me dashuri dhe durim, duke i dhënë secilës vepër një histori. Per të ato nuk janë thjesht punime, por kujtime e ndjenja të kthyera në art.

    E gjatë punës, ai na tregoi edhe se si i realizon këto punime, një proces tejet interesant dhe rrallë i parë, ku çdo copëz guri vendoset me kujdes, derisa të marrë formën e duhur.

    Në fund, ai na sjell edhe disa nga krijimet e tij prej druri, ku çdo gdhendje dhe detaj tregon aftësinë dhe imagjinatën e tij të veçantë.

    Kronikën e përgatitur nga ATV mund ta shihni duke klikuar në linkun më poshtë:

     

  • Ndarjet më të zhurshme të yjeve, përfshirë ato shqiptare

    Ndarjet më të zhurshme të yjeve, përfshirë ato shqiptare

    Dashuria, ndjenja më e fortë, më e pastër dhe njëkohësisht më e ndërlikuar që njeh njeriu. Ajo i ka dhënë botës histori që frymëzojnë, por edhe ndarje që tronditin miliona njerëz. Ka çifte që u deshën aq shumë sa bënë historinë, por po aq bujë bënë edhe kur u ndanë. Nga pallatet mbretërore, deri te dritat e Hollivudit, ndarjet e tyre janë kthyer në legjenda.

    Le të nisim udhëtimin tonë mes dashurive që u dogjën si yje të ndritshëm, por u shuan me zhurmë…

    Cleopatra dhe Mark Antony – një dashuri që rrëzoi perandori. Ajo, mbretëreshë e Egjiptit, ai, gjeneral i fuqishëm romak. Ishte një lidhje pasioni, politike dhe pushteti. Por si çdo histori e madhe, edhe kjo përfundoi tragjikisht. Pas humbjes në betejë, të dy zgjodhën të mos jetojnë pa njëri-tjetrin. Një fund që i dha historisë njërën nga dashuritë më dramatike të të gjitha kohërave.

    Shekuj më vonë, një tjetër çift bëri bujë në botën e artit. Frida Kahlo dhe Diego Rivera – dy shpirtra rebelë, dy artistë që donin me shpirt, por përplasnin zjarr me zjarr. Të ndarë dhe të ribashkuar disa herë, ata e kthyen dhimbjen në art. Frida e pikturoi dashurinë e thyer në tablo, Diego e shprehu në mure. Një histori që dëshmon se ndonjëherë dashuria dhe dhimbja ecin dorë për dore.

    Edhe mbretërit e kohëve moderne nuk kanë shpëtuar dot nga sytë e botës. Princesha Diana dhe Princi Charles – ndoshta ndarja më e ndjekur nga miliona njerëz. Në sy të botës ata dukeshin përrallë, por pas kamerave fshihej trishtimi i një gruaje që kërkonte dashuri të vërtetë. Kur ajo foli për dhimbjen e saj, bota u trondit. Edhe sot, historia e Dianës mbetet kujtesë se pas çdo kurore mund të fshihet një zemër e thyer.

    Në botën e artit dhe ekranit, skenat janë po aq të zjarrta.

    Brad Pitt dhe Angelina Jolie – çifti i artë i Hollivudit. Dashuria e tyre lindi në setin e filmit Mr. & Mrs. Smith dhe dukej si përrallë moderne. Por pas dymbëdhjetë vitesh, dashuria u kthye në luftë ligjore, kujdestari fëmijësh dhe debate publike. “Brangelina” u bë sinonim i ndarjes që gjithë bota s’e priti kurrë.

    Edhe Johnny Depp dhe Amber Heard – një histori dashurie që përfundoi në një gjyq botëror, ku miliona njerëz ndoqën çdo detaj. Ishte një ndarje që hapi debate për dhunën, manipulimin dhe fuqinë e mediave. Një dramë që doli nga kinemaja dhe u shfaq në realitet.

    Një tjetër ndarje që tronditi rrjetet sociale – Shakira dhe Gerard Piqué. Ajo, ylli i muzikës ai, kampioni i futbollit. Një histori që dukej perfekte, derisa tradhtia i dha fund. Shakira e ktheu dhimbjen në këngë, duke e bërë ndarjen një hit global. Një shembull se si zemra e thyer mund të kthehet në forcë.

    Nëse mendoni se drama romantike ndodh vetëm në Hollivud, gaboheni! Edhe tek ne, dashuritë e yjeve kanë ndezur rrjetet, kanë bërë bujë dhe kanë lënë pas shumë pikëpyetje.

    Dafina Zeqiri dhe DJ Geek – Një prej çifteve më të dashura të skenës muzikore. Të dy bashkë në projekte, në koncerte, në dashuri. Por një ditë, pa paralajmërim, çdo foto u zhduk nga rrjetet. Ndarja e tyre u kthye në një mister që fansat ende e komentojnë. Ishte thjesht fund dashurie apo fillim i diçkaje të re për Dafinën? Askush nuk e di, por muzika e saj flet më shumë se çdo fjalë.

    Blero dhe Teuta Krasniqi – Një histori dashurie që dikur frymëzonte. Ata ishin një nga çiftet më të njohura, të dashur nga publiku, me vajzën e tyre Tara që i bashkonte. Por siç ndodh shpesh, jeta mori rrugë të ndryshme. Ndarja e tyre u përfol gjatë, me zëra, me intervista, me lot. Sot, të dy kanë gjetur qetësinë e tyre, por për publikun, Blero dhe Teuta mbeten simbol i një dashurie që u shua, por s’u harrua.

    Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj – Çifti që askush s’e priste të ndahej. Dashuri në sytë e publikut, dasmë madhështore, dy fëmijë të mrekullueshëm – por në prapaskenë, gjërat s’ishin aq përrallë. Kur lajmet e ndarjes dolën, rrjetet shpërthyen. Besi me batutat e tij, Xhensila me heshtjen elegante – dy rrugë të ndryshme, një ndarje që bëri bujë në gjithë trojet shqiptare.

    Sara Hoxha dhe Ledri Vula – Çifti më i ndjekur në Kosovë. Dashuria e tyre dukej si film – vajza, udhëtime, muzikë, momente perfekte në Instagram. Por pas shkëlqimit të kamerave, erdhi ndarja. Lajmi tronditi publikun, veçanërisht fansat që i konsideronin “çiftin ideal”. Edhe pse ruajnë respektin për vajzën e tyre Poem Blu, ndarja e tyre është ndër më të përfolurat e viteve të fundit.

    Në fund të fundit, ndarjet më të përfolura në botë nuk janë thjesht thashetheme. Ato janë pasqyrë e vetë natyrës njerëzore dashuri, pasion, pushtet, dhimbje dhe rilindje. Nga mbretëresha e Egjiptit te yjet e Hollivudit e deri te ne historia përsëritet, dashuria lind, shndrit, dhe ndonjëherë digjet me të njëjtin zjarr me të cilin nisi.

    Sepse, në fund të çdo historie dashurie, ajo që mbetet… është kurioziteti për të kuptuar pse dashuritë më të mëdha janë edhe ato që lënë plagët më të thella.

     

  • Kështjellat më të famshme në botë

    Kështjellat më të famshme në botë

    Në çdo cep të botës, ngrihen krenare mbi kodra, brigje dhe fusha të gjera, kështjellat , monumente madhështie që kanë sfiduar kohën, luftërat dhe ndryshimet e epokave. Dikur vendbanime të mbretërve e kalorësve, sot ato janë dëshmi të historisë dhe vende ku mitet, legjendat dhe arkitektura takohen në mënyrë magjike.

    1. Kështjella e Neuschwanstein – Gjermani

    Në zemër të Alpeve Bavareze, si e dalë nga një përrallë, qëndron Neuschwanstein, kështjella që frymëzoi vetë Walt Disney për kështjellën e “Bukuroshes së Fjetur”.

    E ndërtuar nga mbreti Ludvig II i Bavarisë në fund të shekullit XIX, ajo ishte menduar si një strehë e qetësisë dhe artit, por u bë monument i çmendurisë dhe ëndrrave të mbretit që nuk e pa kurrë të përfunduar. çdo vit, mbi 1.4 milion turistë vizitojnë këtë kështjellë, e cila nuk është përdorur kurrë për qëllime mbrojtëse ,thjesht për fantazinë e një mbreti që dashuronte muziken e Wagnerit.

    1. Kështjella e Windsor – Angli

    Nga përrallat kalojmë te realiteti i monarkisë. Windsor Castle, ndërtuar rreth vitit 1070 nga William Pushtuesi, është banesa më e vjetër mbretërore ende në përdorim në botë.

    Ajo ka qenë rezidencë e çdo monarku britanik për më shumë se 1,000 vjet, dhe në muret e saj ruhen qindra artefakte historike e portrete mbretërore.

    Një fakt interesant është se gjatë Luftës së Dytë Botërore, princesha Elizabeth dhe motra e saj Margaret u strehuan pikërisht këtu, për t’u mbrojtur nga bombardimet në Londër.

    1. Kështjella e Chambord – Francë

    Në zemër të Luginës së Loire, ndodhet një nga kryeveprat më të mahnitshme të Rilindjes franceze , Château de Chambord.

    Me më shumë se 400 dhoma dhe 84 shkallë spirale, kjo kështjellë besohet të ketë elementë të dizajnuar nga vetë Leonardo da Vinci, i cili asokohe jetonte në Francë.

    Kurioziteti më i veçantë është se një nga shkallët spirale është ndërtuar në mënyrë që dy persona mund të ngjiten dhe zbresin në të njëjtën kohë pa u takuar kurrë – një ide e menduar për privatësinë e mbretit.

    1. Kështjella e Himejit – Japoni

    Në kontinentin aziatik, në qytetin Himeji, qëndron një ndër monumentet më të ruajtura të Japonisë së lashtë ,Kështjella e Himejit, e njohur ndryshe si “Kështjella e Shqiponjës së Bardhë”.

    E ndërtuar në shekullin e 14-të, ajo ka mbijetuar tërmete, bombardime dhe luftëra, pa pësuar dëmtime të mëdha.

    Kjo kështjellë është simbol i elegancës dhe fuqisë samuraie. Thuhet se muret e saj të bardha janë lyer me një përzierje gëlqereje dhe pluhuri guackash deti, që përveç bukurisë, ndihmonin edhe në mbrojtjen nga zjarri.

    1. Kështjella e Edinburgh – Skoci

    Në majë të një vullkani të fjetur, mbi qytetin e mjegullt të Edinburghut, ngrihet një nga kështjellat më misterioze të Evropës.

    Historia e saj daton mbi 900 vjet, dhe brenda mureve ruhet “Guri i Fatit” – simbol i kurorëzimit të mbretërve skocezë.

    Por ajo fsheh edhe legjenda të errëta, sipas banorëve, një ushtar i ri që hyri në tunelet e nëndheshme për eksplorim dhe u zhduk pa gjurmë, dhe deri sot, disa pretendojnë se dëgjojnë tingujt e gajdes së tij në netët e mjegullta.

    1. Kështjella e Alhambra – Spanjë

    Në jug të Spanjës, mbi kodrat e Granadës, ngrihet një nga veprat më madhështore të arkitekturës islame, Alhambra, e ndërtuar në shekullin e 13-të nga sundimtarët maurë.

    Ajo është një kombinim i jashtëzakonshëm i artit arab dhe peizazhit mesdhetar. Çdo mur është zbukuruar me arabeska, kaligrafi dhe simbole që i këndojnë parajsës.

    në muret e saj mund të lexosh qindra vargje poetike në arabisht, të cilat, sipas studiuesve, janë të shkruara për të kujtuar lavdinë e Zotit dhe përkohshmërinë e fuqisë njerëzore.

    1. Kështjella e Bran – Rumani

    E njohur si “Kështjella e Drakulës”, Bran Castle ndodhet në Transilvani dhe është kthyer në një nga atraksionet më të kërkuara të Evropës Lindore.

    Edhe pse nuk ka dëshmi historike se princi Vlad Tepes ka jetuar aty, atmosfera misterioze dhe korridoret e errëta e kanë lidhur përgjithmonë këtë kështjellë me legjendat e vampirëve.

    Turistët raportojnë se ndiejnë “një ndjesi të ftohtë” në disa dhoma – ndoshta nga imagjinata, ndoshta nga misteri që ajo fsheh.

    Nga Bavaria e akullt deri në diellin e Andaluzisë, nga kodrat skoceze deri në zemrën e Japonisë, kështjellat mbeten dritare të gjalla të historisë njerëzore.

    Ato janë kujtues se pushtetet vijnë e shkojnë, por bukuria, arti dhe legjenda nuk shuhet kurrë.

    Ndoshta ndaj, çdo herë që ngjitemi në një kullë të vjetër dhe shohim horizontin, ndiejmë për një çast si të ishim pjesë e një përralle, një përralle që koha nuk ka arritur ta mbyllë.

  • Filmat e bazuar në histori të vërteta, duhet t’i shihni të paktën një herë

    Filmat e bazuar në histori të vërteta, duhet t’i shihni të paktën një herë

    Filmat e bazuar në ngjarje të vërteta kanë një vend të veçantë në kinematografi, pasi ata ofrojnë një kombinim unik mes artit dhe historisë. Ky zhanër lejon audiencën të lidhet emocionalisht me histori të vërteta, shpesh duke ofruar një kuptim më të thellë për ngjarjet, sfidat dhe sukseset e individëve apo komuniteteve. Filmat e tillë nuk janë vetëm një mënyrë për të informuar, por edhe për të frymëzuar, edukuar dhe reflektuar mbi natyrën njerëzore.

    Një nga avantazhet kryesore të filmave të bazuar në jetë reale është autenticiteti. Audienca shpesh ndihet e tërhequr nga fakti se personazhet dhe ngjarjet nuk janë thjesht krijime imagjinare, por kanë ekzistuar në botën reale. Kjo e bën përvojën më të prekshme dhe shpesh më dramatike. Për shembull, filma si Schindler’s List, i cili tregon historinë e Oskar Schindler gjatë Holokaustit, ose The Pursuit of Happyness, që pasqyron jetën e Chris Gardner, ofrojnë jo vetëm argëtim, por edhe mesazhe të fuqishme mbi rezistencën dhe shpresën.

    Megjithatë, realizimi i filmave të tillë sjell edhe sfida të veçanta. Një nga sfidat kryesore është balanci mes fakteve dhe dramaturgjisë. Një film duhet të mbajë besnikëri ndaj ngjarjeve reale, por gjithashtu të ruajë ritmin dhe tensionin dramatik që e bën tërheqës një film. Kjo shpesh kërkon ndryshime të lehta të kohës, dialogut ose personazheve, duke e bërë të nevojshme një qasje të kujdesshme për të shmangur keqinterpretimet ose manipulimin e historisë.

    Filmat e bazuar në jetë reale nuk kufizohen vetëm në histori historike. Ata gjithashtu përfshijnë tregime personale, sportive, muzikore, apo dramat familjare. Për shembull, Bohemian Rhapsody sjell në ekran jetën dhe karrierën e Freddie Mercury-t dhe grupit Queen, ndërsa Hidden Figures nënvizon rolin e grave afrikano-amerikane në NASA, duke sjellë në pah histori shpesh të harruara ose të neglizhuara. Këto filma jo vetëm që edukojnë, por gjithashtu zgjojnë kureshtje për periudha ose personazhe të veçantë, duke i bërë ato më të njohura për brezat e rinj.

    Një element tjetër i rëndësishëm është performanca aktoriale. Kur aktorët interpretojnë njerëz të vërtetë, ata shpesh duhet të kapin nuancat e karakterit dhe personalitetit të individit real. Kjo shpesh përfshin studim të thellë të jetës së tyre, mënyrës së të folurit, lëvizjeve dhe emocioneve. Kur realizohet me sukses, kjo krijon një lidhje të fortë mes audiencës dhe historisë.

    Në përfundim, filmat e bazuar në jetë reale ofrojnë një dritare unike drejt botës reale, duke bashkuar edukimin me argëtimin. Ata na kujtojnë fuqinë e individit, sfidat dhe triumfet njerëzore, dhe rëndësinë e kujtesës historike. Pavarësisht nga sfidat e balancimit të faktit dhe fiksionit, ky zhanër mbetet një nga më të dashurit për audiencat që kërkojnë histori inspiruese dhe emocionuese, të bazuara në jetën e vërtetë.

     

  • Policia e Kosovës: E-mailat “ftesë/arrestim i menjëhershëm” janë të rremë

    Policia e Kosovës: E-mailat “ftesë/arrestim i menjëhershëm” janë të rremë

    Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik për qarkullimin e disa e-mailave të rremë që pretendojnë se janë dërguar nga zyrtarë të lartë të Policisë apo nga institucione ndërkombëtare të sigurisë.

    Në njoftimin zyrtar thuhet se “këto informacione, të emërtuara ‘FTESË/ARRESTIM I MENJËHERSHËM’, që kinse janë lëshuar nga stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës, Agjencia e Sigurisë Kibernetike, FBI, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik apo INTERPOL, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës”.

    Sipas PK-së, e-mailat e tillë janë “dokumente të falsifikuara, të krijuara për qëllime mashtruese dhe dezinformuese”.

    “Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, ka nisur hetime intensive për të identifikuar dhe ndjekur personat përgjegjës për këtë veprim,” thuhet në komunikatë.

    Institucioni apelon qytetarët që “të mos bien pre e mashtrimeve të tilla” dhe që çdo e-mail apo dokument të dyshimtë ta dërgojnë për verifikim në adresën zyrtare [email protected]

  • LA Lakers me Luka Doncic në krye vazhdon me fitore në NBA-Oklahoma City Thunder mposhtet nga Portland Trail Blazers

    LA Lakers me Luka Doncic në krye vazhdon me fitore në NBA-Oklahoma City Thunder mposhtet nga Portland Trail Blazers

    Janë zhvilluar ndeshje interesante në ligën më të fortë të basketbollit NBA.

    Los Angeles Lakers vazhdon me fitore,ku kësaj rradhe mposhti skuadrën e San Antonio Spurs me rezultat të ngushtë 118:116.

    Njeriu që shkëlqeu në këtë ndeshje është padyshim slloveni Luka Doncic,i cili shënoi 35 pikë,13 kërcime e 9 asistime,teksa kontribut dha dhe Deandre Ayton që realuzoi 22 pikë e dhuroi 10 kërcime.

    Ndërkohë tek Spurs Victor Ëembanyama me 19 pikë e 8 kërcime ishte ndër basketbollistët më të mirë,por nuk arriti ta mbyllte takimin pasi u përjashtua nga loja për shkak të pesë gabimeve personale.

    Në anën tjetër kampioni Oklahoma City Thunder pësoi humbje në udhëtim nga Portland Trail Blazer,dhe atë me rezultat të ngushtë 121:119.

    Shai Gilgeous Alexander me 35 pikë,9 kërcime e 4 asistime,si dhe Aaron Ëiggins me 27 pikë të tjera ishin më të mirët për Thunders ,mirëpo këto shifra ishin të pamjaftueshme për të shmangur humbjen e kampionëve.

    Te Blazers më i miri ishte Deni Avdija me 26 pikë,10 kërcime e 9 asistime,si dhe kontribut dha dhe Jrue Holiday me 22 pikë e 6 kërcime