ATV

Blog

  • Presidentja Osmani pret në takim kryetarin e TİKA-s, theksohet rëndësia e vazhdimit të mbështetjes

    Presidentja Osmani pret në takim kryetarin e TİKA-s, theksohet rëndësia e vazhdimit të mbështetjes

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore.

    “Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

    Gjithashtu, bëhet e ditur se Osmani e ka vlerësuar Turqinë si mike e Kosovës.

    “Në këtë kontekst, Presidentja Osmani e vlerësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës, një shtet që ka qëndruar pranë popullit tonë në çdo fazë, nga periudha pas luftës e deri më sot. Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta”, thuhet më tej në komunikatë.

    Gjatë takimit bëhet e ditur sePresidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.

    Në përmbyllje, Presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje.

  • 7 persona në Angli hetohen për shfrytëzim seksual të 11 adoleshentëve, akuzohen për mbi 40 vepra penale

    7 persona në Angli hetohen për shfrytëzim seksual të 11 adoleshentëve, akuzohen për mbi 40 vepra penale

    Shtatë burra akuzohen për mbi 40 vepra penale ndërsa policia heton shfrytëzimin seksual të fëmijëve në Bristol

    Shtatë burra janë akuzuar për më shumë se 40 vepra penale që lidhen me 11 adoleshentë, si pjesë e një hetimi mbi shfrytëzimin seksual të të miturve në qytetin e Bristolit, raporton Sky News.

    Policia tha se veprat e dyshuara kanë ndodhur midis viteve 2022 dhe 2025, kur viktimat ishin në moshën e adoleshencës së mesme deri në fundin e saj.

    Të dyshuarit u arrestuan në prill të vitit 2024 dhe më pas u lanë të lirë me kusht, ndërsa vazhdoi mbledhja e provave. Ata pritet të paraqiten sot paradite në gjykatë.

    Hetimet nisën pasi në nëntor të vitit 2023 u ngritën shqetësime në lidhje me shfrytëzimin seksual të një vajze adoleshente.

    Ky zhvillim vjen ndërkohë që hetimi i qeverisë për grupet e abuzuesve seksualë ende nuk ka gjetur një drejtues që të pranohet nga të mbijetuarit.

  • Rrezik i madh nga Wi-Fi falas, Google jep alarmin për miliarda përdorues

    Rrezik i madh nga Wi-Fi falas, Google jep alarmin për miliarda përdorues

    Google ka lëshuar një paralajmërim urgjent për miliarda përdorues të telefonave inteligjentë në mbarë botën, duke i bërë thirrje që të tregohen jashtëzakonisht të kujdesshëm me rrjetet publike Wi-Fi.

    Sipas kompanisë, lidhja me internet falas në kafene, aeroporte apo vende të tjera publike mund të rezultojë fatale për të dhënat personale dhe financiare të përdoruesve.

    “Këto rrjete shpesh janë të paenkriptuara dhe lehtësisht të shfrytëzueshme nga sulmuesit kibernetikë,” thuhet në paralajmërimin e Google, sipas mediave të huaja.

    Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë ngritur alarmin prej kohësh: kriminelët mund të përdorin rrjetet publike për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit apo llogaritë bankare të qytetarëve.

    Google rekomandon që përdoruesit të shmangin lidhjen me rrjete publike Wi-Fi sa herë që është e mundur dhe të monitorojnë rregullisht llogaritë bankare dhe raportet e kredive.

    Kompania thekson gjithashtu se pajisjet Android mund të zbulojnë dhe paralajmërojnë për tentativa mashtrimi, ndaj përdoruesit duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë çdo njoftimi të sigurisë që u shfaqet në ekran.

  • Rusia e gatshme të rifillojë bisedimet me Ukrainën në Stamboll

    Rusia e gatshme të rifillojë bisedimet me Ukrainën në Stamboll

    Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet e paqes me Ukrainën në Stamboll, ka bërë të ditur të mërkurën një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Moskë, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

    Asnjë takim sy më sy nuk është zhvilluar mes dy palëve që nga ai i mbajtur më 23 korrik në qytetin turk. Agjencia TASS e ka cituar zyrtarin Alexei Polishchuk, i cili tha se zyrtarët turq kanë bërë thirrje të përsëritura për vazhdimin e bisedimeve të paqes, transmeton “Reuters”.

    “Ekipi rus është gati për këtë, topi është në fushën e Ukrainës,” tha Polishchuk.

    Ukraina e mohon akuzën e Rusisë se Kievi ka faj për ngecjen e procesit të paqes, ndërkohë që lufta po i afrohet katërvjetorit të saj.

    Në takimin e 23 korrikut, i cili kishte zgjatur vetëm 40 minuta, pala ukrainase kishte propozuar që të mbahej një takim tjetër në gusht mes dy presidentëve, Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin.

    Kremlini më pas kishte deklaruar se Putini ishte i gatshëm të takohej me Zelenskyn, por vetëm në Moskë – një kusht që u refuzua nga Ukraina.

  • Parashqevi Simaku rrezikon të mbetet sërish në rrugë, Elton Ilirjani kërkon ndihmë

    Parashqevi Simaku rrezikon të mbetet sërish në rrugë, Elton Ilirjani kërkon ndihmë

    Elton Ilirjani ka ngritur shqetësimin për gjendjen e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, duke paralajmëruar se ajo mund të përballet sërish me pasiguri dhe mungesë strehimi nëse nuk ndërhyhet urgjentisht.

    Sipas Ilirjanit, situata e artistes nuk ka pësuar asnjë përmirësim gjatë 11 muajve të fundit, ndërsa ajo nuk po merr trajtimin dhe mbështetjen e nevojshme për të përballuar sfidat shëndetësore dhe sociale.

    “Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet aty ku ishte, e pastrehë! Situata e saj është shumë e vështirë. Nuk ka marrë asnjë përmirësim, nuk merr trajtim mjekësor, doli nga spitali dhe nuk është mirë. Një person që rri gjithë ditën në shtëpi humbet motivimin,” deklaroi Ilirjani, duke shtuar se ndihmat e rastësishme nuk janë të mjaftueshme.

    Ai i bëri thirrje shtetit shqiptar për ndërhyrje institucionale dhe mbështetje konkrete për artisten, e cila sipas tij ka nevojë për ndihmë reale dhe të qëndrueshme.

    “Ajo ka nevojë për mbështetje që i mundëson të bëjë letrat, të marrë ID-në amerikane dhe shqiptare, si dhe trajtim mjekësor. Ndihma e shtetit është jetike në këtë rast,” shtoi Ilirjani.

    Ai përmendi gjithashtu ndihmën e deritanishme të disa individëve, përfshirë Kadri Morinën, i cili ka mbuluar shpenzimet e saj deri në janar. Por pa ndërhyrje të mëtejshme, paralajmëroi Ilirjani, Simaku rrezikon të përballet sërish me të njëjtat probleme të strehimit si më parë.

  • Verifikohen 65% e votave, këto janë rezultatet aktuale mes Tahirit dhe Pecit

    Verifikohen 65% e votave, këto janë rezultatet aktuale mes Tahirit dhe Pecit

    Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë së Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë mes Faton Pecit të VV-së dhe Arian Tahirit të PDK-së.

    Deri më tani janë procesuar 69 vendvotime, që kanë rezultuar me këto të dhëna: Peci (51,27%) dhe Tahiri (48,73%)

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka urdhëruar të martën Komisionin Komunal Zgjedhor ta rifillojë numërimin e votave të balotazhit të 9 nëntorit në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut, që u ndërpre pas raportimeve për manipulime.

    Prokurori që do ta hetojë rastin e dyshimeve të ngritura është ndërruar, ndërsa po vazhdojnë polemikat mes akterëve të dy partive për garën në Mitrovicë.

  • Superliga e Kosovës në hendboll të femrave sjell xhiron e tetë, të enjten dy ndeshje

    Superliga e Kosovës në hendboll të femrave sjell xhiron e tetë, të enjten dy ndeshje

    Të enjten do të luhen dy ndeshje të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

    Nga ora 18:30 zhvillohet ndeshja mes Kastriotit dhe Besës, në palestrën ‘Bill Clinton’ në Ferizaj.

    Kastrioti e Besa janë ende pa pikë dhe të paktën njëra prej këtyre ekipeve do t’i ketë pikët e para.

    Ndërkohë derbi i xhiros mes Samadrexhës dhe Ferizajt, fillon në ora 20:00. Kjo ndeshje luhet në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.

    Samadrexha është lidere me 12 pikë. I ka fituar gjashtë ndeshjet e deritashme, ndërsa synon fitore tjetër.

    Ndërkohë Ferizaj është në vendin e katërt me tetë pikë. Ka katër fitore e një humbje.

    Ndeshjet mes Shqiponjës e Prishtinës si dhe Istogut e Terezës do të zhvillohen më 19 nëntor.

    Në mesjavë luhen edhe disa ndeshje të mbetura. Vëllaznimi – Rahoveci luhet të mërkurën nga ora 19:30 në Rahovec. Kjo ndeshje i takon xhiros së katërt të Superligës së hendbollistëve.

    Të enjten prej orës 20:00 është ndeshja mes Llapit e Prishtinës, që po ashtu i takon xhiros së katërt të Superligës së hendbollistëve. /ATVLIVE.TV

  • Presion i madh për Slloveninë përballë Kosovës në Lubjanë

    Presion i madh për Slloveninë përballë Kosovës në Lubjanë

    Sllovenia ndodhet nën presion të madh para ndeshjes me Kosovën, e cila zhvillohet në kuadër të xhiros së parafundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    Djelmoshat tanë synojnë të marrin pikë në stadiumin Stozhice të Lubjanës, një rezultat që praktikisht do t’i sigurojë pozitën e dytë në grup.

    Sipas mediave sllovene, Rtvslo, Sllovenia duhet të mposhtë Kosovën në shtëpi për të mbajtur gjallë shpresat e saj për kualifikim përmes play-off-it. Deri tani, skuadra ka shënuar vetëm dy gola në katër ndeshje dhe ka tre pikë.

    Sllovenët do të jenë pa Benjamin Šeško, i cili është dëmtuar në gju gjatë ndeshjes Tottenham – Manchester United dhe nuk do të luajë ndaj Kosovës. Po ashtu, Adam Gnezda Čerin, motori i ekipit, mungon për shkak të kartonëve të verdhë.

    Në renditjen e Grupit B, Zvicra kryeson me 10 pikë, ndjekur nga Kosova me 7 pikë, Sllovenia me 3 dhe Suedia me 1 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Turqia konfirmon vdekjen e 20 ushtarëve pas rrëzimit të avionit në Gjeorgji

    Turqia konfirmon vdekjen e 20 ushtarëve pas rrëzimit të avionit në Gjeorgji

    Ministri i mbrojtjes i Turqisë njoftoi të mërkurën se të gjithë 20 personat në bordin e një aeroplani ushtarak mallrash që u rrëzua në Gjeorgji humbën jetën.

    Avioni C-130 ishte nisur nga Ganja, Azerbajxhan dhe po kthehej në Turqi kur u rrëzua të martën në Sighnaghi të Gjeorgjisë, pranë kufirit me Azerbajxhanin.

    Shkaku i rrëzimit po hetohet.

    Një ekip turk për hetimin e aksidenteve arriti në vendin e rrëzimit herët të mërkurën dhe po inspektonte rrënojat e aeroplanit, në koordinim me autoritetet gjeorgjiane, tha Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

    Rrënojat ishin të shpërndara në një fushë që përfshin tokë bujqësore dhe është e rrethuar nga kodra, raportoi transmetuesi privat turk NTV nga vendi i ngjarjes. Mbeturinat e avionit ishin të shpërndara në vende të shumta, tha raporti.

    “Bashkëluftëtarët tanë heroikë u martirizuan më 11 nëntor 2025, kur avioni ynë ushtarak i mallrave C-130, i cili ishte nisur nga Azerbajxhani në rrugën drejt vendit tonë, u rrëzua pranë kufirit Gjeorgji-Azerbajxhan”, tha ministri i Mbrojtjes Yasar Guler në një mesazh të postuar në X, së bashku me fotografi të personelit ushtarak që humbën jetën, raporton Associated Press.

    Të martën, Agjencia shtetërore turke Anadolu citoi autoritetin e aviacionit gjeorgjian të thoshte se kontakti me avionin u humb disa minuta pasi ai kishte hyrë në hapësirën ajrore të Gjeorgjisë. Aeroplani nuk kishte lëshuar sinjal rreziku, tha ajo.

  • Mozzik dhe Lotina, dashuri mes thjeshtësisë dhe traditës shqiptare: “Zoti ju dhashtë bereqet”

    Mozzik dhe Lotina, dashuri mes thjeshtësisë dhe traditës shqiptare: “Zoti ju dhashtë bereqet”

    Reperi i njohur Mozzik ka ndarë me ndjekësit e tij një moment plot ngrohtësi dhe dashuri familjare, duke treguar anën e tij më të qetë dhe më të ndjeshme. Në një postim në Instagram, ai dhe partnerja e tij, Lotina Haziri, shfaqen përpara një darke të shtruar me ushqime tradicionale shqiptare – një skenë e mbushur me dashuri, qetësi dhe vlera të rrënjosura familjare.

    Në mbishkrimin që shoqëron foton, Mozzik ka zgjedhur të ndajë një mesazh të thjeshtë, por me shumë kuptim:
    “Që nga dita kur mësova të flas, të kuptoj e të njoh kuptimin e fjalëve që m’i mësoi nana ime, ndër më të bukurat ka qenë dhe mbetet: ‘Zoti ju dhashtë bereqet’.”