ATV

Blog

  • Erling Haaland arrin shifrën e 54 golave në 52 ndeshje në Champions League

    Erling Haaland arrin shifrën e 54 golave në 52 ndeshje në Champions League

    Sulmuesi norvegjez Erling Haaland,po vazhdon me formë fantastike në të gjitha garat me Manchester City-in.

    Haaland me golin e shënuar kundër Borussia Dortmund arrin edhe një rekord tjetër,duke shënuar në total 54 gola në 52 ndeshje të zhvilluara në Ligën e Kampionëve gjatë karrierës.

    Përndryshe Haaland tani ka hyrë në mesin e 10 golashënuesve më të mirë të garës më prestigjioze për klube në Evropë,dhe nëse 25 vjeçari vazhdon me formë fantastike atherë mund t’i afrohet rekordit të Cristiano Ronaldos.

    Kujtojmë që në këtë sezon Erling Haaland ka realizuar 18 gola në 14 ndeshje në të gjitha garat,duke shtuar këtu edhe një asistim në 1200 minuta të luajtura.

  • Polonia do t’i stërvitë ushtarakisht rreth 400.000 njerëz në vitin 2026

    Polonia do t’i stërvitë ushtarakisht rreth 400.000 njerëz në vitin 2026

    Polonia do ta fillojë këtë muaj zbatimin e një programi të ri për stërvitje ushtarake, si pjesë e një plani më të gjerë për t’i stërvitur rreth 400.000 njerëz në vitin 2026, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes.

    E nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Polonia tani shpenzon për mbrojtjen më shumë nga prodhimi i brendshëm bruto (PBB) se çdo anëtar tjetër i NATO-s.

    Ajo tani ka ushtrinë e tretë më të madhe në aleancë, me një personel prej 216,000 vetash, dhe synon ta rrisë edhe më shumë ushtrinë në dekadën e ardhshme.

    Programi “Në Gatishmëri” do të jetë vullnetar dhe i hapur për të gjithë qytetarët, nga nxënësit e shkollave, tek të rriturit e punësuar, kompanitë dhe të moshuarit.

    Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, e ka cilësuar këtë program si “stërvitja më e madhe mbrojtëse në historinë polake”.

    Polonia ngre aeroplanët në ajër pas sulmeve intensive ruse në perëndim të Ukrainës

    Programi do të ofrojë kurs bazik për sigurinë, stërvitje për mbijetesë, udhëzime mjekësore dhe mësime për higjienën kibernetike.

    “Vetëm në nëntor dhe dhjetor (…) ne do të trajnojmë rreth 20.000 njerëz në trajnim individual, por numri i përgjithshëm…, për të gjitha format e trajnimit, është rreth 100.000 njerëz”, tha në një konferencë zëvendësministri i mbrojtjes, Cezary Tomczyk.

    Ministria synon t’i stërvitë vitin e ardhshëm afërsisht 400.000 njerëz “individualisht, në grupe, si pjesë e programit ‘Edukimi me Ushtrinë’, në trajnimin e rezervës dhe në shërbimin ushtarak të detyrueshëm dhe vullnetar”, shtoi Tomczyk, shkruan REL.

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Polonisë, Wieslaw Kukula, tha se programi ka dy synime kryesore; të forcojë qëndrueshmërinë e qytetarëve dhe komuniteteve, dhe të rrisë disponueshmërinë, gatishmërinë dhe kapacitetin e rezervave.

    Programi u bë i ditur për herë të parë nga kryeministri Donald Tusk në mars për të “ndërtuar një ushtri rezervistësh” mes shqetësimeve të shtuara të sigurisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

  • Shqyrtohet ankesa e mbrojtjes për vëllezërit Vllasaliu që u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Shqyrtohet ankesa e mbrojtjes për vëllezërit Vllasaliu që u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ankesat e mbrojtjes për Jeton dhe Nexhat Vllasaliun.

    Ata kërkojnë ndryshimin e vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

    Shkalla e parë i shpalli ata fajtorë në muajin maj. Sipas aktgjykimit, vëllezërit Vllasaliu janë përgjegjës për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të kufomave”, vepra të kryera në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit pasuror.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se planifikimi për vrasjen e Rexhepit kishte nisur në fillim të vitit 2021.

  • Vrasje e dyfishtë në Malishevë, i dyshuari kërkohet nga Policia

    Vrasje e dyfishtë në Malishevë, i dyshuari kërkohet nga Policia

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës, ku dy vëllezër, të moshave rreth 32 dhe 45 vjeç, janë qëlluar për vdekje me armë zjarri.

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari për këtë vrasje të dyfishtë është A.I., i cili sipas hetimeve paraprake, i dyshuari ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij.

    Pas një përplasjeje verbale, ai është larguar nga shtëpia, por më pas është kthyer dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve, të cilët ndodheshin para derës së shtëpisë. Njëri nga viktimat ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë gjatë transportit në spital.

    Dyshohet se konflikte të mëparshme mes familjes së të dyshuarit dhe viktimave mund të kenë kontribuar në eskalimin e situatës.

    Policia dhe Prokuroria janë në vendngjarje dhe po kryejnë hetime të mëtejshme, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim. Veprime operative janë duke u zhvilluar për kapjen e tij.

  • Ndue Pergjokaj merr drejtimin e KF Dukagjinit

    Ndue Pergjokaj merr drejtimin e KF Dukagjinit

    Pas largimit të kryetrajnerit, Ismet Munishi, KF Dukagjini ka njoftuar se tashmë Ndue Pergjokaj ka marr drejtimin e ekipit të parë.

    Njoftimi i plotë i klubit:

    “Pergjokaj ka qenë pjesë e stafit teknik të klubit gjatë kësaj periudhe, ku ka treguar profesionalizëm, përkushtim dhe njohje të mirë me grupin dhe mënyrën e punës në klubin tonë.

    Ne i urojmë trajnerit Pergjokaj shumë suksese në detyrën e re, me besimin se do të vazhdojë punën me përkushtim dhe do të kontribuojë në arritjen e objektivave të klubit.”

    KF Dukagjini në dymbëdhjetë xhirot e këtij sezoni, ndodhet në vendin e katërt në tabelë me 17 pikë – 9 pikë larg vendit të parë. /ATVLIVE.TV

  • Eric Garcia thyen hundën – Barcelona konfirmon lëndimin

    Eric Garcia thyen hundën – Barcelona konfirmon lëndimin

    Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Garcia, ka pësuar një thyerje të hundës, ka bërë të ditur klubi katalanas përmes një komunikate zyrtare.

    Lëndimi ndodhi gjatë ndeshjes së fundit të Barcelonës në kuadër të Ligës së Kampionëve ku barazoi 3-3 me Club Brugge, derisa Garcia u detyrua të largohej pas një përplasjeje të fortë. Sipas raportimeve nga “Blaugrana”, futbollisti spanjoll do t’i nënshtrohet trajtimit mjekësor në ditët në vijim, ndërsa pritet të mungojë për disa ndeshje.

    Edhe pse nuk është bërë ende e ditur nëse do t’i nënshtrohet ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale, stafi mjekësor i Barcelonës po e monitoron nga afër gjendjen e tij.

    Garcia ka qenë një nga mbrojtësit e rëndësishëm të rotacionit të trajnerit Hansi Flick, dhe mungesa e tij pritet të sjellë ndryshime në mbrojtjen e ekipit në ndeshjet e ardhshme të La Ligës dhe Ligës së Kampionëve.

  • Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Kurti: Uron VLEN për fitoret

    Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Kurti: Uron VLEN për fitoret

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar koalicionin VLEN për fitoret në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

    Ai theksoi se ky sukses konfirmon vullnetin për ndryshim dhe se gjatë qeverisjes së VLEN, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë thelluar raportet fqinjësore si kurrë më parë.

    Përmes një postimi në facebook, Kurti theksoi se gjatë 15 muajve në pushtet, VLEN ka qeverisur “me duar të pastra, pa korrupsion e skandale”, duke sjellë dallim etik nga qeverisjet e kaluara.

    Kjo frymë ndryshimi, shtoi ai, ka sjellë bashkëpunim konkret, përfshirë takimin e dy qeverive dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit. Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës i mirëpret këto zhvillime demokratike si dëshmi të perspektivës evropiane të aleatit fqinj.

  • Një peisazh si pikturë, liqeni i Vaselivës dhe “ishujt” që po bëhen simbol i Drenicës

    Një peisazh si pikturë, liqeni i Vaselivës dhe “ishujt” që po bëhen simbol i Drenicës

    Uji i qetë, ajri i pastër dhe drita që reflekton mbi sipërfaqen e tij e bëjnë këtë vend të duket si një pikturë e gjallë e natyrës.

    Ai ka një sipërfaqe rreth 3 hektarë, me thellësi deri në 6 metra dhe njihet për dy “ishujt” e tij të vegjël që e bëjnë pamjen të duket si një peizazh nga një vend tropikal.

    Ky është liqeni i Vasilevës, një nga bukuritë më të veçanta të Drenicës, që çdo ditë po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë dhe dashamirë të fotografisë.

    Një prej tyre është Meti Shala, fotograf i pasionuar pas natyrës, i cili ka realizuar një foto mbresëlënëse në këtë liqen, një pamje që mori shumë komente pozitive dhe vlerësime nga publiku.

    Pranë liqenit takuam edhe Ilmi Pirën nga komuna e Vitisë, që shpesh vjen këtu për peshkim.

    Kronikën e plotë nga ATV mund ta shihni duke klikuar në linkun më poshtë:

     

  • Lionel Messi mund të huazohet për një kohë të shkurtër tek Galatasaray

    Lionel Messi mund të huazohet për një kohë të shkurtër tek Galatasaray

    Ylli argjentinas Lionel Messi,mund të rikthehet në elitën e futbollit evropian.

    Sipas raportimeve të mediave gjiganti turk Galatasaray po synon që të huazojë Messin për një kohë të shkurtër,dhe drejtuesit e kampionit të Superligës Turke do të bëjnë të pamundurën për ta sjellur 8 herë fituesin e “Topit të Artë” në Stamboll.

    Përndryshe drejtuesit e Galatas janë duke monitoruar situatën e Messit tek Inter Miami,kjo pasi kontrata me skuadrën nga MLS skadon në fund të vitit dhe nëse argjentinasi largohet nga SHBA-ja atëherë mund ta shohim një rikthim të Lionel Messit në Ligën e Kampionëve,dhe poashtu Messi dëshiron të luaj në Kupën e Botës me Argjentinën dhe transferimi tek Galatasaray do të ishte e duhura për të.

    Kujtojmë që Galatasaray në afatin kalimtar veror ka transferuar yje të shumtë si:Victor Osimhen,Leroy Sane dhe Ilkay Gundogan,ndërkohë në Chmapions së fundmi mposhtën në udhëtim Ajaxin me rezultat 3:0 dhe pas 4 ndeshjeve grumbulluan 9 pikë.

  • Aktorja shqiptare Melisa Leka shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring”

    Aktorja shqiptare Melisa Leka shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring”

    Aktorja shqiptare Melisa Leka, me origjinë nga Malësia e Madhe dhe e lindur në Toronto të Kanadasë, po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare me rolin e saj në sezonin e gjashtë të serialit të njohur “Dark Side of the Ring”. Ky është një ndër produksionet më të ndjekura të Vice Productions, që eksploron ngjarjet dhe personazhet më tërheqëse të botës së mundjes profesionale.

    Për Melisën, ky rol përfaqëson një hap të madh përpara në karrierën e saj artistike dhe një dëshmi të qartë të talentit, përkushtimit dhe këmbënguljes që e kanë ndihmuar të gjejë sukses në një treg të konkurrueshëm si ai kanadez.

    Por suksesi i saj nuk ndalet vetëm në ekran. Melisa është gjithashtu një zë aktiv në komunitetin shqiptar të Kanadasë. Ajo merr pjesë në Grupin e Valleve “Fluturimi i Shqipes”, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare përmes artit e traditës, dhe duke mbajtur gjallë shpirtin e vendlindjes së prindërve të saj.

    Me pasionin dhe energjinë që e dallojnë, Melisa Leka po bëhet një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë në diasporë një dëshmi se talenti dhe puna e palodhur mund të të çojnë drejt suksesit, pavarësisht se ku ndodhesh në botë.