ATV

Blog

  • FSK shënon sukses në trajnimin për operacione të kërkim-shpëtimit malor

    FSK shënon sukses në trajnimin për operacione të kërkim-shpëtimit malor

    Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve zhvillimore të Qendrës Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH), gjatë dy javëve të kaluara ka realizuar me sukses trajnimin e avancuar në fushën e kërkim-shpëtimit malor.

    Qëllimi i trajnimit ishte ngritja e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve në operacionet malore të kërkim-shpëtimit, duke forcuar aftësitë teknike, koordinimin dhe reagimin efektiv në situata emergjente.

    Siç thuhet në njoftimin e FSK-së, trajnimi përfshiu skenarë praktikë, përdorimin e pajisjeve të specializuara dhe procedurat standarde të operacioneve malore, duke kontribuar ndjeshëm në avancimin e njohurive dhe përgatitjes së pjesëtarëve nga FSK dhe Turqia të angazhuara në këtë trajnim.

  • Robert Lewandovski nuk do të largohet nga Barcelona sipas gazetarit gjerman Florian Plettenberg

    Robert Lewandovski nuk do të largohet nga Barcelona sipas gazetarit gjerman Florian Plettenberg

    Sulmuesi i Barcelonës Robert Lewandovski,nuk do të largohet nga gjiganti katalunas të paktën në janar.

    Gazetari gjerman Florian Plettenberg ka bërë të ditur se polaku nuk do të largohet nga Camp Nou,dhe se pritet që e ardhmja e Lewas të qartësohet në muajt në vijim.

    Përndryshe Lewandovski është përfolur për një kalim tek gjiganti italian Milan,dhe poashtu edhe gjiganti turk Fenerbahçe po kërkon që të përforcojë repartin e sulmit.

    Mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat,se nëse Lewa do të kalojë në ndonjë skuadër apo do të pensionohet në fund të sezonit.

    Kujtojmë që Robert Lewandovski në 12 ndeshje për Barcelonën në të gjitha garat shënoi 7 gola.

  • Dhimbja në anën e djathtë të kokës, simptomë e lodhjes apo sinjal i rrezikshëm?

    Dhimbja në anën e djathtë të kokës, simptomë e lodhjes apo sinjal i rrezikshëm?

    Kur dhimbja shfaqet vetëm në anën e djathtë të kokës, ajo mund të lidhet me një sërë faktorësh – nga shkaqe krejt të padëmshme e të përkohshme, deri te ato që kërkojnë vëmendje të menjëhershme mjekësore.

    Ky lloj shqetësimi është mjaft i përhapur dhe shpesh vjen i shoqëruar me lodhje, të përziera, ndjeshmëri ndaj dritës apo edhe turbullim të shikimit.

    Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se rreth 50% e të rriturve në mbarë globin përjetojnë të paktën një episod dhimbjeje koke çdo vit, duke e renditur këtë simptomë si një nga më të zakonshmet. Shkaqet e dhimbjes së kokës në një anë të vetme mund të jenë neurologjike, vaskulare, muskulare ose të lidhen me stilin e jetesës.

    Një ndër shpjegimet e mundshme është neuralgjia okcipitale, e cila shfaqet kur nervat që nisin nga pjesa e sipërme e palcës kurrizore dhe përfundojnë në lëkurën e kokës inflamohen apo dëmtohen. Dhimbja ndjehet zakonisht në pjesën e pasme të kokës dhe qafës, mund të përhapet deri pas syrit, dhe shpesh shoqërohet me ndjeshmëri ndaj dritës.

    Një tjetër shkak i rëndësishëm është arteriti temporal, një inflamacion i arterieve të kokës dhe qafës që prek kryesisht personat mbi 50 vjeç. Ai manifestohet me dhimbje të forta në tëmth, ndjeshmëri të skalpit, dhimbje gjatë përtypjes dhe në raste të caktuara, edhe me humbje të përkohshme të shikimit.

  • PDK-ja i përgjigjet Hoxhajt: Me statut të partisë, konventa duhet të mbahet brenda 5 ditësh, mirëpresim garën e brendshme

    PDK-ja i përgjigjet Hoxhajt: Me statut të partisë, konventa duhet të mbahet brenda 5 ditësh, mirëpresim garën e brendshme

    Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur deputetit të saj Enver Hoxhaj, i cili sot ka kërkuar që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se Konventa e Jashtëzakonshme është thirrur në bazë të nenin 35 të Statutit të Partisë.

    Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se sipas statut konventa duhet të mbahet brenda pesë ditësh.

    Ajo ka theksuar se PDK-ja e inkurajon garën e brendshme për kryetar.

    “Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së Kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh. Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore”, ka vlerësuar Çitaku.

    Ajo ka bërë me dije se më e rëndësishme se gara e brendshme partiake është fitorja e PDK-së në zgjedhjet parlamentare.

    “Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt. Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, është shprehur Çitaku.

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, sot ka kërkuar që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit, e cila pritet të mbahen të hënën.

    Ai ka bërë me dije se një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër.

    Në profilin e tij në “Facebook”, Hoxhaj ka shkruar se ka kërkua nga kryesia e partisë që konventa të shtyhet të paktën për të dielën e ardhshme.

    “Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”, ka shkruar ai.

    Ai ka bërë me dije se do të ishte mirë që në këtë garë të kishte më shumë se një kandidaturë.

    Megjithatë, ai nuk ka treguar nëse do të kanditojë për kryetar të PDK-së.

    “Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në. Për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime. Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”, ka shkruar Hoxhaj, duke shtuar se gara nuk duhet të orientohet.

    “Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, ka shkruar ai.

  • Pas ngritjes së aktakuzës, Rozeta Hajdari thërret konferencë për media

    Pas ngritjes së aktakuzës, Rozeta Hajdari thërret konferencë për media

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të mbajë sot konferencë për media, me fillim nga ora 15:00.

    Konferenca do të mbahet në orën 15:00 dhe vjen pas aktakuzës që ngriti Prokuroria Speciale kundër saj dhe tre të tjerëve lidhur me skandalin e rezervës shtetërore.

    “Ministrja në detyrë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, sot me datën 14 nëntor në ora 15:00, do të mbajë konferencë për media”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të hënën ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës. “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.

    “Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftim.

    Lajmin për ngritjen e aktakuzës e dha vetë Hajdari.

    “Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media”, ka shkruar Hajdari.

    Ajo ka thënë se ndihet krenare për punën në ministri.

    “Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.”

    Në gusht të vitit 2023, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, u arrestuan për këtë rast. Policia arrestoi edhe afaristin Ridvan Muharremin.

    Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

    Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

    Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

    Kryeministri Albin Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit atë kohë, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

    “Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.

    Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.

    Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve nacionale 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt.

  • Kur inteligjenca artificiale gabon, kush është përgjegjës? Ekspertja e teknologjisë jep përgjigjen

    Kur inteligjenca artificiale gabon, kush është përgjegjës? Ekspertja e teknologjisë jep përgjigjen

    Përgatiti Rinesa Grajçevci

    Ekpertja e teknologjisë Denisa Kele ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” dhe foli për rolin dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale (IA) në jetën e përditshme. Ajo theksoi se IA ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar njerëzit në punë, shkollë dhe në organizimin e detyrave të përditshme, por paralajmëroi për sfidat që sjellë përdorimi i saj.

    Një nga pyetjet më të rëndësishme që lindë me përdorimin e IA është përgjegjësia për gabimet e mundshme të sistemeve inteligjente. “Kur një program IA bën gabim, lind pyetja: kush është përgjegjës? A është kompania që e zhvilloi, përdoruesi, apo vetë sistemi?”.

    “…Këto janë problematika shumë të thella të intelegjencës artificiale dhe shpresoj që të bëjnë zgjidhje të gjitha ligjet e reja që tashmë po vendosen nga Bashkimi Europian – globalisht…”, theksoi Kele.

    Ekspertja deklaroi se ndërgjegjësimi i përdoruesve mbi kufizimet dhe mënyrën e funksionimit të IA është po aq i rëndësishëm sa zhvillimi i programeve të sofistikuara.

    “…Ne nuk duhet të frikësohemi nga teknologjia, por duhet të dimë si ta kontrollojmë dhe si të mbajmë përgjegjësitë në rast gabimesh…”, shtoi Kele.

    Kele ngriti pyetje të rëndësishme mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale: a do të mendojnë njerëzit vetë, apo do ta lëmë IA-në të “mendojë” për ne?

    “Nëse ti je në përditshmeri me të, do ta mendosh patjetër sepse unë e shoh se çfarë ai mund të bëjë, çfarë intelegjence artificiale mund të bëjë. Patjetër që kam edhe frikërat e mia se si do të vazhdojë e gjithë kjo historia e intelegjencës artificiale…”, deklaroi ajo.

    Denisa gjithashtu sugjeroi që ligjet dhe rregulloret duhet të përshtaten me zhvillimet e reja teknologjike, për të garantuar përdorim etik dhe për të mbrojtur qytetarët.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Denisa Kele, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Prindërit e 1 vjeçares që u qëllua nga snajperi në Sarajevë, kërkojnë të dinë nëse ajo u vra ‘për turizëm’

    Prindërit e 1 vjeçares që u qëllua nga snajperi në Sarajevë, kërkojnë të dinë nëse ajo u vra ‘për turizëm’

    Irina Çishiq, e lindur më 8 tetor të vitit 1993, u qëllua nga një plumb snajperi në kryeqytetin e Bosnjës në Sarajevë, katër ditë pasi mbushi 1 vjeç.

    Prindërit e saj, tani kërkojë të dinë nëse ‘vajza e tyre u vra’ në ‘gjuetinë e snajperëve’ – një nga temat më të raportuara orët e fundit në mediat botërore, për atë se gjatë luftës në Bosnjë, ‘njerëzit e pasur kishin paguar për të qëlluar mbi njerëz veç për qejf’.

    “Meqë Irina sapo kishte mësuar të ecte, gruaja ime Stana e mbante për dore. Kurrë nuk e kuptuam pse dikush do të qëllonte drejt një shënjestre 50–60 centimetra të gjatë sa një vajzë njëvjeçare – në vend të një shënjestre shumë më të madhe, siç është gruaja ime, që do të ishte më e lehtë për t’u goditur”, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) babai i Irinës, Samir Çishiq.

    Për tri dekada, prindërit e vajzës së vrarë kërkojnë një përgjigje: a u vra vajza e tyre vetëm për të shkaktuar më shumë dhimbje dhe vuajtje?

    Sipas gazetave Il Giorno, La Repubblica dhe agjencisë ANSA, prokurorët po hetojnë pretendimet se gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë (1992–1995), pasanikë të huaj kanë paguar “shuma të mëdha parash” për të qëlluar me armë “për pikën e qejfit” civilë në Sarajevën e rrethuar.
    Sarajeva u rrethua nga Ushtria e Republikës Sërpska nga viti 1992 deri në vitin 1995. Rrethimi që zgjati 1.425 ditë, ishte një nga më të gjatët në historinë moderne evropiane.

    Më shumë se 1.600 fëmijë u vranë dhe 14.000 u plagosën.

  • Osmani kritikon BE-në: Aplikimi i Kosovës i harruar në sirtarë që nga 2022-ta

    Osmani kritikon BE-në: Aplikimi i Kosovës i harruar në sirtarë që nga 2022-ta

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar Bashkimin Evropian duke thënë se ‘Brukseli zyrtar duket se nuk sheh progresin që ka bërë Kosova’.

    Osmani ka thënë se Kosova nuk bën flirt me vende të tjera e fuqi keqdashëse si Rusia, Kina e Irani, të cilat i quan edhe si “trekëndëshi i së keqes”, por në të njëjtën kohë ndjen se puna s’po i vlerësohet.

    “Por në të njëjtën kohë, nuk e ndiejmë që ky qasje pro-evropiane dhe fakti që ne jemi 100% të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është parë ose vlerësuar. Përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë. 97% e njerëzve, sigurisht, janë pro-evropianë. Reformat tona në ekonomi, në sundim të ligjit, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar. Dhe duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka që duhet të vijë. Unë ende nuk e shoh të ndodhë”, ka thënë Osmani në “Politico”.

    “Por shpresoj, ashtu siç thatë ju, që Gjermania do të luajë atë rol udhëheqës në shtyrjen e një procesi të bazuar në meritë, sepse ne nuk po kërkojmë bamirësi. Nuk po kërkojmë rrugë të shkurtër. Po kërkojmë, pikërisht, respekt për punën që bëjmë dhe pranimin e reformave që ne ndërmarrim. Dhe nëse kjo do të merret parasysh, Kosova do të bëhej vendi udhëheqës. Por realiteti është se tani për tani, aplikimi ynë as nuk është shqyrtuar. Ne aplikuan në dhjetor 2022, dhe tani jemi pothuajse në dhjetor 2025. Ai ndodhet diku në sirtarët e Bashkimit Evropian, por nuk po ecën përpara”, ka thënë Osmani.

  • Pas 26 vitesh, lufta vazhdon në ëndrra, Anton Quni rrëfen traumat psikologjike që i përjeton ende

    Pas 26 vitesh, lufta vazhdon në ëndrra, Anton Quni rrëfen traumat psikologjike që i përjeton ende

    Përgatiti Alina Krasniqi

    Edhe pse kanë kaluar më shumë se 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, plagët e saj vazhdojnë të jetojnë në kujtesën dhe shpirtin e shumë ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Anton Quni është njëri prej tyre… Ai në emisionin “LIBERO” ka rrëfyer se edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, ende nuk ka mundur të çlirohet nga plagët e saj shpirtërore.

    Quni tregoi hapur për frikën më të madhe që e shoqëroi gjatë luftës së Kosovës: të mos bie kurrë në dorë të armikut, dhe tregoi se gjatë operacioneve gjithmonë mbante një bombë si sigurim për veten, një masë paraprake për të mbrojtur jetën e tij në situata të rrezikshme. Shpesh, tha ai, se ëndrrat e tij e rikthejnë në skena ku ndjehet i kapur rob, një pasqyrë e frikës dhe traumave të përjetuara gjatë betejave.

    “…Unë shpesh e shoh në ëndërr sikur po bie në dorën e armikut. Ajo frikë ka qenë gjithmonë e pranishme gjatë luftës dhe mendoj se prej saj më kanë mbetur këto ëndrra. E kam marrë si diçka normale, sepse në atë kohë çdo gjë ka qenë e mundshme dhe ka pasur edhe raste shumë më të rënda se kaq…”, theksoi ai.

    Gjithashtu, Quni u shpreh se për të është e domosdoshme të ruhet qetësia, të ndërtohet baraspesha dhe të mos dorëzohet, duke përballuar të kaluarën pa lejuar që ajo të pengojë të ardhmen.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Anton Qunit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Phoenix Suns,Toronto Raptors dhe Atlanta Hawks shënojnë fitore të rëndësishme

    Phoenix Suns,Toronto Raptors dhe Atlanta Hawks shënojnë fitore të rëndësishme

    Janë zhvilluar ndeshje mjaft e rëndësishme në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Phoenix Suns ka mposhtur Indiana Pacers,dhe atë me rezultat bindës 133:98.

    Devin Booker ishte basketbollisti më i mirë tek Suns me 33 pikë,5 kërcime e 7 asistime,teksa kontribut dha dhe Dellion Brooks me 32 pikë të shënuara.

    Në anën tjetër tek Pacers Andreë Nembhard me 21 pikë,8 asistime e 2 asistime,kurse Pascal Siakam realizoi 19 pikë,5 kërcime e 2 asistime.

    Atlanta Haëks mposhti në udhëtim skuadrën e Utah Jazz me rezultat 132:122,ku Onyeka Okongëu ishte më i miri me 32 pikë e 11 kërcime si dhe Jalen Johnson me 31 pikë,18 kërcime e 14 asistime.

    Tek Utah Lauri Markannen me 40 pikë ishte më i miri,kurse Ace Bailey me 21 pikë dhe Keyonte George me 19 pikë ishin më efikasët.

    Në ndeshjen tjetër që u zhvillua mbrëmjen e kaluar Toronto Raptors mposhti Cleveland Cavaliers me rezultat 126:113.

    Scottie Barnes me 28 pikë,10 kërcime e 8 asistime,si dhe Immanuel Quickley me 25 pikë ishin më të mirët tek Raptors,kurse për Cavaliers Donovan Mitchell me 31 pikë,6 kërcime e 6 asistime ishte më i miri në parket.