ATV

Blog

  • PriFest sjell “Moving Cinema” në Suharekë me dy filma të Aulona Selmanit

    PriFest sjell “Moving Cinema” në Suharekë me dy filma të Aulona Selmanit

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë PriFest, në bashkëpunim me Javën e Filmit në Suharekë, do të sjellë nismën “Moving Cinema” në qytetin e Suharekës me shfaqjen e dy filmave të metrazhit të mesëm të regjisores Aulona Selmani.

    Ngjarja do të mbahet më 15 nëntor 2025, në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”, në orën 19:00, me hyrje të lirë për publikun.

    Në program janë përfshirë dy filma të vlerësuar në edicionet e fundit të PriFest:
    “Si në Vaj” (Zvicër/Kosovë), fitues i edicionit të 15-të në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm. Filmi ndjek historinë e Nadies, një vejushë e re që përballet me kontrollin e kunatave të saj, ndërsa një autoportret nga e kaluara e detyron të përballet me të vërtetat e jetës së saj. Rolin kryesor e luan aktorja Ilire Vinca.
    – “And The Wind Weeps” (Zvicër/Kosovë), fitues i edicionit të 16-të, trajton historinë e Dautit, një të mbijetuari të një masakre që për 20 vite përgatitet për të dëshmuar në Hagë, ndërsa përballet me kujtimet dhe dhimbjen e humbjes së djalit dhe vëllait.

    Përmes “Moving Cinema”, PriFest synon të sjellë filmat fitues në qytete të ndryshme të Kosovës, duke afruar publikun me kinemanë dhe duke promovuar artin filmik vendas dhe ndërkombëtar në mbarë vendin.

  • Flokë që rriten më shpejt dhe nuk dëmtohen, rituali japonez që zëvendëson balsamet dhe maskat

    Flokë që rriten më shpejt dhe nuk dëmtohen, rituali japonez që zëvendëson balsamet dhe maskat

    Në Japoni, larja e flokëve nuk është thjesht pjesë e higjienës, por një ritual meditativ, një moment i dedikuar vetes dhe harmonisë së brendshme. Në një kulturë ku bukuria shihet si vazhdim i shpirtit, kujdesi për flokët lidhet drejtpërdrejt me ekuilibrin fizik dhe mendor.
    Ndoshta kjo është arsyeja pse flokët e japonezeve duken gjithmonë të ushqyer, të shëndetshëm dhe plot shkëlqim — edhe kur nuk harxhojnë asnjë minutë për stilizim.

    Sekreti qëndron te teknika, jo te shamponi

    Sipas parukieres Maria Roberts, themeluese e sallonit Madart x Studio 25 në Spanjë, metoda japoneze e larjes së flokëve nuk ka të bëjë vetëm me pastërtinë, por me vëmendjen dhe kujdesin.

    “Në Japoni, shamponi aplikohet dy herë, herën e parë për pastrim dhe herën e dytë për ushqim dhe stimulim të rritjes së flokëve,” – shpjegon Roberts.

    Gjatë këtij procesi, përdoren dy furça silikoni, një në secilën dorë, me lëvizje masazhuese që aktivizojnë qarkullimin e gjakut në lëkurën e kokës.
    Masazhi fillon nga zverku drejt majës së kokës, me lëvizje të buta rrethore — një proces që nxit rritjen e flokëve, por njëkohësisht ul stresin dhe tensionin, duke e kthyer larjen në një terapi relaksuese për trupin dhe mendjen.

    Vaji para shamponit – hapi që nuk duhet anashkaluar

    Para se të aplikojnë shamponin, japonezet përdorin vajra natyralë bimorë, zakonisht vaj kamelie, susami ose jojobe. Këto vajra mbrojnë flokët, balancojnë yndyrën dhe ruajnë lagështinë.

    Vaji i kamelies, i njohur si “sekreti i bukurisë japoneze”, përdoret prej shekujsh: gratë e aplikojnë para larjes për të zbutur fijet dhe për t’i mbrojtur nga dëmtimet, por edhe pas larjes si trajtim përfundimtar që u jep flokëve shkëlqim dhe butësi të pakrahasueshme.

    Si thahet flokët sipas parimit japonez

    Japonezet nuk i fërkojnë flokët me peshqir. Në vend të kësaj, ato i mbështjellin me një peshqir mikrofibre ose me një bluzë pambuku, për të përthithur lagështinë pa dëmtuar fijet.
    Qëllimi është të hiqet rreth 70% e lagështisë para tharjes me fen, për të reduktuar dëmin nga nxehtësia dhe për të ruajtur strukturën natyrale të flokëve.
    Rezultati? Flokë më të butë, më me shkëlqim dhe më të shëndetshëm, pa maja të thata e pa dredha.

    “Spa” për flokët – 40 minuta relaks për trupin dhe shpirtin

    Në Japoni ekzistojnë spa të specializuara për flokët, ku vetëm procesi i larjes zgjat 30 deri në 40 minuta.
    Ky ritual përfshin masazh të skalpit, kompresa të ngrohta, aromaterapi dhe muzikë qetësuese.
    Ideja është e thjeshtë: kur kujdesesh për lëkurën e kokës, kujdesesh edhe për mendjen.

    Japonezet besojnë se “flokët kanë energjinë e tyre” dhe duhen trajtuar me respekt.
    Kujdesi ndaj flokëve për ta nuk është thjesht kozmetik, por një bashkim i teknikës, filozofisë dhe disiplinës.

    Kur kujdesesh për lëkurën e kokës si për fytyrën, flokët të shpërblejnë

    Nëse dëshironi flokë të shëndetshëm, të dendur dhe me shkëlqim — harroni nxitimin.
    Metoda japoneze ju mëson se flokët janë vazhdim i kujdesit ndaj vetes.
    Çdo lëvizje, çdo pikë vaji dhe çdo minutë masazhi kanë rëndësi.

    Siç thonë në Japoni:

    “Kur kujdesesh për lëkurën e kokës si për fytyrën tënde, flokët do të të shpërblejnë shumëfish.”

  • Mbyllet me sukses edicioni i parë i “Netëve të Filmit Shqiptar” në Prishtinë

    Mbyllet me sukses edicioni i parë i “Netëve të Filmit Shqiptar” në Prishtinë

    Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka përmbyllur edicionin e parë të “Netëve të Filmit Shqiptar”, një nismë kulturore që nisi në shtator dhe solli gjatë vjeshtës disa nga filmat më të njohur të kinemasë shqiptare.

    Në kuadër të këtij cikli u shfaqën filma si “Përrallë nga e Kaluara” dhe “Vdekja e Kalit”, që ngjallën emocione të forta dhe rikthyen nostalgjinë për artin shqiptar klasik. Projekti u konceptua si një urë mes brezave, duke përfshirë edhe nxënës të shkollave të Prishtinës që patën mundësinë të njohin trashëgiminë filmike shqiptare.

    Mbrëmja e fundit u mbyll me komedinë ikonike “Kapedani”, e cila solli atmosferë të ngrohtë dhe duartrokitje të shumta në sallë.

    Ambasadori Petrit Malaj falënderoi Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë, Kino Armatën dhe publikun për mbështetjen, duke theksuar rëndësinë e promovimit të kinemasë shqiptare si pjesë e identitetit dhe kulturës sonë të përbashkët.

  • “The Devil Wears Prada 2” vjen pas 20 vitesh: Meryl Streep, Anne Hathaway dhe Emily Blunt rikthehen në pistën e modës

    “The Devil Wears Prada 2” vjen pas 20 vitesh: Meryl Streep, Anne Hathaway dhe Emily Blunt rikthehen në pistën e modës

    Pas pothuajse dy dekadash, një nga filmat më të njohur të viteve 2000 po rikthehet me vazhdimin e shumëpritur. Disney ka konfirmuar se “The Devil Wears Prada 2” është në zhvillim dhe do të bashkojë sërish Meryl Streep, Anne Hathaway, Emily Blunt dhe Stanley Tucci në rolet e tyre ikonike.

    Filmi i ri do të tregojë fundin e karrierës së Miranda Priestly-t, në një kohë kur revistat e modës po përballen me ndikimin e mediave digjitale. Miranda do të përballet me ish-asistenten e saj Emily Charlton, tashmë një drejtuese e fuqishme në industrinë e luksit, duke sjellë një përballje mes brezave dhe pushtetit.

    Në kastin e filmit janë shtuar edhe emra të rinj si Simone Ashley, Lucy Liu, Justin Theroux, B.J. Novak dhe Pauline Chalamet.

    “The Devil Wears Prada 2” do të dalë në kinema më 1 maj 2026. Filmi origjinal, i publikuar në vitin 2006, u bë një sukses i madh dhe u nominua për dy çmime Oscar, përfshirë atë për Meryl Streep si aktorja më e mirë.

  • LDK paralajmëron zgjedhje në fund të dhjetorit: Data 28 nuk është e mirë

    LDK paralajmëron zgjedhje në fund të dhjetorit: Data 28 nuk është e mirë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, në një konferencë për media tha se grupi parlamentar i LDK-së nuk do të votojë për asnjë lloj qeverie dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

    Zogaj theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt nga ana e mandatari të dytë për formimin e Qeverisë.
    “Nuk kemi informacion që është kontaktuar dikush prej anëtarëve të grupit tonë për formimin e Qeverisë. Po shohim qasje të njëjtë me mandatarin e parë, ai nuk ka pasur interes me i kriju institucionet, njëjtë po sillet edhe mandatari i dytë”, tha ai.

    Sipas tij, procesi politik po zvarritet pa arsye dhe do të përfundojë me një “shou politik”.
    “Do të shkojmë deri në ditën e fundit, do të ketë shou politik, s’do të ketë vota dhe pastaj do ta caktojmë datën e zgjedhjeve”, u shpreh Zogaj.

    Deputeti i LDK-së shtoi se afatet zgjedhore janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë dhe se zgjedhjet pritet të mbahen në fund të dhjetorit.
    “Afatet zgjedhore janë afate kushtetuese. Ato e përcaktojnë edhe datën e zgjedhjeve që me gjasë del të jetë fundi i dhjetorit”, tha ai.

    Megjithatë, Zogaj theksoi se data e 28 dhjetorit nuk është e përshtatshme për shkak të festave të fundvitit.
    “Data e 28 dhjetorit s’është datë e mirë për zgjedhje, sepse janë festat e fundvitit. E kemi të vështirë me i organizua zgjedhjet. Nuk është datë ideale, por nëse afatet kushtetuese e kërkojnë, LDK është e gatshme për zgjedhje”, deklaroi ai.

    Zogaj gjithashtu u shpreh i kënaqur me rezultatin e LDK-së në zgjedhjet lokale:
    “Ne jemi të lumtur me rezultatin zgjedhor, na qet parti fituese në shumë aspekte. Kemi fituar Prishtinën”, tha ai.

    Në fund, Zogaj shtoi se zgjidhja e vetme për ngërçin politik në të cilin ndodhet vendi janë zgjedhjet.
    “Zgjidhja e vetme e këtij ngërçi politik që na ka futur LVV janë zgjedhjet, dhe ajo sa më parë të jetë e mundur”, përfundoi Zogaj.

  • Kosova renditet si vendi me nivelin më të ulët të krimit në Ballkan

    Kosova renditet si vendi me nivelin më të ulët të krimit në Ballkan

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e të Gjitha Formave të Krimit të Organizuar Transnacional, më 10 nëntor është publikuar raporti “Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025”, i cili e rendit Kosovën si vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Ky indeks, i publikuar nga organizata Global Initiative Against Transnational Organized Crime, mat përhapjen e krimit të organizuar dhe rezistencën e shteteve ndaj tij, duke vlerësuar fusha si trafiku i drogës, i qenieve njerëzore dhe krimi kibernetik, si dhe aftësinë institucionale për t’i luftuar këto forma të krimit përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Sipas rezultateve për vitin 2025, Kosova vlerësohet me mesatare prej 4.85 pikësh në një shkallë nga 1 deri në 10, duke zënë vendin e parë në rajon për nivelin më të ulët të krimit dhe numrin më të vogël të viktimave në aksidentet fatale.

    Policia e Kosovës thekson se kontribut kyç në këtë arritje kanë dhënë lidershipi dhe zyrtarët e saj, përmes planeve zhvillimore strategjike dhe objektivave të qarta në luftimin e të gjitha formave të krimit, që kanë prodhuar rezultate të qëndrueshme ndër vite.

  • Balotazhi përfundoi, këta kandidatë po përgatiten të betohen si deputetë të Kuvendit

    Balotazhi përfundoi, këta kandidatë po përgatiten të betohen si deputetë të Kuvendit

    Kosova, që nga fillimi i këtij viti, ka kaluar një vit plot zgjedhje: në muajin shkurt u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në tetor zgjedhjet lokale, ndërsa më 9 nëntor u zhvillua balotazhi në 18 komuna. Edhe në fund të këtij viti, pritet që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

    Në balotazhin e 9 nëntorit, sipas rezultateve të KQZ-së, të cilat ende nuk janë certifikuar, në komunën e Mitrovicës së Jugut u shpall fitues Faton Peci, ndërsa në Obiliq fitues doli Halil Thaçi. Të dy janë aktualisht deputetë të Kuvendit.

    Sipas renditjes, pas Pecit dhe Thaçit, në ulësen e Kuvendit pritet të vijë Vigan Qorrolli, i cili sipas listës së publikuar nga KQZ ka marrë 16,631 vota.

    I dyti kandidat i VV-së, që pritet të betohet, është Taulant Kelmendi me 16,424 vota. Kelmendi humbi zgjedhjet për kryetar të komunës, ku mori 12,478 vota ose 38.87%.

    Ndryshe, në rast se Kelmendi dhe Qorrolli bëhen deputetë të Kuvendit, ulëset e tyre në parlament mund të jenë të përkohshme, pasi fundi i vitit pritet të sjellë zgjedhje të jashtëzakonshme.

  • Mbi 25,000 spektatorë në stërvitjen e Argjentinës në Elche, Messi i mrekulluar nga dashuria e tifozëve

    Mbi 25,000 spektatorë në stërvitjen e Argjentinës në Elche, Messi i mrekulluar nga dashuria e tifozëve

    Rreth 25,000 spektatorë ishin të pranishëm sot në seancën stërvitore të Kombëtares së Argjentinës në Elche, Spanjë, një atmosferë që la një përshtypje të thellë tek legjenda Leo Messi.

    Sulmuesi argjentinas u shpreh i emocionuar nga përkrahja e tifozëve:

    “Ka kaluar ca kohë që kur erdha këtu dhe sinqerisht, dashuria që më keni treguar gjithmonë kudo që kam shkuar më emocionon ende.”

    Messi falenderoi të gjithë ata që morën pjesë në stërvitje, duke theksuar se kishte shumë tifozë argjentinas në mesin e tyre:

    “Faleminderit shumë të gjithëve që erdhën sot, kishte edhe shumë argjentinas! Është gjithmonë kënaqësi t’ju shoh përsëri!”

    Kjo prani masive dhe përkrahje e zjarrtë nënvizon rëndësinë dhe dashurinë e jashtëzakonshme që Messi dhe Argjentina gëzojnë në çdo vend ku luajnë.

  • AAK: Në asnjë rrethanë nuk kemi votë për Glauk Konjufcën

    AAK: Në asnjë rrethanë nuk kemi votë për Glauk Konjufcën

    Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka përjashtuar çdo mundësi që deputetët e partisë së tij të votonin Glauk Konjufcën për kryeministër.

    Brahimaj tha se propozimi i Glauk Konjufcës për mandatar është një skenar i Albin Kurtit për të zvarritur krijimin e institucioneve:

    “Propozimi i Glauk Konjufcës për mandatar është mashtrimi i radhës i Albin Kurtit për blerje kohe. Në asnjë rrethanë Glauk Konjufca nuk është i interesuar që të marrë as 57 vota e lëre më 61 vota. Kështu që Kurti nuk është person që e duron që një kolegë të marrë vota më shumë se ai. Kështu që kjo është vetëm për blerje kohe dhe mashtrim për të vazhduar me zhvatjen e institucioneve pa llogaridhënie dhe pa një Parlament. AAK-ja në asnjë rrethanë nuk ka votë për Konjufcën dhe ashtu siç janë deklaruar edhe partitë tjera nuk kanë gatishmëri për të votuar Konjufcën. Të gjithë janë deklaruar pas takimit me presidenten se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet,” tha Brahimaj.

  • Dyshimet për parregullsi me fletëvotime në Mitrovicë të Jugut, raporti i Komisioni të KQZ-së pritet nesër

    Dyshimet për parregullsi me fletëvotime në Mitrovicë të Jugut, raporti i Komisioni të KQZ-së pritet nesër

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot ka nisur punën Komisioni i themeluar nga KQZ për të vlerësuar fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut dhe në Gjakovë, për të cilat janë raportuar parregullsi.

    Sipas KQZ-së, ky komision do të përgatis një raport deri me datën 14 nëntor.

    “Ndërkaq, për komunat tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    KQZ njofton se puna e këtij komisioni do të jetë në funksion edhe të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me një ankesë të parashtruar për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por njëkohësisht edhe të sqarimit të mëtejshëm të situatës së krijuar.