ATV

Blog

  • Hill për Demaçin: Ishte i rreptë, kishte opinione të egra ndaj Serbisë

    Hill për Demaçin: Ishte i rreptë, kishte opinione të egra ndaj Serbisë

    Ish-ambasadori, Christopher Hill tha se Adem Demaçi ishte gjithmonë shumë i rreptë dhe strikt për çdo temë.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Hill shtoi se i ndjeri, asokohe kishte një lloj mllefi pasi kishte qenë i burgosur, dhe sipas tij, dihej dhe njihej si një person me opinione të egra ndaj Serbisë.

    “Jo vetëm në Kosovë, por edhe pjesa tjetër e Jugosllavisë e dinte këtë. Nuk ishte person me të cilin mund të bashkëpunoje. Nuk ishte person që mund të punoje me një dokument, kishte opinione të forta lidhur me disa rrethana në jetë, dhe shumë mirë që i kishte ato, por në aspektin e bashkëpunimit, nuk ishim të interesuar ta promovonim”, deklaroi Hill.

     

    Christopher Hill: Pavarësia ishte slogan, vështirë të gjendej ndonjë shqiptar që thoshte dua autonomi

     

    Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se shqiptarët e Kosovës çështjen e pavarësisë e kishin slogan. Ai tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duan thjesht autonomi.

    “Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Dëshmitari tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.

    “Personat shprehnin dhe thonin se unë e mbështes se Kosova do të jetë në Republikë. Pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thoshin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia”, tha ai.

    Hill theksoi se duke e pasur parasysh këtë, edhe filluan që të kërkojnë pika kontakti.

    “Duke pasur këtë parasysh, ne filluam të kërkonim pika kontakti që ishin të besueshëm dhe vërtetë që mund të flisnin në emër të UÇK-së”, u shpreh ai.

    Hill tha për Adem Demaçin se ka pasur kontakt me atë sepse ishte një person me ndikim. Por, sipas tij, ai më shumë fliste për veten sesa për UÇK-në

    “Unë kam shpenzuar kohë me zotin Demaçi sepse ishte një person që kishte ndikim. Nuk besoj që ai fliste për UÇK-në, por fliste më shumë për veten”, deklaroi Hill.

  • U largua nga kombëtarja e Spanjës, Lamine Yamal zëvendësohet nga Jorge de Frutos

    U largua nga kombëtarja e Spanjës, Lamine Yamal zëvendësohet nga Jorge de Frutos

    Lamine Yamal ka mbërritur dje në Barcelonë pas përjashtimit të tij nga kombëtarja e Spanjës, një vendim që ka shkaktuar jehonë në mediat ndërkombëtare.

    Përjashtimi erdhi pas disa mosmarrëveshjeve mes Barcelonës dhe përfaqësueses spanjolle, duke përfshirë shqetësimet e lojtarit gjatë muajit të kaluar. Yamal do të pushojë në qytetin katalanas dhe do të përpiqet të rikthehet në formën më të mirë për ndeshjet e ardhshme me Barcelonën.

    Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka thirrur Jorge de Frutos në vend të 18-vjeçarit për ndeshjet që mbeten në nëntor.

    Spanja do të përballet me Gjeorgjinë dhe Turqinë në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026, më 15 dhe 18 nëntor. /ATVLIVE.TV

  • “Kam një vrimë në hund, shkak abuzimi me droga” – Deklaratë nga Paris Jackson, vajza e legjendës Michael Jackson

    “Kam një vrimë në hund, shkak abuzimi me droga” – Deklaratë nga Paris Jackson, vajza e legjendës Michael Jackson

    Aktorja, këngëtarja dhe modelja 27-vjeçare Paris Jackson, vajza e legjendës së popit Michael Jackson, ka bërë së fundi një rrëfim të hapur dhe të sinqertë për pasojat që i ka lënë përdorimi i drogave në të kaluarën. Në një video të publikuar të hënën, më 10 nëntor 2025, në platformën TikTok, ajo zbuloi se është përballur me një septum të dëmtuar, një vrimë në murin ndarës të dy hapsirave të hundës, të cilën ja atribuon përdorimit të drogës.

    “Kam një vrimë që këndon kur marr frymë nga hunda,” tha Jackson në video, ndërsa ndriçonte ambientin me celularin për të treguar vrimën. “Kjo është për shkak të asaj që mendoni se është”, shtoi ajo para se të drejtohej me pak shaka dhe seriozitet drejt kamerës: “Mos merrni droga, fëmijë.”

    Jackson nuk ndaloi vetëm në aspektin fizik, ajo u përball me dimensionin e dytë: varësinë dhe rimëkëmbjen. Ajo pranoi se përdorimi i drogës i shkatërroi jetën.  Momenti përkon me afro gjashtë vjet larg alkoolit dhe substancave të tjera të abuzuara, një përpjekje për të rindërtuar vetveten përtej periudhës së errët.

    Ajo ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të kryejë operacion për të korrigjuar septumin e dëmtuar. Arsyeja? Ajo nuk dëshiron të rrezikojë procesin e ndërgjegjshëm të rikuperimit të saj. “Jam pothuajse gjashtë vjet e pastër, dhe ky operacion ka shumë pilula… nuk dua të përfshihem në to”, shpjegoi Jackson.

    Për Jacksonin, zbulimi nuk është vetëm vetë-rrëfim, por edhe thirrje për ndërgjegjësim: përdorimi i substancave nuk lë vetëm plagë emocionale apo morale, ndonjëherë lë “vrima” që shihen. Në fjalimin e saj, ajo e përshkroi sobritetin, gjendjen kur nuk konsumon më, si një aksident automjeti që detyroi gjithçka të shtyhej përpara. “Unë jo vetëm se e mora jetën prapa… unë mora një më të mirë,” tha ajo.

    Ky rrëfim vjen në një moment të rëndësishëm për Jacksonin, e cila më 11 tetor mori “Shining Star Award” nga organizata “Friendly House”, që ndihmon gratë në përpjekje për rimëkëmbje nga trauma dhe varësia.

    Në fund të ditës, Jackson na kujton diçka të rëndësishme: se pasojat e drogës nuk janë vetëm çështje private, ato janë të dukshme, të prekshme, të vazhdueshme. Dhe distancimi prej tyre kërkon më shumë se vetëm përpjekje individuale: kërkon ndërgjegjësim, përgjegjësi dhe, për shumë, një rrugë të vetë-shpëtimit.

  • Drita ngjitet në renditjen e UEFA-së, kalon Ballkanin pas sukseseve në Conference League

    Drita ngjitet në renditjen e UEFA-së, kalon Ballkanin pas sukseseve në Conference League

    Kampioni i Kosovës, Drita, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm, këtë herë në ranglistën e UEFA-së, pas paraqitjeve mbresëlënëse në UEFA Conference League.

    Klubi gjilanas u bë ekipi i parë kosovar që arrin kuotën e pesë pikëve në fazën e grupeve të një gare evropiane, rezultat që ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e tij në renditjen kontinentale.

    Falë këtij progresi, Drita ka kaluar rivalin e saj të drejtpërdrejtë, Ballkanin, duke u pozicionuar tani në vendin e 151-të në klasifikimin e klubeve të UEFA-së.

    Nga ana tjetër, Ballkani i Suharekës mban pozitën e 160-të, duke qenë i dyti ndër klubet kosovare.

    Në vazhdim të listës, Prishtina renditet në pozitën e 336-të, ndërsa Llapi në 341-tën.

    Në pjesën e poshtme të renditjes ndodhen Malisheva (367), Dukagjini (368) dhe Gjilani (369).

    Ky sukses i ‘Intelektualëve’ është një tjetër dëshmi e rritjes së futbollit kosovar në arenën evropiane, si në aspektin sportiv ashtu edhe në koeficientet e UEFA-së. /ATVLIVE.TV

  • Courtois rikthehet në Madrid pas lëndimit, mungon në ndeshjet e Belgjikës

    Courtois rikthehet në Madrid pas lëndimit, mungon në ndeshjet e Belgjikës

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, është larguar nga grumbullimi i kombëtares belge dhe është kthyer në Madrid për të vazhduar trajtimin pas një lëndimi muskulor.

    Federata e Futbollit të Belgjikës njoftoi të martën se Courtois iu nënshtrua disa testeve mjekësore nën mbikëqyrjen e stafit të saj, të cilat konfirmuan dëmtimin e pësuar fundjavën e kaluar.

    Në komunikatën zyrtare të kombëtares thuhej:

    “Thibaut Courtois iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë pasdite nga stafi mjekësor i RBFA. Ai nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare dhe do të kthehet në klubin e tij për trajtim të mëtejshëm.”

    Lëndimi ndodhi gjatë barazimit 0–0 të Real Madridit kundër Rayo Vallecanos, dhe sipas raportit të klubit madrilen, portieri belg ka pësuar dëmtim në muskujt e gjatë të kofshës së djathtë.

    Edhe pse Real Madridi kishte kryer ekzaminimet fillestare, stafi mjekësor belg kërkoi analiza shtesë, të cilat konfirmuan të njëjtin rezultat.

    Synimi është që 33 vjeçari të rikuperohet plotësisht dhe të jetë gati në ndeshjen e La Ligës kundër Elches, më 23 nëntor. /ATVLIVE.TV

  • Udhëtim rekord: klubi francez përshkon 36 mijë kilometra për ndeshjen në Kupën e Francës

    Udhëtim rekord: klubi francez përshkon 36 mijë kilometra për ndeshjen në Kupën e Francës

    Të premten nis raundi i shtatë i Kupës së Francës në futboll, ku marrin pjesë 128 ekipe, ndërsa një klub ka ndërmarrë një udhëtim të jashtëzakonshëm për të zhvilluar ndeshjen e tij.

    FC Mulhouse, që garon në ligën e pestë franceze, është nisur mbrëmë në një rrugëtim prej 36,000 kilometrash drejt Kaledonisë së Re, ku do të përballet me AS Magenta.

    Kjo distancë e pazakontë ndodh për shkak se Kupa e Francës përfshin ekipe nga të gjitha territoret franceze përtej detit, duke u zhvilluar në katër kontinente.

    Në këtë garë marrin pjesë edhe klube nga:

    • Oqeania (Kaledonia e Re, Polinezia Franceze),

    • Afrika (Reunioni, Majota),

    • Amerika Qendrore dhe Jugore (Guiana Franceze, Guadalupa, Martinika, Shën Martini, Shën Bartolomeu, Shën Pjetri dhe Mikeloni).

    Në këtë raund, përveç Magentës, do të luajnë edhe Bandrele FC nga Majota, që do të përballet me Montreuil, si dhe AS Pirae nga Tahiti, që do të udhëtojë drejt Francës për t’u përballur me Carnoux.

    Duke marrë parasysh koston e madhe të udhëtimeve, Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka marrë përsipër të financojë plotësisht shpenzimet e klubeve nga ligat e ulëta dhe territoret jashtë Francës.

    Kur në garë të përfshihen edhe klubet e Ligue 1 në muajin dhjetor, ekipet nga territoret përtej detit që do të kenë avancuar do të udhëtojnë për në Francë — me shpenzimet sërish të mbuluara nga FFF.

    Derisa kjo është një garë unike në botë për shtrirjen e saj gjeografike, asnjë klub nga jashtë Evropës nuk ka arritur ndonjëherë të kalojë raundin e 1/16-ës së Kupës së Francës. /ATVLIVE.TV

  • Sara Hoxha flet për bashkë-prindërimin me Ledri Vulën: Nuk është gjithmonë e lehtë, por…

    Sara Hoxha flet për bashkë-prindërimin me Ledri Vulën: Nuk është gjithmonë e lehtë, por…

    Blogerja e njohur shqiptare, Sara Hoxha, ka ndarë së fundmi detaje të sinqerta rreth marrëdhënies së saj të bashkë-prindërimit me reperin Ledri Vula.

    Edhe pse çifti jeton në qytete të ndryshme – Sara në Tiranë dhe Ledri në Prishtinë – ata arrijnë ta menaxhojnë me sukses kujdesin për vajzën e tyre, Poem Blu.

    Gjatë një sesioni pyetjesh në Instagram, një ndjekës e pyeti Sarën se si ia del të përballojë sfidën e bashkë-prindërimit në distancë.

    Ajo u përgjigj me sinqeritet: “Nuk është gjithmonë e lehtë, por me kohë mëson si ta bësh të funksionojë. Komunikimi dhe respekti janë gjithçka. Në fund të ditës, ajo që ka më shumë rëndësi është t’i bësh fëmijët të ndihen të dashur dhe të sigurt, pavarësisht distancës.”

    Me këtë mesazh, Sara Hoxha tregoi pjekuri dhe mirëkuptim, duke theksuar rëndësinë e dashurisë prindërore dhe stabilitetit emocional të vajzës së tyre, pavarësisht ndryshimeve gjeografike.

  • “Air Albania” plot! Të gjitha biletat për ndeshjen Shqipëri – Angli janë shitur

    “Air Albania” plot! Të gjitha biletat për ndeshjen Shqipëri – Angli janë shitur

    Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se të gjitha biletat për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Anglisë janë shitur, duke dëshmuar interesimin e jashtëzakonshëm të tifozëve kuqezi për këtë përballje të madhe.

    Në njoftimin e saj, FSHF theksoi se interesimi ishte i menjëhershëm dhe biletat u shitën në një kohë të shkurtër, ndërsa atmosfera pritet të jetë elektrizuese në stadiumin “Air Albania”.

    Ende mbetet për t’u parë nëse kjo ndeshje do të kthehet në një festë për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë në fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026.

    Kujtojmë se takimi Shqipëri – Angli do të zhvillohet këtë të diel, më 12 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 18:00. /ATVLIVE.TV

  • Vrasja e Gilmando Danit, grupi hetimor rikthehet në vendngjarje për prova të reja

    Vrasja e Gilmando Danit, grupi hetimor rikthehet në vendngjarje për prova të reja

    Grupi hetimor është rikthyer këtë të mërkurë tek rreth rrotullimi i Rinasit për të mbledhur prova të reja lidhur me vrasjen e Gilmando Danit. Policia ka fotografuar shenjat që lanë pas plumbat që u qëlluan në drejtim të viktimës dhe Muçi Shaljani Sheqeri i cili mbeti i plagosur.

    Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit u ekzekutua në një atentat mafioz pasditen e së martës. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 menjëherë pasi viktima dhe i plagosuri mbërritën nga Barcelona ku ishin larguar në datën 7 nëntor.

    Në momentin kur janë nisur drejt Tiranës me automjetin tip Benz me targa AB 099UO, autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash. Policia dhe ekspertët kriminalistë qëndruan në vendngjarje për më shumë se 5 orë për të kryer hetimet e nevojshme.

    Në vendin e atentatit janë gjetur mbi 50 gëzhoje arme kallashnikov, të cilat janë zbrazur me breshëri nga të paktën 3 armë. Rreth 40 minuta pas atentatit policia gjeti të djegur automjetin e autorëve në fshatin Halil të Fushë-Krujës dhe brenda tij 4 armë; 3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë që dyshohet janë përdorur në ekzekutimin e Danit.

  • “Kosova është në nivel të lartë” – Xhaka reagon pas largimit të Avdullahut dhe Hajdarit

    “Kosova është në nivel të lartë” – Xhaka reagon pas largimit të Avdullahut dhe Hajdarit

    Kapiteni i përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, ka komentuar zgjedhjen e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit për të përfaqësuar Kosovën, pas largimit të tyre nga kombëtarja zvicerane.

    Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Xhaka u shpreh se të dy lojtarët nuk patën durimin e nevojshëm për të pritur mundësinë e tyre me Zvicrën.

    “Lojtarët me cilësitë e tyre sigurisht që nuk do të doje t’i humbje. Por duke parë nivelin aktual të ekipit tonë, nuk mendoj se do të kishin arritur një vend titullari brenda tre apo katër vitesh. Ardon Jashari është me ne tash e tre vjet dhe ka vetëm katër paraqitje,” tha Xhaka.

    Kapiteni shtoi se nuk e sheh Leon Avdullahun më të mirë se Ardon Jasharin:

    “A është Leon më i mirë se Ardon Jashari? Nuk mendoj kështu. Është një djalë i mirë, luan rregullisht te Hoffenheim, por ndoshta i mungoi pak durimi,” theksoi ai.

    Megjithatë, Xhaka e vlerësoi zgjedhjen e tyre për t’iu bashkuar Kosovës:

    “Vendimi i tyre është i respektueshëm. Përfaqësuesja e Kosovës tashmë është në një nivel shumë të lartë,” tha ai.

    Sa i përket mundësisë që Zvicra të përballet me Kosovën në një ndeshje vendimtare në Prishtinë, Xhaka u shpreh se gjithçka varet nga paraqitja kundër Suedisë:

    “Nëse bëjmë punën tonë ndaj Suedisë, ndoshta nuk do të vijë deri aty. Por nëse ndodh, do ta pranojmë situatën. Nuk do të ishte hera e parë që luajmë atje,” përfundoi kapiteni i Zvicrës. /ATVLIVE.TV