ATV

Blog

  • Pas 26 vitesh, lufta vazhdon në ëndrra, Anton Quni rrëfen traumat psikologjike që i përjeton ende

    Pas 26 vitesh, lufta vazhdon në ëndrra, Anton Quni rrëfen traumat psikologjike që i përjeton ende

    Përgatiti Alina Krasniqi

    Edhe pse kanë kaluar më shumë se 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, plagët e saj vazhdojnë të jetojnë në kujtesën dhe shpirtin e shumë ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Anton Quni është njëri prej tyre… Ai në emisionin “LIBERO” ka rrëfyer se edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, ende nuk ka mundur të çlirohet nga plagët e saj shpirtërore.

    Quni tregoi hapur për frikën më të madhe që e shoqëroi gjatë luftës së Kosovës: të mos bie kurrë në dorë të armikut, dhe tregoi se gjatë operacioneve gjithmonë mbante një bombë si sigurim për veten, një masë paraprake për të mbrojtur jetën e tij në situata të rrezikshme. Shpesh, tha ai, se ëndrrat e tij e rikthejnë në skena ku ndjehet i kapur rob, një pasqyrë e frikës dhe traumave të përjetuara gjatë betejave.

    “…Unë shpesh e shoh në ëndërr sikur po bie në dorën e armikut. Ajo frikë ka qenë gjithmonë e pranishme gjatë luftës dhe mendoj se prej saj më kanë mbetur këto ëndrra. E kam marrë si diçka normale, sepse në atë kohë çdo gjë ka qenë e mundshme dhe ka pasur edhe raste shumë më të rënda se kaq…”, theksoi ai.

    Gjithashtu, Quni u shpreh se për të është e domosdoshme të ruhet qetësia, të ndërtohet baraspesha dhe të mos dorëzohet, duke përballuar të kaluarën pa lejuar që ajo të pengojë të ardhmen.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Anton Qunit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Phoenix Suns,Toronto Raptors dhe Atlanta Hawks shënojnë fitore të rëndësishme

    Phoenix Suns,Toronto Raptors dhe Atlanta Hawks shënojnë fitore të rëndësishme

    Janë zhvilluar ndeshje mjaft e rëndësishme në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Phoenix Suns ka mposhtur Indiana Pacers,dhe atë me rezultat bindës 133:98.

    Devin Booker ishte basketbollisti më i mirë tek Suns me 33 pikë,5 kërcime e 7 asistime,teksa kontribut dha dhe Dellion Brooks me 32 pikë të shënuara.

    Në anën tjetër tek Pacers Andreë Nembhard me 21 pikë,8 asistime e 2 asistime,kurse Pascal Siakam realizoi 19 pikë,5 kërcime e 2 asistime.

    Atlanta Haëks mposhti në udhëtim skuadrën e Utah Jazz me rezultat 132:122,ku Onyeka Okongëu ishte më i miri me 32 pikë e 11 kërcime si dhe Jalen Johnson me 31 pikë,18 kërcime e 14 asistime.

    Tek Utah Lauri Markannen me 40 pikë ishte më i miri,kurse Ace Bailey me 21 pikë dhe Keyonte George me 19 pikë ishin më efikasët.

    Në ndeshjen tjetër që u zhvillua mbrëmjen e kaluar Toronto Raptors mposhti Cleveland Cavaliers me rezultat 126:113.

    Scottie Barnes me 28 pikë,10 kërcime e 8 asistime,si dhe Immanuel Quickley me 25 pikë ishin më të mirët tek Raptors,kurse për Cavaliers Donovan Mitchell me 31 pikë,6 kërcime e 6 asistime ishte më i miri në parket.

  • Avionët me rregull të ri, pas power bank-ëve, tani ndalohen edhe AirPods

    Avionët me rregull të ri, pas power bank-ëve, tani ndalohen edhe AirPods

    Pas ndalimit të power bank-ëve në disa fluturime për shkak të rrezikut nga zjarri, disa linja ajrore po shtrëngojnë edhe më shumë rregullat për pajisjet elektronike që udhëtarët mbajnë me vete. Këtë herë në qendër të vëmendjes kanë përfunduar kufjet Bluetooth, përfshirë edhe Apple AirPods.

    Kompanitë tajvaneze EVA Air, UNI Air dhe Tigerair kanë njoftuar se kufjet Bluetooth dhe kutitë e tyre të karikimit nuk lejohen më në bagazhet e regjistruara, duke kërkuar që të transportohen vetëm në bagazhin e dorës. Arsyeja lidhet me faktin se këto pajisje përmbajnë bateri litiumi, të cilat mund të nxehen tepër gjatë përdorimit ose karikimit.

    Vendimi vjen pas disa incidenteve të raportuara me zjarre në avionë, të dyshuara si të shkaktuara nga power bank-e të dëmtuara. Bateritë e litiumit mund të prodhojnë temperaturë ekstreme në rast të një qarku të shkurtër.

    Tigerair deklaroi: “Për arsye sigurie, pajisjet elektronike portative si kutitë e karikimit të kufjeve dhe ventilatorët elektrikë me bateri litiumi mund të transportohen vetëm në bagazhin e dorës.”

    UNI Air tha: “Kufjet Bluetooth (përfshirë kutinë e karikimit) klasifikohen si Pajisje Elektronike Portative (PED). Për arsye sigurie, ato nuk lejohen në bagazhet e regjistruara dhe duhet të mbahen në bagazhin e dorës.”

    Edhe Autoriteti i Aviacionit të Zelandës së Re ka ndërmarrë masa të ngjashme, duke e trajtuar kutinë e karikimit të kufjeve si një lloj power bank-u. Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, Autoriteti i Aviacionit Civil (CAA) nuk i ndalon kufjet Bluetooth apo power bank-ët në kabinë, por rekomandon që të mos futen në bagazhet e regjistruara.

    Rregullat ndryshojnë sipas linjës ajrore dhe kapacitetit të baterisë. Shumë kompani lejojnë pajisje deri në 100Wh në kabinë, për sa kohë që kjo vlerë është e shënuar qartë.

    Udhëtarët këshillohen të verifikojnë rregullat specifike të linjës me të cilën fluturojnë përpara nisjes.

    Paralajmërim tjetër për udhëtarët: kujdes me telefonat në aeroport

    Udhëtarët janë paralajmëruar gjithashtu për një tjetër rregull që shpesh neglizhohet: pajisja duhet të ndizet gjatë kontrollit të sigurisë. Nëse telefoni ose tableti nuk ndizet, mund të konfiskohet si rrezik sigurie.

    Sipas GOV.UK: “Sigurohuni që pajisjet elektronike të jenë të karikuara para se të udhëtoni. Nëse pajisja nuk ndizet kur kërkohet, nuk do t’ju lejohet të hyni në aeroplan.”

    Ky rregull vlen për celularë, laptopë, tableta dhe çdo pajisje elektronike tjetër që planifikoni të merrni me vete në kabinë.

  • Ja cilat janë përparësitë dhe mangësitë e jetës në fshat dhe qytet?

    Ja cilat janë përparësitë dhe mangësitë e jetës në fshat dhe qytet?

    Përgatiti Genisa Badalli

    Një nga dilemat më të mëdha për shumë individë është vendimi se ku të jetojnë: në qytet apo në fshat? Kjo pyetje ka pasur ndikim të madh në mënyrën se si shoqëritë moderne janë formuar, dhe megjithëse qytetet janë shpesh qendra të zhvillimit ekonomik dhe kulturor, fshatrat ofrojnë mundësi për një jetë më të qetë dhe të lidhur me natyrën.

    Për sa u takon benefiteve të jetesës në qytet, disa prej tyre konsiderohet se janë:

    Mundësia për punë dhe karrierë: Qytetet janë qendra të zhvillimit ekonomik dhe shpesh ofrojnë mundësi të shumta për punë dhe karrierë.

    Arsimi dhe edukimi: Shumë qytete kanë universitete dhe institucione arsimore të nivelit të lartë, duke ofruar mundësi për zhvillim të vazhdueshëm dhe mundësi për studentët nga e gjithë bota.

    Shërbimet dhe infrastruktura: Qytetet janë të pajisura me shërbime dhe infrastrukturë të zhvilluar, duke përfshirë spitale të nivelit të lartë, transport publik dhe mundësi për përdorimin e teknologjisë moderne.

    Ndërsa disa prej mangësive të jetës në qytet janë:

    Ndotja dhe zhurma: Një nga mangësitë më të mëdha të jetës në qytet është ndotja e ajrit dhe zhurma, faktorë që ndikojnë negativisht në shëndetin mendor dhe fizik të individëve.

    Shtrenjtësia e jetesës: Çmimet e larta për strehim dhe produkte të tjera të nevojshme e bëjnë jetesën në qytet shumë të shtrenjtë. Kjo është një sfidë për ata që përpiqen të gjejnë mundësi të përballueshme për të jetuar.

    Mungesa e hapësirës dhe natyrës: Qytetet shpesh janë të mbingarkuara dhe nuk ofrojnë mundësi për pushime në natyrë, të cilat janë të nevojshme për të rritur mirëqenien fizike dhe mendore.

    Ashtu si jeta në qytet ka anët e saj të mira dhe të këqija, edhe jeta në fshat nuk ka përjashtim. Të dyja mënyrat e jetesës kanë përparësi dhe mangësi që i bëjnë unike në mënyrën e tyre.

    Për sa u takon benefiteve të jetës në fshat ato janë:

    Më pak stres dhe më shumë qetësi: Fshatrat ofrojnë një ambient shumë më të qetë dhe më të pastër. Ajri i freskët dhe natyra e pasur mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të stresit dhe të krijojnë një mjedis më të shëndetshëm për jetesë.

    Më pak ndotje: Fshatrat kanë nivele të ulëta ndotjeje të ajrit dhe janë shumë më të pastër se qytetet. Mungesa e trafikut dhe industrive të mëdha e bën ajrin më të freskët dhe më të pasur me oksigjen.

    Komuniteti dhe lidhjet sociale: Fshatrat shpesh kanë një ndjenjë më të fortë të komunitetit, ku njohja e njëri-tjetrit dhe mbështetja sociale janë më të dukshme.

    Ndërsa mangësitë janë:

    Mungesa e mundësive për punë – Shumë industri dhe kompani të mëdha janë të përqendruara në qytete, duke i detyruar individët të udhëtojnë për punë në qytet.

    Mungesa e shërbimeve dhe infrastrukturës: Fshatrat shpesh nuk ofrojnë mundësi për akses të lehtë në spitalet e nivelit të lartë dhe shkollat e specializuara.

    Izolimi social: Disa individë mund të ndihen të izoluar në fshat, veçanërisht në ato që janë më të largëta nga qytetet e mëdha.

    Të jetosh në qytet apo fshat kanë të dyja përfitime dhe mangësi. Qyteti ofron mundësi për punë, arsim dhe aktivitete sociale, por ka sfida të mëdha si ndotja, shtrenjtësia e jetesës dhe mungesa e natyrës. Fshati, nga ana tjetër, ofron qetësi dhe një lidhje më të ngushtë me natyrën, por ka mangësi në mundësitë e punës dhe shërbimet.

     

  • Pse nuk duhet ta ngrohni ushqimin për fëmijë në mikrovalë?

    Pse nuk duhet ta ngrohni ushqimin për fëmijë në mikrovalë?

    Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) po paralajmëron familjet të shmangin përdorimin e enëve plastike në mikrovalë dhe lavastovilje, pasi temperaturat e larta mund të shkaktojnë çlirimin e kimikateve të dëmshme. Në një raport të publikuar online, pediatër dhe studiues tregojnë se nivelet e substancave kimike në ngjyruesit ushqimorë, konservuesit dhe materialet e paketimit janë rritur ndjeshëm.

    Sipas AAP, ngrohja e plastikës në mikrovalë ose ekspozimi i saj ndaj ujit shumë të nxehtë shton rrezikun që kimikatet e rrezikshme të depërtojnë në ushqim.

    Si zgjidhje më e sigurt, rekomandohen enët prej qelqi ose çeliku inox, ndërsa konsumimi i ushqimeve të plota dhe larja e duarve e perimeve të freskëta gjatë përgatitjes së ushqimit ndihmojnë në uljen e kontaminimit.

    Sipas raportit, më shumë se dhjetë mijë aditivë të klasifikuar që nga vitet 1950 si “përgjithësisht të njohur si të sigurt”, të cilët përfshijnë ngjitës, ngjyrues dhe materiale plastike të paketimit, janë lidhur me probleme serioze shëndetësore si zhvillimi i trurit, obeziteti, autizmi, çrregullimi i hiperaktivitetit me deficit vëmendjeje dhe reduktimi i masës muskulore dhe forcës kockore.

    Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) njofton se po i analizon gjetjet e studimit, ndërsa një zyrtar i FDA-së thekson se ka “siguri të arsyeshme shkencore” që aditivët e njohur si të sigurt nuk paraqesin rrezik kur përdoren sipas udhëzimeve. Aditivët që ngrejnë më shumë shqetësime përfshijnë bisfenolet, ftalatet, kimikatet perfluoroalkile, perkloratet, nitratet, nitritet dhe ngjyruesit artificialë ushqimorë.

  • Mbi 800 milionë persona të prekur nga diabeti, mbipesha e ushqimi ndër shakatarët kryesorë

    Mbi 800 milionë persona të prekur nga diabeti, mbipesha e ushqimi ndër shakatarët kryesorë

    14 nëntori shënon Ditën Botërore kundër Diabetit, një datë që rikujton përmasat alarmante të kësaj sëmundjeje kronike, e cila prek miliona njerëz në mbarë globin. Sot, mbi 800 milionë persona jetojnë me diabet – një shifër që, sipas studimeve të fundit, është dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit.

    Diabeti është një sëmundje kronike që shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, ose kur trupi nuk arrin ta përdorë atë në mënyrë efektive. Forma më e përhapur, diabeti i tipit 2, përbën mbi 95 për qind të të gjitha rasteve dhe shpesh lidhet me mbipeshën, ushqyerjen jo të shëndetshme, mungesën e aktivitetit fizik, por edhe faktorë gjenetikë. Ndryshe nga tipi 1, diabeti i tipit 2 është i parandalueshëm.

    Analizat globale të publikuara vitin e kaluar në gazetën “Lancet” zbuluan se normat e diabetit janë rritur nga rreth 7 për qind në vitet 1990 në 14 për qind në vitin 2022. Rritja më e madhe është vërejtur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ka raportuar “The Guardian”.

    Ky është studimi i parë gjithëpërfshirës që analizon prevalencën e diabetit dhe qasjen në trajtim në të gjitha vendet e botës. Shkencëtarët e NCD-RisC, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, analizuan të dhënat e mbi 140 milionë personave mbi moshën 18 vjeç, nga më shumë se 1.000 studime të kryera në mbarë botën, duke përdorur metoda të avancuara statistikore për të krahasuar shtetet dhe rajonet.

    Studimi thekson pabarazitë e thella shëndetësore: më shumë se gjysma e personave me diabet jetojnë vetëm në katër vende. Në vitin 2022, 212 milionë prej tyre jetonin në Indi, 148 milionë në Kinë, 42 milionë në SHBA dhe 36 milionë në Pakistan. Vendet e tjera me numër të lartë përfshijnë Indonezinë me 25 milionë dhe Brazilin me 22 milionë raste.

    Në disa rajone si Karaibet, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, diabeti prek mbi 25 për qind të popullsisë së rritur. Ndërkohë, normat janë dukshëm më të ulëta në vendet evropiane si Franca, Danimarka, Spanja, Zvicra dhe Suedia, ku prevalenca lëviz nga 2 deri në 4 për qind.

    Rritja e mbipeshës dhe plakja e popullsisë pritet të rrisin më tej numrin e të sëmurëve me diabet në vitet e ardhshme.

    Studimi vë në pah edhe një problem tjetër serioz: mungesën e qasjes në trajtim. Ndërsa shumë vende me të ardhura të larta kanë shënuar përmirësime, mbi 55 për qind e të rriturve të trajtuar në vitin 2022 nuk përfaqësojnë përmirësim global. Në vendet me të ardhura të ulëta, situata mbetet e vështirë.

    Si pasojë, më shumë se gjysma e të rriturve me diabet – 445 milionë persona (59 për qind), mbi moshën 30 vjeç – nuk morën asnjë trajtim në vitin 2022.

  • Dita Botërore e Diabetit, 15 mijë pacientë trajtohen çdo vit në QKUK

    Dita Botërore e Diabetit, 15 mijë pacientë trajtohen çdo vit në QKUK

    15 mijë pacientë me diabet trajtohen çdo vit në Klinikë e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), raporton Ekonomia Online.

    Kështu u tha nga Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku, gjatë shënimit të Ditës Botërore të Diabetit.

    Emini-Sadiku, theksoi se diabeti mbetet një sëmundje kronike shumë e përhapur dhe se prek persona të të gjitha moshave, duke filluar nga të porsalindurit e deri te të moshuarit.

    Ajo ka treguar se Klinika e Endokrinologjisë ofron kujdestari 24-orëshe dhe gjatë vitit hospitalizon 800 deri në 900 pacientë. Ajo bëri të ditur se prevalenca e diabetit melitus në Kosovë është 7.9 për qind, ndërsa në baza vjetore trajtohen rreth 15 mijë pacientë, me një kapacitet prej 32 mijë shtretër.

    “Diabeti është i shpërndarë gjithandej duke filluar nga të porsalindurit deri tek moshat e shtyra. Sëmundja e diabetit është një sëmundje kronike shumë e përhapur. Diabeti në botë po rritet për shkak të shtimit të obezitetit, për shkak të jetës së pashëndetshme dhe stresit. Ne në klinikën tonë funksionojmë në dy reparte: Reparti i Diabetologjisë dhe Reparti i Endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike. Në klinikë organizohen dhe mbahen kujdestaritë 24 orë përafërsisht hospitalizohen prej 800- 900 pacientë. Prevalenca e diabetit melit në Kosovë është 7.9%. Diku rreth 15 mijë pacient i kemi brenda vitit i kemi 32 mijë shtretër. Kemi numrin shumë të vogël të të vdekurve pavarësisht komplikimeve të mëdha. Ajo se çfarë është shqetësuese është problemet me sëmundjet kardiovaskulare. Mosha që më së shumti që vijnë janë prej moshës 16 vjeç të prekur me diabet. Sot na ka ardh një donacion për gleukometër”, tha ajo.

    Ndërkohë tha se Repartit të Endokrinologjisë tha se sa i përket terapisë me insulinë, pacientët janë të furnizuar mjaftueshëm dhe nuk përballen me mungesa. Megjithatë, ai theksoi se sfidë mbetet furnizimi me disa barna.

  • Një çift shqiptar gjenden të vrarë në një banesë në Brest të Francës

    Një çift shqiptar gjenden të vrarë në një banesë në Brest të Francës

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Brest në Francë, ku të enjten një çift u gjet i pajetë në banesën e tyre, sipas raportimeve të mediave franceze.

    Alarmi u dha rreth orës 16:30, kur një banor i lagjes Europe njoftoi policinë se kishte dëgjuar dy të shtëna arme në adresën 101 Rue Général-Paulet.

    Pasi mbërritën në vendngjarje, forcat e rendit gjetën trupat e çiftit shqiptar Andon Janaqi, 36 vjeç dhe Anjeza Zeneli, 30 vjeç, si edhe një pushkë gjahu pranë tyre.

    Sipas raportimeve, hetuesit po e shqyrtojnë ngjarjen si një vrasje të gruas, e ndjekur nga vetëvrasja e të dyshuarit.

    Çifti ishte prindër i dy fëmijëve. Njëri prej tyre nuk ishte kthyer ende në shtëpi pas të shtënave, ndërsa fëmija më i vogël ndodhej në shkollë në momentin kur ndodhi tragjedia.

  • FIFA me postim tejet domethënës për Kombëtaren e Kosovës

    FIFA me postim tejet domethënës për Kombëtaren e Kosovës

    Shtëpia botërore e futbollit FIFA,ka bërë një postim mjaft domethënës për rrugëtimin e Kombëtares së Kosovës që nga pranimi në vitin 2016.

    FIFA e cilësoi si “ngritje historike”për Kombëtaren e Kosovës,ku nga pozita e 190-të në vitin 2016 arriti në pozitën e 84-të që është më e larta në histori.

    Përndryshe në postim shkruhet se Kosova është në prag të debutimit në Kupën e Botës në SHBA,Meksikë dhe Kanada,dhe se kjo tregon se futbolli kosovar ka përparuar shumë në 9 vitet e fundit.

    Kujtojmë që Kombëtarja e Kosovës gjendet para dy ndeshjeve vendimtare për Kupën e Botës të vitit 2026,ku të shtunën do të takohet kundër Sllovenisë teka në Prishtinë e pret Zvicrën.

  • Pensionet sot procesohen me rritje, Murati: Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti

    Pensionet sot procesohen me rritje, Murati: Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti

    Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, ka bërë të ditur se pensionet sot do të procesohen me rritje.

    Ndërsa ka thënë se asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse qeveria Kurti.

    Postimi i plotë i Muratit:

    Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti.

    Pensioni Bazik të cilin e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje me vlerë 150 euro/muaj. Pra 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%.

    Ngjashëm edhe Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat i gjetëm me 75 euro/muaj dhe nga sot ato bëhen 150 euro/muaj, apo 100% rritje brenda mandatit.

    Gjithashtu, kemi rritur edhe mbështetjen për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, por edhe pensionin invalidor e atë familjar.

    Qeveria për pensionistët!