ATV

Blog

  • Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve është sistematik dhe i organizuar

    Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve është sistematik dhe i organizuar

    Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë, nga Lugina e Preshevës, ka thënë se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është i rastësishëm dhe as procedural, por sistematik dhe i organizuar.

    Një reagim i tij përmes rrjetit social ‘Facebook’ vjen si rrjedhojë e deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, Besnik Bislimi, lidhur me bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke shtuar se kjo vetëm sa e konfirmon publikisht atë që Kamberi prej vitesh e ka denoncuar në Kuvendin e Serbisë.

    “Fakti që 3,650 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë tashmë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pagesa përkatëse është refuzuar tri herë me një kod pa arsye të specifikuar, tregon më së miri shkallën e arbitraritetit administrativ me të cilin shqiptarët trajtohen në këtë shtet. Ky nuk është gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë e pengesave e pamë edhe me anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore, edhe me vonesat e vazhdueshme për funksionimin e institucioneve tona përfaqësuese”, ka shkruar Kamberi.

    Sipas tij, njoftimi i sotëm i Bislimit ka rëndësi të madhe politike, sepse, shtoi Kamberi, çështja e mjeteve zhvendoset nga plani teknik në planin ndërkombëtar dhe e vë këtë çështje në radar të Bashkimit Evropian dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen.

    “Institucionet serbe duhet ta kuptojnë se nuk mund të promovojnë ‘dialog’ në Bruksel ndërkohë që përdorin administratën për të sabotuar të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ne do ta vazhdojmë betejën tonë politike dhe institucionale që çdo fëmijë, çdo familje dhe çdo qytetar i Luginës të trajtohet me dinjitet dhe barazi, sipas standardeve që Serbia pretendon se i respekton”, thuhet në fund të postimit.

    LEXONI EDHE:

    Bislimi takon Sorensenin, thotë se e njoftoi atë për bllokimin e fondeve nga Serbia për shqiptarët e Luginës

  • Rama dhe Meloni firmosin marrëveshje historike, Shqipëria hyn në një fazë të re me Italinë

    Rama dhe Meloni firmosin marrëveshje historike, Shqipëria hyn në një fazë të re me Italinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ai dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, kanë finalizuar shkëmbimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Italisë mbi bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve.

    Ky zhvillim shënon mbledhjen e parë të përbashkët ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Italisë, një hap që Rama e cilëson si historik në marrëdhëniet dypalëshe.

    “Romë – Shkëmbimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë mbi bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen e zgjuar”, ka shkruar Rama.

    Ky format bashkëpunimi ndërqeveritar (G2G) shihet si një risi që do të thellojë partneritetin strategjik midis Tiranës dhe Romës në disa sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e të dy vendeve.

  • Oklahoma City Thunder mund në shtëpi LA Lakers

    Oklahoma City Thunder mund në shtëpi LA Lakers

    Janë zhvilluar ndeshjet tejet interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë.

    Kampioni aktual Oklahoma City Thunder ka mundur skuadrën e LA Lakers në shtëpi,dhe atë me rezultat bindës 121:92.

    Më i miri tek Thunders ishte ylli Shai Gilgeous Alexander që realizoi 30 pikë,9 asistime e 5kërcime,teksa kontribut dha dhe Isaisah Joe me  21 pikë e 5 asistime.

    Ndërkohë në anën tjetër tek Lakers më i miri ishte Luka Doncic me 19 pikë,7 kërcime e 7 asistime,teksa kontribut dha dhe Dalton Knecht me 16 pikë si dhe Rui Hachimura dhe Austin Reaves me 13 pikë secili.

    Kujtojmë që Oklahoma City Thunder gjendet në pozitën e parë në konferencën perëndimore,teksa LA Lakers pozicionohet në pozitën e pestë.

  • Mallorca “çmendet” pas Muriqit! Postimi viral i klubit për sulmuesin e Kosovës: “Njih kufijtë e tu!”

    Mallorca “çmendet” pas Muriqit! Postimi viral i klubit për sulmuesin e Kosovës: “Njih kufijtë e tu!”

    Faqja zyrtare e klubit spanjoll RCD Mallorca ka bërë një postim që po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke e vendosur në qendër të vëmendjes Vedat Muriqin, yllin e Kombëtares së Kosovës dhe një nga figurat më të dashura të skuadrës balearike.

    Në postimin plot humor, Mallorca ka publikuar një bisedë të simuluar mes dy personash, ku njëri thotë “Të dua”, tjetri përgjigjet “Të dua më shumë”, dhe më pas pyetet “Më shumë se kush?”.
    Në atë moment, klubi poston një foto të Muriqit duke festuar, me mbishkrimin ironik:

    “Njih kufijtë e tu.”

    Postimi, që është bërë viral në pak minuta, tregon jo vetëm popullaritetin e madh të Muriqit mes tifozëve të Mallorcas, por edhe mënyrën se si klubi e përdor kreativitetin për të forcuar lidhjen me publikun.

    Muriqi, i njohur për shpirtin luftarak dhe përkushtimin ndaj skuadrës, është kthyer në simbol të suksesit dhe pasionit të Mallorcas në La Liga. Me gola vendimtarë dhe lidership në fushë, ai është bërë jo vetëm një pikë referimi sportive, por edhe një figurë shumë e dashur për klubin dhe tifozët spanjollë.

    Ky postim konfirmon edhe një herë: Mallorca e do Muriqin – dhe e di mirë kufirin kur bëhet fjalë për dashurinë ndaj tij!

  • Ish-këshilltari i Wesley Clark përfundon dëshminë në Hagë

    Ish-këshilltari i Wesley Clark përfundon dëshminë në Hagë

    Michael Durkee, ish-këshilltar i Wesley Clark, ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.

    Para Dhomave të Specializuara të gjykatës atje, ai u paraqit për herë të parë pasditen e së mërkurës.

    Të enjten, ai u rikthye sërish për të folur në kohën e pasluftës në Kosovë.

    Ish-këshilltari politik i Clarkut në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha të mërkurën se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars ose prill të 1999-ës në Mons të Belgjikës, nuk e dinin se cilat ishin kapacitete e UÇK-së.

    Tutje, ai tha se UÇK-ja nuk kishte një strukturë solide të konsoliduar komande, “që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra që më pas do të çonin në veprime apo operacione të caktuara në terren”.

    Pos tjerash, ai tha se shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës, ndiheshin se ishin tradhtuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta.

    Durkee ndër të tjera është pyetur nga prokurorja se a e ka lexuar aktakuzën në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    “Jo nuk e kam lexuar”, tha shkurt Durkee.

    Ai po ashtu deklaroi se nuk e di se për çfarë krime akuzohen ata.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, do të fillojë dëshminë të hënën e 17 nëntorit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Danezi Peter Due emërohet shef i ri i UNMIK-ut në Kosovë

    Danezi Peter Due emërohet shef i ri i UNMIK-ut në Kosovë

    Danezi Peter Due nga Danimarka është emëruar si shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka njoftuar të enjten sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

    Due do ta pasojë Caroline Ziadehin nga Libani.

    Guterresi e përgëzoi Ziadehin për “përpjekjet e përkushtuara për të çuar më tej paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen efektive të Misionit”. Ajo e kishte marrë drejtimin e UNMIK-ut në vitin 2021.

    Sipas njoftimit të UNMIK-ut, Due sjell në këtë pozicion 30 vjet përvojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

    “Që nga viti 2019, ai ka shërbyer si Drejtor për Azinë dhe Paqësorin në Departamentet e Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes dhe Operacioneve të Paqes. Më parë, ai ishte drejtor për Azinë, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Amerikën Latine në Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse (2015-2019. Due shërbeu gjithashtu si përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm dhe kryetar i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd (2013-2015), dhe ishte zyrtar i Çështjeve Politike me UNMIK-un në Prishtinë. Në New York, pozicionet e tij kanë përfshirë gjithashtu Shef Zyre/Asistent Special i Nënsekretarit të Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse (2009-2013), Udhëheqës Ekipi për Afrikën Perëndimore (2008-2009) dhe Udhëheqës Ekipi për Evropën dhe Amerikën Latine (2008)”, thuhet në njoftim.

  • Raphinha me deklaratë emocionuese: “Do të doja ta mbyllja karrierën te Barcelona! Dua të jem pjesë e historisë së këtij klubi”

    Raphinha me deklaratë emocionuese: “Do të doja ta mbyllja karrierën te Barcelona! Dua të jem pjesë e historisë së këtij klubi”

    Ylli brazilian i Barcelonës, Raphinha, ka dhënë një deklaratë që me siguri do të ngrohë zemrat e tifozëve “blaugrana”. Në një intervistë të fundit, sulmuesi 28-vjeçar shprehu dëshirën e tij të madhe për të qëndruar gjatë në “Camp Nou” dhe për ta përfunduar karrierën e tij pikërisht me fanellën e klubit katalanas.

    “Do të doja ta kaloja gjithë karrierën time te Barcelona dhe të pensionohesha këtu,” – tha Raphinha me emocion.
    “Fitimi i trofeve, ndihma për lojtarët e rinj dhe lënia e gjurmës sime në historinë e klubit janë qëllimet e mia. Dua të jem pjesë e historisë së Barçës.”

    Që prej transferimit të tij nga Leeds United në vitin 2022, Raphinha është bërë një figurë e rëndësishme në skuadrën katalanase, duke u dalluar për shpirtin luftarak, pasionin në fushë dhe lidhjen emocionale me klubin.

    Deklarata e tij është pritur me shumë entuziazëm nga tifozët e Barcelonës, të cilët e kanë vlerësuar për përkushtimin dhe dashurinë që shfaq ndaj klubit.

    Në një periudhë ku shumë lojtarë kërkojnë ndryshim dhe aventura të reja, fjalët e Raphinhas vijnë si një shenjtërim ndaj fanellës “blaugrana”, duke e vendosur atë mes atyre futbollistëve që duan të ndërtojnë trashëgimi, jo thjesht karrierë.

  • Benjamin Sesko pritet të mungoj rreth disa javë nga fushat e gjelbërta

    Benjamin Sesko pritet të mungoj rreth disa javë nga fushat e gjelbërta

    Sulmuesi Benjamin Sesko,nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen të cilën Sllovenia e luan kundër kombëtares së Kosovës.

    Sesko pësoi lëndimi në gju në ndeshjen Tottenham-Man.United,duke u detyruar të zëvendësohej në fund të ndeshjes.

    Përndryshe sulmuesi slloven pritet të mungojë rreth disa javë larg fushave të gjelbërta,që do të thotë se do të humb edhe ndeshjet e Man.United pas pauzës ndërkombëtare.

    Natyrisht se kjo është një hendikep i madh për trajnerin Ruben Amorim mungesa e Seskos,edhe pse slloveni nuk arriti të shfaq potencialin për “Djajtë e Kuq”në ndeshjet e rëndësishme.

    Kujtojmë që Benjamin Sesko në 12 ndeshje të zhvilluara për Man United ka shënuar 2 gola e dhuroi 1 asistim.

  • Bislimi takon Sorensenin, thotë se e njoftoi atë për bllokimin e fondeve nga Serbia për shqiptarët e Luginës

    Bislimi takon Sorensenin, thotë se e njoftoi atë për bllokimin e fondeve nga Serbia për shqiptarët e Luginës

    Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi ka njoftuar Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, për një pengesë ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    Ai bëri të ditur se pagesa prej 304,511.16 euro për tekstet shkollore dhe aktivitetet e Këshillit Kombëtar Shqiptar është bllokuar tri herë nga bankat serbe.

    Sipas tij, refuzimi është bërë pa arsye ligjore apo teknike, duke treguar një model të qëllimshëm administrativ.

    Bislimi theksoi se Kosova ka dorëzuar në BE të gjitha provat përkatëse. Ai shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, por nuk mund të heshtë ndaj cenimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

    Postimi i plotë:

    Sot kam njoftuar z. Peter Sørensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale.

    Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.
    Pra ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë.

    E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht. Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ.

    Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.

    Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

  • ​Muriç: Do të jemi në garë me Zvicrën edhe për vendin e parë

    ​Muriç: Do të jemi në garë me Zvicrën edhe për vendin e parë

    Në prag të dy ndeshjeve vendimtare të Kombëtares së Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, portieri i Dardanëve, Arijanet Muriç, ishte i ftuari i radhës në “FFK Podcast”. Edhe pse nuk do të mund të jetë pjesë e ndeshjes së parë për shkak të pezullimit nga dy kartonë të verdhë, Muriç shfaqi besim dhe motivim të madh për ekipin, duke theksuar se “Kosova është në garë edhe për vendin e parë”.

    “Sigurisht, duam të paktën vendin e dytë për të luajtur ‘play-off’-in. Por mendoj se do të jemi në garë me Zvicrën edhe për vendin e parë. Shpresoj kështu. Fillimisht duhet të përqendrohemi në ndeshjen kundër Sllovenisë, jemi në formë shumë të mirë, të gjithë lojtarët janë të shëndetshëm. S’ka lëndime dhe ekipi është i plotë. Vetëm unë s’mund të jem pjesë për shkak të dy kartonëve të verdhë”, tha Muriç, duke shtuar se ekipi është plotësisht gati për dy sfidat e fundit të ciklit kualifikues.

    Ai nuk e fsheh keqardhjen që nuk do të jetë pjesë e ekipit në ndeshjen kundër Sllovenisë. “Po, sigurisht që më vjen keq. Do të ishte më e lehtë sikur të luaja. Nëse skuadra humb pa mua, më dhemb më shumë”, theksoi ai, por njëkohësisht shprehu besim të plotë te bashkëlojtarët në portë: “Stërviten njësoj si unë dhe japin maksimumin çdo ditë për t’u përmirësuar, prandaj janë gati”.

    Sa i përket atmosferës në kampin e Dardanëve, portieri i Kombëtares u shpreh optimist: “Ne nuk kemi frikë. Nuk ka tension apo energji negative në ekip për ndeshjen e radhës. Dhe nuk duhet të kemi frikë ta luajmë ndeshjen. Nuk kemi presion, vetëm energji pozitive. Dhe kur i shikoj lojtarët, më duket që të gjithë e ndjejnë njësoj. Të gjithë janë të motivuar, kjo më jep ndjesi shumë pozitive”, shtoi Muriç.

    Në pyetjen nëse do të ishte i kënaqur me një vend në “play-off”, Muriç u përgjigj: “Sinqerisht, nuk e kam menduar sepse aktualisht po luftojmë për vendin e parë. Nuk jam i sigurt se do të firmosja për vendin e dytë, do të rrezikoja për më shumë”, tha Aro.

    Ai theksoi se beson fuqishëm në mundësinë e Kosovës për ta mposhtur Zvicrën në ndeshjen e fundit në Prishtinë, në rast se ajo rezulton vendimtare për kualifikim: “Sigurisht. Çdo kundërshtar e ka të vështirë të luajë në Kosovë. Mendoj se kemi më shumë gjasa të fitojmë sesa ata. Ndeshja e parë atje ishte e vështirë, por në Prishtinë është ndryshe. Ndihem shumë mirë të luaj këtu –do e doja shumë një ndeshje të tillë”.

    Tutje Muriç foli për karrierën e tij me Kombëtaren dhe klubet, duke kujtuar debutimin e tij ndaj Azerbajxhanit dhe disa nga momentet më të veçanta me fanellën e Kosovës. “Ndeshja ndaj Republikës Çeke në Prishtinë ishte shumë e veçantë. Ata ishin në formë të lartë, por ne luajtëm shkëlqyeshëm. Edhe ajo ndaj Suedisë 2–0 ishte shumë e bukur”, u shpreh ai.

    Portieri 27-vjeçar tregoi edhe për rrugëtimin e tij në klubet evropiane, teksa theksoi se një kohë pauzoi nga futbolli.

    “Pasi u largova nga Grasshoppers, e ndalova futbollin për rreth 8 muaj”, tha ai, teksa më pas foli për periudhën te Manchester City dhe punën me Pep Guardiolën. “Ai ishte i mrekullueshëm si person për mua personalisht, sepse isha një nga lojtarët më të rinj. Ai ishte i mrekullueshëm. Sigurisht, si lojtar i ri, ndonjëherë bën disa gjëra që nuk janë të mira për futbollistët. Mendoj se Pep gjithmonë ka qenë shumë i mirë me mua, kështu që ai gjithmonë thoshte se do të më mësonte se isha ende i ri, nuk i ndëshkonte futbollistët dhe gjithmonë ishte pozitiv. Ai ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Ishte një ëndërr të stërvitesha me të”, tha Muriç.